Lëvizja e Muslimanëve të Zi (Black Muslims) në Amerikë

Muslimanët e Zi (Black Muslims), të cilët veten e quajnë Populli islam [2] emrin e morën nga Erik Linkoln, i cili në vitin 1961 botoi librin për Popullin islam (The Nation of Islam in the West), ku për herë të parë e përdori këtë emërtim, i cili do të përdoret deri sot[3], për të cilët flasim ne, kanë prejardhjen nga këta muslimanë të para disa shekujve,[4] por si organizatë, me strukturë dhe hierarki të organizuar, rrjedhin nga vitet e tridhjeta të shekullit XX, në kohën e krizës së madhe ekonomike në Amerikë, dhe lidhen me emrin agjentit tregtar misterioz, tregtarit me mëndafsh, V. D. Fard (1877-1934), i cili në vitin 1930 u paraqit në pjesën zezake të Detroitit, formoi Tempullin e Detroitit dhe filloi si predikues “i fesë së njeriut të Zi nga Afrika dhe Azia”. Ky ka pohuar se rrjedh nga Mekeja dhe se është “gjyqtari suprem i botës” i personifikimit të fundit të Allahut.[5] Megjithatë, Fard erdhi, veproi një kohë dhe u zhduk në verën e vitit 1934, duke mbetur i panjohur.[6] Simpatizuesit e kësaj organizate ishin banorët – zezakët më të varfër të qytetit, zezakët pa punësim dhe pa mjete për jetesë, pasardhësit e robërve, refugjatët gjysmëanalfabetë nga Jugu, masa nga fundi i shkallës shoqërore dhe shtetit amerikan nuk i kanë borxh asgjë.[7] Sipas Fardit, zezakët janë afrikanë dhe nuk i kanë borxh përkushtim Amerikës, vendit në të cilin të parët e tyre janë sjellë me dhunë, si robër, ku ata janë viktima të diskriminimit sistematik dhe të përgjithshëm.[8]

Doktrinën e tij e paraqiti në veprat The Secret Ritual of the Nation of Islam (Rituali sekret i popullit islam) dhe Teachings for the Lost Nation of Islam (Mësime për popujt e lajthitur islam)[9] dhe këto vepra edhe sot paraqesin ndër veprat kryesore për të mësuar për historinë e të parëve të tyre të mëdhenj.

V. D. Fard e njihte Biblën dhe me të predikonte, duke i vetëdijësuar zezakët se feja e tyre nuk është kristianizmi, i cili iu imponua me dhunë të parëve të tyre, por islami, religjion natyror i të gjithë zezakëve. Mirëpo, islami që e predikonte Fard, ndonëse frymëzohej me Kur’an, përmbante edhe qëndrime të kundërta me islamin.[10]

Islami që e predikonte V. D. Fard ishte i bastarduar dhe me primesa supersticioni e magjie. Gjon Allan, shkencëtar anglez, mendon se Muslimanët e Zi, janë “kompromis ndërmjet kristianizmit të ringjallur dhe teologjisë islame” të cilët e shihnin daljen nga shtypja “e popullit të eksploatuar.”[11] Ai mendonte se raca e zezë është superiore kundrejt racës së bardhë si në aspektin gjenetik ashtu edhe në atë kulturor, kurse për të bardhët ai mendon se jo vetëm që janë inferior, por janë edhe inherent të këqinj. Madje, i bardhi, sipas tij, është vetë djalli, dhe se djalli është i bardh, kurse Zoti është i Zi.[12]

Idenë për organizim të vëllezërisë së Amerikës dhe Afrikës së Zezë e ka propaganduar qysh në vitin 1914 Universal Negroe Improvement Association and African Communities League (Shoqata për përmirësimin e përgjithshëm të pozitës së zezakëve dhe aleanca e bashkësive afrikane), kurse për organizimin islam në këto vise ka qenë aktive organizata Amerikan Moors (Maurët amerikan) qysh nga viti 1913, me liderët e të cilëve kishte lidhje Dreu Ali. Pasardhësi i tij, Ilija Pul, në islam i quajtur Ilijah Muhamed (1897-1975) e forcoi organizatën në aspektin organizativ në mënyrë fenomenale. Ai ka theksuar të drejtën e tij në pejgamberi të Zotit, si Musai i ri. Ai e shpalli veten për pejgamber të Zotit dhe e deifikoi Fardin. Për shkak të rezistencës që ia bënë shokët, ai kaloi në Çikago dhe atje formoi “Tempullin 2” dhe për një kohë e unifikoi këtë organizatë. Anëtarësia e tij ishte tejet fanatike.[13] Vepra e tij The Suprem Wisdom (Urtësia Supreme) përmban doktrinën e Muslimanëve të Zi. Nën udhëheqjen e tij janë ndërtuar shumë shkolla dhe xhami, sidomos në qytetet veriore të SHBA-ve.[14] Në vitet e 50-ta dhe 60-ta të shekullit XX, kjo organizatë ishte sinonim i manifestimit religjioz të identitetit të arritur që e kishin arritur zezakët luftarak të tendencave të ndryshme.[15]

Në mesin e kësaj organizate ekziston shkolla për analfabetizëm, shkolla fillore dhe e mesme, por edhe universiteti islam, për aftësimin e anëtarëve të vet. Kishin edhe revistën e tyre me titull Muhammmed Speaks (Muhammedi flet), e cila kishte tirazh milionsh. Ekzistonte edhe grupi i ushtruar paramilitar, ekstrem, që mbronte interesat fetare, politike dhe ekonomike në nënqiellin e vrazhdë, jobesimtar amerikan të asaj kohe, sikur Fruit of Islam (Fruti islam), të cilët të motivuar nga padrejtësitë fetare, politike, racore, sociale etj. në Amerikë kishin qëndrim jotolerantë ndaj të bardhëve. Ata kishin ushtruar taktikat ushtarake dhe përdorimin e armëve.[16]

Organizata, me rritjen e numrit të anëtarëve caktoi hierarkinë e saj, në krye të së cilës ishte kryepredikuesi i islamit, Ilija Muhamedi, i cili pas zhdukjes së Fardit më 1934 e mori udhëheqjen e organizatës.[17]

Sipas të dhënave të vitete të 70-ta të shekullit XX, vlerësohet nga të tjerët se kishte prej 20 mijë deri 750 mijë anëtarë. Ata vetë pohojnë se janë mbi 2 milionë anëtarë.[18]

Muslimanët e Zi arritën sukses të madh në konvertimin e zezakëve, sidomos të të burgosurve, kriminelëve dhe narkomanëve, siç është shembulli i Malkolm Iksit.[19]

Pranimi në këtë organizatë nënkupton pranimin e Zotit Një dhe Shpalljen, Ringjalljen dhe Ditën e gjykimit, kurse qëndrimi i tyre mbi krijimin dhe fundin e Botës, thuhet se i ngjason atij të Druzëve. Muslimanët e Zi vendosin kërkesa rigoroze morale para anëtarëve të tyre.[20]

Kërkesa e tyre politike është se duhet të formohen disa shtete të pavarura zezake të trollin amerikanë dhe të zhvillojnë afarizëm të pavarur ekonomik.[21]

Kulminacionin e saj organizata e Muslimanëve të Zi e arriti më 1963, kur nga ajo u nda Malkolm X (me emrin musliman Haxhi Malik Shahbazi), anëtari më me ndikim i kësaj organizate dhe më 1965, kur ai u vra në mënyrë misterioze.[22] Nga kjo kohë, filloi një diferencim i elementeve ekstreme nga ato ortodokse islame dhe organizata e Muslimanëve të Zi humbi intenzitetin e radikalitetit në radhët e saj.[23] Ata filluan t’i afrohen bashkësisë ndërkombëtare muslimane, filluan të studiojnë në universitete prestigjioze muslimane në botë, sikur në El-Ez`her, me çka arrijnë ta zbusin etiketën e radikalizmit në shoqërinë amerikane[24].

Pas vdekjes së Ilija Muhamedit në shkurt të vitit 1975, erdhi i biri i tij Valas D. Muhamed, i cili për veti mori titullin imam, bëri reforma dhe ndikoi që sekti të depolitizohet dhe të futet në asociacionin e bashkësisë së gjerë muslimane. Ata hoqën dorë nga shteti i pavarur në Amerikë dhe filluan të pranojnë në grupin e tyre edhe të bardhë. Ata e ndërruan edhe emrin, duke u emërtuar si Bashkësia Botërore Islame në Perëndim (The World Community of al-Islam in the West), kurse anëtarët quhen bilalist, për nderë të Bilal ibn Rebahut, zezakut të parë musliman dhe muezinit të parë të Muhammedit a.s.. Doktrina e tyre është unjësuar me Islamin e pastër. Kjo ndikoi që grupi të pranohet dhe të ndihmohet nga shtetet dhe organizatat muslimane. Në vitet e shtatëdhjeta mendohet se kanë pasur rreth 75 mijë anëtarë.[25]

Malkolm Iks, u bë anëtar i Popullit islam gjatë burgut të tij më 1947, dhe sidomos pas daljes nga burgu më 1952. Ishte aktivist i palodhshëm, prozelitist dhe roli i tij ishte qendror në sukseset e grupit, kurse Tempulli 7 në Nju Jork ishte qendra e tij për veprim fetar dhe politik. Mendohet se në këtë kohë kishte rreth 40 mijë e ndoshta deri 100 mijë anëtarë.[26]

Kahet ideore dhe vepruese kryesore të Malkolm Iksit janë:

- Edhe pse mbeti deri në fund musliman, e ka sekularizuar maksimalisht veprimtarinë e tij dhe të organizatës së tij;

- Gjithnjë e më tepër anonte drejt islamit ortodoks, duke i braktisur varientat e shtrembëruara të islamit amerikan;

- Ka internacionalizuar problemin e minoritetit zezak amerikanë dhe synonte ta denoncojë SHBA-në para kombeve të Bashkuara;

- Ka dhënë shenjë në dimensionin klasor, krahas atij racor, të eksploatimit në Amerikë;

- Ka befasuar me qëndrimin e ri, tolerant ndaj të bardhëve.[27]

Pas vdekjes së tij, ku kishte gisht edhe udhëheqësia e grupit të tij, por edhe CIA, sepse barabartë nuk i konvenonte askujt autoriteti i tij në rritje, autoriteti i tij rritej spontanisht dhe rrufeshëm, pamja e tij ishte e manifestuar nëpër rroba, rekuizite të ndryshme, nëpër mure, kurse fjalimet e tij dhe autobiografia e tij shkonte sikur ‘halva’. Zezakët e rinj identifikoheshin me të dhe figura e tij ishte simboli më i ndritshëm i dinjitetit të zezakëve amerikanë dhe luftës së tyre për njohje dhe barabarësi.

Krahas Muslimanëve të Zi në Amerikë, duhet theksuar edhe pozitën e muslimanëve të tjerë, jozezakë, e që nuk janë të pakët. Pozita momentale e tyre është tejet e rëndë. Ata kanë liri vetëm në shikim të parë, liri të pjesërishme individuale, por jo edhe institucionale, hierarkinë organizative fetare vertikale dhe horizontale, e cila do t’i mbronte interesat e tyre dhe do t’i përfaqësonte dhe të zinjtë edhe të bardhët para qeverisë amerikane dhe përgjithësisht.[28]





Literatura:



1. Aleks Hejl, Autobiografija Malkolma Iksa, Beograd, 1980.

2. Alex Haley, Korijeni, I-II, botimi II, Zagreb, 1978.

3. Catherine L. Albanese, Amerika - Religije i religija, Sarajevë.

4. Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1980.

5. J.-R. Milot, Islam i muslimani, Zagreb, 1982.

6. Nerkez Smailagic, Leksikon islam, Sarajevë, 1990.

7. Novi Mual-lim, nr. 17/1425 h./ mars 2004, Sarajevë.

8. Religije svijeta, Zagreb, 1987.





--------------------------------------------------------------------------------

[1] Alex Haley, Korijeni, I-II, botimi II, Zagreb, 1978.

[2] Ivan Jankovic, O crnim muslimanima i o Malkolmu Iksu, në: Autobiografija Malkolma Iksa, Beograd, 1980, fq. 439.

[3] C. Eric Lincoln, The Black Muslims in Amerika, rev. ed. Boston, Beacon Press, 1973, sipas: I. Jankovic, op. cit., fq. 444.

[4] A. Haley, I, op. cit., fq. 9 e tutje.

[5] Nerkez Smailagic, Leksikon islam, Sarajevë, 1990, fq. 106. I. Jankovic, op. cit., fq. 443.

[6] J.-R. Milot, Islam i muslimani, Zagreb, 1982, fq. 128.

[7] I. Jankovic, op. cit., fq. 439.

[8] I. Jankovic, op. cit., fq. 439.

[9] N. Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 106.

[10] J.-R. Milot, op. cit., fq. 128. Ivan Jankovic, op. cit., fq. 441.

[11] John Allan, Stapanje religija: Sinkretizam në: Religije svijeta, Zagreb, 1987, fq. 384 dhe 401, shtylla 1.

[12] I. Jankovic, op. cit., fq. 441.

[13] I. Jankovic, op. cit., fq. 443.

[14] N. Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 106.

[15] J. -R. Milot, op. cit., fq. 128. Enciklopedija zivih religija, op. cit., fq. 145-146.

[16] J. -R. Milot, op. cit., fq. 128. Ivan Jankovic, op. cit., fq. 443. Lexo: Enciklopedija zivih religija, op. cit, fq. 145.

[17] Enciklopedija zivih religija, op. cit., fq. 145.

[18] N. Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 106.

[19] Enciklopedija zivih religija, op. cit., fq. 146.

[20] N. Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 106.

[21] N. Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 106; I. Jankovic, op. cit., fq. 439.

[22] Rreth vdekjes së tij shih: I. Jankovic, op. cit., fq. 447-448.

[23] N. Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 106.

[24] J. -R. Milot, op. cit., fq. 129.

[25] Conversion of the Muslims, Time, 14. 03. 1977, sipas: I. Jankovic, op. cit., fq. 446.

[26] I. Jankovic, op. cit., fq. 444.

[27] Rreth jetës dhe veprimtarisë së Malkolm Iksit lexo gjerësisht: A. Hejl, Autobiografija Malkolma Iksa, Beograd, 1980.

[28] Shih për gjendjen momentale të muslimanëve në Amerikë dhe synimet e tyre: Senad Agic, Americki Muslimani na raspucu, Novi Mual-lim, nr. 17/1425 h./ mars 2004, Sarajevë, fq. 108-110.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme