Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:


Captcha
Shkruaj kodin:
Index -> Trashegimia ->

MEDRESETĖ E PRIZRENIT


Parim Kosova

NDËRTIMET E ARKITEKTURËS ISLAME DHE MEDRESETË NË PRIZREN



Me depërtimin e osmanlive në gadishullin e Ballkanit edhe në trojet shqiptare në shekujt XIV e XV, dhe me vendosjen e administratës shtetërore osmane, fillon një periudhë e re edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e qyteteve shqiptare me ndikim oriental. Këto risi i gjejmë të shprehura në të gjitha format e jetës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar.

Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Pra, në rrethana të reja të lidhjes së Ballkanit me Lindjen, në kushte të bashkëjetesës së shqiptarëve me popujt e tjerë të Perandorisë Osmane, filluan të depërtojnë edhe elemente të artit dhe të kulturës materiale islame edhe te shqiptarët, por duke u sintetizuar dhe duke u modifikuar me motive etnike nga mjeshtrat shqiptarë.[1] Vetëkuptohet, qytetet e caktuara shqiptare, të cilat kishin një pozitë gjeografike të favorshme për zhvillime tregtare dhe përgjithësisht ekonomike dhe shoqërore, me lehtësi i pranuan këto risi. Gjatë periudhës disa shekullore osmane, si në trevat e tjera të Shqipërisë, edhe në Prizren, u ndërtuan shumë vepra arkitektonike, tipesh të ndryshme si sakrale, ashtu edhe profane të karakterit utilitar, publik dhe individual, siç janë: xhamitë monumentale, tyrbet dhe teqetë, hamamet, urat, karavan-sarajet, hanet, kullat e sahatit, mejtepet, medresetë, komplekset urbano-arkitektonike të çarshive, shtëpitë e banimit etj. Këto ndërtime arkitektonike si objekte të kulturës materiale të realizuara në rrethana të caktuara historike, politike, ekonomiko-shoqërore e sociale, kanë një rëndësi të madhe për hulumtimin e studimin e të kaluarës së popullit shqiptar etnik në këto territore. [2] Ndër dëshmitë më të vjetra të zbuluara deri tani, që konfirmon fillimin e ndërtimeve arkitektonike islame në Prizren, është Vakufnameja e Suzi Çelebiut, e cila daton nga viti 1513. Ky dokument tregon përparimin e Prizrenit në fillim të shekullit XVI. Sipas tij, prizrenasi i mirënjohur Suzi Çelebiu (Mevlana Muhamed Efendi ibn Mahmud ibn Abdullah), myderris, poet, historian, udhëpërshkrues dhe legator, ka ndërtuar në Prizren një xhami dhe një mejtep (shkollë fillore), një urë, një krua publik, një bibliotekë, së cilës i ka falur edhe libra. Kjo bibliotekë duhet llogaritur jo vetëm si një nga bibliotekat më të vjetra të Shqipërisë, por edhe të regjionit.[3] Dëshmi tjetër me rëndësi që pasqyron zhvillimin e qytetit të Prizrenit është Vakufnameja e Mehmed Kukli-beut, e cila u legalizua më 1539. Në këtë vakufname pos tjerash përmenden edhe mualimët (mësuesit), që është tregues i jetës arsimore të këtij qyteti.[4] Bazuar në dokumentet arkivore të dhjetëvjeçarit të katërt të shekullit XVI Prizreni në atë kohë kishte 8 xhami të cilat kishin edhe mejtepet e tyre.[5] Këto vakufname dhe defteri i hollësishëm (defteri mufassal) i sanxhakut të Prizrenit i vitit 1590/91 dëshmojnë se në atë kohë Prizreni filloi të zhvillohej shumë dhe të marrë karakterin e një qyteti të mirëfilltë oriental islam.[6] Për kah rëndësia që kishin për jetën shoqërore të Prizrenit sikundër edhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, ndër institucionet që prijnë ishin xhamitë, edhe po aq të rëndësishme ishin edhe institucionet e tjera. Për edukimin themelor fetar dhe moral të fëmijëve ishin edhe shkollat fillore, të ashtuquajtura “mejtepe”. Këto zakonisht ekzistonin pranë çdo xhamie. Më vonë rol të madh e të mirëfilltë arsimoro-edukativ luajtën edhe medresetë. Medreseja, si institucion arsimoro-edukativ, lindi te arabët nga të cilët më pas e marrin selxhukët e prej atyre e marrin osmanlinjtë, të cilët e sjellin në Ballkan, pra edhe në Shqipëri. Këtyre institucioneve arsimore në Prizren i është kushtuar një rëndësi e veçantë.[7] Medresetë e Shqipërisë dhe të Prizrenit janë ndërtuar sipas shembullit të arkitekturës osmane, por me njëfarë transformimi nën ndikimin e traditës vendore të ndërtimit.[8] Medresetë e Prizrenit për kah madhësia u përgjigjen medreseve të vogla osmane, varësisht prej fuqisë ekonomike të donatorit. Kanë qenë të konceptuara si shkolla të sistemit konviktor, të cilët kanë pasur shumë dhoma për banim të nxënësve dhe një dhomë të madhe për mësim (dershane). E gjithë kjo ishte e ndërtuar brenda një oborri të mbyllur pranë xhamive. Oborret, në shumicën e rasteve kishin shatërvan, ose kroje për ujë, disa kishin edhe bunar.[9] Themelet e këtyre medreseve janë të ndërtuara prej guri, të lidhura me llaç (baltë), ndërsa përdheset dhe katet janë prej qerpiçi të lidhura me hatulla. Në medresenë e Mehmed Pashës kati është i ndërtuar me sistemin bondruk (dru) me qerpiç të lidhur me llaç (balte) dhe konvikti ndodhej në brendësi të oborrit, ku u siguronte nxënësve qetësi të nevojshme.[10] Medresetë në Prizren, janë ngritur me nisma individuale të banorëve vendas, si përshpirtërore të tyre. Njëherit, duke lënë pasuri në formë objektesh të ndryshme, ose në të holla të gatshme në mënyrë që të siguroheshin të ardhurat e sigurta dhe të rregullta, për mirëmbajtjen e këtyre përshpirtëroreve. Sistemi i vakufeve si kudo gjetiu ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm pozitiv në jetën e komunitetit musliman, në mirëqenien dhe në formimin e tij human.[11] Në Medresetë e Prizrenit, nxënësit kanë pasur të siguruar banimin, diku edhe ushqimin, e diku merrnin edhe ndihmë materiale. Myderrizët (profesorët e medreseve) merrnin paga, sipas shumës së caktuar në vakufname.[12] Në imaretin e Mustafa pashës në Prizren, përveç atyre që u ishte dedikuar, aty ushqeheshin gratis edhe nxënësit dhe myderrizët e medreseve të Prizrenit.[13] Medreset përgatitnin edhe kuadro për punë në administratën osmane. Bashkësitë fetare kujdeseshin për ato ente edukativo-arsimore, ndërsa për anën financiare kujdesej pushteti lokal dhe njerëzit e pasur. Në medresetë e Prizrenit, janë mësuar lëndët e njëjta si në medresetë e tjera të Perandorisë Osmane. Përveç gjuhës arabe, aty mësohej edhe komentimi i Kuranit, tradita islame (hadi’thi), e drejta e sheriatit (fik’hu), logjika, retorika, gramatika, sintaksa etj. Për secilën lëndë ekzistonin tekste të posaçme mësimore p.sh. për kursin e parë të logjikës është përdorur “Shemsija”, kurse për kursin e lartë “Sherhul-Metali”, për të drejtën e sheriatit është përdorur “Multekaja, “Hidaje” dhe “Durrerr ve gurrerr”. Në këto medrese, jepnin mësim myderrizët, të cilët kanë qenë njerëz shumë të arsimuar, shumica e të cilëve të shkolluar në qendrat e ndryshme të arsimit dhe kulturës islame. Disa kanë qenë specialistë vetëm për një lëndë, ndërsa të tjerët për shumë lëndë. Mjaft prizrenas, përveç kryerjes së medreseve, vazhdonin shkollimin në Universitetin e Stambollit, të Kajros etj.[14] Për shkak të mungesës së burimeve autentike është vështirë të thuhet se cila ka qenë medrese e lartë e cilat kanë qenë medrese të ulëta. Besojmë se në të ardhmen me rastin e hulumtimeve të reja në Arkivin e Vakufeve në Ankara (Vakıflar Genel Müdürlüğü) dhe në Başbakanlık Arşivi në Stamboll do të hasim në burime të pashfrytëzuara të cilat do të shërbejnë për plotësimin e të dhënave për veprimtarinë e medreseve të Prizrenit. Myftiu i Vilajetit të Prizrenit-myderrisi i medresesë së Emin Pashës Tahir Efendiu, në kronikën e tij “Menakip” (Jetëshkrim) jep shënime edhe mbi monumentet osmane në Prizren në vitin 1874.[15] 2.1 MEDRESEJA E GAZI MEHMED PASHËS Ndër medresetë më të vjetra tek ne në Kosovë, në mos edhe e para, është ajo e “Gazi Mehmet Pashës” në Prizrenin e Lashtë, e cila njihej ndryshe, medreseja e “Bajraklisë”. Dihet që kjo ka qenë Medrese-shkollë e lartë fetare. Legatori i madh, Gazi Mehmed Pasha, në Prizren kishte ndërtuar më parë Hamamin në qendër të qytetit (1563/4) si dhe kompleksin e tij monumental, që përbëhet prej xhamisë të ndërtuar në vitin 1573/4 (981 hixhri), bibliotekës, medresesë, jetimores, karvan sarajit, tyrbes dhe dershanes (është objekt i ndarë prej konviktit). Ky kompleks është një prej monumenteve më me vlerë në gjininë e vet në hapësirën shqiptare. Ngrihet brenda mureve rrethuese dhe paraqet një nga shembujt e pakët të këtyre ndërtimeve të ngritura në të kaluarën. Pjesën e jashtme të kompleksit e karakterizon streha e gjatë, pullazi i mbuluar me tjegulla, përpos kupolës së xhamisë dhe të tyrbes së Mehmet Pashës (sot Bibliotekë e Xhamisë) të cilët janë të mbuluara me plumb; dyert dhe dritaret janë të tipit të arkitekturës folklorike të Prizrenit. Pamja e jashtme e Kompleksit është shumë e bukur. Ka qenë e ngjyrosur me gëlqere. Kompleksi Monumental, me konstruksionin e vet specifik edhe në ditët sotme, është një ekzemplar i rrallë i ruajtur nga arkitektura tradicionale tek ne. Vakufnameja e Gazi Mehmed Pashës është legalizuar sipas: Dr. Ekrem Hakkı Ayverdi në muajin Muharem (janar) të vitit 988 hixhri gjegjësisht shkurt 1580 miladi.[16] Duhet cekur se Sylejman Efendiu, që ushtronte detyrën e myderrizit në këtë medrese, sipas Vakufnames, ndërtoi më 1795, pesë dhoma për banim, të cilat ia la kësaj medreseje.[17] Ndërsa më 8 prill, sipas projektit për valorizimin e këtij kompleksi, këto u shembën.[18] a. MEDRESEJA E MEHMED PASHËS DHE LUFTA RUSO-OSMANE Lufta ruso-osmane, fati i dhjetëra mijëra muhaxhirëve shqiptarë, cungimi i tokave shqiptare nga Traktati i Shën Stefanit, frika, nga ratifikimi i saj në Kongresin e Berlinit, sollën formimin e Organizatës Politike Ushtarake Mbarëkombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në krye të saj u vunë ideologë, personalitete politike, fetare dhe ushtarake. [19] Autoriteti dhe pozita e Ymer efendi Prizrenit, myderrizit të Medresesë së Gazi Mehmed Pashës, mundësoi që të gjitha objektet në këtë kompleks t’i lihen në dispozicion për veprimtari, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Xhami ishin mbajtur shumë seanca dhe aty ishte mbajtur edhe Kuvendi Themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo Organizatë në Medrese do të zhvilloi veprimtarinë e saj disavjeçare në kthinat e saja ishin vendosur selitë e dikasterive. Lidhja e Prizrenit arriti ta formojë në fillim të vitit 1881 edhe Qeverinë e Parë të Përkohshme Shqiptare, e cila Qeveri, Rezidencën e kishte në ndërtesën e Dershanes, sot simbol i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.[20] Në dorëshkrimin të shkruar në osmanishte “Tevarih” nga Haxhi Ymer Lutfi Paqarizi, ka edhe të dhëna që në Medresenë e Gazi Mehmet Pashës, studentëve mbas kryerjes së medresesë ju lëshoheshin edhe Ixhiazetnamet.[21] Medreseja, në fjalë kishte luajtur edhe një rol të rëndësishëm në jetën kulturore-arsimore të popullatës së Shqipërisë verilindore. Gjatë gjithë kohës së funksionimit të saj dhe falë kritereve arsimore që ishin praktikuar në procesin mësimor, në këtë medrese, ajo kishte arritur të përgatisë kuadro të aftë që t’i kryenin detyrat e klerikut, edukatorit dhe të nëpunësit. Një numër i madh i tyre ishin dëshmuar edhe si atdhetarë të mirëfilltë, kurse një pjesë e tyre kishin arritur të bëhen edhe dijetarë të mëdhenj dhe kanë lënë gjurmë të përjetshme. Prandaj, Medreseja e Gazi Mehmet Pashës, kishte gëzuar reputacion edhe jashtë hapësirës shqiptare.[22] Ndërsa me mbylljen e saj si Medrese, nga regjimi pushtues jugosllav-komunist në mars të vitit 1947, në të kanë banuar shumë familje gjer në vitin1978. Kjo trashëgimi kulturore-historike filloi të trajtohet në mënyrë shkencore dhe bashkëkohore, për shkak të rrethanave të njohura, vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në fillim, Enti Krahinor për Mbrojtjen dhe Hulumtimin e Përmendoreve kulturore, me vendim nr. 1442, të datës 31 dhjetor 1957, Xhaminë e Gazi Mehmed Pashës e ka vlerësuar për objektin më monumental të këtij kompleksi. Ndërkaq, Enti për Urbanizëm dhe Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore dhe të Rariteteve Natyrore të Komunës së Prizrenit, me vendimin nr. 260/68, dt. 05.04.1968, Dershanën – rezidencën qeveritare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e vuri nën mbrojtjen e shtetit, dhe u bë edhe dislokimi i Dershanes më në veriperëndim, për shkak të zgjerimit të rrugës Prizren- Brezovicë. Me rastin e shënimit të 90 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1968, Dershana - Rezidenca Qeveritare e LSHP-së, shndërrohet në Muze të LSHP-së. Në te vendosen eksponatet që kishin arritur t’u shpëtonin rrebesheve të kohës, qofshin ato dokumente apo eksponate tridimensionale. Enti për Urbanizëm dhe mbrojtjen e përmendoreve Kulturore dhe të Rariteteve Natyrore të Komunës së Prizrenit, me vendimin nr. 414/77, dt. 20.06.1977, Medresenë, bibliotekën dhe 18 ngastrat e hapësirës së sheshit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me një sipërfaqe 7720 m2, i ka vlerësuar monumente kulturore me interes të posaçëm shoqëror dhe janë futur në mbrojtjen ligjore që aplikohen ndaj vlerave kulturore. Me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1978, për shkak se ky monument ka historikun e tij të rëndësishëm dhe vlera arkitektonike, është hartuar projekti hapësinor i kompleksit, për të ruajtur vlerat e rëndësishme tipologjike të këtij shembulli të rrallë. U ndërmorën ndërhyrje sistematike restauruese dhe konservatore; në ndërtesën e medresesë në katin përdhes është vendosur sektori etnologjik, ndërkaq, në kthinat e katit u hap galeria e arteve figurative me punime tematike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me vënien në funksion edhe të këtyre sektorëve, Muzeu, në fjalë u shndërrua në Kompleks Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.[23] b. BIBLIOTEKA E MEDRESESË SË MEHMED PASHËS Pranë medresesë së Mehmed Pashës ka funksionuar edhe biblioteka shumë e pasur me mbi 50 libra në dorëshkrim të cilat janë të ruajtura edhe sot e kësaj dite, me përmbajtje të ndryshme fetare, shkencore, filologjike, të cilat mësoheshin dhe në atë kohë. Në disa nga këto libra shihet se janë dhuruar nga prizrenasit e njohur. Vlen të theksohet komentimi i kuranit persisht të vitit hixhri 948 (1541/2). Ky dorëshkrim është shumë i bukur. Pranë tekstit arabisht është shkruar edhe përkthimi persisht, fjalë për fjalë ajet për ajet; ky libër ka edhe një rëndësi të posaçme. Këtë libër ia ka dhuruar kësaj biblioteke, Koxha Sinan pasha.[24] Disa libra manuskripte të kësaj biblioteke janë kryevepra të kaligrafisë arabe dhe të artit dekorativ oriental. Në këtë thesar të dorëshkrimeve islame gjendet edhe një ekzemplar i Kur’anit i shkruar më 1312 dhe paraqet ekzemplarin më të vjetër të dorëshkrimeve në Kosovë.[25] 2.2 MEDRESEJA E MYDERRIZ ALI EFENDIUT Burimet mungojnë për punën e Medresesë të Mevlana Myderriz Ali Efendiut. Dihet se kjo medrese ka funksionuar pranë kësaj xhamie. Xhamia mendohet se është ndërtuar në vitin 1581 nga i lartpërmenduri. Medreseja nuk ekziston më, ndërsa xhamia ende është në funksion të besimtarëve. Mevlana Myderriz Ali efendiu ka qenë dijetar i madh i kohës, ka komentuar Kuranin nga Bejdeviu. Studjuesi H. Kaleshi mendon se medreseja e Mevlana Myderriz Ali Efendiut, ka qenë i pari ose i dyti medrese i ngritur në Prizren.[26] Edhe gjatë hulumtimeve tona nuk arrijtëm të sigurojmë të dhëna të tjera për punën dhe veprimtarinë e kësaj medreseje. Tyrbja e Mevlana Myderriz Ali Efendiut, ndodhej në anën perendimore të xhamisë, dhe ishte në gjendje të mirë, mirëpo në vitin 1993 me fajin e imamit të xhamisë, të pandërgjegjëshmit e rrënuan. Në vitin 1996 varri i tij është rregulluar ishte vendosur edhe nishani në të me këtë përmbajtje: Myderriz Ali Efendiu. Por në gusht të vitit 2003 të pandërgjegjëshmit e thyen nishanin. 2.3. MEDRESEJA E MAHMUD PASHË RROTLLËS Mahmut Pashë Rrotlla, mytesarif i sanxhakut të Prizrenit, prej vitit 1806 gjer në vitin 1836, ka ndërtuar në Terzi Memi-Mahallë të Prizrenit, në afërsi të konaqeve të veta (sarajeve), një xhami, një mejtep dhe medresen me mësojtore me tetë dhoma për vendosjen e nxënësve. Për mirëmbajtjen e këtyre objekteve dhe për rrogat e profesorëve, për shpenzimet rreth ushqimit dhe nevojat e tjera të nxënësve (qirinj, vaj, kandila, letër për dritare, rogoze etj.), Mahmud Pasha i la vakufit katër dyqane, mullirin me pesë gurë dhe 15.000 akçe para të gatshme. Vakufin e vet ai e legalizoi më 1831.[27] Në këtë vakufname ai cakton myderrizit të medresesë, Haxhi Ali Efendiut, pagën vjetore prej 1.200 akçesh.[28] Kjo Medrese ka zhvilluar veprimtarinë e saj deri në vitet njëzeta të shekullit XX, veprimataria e saj do të pushojë me urdhër të pushtetit serb. 2.4. MEDRESEJA E EMIN PASHË RROTLLËS Vëllai i Mahmud Pashë Rrotllës, Emin Pasha, mytesarif i Prizrenit gjatë viteve 1841- 1842, po njashtu ndërrtoi një xhami dhe medrese në Prizren. Kjo Medrese gjendej në oborr të xhamisë dhe ka funksionuar pa ndërpreje deri më vitin 1912, ndërsa me pushtimin serb vetëm në vitet ‘20 të shekullit XX ka funksionuar disa vite.[29] Këtë Medrese, kanë vijuar një numër i madh nxënësish; kjo xhami është prej xhamive më të bukura që ka Prizreni.[30] Një objekt i Medresesë është rrënuar në fund të viteve ’20 të shekullit XX kjo Medrese ka qenë e përbërë prej disa objekteve.[31] Ndërsa një objekt tjetër i Medresesë së bashku me një pjesë të oborrit, mbas vitit 1912 për çudi ka kaluar në pronësi të serbit Arallambi Toskiç?! ku ende shërben si shtëpi banimi, ndërsa pjesa e shtëpisë kah rruga kryesore i ka në përdhese edhe shtatë lokale. Objektit i tretë i medresesë i cili ka shërbyer për banim të personelit fetar, është rrënuar nga ana Bashkësisë Islame të Prizrenit në vitin 1992, dhe në vend të saj është ngritur një objekt i ri. Edhe sot e kësaj dite në murin e pjesës të objektit të mejtepit, gjendet pllaka e mermertë (dim 67x 55 cm), ku me shkrimin sulus në dy kolona është gdhendur mbishkrimi i cili flet për meremetimin e medresesë (e cila ishte ndërtuar prej Emin Pashë Rrotllës). 2.5. MEDRESEJA E JAVUZ MEHMED EFENDIUT Anëtari i Këshillit të Lartë të sanxhakut të Prizrenit, Javuz Mehmed-efendiu, legalizoi në gjyq më vitin 1864 (1281) vakufnamen me të cilin zyrtarizon medresen (Foto 5) të cilën e kishte ndërtuar ai vetë, e cila ndodhej përballë xhamisë së Sofi Sinan-Pashës, për mirëmbajtjen e kësaj medreseje i la vakufit tri dyqane të terzive.[32] Një pjesë e ndërtesës së Medresesë edhe sot është në gjendje funksionale, mirëpo kati shërben si shtëpi banimi, ndërsa përdhesa është shndërruar në dyqan. Kjo ndërtesë ka një arkitekturë të pasur folklorike ku së bashku me xhaminë e Sofi Sinan Pashës janë atrakcion turistik, dhe njëheri janë prej objekteve më të vjetra të arkitekturës osmane që kanë ngelur nga periudha osmane pa u shkatërruar në sheshin e shatërvanit në Prizren. 2.6. MEDRESEJA E SOFI SINAN PASHËS Për këtë Medrese shënimet janë fare të pakta, na mungojnë burimet autentike të kohës. Sipas M. Shukriut, “Medreseja e Sofi Sinan Pashës (Foto 6), ishte e vendosur në çardakët e xhamisë, ishte me dhoma të dekoruara, përkatëse për mësim, e cila ka funksionuar deri në vitin 1912. Në periudhën 1908-1912 drejtor i saj ishte Nuri efendiu myftiu i Prizrenit, i biri i Halim efendisë, po ashtu myfti i Prizrenit”.[33] Mulla Sefer Restelica mësoi dhe studioi në Medresenë e Sinan Pashës në Prizren në vitet 1888-1892, te Myderriz Halim Efendiu, i biri i Tefik Efendisë.[34] Ndërsa sipas studiuesit E. Haskuka: “Në çardakët e xhamisë së Sofi Sinan Pashës më 1908 tri vite punoi shkolla normale Darul-mualimin në gjuhën mësimore osmane. Drejtor i kësaj shkolle të Lartë ka qenë Ali efendiu nga Presheva”.[35] Kjo Medrese, shkollë normale Darul-mualimin, mbetet të ndriçohet më tepër gjatë hulumtimeve të mëtejshme. Vlen të theksohet se gjatë hulumtimeve të fundit, në një literaturë hasa që pranë Xhamisë (ndërtuar më 1543) së Ilijaz Kukës në Prizren kishte punuar edhe Medreseja...besojmë që hulumtimet e ardhshme do të japin rezultate edhe për këtë Medrese. Pas viteve tridhjetë të shekullit XIX në Perandorinë Osmane paraqiten shkollat shtetërore. Në fund të shek. XIX edhe në Vilajetin e Kosovës filloi të shtohej numri i shkollave shtetërore osmane: Iptidaije (shkolla fillore), ruzhdije (gjimnaze të ulëta), idadije (gjimnaze) dhe darul mual-limin (shkolla normale). Përveç këtyre, punonin edhe medresetë. Me Kushtetutën e Perandorisë Osmane të vitit 1876 dhe me ligjet e veçanta parashikohej që në çdo qytet e fshat të hapeshin shkolla fillore të detyrueshme për fëmijët e moshës 7-vjeçare, kurse nga viti 1883 ishte caktuar taksa e veçantë për financimin e arsimit.[36] Valiu i Vilajetit të Prizrenit Safet Pasha (6. III. 1871 deri në 25. XII. 1871), filloi ngritjen e një godine për shkollën zejtare "Islahanen", por nuk e përfundoi. Pas një kohe u krye ndërtimi i asaj godine, por ajo shërbeu si depo për mbledhjen e ujemeve (taksa të ndryshme). Më vonë, në këtë ndërtesë u vendos spitali ushtarak. Për atë kohë, ndërtesa e islahanes ishte ndërtesë grandioze e impozante, me kate. U ndërtua prej gurit dhe tullave.[37] Sipas Sallnames së vitit 1874, Prizreni i kishte 23 Xhamia, 2 mezxhid, 15 tyrbe, 21 mejtepe si dhe 4 medrese. Më 1886 në këtë qytet kishte 17 shkolla për meshkuj, 9 për femra dhe një Ruzhdije (gjimnaz i ultë) për fëmijët muslimanë në gjuhën mësimore osmane. Që të gjitha ishin të rangut mesatar.[38] Pra, nga kjo Sallname dhe nga hulumtimet tona vërtetojmë se në Prizren në atë kohë kanë punuar këto medrese: Gazi Mehmet Pashës, Mahmud Pashë Rrotllës, Emin Pashë Rrotllës si dhe ajo e Javuz Mehmed Efendiut. Në Prizren të gjitha këto medrese jo vetëm janë ngritur nga humanistët, por këta kanë vakufuar për mirëmbajtje dhe për paga të personelit si dhe për shpenzimet e nxënësve edhe një pjesë të dyqaneve dhe pasurive tjera të tyre dhe kështu siguroheshin të ardhurat e sigurta dhe të rregullta. Për vakëfet kujdeseshin drejtuesit e tyre (mytevelit). 3. PRIZRENI DHE GJENDJA E MEDRESEVE GJATË VITEVE 1912-1999 Gjatë viteve 1912-1999, kur Kosova bashkë me të dhe Prizreni gjendej nën pushtimin serb, pushtuesi jo vetëm që zbatoi fushatën e përgjithshme diskriminuese dhe të spastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e veta me qëllim të kolonizimit të këtyre viseve me popullatë sllave, por ata sistematikisht kryen edhe shkatërrimin e kulturës dhe arkitekturës islame-shqiptare. Në rrethanat e krijuara pas vitit 1912, jeta e organizuar fetare islame në viset shqiptare të pushtuara nga serbo-malazezët mund të thuhet se ishte paralizuar fare. Vepronin vetëm imamët më entuziastë. Ata organizonin kryesisht faljen e namazit dhe kryenin ceremonitë e varrimit të besimtarëve.[39] Për pozitën e popullatës muslimane të përfshirë në kuadër të kësaj Mbretërie, u bë fjalë edhe në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, ku a arrit marrëveshja e posaçme ndërkombëtare lidhur me pozitën e muslimanëve si pakicë fetare.[40] Mirëpo gjendja dhe pozita e arsimit fetar edhe më tej vazhdoi të ishte shumë e rëndë. Në fillim, të gjitha institucionet e arsimit fetar ishin të mbyllura, kurse një pjesë e madhe e tyre ishin rrënuar dhe djegur qëllimisht. [41] Sipas disa shënimeve statistikore, në viset shqiptare gjatë viteve 1912-1941 u rrënuan 320 xhami, u përdhosën 85 mejtepe dhe bibliotekat e tyre.[42] Në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare të nënshkruara edhe prej tyre (Mbretërisë SKS), u vu dorë në pronën e institucioneve fetare islame. Shpronësimi i tyre filloi qysh në vitin 1912. Vetëm nga myftinia e Prizrenit u konfiskuan 60 hektarë tokë.[43] Vetëm nga mesi i viteve 20 u aktivizuan disa medrese private në Kosovë. Pushteti serb përcillte me kujdes policor punën e mejtepeve dhe të medreseve, gjë që dëshmohet në shumë dokumente.[44] Sipas të dhënave që disponojmë, në Prizren, në këtë kohë rifillojnë punën përsëri vetëm medreseja e Gazi Mehmed Pashës dhe ajo e Emin Pashës. Shumë prej atyre klerikëve shqiptarë që e ngritën zërin kundër gjithë kësaj dhe sidomos kundër shpërnguljes së shqiptarëve, i vranë i arrestuan dhe i përzunë nga atdheu. Me 20 vjet burgim dhe konfiskim të pasurisë në vitin 1924, ishte dënuar edhe Myftiu i Prizrenit, Haxhi Rrustem Shporta. Gjatë gjithë kohës së sundimit serb të Kosovës (1912-1999) shumë klerikë janë dënuar me burgim.[45] Planin e gjendjes së Prizrenit që në mars të vitit 1913, e kishte hartuar arkitekti ushtarak serb, togeri Momir Korunoviq. Ai së bashku me arkitektin Dushan S. Milosavlevic, kishin hartuar edhe Planin Gjeneral, i cili ishte zyrtarizuar më 1924, kinse për rregullimin dhe zgjerimin e rrugëve të qytetit të Prizrenit, ndërsa në fakt kjo ishte mënyrë për asgjësimin krejtësisht të trashëgimisë shqiptare e me këtë edhe të asaj islame në Prizren.[46] Në këtë kohë, u shkatërruan nga pushtuesi serb Kompleksi me konaqet, xhaminë dhe medresenë, të cilët ishin ndërtuar nga mytesarifi i Sanxhakut të Prizrenit, Mahmut Pashë Rrotlla, në fillim të shekullit XX. Medreseja e anëtarit të Këshillit të Lartë të sanxhakut të Prizrenit, Javuz Mehmed-efendiut u mbyll nga serbët në vitin 1912 për të mos u hapur më kurrë.[47] Po kështu u veprua edhe me Medresenë - Darul-mualimin që vepronte në hajatet e Sinan Pashës. Madje në maj të vitit 1919, pushteti serb të udhëhequr nga inxhinieri Ivan Vangelov, kishin rrënuar hajatet e kësaj xhamie.[48] Një pjesë e objektit dhe të oborrit të Medresesë së Emin Pashë Rrotllës pas vitit 1912 kishte kaluar në pronësi të serbit Arallambi Toskiç?!, ndërsa medreseja në fund të viteve tridhjetë të shekullit XX do ta ndërpresë punën. Medreseja e Gazi Mehmed Pashës, që me okupimin serb të Kosovës e deri në fillim të viteve ‘20 të shekullit XX nuk do ta zhvillojë veprimtarinë e saj edukativo-arsimore.[49] Me rifillimin e punës, kjo Medrese, deri me fillimin e Luftës së Dytë Botërore kishte luajtur rolin e një klubi ilegal kulturor e kombëtar shqiptar, ku u edukuan fetarisht e kombëtarisht disa breza. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo Medrese, pa pengesa do të zhvillojë veprimtarinë e saj. Sipas kërkesave të kohës, më 1943, shumë ish-medresantë i’u shtruan provimit shtetëror për titullin myderriz – profesor medreseje.[50] Me ripushtimin serbo-komunist të Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet “planeve urbanistike” të qyteteve të Kosovës, u vazhdua edhe më tej me zhdukjen e gjurmëve të kulturës shqiptare të proveniencës islame.[51] Strukturat e pushtetit komunist të Kosovës, në mars të vitit 1947, Medresenë e Gazi Mehmet Pashës (Tempullin edukativo-arsimor të Prizrenit), me një traditë rreth katër shekullore e mbyllën. Me Arkivin, përkatësisht me Bibliotekën e saj, u sollën njësoj si me shumë arkiva dhe biblioteka të tjera të bashkësive islame në hapësirën shqiptare nën administrimin pushtues jugosllav. Kësisoj, ata kryen barbari me asgjësimin pothuajse publik të një pjese të dokumenteve, dorëshkrimeve dhe pjesën më të madhe të librave nga thesari i kësaj biblioteke shumë të pasur, jo vetëm për Prizrenin, por edhe më gjërë.[52] Gjatë Luftës së fundit në Kosovë serbët e arritën qëllimin e tyre të kahershëm duke e bërë realitet më 27 mars 1999, në ora 22.50, e dogjën dhe e rrafshuan për toke Dershanen e Medresesë së Mehmed Pashës-Muzeun e LSHP-së me të gjitha eksponatet (Foto 7). Po këtë ditë serbet dhanë lajme të rreme, qëllimisht, kinse bomba e NATO-së e ka goditur Muzeun e Lidhjes, në vend se ta godiste godinën e Kuvendit Komunal, etj.[53] Me Çlirimin e Kosovës dhe të Prizrenit në qershor të vitit 1999, populli e ringriti Dershanën – Simbolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndërsa me rastin e shënimit të 122 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10.06.2000 u rihap Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.[54] Gjatë kësaj lufte, serbët, prej 560 xhamive të Kosovës, 218 i dogjën, 4 medrese, 3 teqe, 1 hamam, 75 dyqane pronë e Bashkësisë Islame, 560 arabeska 12 mijë dorëshkrime dhe musafe të djegura.[55] Me plot të drejtë, Kryemyftiu i Kosovës Dr. Rexhep Boja për Luftën e fundit në Kosovë 1998-1999, thekson: "Agresioni policor, ushtarak e paramilitar serb në Kosovë nuk i rrezikoi vetëm jetët e mbi dy milionë shqiptarëve, por ai shkaktoi rrënimin, djegjen dhe shkatërrimin e një numri të madh të objekteve kulturore dhe fetare. Agresorët serbë duke rrënuar me vetëdije dhe me plan tërë atë që ishte ndërtuar me shekuj në truallin e Kosovës, (trashëgimisë kulturore jo serbe) shkaktuan dëme të pakompensueshme”.[56] Të gjitha këto që i mbarështruam në këtë kapitull janë përshkruar qartë në Kartën e OKB-së, ku “Ruajtja e trashëgimisë kulturore-historike dhe e identitetit kombëtar të çdo populli, është parim themelor”. Të gjitha këto parime i kishte shkelur vazhdimisht Jugosllavia në Kosovë edhe pse ishte ratifikuese e kësaj dhe konventave të tjera. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite, Jugosllavia dhe autorët, nuk janë ndëshkuar nga ndonjë organizëm ndërkombëtar, për kryerjen e këtyre veprave barbare.[57] Por shqiptarët edhe përkundër ngushtimit të hapësirës së identitetit të tyre shpirtëror, kanë arritur me sakrifica të mëdha të mbijetojnë dhe t’i kultivojnë begatitë e tyre shpirtërore e trashëgiminë kulturore. Procesi i edukimit dhe çështjet edukativo-arsimore kanë qenë gjithmonë nevojë e domosdoshme dhe preokupim i përhershëm i popullit shqiptar në të gjitha etapat e zhvillimit historik dhe në të gjitha trojet etnike, që nga lashtësia e deri më sot. Tradita e veprimtarisë fetaro-islame në Kosovë është e vjetër, mbi gjashtë shekuj. Kjo veprimtari edhe sot e kësaj dite vazhdon të gjallërojë dhe të jep fryte në Kosovë-Prizren. Që nga viti 1994 vepron pandërprerje edhe paralelja e ndarë e Medresesë Alauddin e Prishtinës me katër klasë për femra dhe meshkuj në Prizren. -------------------------------------------------------------------------------- [1] Mr. Fejaz Drançolli, Disa ndërtime arkitektonike islame të shek. XV në Prishtinë, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 167. [2] Po aty, f. 168. [3] Skender Rizaj, Gjurmime Albanologjike seria e shkencave historike, nr. XIII-1983, f. 62; Nexhat Ibrahimi, Suzi Prizrenasi, Prizren, 1410/1990, f. 20-21. [4] Hasan Kalesi i Ismail Redzep. Prizrenac Kukli beg i njegove zaduzbine, Prilozi za Orijentalnu filologiju, VIII-IX, 1958-9, Sarajevo. 1960, f. 163-166. [5] Hasan Kalesi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime Albanologjike, I/1, 1962, Prishtinë, f. 93. [6] Skender Rizaj, Gjurmime Albanologjike seria e shkencave historike, nr. XIII-1983, f. 62. [7] Resul Rexhepi, Medreseja e mesme “Alaudin” në shtratin e Traditës dhe roli i saj për shkollimin e kuadrit fetar, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 554. [8] Maxhida Hafiz, Prosvjetni objekti Islamske Arhitekture na Kosovu, Starine Kosova VI-VII Antikitetet e Kosovës , Prishtinë, 1972/3, f. 94. [9] Po aty, f. 82. [10] Rezultatet e hulumtimeve në terren. [11] Po aty. [12] Maxhida Hafiz, Po aty, f. 82; Deklarata e Hafëz Jakup Muqeziut i lindur më 1919, dhënë më 22.10.2003 në Prizren. [13] Dr. Esat Haskuka Hostorijsko-Geografska Analiza Urbanih Funkcija Prizrena, Gjakovica, 1985, f. 148. [14] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime Albanologjike, I/1, 1962, Prishtinë, f. 94; Resul Rexhepi, Medreseja e mesme “Alaudin” në shtratin e traditës dhe roli i saj për shkollimin e kuadrit Fetar, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 554; Deklaratë e Hafëz Jakup Muqeziut (ka mbaruar shkollimin më 1937 në Medresenë e Gazi Mehmet pashës) i lindur më 1919, dhënë më 22.10.2003 në Prizren. [15] Dr. Esat Haskuka Hostorijsko-Geografska Analiza Urbanih Funkcija Prizrena, Gjakovica, 1985, f. 162; Nehat Krasniqi, Kronika “Menakëb”e Tahir Efendiut, burim i rendësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës Turko-Osmane, Edukata Islame, Nr. 57, Prishtinë, 1995. f. 80. [16] Parim Kosova, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjatë shekullit XIX-XX (vështrim historik-muzeal) tezë e magjistraturës në dorëshkrim, Prishtinë 2003, f. 11; Raif Virmiça, Kosova’da Osmanli Mimari Eserleri, Ankara, 1999, f. 35-36, E shqipëroi për nevoja të mia, Fejzullah Shatri, profesorë i orientalistikës, Prizren, më 21.10.2003. [17] Fotokopje e Vakufnames të vërtetuar më vitin 1795, origjinali është djegur së bashku me Dershanen - Muzeun e LSHP më 27 mars 1999 nga serbët; Parim Kosova, Monumentet dhe Eksponatet Muzeale të Ymer Prizrenit, Ymer Prizreni Personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare, Ulqin, 2002, f. 169. [18] Muhamed Shukriu, Vlerat Arkitektonike-Folklorike dhe marrëdhëniet pronësore-juridike në Kompleksin Monumental “Lidhja e Prizrenit” në Konferenca Shkencore e 100 vjetorit të LSHP-së, I, Prishtinë, 1981, f. 636. [19] Parim Kosova, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjatë shekullit XIX-XX (vështrim historik-muzeal) tezë e magjistraturës në dorëshkrim, Prishtinë 2003, f. 23. [20] Parim Kosova, Monumentet dhe Eksponatet Muzeale në kujtesën për Ymer Prizrenin, dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike, Prishtinë, 2002, f. 182-183. [21] Dorëshkrimi Origjinal i “ Tevarihi” të Haxhi Ymer Lutfi Paqarizit, ruhet në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren. E shqipëroi për nevoja të mia, Mediha Fishekqiu, profesoreshë e orientalistikës, Prizren, më 21.10.2003; Ixhiazetname kemi hasur edhe gjatë hulumtimeve tona në terren. [22] Dr. Muhamet Pirraku, Fryma ptriotike në poezinë e Mulla Vejsel Gutës, Dituria Islame, Nr. 133, Prishtinë, 2001, f. 31; Deklaratë e Hafëz Jakup Muqeziut (ka mbaruar shkollimin më 1937 në Medresenë e Gazi Mehmet pashës) i lindur më 1919, dhënë më 22.10.2003 në Prizren. [23] Parim Kosova, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjatë shekullit XIX-XX (vështrim historik-muzeal) tezë e magjistraturës në dorëshkrim, Prishtinë 2003, f. 27; Parim Kosova, Monumentet dhe Eksponatet Muzeale në kujtesën për Ymer Prizrenin, Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike, Prishtinë, 2002, f. 183-184. [24] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime Albanologjike, I/1, 1962, Prishtinë, f. 94-95. [25] Dr. Esat Haskuka Hostorijsko-Geografska Analiza Urbanih Funkcija Prizrena, Gjakovica, 1985, f. 160. [26]Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime Albanologjike, I/1, 1962, Prishtinë, f. 96. [27] Dr. Esat Haskuka Hostorijsko-Geografska Analiza Urbanih Funkcija Prizrena, Gjakovica, 1985, f. 153. [28] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime Albanologjike, I/1, 1962, Prishtinë, f. 96. [29] Deklaratë e Hafëz Jakup Muqeziut (ka mbaruar shkollimin më 1937 në Medresenë e Gazi Mehmet pashës) i lindur më 1919, tani ende punon Imam në Xhaminë e Emin Pashës, dhënë më 22.10.2003 në Prizren. [30] Po aty, f. 97. [31] Deklaratë e Hafëz Jakup Muqeziut (ka mbaruar shkollimin më 1937 në Medresenë e Gazi Mehmet pashës) i lindur më 1919, tani ende punon Imam në Xhaminë e Emin Pashës, dhënë më 22.10.2003 në Prizren. [32] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime Albanologjike, I/1, 1962, Prishtinë, f. 97. [33] Muhamed Shukriu, Prizreni i Lashtë-Morfologjia e ecurive për ruajtjen e kulturës materiale, Prizren 2001, f. 297. [34] Dr. Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni Ora, Zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Sharr, 2003, f. 20. [35] Dr. Esat Haskuka Hostorijsko-Geografska Analiza Urbanih Funkcija Prizrena, Gjakovica, 1985, f. 154-155. [36] Mr. Aliriza Selmani, Shkollat fetare islame në kazanë e Gjilanit në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 433-434. [37] Dr. Esat Haskuka Hostorijsko-Geografska Analiza Urbanih Funkcija Prizrena, Gjakovica, 1985, f. 155. [38] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime Albanologjike, I/1, 1962, Prishtinë, f. 98. [39] Dr. Haki Kasumi, Gjendja organizative e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën okupimin Jugosllav 1912-1941, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 459-460. [40] Po aty, f. 461. [41] Po aty, f. 463. [42] Dr. Jusuf Osmani Rezistenca e kuadrit dhe e institucioneve fetare kundër reformës agrare dhe kolonizimit në Kosovë midis dy Luftërave Botërore, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 488. [43] Dr. Marenglen Verli, Orientimi i reformës agrare kolonizuese të mbretërisë jugosllave mbi fshatarësinë shqiptare myslimane dhe pasojat e saj, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 467. [44] Dr. Haki Kasumi, Gjendja organizative e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën okupimin Jugosllav 1912-1941, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 463. [45] Resul Rexhepi – Sadik Mehmeti, “Risaleja e Haxhi Rrustem ef. Shportës – një vepër e rendësishme për shkencat kuranore, Edukata Islame, Nr. 70, Prishtinë, 2003, f. 74. [46] Parim Kosova, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjatë shekullit XIX-XX (vështrim historik-muzeal) tezë e magjistraturës në dorëshkrim, Prishtinë, 2003, f. 43. [47] Po aty, f. 48. [48] Resul Rexhepi – Sadik Mehmeti, “Risaleja e Haxhi Rrustem ef. Shportës – një vepër e rendësishme për shkencat kuranore, Edukata Islame, Nr. 70, Prishtinë, 2003, f. 73-74. [49] Parim Kosova, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjatë shekullit XIX-XX (vështrim historik-muzeal) tezë e magjistraturës në dorëshkrim, Prishtinë, 2003, f. 44; [50] Dr. Muhamet Pirraku, Fryma ptriotike në poezinë e Mulla Vejsel Gutës, Dituria Islame, Nr. 133, Prishtinë, 2001, f. 31. [51] Mr. Fejaz Drançolli, Disa ndërtime arkitektonike islame të shek. XV në Prishtinë, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 167-168. [52] Parim Kosova, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjatë shekullit XIX-XX (vështrim historik-muzeal) tezë e magjistraturës në dorëshkrim, Prishtinë, 2003, f. 44-45. [53] Parim Kosova, Fakte dhe Prova se si u dogj Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Illyria, March 13 -15, Nyu York, 2001, Volume 11, No. 1019, f. 19. [54] Parim Kosova, Monumentet dhe eksponatet muzeale në kujtesën për Ymer Prizrenin, Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike, Prishtinë, 2002, f. 185. [55] H. Sabri ef. Bajgora, Dëshmi Rrënqethëse të një gjenocidi, Barbaria serbe ndaj Monumenteve Islame në Kosovë (Shkurt ’98 – Qershor ’99) – Serbian Barbarities Against Islamic Monuments in Kosova (February ’98 – June ’99), Prishtinë, 2000, f. 8. [56] Myftiu, Dr. Rexhep Boja, Gjenocidi, kulturocidi dhe urbicidi serb në Kosovë, Barbaria serbe ndaj Monumenteve Islame në Kosovë (Shkurt ’98 – Qershor ’99) – Serbian Barbarities Againts Islamik Monuments in Kosova (February ’98 – June ’99), Prishtinë, 2000, f. 5. [57] Esat Kamberi, Etnokulturocidi në Kosovë – Ethnoculturocid in Kosova, Tetovë, 1999, f. 77.




E Martė, 18 Gusht 2009; 20:52

http://www.aiitc.org/universi/u7-parim%20kosova.html

Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats