Shumëpërmasat e personalitetit të Muhammedit a.s.

Prej kur u paraqit në Tokë njeriu ka synuar të depërtojë në gjithësi dhe të zbulojë ligjet dhe fshehtësitë e saj. Sa më shumë që mësonte dhe kuptonte, aq më tepër i admirohej madhështisë së saj, para vetvetes dukej gjithnjë e më i dobët dhe gjithnjë e pak gjente arsye për mendjemadhësi.

Pejgamberi a.s. i përngjanë gjithësisë. Prej fillimit shkencëtarët kanë punuar në mënyrë të zellshme që të zbulojnë aspekte të ndryshme të humanitetit të tij të madh, ta kuptojnë sendërtimin e atributeve hyjnore në mendjen, karakterin dhe urtësinë e tij. Ata, pa dyshim, kanë arritur nivel solid të diturisë. Mirëpo, shumë sosh iu është shmangur dhe para tyre është rrugë ende e gjatë dhe, në të vërtetë, e paskajshme.[1]

Pejgamberia është dhuratë që nuk mund të arrihet apo të fitohet. Zoti, me urtësinë e Tij, pejgamberinë ia dhuron atij i cili është i gatshëm dhe i fuqishëm ta bartë atë. Ai më së miri e di ku dhe kur do të jetë me dobi më të madhe dërgimi i pejgamberit. Muhammedi a.s. me të vërtetë ishte i gatshëm që porosinë pejgamberike t’ia përcjellë tërë njerëzisë. Ai ishte i përgatitur ta bartë porosinë e fesë më të përsosur [2], të bëhet pejgamberi i fundit[3], dritë unikale e udhëzimit dhe mëshirë për shekuj [4].

Pagabueshmëria e pejgamberit në dorëzimin e porosisë dhe zbatimin e misionit të besuar hyjnor është çështje rreth së cilës shkencëtarët janë pajtuar qysh në fillim. Njëherë kur pejgamberët të zgjidhen për detyrë, thirrja pejgamberike dhe zbatimi i detyrave të besuara nuk bartin me vete kurrfarë kompenzimi të kësaj bote. Puna e tyre është pasojë e domosdoshme e shpalljes së këtillë hyjnore. Sikur edhe të gjithë njerëzit, pejgamberët në çështje botërore mund të gabojnë, por virtyti i tyre është në çështjen që Zoti ua tërheq vërejtjen, i qorton ata dhe ua përmirëson gabimin e tyre.[5]

Muhammedit a.s. i qe urdhëruar ta dorëzojë porosinë hyjnore. Por atij nuk i është treguar si ta bëjë këtë as si t’i mbrojë frytet e punës së tij. Atij sikur edhe çdo njeriu tjetër të arsyeshëm dhe të ndjeshëm i qe lënë që punët e tij t’i bëjë ashtu si i thotë inteligjenca dhe urtësia e tij. Shpallja të cilën e pranonte ishte absolutisht e saktë dhe e qartë në aspekt të esencës, unitetit, atributeve dhe adhurimit të Zotit. Por ky nuk ishte rast me institucionet shoqërore të familjes, fshatit dhe qytetit, shtetit dhe lidhjeve të saj me institucionet pikërisht të përmendura dhe shtetet e tjera. Së këndejmi ka shumë hapësirë për hulumtimin e madhërisë së Pejgamberit para zgjedhjes së tij për pejgamber, sikur edhe pas kësaj zgjedhjeje. Ai u bë i deleguar i Krijuesit të tij, i ka ftuar njerëzit tek Ai, i ka mbrojtur ata.

Mirëpo, mbi personalitetin e Muhammedit a.s. dhe mbi raportin e tij ndaj fesë është meritore të flitet në bazë të Kur’anit dhe të Sunnetit dhe në bazë të asaj që për të kanë thënë njerëzit në kohë të ndryshme dhe nga pikëpamje të ndryshme.

Ekziston një pyetje interesante: A mund të flitet për pejgamberin Muhammedin a.s. në mënyrë meritore sikur për individin në fe, sikur për personalitetin, i cili, që të besojë, nuk ka nevojë për shoqërinë e njerëzve, nuk ka nevojë për bashkësinë, sepse, i gjetur në shoqëri me Shpalljen, për Muhammedin a.s. çdo bashkësi tjetër ishte bërë e tepërt?

Në këtë pyetje nuk bën të përgjigjemi afirmativisht. Përkundrazi, Kur’ani për Muhammedin a.s. flet sikur për njeriun e gjallë dhe për Pejgamberin e Zotit, i cili vepron brenda shumë rafsheve ndërsjellësisht të lidhura. Feja e tij dhe misioni i tij nuk i përkasin vetëm atij dhe Zotit, por në pyetje është jetësimi i fesë së gjallë dhe veprimi dhe praktikimi i emaneteve islame në shumë nivele: Për Muhammedin a.s. në Kur’an flitet si për njeriun që vepron në fe, në histori, në shoqëri, në familje, në bashkësi.

Pra, Pejgamberi a.s. nga shpella Hira, ku e mori Shpalljen e parë, kthehet në qytetin e Mekes, në mesin e njerëzve të gjallë, kthehet në shoqëri të gjallë njerëzore, e cila i jeton të gjitha problemet e veta.[6]

Për shembull, ai ishte një kryetar familjeje i shkëlqyer dhe do të shërbejë shembull për të gjithë muslimanët; ai ishte një udhëheqës ushtarak i shkëlqyer, një mjeshtër i luftës, sepse me një grusht njerëzish që i bënin dritë përreth, ai pati rrafshuar tërësisht fronet e mbretërve që i patën shpallur luftë botës dhe sa e sa sundimtarë i pati kthyer në skllevër.[7]

Nga veprat e sires (jetëshkrimit) shohim se Muhammedi a.s. nuk ishte mistik, i cili nga vetmia e tij dhe shoqërimi me Fshehtësinë Hyjnore, nga largësia do t’i kundronte njerëzit dhe qytetet, ndonëse në jetën e tij kishte shumë hollësi të cilat mistikët islamë i kanë marrë si par excellence mistike.

Muhammedi a.s. po ashtu nuk është as elitist, filozof (i historisë ose shoqërisë), i cili si rezultat të meditimeve, do të jepte sisteme të gatshme për shoqërinë njerëzore, ndonëse në jetën e tij vrojtojmë dhe lexojmë edhe një filozofi madhështore të islamit.

Ai nuk është as revolucionar i cili me një potez rrënon çdo gjë të vjetër, të trashëguar dhe shkatërron tërë të kaluarën, për favor të ndërtimit të të resë.

Përkundrazi, ai është i dërguar i Allahut, i cili e pranon Shpalljen në vazhdimësi gjatë 23 viteve, i cili Shpalljen dhe parimet e saj shkallërisht i mbjellë te njeriu dhe në shoqërinë njerëzore. Gjatë tërë kësaj kohe edhe vetë Muhammedi a.s. është ai i cili parimet e Shpalljes i jetëson, i jetëson ashtu që i mbjell në zemrën e tij, në veprën e tij dhe në mesin e njerëzve.[8]

Nëpërmjet ajeteve të shumta kur’anore ne mund ta rikonstruojmë këtë shumësi nivelesh të veprimit të tij, të domethënieve dhe të rrezatimeve të personalitetit të Pejgamberit të Allahut - Muhammedit a.s.. Para së gjithash, feja islame as për të nuk është profesion; për të islami është feja e tij të cilën atij ia shpallë Allahu i dashur dhe në të cilën Muhammedi a.s. edhe vetë beson. Ai vetë është, pra, pejgamber i Allahut, pos të tjerëve, edhe për vetveten. Madje, së pari për vetveten.

Është karakteristike se Kur’ani në periudhën e hershme të Shpalljes së Kur’anit e trimëron dhe e përkrah Muhammedin a.s.:



“... Ti nuk ke ditur çka është libri as çka është besimi, por ne e kemi bërë atë të ndritshëm me të cilin udhëzojmë ata robër tanë që dëshirojnë.” (Esh-Shura, 52).[9]



“Zoti yt nuk të ka lënë pas dore dhe nuk të ka urrejtur.” (Ed-Duha, 3).



“A nuk ishe bonjak, e ai të ofroi strehim.” (Ed-Duha, 6).



“Ke qenë edhe i varfër , e të bëri të pasur.” (Ed-Duha, 8).



Në këtë periudhë të hershme të fesë dhe misionit të Muhammedit a.s. shpallja nganjëherë drejtpërdrejt i drejtohet intimisht:



“A e di ç’është ferri (Sekar)?” (El-Mudeththir, 27).



“Ç’është Çasti i fundit (Kariatu)?” (El-Kariatu, 2).



“... Çka është Dita e gjykimit.” (El-Infitar, 17).



Këto ishin pyetje të drejtpërdrejta jo vetëm që Muhammedi a.s. të përgjigjet në to, por edhe që nëpërmjet tyre të hyjë në fushën e besimit dhe të përgjegjësisë, përgjegjësisë personale, përballë asaj çka do të pasojë më vonë, së pari për të e më pastaj edhe për njerëzit tjerë.

Për shembull, shumë herë është dashur ta kalojë një pjesë të natës i zgjuar, dhe ta shqiptojë Kur’anin qartë e me kujdes (El-Muzemmil, 2-4), t’i pastrojë rrobat e tij (we thijabeke fetahhir) (El-Mudeththir, 4) dhe të durojë në atë çka kërkohet prej tij (we lirabbike fasbir) (El-Mudeththir, 7).

Biografët e Muhammedit a.s. pohojnë se vështirësitë personale të Muhammedit a.s. në këtë periudhë ishin shumë të rënda. Shpeshherë Muhammedi a.s. ndiente drojë për suksesin e misionit. Nuk është e drejtë kur disa literalistë pohojnë se Pejgamberi a.s. nuk ka ndier frikë. Shumë ajete kur’anore tregojnë se Muhammedi a.s. por edhe pejgamberët tjerë kanë qenë njerëz dhe kanë ndier frikë dhe drojë. Situata në Taif, por edhe raste të tjera, pastaj martesa, fëmijët, dalja në treg të Mekes, vdekja, tregojnë se Muhammedi a.s. ishte njeri sikur të gjithë njerëzit tjerë, por edhe pejgamber.[10]

Siret (analet) e Muhammedit a.s. dëshmojnë se është gabim që për personalitetin e Muhammedit a.s. të flitet me hiperbollizim dhe hipostazim. Është gabim që për Muhammedin a.s. të flitet si për person mistik, me fuqi të mbinatyrshme dhe të çuditshme. Fakti se Muhammedi a.s., sipas një kronisti pedant, kishte 9 shpata, tri shtiza, tri harqe, shtatë mburoja, tre mbrojtës[11] e të tjera, flet se ai vetë kishte ndërmarrë të gjitha masat njerëzore për t’u mbrojtur. Mrekullia e tij e vetme e përhershme ishte Shpallja e Kur’anit.

Literatura mitike dhe legjendare mbi Muhammedin a.s., të cilën e lexojmë në vepra të ndryshme, nuk i kontribuon personalitetit të vërtetë të Muhammedit a.s.. Po t’i posedonte ato fuqi të mbinatyrshme, ai do t’i shmangej lëndimeve në Mekë, Taif, Uhud, sëmundjes nga mishi i helmuar e të tjera.[12]

Muhammedi a.s. dallon prej njerëzve vetëm në pranimin e shpalljes dhe në komunikimin e saj. Dallon që ka kontaktuar drejtpërdrejt me Xhibrilin. Dallon sepse morali i tij ishte vetë Kur’ani. Gabimi qëndron në atë që disa dijetarë muslimanë personalitetin e Muhammedit a.s. me çdo kusht kanë dëshiruar ta shohin të mbinatyrshëm, personalitet të “kristianizuar”. Muhammedi a.s. nuk është “Fjala e Zotit” sikur që thuhet për Isain a.s. (En-Nisa, 171), as transmetues i thjeshtë, të cilit nuk i intereson se ç’po ndodh rreth tij. Vetë jeta e tij është një formë e Kur’anit, Kur’anit të aplikuar.[13]

Është e domosdoshme të thuhet se Muhammedi a.s. është pejgamber, “ardhja e të cilit është lajmëruar si sihariq nga kulla e pejgamberisë së të gjithë pejgamberëve të ardhur para tij”.[14] Muhammedi a.s. unjëson në tërësi shumicën e sunnetit (traditës) të pejgamberëve të kaluar. Ai agjëron agjërimet e tyre të obligueshme dhe të paobligueshme, bën hixhretin, sepse për suksesin e fesë së tyre, e bën edhe Ibrahimi, Musai dhe shumë të dërguar të Zotit.

Muhammedi a.s. ishte personifikim i tri synimeve zanafillore, të cilat i njohim nëpërmjet Musait, Isait dhe vetë Muhammedit a.s.[15] Deri sa judaizmi në mesin e këtyre tri religjioneve paraqiste “tendencën e majtë”, Zotin e drejtësisë dhe Shpëtimtarin e botës së dukshme, kurse kristianizmi “tendencën e djathtë” dhe Zotin e dashurisë, simbiozën e tyre të fatshme do ta bëjë Islami me Muhammedin a.s., duke u bërë religjion i botës dhe shpirtit.[16]

Kur’ani pranon, në parim, të gjitha këto ngjashmëri me vetë aktin e urdhëresës që Muhammedi a.s. me pjesëtarët e vet një kohë në namaz të kthehet drejt Jerusalemit. Të kuptohet ky akt si duhet domethënë të bëhemi të vetëdijshëm se Jerusalemi me Tempullin e vet, është trashëgimtar i madh i monoteizmit dhe se urdhëresën e të kthyerit në namaz drejt Mekes islami nuk e ka futur deri sa paraprakisht, me respekt të madh, nuk ua ka bërë muslimanëve me dije se Ibrahimi, Musai, Isai dhe pejgamberë të tjerë prej Zotit kanë sjellur të vërtetën e njëjtë, unike në boshtin e saj dhe të amshueshme.

Ajeti kur’anor “Ty nuk do të thuhet asgjë që nuk u është thënë pejgamberëve përpara teje” (Fussilet, 43), duhet komentuar edhe ashtu se të gjithë të dërguarve të Zotit, marrë së bashku, Allahu ua komunikoi atë që Muhammedit a.s. të vetëm ia komunikoi në tërësi. Për këtë arsye ai është i zgjedhur, sepse këta pejgamberë atë e paralajmërojnë, kurse ai e konfirmon, e vulos dhe e përmbaron misionin e tyre.

Muhammedi a.s. është pejgamberi i vetëm i dërguar prej Zotit, të cilin e ka paralajmëruar çdo pejgamberë i mëhershëm. Edhe libri i shenjtë Indus Bhavishya Purana pohon:



“Do të paraqitet mësuesi shpirtëror, me shokët e tij, dhe do të quhet I Lavdëruari (Ahmed, Praklete)”.[17]



Në librin e shenjtë të fesë së vjetër persiane, Dasatir, shkruan:



“Kur Persianët të bijnë poshtë në moral, do të lindet një njeri në Arabi pasuesit e të cilit do ta rrëzojnë fronin dhe fenë e tyre, kurse pushtetarët renarë do të ngadhënjehen. Shtëpia e cila ka qenë e ndërtuar dhe në të cilën shumë idhuj janë vendosur, do të pastrohen nga ata dhe njerëzit asaj do t’i drejtohen gjatë kohës së lutjes. Pasuesit e saj do t’i nënshtrojnë qytetet e Persisë dhe përreth saj. Njerëzit do të përzihen ndërmjet veti. Njerëzit e ndershëm të Persisë dhe të tjerët do t’i bashkangjiten pasuesve të tyre.”[18]



Në Bibël, librin hebraik dhe kristian, në Ligjin e Përsëritur shkruan: “Do të ngris një pejgamber në mesin e vëllezërve të tyre, sikur që je ti. Do t’i vë fjalët e Mia në gojën e tij, që t’ua thotë të gjitha që ia urdhërojë. E nëse askush nuk i dëgjon fjalët e Mia që Pejgamberi do t’i thotë në emrin Tim, i tilli do të përgjigjet para meje.” (18, 18).[19]



Edhe Isai a.s. e paralajmëron dhe garanton ardhjen e Muhammedit a.s. si fund të hierohistorisë, ose si fund të pejgamberisë dhe dërgueshmërisë:



“Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai – Shpirti i së Vërtetës – Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të vërtetën.” (Gjoni, 16, 12, 13).[20]



Isai a.s., në Ungjill, pohoi:



“Unë po shkoj që të vijë i zoti i kohës”. (Gjoni, 16, 8).



Në themel të kulturës dhe qytetërimit të botës islame është mendim unikal në mesin e dijetarëve muslimanë mbi ndikimin madhështor me të cilin rrezaton paraqitja e Muhammedit a.s.. Ai është lajmëtari i Allahut, lajmëtari i fesë së Allahut, të cilin mund ta marrim për shembull sepse në personalitetin e tij ka personifikuar jetën e shumë pejgamberëve dhe njerëzve të mirë. Mund ta marrim për shembull si baba, bashkëshort, mik, komandant, imam, luftëtar të fesë, të jetës dhe të nderit, mbrojtës të të dobtëve dhe mbrojtës të botës shtazore dhe bimore, të dukshme dhe të padukshme.[21]

Atë që Muhamemdi a.s. e themeloi në Medinë nuk ishte shteti, por Ummeti – Bashkësia, shumë më i madh e më i rëndësishëm se shteti. Sepse, ... Ummeti nuk zhduk nacionalen, por e liron njeriun nga robërimi nacionales. Ummeti nuk i toleron bashkësitë tjera fetare, por i pranon ato. Islami i ka borxh institucionit të ummetit, kurse ummeti i ka borxh planetaritetin dhe universalitetin e tij institucioneve të Islamit.



Literatura:



1. Ali Sheriati, Fatimeja është Fatime, Tetovë, 1996.

2. Alija Izetbegovic, Islam izmedju Istoka i Zapada, Beograd, 1988.

3. Ebu’l-A’la El-Mewdudi, Muhammedi alejhisselam dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1409/1990.

4. Glasnik – casopis Rijaseta IZ BH, Sarajevë, nr. 4 - 6/1996.

5. Ibn Hisam, Poslanikov zivotopis, Sarajevë, 1998.

6. Kur’ani dhe hija e tij shqip, përkthim i Feti Mehdiut, botimi II, Shkup - Stamboll, 1999.

7. M. Fethullah Gülen, Prophet Muhammad: Aspects of his life, vol. 2, Virginia, USA, 2000.

8. M. Fethullah Gylen, Dritë e pashuar - Hz. Muhammedi s.a.v.s., Tiranë, 2004.

9. Martin Lings, Muhammed s.a.v.s., Sarajevë, 1996.

10. Muhammed Asad, Poruka Kur’ana, Sarajevë, 1425 h./2004.

11. Muhammed Husejn Hejkel, Zivot Muhammeda a.s., Sarajevë, 1425 h./2004.

12. Shejh Muhammed El-Gazali, Tematski tefsir kur’anskih sura, Sarajevë, 1424 h./2003.

13. Ulfe Azizussamed, Islami dhe Kristianizmi, Tetovë, botimi II, 1997.





--------------------------------------------------------------------------------

[1] Shih: Muhammed Mustafa El-Meragi, në: M. H. Hejkel, Zivot Muhammeda a.s., Sarajevë, 1425 h./2004, fq. 5. M. Fethullah Gülen, Prophet Muhammad: Aspects of his life, vol. 2, Virginia, USA, 2000.

[2] إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللّهِ الإِسْلاَمُ - Inne’d-dine inda’ll-llahi’l-islam: “E vetmja fe e drejtë te Allahu është feja islame.” Ali Imran, 19.

[3] وَخَاتَمَ النَّبِيِّينَ - hatem’en-nebijjin: “Vulë e të dërguarve” . El-Ahzab, 40.

[4] وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلا رَحْمَة لِّلْعَالَمِينَ - We ma erselnake il-la rahmeten li’l-alemin: "Kurse ty të kemi dërguar vetëm nga mëshira ndaj botërave.” El-Enbija`, 107.

[5] Dijetarët muslimanë janë tejet të ndieshëm në këtë çështje. Nisur nga fakti se ismeti (pagabueshmëria) është kusht i pejgamberisë, ata pohojnë se Muhammedi a.s. kurrë nuk ka gabuar dhe disa veprime të diskutueshme të Muhammedit a.s. përpiqen t’i arsyetojnë me shprehje më të buta, më adekuate për pejgamberët tjerë dhe për Muhammedin a.s. I kësaj fryme është edhe shkrimi i Muhammed Ali Es-Sabunit “En-Nubuvvetu we’l-enbijau”, fq. 81-97, sipas: Glasnik – casopis Rijaseta IZ BH, Sarajevë, nr. 4 - 6/1996, fq. 234-247.

Nga shumë shembuj, ne do t’i theksojmë dy shembuj kur Allahu e qorton Muhammedin a.s.:

Shembulli i parë:

“Mos nxito me gjuhë (deri sa i përsërit fjalët e Shpalljes), sepse, me të vërtetë, Ne e kemi për detyrë tubimin (në zemrën tënde) dhe ta lexojmë atë ty (ashtu si duhet); e kur ta lexojmë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij (me tërë shpirtin tënd). E pastaj është obligim yni që ta shkoqisim atë.” (El-Kijameh, 16-19).

Për ta kuptuar më plotë këtë fragment parentetik kur’anor (ajetet 16-19) duhet pasur parasysh edhe ajetin 114 të sures Ta Ha: “…Ti mos nxito me Kur’anin para se të përfundojë shpallja e tij te ti, …”. Kjo vërejtje i është bërë Muhammedit a.s. por edhe tërë besimtarëve. Shih: Muhammed Asad, Poruka Kur’ana, Sarajevë, 1425 h./2004, fq. 476 dhe 932.

Shembulli i dytë:

“Ai vrenti fytyrën dhe u kthye, ngase atij i erdhi i verbëri.” Abese, 1-2.

Komentatorët thonë se “një ditë, sipas transmetimeve autentike, Muhammedi a.s. ishte i thelluar në bisedë me disa krerë mekas, dhe duke shpresuar t’i bindë ata dhe nëpërmjet tyre të ndikojë edhe te banorët tjerë. Mirëpo, në këto çaste, iu afrua Muhammedit a.s. një pauses i tij, i verbëti Abdullah ibn Shurejh, i njohur sipas emrit të gjyshes së tij Ibn Umm Mektum, me lutje që t’i sqarojë disa ajete kur’anore. I shqetësuar me këtë ndërprerje, Muhammedi a.s. “u mërrol dhe u kthye” nga i verbëri. Menjëherë u shpallën dhjetë ajetet e para të sures Abese, si qortim. Pas shumë vitesh, Muhammedi a.s. e përshëndeti Ibn Umm Mektum: Merhaben bi men `âtebenî fîhî rabbî që d.m.th.: “Mirësevjen ti për shkak të të cilit Krijuesi im më ka qortuar.” Sipas: Muhammed Asad, Poruka Kur’ana, Sarajevë, 1425 h./2004, fq. 951 dhe: Shejh Muhammed El-Gazali, Tematski tefsir kur’anskih sura, Sarajevë, 1424 h./2003, fq. 697-698. Shih gjerësisht: Muhammed Ali Es-Sabunit, op. cit., fq. 239-240.

[6] M. Fethullah Gülen, Prophet Muhammad, op. cit., fq. 93-115.

[7] M. Fethullah Gylen, Dritë e pashuar, op. cit., fq. 13.

[8] Shih: Ali Sheriati, Fatimeja është Fatime, tetovë, 1996, fq. 44-49.

[9] Përkthimi i ajeteve kur’anore kryesisht është marrë nga përkthimi i dr. Feti Mehdiut, Kur’ani dhe hija e tij shqip, botimi II, Shkup - Stamboll, 1999.

[10] M. H. Hejkel, op. cit., fq. 155 e pas.

[11] Alija Izetbegovic, op. cit., fq. 192.

[12] Enes Karic, Muhammed alejhisselam, pasthënie në: Ibn Hisam, Poslanikov zivotopis, Sarajevë, 1998, fq. 311.

[13] Ibid., fq. 311.

[14] M. Fethullah Gylen, Dritë e pashuar – Hz. Muhammedi s.a.v.s., Tiranë, 2004, fq. 12.

[15] Shih observime interesante rreth tri feve qiellore, judaizmit, kristianizmit dhe islamit: Alija Izetbegovic, Islam izmedju Istoka i Zapada, Beograd, 1988, fq. 183 e pas.

[16] Alija Izetbegovic, op. cit., fq. 185-186 dhe 188.

[17] Khamd 3, Adhyya 3, Shalok 5-8, sipas: Mustafa Spahic, Pogovor, në: Martin Lings, Muhammed s.a.v.s., Sarajevë, 1996, fq. 431.

[18] Sipas: Martin Lings, op. cit., fq. 431.

[19] Sipas: Martin Lings, op. cit., fq. 431-432.

[20] Sipas: Ulfe Azizussamed, Islami dhe Kristianizmi, Tetovë, botimi II, 1997, fq. 19-20. Krahaso: Ungjillin e Shën Barnabës i përkthyer nga dorëshkrimi i Imperial Library në Vjenë. Oxford.
M. Fethullah Gylen, Dritë e pashuar , op. cit., fq. 12-13.

[21] Ebu’l-A’la El-Mewdudi, Muhammedi alejhisselam dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1409 / 1990, fq. 13-67.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme