O s m a n i r.a.

Është mjaft karakteristike se shpejt e ndoqi Muhammedin, që, ndonëse jo në fillim të islamit të tij, megjithatë ka ndodhur mjaft herët, disa vjet para Hixhretit. Osmani është tregtar i pasur dhe njeri fisnik botëror. Sa i përket motiveve më të thella, që e kanë nxitur ta pranojë një gjë, suksesi i të cilës atëherë ende nuk ka mund të parashikohej, mbesin pyetje. Një pjesë e gojëdhënës historike e shpie kalimin e Osmanit në Islam në lidhje me martesën e tij me të bijën e Muhammedit a. s. Rukajen, por burimet tjera, sigurisht me të drejtë më të madhe, e vënë këtë martesë në kohën pas kalimit të tij në Islam. Kalimi në fenë e re të Osmanit, muslimanit të parë të rangut të lartë shoqëror, do të duhej vetëvetiu të fliste në favor dhe t’i kontribojë suksesit të fesë së re, megjithatë, personalisht ai vetë kurrë nuk ka qenë veçan aktiv. Shkujdesja e tij, që, përndryshe shkon krahas fesë së gjallë, dhe begatia e madhe, është karakteristika e dytë që gojëdhëna ia atribuon Osmanit, nuk është e pamundur që gjatë kësaj teprohet, që me pasivitetin e halifit të arsyetohen nëpunësit që i kanë mospërfill detyrat, e pikërisht për atë që energjia dhe angazhimi i pamjaftueshëm i frymës tek Osmani manifestohet në fillim të rrugës së tij jetësore; kjo mungesë duket se i përgjigjet fakteve. Osmani ka marrë pjesë në të dy shpërnguljet në Abesini, e pastaj iu është bashkangjitur Muhaxhirëve në Medine; por nuk ka luftuar në Bedër (flitej se është dashur ta kurrojë gruan e vet të sëmurë; por Pejgamberi ka konsideruar sikur është i pranishëm dhe ia ndan pjesën e tij të presë). Pas vdekjes së Rukajes, Osmani sërish u miqësua me Pejgamberin, me martesën me të bijën e tij tjetër Ummu Kulthum.

Gjatë kohës së Pejgamberit, sikur edhe të halifatit të Ebu Bekrit dhe të Omerit, Osmani gjendet krejt në prapavi; atëherë, si ka mundur të ndodh që këshilli ta zgjedh për trashigimtar të cilin, thuhet, Omeri e konstituoi në çastin e vdekjes. Sigurisht ka mundur të ndodh vetëm kjo që, si di të dalë si rezultat kjo te mbledhjet plotësisht të mbyllura, garuesit më të dalluar njëri tjetrin e përjashtojnë: në këtë rast, para të gjithëve Aliu, zgjedhja e të cilit do të thoshte ndërprerje e politikës së Omerit, e pastaj edhe Zubejri dhe Talhaja, të cilët, si duket kanë qenë poashtu kundërshtarë të Omerit. Nëse prej tre të tjerëve, Sa’d Ibn Ebi Wekasit, Abdurrahman Ibn Awfit dhe Osmanit, pikërisht ky i fundit ishte i zgjedhur, mund të supozohet se, më shumë se afërsia e tij me Pejgamberin, ka vendosur përkatësia e tij dinastisë emevite. Emevitët qysh gjatë jetës së Muhammedit a. s., e tek në të vërtetë gjatë halifatit të Omerit, e kanë marrë mbrapa një pjesë të pozitës së vet që e kanë zënë gjatë Xhahilijetit. Asgjë nuk e arsyeton supozimin, që e përfaqëson dikush, se Ebu Sufjani, kreu i kësaj familjeje, papritmas u bë deus ex machina në politikën e njëzet viteve të para të halifatit, kurse do të ishte naive të përfytyrohen Emevitet sikur janë një lloj i këshillit të fshehtë, që disponon me shtetin islam si dëshiron. Në realitet, Emevitët ia kanë pasur borxh ndikimin e vet më tepër talentit real afarist, që disa prej anëtarëve të tyre e kanë poseduar, se sa pozitës së vet bujare. Por ky ndikim në kohën e Omerit ka pasur kundërpeshën e vet në elementet e veta, veçan në shokët më të vjetër të Pejgamberit; veçanësia e fuqishme e halifit të dytë ka ditur të ruaj baraspeshën ndërmjet shumësisë së pjesëve më të llojllojshme, që shpesh reciprokisht janë ndeshur.

Tjetërfare ishte me Osmanin. Ai vetëm ka vazhduar politikën e Omerit dhe më tej e ka zhvilluar; vështirësitë, në të cilat ka hasur, kanë qenë vetëm pasojë e rrugës që e ka hasur pararendësi i tij. Por ka ekzistuar dallimi në aftësi.

Tragjedia, që në mënyrën gjakësore ka përgatitur fundin e sundimit të Osmanit dhe ka hapur epokën e luftërave qytetare, i vë historianët arabë para vështirësive më të mëdha; ata duhet të cekin tërë një varg akuzash, të ngritura nga kundërshtarët e Osmanit kundër sundimit të tij dhe atëherë të vendosë qoftë të pranojnë se halifi ka gabuar ndaj Ligjit islam qoftë akuzuesit e tij, ndër të cilët disa janë autoritarë të Islamit më të denjë për respekt, kanë devijuar ose kanë lajthitur. Duke iu falënderuar asaj dilemës së mundimshme (së cilës Tradita autentike i ndihmoi me mësimin mbi “gabimin e falshëm”) është ruajtur regjistri i gjatë i akuzave. E para dhe, mbase, vërejtja më e rëndë ka qenë që anëtarët e familjes së vet i ka emëruar për udhëheqës të krahinave. Deri sa Siria tashmë një kohë të gjatë ka qenë e drejtuar nën emevitin Muavij ibn Alij Sufjanin, Osmani i zëvendësoi në Basre dhe Kufe Ebu Musa el-Esh’ ariun dhe Sa’d ibn Ebi Wekasin me kusherinjt e vet Abdullah ibn Amir ibn Kurejdhin dhe el-Welid ibn Ukben, në gjysmëvëllanë e vet; kur ky duhet pa tjetër të ndërrohej, sepse qe ngatërruar me njëfarë skandali, u ndërrua me emevitin tjetër Said ibn el-Asin, të cilit i përshkruhen fjalët e famshme: “Sawadi i Kufes është kopshti i Kurejshëve”. Madje edhe Egjipti, administrimin e të cilit, si duket përjetë është dashur ta ketë pushtuesi i tij i parë Amr ibn el-Asi, iu dha Abdullah ibn Sa’d ibn Ebi Serhit, i cili, natyrisht, nuk ishte emevit, por e kaluara islame e të cilit, më së pakti, ka qenë e dyshimtë. Më në fund, këshilltari besnik i halifit, ndikimin ndjellkeq të të cilit e përshkruan Tradita, ishte Mervan ibn el-Hakim ibn Ebu’l-Asi, një kushërinj i Osmanit, babanë e të cilit halifi e ftoi prapa nga internimi, në të cilën e patë gjykuar Pejgamberi. Nuk mund të mos pranohet në gjithë këtë virtuti i caktuar i nepotizmit tek Osmani, por në këtë pa tjetër duhet parë edhe motivi më i thellë, me fjalë tjera qëllimi që të vihet uniteti ndërmjet sundimit dhe qeverisjes, që ishte e rrezikuar nga mëvetësia e tepër e madhe e sunduesve të krahinave. Ka qenë ky, kryesisht, caku i njëjtë që vetes ia ka shtruar Omeri; por këtij për shkak të energjisë dhe autoritetit të tij i shkoi për dore që sundimin e vet ta sigurojë madje edhe te sunduesit krahinorë të cilët i përkitnin fiseve dhe gjinive tjera. Osmani ka menduar se mund ta arrijë këtë me anë të nëpunësve me të cilët është në afrësi të gjakut. Ai nuk ka pasur sukses, rolet janë ndërruar dhe halifi ka qenë nën ndikimin e të afrëmve të vet (mbase, përndryshe, në masë më të vogël se që këtë e dëshiron historia zyrtare); përveç kësaj, pakënaqësia popullore shikonte në këtë shkakun e vetëm të të gjitha dëmeve që filluan, kurse të cilat, sigurisht, nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me veçanësinë e nëpunësve. Në realitet, nga Omeri i konstituar, sistemi i divanit kërkonte që preja e luftës gjithnjë të rritet, pasi që të ardhurat e rregullta tatimore nga ehl’udh-dhimme nuk mjaftonin për trupat rishtas të regrutuara që nga brendia e Arabisë vinin në krahina. Kjo ka dhënë shkasë për ekspedita të reja ushtarake, që gjatë halifatit të Osmanit pandërprerë kanë zgjeruar kufijt e mbretërisë arabe: kështu pushtimi i krahinave të fundit të mbretërisë sasanidase (dinastia e të cilëve u shua me mbytjen e mbretit të fundit Jazdegirdit III); nënshtrimi i Armenisë; disa sulme përgjatë bregdetit të Afrikës veriore, në Nubi, në Azi të Vogël dhe në ujërat e Mesdheut lindor. Nëse bëhet llogaria për pushtimet, që Arabët i kanë kryer ose filluar nën Osmanin, atëherë shihet se ato, në të vërtetë, nuk kanë qenë të bartura me entuziazmin e fuqishëm të pushtimeve të hershme nën Omerin, por kanë qenë jo më pak të vogla, pasi që paraqitnin, nga një anë, pëfundimin e periudhës fillestare të mbretërisë arabe dhe, nga ana tjetër, kalimin në epokën e dytë të pushtimeve, epokën e Emevitëve.

Krahas të gjitha këtyre, preja, e fituar gjatë këtyre ekspeditave ushtarake, nuk ka qenë, mbase, aq e pasur siç është shpresuar: përndryshe, Osmani - ky ishte një prej vërejtjeve të mëtejme atij - në vend që të tërën t’ua ndajë luftëtarëve, ka mbajtur një pjesë për udhëheqësit e vet të krahinave dhe për anëtarët e familjes së vet, me çka më tej e ka zhvilluar sistemin e fundit (kata’i), të cilin me të madhe tashmë e ka shfrytëzuar Omeri. Në këtë, ndoshta, duhet pa tjetër të shikohet më pak mjeti i thjeshtë t’i pasurojë kushërinjt e vet, e më shumë tentimin e vetëdijshëm që të krijohen të mirat shtetërore, përkundër veprimit të përbashkët të ndarjes së presë duke mos mbetur gjë ndër luftëtarët. Mbretëria islame, sipas domosdoshmërisë së brendshme, ka synuar kah ajo që ta arrijë administrimin e mirëfiltë, gjatë së cilës shembuj kanë ofruar shteti bizantin e persian. Atë që Omeri tashmë e ka filluar, më vonë, pjesërisht, e kanë sendërtuar Emevitët, kurse Abasitët e kanë përfunduar, me fjalë tjera transferimin e ndasisë së palidhshme e të pavlerë fisnore në sundim apsolut sipas modelit oriental, që ka qenë edhe programi i Osmanit.

Një nga masat, që më së shumti i kanë kontribuar asaj që qarqet e orientuara fetarisht, d.m.th. shokët e vjetër të Pejgamberit, si Amar ibn Jasiri, Ebu Dherri, Abdullah ibn Mes’udi e të tjerë, të ngriten kundër Osmanit, ka qenë redaktimi zyrtar i Kur’anit. Ajo që, gjatë kësaj, më së shumti urrehej, ka qenë shkatërrimi i ekzemplarëve nëpër krahina. Osmani kështu ka vepruar, sigurisht, në bazë të vlerësimit fetar, por, mbase, ka anuar pikëpamja politike. Lexuesit e Kur’anit (qurra) që e kanë ditur përmendsh dhe, natyrisht, e kanë komentuar, kanë pasur me këtë fuqi të madhe mbi masat, e cila ishte, në njëfarë dore, e pavarur nga pushteti qendror, sepse ky nuk kishte mjete të mbikqyrë se a janë vendet kur’anore, në të cilat mbështeten kurratë, të sakta apo jo. Me atë që pushteti ua morri këtë forcë dhe u bë vetë ruajtëse e shpalljes hyjnore, është e natyrshme që ka sjell deri te rezistenca e tyre dhe akuza se halifi e ka shtrembëruar fjalën e Zotit.

Kështu Osmani fitoi armiqë në qarqet më të ndryshme. Sa u përket ngjarjeve që kanë pasuar, për të mund të thuhet vetëm diç shkurtimisht. Tradita e ndanë sundimin e Osmanit në dy perioda: gjashtë vjet të sundimit të mirë (644-650) dhe gjashtë vjet të sundimit të dobët (650-656). Simboli i ndryshimit shihet në humbjen e vulës së Pejgambrit, që Osmanit, sipas tregimit, i ka ra në vitin 650 në pusin Eris (Aris). Përndryshe, ekziston pajtimi për atë se atëherë kanë lindur trazirat e para, dhe këtë së pari në Irak, që më së shumti lëngonte nga kriza ekonomike. Historia e Ebu Dherrit, njërit nga pararendësit e asketizmit në Islam, që me disa ithtarë të tij qe larguar në Siri, e pastaj në Rebad, që atje të vdesë në varfëri, diçka është e stolisur me legjendë, por flet për qëndrimin e ithtarëve të devotshmërisë kundrejt profanizimit gjithnjë e më të madh të halifatit. Deri te trazirat shumë serioze erdhi në Kufe në vitin 652-653; në krye të tyre ishtin kurratë, që kishin tubuar rreth vetes të gjitha elementet e mundshme.

Përkundër disa masave të rrepta kundër rebeluesve, megjithatë u shkoi për dore ta arrijnë ndërrimin e Said ibn el-Asit, të cilin e ndërroi sunduesi i dikurshëm i Basrës Ebu Musa el-Esh’ariu, edhe vetë ithtar i devotshmërisë dhe kundërshtar i Osmanit; që atëherë Kufa i doli pushtetit qendror nga kontrolli. Po ashtu, në Egjipt Ibn Ebu Serhi u detyrua t’ia lëshojë pushtetin një grupi që e udhëhiqte i riu Muhammed ibn Ebu Hudhejfe, i cili, ndonëse i adoptuar i Osmanit, doli kundër tij. Si duket, dinaku Amr ibn el-Asi, i cili, pas shkarkimit të tij, u tërhoq në Palestinë, heshtazi ka nxitur lëvizjen përmbysëse në Egjipt. Fatkeqësia tashmë kaherë kërcënuese shpërtheu kah fundi i vitit 656, kur hordhitë e kryengritësve u nisën nga krahinat në Medinë. Të parët erdhën Egjiptianët; ndërmjet tyre dhe halifit ndodhën skena dramatike; akuzat të ngritura kundër Osmanit janë shtruar me ton shumë të ashpër. Por rebeluesit qenë çarmatosur me qëndrimin e matur e paqëdashës të halifit; ai ka miratuar të gjitha kërkesat e tyre, dhe premtoi t’i heq masat e deritashme dhe t’i ndërrojë sunduesit krahinorë; në këtë egjiptianët u tërhoqën të kënaqur. Papritmas, ndërkaq, ata e ndalën në kthim tek el-Arishi kasnecin e Osmanit, dhe ia morën letrën, që Osmani ia drejtoi Ibn Ebi Serhit, me urdhëresë që udhëheqësit, pas kthimit, t’i mbysë ose t’i gjymtojë. Atëherë ata me mllef u kthyen në Medine me vendim të fortë që të hakmerren. Osmani refuzoi autenticitetin e shkresës dhe madje dha të kuptohet se rrejshëm e kanë hartuar armiqtë e tij që t’ia sigurojnë zhdukjen. Ndonëse Tradita zyrytare synon t’ia atribuojë këtë Mervanit, ekzistojnë edhe gjurmat e njoftimeve tjera, ndër ta madje një (që gjendet vetëm te el-Baladhuri), që pohon se Osmani ka dyshuar në Aliun. Çkado që të jetë menduar për këtë rast, nëse kjo shkresë ka qenë shkas i drejtpërdrejtë për fundin tragjik të Osmanit, gjërat sido qoftë tashmë qenë nisur pandalshëm. Iu qasen rrethimit të vërtetë të banesës së Osmanit; qëndrimi i shokëve të vjetër të Pejgamberit, që ishin në opozitë, ka qenë i dyfishtë; ata nuk kanë dëshiruar të marrin pjesë në përmbysjen e dhunshme të halifit, por nuk e kanë mbrojtur prej rebelimit, por në atë konflikt kanë qenë neutral. I shtyrë deri në mur, Osmani kishte forcë sërish ta gjejë dinjitetin e vet – refuzoi dorëheqjen. Pas rrethimit prej disa ditësh, disa njerëz depërtuan në shtëpi ditëve të fundit të vitit 656, në krye të tyre ishte Muhammed ibn Ebu Bekr (i biri i Ebu Bekrit dhe vëllai i Aishes), që e sulmoi Osmanin. Se ai apo tjetërkush ia dha goditjen vdekjeprurëse, nuk është vërtetuar. Gruaja e tij, Kelebije Naile bint el-Furafis, qe plagosur kurse shtëpia plaçkitur. Gruaja dhe disa miqë e kanë varrosur fshehtas natën vijuese. Trupat që Muaviu i dërgoi nga Siria, u kthyen, kur mësuan për mbytjen e halifit.

Dihet se si kaloi zgjedhja e halifit vijues, Aliut, midis kryengritjes dhe rrëmujës, e edhe dhunës. Por, halifi i ri, prej fillimit, është dashur të luftojë edhe kundër atyre që e kanë përkahur, kurse të cilët qenë dëshpëruar, edhe kundër Muavisë, mëkëmbësit të vetëm emevit që mbeti administrues i krahinës së vet. Halifati i Osmanit dhe fundi i tij i pafatshëm shënojnë kthesë në historinë Islame dhe i japin halifit të tretë domethënien që, ndonëse si sundues mesatar, në bazë nuk i përket.


--------------------------------------------------------------------------------
[1] Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevo, 1990, fq. 465 - 467.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme