KUJTESË KLASËS POLITIKE KOSOVARE!

Realpolitika, apo, thënë më shkoqur, politika e vërtetë që luhet poshtë tryezave të diplomacisë evropiane, fsheh në vetvete edhe zhgënjime për popullin shqiptar të Kosovës. Nuk e di nëse klasa politike kosovare është në dijeni ose jo të kësaj realpolitike. Nëse është në dijeni, atëherë pse nuk ia thotë troç të vërtetën popullit shqiptar të Kosovës? Klasa politike kosovare duhet të jetë e ndërgjegjshme për traditën e tradhtisë kombëtare që kanë kryer në kurriz të popullit shqiptar të Kosovës pararendësit e saj, fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe në vitin 1989 kur, përkatësisht, votuan për bashkimin e Kosovës me Serbinë dhe për heqjen e autonomisë së saj. Këto janë dy akte të rënda tradhtie, të cilat, asokohe ajo klasë politike kosovare, në dy periudha të ndryshme historike, i ka kryer pas shpinës së popullit shqiptar të Kosovës dhe në kundërshtim flagrant me interesat e tij kombëtare. Ish-përfaqësuesit e popullit shqiptar të Kosovës në vitin 1946 dhe në vitin 1989 ndokush edhe mund t’i shfajësojë se ato vendime të rënda tradhtare ata qenë të detyruar t’i merrnin nën kërcënimin e bajonetave të Titos dhe të Millosheviçit. Po atëherë për çfarë e përfaqësonin ata popullin shqiptar të Kosovës? Vetëm për ta rregulluar më mirë zgjedhën e sundimit të shovinizmit serbomadh në qafën e popullit shqiptar të Kosovës? Përfaqësuesit e klasës politike të Kosovës, në të dy rastet, duhej të qëndronin, deri në vetëmohim, në mbrojtje të interesave kombëtare të popullit të vet se vetëm kësisoj ata do t’i kishin dhënë një tjetër dimension zgjidhjes perspektive të çështjes kombëtare shqiptare. Sot ata ish-përfaqësues të klasës politike të Kosovës i kundrojmë nga largësia e viteve që na ndajnë me ta dhe vërejmë se populli shqiptar i Kosovës ata i ka fshirë përfundimisht nga faqet e historisë së vet për dy aktet e tradhtisë kombëtare që kryen ndaj tij. Prandaj klasa e sotme politike e Kosovës ndodhet para dy rrugëve: ose të hyjë në historinë e popullit shqiptar të Kosovës si mbrojtëse, deri në vetëmohim, e interesave të tij kombëtare, duke çuar në vend amanetin e dr. Ibrahim Rugovës që shkriu jetën e tij, duke mos lëvizur për asnjë çast nga qëllimi që i kishte vënë vetes për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ose të fshihet nga faqet e asaj historie nëse do t’i lejojë vetes një akt të tretë tradhtie në kurriz të tij.

Nëse klasa politike kosovare nuk është në dijeni të kësaj realpolitike, atëherë u dashka pranuar me dhembje se ajo, përveç që është një kukull juridike në duart e UNMIK-ut, na qenka edhe një kukull faktike në krye të popullit shqiptar të Kosovës.

Një gjë e tillë duhet pranuar me plot gojën, sepse, sipas disa burimeve të mirinformuara, kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës është jo vetëm diplomacia evropianoperë ndimore, në shumicën dërrmuese të saj, por edhe diplomacia e vendeve të Evropës Juglindore. Nuk e kam fjalën për diplomacinë greke se kjo, bashkë me kishën shoviniste greke dhe simotrën e saj serbe, ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbetet realisht armike e betuar e kombit shqiptar. Këtu e kam fjalën për qarqet diplomatike bullgare, rumune, maqedonase dhe malazeze. Madje shumë më tepër befasues është fakti se kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës na qenka edhe Bosnja dhe Hercegovina. Edhe diplomacia e kësaj të fundit, duke iu trembur ndonjë reaksioni zinxhir (se mos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës mund të kërkokan pavarësi edhe serbët e Srbska Respublika brenda territorit të saj), nuk e shikoka të arsyeshme shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Klasa politike kosovare, jo pak herë, kryesisht nga përfaqësues të shquar të nacionalizmit shqiptar, si zoti Abdi Baleta, si profesor i këtij nacionalizmi, profesori i filozofisë në Universitetin e Tiranës, zoti Hysamedin Feraj, profesor Bajram Xhafa, profesor Mehdi Hyseni etj. është përmendur për druajtje të pajustifikueshme në ndërmarrjen e aksioneve politike në çaste shumë të rëndësishme për çështjen kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës. Tani së fundi, kur shovinizmi serbomadh ndërmori një hap absurd, duke e vlerësuar Kosovën në paçavurekushtetutë n e vet si pjesë të territorit të Serbisë, klasa politike e Kosovës bëri sikur nuk shikoi dhe nuk dëgjoi. Klasa politike kosovare vazhdon ta ngushëllojë veten me nanurisjet e diplomacisë evropiane për gjoja zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. Nuk e di se si i ka komentuar kjo klasë politike deklaratat e përfaqësuesve të diplomacisë evropiane, sipas të cilëve të dyja palët, pra, edhe pala kosovare, edhe pala serbe, duhet të përgatiten për sakrifica. Po a e kanë pyetur veten ndonjëherë Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Kosovës, Kryeministri i Kosovës dhe mbarë përfaqësuesit e tjerë të klasës politike kosovare se cilat na qenkan këto sakrifica, për të cilat u dashka të përgatitet pala kosovare? A e ka pyetur veten kjo klasë politike se mos vallë kjo e ashtuquajtur përgatitje për sakrifica na paska të bëjë me cënimin e tërësisë territoriale të Kosovës? Pala kosovare vazhdimisht ka deklaruar se pavarësia është minimumi që ajo kërkon nga diplomacia ndërkombëtare. Por pas vendimit të parlamentit serb për përfshirjen në paçavurekushtetutë n e vet të Kosovës brenda territorit të Serbisë, a nuk ishte bash momenti që Kuvendi i Kosovës të mblidhej me urgjencë dhe të shpallte kërkesën e vet maksimale, bashkimin me Republikën e Shqipërisë, siç rekomandon me shumë të drejtë zoti Baleta në gazetën “Rimëkëmbja” të datës 3 tetor 2006?

A është e vetëdijshme klasa politike kosovare që vendimi i parlamentit serb për përfshirjen e Kosovës brenda territorit të Serbisë nuk është marrë rastësisht, se ai vendim nuk ka qenë thjesht mishërim i ndonjë trilli të krahut më shovinist në qarqet shoviniste të Beogradit dhe të kishës shoviniste serbe? Ai vendim është marrë me nxitjen e drejtpërdrejtë të qarqeve diplomatike ruse, të cilat vazhdimisht kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë të mbeten armike të egra të kombit shqiptar. Nuk do të kalojë shumë kohë, kur mbarë publikut tonë do t’i bëhen të njohura dokumente konkrete për armiqësinë e polikës zyrtare ruse ndaj kombit shqiptar, pikërisht në momente shumë të rëndësishme kthesash historike për fatet e tij.

Në të njëjtën kohë, vendimi shovinist i parlamentit serb nuk është marrë pa miratimin e heshtur të qarqeve diplomatike evropiane, të cilat, sa herë që ka dalë në skenë zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare, gjithmonë kanë organizuar turravrap kongrese dhe konferenca ndërkombëtare për copëtimin ca nga ca të trojeve etnike shqiptare, duke kënaqur lakmitë e shovinizmit serbogrek dhe të kishës shoviniste serbogreke. Miratimi në fjalë është kaq i vërtetë, saqë nuk ka nevojë të rrëmosh për gjetjen e argumenteve. Vetë fakti që qarqet diplomatike evropiane as që reaguan fare ndaj vendimit të parlamentit serb, dëshmon më së miri se ato janë në të njëjtën gjatësi vale me qarqet shoviniste të Beogradit.

A e ka të qartë klasa politike kosovare që diplomacia evropiane deri tani ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e shqetësuar vetëm për statusin e serbëve të Kosovës, e këtyre bashkëpunëtorëve të ngushtë të forcave paramilitare serbe dhe të ushtrisë agresive serbe në krimet e tyre për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës dhe në spastrimet etnike të kësaj të fundit gjatë vitit 1998 dhe gjysmës së parë të vitit 1999? Fakti që UNMIK-u vazhdon të qëndrojë kaq gjatë në Kosovë, dëshmon fare shkoqur se veçanërisht diplomacia evropiane nuk e ka vënë shumë ujin në zjarr për statusin e popullit shqiptar të Kosovës.

Të mos harrojmë faktin që nuk është faji i pasardhësit shovinist të Millosheviçit, Koshtunicës, që Karaxhiçi dhe Mlladiçi edhe tani, njëmbëdhjetë vjet pas krimeve që kryen në Srebrenicë, ende nuk kanë dalë para Tribunalit të Hagës. Faji kryesor për mosarrestimin dhe mosdënimin e këtyre dy kriminelëve është i qarqeve politike evropiane. Qarqet politike evropiane, po të mos kishte qenë ndërhyrja e vendosur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bosnjë-Hercegovinë n dhe Kosovën do t’i kishin lënë në mëshirën e fatit. Madje edhe ekzistenca e Republikës së Shqipërisë do të vihej në pikëpyetje në pazaret e diplomacisë evropiane me shovinizmin serbogrek.

Prandaj Karaxhiçi dhe Mlladiçi enden të qetë nëpër Serbi, se gëzojnë përkrahjen e heshtur të qarqeve politike evropiane. Dhe këtë përkrahje ata vazhdojnë ta gëzojnë edhe sot e gjithë ditën pikërisht për faktin se në Srebrenicë ata vranë tetë mijë myslimanë, jo tetë mijë të krishterë. Madje qarqeve politike evropiane dhe mbarë diplomacisë evropiane, para skenave të vrasjeve masive të myslimanëve boshnjakë, nuk u bëri fare përshtypje as fakti skandaloz që oficerët evropianë, që paskeshin shkuar në Bosnjë dhe Hercegovinë gjoja për mbrojtjen e popullsisë së pafajshme myslimane, ushtria agresive serbe, në piskun e vapës së korrikut të vitit 1995, i lidhi me zinxhir pas shtyllash betoni, sikur të ishin gomarët e Nastradinit. Evropa heshti para skenave të tilla të turpshme që shovinizmi serbomadh organizonte me oficerët e saj. Pra, Evropa pranonte ta hante turpin me bukë, mjafton që në Srebrenicë të vriteshin sa më shumë myslimanë, ashtu edhe siç u vranë faktikisht.

Fill pas vendimit të parlamentit serb, klasa politike kosovare duhej të ngrinte popullin më këmbë, i cili duhej të pushtonte sheshet anë e kënd qyteteve të Kosovës me thirrjen e fuqishme paqësore: “Duam pavarësi! Duam pavarësi!..” Por klasa politike kosovare heshti. Dhe heshtja e saj u pasua me deklarata të rrezikshme personalitetesh të diplomacisë evropiane, sipas të cilave, vendimi i parlamentit të Serbisë, demek, nuk ndikoka mbi zgjidhjen e statusit të Kosovës, por ama e vonoka marrjen e një vendimi të afërt për statusin në fjalë. Për vonimin e marrjes së vendimit për statusin e Kosovë u shpreh pikërisht shefi i politikës së Jashtme të Komunitetit Evropian, Havier Solana, në deklaratën e tij të 6 tetorit 2006. Deklarata të tilla që vijnë nga Evropa dëshmojnë pa mëdyshje se diplomacia evropiane është frymëzuese e vendimit të parlamentit serb për përfshirjen në kushtetutën serbe të Kosovës brenda juridiksionit të Serbisë. Sepse deri para marrjes së vendimit të parlamentit serb askush nga diplomacia evropiane nuk kishte deklaruar se mund të shtyhet zgjidhja e statusit të Kosovës përtej fundit të vitit 2006.

Heshtja e klasës politike kosovare para faktit të marrjes së vendimit të lartpërmendur të parlamentit serb, mund të shoqërohet me rrezikun e përsëritjes së ngjarjeve të 24 marsit të vitit 2004. Pra, kjo heshtje mund t’i kushtojë rëndë popullit shqiptar të Kosovës. Ka dyshime se deri më 31 dhjetor 2006 nuk do të merret kurrfarë vendimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Paskëtaj ka shumë mundësi që Kosova të përfshihet nga vala e protestave të fuqishme mbarëpopullore. Këto protesta, ashtu si edhe në marsin e vitit 2004, me siguri që do të shoqërohen me akte dhune dhe me shkatërrime, të cilat do ta rëndojnë edhe më shumë situatën politike dhe ekonomike të Kosovës. Kësisoj, heshtja e klasës politike kosovare në këtë rast mbart me vete rrezikun e konfrontimit të popullit shqiptar të Kosovës me UNMIK-un dhe, rrjedhimisht, me forcat e NATO-s që janë të instaluara aty, çka do të thotë konfrontim me çliruesin e vet. Pikërisht një gjë të tillë e dëshiron me të madhe shovinizmi serb dhe diplomacia ruse. Një gjë të tillë, po në të njëjtën masë, e dëshirojnë edhe qarqet politike evropiane, në mënyrë që të kenë ku të kapen, për t’i mbushur mendjen Vashingtonit se populli shqiptar i Kosovës, demek, na qenka i dhunshëm, se guxoka të ngrihet edhe kundër NATO-s, prandaj nuk e meritoka pavarësinë, se diplomacia tradicionale evropiane ka marrë vendime të drejta për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, qoftë më 1878, qoftë më 1913 (!). Në analizë të fundit, qoftë Beogradi, qoftë Moska, qoftë diplomacia evropiane, dëshirojnë të njëjtën gjë: armiqësimin e popullit shqiptar të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fatkeqësisht, populli shqiptar i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar në Evropën Juglindore, nuk gëzojnë as përkrahjen e diplomacisë kineze. Pekini, inatin që ka pasur me Enver Hoxhën për qëndrimin e pabesë që ky mbajti ndaj Kinës në fund të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kërkon ta shkarkojë jo vetëm mbi popullin shqiptar të Kosovës, por edhe mbi mbarë kombin shqiptar.

Populli shqiptar i Kosovës ndodhet në një moment kthese historike me një rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e veta. Prandaj klasën e vet politike ai jo vetëm që duhet ta mbajë nën një vëzhgim të përhershëm, por duhet që nga radhët e inteligjencies së vet të nxjerrë sa më shumë nacionalistë të kalibrit të Baletës. Çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në kuadrin e përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, mund ta mbronte me forcë Republika e Shqipërisë, e cila në këtë rast mund të shërbente si një shtyllë e fuqishme mbështetjeje të gjithanshme. Por, për fat të keq, sistemi komunist, siç thekson me shumë të drejtë prof.Bajram Xhafa, “iu imponua Shqipërisë pikërisht për këtë qëllim, për të ngrirë zgjidhjen e çështjes kombëtare” (“Rimëkëmbja”, 3 tetor 2006, f.6).

Tradita gati gjysmëshekullore që krijoi komunizmi në Shqipërinë Londineze në braktisjen e nacionalizmit dhe në ngrirjen e zgjidhjes së çështjes kombëtare, për të keqen e mbarë kombit shqiptar, vazhdon të mbijetojë edhe sot e kësaj dite në mendësinë e trashëguesve të tij dhe të formacioneve kryesore politike që sot ata përfaqësojnë në spektrin e politikës shqiptare.

Tiranë, 8 tetor 2006

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme