MEVLUDET E JAHJA PASHËS

Të gjitha këto atëherë për mua nuk kishin ndonjë shpjegim shkencor, filozofik a artistik si që tash me djallëzinë e arritur në jetë mund t’i komentoj e bile edhe ta shpotis babain tim se nuk ka pasur qasje racionale ndaj këtyre fenomeneve, por ama në gjithë atë kishte një lezet, kishte një kënaqësi që kurrë më nuk arrita ta përjetoj: sot mund të shkosh të mësosh te hoxha jo me elif të fshehur nën bluzë sikur unë, por nuk mund ta përjetosh atë kënaqësi se po mëson fjalën e Zotit që dikush e pengonte, sot ka dhjetëra libra që i shpjegojnë detajet e sharteve të turçnisë, por askund nuk sheh më fëmijë që me aq afsh e mundim mundohen ta dallojnë tejemumin nga gusli, edhe pse ne kurrë atëherë nuk e ditëm shkakun e vërtetë të guslit. Eh, ishin kohë të tjera ato.

Megjithatë në vigjilje të këtyre muajve të mëdhenj, në të cilët atëbotë më gjithë vogëlsinë tonë mundoheshim të agjërojmë ndonjë të hëne ose të enjte, diçka që për neve sot mbase është e harruar, në Natën e Regaibit (të cilin as sot nuk e di se çfarë feste është) m’u kujtuan me kënaqësi ato ditë kur në Jahja Pashë mbahej mevlud për netët e mëdha.

Ishte fundi i viteve të ’80-ta. Po prisheshin muret, po ndiqeshin hoxhallarët që mësonin fëmijë nëpër shtëpi, po pengohej feja, po realizohej një politikë që unë vonë e mora vesh se e kujt kishte qenë dhe me çfarë plani kishte qenë. Megjithatë ne shkonim në mevlud. Ishte natë e madhe. Atë ditë pak për inat të dërzhavës zmadhuesit e Jahja Pashës dëgjoheshin pak më larg, qysh në rrugën e Dyqanit të Bajramit. Dëgjohej kumbueshëm zëri i hafëzëve duke kënduar mukabele. Ne shkonim në xhami më shumë se gjysmë ore më herët. Të zëmë vend, se pastaj mbeteshe jashtë. Në derë të xhamisë qëndronin odborët që mbanin rend dhe nuk i linin njerëzit të ulen ndërmjet shiritave kah do të kalonin hoxhallarët. Në xhami ishte edhe Aga Ramadan aq shumë i urryer prej neve fëmijëve se nuk na linte të vemi vetëm në xhami. Ne zakonisht të veshur me ndonjë këmishë pak më të re, se ishte kohë fukarallëku ajo, me ndonjë kapuç të bardhë të larë enkas për mevlud, uleshim aty nga pjesa e minberit (që ne e quanim hutbe) që pastaj kur të fillonte mevludi të ngjiteshim aty që më mirë ta përcjellim mevludin, por edhe ta ndjejmë atë vend që për neve fëmijëve atëbotë ishte i shenjtë. Mukabelja vazhdonte. Hafëzët ndërroheshin, xhamia mbushej, nuk kishte më vend, afrohej koha e ezanit të ikindisë (sepse zakonisht mevludet mbaheshin në ikindi), kur në derë të xhamisë afrohej stafi i Bashkësisë Islame, i pari Jakup Selimovski, i pasuar nga Haxhi Shaipi, Molla Tasini, Molla Sula, Hafëz Zenuni, dikund më pas edhe i çiltërti Hafëz Idrizi i Allaxhës, shumë hafëzë e shumë hoxhallarë të tjerë që atëbotë nuk i njihja, por që më dukeshin aq të shenjtë sa Pejgamberi a.s. vetë. Pastaj hiqej shiriti, këndohej ezani, falej namazi, e pastaj Molla Tasini me shumë lëvdata për kryetarin e Bashkësisë Islame e bënte hyrjen e mevludi sherifit. Gjëmonte xhamia nga Allah emnin e Hafëz Jusufit, nga ilahitë e Hafëz Halilit e të tjerëve. Pastaj xhematit i drejtoheshin nja tre katër hoxhallarë, zakonisht Hafëz Idrizi me zërin e tij melankolik turqisht, një hoxhë fliste boshnjakisht a maqedonisht (atëherë nuk i dalloja këto gjuhë) e pastaj vetë kryetari Haxhi Jakup Selimovki i drejtohej xhematit me një shqipe që mua dhe vëllain na bënte të qeshim pse ai thoshte isLLame në vend isLame. Në fund zakonisht duanë e mevludit e bënte daja im e pastaj xhemati krejt i gëzuar u bënte rrugë hoxhallarëve, i përcillnin dikush edhe duke qarë, e pastaj ne ktheheshim në shtëpi. Para akshamit, ashtu si kishim qenë të veshur në xhami, nëpër shtëpitë e fqinjëve e të farefisit që e kishim me afër shpërndanim petulla ose ndonjë ëmbëlsirë bashkë me gëzimin për natën e madhe (kështu bënin të gjithë fëmijët e lagjes) e në aksham në shtëpinë me shumë aroma ushqimesh darkonim të gëzuar që po e festojmë një natë të madhe. Aq dinim, aq bënim, por jetonim, kënaqeshim. Ehe, kohë ishte ajo!

Unë më vonë, kur u rrita, e mora vesh mirë se kush kishin qenë kryeparët e BFI-së, këshilltarët e xhamisë e të tjerët, por ama kënaqësinë e atyre mevludeve kurrë nuk e kam përjetuar më. Ka më shumë se katër vite që për arsye mbase të njohura në opinion më nuk kam shkuar në Jahja Pashë, ka më shumë se tetë-nëntë vite që nuk kam shkuar më nëpër mevludet në të cilët herë merr pjesë reisi (sa titull i nëpërkëmbur ky!), herë myftiu, herë kryemami, herë referenti, secili me të vetët, të cilët edhe në TV kur i japin e kam mërzi t’i shoh. Sa shpejt ndërruan gjërat, sa shpejt u prish ajo kënaqësi, sa keq që më BFI-ja nuk ekziston as ashtu si ka qenë, sa keq që medresantët askush nuk i përfill më, sa keq që nuk kemi më hafëzë të rinj, sa keq që fëmijët e kohës sonë kënaqësinë e këtyre mevludeve kurrë nuk do ta përjetojnë dhe atë do ta zëvendësojnë me CD-plejerin e video-lojërat, ndërsa shpërndarja e petullave bashkë me gëzimin e natës së madhe dhe të erërave të mira të ushqimeve si duket është zëvendësuar me këmbimin e CD-ve. Mungon vetëm kënaqësia dhe lezeti i asaj kohe. Ajo nuk zëvendësohet me asgjë.

Vërtet keq!










RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme