Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Shkrime Aktuale ->

GJUHA SHQIPE NĖ MEDIA


Zekerija Ibrahimi

Kohëve të fundit mbase janë bërë të shumta tekstet që kanë folur për (keq)përdorimin e shqipes në media, por kjo në vend që t’i motivojë mediat shqipe që ta drejtpërdorin gjuhën standarde shqipe, si duket fare pak ka ndikuar, duke vazhduar kështu edhe më tradita e shkeljeve të normës që e arrijnë edhe strukturën e shqipes dhe natyrën e saj.
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Në këtë punim të shkurtër, ku temë boshte do ta kemi përsëri këtë anomali në përdorimin e shqipes, do t’i qasemi fenomenit të shqiptimit të emrave të huaj, në këtë kontekst (mos)përdorimit të drejtë të tyre.

Çështja e përdorimit të emrave të përveçëm të huaj në gjuhën shqipe viteve të fundit ka ngjallur shumë polemika ndër gjuhëtarët shqiptarë, ku si e dimë qëndrimet ka qenë të dyanshme, prej atyre që shkojnë në skajshmërinë se nuk guxojmë ta thyejmë rregullën e drejtshkrimit dhe të drejtshqiptimit të emrave të huaj e deri te ata që për prirje integruese të shqipes dhe të shqiptarëve në rrjedhat e reja politike e kulturore, janë përcaktuar që të bëhen disa korrigjime të nevojshme dhe të arsyeshme në këtë aspekt. Nga kjo e fundit para do kohe u mor një qëndrim që tash e tutje emri i përveçëm Evropë të shkruhet me Europë, ashtu si në fakt e kemi pranuar valutën euro, festivalin e këngës Eurovizion e kështu me radhë. Rrjedhimisht me [u], e jo me [v], do të shkruhen edhe evropian,-ë, evropian,-e e të tjera. Ndonëse në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (Prishtinë 1974) parimi është të shkruhet me [v], kjo sipas modelit rus (sllav), megjithatë për qëllime praktike dhe integruese, u pranua me të drejtë nga gjuhëtarët që tash e tutje të shkruhet si në origjinal, pra me [u], gjë që nuk bie ndesh as me drejtpërdorimin e togjeve të zanoreve të shqipes, si është në këtë rast [ua] sipas shembullit të fjalëve krua, grua etj.

Ndonëse këto lëvizje të ngadalta, por të drejta, megjithatë po zhvillohen normalisht, në anën tjetër prirja çintegruese është shumë më e egër, më e shpejtë dhe më e pamëshirshme ndaj standardit gjuhësor të shqipes. Është kjo një orvatje që edhe liberali më i madh ndaj standardit nuk do ta duronte.

Ditëve të fundit, kur në Gjermani po luhet kampionati botëror në futboll, na ndodhë që shumë shpesh të ndjekim ndonjë ndeshje futbolli, falë angazhimeve të ndryshme, edhe në gjuhën shqipe në kanalin e dytë të TVM-së. Edhe pse vite me radhë sportin e kemi përcjellë në gjuhë sllave, andaj në fillim komentet e futbollit në gjuhën shqipe na dukeshin të çuditshme, me kalimin e kohës po familjarizohemi me to dhe po i pranojmë shumë më mirë se transmetimet maqedonase. Këtu mbase ka ndikuar edhe informimi i mbathur i komentuesve të ndeshjeve. Pra është kjo një punë e mbarë që duhet përshëndetur. Megjithatë, kur i dëgjojmë komentet, hetohen edhe mjaft devijime që na e vrasin veshin, ngase pa mëshirë e thyejnë standardin e shqipes në përdorimin e emrave të huaj, rregullat gramatikore për shquarsinë e jo rrallë edhe normat leksikore të shqipes.

Kështu derisa i përcjellim këto ndeshje në kanalin e dytë të TVM-së, dëgjojmë edhe shprehje të tipit: “Bekam ka nënshkruar për Realin”; “Unë do të luaj edhe në këtë botëror”, ka thënë Zidan, të cilat asnjë folës i shqipes nuk i pranon si norma të shqipes. Kjo prirje që vjen nga një skajshmëri e qëndrimit se të gjithë emrat e huaj duhet të përdoren ashtu si janë, pra pa iu nënshtruar natyrës gramatikore të shqipes, i thyen rregullat e përdorimit të drejtë të trajtës së shquar në gjuhën shqipe. Kështu në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (Prishtinë, 1974, f. 23) shkruan: “Emrat e përveçëm të huaj të shkruhet duke u mbështetur në traditën e përdorimit të tyre në gjuhën shqipe dhe duke marrë parasysh shqiptimin në gjuhën përkatëse” dhe “Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse, duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes” (po aty, fq. 104). Kjo është sa i takon drejtshkrimit, ndërsa për drejtshqiptimin e tyre, në Gramatikën e gjuhës shqipe të AshSh-së (Tiranë, 1995, f. 125) qëndron: “Emrat e përveçëm lakohen njëlloj si emrat e përgjithshëm, prandaj për sa i përket kategorisë së shquarsisë dhe të pashquarsisë, ata u nënshtrohen po atyre rregullave”. Nga këto dy citate të sipërpërmendura kuptohet se emrat e huaj në gjuhën shqipe përdoren duke marrë për bazë shqiptimin në gjuhën burimore, por duke iu nënshtruar grafisë së shqipes”, që do të thotë se Wiliam Shakespeare shkruhet sipas traditës së shqipes, pra Uiliam Shekspir, që do të thotë se ky emër së pari është përshtatur ndaj grafisë së shqipes, duke e zëvendësuar shkronjën angleze [W] me [U] si fonemë më e përafërt me atë, e pastaj është shkruar ashtu si shqiptohet në gjuhën angleze. Duke e dhënë këtë shembull, dua të vë në dijeni se të gjithë komentuesit e futbollit, po edhe të tjerët që ndeshen me emrat e huaj, gjatë shqiptimit duhet t’i referohen shqiptimit në gjuhën origjinale dhe atij t’i përmbahen, ndërsa gjatë shkrimit, rreptësishtë ta praktikojnë grafinë shqipe. Ndonëse këtu na del problemi se jo të gjithë e dinë se si shqiptohet një emër i huaj në gjuhën gjegjëse, kjo është diçka relative, ndërsa gjuhësia nuk mund të japë edhe zgjidhje të tilla. Kur jemi këtu, ta themi edhe atë se gjatë shkrimeve, kur ndeshemi me një emër të burimit të huaj, për shkak se mund të lind dyshimi për saktësinë e shqiptimit, praktikohet që kur të përmendet herën e parë, të jepet edhe origjinali në kllapa, ashtu që edhe nëse gabohet me emrin e tij, lexuesi e ka para vetes emrin origjinal nëse dëshiron t’i referohet. E pastaj, kur përdoret herave të tjera, shkruhet vetëm si shqiptohet, normalisht me grafema shqipe.

Ndërkaq, kur jemi te emrat e përveçëm e kemi edhe çështjen e shquarsisë, ku në fakt më shumë ndeshemi edhe me drejtshqiptim. Rregulla e sipërthënë na mëson se të gjithë emrat e përveçëm, pra edhe ata të burimit të huaj, i nënshtrohen kategorisë së shquarsisë, që do të thotë se format Bekam për Bekami, Zidan për Zidani, janë të gabuara dhe e thyejnë rëndë natyrën e gramatikës së shqipes. Në këtë frymë edhe fjalitë e shqiptuara, si: Arsenal do të luajë në finale me Inter, janë një shëmti e shqipes, ngase përdorimi i drejtë i tyre do të duhej të ishte: Arsenali do të luajë në finale me Interin.

Shembuj të këtillë të keqshqiptuar dëgjojmë thuaja në çdo ndeshje, por mbase këto janë të mjaftueshëm sa për ta vënë në pah dukurinë dhe për të qenë të vëmendshëm në përdorimin e tyre në gjuhën shqipe.

Edhe pse ky artikull ka për qëllim vështrimin e emrave të huaj, por mbase në një mënyrë më shumë iu referuam komenteve të futbollit, po i përmendim edhe dy-tre fjalë kaq shumë të përdorura pa nevojë në komente të futbollit: kiks, kiksim, krosim, avantazh, balotazh, minutat në vazhdë, është fauluar etj. Janë këto fjalë me burim anglez, e para me kuptimin gabim, lëshim, zmbrapsje, ndërsa e dyta me kuptimin kryqëzim, për kthyerje të topit në kënd të drejtë 90 shkallë, pra kur me top bëjmë një kryq. Kështu në vend të kiks, kiksim, lirisht mund të përdoret: lëshim, gabim, huqje, ndërsa për krosim mund të themi gjuajtje tërthorazi, gjuajtje e tërthortë, ose në variantin më të skajshëm, nëse i përmbahemi një përkthimi më tekstual duke bërë një kalk, do ta bënim kryqim, po jo edhe kryqëzim, sepse ashtu do të merrte kuptim religjioz. Fjala avantazh pa kurrfarë problemi mund të zëvendësohet me epërsi, balotazhi me barazim, minutat në vazhdë me minutat e ardhshëm ose minutat vijues, është fauluar duhet të përdoret me ndërhyrje pa leje ndaj... e kështu me radhë.

Edhe pse ndikimi i terminologjisë sportive të huaj në terminologjinë sportive shqipe është mbase i pashmangshëm, megjithatë komentuesit duhet të jenë të kujdesshëm dhe nuk duhet symbyllur të pranojnë çdo fjalë vend e pavend. Kjo për faktin e thjeshtë se shqipja nuk ka nevojë për të gjitha ato fjalë, kur ka mundësi që kuptimin e tyre ta shprehë me fjalët e saj.


Literatura e shfrytëzuar:
1. Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1974.
2. Gramatika e gjuhës shqipe I, ASHSH - Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1995
3. Fjalori i shqipes së sotme, ASHSH - Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Toena, 2002.



E Dielė, 16 Gusht 2009; 07:18


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats