Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Trashegimia ->

Idetė e humanizmit nė krijimtarinė e bejtexhinjve


Balil Gjini

Kundrimi dhe qasja ndaj poezisë së shekujve të mëparshëm mund të bëhet për shkaqe dhe arsye të gjithfarëshme: njohëse, historike, fetare, kritike, kureshtjeje, krahasuese, polemizuese etj. Duhet të pranojmë se ekskursioni drejt të shkuarës na shkakton një lloj tronditjeje që vjen nga neveria prej trajtimit klasor dhe ideologjik me të cilin është gjykuar vazhdimisht kjo e shkuar.
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


E shkuara në jetën e popujve, është redaktorja që korrekton gabimet e mundshme të së sotmes. Në këtë kuptim, ajo është dhe vendosësja e hierarkisë së vlerave. Rruga e vazhdueshme revolucionare e Shqipërisë, rrugë e cila barabiti malin me fushën dhe patricin me plebeun, ka ndodhur dhe ndodh, sepse s'është vendosur kjo hierarki vlerash, apo e kundërta: nga që s' është vendosur kjo hierarki vlerash është ndjekur rruga revolucionare. Nëse në qendër të qytetit të Beratit, p.sh, do të kishim një muze të Qyprilinjve, bustin e Mehmet Ali Vrionit apo një muze të Muzakajve me gjithë flamujt, stemat, arin dhe argjendin, pra me gjithë atë arsenal aristokratik që të step dhe të befason, punët nuk do të kishin arritur gjer në këtë farë gjendjeje ku janë sot.

Jemi mësuar që poezinë e shekujve të mëparshëm ta quajmë bejte dhe autorët e saj bejtexhinj. Kjo fjalë është shndërruar në një sintagmë me kuptim ngjyrues negativ. Bejtexhi kuptohet çobani i dhive që, me krrabë e cule në dorë, kërren herë pashere vargje që satirizojnë veprimet e shtetit, meseletë e katundit apo edhe të njerëzve të zakonshëm. Zhgarravitës, shkarrashkrues, kalemxhi, bejtexhi, vargëzues, pra një mori e tillë kësisoji janë fjalët ironizuese për atë që mëton të mbërrije tek zeja dhe mjeshtëria e poetit.

Vetiu të vjen ndër mend se përderisa thirreshin “bejtexhinj”, ata që për dy-tre shekuj ushtroheshin në mjeshtërinë e poezisë, duhet të kishte dhe një rrymë tjetër alternative, e cila kuturiste drejt poezisë së vërtetë, poezi që lypsej të ishte shumë lart në sqimën artistike. Por një rrymë të tillë s' ka patur. Ata që kanë përfaqësuar poezinë kombëtare për dy-tri shekuj me radhë, kanë qenë ata që i kemi përgojuar me emrin bejtexhinj: Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, etj. Po pse kështu? Përse duhet të quhen poetë Naimi apo Noli dhe jo Nezim Frakulla. Nga cilësia artistike, thonë. Por po të marrim një nga vjershat më të mira të Nolit, "Anës lumenjve", vëmë re se është e shpëlarë, nga figurat dhe mjetet letrare dhe është kryesisht një poezi propagandistike. Apo dhe te Naimi: shumica e poezive të tij janë didaskalike dhe përshtatje të poezive perse. Poema e tij "Bagëti e bujqësi" është botuar në një kohë me poezinë e Rembosë "Zanoret" Po të merren dhe të krahasohen dy tekstet e poezive, vihet re mangësia artistike që i ndan nga njera-tjetra. Atëherë , si? Në vlerësimin e artit nuk mund të ketë dy kute: një për “tanët”, të çanakut, dhe tjetri për “të huajt”, të josofrës. Duke shkruar kështu, e di që po qëlloj me gurë tek dritarja e zotave, sepse është fjala për mitet. Qëllimi nuk është t' iu hyjmë atyre në hak, por të vendosim balanca të njëmendëta për hir të së vërtetës dhe jo të kulteve.

Një shkak tjetër që e ka përcaktuar këtë poezi si bejte, duhet të jetë forma e saj e ilahive apo kasideve. Një pretendim i tillë bie menjëherë poshtë po të kemi parasysh se Dantja e shkroi "Komedinë Hyjnore" në tercina, pra në një formë vargu të ngurtësuar.

Poezia që u shkrua menjëherë pas humanistëve, ka qenë një poezi e shkruar për mjedise dhe njerëz të kohe tjetër: ajo iu drejtohej atyre që kishin një farë arsimimi, që kishin mbaruar medresetë apo shkolla të tjera. Në këtë kuptim, ajo ka qenë shumë larg bejteve, sepse ka synuar të jetë një poezi elitare. Shumë nga poezitë e tyre këndoheshin apo recitoheshin. Pra organizoheshin takime si ato që quhen sot "Netët e Strugës", "Ditët e Lasgushit" etj.

Ata që shkruajtën poezinë në shekujt XVII - XVIII kanë qenë të shumtë. Qendra e kësaj poezie, sipas gjasave, ka qenë Berati. "Berati ka qenë qendra e Gjyqit të diktimit, - shkruan "Zani i Naltë" - dhe ka pasur tre dijetarë të lartë, superiorë përmbi gjithë sundimtarët e vendit. Ata janë interesuar dhe kanë ngritur dy medrese. Si Shqipërisë së jugut, ashtu edhe asaj të veriut, së këtejmi u janë përgatitë e sigurue elementi kultural i kohës.

Poetët e posthumanizmit kanë qenë të shumtë. Shpesh poezitë e tyre kanë humbur. Është interesante të imagjinosh si mund të kenë qenë poezitë e Ismail Pashë Velabishtit, kur prej tij kemi vetëm një poezi apo mbase një fragment poezie. Ja ajo:

“ ... Mbi këtë kala të shkretë/ kush u bë sebep që na pru/ Belaja kurrë mos iu heqtë ... ”

Siç mund të shihet këto tri vargje, më shumë se poezi janë një firomë, një psherëtimë. Poeti zëre se ka lëshuar në ajër një "ah!" për mundimet e asqerit në kalanë e Lepantos; është një “ah” që vërvitet në ajër gjithë pupla e pendë për gati dy shekuj, pa mundur të gjejë prehje në tokë. Dy poezi kemi prej Sulejman Temanit. Me kaq pak material është thuajse e pamundur të rikonstruktosh ngrehinën e veprës së tyre poetike. Është njëlloj, si nga një gjurmë mbi një gjethe pylli, të përcaktosh nëse kafsha është elefant apo dinosaur.

Elementet që zbërthejnë kodet estetike të këtyre poetëve janë dy: bilbil dhe trëndafil. Nezim Frakulla: “Përmbi lulet trëndafili/ Mbret që s'e ka shoqn/ shumë vuajtje hoq bilbili/ me të sa u poq ... .” Sulejman Naibi: “Ç' i thotë gjyli gjylit:/ Neve kundërmojmë apo ajo hënë? / I prishet mendja, të shkretit bylbylit/ dhe e le përgjysëm këngën që ka zënë ... .” Është e vërtetë që janë elemente të mbartura nga poezia orientale, por kjo nuk do të thotë asgjë negative. Veç kësaj, e rëndësishme është struktura poetike e ilahive, kasideve apo gazelave, si dhe atmosfera me të cilin ajo mvishet. Të mos harrojmë një gjë: gjuha shqipe në kohën e tyre ishte si gjithësia në kohën e Kaosit: amorfe, e çrregullt, e pakultivuar.

Jemi mësuar që meritat e formësimit të gjuhës letrare t' ua veshim rilindë sve. Sigurisht, ata kanë meritën e madhe, por është fyerje ta trajtosh gjuhën e poetëve pashumanitarë si gjuhë anadollake. Kur Abdulla Ferhati dërgoi për botim Divanin e Nezim Frakullës tek "Zani i Naltë", revista në fjalë shkruajti: "Ky poet i shkëlqyeshëm, veç që na shfaq një shpirt artisti shqiptar të shekullit XVIII, por na paraqitet edhe si një shkrimtar i përsosun i gjuhës kombëtare. Nezimi me vjershat e tij e provon se ka patur zotësi me e përkulë nën pendën e tij gjuhën shqipe, të palëvruar deri atëhere. Veç kësaj, Nezimi na parashtron edhe dialektin e Beratit, i cili duket se nuk është shumë larg nga gjuha letrare e sotme. Nezimi në këto vjersha na paraqet disa trajta morfologjike e sintaksore të padëgjuara deri më sot".

Siç shihet, dy kanë qenë poetët që kanë rivalizuar për hierarkinë poetike: i pari, Hasan Zyko Kamberi, i dyti, Nezim Frakulla. Sipas dëshmive, Hasan Z. Kamberi ka qenë i paarsimuar dhe dellin e poetit e ka patur të lindur. Nezim Frakulla, përkundrazi, ka ditur tri-katër gjuhë të huaja, ka jetuar dhe vdekur si poet, duke provuar internimin dhe më pas burgun, ku edhe vdiq.

Poezitë e Hasanit kanë qenë poezi me tematikë shoqërore, veçanërisht ato që mbahen si kulmet e tij: "Paraja" dhe "Trahanaja". Është kjo arsyeja pse janë mistifikuar nga kritika e realizmit socialist. Në thelb, ato janë vargëzime agjitative.

Me sa duket, kemi dhe dy qëndrime të ndryshme ndaj misionit të poezisë: qëndrimi i parë, që e sheh poetin si kritikues të realiteteve shoqërore, pra dhe si misionar për ndryshimin e këtyre realiteteve. Hasan Zykoja është më pranë këtij vlerësimi. Qëndrimi i dytë e shikon poezinë si vlerë dhe bukuri më vete. Nezim Frakulla është partizan i këtij qëndrimi. Jo më kot, ai thotë "Shiri është një hidajeti hak" (poezia është një frymëzim hyjnor).

Jemi të mendimit se poezitë e Nezim Frakullës dhe Sulejman Naibit janë konceptualisht më afër me poezitë moderne që erdhën më pas. Të tilla, poezitë e tyre i bëjnë temat universale që kanë trajtuar: dashuria, xhelozia, brenga, vuajtja. Poezitë e tyre s'kanë si objekt denoncimin e padrejtësive dhe pabarazisë shoqërore, por kënaqësinë estetike, që buron prej thelbit të tyre. Këta poetë e shikojnë njeriun në thelbin e vet ekzistencial dhe jo në realitetin politik apo shoqëror.

Për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë se në Divanin e Nezim Frakullës ka shumë poezi,` ku flitet për ashikë e dylberë dhe ku i këndohet bukurisë së tyre. Tani për tani, e kemi të vështirë të pranojmë që në Shqipërinë orientale të shkruhej hapur (bile dhe të recitohej) për një tematikë të tillë tabu, ndërkohë që edhe në Europën e qytetëruar janë dënuar nga morali i asaj kohe, Ë ilde, Rembo dhe Pol Valerni. Rreth kësaj teme ka patur dhe debate midis Mati Logorecit dhe zonjës Prendë dhe ne parapëlqejmë që debatin mbi këtë temë, hëpërhë, ta lemë të hapur për studiues te tjerë.

Së mbrami, lypset të themi se poezia që erdhi pas humanizmit shqiptar, ka qenë një poezi brenda rrjedhës kulturore natyrale dhe s'ka pse të fyhet me ndajshtime keqësuese. Studimet për të kanë qenë më së shumti studime të përcaktuara nga ideologjia, ndaj duhen studime e vlerësime të tjera.

BIBLIOGRAFI

1. Sami Frashëri, “Mbledhje e këngëve të reja e të ra”, Stamboll, 1882.
2. “Antologjia e letërsisë shqiptare”, Botim 1955, fq. 64.
3. “Zani i naltë”, Botim i vitit 1938-1939.
4. “Kultura islame”, nr. 5, 6, 7, 1942, fq. 157.
5. “Nezim Frakulla në Berat”, Shetos ( pr. dr. Shefik Osmani).
6. “Alhamiada shqiptare”, vëllimi I, fq. 53, Mahmud Hysa në artikullin “Vera poetike e Nezim Frakullës”.
7. Mahir Domi, “Historia e letë rsisë shqipe”, fq. 254-300, 1959.



E Martė, 18 Gusht 2009; 20:29

http://www.aiitc.org/universi/Idetė%20e%20humanizmit%20nė%20krijimtarinė%20e%20bejtexhinjve.html

Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats