Shqipëria krah Iranit firmos kundër Papës

“Kjo fushatë kundër myslimanëve arriti kulmin me publikimin e vizatimeve blasfemike ku pikturohej Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) në një gazetë Daneze dhe insinuatave në një deklarate djegëse të Papa Benediktit XVI”, thuhet në një pjesë të deklaratës, e cila më pas është bërë pjesë e deklaratës përfundimtare. Kështu vendet islamike, përfshi edhe Shqipërinë, e cila për pak ditë pret presidentin Bush, dënojnë këto fushata, duke përfshirë këtu edhe deklaratën e Papës. Papa Benedikti i XVI gjatë një fjalimi në një universitet në Gjermani, ndër të tjera ka thënë se Profeti (Muhamet) “i ka sjellë botës vetëm gjëra djallëzore dhe jo humane”. Pas kësaj deklarate Papa u vu në shenjestër të kritikave të myslimanëve, madje shumë organizata turke e paralajmëruan Papën që të mos e vizitonte Turqinë vitin e kaluar, pasi është i dënuar për deklaratën e bërë. Sipas, ministrave të jashtëm të kësaj konference, islamofobia, është bërë shqetësuese veçanërisht pas sulmeve të 11 shtatorit të 2001 “por ndërkohë ky fenomen ekzistonte në shoqëritë perëndimore në një formë a në një tjetër”, thuhet më tej në këtë deklaratë. Ministrat e vendeve islamike, përfshi edhe Shqipërinë, bëjnë të ditur se “sa herë është diskutuar çështja e Islamofobisë në forumet ndërkombëtare, blloku perëndimor, veçanërisht disa vende të Bashkimit Europian, janë përpjekur t’i shmangen bërthamës së diskutimit dhe kanë tërhequr menjëherë vëmendjen nga rajoni i tyre deri te gjendja e jo myslimanëve apo respektimi i të drejtave të njeriut në vendet anëtare të Konferencës Islamike”. Sipas këtyre ministrave, në shumë vende perëndimore myslimanët janë të paprivilegjuar për shumë arsye, dhe janë bërë “objekte të urrejtjet dhe diskriminimit” . Në deklaratën përfundimtare të kësaj konference, i është njohur e drejta e Iranit për të vazhduar projektet e saj për energjinë bërthamore, duke i përcaktuar këto projekte nën siglën e “paqësore”.
Përfaqësuesit e 57 vendeve kanë folur dhe i kanë vendosur në deklaratën e tyre përfundimtare për çështje të tilla si Darfuri, Qipron turke, zgjidhjen paqësore të konfliktit të Lindjes së Mesme, kanë mbështetur vendosjen e paqes mes Sirisë dhe Izraelit, për çështjen e Kashmirit, për Somalinë, Armeninë, Azerbaxhanin, për Irakun, e vende të tjera islamike që aktualisht janë në konflikte të ashpra. Në këtë konferencë ka dështuar inisiativa për të hartuar një status të ri të kësaj konference, por është përcaktuar në deklaratën përfundimtare për domosdoshmërinë e rinovimit të tij në të ardhmen. Një tjetër propozim që është hedhur poshtë ka qenë dhe prania e një force ushtarake të Konferencës Islamike në Irak. Vetë ministri i Jashtëm irakian e ka kundërshtuar propozimin e kësaj konference, duke thënë se në Irak tashmë ka shumë trupa të huaja dhe një forcë e përbashkët të vendeve islamike vetëm do të shtonte numrin e ushtarëve.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme