Kosova ftohet në Konferencën Islame në Islamabad

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, zëvendës kryeministri Haziri në selinë e Organizatës së Konferencës Islame në Xheda (Jeddah) të Arabisë Saudite zhvilloi takim me sekretarin gjeneral të OKI-t, prof. dr. Ekmeledin Ihsanoglu, ku z. Haziri u përqendrua në zhvillimet e fundit në dhe për Kosovën, duke u fokusuar në vizitën e delegacionit faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit në Kosovë. Haziri tha se kjo vizitë ka qenë një rast shumë i mirë që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të njihen më për së afërmi me të arriturat dhe zhvillimet progresive në Kosovë, veçanërisht në garantimin e lirive dhe të drejtave të minoriteteve në Kosovë. Ai theksoi rolin e rëndësishëm që ka Organizata e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e Kosovës në këtë fazë shumë të rëndësishme në vendosjen e Statusit të Kosovës, sidomos qëndrimi i Indonezisë dhe Katarit si anëtarë të KS-së. Prof. dr. Ekmeledin Ihsanoglu, falënderoi zëvendës kryeministrin kosovar për vizitën dhe njoftoi për përgatitjet që janë duke u bërë për organizimin e Konferencës Islame të radhës, që do të jetë në nivel ministrash më datë 14.05.2007 në Islamabad. Pastaj, Ihsanoglu tha se në këtë konferencë do të debatohet edhe për një rezolutë që është përgatitur për Kosovën. Me këtë rast, Ihsanoglu ftoi zëvendëskryeministrin Haziri që në konferencë të marrë pjesë edhe një delegacion nga Kosova, me çka edhe do të krijohej një rast i mirë për takime direkte me anëtarët e OKB-së. Ihsanoglu tha gjithashtu se do t’i kushtojnë rëndësi të veçantë takimit me përfaqësuesit e Indonezisë dhe të Katarit, njofton Zyra për Informim e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme