Rrethanat shoqërore - historike në trojet iliro-shqiptare në periudhën paraosmane

Për arsye se disa faza të Mesjetës janë tejet të errëta sa u përket të dhënave nga dora e parë, dhe se segmente të caktu­ara të jetës nga studiuesit janë rrahur vetëm pjesërisht e frag­mentarisht, jemi detyruar, së këndejmi, që nëpërmjet të dhëna­ve të tërthorta e fragmentare e nëpërmjet metodës kom­parative e analitike nga të dhënat për trojet tjera, nga po kjo kohë e po këta studiues, ta rikonstruktojmë gjendjen shoqë­rore-historike edhe në trojet tona iliro-shqiptare në periudhën para Mesjetës dhe pas Mesjetës, apo që me paraqitjen e Kris­tianizmit e deri në shekullin XIV. Një shtrirje të tillë kohore na e imponon natyra e besimit kristian. Të konceptuarit e drejtë të Kristianizmit gjatë Mesjetës e imponon periudha e Krishtit, ajo apostullike dhe ajo e papatit.

Arsyeja që ne do të përpiqemi ta vëmë për objekt studimi këtë periudhë kohore, konziston në të konceptuarit e drejtë të ngjarjeve që do të ndodhin me paraqitjen e Islamit në skenën historike dhe depërtimit të tij qysh prej shekullit VIII e këtej në trojet iliro-shqiptare, e sidomos në të konceptuarit e drejtë të fenomenit të përhapjes së shpejtë të Islamit në trojet tona gjatë shekullit XIV e më vonë. Prandaj, eksplikimi i drejtë i raporteve shoqërore-historike, religjioze, politike e sociale të popullatës autoktone, ilirëve, e më vonë sllavëve e të tjerëve, do të ndihmojë në të kuptuarit më të drejtë të përhapjes së shpejtë të Islamit te ne dhe përgjithësisht në botë.

Punimi ynë ka pretendime modeste: të shtrojmë disa të dhëna e mendime që deri tash janë injoruar apo vetëm tërthorazi janë prekur, të ofrojmë disa analiza e observime të shkurtra aq sa lejojnë suazat e këtij punimi, dhe, mundësisht, të hapim shtigje të reja në ndriçimin shumështresor të këtyre periudhave.

* * *

Ilirët, të cilët në kohën e depërtimeve të romakëve në trojet iliro-shqiptare dhe vendosjes së tyre në këto troje, shtriheshin në Shqipërinë e sotme, në Kosovë, Serbinë Jugore, në krahinat perëndimore të Maqedonisë së sotme,[1] në pjesë të Bosnjës e të Bregdetit adriatik, ishin politeistë.[2] Mirëpo, politeizmi ilir filloi t’ia lëshojë vendin Kristianizmit, që me Ediktin e Milanos, në vitin 313 u shpall fe zyrtare, in­stitucionale, shtetërore.[3] Romakët në Iliri depërtuan kryesisht nga Selaniku, nga ana e Jugut, nga Bregdeti adriatik nga Perëndimi dhe nga Akvileja nga Veriperëndimi.[4] Në këtë kohë në trojet ilire filluan të themelohen bashkësitë e para kristiane.[5] Pas Ediktit të Milanos dhe pas Koncilit të Parë në vitin 325 në Iznik (Nikejë), me mbështetjen e perandorit Konstantin, Kristianizmi lidhet për Qesarin, segmentin profan dhe ka statusin e fesë shtetërore të Bizantit.[6]

Perandoria më e madhe në botë, Roma, pas krizës eko­nomike kishte ra edhe në krizë të udhëheqjes-qeverisjes. Për ta kapërcyer këtë krizë, Diokleciani (me prejardhje ilire) sjell zgjidhje kalimtare preventive me formimin e dy krye­qyteteve, Romës në Perëndim dhe Iznikut në Lindje.[7] Kjo zgjidhje kalimtare preventive përjetoi dështimin e vet në vitin 395, me vdekjen e perandorit Theodosiut, kur Roma e Madhe, për shkak të mosmarrëveshjeve e problemeve të brendshme, ndahet në dy pjesë. Por, këtë fat nuk e përjetoi edhe Kisha, e cila tërësisht u nda më vonë, në vitin 1054.[8]

Lëvizjet e mëdha të popujve prej shekullit IV e deri në shekullin VI (vizigotët, ostrogotët, gepidët, langobardët, hunët e të tjerë) në vitin 476 i shkatërruan perandoritë perëndimore dhe krijuan disa shtete kalimtare.

E. Gibbon konsideron se “në Romën Lindore mjedisi shoqëror e politik ka qenë më i mirë se në Perëndim, ku dominonte konfuzioni politik e ushtarak.”[9] Për këtë arsye, kristianët sinqerisht do t’i gëzohen okupimit të Romës nga normanët dhe hunët në çerekun e fundit të shekullit V.[10] Ata konsideronin se me rënien e Romës Perëndimore janë gjetur në rreth shumë më të volitshëm e më të sigurt nga ai në Romën Lindore, të cilën e mendonin si vend të mëkatimit në botë.[11]

Prej rënies së Romës Perëndimore e deri në shekullin VIII shohim forcimin suksesiv të Kishës dhe institucional­izimin e saj. Kështu, të dhënat dëshmojnë se Kisha në këtë kohë është ngushtë e lidhur me klasën sunduese, që rezultoi me dominimin e tyre në të gjitha segmentet e jetës: ushtarake, politike e administrative të Romës. Në atë kohë Kisha zhvilloi formulën vijuese: në skenën politike mbretërit janë sovranë, por njëkohësisht ata duhet ta njohin sovranitetin shpirtëror të Kishës. Në pajtim me këtë, çdokush është i lidhur për Papën dhe duhet ta njohë autoritetin e tij shpirtëror.[12]

Duke filluar nga shekulli X, kur Evropa kalon në rregullimin shoqëror feudal, Franca, Italia e Gjermania ndahen në feude të vogla. Prapëseprapë, perandori gjerman gëzonte autoritetin e të gjitha feudeve në Gjermani e Itali. Kështu u paraqitën dy autoritete të mëdha: 1) i papës, dhe 2) perandorit gjerman. Por, këto dy autoritete nuk jetuan gjatë kohë në paqe. Kisha u forcua dhe arriti ta përvetësojë sundimin pro­fan.[13]

Fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI ishte karak­teristik për sulmet e fiseve turaniko-bullgare dhe të atyre sllave, të cilat, duke vërejtur se Perandoria Bizantine është dobësuar, filluan t’i atakojnë trojet tona dhe t’i plaçkisin.[14]

Sllavët, si popull indoevropian, kanë ardhur në Evropë në një periudhë më të vonshme, pasi që valët e dyndjeve të tyre ndodhën në shekujt VI e VII. Këto shpërngulje, respek­tivisht këto dyndje të sllavëve të Jugut në aleancë me avarët, që më saktësisht do të zgjasin prej fundit të shekullit VI e deri në fillim të shekullit VII, do të rezultojnë me vendosjen e tyre të përhershme prej Danubit deri në Detin Egje, ndërsa gjatë dyndjeve të tyre në Ballkan, ata sulmuan e plaçkitën pa u penguar.[15]

Përpjekjet e vazhdueshme për romanizimin e popujve autoktonë kishin dështuar, siç është rasti me dakët në Ru­mani, thrakët në Bullgari, ilirët në Dalmaci, Shqipëri e Maqedoni. Sa i përket Kosovës, është fakt i pamohueshëm se të paktën që nga shekulli XVIII p.e.s. lindën shumë shtete politike ilire të cilat kaluan gradualisht nga etapa fisnore në mbretëri të vërteta të vogla, si dardanët, penestët, peonët etj.,[16] për të evoluar më vonë në popullin shqiptar.

Sipas të dhënave që ofron E. Petroviq, popullsia që gjetën sllavët në trojet lindore të Serbisë së sotme, nuk ishte ende e romanizuar dhe si provë për këtë sjell emrat e vendeve,[17] që sipas mendimit tonë e mbështesin mendimin e mësipërm. Mirëpo, të gjitha këto lëvizje e konflikte nuk kaluan pa pasoja. Prandaj, invazionet, si të avarëve ashtu edhe të sllavëve, e më vonë edhe të bullgarëve, në masë të madhe e ndryshuan strukturën nacionale të popullsisë së Dar­danisë dhe vendeve të tjera. Burimet kishtare tregojnë se in­vazionet ishin të dhunshme, e jo me paqe. Vendësit përjetuan fat të mundimshëm. Disa u masakruan në sulmet e para sepse rezistuan, disa u robëruan dhe u shitën si skllevër... ose u për­vetësuan e asimiluan nga bizantinët.[18]

Këtë e vërejmë edhe nga letra e Papa Nikolla I, dërguar Mihailit II në shtator të vitit 860, me ç’rast kërkon kthimin e jurisdiksionit në territoret e Illyricumit Lindor, të cilat ishin shkëputur nga Roma në mes të shekullit VIII, e ku i përmend të gjitha provincat, duke përfshirë edhe Dardaninë me krye­qytetin e saj Skupin,[19] që d.m.th. se ata ishin ilirë.

Edhe periudha e mëvonshme karakterizohet me trazira e konflikte. Shekulli IX shënon përtëritjen e interesit bizantin për trojet tona. Rreth vitit 850 pjesa më e madhe e Shqipërisë së sotme u inkorporua në provincën bizantine, Themën e Durrësit, ku përfshihej Epiri i Ri, pjesë të Prevalisit, derisa Epiri i Vjetër u përfshi në Themën fqinje të Nikopolisit. Mirëpo, ky kontroll bizantin ende lëkundej nga migrimet serbe.[20]

S. Hill pohon se bullgarët depërtuan gati deri në Durrës në fund të shekullit IX, kurse Sh. Demiraj sundimin e bull­garëve në trojet tona e vë gjatë viteve 815-1018.[21] Historiani S. Rizaj pohon se bullgarët depërtuan përtej Danubit nga fundi i shekullit VII.[22] Kulmin e tyre bullgarët e arritën gjatë perandorit të tyre Simeonit (893-927), kur edhe Kosova ishte pjesë e tyre.[23] Si pasojë e kësaj, Shqipëria në fillim të shekullit XI ishte skenë e ekspeditave ushtarake bizantine, kur per­andori Vasili II Bullgarovrasësi rivendosi kontrollin bizantin në Shqipëri me fitore në vitin 1018 në Betejën e Beligradit (Palcheropolisit-Beratit).[24]

Shekulli XI ishte përplot kryengritje e trazira: ato të vitit 1040, 1043, 1070, 1078, 1080 etj.[25]

Në vitet 1021-1022 shqiptarët i gjejmë krah të Bizantit, kur bullgarët duke ikur nga Durrësi me rrethinë, do ta shkretërojnë për pak kohë Arbërinë, që atëbotë përfshinte ra­jonin midis Durrësit, Krujës e Elbasanit.[26]

Në vitin 1054, si pasojë e ndarjes kishtare kristiane, Kosova ndahet në dy pjesë - në dy sfera interesi: në të Lind­jes me rrafshlartën e Kosovës si ortodoksë, dhe në të Perëndimit me fushëgropën e Dukagjinit si katolikë.[27]

Një gjendje aspak më të mirë e hasim deri në vitin 1347, kur Stefan Dushani e pushtoi Shqipërinë dhe përzuri latinët e bizantinët.[28] Një pjesë e Kosovës qysh më herët pat ra nën ndikimin serb. Të gjithë shkencëtarët shqiptarë pohojnë se serbët u vendosën në Kosovë në periudhën e shekujve XII-XIV. Më herët nuk e hasim as popullsinë e tyre, as Kristi­anizmin e tyre, e as sundimin e tyre. Në fund të shekullit XI tokat shqiptare i pushtojnë serbët, duke sulmuar Zveçanin e fortifikuar, Lipjanin, e më vonë edhe Llapin, Drenicën, Pejën e Gjakovën etj.[29]

Historiani J. Swire konstaton se në vitin 1169 Stefan Nemanja arriti t’i bashkojë shumicën e krahinave serbe në Veri nën sundimin e tij, e pastaj formoi një dinasti të quajtur Dinastia Nemanjiqase.[30]

Në vitin 1180 serbët e futën nën sundimin e vet Shqipërinë Veriore, duke përfshirë edhe Shkodrën. Më pas e pushtuan edhe Prizrenin dhe qytetet tjera të Kosovës.[31]

Historiani Alan Ducelier shtrirjen serbe e shtron kësisoj. Ai thotë se vetëm “në kohën kur princi Stefan u bë mbret, në vitin 1217, shteti serb filloi të zgjerohej dhe përfshinte edhe zonën e Pejës, derisa trupi kryesor i territoreve të Kosovës mbetej jashtë kufijve të tij. Ardhja e osmanëve në Ballkan totalisht e çorganizoi shtetin serb, i cili pas vdekjes së car Dushanit (më 1355) u shkapërderdh për shkak të mospa­jtimeve të brendshme. Kështu, princërve më të fuqishëm të vendit iu la veprimi i lirë për organizim. Kështu, në Zetë dhe Shqipërinë Veriore u paraqitën Balshajt, në luginën e Moravës, Llazar Hrebelanoviqi, kurse në Kosovë, Vuk Brankoviqi.[32]

Siç cekëm, me vdekjen e car Dushanit dhe ndarjen e feu­dalëve serbë në disa principata, u krijuan kushte që edhe feu­da­lët shqiptarë të organizohen, kështu që themeluan tri prin­cipata (thema): principatën e Durrësit, të Artës e të Shkodrës, që shtrihej prej Dubrovnikut deri në Durrës e Prizren.[33]

Mund të përmblidhet se invadimi i sllavëve nga Veriu drejt viseve jugore gjendjen e ilirëve e vështirësoi edhe më shumë. Për t’iu shmangur konflikteve e trazirave të vazhdu­esh­me, e madje edhe zhdukjes së tërësishme, një pjesë e ilirëve u tërhoqën drejt Jugut, kurse pjesa tjetër e mbetur, përkundër humbjeve të mëdha, u bënte ballë presioneve asimiluese sllave. E tillë ishte jeta në kontinuitet, me ndry­shime të vogla gjatë sundimit të Stefan Nemanjës, Millutinit dhe Stefan Deçanit.[34]

Shkrimi i Guillaume D’Adam, propagandues i kry­qëzatës e tendencioz, megjithëkëtë hedh dritë në ndriçimin e asaj periudhe. Ai, në vitin 1332, shkruan: “... Këta njerëz, si latinë ashtu edhe shqiptarë, janë nën zgjedhën e padurueshme dhe shumë të rëndë të princit të sllavëve, të cilin ata e për­buzin dhe e urrejnë nga zemra, ngaqë shpesh i lidhin me zingjirë dhe bujarët e tyre ua shpronësojnë... Që të gjithë, së bashku dhe individualisht, janë të mendimit se ata do t’i shenjtëronin duart e veta po t’i zhytnin në gjakun e të lart­përmendurve - sllavëve.”[35]

Kur është fjala për autoktoninë e serbëve në trojet iliro-shqiptare, (pseudo) shkenca serbe insiston në toponiminë aktuale si argument dhe në disa objekte sakrale. Ndonëse shumica e këtyre të fundit mbajnë prejardhje bizantine e ro­make, e disa madje edhe ilire, e të përvetësuara nga serbët në fund të Mesjetës, ata sot e gjithë ditën indoktrinojnë veten dhe të tjerët. Sa i përket toponimisë, Alan Ducelier për­gë­njesht­ron pohimet serbe, duke pohuar se “pjesa më e madhe e toponimeve sllave në Kosovë dhe Shqipëri duhet të jenë më shumë bullgare se serbe, që është fare e natyrshme meqë bullgarët e okupuan këtë zonë që nga shekulli IX, e posa­çërisht në mbarim të shekullit X, në kulmin e Perandorisë Bi­zantine, me Ohrin si kryeqytet. Në atë kohë serbët ishin të vendosur larg nga Kosova, në të vërtetë, në shekujt IX-X kolonitë e tyre të para kompakte ishin Rasha (Rasa) në luginën e Ibrit, në Perëndim të Moravës dhe Zeta që korre­spondonte gjerësisht me Malin e Zi të sotshëm”.[36]

Gjendja e rëndë politike, ekonomike e ushtarake kishte shkaktuar edhe kaos të vërtetë shpirtëror, social, e mos të ce­kim moral, kulturor e shkencor, e kështu me radhë. Këtë më së miri na ilustron e dhëna se popujt që ishin drejtpërdrejt apo tërthorazi në trojet tona, popujt tjerë përreth i trajtonin ndry­she nga popullsia e vet. Fjala vjen, çifutët (që nëpërmjet ro­makëve e Kristianizmit kanë influencë në trojet tona) lejojnë skllavërimin e joçifutëve, por jo edhe të çifutëve, ndaj të cilëve duhet të sillen mirë e t’i ndihmojnë. Ata ndalojnë ka­matën (eksploatimin) ndërmjet veti, por e lejojnë me të huajt, duke pretenduar se ata nuk kanë ndonjë obligim ndaj atij populli injorant.[37]

Edhe te fqinjët e parë të ilirëve, në Greqinë antike e më vonë, diskriminimi ka qenë në kulm. Disa grekë mendonin se jogrekët për nga natyra janë krijuar për robër. Filozofi i njo­hur e nxënësi i Sokratit, Platoni, ka kritikuar skllavërimin e grekut nga greku, por skllavërimin e të huajve nga greku ai e lejon për shkak se, sipas tij, disa popuj intelektin nuk e kanë të përsosur, dhe si të tillë duhet të përfundojnë si skllevër. Kurse mësuesi i Lekës së Madh, Aristoteli, filozof me famë, njerëzit i ka ndarë në: 1) të lirë, dhe 2) skllevër. Këta të fundit janë krijuar vetëm për t’u shërbyer të parëve. Ky skllavërinë e ka konsideruar si institucion të nevojshëm.[38]

Sipas disa parashtrimeve themelore, Kisha kristiane dhe autoritetet fetare kristiane kanë të drejtë dhe kompetenca që të tje­rët, jokristianët, me forcë t’i tërheqin në Kristianizëm. Mbë­shtetjen për këtë detyrim e gjejnë në Besëlidhjen e Re, sipas Lukës, 14:15-24, ku ndër të tjera thuhet: “... dhe detyroi të hyjnë...”.

Kisha kristiane në bazë të kësaj anekdote ka konkluduar se udhëzimi mund të imponohet me dhunë dhe se Kisha ka të drejtë të bëjë presion e ta terrorizojë shpirtin njerëzor. Ata që kanë refuzuar Kishën janë ekskomunikuar dhe janë djegur në zjarr.[39]

Në fillim Kisha e ka nxitur dhe motivuar femrën për ak­tivitete të gjera, e veçanërisht për lindjen e pasardhësve, por më vonë femra është blasfemuar, është shpallur si shtrigë e fallxhore, për çka janë djegë të gjalla me mijëra gra.[40]

Kësaj dhune iu nënshtruan edhe dijetarët e artistët, që paraqet një fotografi të errët të periudhës paramesjetare e mesjetare. Sipas një pohimi, gjyqet e inkuizicionit për një kohë shumë të shkurtër kanë dënuar 30.000 njerëz me vdekje dhe djegie.[41]

Analitikët pohojnë me të drejtë se bazament për gjithë këtë dhunë e këto masa drastike janë thëniet nga Besëlidhja e Re:

“... E kush më pranon mua, e pranon atë që më dërgoi mua”. (Luka, 9:48), ose

“… E kush më përbuz mua, e përbuz atë që më dërgoi mua’. (Luka, 10:16).

Tekstet tjera biblike kanë theks edhe më të rreptë, e kjo shihet sidomos për ata që mbesin jashtë udhëzimit, d.m.th. pa e pranuar mësimin ungjillor:

“Kush nuk është me mua, është kundër meje, dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.” (Mateu, 12:30).[42]

Mësimet kristiane urdhërojnë skllavin t’i nënshtrohet to­talisht dëshirës së zotëriut, skllavopronarit të tij, dhe jeta e vdekja e skllevërve është e varur nga dëshira e skllavoprona­rit. Çdo njeri autoritativ në perandori ka poseduar disa mijëra skllevër të dënuar për shkaqe shumë të vogla. Po ashtu, nëse femra e lirë kristiane është martuar me skllavin, ajo është varur, kurse skllavi është djegur i gjallë. Madje, edhe vetë Kisha ka poseduar skllevër dhe ka pranuar qartë legalitetin e skllavërisë, me pretekst se po pengon lypjen e lëmoshës dhe vjedhjen.[43]

Gjendja aspak dhe askurrë nuk ka qenë më e mirë as te bizantinët. Ata për vete kanë supozuar se janë krijuar të udhëheqin me botën, kurse të tjerët janë krijuar për t’u shërbyer atyre. Skllavi nuk ka gëzuar të drejtën të posedojë, të trashëgojë, të lë trashëgim apo të martohet legalisht. Skllavi i padobishëm, i sëmurë apo në moshë është vrarë.

Ligji, apo e Drejta romake parasheh se të gjithë skllevërit e një njeriu të lirë, të vrarë nga skllevërit, duhet të vriten, etj.[44] E gjithë kjo gjendje shfarosëse e totalisht diskriminuese dhe ndërrimi i shpeshtë i pushtuesve në trojet që i cekëm më parë, pastaj mospajtimet ideologjike të kristianëve ndaj të tjerëve, çarjet dhe konfliktet ndërkristiane në katolikë, orto­doksë e sekte të tjera të shumta, linin përshtypje për një gjendje të rëndë dhe asfiksuese religjioze, morale, politike, ekonomike e kështu me radhë.[45] Kjo bëri që të përhapen doktrina pikëpamjesh të ndryshme që ishin në kundërshtim me doktrinat religjioze të Kishës zyrtare,[46] e si protestë e hapur ndaj shtrembërimeve doktrinore dhe dhunës perma­nente. Vërehen sektet: bogumile, novaciane, manihene, me­saliniane, kutugjere, bullgare, babune, torbaçe,[47] e ndër më të njohurat hasim sektet e arianizmit dhe akacianizmit, që nga Kisha zyrtare u ndoqën me ashpërsi.[48]

Vlen në mënyrë të veçantë të ceket aktiviteti i sektit bogumil, më i njohuri dhe më i rebeluari në shekullin X, që iu kundërvu institucionalizimit të Kristianizmit në Mesjetë. Si­pas disa të dhënave, në Siujdhesën Ballkanike, në Thraki e në Ballkanin Lindor, Bogumilizmi u paraqit në shekullin X.[49] Në zhvillimin e tij në masë të madhe kanë ndikuar sekti pau­lician e mesalian, e po ashtu kanë ndikuar edhe mësimi he­braik e islam.[50] Megjithëkëtë, doktrina e bogumilëve shquhej me elemente të theksuara të mësimit maniheist.[51] Për shkak se janë ndjekur rreptë nga sundimtarët serbë (shekulli XII-XIV), prej shekullit XIII bogumilët tërhiqen nga Rumelia drejt Perëndimit në Bosnjë,[52] ku rezistojnë deri në ardhjen e osmanëve dhe Islamit. Ata janë ndjekur si heretikë kurse mësimi i tyre si herezë, si nga katolikët ashtu edhe nga orto­doksët.[53]

Një përmbledhje e gjendjes shpirtërore e fizike - biologjike shpie drejt përfundimit se Roma (Lindore e Perën­di­more) e të tjerët, për shkak të qëndrimit të tyre kryekëput material­ist, të veshur me petkun e shenjtërisë, në aspekt të jetës njerëzore dhe vlerës së saj inherente, për shkak të të koncep­tuarit antropomorf të Zotit, për shkak të konceptimit përbuzës e injorues të kësaj bote nga ana e Kristianizmit dhe të shtypjes së instinkteve natyrore e synimeve legjitime të njeriut nga njëra anë, dhe sllavët e të tjerët, të sëmurë nga dëshira drejt pushtetit, drejt fuqisë, përkatësisht drejt vullnetit imperialist, po sikur edhe vëllezërit e tyre perëndimorë, nga ana tjetër, shkaktuan lindjen e fatumit e jo të lirisë, shkaktuan rebelimin e njeriut dhe daljen e tij jashtë kornizave zyrtare kishtare.[54] Në një gjendje të këtillë të pashpresë, edhe gjatë Mesjetës trojet tona iliro-shqiptare në përmasa (jo fort) të vogla u ndeshën me mësimet e Fesë islame dhe muslimanët e parë, por me shpresa të vogla që të mbijetojnë.[55] Përkatësisht, muslimanët ishin në numër simbolik me rastin e depërtimit të Perandorisë Osmane në këto troje, e të tjerët u dëbuan, u zhdukën apo u asimiluan. Është e dukshme se ardhjen e os­manlinjve në trojet tona dhe përgjithësisht në Ballkan, e pritën duarhapur jo vetëm muslimanët e paktë, por edhe popullsia tjetër e organizuar në sekte të ndryshme, e madje edhe një pjesë e popullsisë me besime të tjera.



LITERATURA

1. “Argumenti” – časopis za teoriju i praksu, nr. 2-1982, Rijeka.

2. Arnold, Thomas; “Povijest islama - Historijski tokovi misije”, botimi III, Sarajevo, 1990.

3. Asad, Muhammed; “Islam na raspuću”, Zagreb, 1994.

4. Azizussamed, Ulfe; “Islamizmi dhe Krishterizmi”, bot. I, Prizren, 1413-1992.

5. “Bujku” - e përditshme e dt. 01.04.1995; 13.07.1995; 19.05.1995; 14.09.1996, Prishtinë.

6. Bulaç, Ali; “Islam i demokratija, teokratija i totalitari­zam”, Sarajevo – Ljubljana, 1995.

7. Demiraj, Shaban; “Gjuhësi ballkanike”, Shkup, 1994.

8. Doçi, Rexhep; “Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë (si­pas onomastikës)”, Prishtinë, 1994.

9. El-Hufi, Muhammed Ahmed; “Toleranca islame”, Prishtinë, 1996.

10. Gams, Andrija; “Biblija i društvo”, Novi Sad, 1979.

11. Grup autorësh; “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”, Punime nga Simpoziumi ndërkombëtar i mbajtur me 12-15.10.1992, Prishtinë, 1995.

12. Grup autorësh; “Historia e popullit shqiptar”, I, bot. II, Prishtinë, 1979.

13. Grup autorësh; “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, Prishtinë, 1979.

14. Grup autorësh; “Shqiptarët e Maqedonisë”, Punime nga Simpoziumi 1992, Shkup, 1994.

15. Gjini, Gasper; “Skopsko–prizrenska biskupija kroz stol­jeća”, Zagreb, 1986.

16. Hadri, Ali; “Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme”, botimi III i plotësuar, Prishtinë,. 1993.

17. Handžić, Mehmed; “Islamizacija Bosne i Hercegovine i poreklo bosansko-hercegovačkih muslimana”, Sarajevo, 1940.

18. Ibrahimi, Nexhat; “Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane”, Shkup, 1997.

19. “Kultura” – časopis za teoriju i sociologiju kulture i kul­turnu politiku, 13-14/1991, Beograd, 1971.

20. “Kur'ani me përkthim e komentim” në gjuhën shqipe nga h. Sherif Ahmeti, Medine, Arabia Saudite, 1413 hixhrij.

21. Muhammed, Mahmud Seid; “Islami dënon diskriminimin racor”, 1415/1994.

22. “Përparimi” – revistë shkencore, nr. 2/1991, Prishtinë.

23. Rizaj, Skënder; “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII”, Prishtinë, 1982.

24. Stipçeviq, Aleksandar; “Ilirët”, botimi III, Prishtinë, 1990.

25. “Shkrimi Shenjt” – përkthyer nga Don Simon Filipaj, Ferizaj, 1994.

26. Tërnava, Muhamet; “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVII”, Prishtinë, 1995.

27. Turčinović, Josip; “Katolička crkva u južnoslavenskim zemljama”, Zagreb, 1973.






Fusnotat



[1] Bahri Beci, Marrëdhëniet e hershme shqiptaro-sllave në dritën e të dhënave të dialektologjisë sonë historike, në: Shqiptarët e Maqedonisë, Përmbledhje punimesh nga Simpoziumi i vitit 1992, Shkup, 1994, fq. 48; Krhs.: Pan K. Christon, Dardania, Bujku - e përditshme e datës 01.04.1995, Prishtinë, fq. 7.

[2] Gjerësisht për ilirët shih: Aleksandër Stipçeviq, Ilirët, historia - jeta - kultura- simbolet e kultit, botimi II, Prishtinë, 1990, fq. 508; Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Prishtinë, 1979, fq. 590.

[3] Ali Bulaç, Islam i demokracija, teokracija i totalitarizam, Sarajevo - Ljubljana, 1995, fq. 74.

[4] Josip Turcinovic, Katolicka crkva u juznoslovenskim zemljama”, Zagreb, 1973, fq. 6.

[5] Shih: Ali Hadri, Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme, botim i tretë i plotësuar, Prishtinë, 1973, fq. 35. Shih gjerësisht po ashtu: J. Turcinoviq, op. cit., fq. 6.

[6] Ali Bulaç, op. cit., fq. 74; Shih: Nikollaj Berdjajev, Carstvo duha i cesara, në: Kultura - casopis za teoriju i sociologiju kulture i kulturnu politiku, nr. 13-14/1971, Beograd, fq. 175-183.

[7] Ali Bulaç, op. cit., fq. 74.

[8] Ibid., fq. 75.

[9] Edward Gibbon, Historia e ngecjes dhe e shkatërrimit të Perandorisë Romake (përkthimi turk), Stamboll, 1988, II, fq. 126 e më tej, cituar sipas: Ali Bulaç, op. cit., fq. 75.

[10] Ali Bulaç, op. cit., fq. 75.

[11] Ibid., fq. 75.

[12] Ibid., fq. 76.

[13] Ibid., fq. 76-77.

[14] Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, I, botimi III, Prishtinë, 1979, fq. 131-133; Krhs. i J. Turçinoviq, op. cit., fq. 6-9.

[15] Ibid., fq. 133; Krhs.: Ibid., fq. 6 dhe Alan Ducelier, Vazhdimësia iliro-shqiptare në Kosovë, Bujku - e përditshme e datës 14.09.1996, Prishtinë, fq. 15.

[16] Alan Ducelier, op. cit., fq. 15.

[17] E. Petroviq, Istoria popuruli romiu oglindit in Toponimie, Bucurest, 1964, fq. 10-11, cituar sipas: Bahri Beci, op. cit., fq. 48.

[18] Pan K. Christon, op. cit., fq. 7.

[19] Ibid., fq. 7.

[20] Stephan Hill, Aspekte të Shqipërisë mesjetare para pushtimit turk, Bujku - e përditshme e datës 19.05.1995, Prishtinë, fq. 13.

[21] Shih: Shaban Demiraj, Gjuhësi ballkanike, Shkup, 1994, fq. 194.

[22] Skender Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, - Administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore, Prishtinë, 1982, fq. 421.

[23] Gjerësisht: Muhamet Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV – XVI, Prishtinë, 1995, fq. 20; Krhs.: S. Hill, op. cit., fq. 13; S. Rizaj thotë se popullata ilire u pakësua edhe më në këtë kohë. Shih: S. Rizaj, op. cit., fq. 421.

[24] S. Hill, op. cit., fq. 13.

[25] Ibid., fq. 13.

[26] Shkëlzen Raça, Historia e shtegëtimeve shqiptare në Greqi, Bujku - e përditshme e datës 13.07.1995, Prishtinë, fq. 13.

[27] Mark Krasniqi, Toleranca fetare - tipar i karakterit dhe traditës së shqiptarit, Bujku revial - e përditshme e datës 16.07.1994 fq. 2. Sabit Uka, Xhamitë, mesxhidet dhe teqetë në Sanxhakun e Nishit deri më 1878, në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, përmbledhje punimesh nga Simpoziumi ndërkombëtar i mbajtur më 12-15, tetor 1992, Prishtinë, 1995, fq. 147.

[28] S. Hill, op. cit., fq. 13.

[29] Shih: Muhamet Tërnava, op. cit., fq. 20-22; Mark Krasniqi, op. cit., fq. 2; Gasper Gjini, Skopsko-prizrenska biskupija kroz stolje}a, Zagreb, 1986, fq. 70; Rexhep Doçi, Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë (sipas onomastikës), Prishtinë, 1994, fq. 262; Muhamet Pirraku, Shkaqet e kalimit në Islam të shqiptarëve, Përparimi - revistë shkencore, nr. 2/1991, Prishtinë, fq. 193.

[30] S. Rizaj pohon se serbët që fillimisht u vendosën në Shumadinë e sotme, hasën në popullsinë autoktone, në ilirët dhe thrakasit, të cilët i asimiluan. Shih: S. Rizaj, op. cit., fq. 421-422.

[31] J. Swire, Albania, Londër, 1929, fq. 9, cituar sipas: S. Rizaj, op. cit., fq. 16.

[32] Alan Ducelier, op. cit., fq. 15; S. Rizaj, op. cit., fq. 16.

[33] Shih: Ali Hadri, op. cit., fq. 50-51; Krhs.: Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, I, op. cit., fq. 193-213.

[34] Muhamet Tërnava, op. cit., fq. 272-273. Këta sundues serbë, ndonëse u kanë bërë privilegj tregtarëve raguzianë në territorin që e sundonin (S. Nemanja më 1186, Millutini më 1282, S. Deçani më 1326), gjendja për ilirët - shqiptarët nuk kishte ndryshuar për të mirë. M. Tërnava, op. cit., fq. 272-277.

[35] Alan Ducelier, op. cit., fq. 15.

[36] Ibid., fq. 15.

[37] Mahmud Seid Muhammed, Islami dënon diskriminimin racor, Shkup, 1415/1994, fq. 24.

[38] Ibid., fq. 25-26.

[39] Kallja, djegia në zjarr është shfrytëzuar për shkak se Kisha e përbuz shpatën. Ndonëse shpata nuk ka mbetur mbrapa në kryerjen e krimeve gjatë gjithë historisë kishtare, zjarri megjithatë ka qenë më i vrazhdë e më i pamëshirshëm. Shih: Ali Bula~, op. cit., fq. 94-95.

[40] Ali Bulaç, Din ve Modernizm, Stamboll, 1992, fq. 161, cituar sipas Ali Bulaç, op. cit., fq. 90-91. Mendoj se kristianët bazament për këto krime kanë pasur te prijësit e tyre. P.sh. Shën Pali femrën e shikon me përbuzje dhe tërë fajin për rënien e njeriut ia lë femrës. Pali në letrën e tij dërguar Timoteut pohon: “Nuk lejoj që gruaja të mësojë në Kishë, as të sundojë burrin, por - të rrijë në qetësi”. (2:11-14).

Shën Kipriani thotë: “Femra është instrument të cilin djalli e përdorë që t’i përfitojë e t’i disponojë shpirtrat tanë".

Shën Antoni thotë: “Femra është burim i forcës së djallit; zëri i saj është fërshëllima e gjarprit”. Gjerësisht shih: Ulfe Azizussamed, Islami dhe Krishterimi, Prizren, 1413/1992, fq. 72-73.

[41] Ali Bulaç, op. cit., fq. 91.

[42] Ibid., fq. 91. Tekstet biblike janë marrë nga: Shkrimi Shenjt, Ferizaj, 1994, përkthimi i Don Simon Filipaj.

Sa për ilustrim se si e trajton Islami këtë çështje, po i cekim dy ajete kur’anore:

“Juve-feja juaj, kurse mua - e imja.” (Kur’ani, el-Kafirun, 6) dhe

“Thuaj: “Vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim. E ju pra, adhuroni pos Tij çka të doni...”. (Kur’ani, ez-Zumer, 14-15).

[43] Shih: M. S. Muhammed, op. cit., fq. 29.

[44] Ibid., fq. 27. Nën Kishën bizantine gjendja e koptëve ishte shumë e rëndë:

- Dëbimi i të gjithë funksionarëve koptë nën sundimin e perandorit Fokas (602-610) dhe detyrimi i tyre t’i nënshtrohen Kishës së Konstantinopolisit.

- Në kohën e Herakliusit (610-641) koptët akuzoheshin si paganë dhe tradhtarë.

- Koptët janë tiranizuar edhe gjatë kohës së Justinianit I (527-565) i cili thoshte: “Vetëm një qeveri, vetëm një legjislacion dhe vetëm një kishë.” (El-Hufi, “Toleranca islame”, Prishtinë, 1996, fq. 41-42.

Për gjendjen e rëndë nën bizantinasit te ne shih: Tomas Arnold, Povijest islama - Historijski tokovi misije, botimi III, Sarajevë, 1990, fq. 185, 199, 202, 204-205, 235 etj.

[45] Shih gjerësisht: Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, I, op. cit., fq. 174-175.

[46] Për gjendjen shoqërore, politike, ekonomike e fetare të shqiptarëve para osmanlinjve shih: Muhamet Pirraku, op. cit., fq. 186 e tutje.

[47] Ibid., fq. 192.

[48] Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, I, op. cit., fq. 130.

[49] Muhamet Pirraku, op. cit., fq. 192.

[50] Mehmed Handzic, Islamizacija Bosne i Hercegovine, Sarajevo, 1940, fq. 12.

[51] Andrija Gams, Biblija i drustvo”, Novi Sad, 1979, fq. 289.

[52] Ibid., fq. 290.

[53] H. Seton - Watson, Nacije i drzave, Zagreb, 1980, fq. 150, cituar sipas: Zarko Benkovic, Bogumilstvo i islamizacija, Argumenti - casopis za teoriju i praksu, nr. 2/1982, Rijeka, fq. 234.

Car Dushani në Kodin (Zakonikun) e tij të vitit 1349, neni 2, 3, 6, 7, 8, 9, 10 e 21, ndjek herezën latine (katolikët) dhe herezën e vendit (bogumilët). Shih: S. Rizaj. op. cit., fq. 422-423, gjerësisht fq. 421-427.

Dallimet kryesore ndërmjet heretikëve dhe sunduesve mund të përmblidhen në:

- demaskimi i të pasurve,

- urrejtja ndaj mbretit,

- përqeshja e priftërinjve,

- rokomandimi robërve që mos t’u shërbejnë zotërinjve,

- mos të nderohet kryqi dhe ai të konsiderohet armë e satanës,

- të kundërshtohen ikonat etj. Shih: Muhamet Pirraku, op. cit., fq. 192.

[54] Gjerësisht: Muhammed Asad, Islam na raspucu, Zagreb, 1994, fq. 27-38; Po ashtu: N. Berdjajev, op. cit., fq. 173.

[55] Shih: Nexhat Ibrahimi, Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane, Shkup, 1997.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme