Osmanlinjtë e rinj

Me ardhjen në pushtet të Partisë së Drejtësisë dhe të Zhvillimit (AKP) të Rexhep Tajip Erdoganit më 2002, zhvillimi i gjithmbarshëm ekonomik në Turqi mori hov. Ajo tash ka një zhvillim ndër më të shpejtët në botë. Në Turqi, nga dita në ditë po shtohet kampi i besimtarëve kundrejt shekullaristëve. Kjo bie në sy me rastin e zgjedhjeve. AKP në votimin e vitit 2007 doli edhe më e fuqishme përballë rivalëve të saj politikë.
Ajo është vlerësuar nga vendet perëndimore si një parti pro-islame e moderuar, që si prioritet ka reformat në ekonomi, zhvillimin e vendit, zhvillimin e turizmit, luftimin e korrupsionit, ruajtjen e traditës kulturore dhe fetare dhe kultivimin e vlerave të moralitetit, madje edhe në politikë. Pretendimet e saj nuk janë të formojë një qeveri ‘rigjide’ islame, por një qeveri ku do të bëhej një lidhje mes politikës dhe fesë në funksion të zbatimit të një modeli islam turk shekullarist, ku do të bashkëjetonin islami dhe shekullarizmi. Kjo për shkak të natyrës laike të Turqisë kemaliste dhe kundërshtimit të ushtrisë si pararojë e kushtetutës laiciste kemaliste. Madje, ushtria turke disa herë ka kërcënuar se do të ndërhyjë me puç ushtarak dhe se nuk do të lejojë kurrfarë ndryshimesh në dëm të kemalizmit.
Prandaj, AKP nga vendet jomuslimane është parë si një parti, përvoja e së cilës do të mund të aplikohej edhe në vende të tjera të botës arabe dhe islame. SHBA ka preferuar që modeli i qeverisjes së saj të merret si shembull edhe nga lëvizjet e tjera islame në botë.


Orientimi drejt modelit osmanli

Pas zgjedhjeve të fundit, në funksion të sendërtimit të platformës së saj politike, AKP ka filluar një transformim gradual të politikës së brendshme, ku mund të veçojmë qëndrimin e qeverisë në lidhje me mbulesën islame, si dhe një hapje në politikën e jashtme dhe përqendrimin e saj në Lindjen e Mesme, gjë që ka filluar të qartësohet me qëndrimin ndaj sulmit në Gazë.
Analistë dhe vëzhgues të shumtë vlerësojnë se tendencat e orientimit të Turqisë drejt ushtrimit të një islami praktik turk, që do të ishte një lloj i rikthimit të modelit osman, u shfaqën në mënyrë të qartë kur Tajib Erdogan përmendi termin “osmanlinj” gjatë sulmit të Izraelit mbi Gazën. Ai duke i kujtuar çifutëve se ishte Perandoria Osmane ajo që i mbrojti ata pas rënies së sundimit arab në Spanjë, tha se unë jam lider i shtetit që është pasardhës i saj. Me këtë deklaratë, Tajib Erdogan u bë udhëheqësi i parë turk që nga rënia e Hilafetit Islam (Perandoria Osmane) që krenohet me këtë perandori.
Duke iu referuar Pernadorisë Osmane, vlerësohet se Tajib Erdogan dëshiron të shkruajë një orientim të ri politik për vendin e vet duke e lidhur të sotmen e Turqisë me rrënjët e traditës osmane dhe të kthejë lavdinë e mëhershme të saj. Me qindra e mijëra njerëz që dolën dhe e pritën Erdoganin pas braktisjes së Davosit dhe kthimit të tij në Stamboll me parullat dhe brohoritjet e tyre, lajmëruan për këtë orientim të ri të ngjalljes së trashëgimisë së Perandorisë Osmane.
Prandaj, publicistë të shumtë në Turqi dhe në botën islame Tajib Erdoganin kanë filluar ta quajnë lideri i “osmanlinjëve të rinj”, lider i “neo-otomanëve” dhe pasardhës i sulltan Abdul Hamidit.


Veprimi i Erdoganit është mirëpritur anekënd botës islame

Pas një heshtje të gjatë të Qeverisë Turke, ka kohë që njerëzit në Turqi nuk kanë përjetuar një gëzim të tillë, sikurse ndodhi me rastin e braktisjes së forumit të Davosit nga ana e Erdoganit. Masa e flakëruar nga gëzimi, pas mesnate, doli në numër shumë të madh për ta pritur atë, derisa po kthehej në Stamboll. Erdogani u prit nga populli si një hero i vërtetë, si një sulltan dhe një lider i ri i botës.
Me të arritur në Stamboll ai mbajti një konferencë për shtyp dhe përshëndeti njerëzit që e kishin pritur me orë të tëra duke iu drejtuar me këto fjalë: “Të nderuar vëllezër dhe motra, e njoh mirë atë ndjenjë fisnike që iu ka sjellë këtu në këtë kohë. Unë veprova në emër të gjithë juve, që të ruaja nderin njerëzor”.
Pas namazit të xhumasë në Gazë, me qindra mijëra njerëz dolën në rrugë që të shprehin mirënjohjen e tyre ndaj veprimit burrëror të Tajib Erdoganit. Kohëve të fundit, palestinezët kanë filluar t’i emërojnë fëmijët e tyre më emrin Turqi dhe dy fëmijë i kanë emëruar me emrin Tajib Erdogan.
Reagimet e Erdoganit, për krimet e bëra në Gazë nga forcat izraelite, janë mirëpritur anekënd botës islame. Mediat në botën islame vlerësojnë se Tajib Erdogani është burrështetasi që ka turpëruar krimet e Izraelit dhe ka bërë të dështojnë përpjekjet e bëra nga industria e propagandës sioniste për t’i mbuluar krimet e sulmit mbi Gaza.
Për herë të parë që nga rënia e Perandorisë Osmane, Turqia po pritet me kaq entuziazëm nga bota arabe. Muslimanët kanë filluar ta quajnë Erdoganin kryeministër të botës islame. Për të thuren vjersha dhe këndohen këngë. Vlerësohet si udhëheqësi i vetëm që pati guximin dhe e tha të drejtën në prani të të gjithëve.
Analisti i njohur egjiptian Muhammed Hejkel, duke përshëndetur qasjen e Turqisë në çështjet e Lindjes së Mesme, u shpreh duke thënë “i dëshiroj një mijë herë mirëseardhje Turqisë dhe kthimit të saj nga bota arabe dhe islame”. Një politikan irakian, para ca ditësh, në një emision televiziv tha se arabët duhet t’i kërkojnë falje Turqisë, ngaqë gjatë Luftës së Parë Botërore luftuan përkrah britanikëve kundër Perandorisë Osmane.
Kthimi i Turqisë nga bota arabe dhe islame, si rezultat i largpamësisë së Tajib Erdoganit, Abdullah Gylit dhe politologut të madh Ahmed Davutogllu ka ngjallur shpresat tek muslimanët se, më në fund, disa gjëra në të ardhmen do të ndryshojnë pozitivisht.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme