Evrocentrizmi në fokus të kritikës

Hyrje


A ekziston një kulturë dhe etikë globale, e gjithëpranuar për njerëzit, në bazë të të cilave njeriu do të mund ta arrijë lumturinë, rehatinë, qetësinë shpirtërore dhe mirëqenien materiale?
A kanë mangësi dhe negativitete shtetet që posedojnë fuqi politike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake, meqë këta faktorë verbalisht nuk pranojnë dështim eventual? A mund të sigurojnë këto shtete të fuqishme lumturi të qytetarëve të tyre dhe atyre përreth?
A mos e ka arritur lumturinë shpirtërore dhe sigurinë materiale evroperëndimi dhe disa shtete të fuqishme botërore apo mos kanë rënë në krizë edhe më të madhe?
Ku është thelbi i krizës morale dhe shpirtërore, kriza e ekologjisë, e nihilizmit, etj.?
Ku është faji dhe kush është fajtor?

Mos vallë shkenca, teknologjia, progresi dhe mirëqenia materiale, liria dhe ekstravaganca e lirisë aktuale, pornografia, homoseksualizmi dhe sjelljet tjera perversive, luksi, koka-kolaizmi, e të ngjashme me këto, e përbëjnë qytetërimin njerëzor?
Mos vallë ekziston njeriu për shkak të vlerave materiale apo vlerat materiale ekzistojnë për njeriun?
Kush është njeriu dhe ku shkon ky?

A janë sendërtuar premtimet se me përhapjen e mendimeve progresive, të shkencës dhe racionalizmit, “zotërat” e deriatëhershëm do të eliminohen dhe me këtë do të vijë koha e lirisë dhe lumturisë së njeriut?
A mund ta zëvendësojë dhe kompenzojë scientizmi devotshmërinë, apo scientizmi s’është gjë tjetër përveçse idhujtari e vjetër në petk të ri?
A mos shekullarizmi politik dhe kulturor në Amerikë, në Evropë dhe në shumë vende të tjera, duke propaganduar se tërë bota duhet t’i ndjekë, t’i imitojë ata dhe ta adaptojë kulturën dhe qytetërimin e tyre sipas evroprendimit, ka arritur ta refuzojë fenë?
A nuk kanë krijuar me këtë veprim të tyre vakum të thellë moral dhe shpirtëror?[2]
A nuk ka krijuar ky veprim i tyre indiferencë, egoizëm dhe armiqësi të pafund ndaj çdo gjëje, përveç ndaj plotësimit të dëshirave të tyre të pafund?



Evrocentrizmi si masë unikale e vlerësimit


Leximi, analizimi dhe meditimi i shtypit ditor, javor, shkencor, por edhe i literaturës shkencore, pastaj analizimi i veprimeve politike të udhëheqësve nëpër vende të ndryshme evroperëndimore, na bën të qartë se te evroperëndimorët indiferentizimi, egoizmi, racizmi, demokracia me standarde të shumëfishta dhe subjektive dhe epshet e shfrenuara janë bërë masë dhe kriter të vlerave dhe virtyteve, kurse altruizmi, humaniteti, vetëkontrolli dhe solidariteti konsiderohen gjendje abnormale dhe arkaike. Perceptimi, përkufizimi i njeriut: kush është, pse është, çfarë është synimi i tij në këtë botë dhe ku do të shkojë pas kësaj bote, ka ndryshuar. Ajo që i ofrohet njeriut është instinkti dhe arsyeja në shërbim të instinktit. Parulla aq shumë e përsëritur për liri absolute të njeriut, larg çdo hyjnie e autoriteti hyjnor, u zëvendësua me parullën për robërim ndaj instinktit dhe arsyes. Ky robërim absolutisht është më i vrazhdë dhe më përçmues për njeriun, të cilin robërim, për fat të keq, njeriu ia ka përgatitur vetvetes, njeriu-njeriut.[3] Kjo gjendje shpie në hedonizëm (kënaqësi ndijore) dhe relativizëm, në mohimin e virtyteve hyjnore, në vetëkënaqësi dhe natyrisht, në dekadencë dhe korrupsion.

Është interesant për shkencën se orientalisti i njohur Italian, F. Gabrieli, nënshtrimin e mëtutjeshëm të Lindjes ndaj Perëndimit e arsyeton në faktin se meqë Perëndimi e ka shkaktuar vakumin dhe shkretërimin shpirtëror dhe material në Lindje, vetëm ai, Perëndimi, me mjetet perëndimore, ka potencial ta bëjë korrigjimin e kësaj gjendje.[4] Me këtë veprim Perëndimi do të vazhdojë ta rrënojë e shkretërojë Lindjen edhe më tej politikisht, ekonomikisht, kulturalisht, në emër të emancipimit, fuqizimit politik dhe ekonomik dhe unifikimit kulturor.



Evrocentrizmi si stadi i kapërcyer nga vetë evropianët


Përpjekjet e shtuara të popujve të ndryshëm në tërë botën për t’iu kthyer traditave dhe kulturës vetjake, tregojnë se tashmë ka filluar epoka e fillimit të fundit të evrocentrizmit dhe fillimi i vetëdijësimit dhe zgjimit se kultura dhe qytetërimi evroperëndimor çfarë ofrohet tashmë një kohë të gjatë nuk mund të jenë zëvendësim përkatës për kulturat dhe qytetërimet e popujve tjerë. Kjo manifestohet në disa fusha të jetës: disa popuj, apo disa grupe e personalitete, me kalimin e kohës kanë filluar të distancohen nga evroperëndimi duke preferuar kulturën vetjake të ushqimit, të veshmbathjes, të banimit, të lindjes, martesës dhe vdekjes. Kjo përpjekje për mbrojtjen e vetjakes është në fazën e përcaktimit dhe përkufizimit ideor. Në disa vende kjo përpjekje e mbrojtjes manifestohet edhe në vetë Evropën, si nacionalizëm kulturor apo si nacionalizëm fetar.[5]

Imperializmi kulturor do të thotë kur nëpërmjet mjeteve të ndryshme elektronike dhe të shkruara, pra kanaleve televizive dhe satelitore, turistëve, ushtarëve, punëtorëve, gjoja, humanistë e mënyra tjera, hyjnë nëpër shtete dhe me vete bartin virusin e dyshimit në besimet dhe vlerat e vjetra.

Kulturën e shekullit të kaluar Perëndimi e konsideron më të mirë dhe për këtë arsye, raca perëndimore është më superiore dhe më inteligjente se popujt tjerë. Mënyra e jetës, mënyra e të menduarit, mësimi dhe hulumtimi, morali perëndimor duhet të bëhet paradigmë e shoqërive, popujve dhe kulturave të tjera. Kjo kulturë bazohet në materializëm[6] dhe interesin individual, që ndjek politikën perëndimore. Thelbi dhe filozofia e kësaj kulture është ateizmi, shekullarizmi dhe politika e largimit dhe indiferentizmit nga devotshmeria dhe morali. Parullat e këtij qytetërimi, si demokracia, të drejtat e njeriut, liria individuale dhe të drejtat e femrës, të cilat shfrytëzohen si pretekst dhe instrumente për konflikte dhe luftëra me popujt dhe shoqëritë tjera që nuk ndjekin politikën perëndimore.[7] Çka është demokratike dhe çka është liri individuale përcaktohet ekskluzivisht vetëm nga qarqet perëndimore. Nëse një vajzë muslimane e shkollës së mesme apo e fakultetit, apo nëse një arsimtare apo një mjeke muslimane dëshiron të shkojë në shkollë, fakultet, respektivisht në punë me veshje që i pëlqen asaj, dhe kjo nuk i pëlqen perëndimorëve dhe pengohet nga ata, kjo nuk konsiderohet thyerje dhe kontestim i lirisë individuale, as shkelje e demokracisë.[8] Të drejtat njerëzore kanë vlerë deri atëherë kur nuk shkelen të drejtat e perëndimorëve. Provë për këtë kemi masakrën e Srebrenicës, ku u zhdukën afër 10 mijë njerëz të pafajshëm, kurse vrasësit janë mega-starë dhe të privilegjuar para drejtësisë botërore. Provë për këtë kemi masakrat e shumta në Kosovë, kurse vrasëtarët shetisin nëpër botë të privilegjuar.[9]

Kundërthëniet e ndryshme ndërmjet fjalëve dhe veprave të tutorëve të kulturës evrocentriste dhe vesterniste në disa dekadat e fundit konfirmojnë se Perëndimi ka humbur fuqinë dhe nëse nuk ndërron në qëndrimin e tij në pranimin e kombeve, racave dhe feve të tjera, ai do ta humbë edhe atë pakë besim qe e ka pasur ndër popujt tjerë. Duke mohuar kulturat dhe qytetërimet tjera, Perëndimi mohon vetëveten.[10] Në sytë e muslimanëve, por edhe disa të tjerëve, kultura dhe qytetërimi perëndimor konsiderohen si konsumuese, jomorale dhe ateiste dhe pengesë për trendet bashkëkohore.

Në mesin e vetë evropianëve ka disa emra të mëdhenjë të cilët kritikojnë me rreptësi kulturën dhe qytetërimin materialist dhe ateist, që tregon se Perëndimi është buzë greminës.[11]

Osvald Shpengler, i nisur nga gjendja në Evropë, thotë se “civilimi është faza e tatëpjetës dhe e shkatërrimit të kulturës.”[12]

Rozhe Garodi, njëri nga intelektualët më të mëdhenj perëndimor thotë:

“Qytetërimi perëndimor gjendet i mbyllur në rrethin të cilin e ka ndërtuar vetë. Rezultatet pozitive të këtij qytetërimi mbahen brenda tij, kurse ajo që është negative mund të gjendet në hapësirë të hapur. Mendimi perëndimor zë fill dhe ushqehet në përgënjeshtrimin e të tjerëve, sikur ata të cilët jetojnë duke pirë gjakun e të tjerëve dhe në rastin kur nuk mund të gjejnë gjakë të huaj për të pirë, ai ia pinë gjakun vetëvetes. Për këtë arsye, qytetërimi perëndimor do t’i kthehet vetëvetes dhe ky do të jetë një nga faktorët e shkatërrimit të tij.”[13]

Njeriu i humbur në vakumin moral, në nihilizmin dhe etjen spirituale, kërkon rrugën e moralit dhe burimin e spiritualizmit. Disa klithin: “ja, këtu është rruga e drejtë”, mirëpo, në atë zhurmë dhe rrëmujë ideore, në atë pavlerë dhe tirani dhe racizëm të evrocentrizimit[14], këta zëra të arsyes nuk dëgjohen.

Këtë çështje na shpjegojnë vetë evropianët. Një dijetar i kësaj provenience pohon se “humbja e vërtetë na kërcënohet nga lufta shpirtërore që Evropa metodikisht e zhvillon kundër frymës së lindorëve përgjithësisht, e muslimanëve veçanërisht… që të ndahen popujt lindorë nga e kaluara e tyre…”.[15]


Në vend të përfundimit

Teoria e dialogut kulturor e qytetërues, që ofron islami, kundrejt teorisë së luftës dhe dhunës së kulturës evroperëndimore që ofron dhe imponon Perëndimi, është garantues i një perspektive për njerëzinë. Si model kulturor, Islami përmban elemente për një model botëror: politika në shërbim të fesë e jo feja në shërbim të politikës dhe politikanëve, detyrat e sunduesit, të dijetarit dhe të njeriut të zakonshëm ndaj Krijuesit, kërkimi i diturisë për të gjithë si detyrim fetar, duaja si mjet kontakti ndërmjet krijesës dhe Krijuesit, lufta kundër besëtytnisë dhe padijes, edukimi dhe arsimimi, puna hulumtuese-shkencore dhe intelektuale, rendi dhe planifikimi, urdhëri për të mirë dhe pengimi i të keqes, angazhimi dhe përpjekja për të mirë (xhihadi), angazhimi kundër korrupcionit, egoizmit, indiferentizmit, konsultimi dhe miqësia, liria e mendimit, drejtësia, barabarësia, solidariteti etj.,

Mirëpo, për shkak të jetës joislame të muslimanëve nga një anë dhe luftës së vazhdueshme të evroperëndimorëve dhe mungesës së autokritikës në mesin e evroperëndimorëve, në anën tjetër, shumë dëshira të muslimanëve kanë mbetur dhe do të mbesin për një kohë, në rrafshin e dëshirave dhe synimeve.[16]


Literatura:

1. Znakovi vremena – casopis za filozofiju, religiju, znanost i drustevenu praksu, nr. 17/2002, Sarajevë.
2. Tomazh Mastnak, Zoti i blasfemuar dhe demokracia perëndimore, Prizren, 2000.
3. Znakovi vremena – Sarajevë, nr. 4/ 1998 ose: http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=40&broj_id=3.
4. Enes Karic (ed.), Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997.

5. Jusuf El-Karadawi, Islam civilizacija buducnosti, Novi Pazar, 2004.
6. Java, gazeta javore, qershor, Prishtinë, 2005.
7. Muharem Omerdic, Genocid nad muslimanima, Sarajevë, 2002.
8. Rozhe Garodi, Zivi islam, Sarajevë, 2000
9. Hisham Dzait, Evropa i islam, Sarajevë, 1985
10. Murad Hofman, Islam u 3 mileniju, Sarajevë, 2004.
11. Ekrem Murtezai, Fjalor i filozofisë, Prishtinë, 1995.
12. Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, botimi III, Prishtinë, 2000.
13. Daniel Bucan, Poimanje arabizma, Zagreb, 1980, fq. 180.
14. Adnan Silajdzic, Islam u otkricu krscanske Evrope, Sarajevë, 2003.
15. Enes Karic (ed.), Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997.
--------------------------------------------------------------------------------

[1] Tomazh Mastnak, Zoti i blasfemuar dhe demokracia perëndimore, Prizren, 2000, fq. 30.

[2] Mohammad J. Pirmoradi, Kritički pogled na evrocentrizam, Znakovi vremena – Sarajevë, nr. 4/ 1998 ose: http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=40&broj_id=3.

[3] Mohammad J. Pirmoradi, op. cit..

[4] Haris Silajdzic, Evropocentrizam i orijentalistika, në: Enes Karic (ed.), Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997, fq. 590 e tutje.

Në frymën e F. Gabrielit kemi edhe pohimin e ish-kryatarit kroat F. Tugjman, i cili pohoi se ”misioni i tij është të civilizojë boshnjakët muslimanë.” Sipas: Tomazh Mastnak, op. cit., fq. 16.

[5] Ndër ata që tërheqin vërejtjen është edhe nobelisti Aleksis Karel, nobelisti Rini Dubu - biolog, Henri Link - psikolog, Xhon Dav - filozof, Arnold Tojinbi - historian dhe shumë të tjerë. Shih gjerësisht: Jusuf El-Karadawi, Islam civilizacija buducnosti, Novi Pazar, 2004, fq. 107-135.

[6] Vaclav Havel, autori dhe shtetari polak, pohon se qytetërimi të cilit i përkasim është “qytetërimi i parë ateist në histori të gjinisë njerëzore” “i cili është thellë pajtues me ndjekjen e hipertrofuar të interesave individuale dhe të përgjegjësive individuale, së bashku me krizën e përgjegjësinë globale.” Jusuf Ziga, Zasto dijalog a ne sukob civilizacija i kultura?, Znakovi vremena – casopis za filozofiju, religiju, znanost i drustevenu praksu, nr. 17/2002, Sarajevë, fq. 90.

[7] Sipas: Tomazh Mastnak, op. cit., fq. 26-27.

[8] Në Kosovë të drejtat njerëzore të besimtarëve muslimanë po shkelen drastikisht. Nxënëset përjashtohen nga shkollat për shkak të veshjes islame, mësueset përjashtohen nga shkolla për shkak të veshjes së tyre islame Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave njerëzore po heshtin, intelektualët po heshtin, kurse organet shtetërore po shkelin çdo gjë të vlefshme me kolorit islam. Shih për këtë disa numra të gazetës javore Java, qershor 2005 etj. në Prishtinë gjatë vitit 2005.

[9] Muharem Omerdic, Genocid nad muslimanima, Sarajevë, 2002.

[10] Tomazh Mastnak, Zoti i blasfemuar dhe demokracia perëndimore, Prizren, 2002.

[11] Lexo: Rozhe Garodi, Zivi islam, Sarajevë, 2000; Hisham Dzait, Evropa i islam, Sarajevë, 1985; Murad Hofman, Islam u 3 mileniju, Sarajevë, 2004.

[12] Në: Ekrem Murtezai, Fjalor i filozofisë, Prishtinë, 1995, fq. 99.

[13] Sipas: Mohammad J. Pirmoradi, op. cit..

[14] Shembull tipik të frymës evroperëndimore shih në fjalët e profesorit bashkëkohor perëndimor Zigfrid, i cili thotë: "Zoti ka krijuar dy lloje racash në natyrë: shefin i cili duhet të udhëheqë, dhe punëtorin i cili duhet të dëgjojë. Cili është më i nevojshëm? Sigurisht, punëtori. Në çdo një mijë punëtorë ka dy deri në tre shefa. Kështu, Zoti e ka krijuar racën evropiane që është shefi dhe atë lindore, që është punëtori. Ja pse mesatarja e natalitetit në Lindje është 3-5% në vjet, kurse në Perëndim 1%". Prof. Zigfrid, po ashtu, thotë: "Ajo që e sheh dhe tenton ta injorosh në trotuar është ndonjë zotëri francez, një punëtor mesatar me flokë ngjyrë të çelur dhe me sy të kaltër, që lehtë mund të udhëheqë organizata të mëdha dhe zyra në Lindje. Por, po të shkosh në Lindje, do të gjeshë mendimtarë dhe personalitete të mëdha, të cilët janë të paaftë të udhëheqin një organizatë prej gjashtë vetash. Përse, për arsye se truri Perëndimor e krijon civilizimin dhe organizimin, kurse truri Lindor është sentimental, poetik dhe teozofik. Përveç asaj, një evropian është i aftë të punojë në një makinë dyzet vjet, e një lindor e prish atë për gjashtë muajt e parë, dhe pastaj vazhdon të punojë me këtë makinë të prishur njëzet vite të ardhshme."

Nuk dëshirojmë ta komentojmë qëndrueshmërinë e pohimeve të akademik Zigfridit, për shkak të qartësisë së mjaftueshme!!! Sipas: Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, botimi III, Prishtinë, 2000, fq. 86.

[15] Raphael Patai, The Arab Mind, New Yrok, 1976, fq. 292, në: Daniel Bucan, Poimanje arabizma, Zagreb, 1980, fq. 180.

[16] Adnan Silajdzic, Islam u otkricu krscanske Evrope, Sarajevë, 12003, fq. 261-306 dhe 307-343; Enes Karic (ed.), Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997, fq. 588.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme