Riformatim demagogjik dhe mistik i imazhit të Skënderbeut

Viti i Ri 2009 në trojet etnike shqiptare ka nisur me veprimtari politiko-diplomatik e dhe ceremoniale- shpirtërore në sfond kombëtar deri në nivelin më të lartë shtetëror.
Në data 8-9 janar kryetari i shtetit i Shqipërisë bëri të parën vizitë zyrtare shtetërore në Kosovën e njohur si shtet i pavarur. Gjatë kësaj vizite nga kryetarët e të dy shteteve shqiptarë u thanë fjalë të këndshme dhe premtuese për një integrim më të madh të shqiptarëve, që janë historikisht bashkëkombës, por politikisht dhe juridikisht mbeten nënshtetas të ndryshëm.
Kjo vizitë shërbeu gjithashtu për të parë edhe një herë se simboli i vërtetë identifikues, përfaqësues e frymëzues i shqiptarëve mbetet flamuri kuq e zi, ai flamur që valëvitej qysh në kohën e Heroit Kombëtar - Skënderbeut. Tashmë edhe monumenti i Heroit Kombëtar qëndron përveç kryeqendrës së principatës së Kastriotëve, Krujës, në kryeqendrat e ndara të trojeve etnike shqiptare dhe në disa qytete të botës. Ai është simboli dhe emblema kombëtare e pranuar pa përjashtim nga të gjithë shqiptarët, si në shtetet e hapësirat e tyre etnike në Ballkan, ashtu dhe në mjediset shqipfolëse e mërgimtare kudo në botë.


Mbrojtja shtetërore e ligjore nuk e lartëson figurën e Heroit Kombëtar

Më 17 janar 2009, në përvjetorin e 541-të të vdekjes së Heroit Kombëtar, kryetari i shtetit i Shqipërisë u vu sërish në krye e në qendër të veprimtarive ceremoniale të rastit, ndonëse nuk ishte fjala për ndonjë jubile. Këto veprimtari ishin më të zbehta se ato që organizoheshin me bujë e madhështi nga udhëheqësit komunistë në vitin 1968, në përvjetorin e 500-të vdekjes së Skënderbeut. Atëherë figura historike dhe legjendare e Skënderbeut riformatohej për të krijuar një simbol të ri për përdorim ideologjik. E veçanta e veprimtarive përkujtimore të vitit 2009 për Skënderbeun është se u përdorën për një tjetër riformatim të figurës së Skënderbeut, për të krijuar një simbolizëm të ri për përdorim demagogjik politik dhe fetar-mistik.
Më 17 janar debati kaloi nga rrafshi akademik e propagandistik në rrafshin e politikës së mirëfilltë shtetërore, pasi vetë kryetari i shtetit të Shqipërisë, me një frymëzim analitik nolian dhe në stil politiko-letrar kadarean, mori përsipër të verë pikat mbi “i” për vlerësimin e figurës së Skënderbeut dhe të vendoste disiplinë shtetërore në debat duke theksuar: “Ai ishte realiteti, modeli dhe simboli i një kauze të shenjtë, i lirisë kundër robërisë. Ai ishte Prijësi i një lufte të drejtë, heroike e mbrojtëse si dhe burri i shtet-formimit.

Efektet e këtij kontributi nuk u zbehën asnjëherë. Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë, apo në historinë e qytetërimit evropian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione; ajo jep leksione. Hipotezat e humbasin terrenin përballë fakteve. Interpretimi kërkon moral të lartë dhe profesionalizë m (gazeta “Republika” e të tjera më 18 janar 2009).
Për ta bërë edhe më të fortë efektin propagandistik të fjalës së kryetarit të shtetit gazetat e datës 18 janar 2009 përdorën tituj sa më tingëllues për njoftimet e tyre mbi këtë veprimtari: “Topi mbron figurën e Skënderbeut” (“Ballkan”); “Ndonjë mendje e robëruar përpiqet të tjetërsojë rolin e Skënderbeut” (“Metropol); “Topi, askush s’mund të tjetërsojë Skënderbeun” ‘(“Standard”); “Topi: xhelozi për Skënderbeun” (“Koha Jonë”); “Presidenti, akuza klaneve që sulmojnë figurën e Skënderbeut” (“Sot”); “Topi: Mjerane përpjekja për çmitizimin e Skënderbeut” (“Gazeta Shqiptare”); “Topi: figura e Skënderbeut, thelbi i vetëdijes kombëtare” (“Republika”); “Skënderbeu një busull e përhershme e shqiptarëve drejt Perëndimit” (“55”). Me tituj të tillë, me citime të pjesëve më pikante nga fjalimi i kryetarit të shtetit dhe me komentet e tyre gazetat sikur donin të krijonin përshtypjen se në kufijtë e Shqipërisë kësaj here kishin dalë taboret e fantazmave të jeniçerëve osmanë për të rrënuar lavdinë e Prijësit të Arbrit, siç grabitën eshtrat e tij para 5 shekujsh (sipas gojëdhënave).
Kryetari i shtetit të Shqipërisë duke bërë rolin e “shigjetapritë sit” për të mbrojtur emrin e Skënderbeut nuk kishte mbajtur parasysh rrezikun se mund të shkiste në “stalinizëm e enverizëm akademik”. Stalini dhe Enveri e kanë pasur praktikë pune t’i linin shkencëtarët të debatonin në fusha të historisë, gjuhësisë e shkenca të tjera shoqërore dhe pastaj ndërhynin në një çast të caktuar për të bërë konkluzionin e për të dhënë verdiktin. Stalini mbahet mend për ndërhyrjen arbitrare në debatin mbi gjuhësinë. Enveri përmendet për ndërhyrjet e tij në debatet historike, veçanërisht për vlerësimin e figurës së Haxhi Qamilit.


Në stil të fuqishëm letrar barletian, naimian, fishtian e kutelian

Nuk ishte nevoja që peshoren në debatet për figurën e Skënderbeut ta merrte kryetari i shtetit. Ai mund të ishte mjaftuar me tri fjalitë e para nga citati që u soll më lart. Por më 17 janar ai u bë pjesë e “disa klaneve” kundër “disa klaneve” në përplasjet e mendimeve lidhur me riformatimet e njëpasnjëshme që i bëhen imazhit të Skënderbeut. Normalisht nuk duhet të gjendet asnjë “mendje e robëruar, e pajisur me guxim regresiv” që të mos pajtohet me tri fjalitë e para të citatit të kryetarit të shtetit të Shqipërisë. Por kuptimin e këtyre fjalëve e dinim edhe më parë, sepse fjalë të tilla janë thënë shumë më herët nga mendje të ndritura shqiptare, me guxim dhe me frymëzim nacionalist shqiptar, në stil të fuqishëm letrar barletian, naimian, fishtian e kutelian.
Edhe në veprat e shumë të diturve dhe mendjendriturve nga jashtë mjediseve shqiptare kemi ndeshur mendime e vlerësime të shkëlqyera për Heroin tonë Kombëtar. “Skënderbeu nuk është thjesht një figurë mbizotëruese në historinë dhe në vetëdijen historike të shqiptarëve, por edhe një figurë me rëndësi parësore në historinë e Evropës së shekullit XV”, ka theksuar dr. Deivid Abulafia në parathënien e librit të Herri Hoxhkinsonit “Skënderbeu” (Londër 1999).
“Qëndresa përballë turqve, një luftë gërryese e pandërprerë, rrethimet dhe betejat madhore të rregullta tani mbeten në historinë e shqiptarëve si lufta e tyre e parë për pavarësinë e vendit, e cila u arrit në fakt në vitin 1912”, ka shkruar profesoresha amerikane Rinaldina Rasell në komentin e saj hyrës për botimin e përkthimit prozaik në gjuhën angleze (viti 2006) të “Skënderbejada” , të autores italiane Margerita Sarroki (1560-1617). Variantin e parë të kësaj poeme napoletanja Margerita Sarroki e botoi në vitin 1606, ndërsa varianti i përpunuar doli në dritë më 1623, pas vdekjes së saj. Në një letër të datës 13 janar 1612 Sarroki i kërkonte Galileut vërejtje si ta ndërtonte më mirë poemën.
Profesoresha amerikane e quan Sarrokin të parën grua që shkroi një poemë historike epike heroike, në vazhdën që kishte nisur Torkuato Taso me “Jeruzalemi i çliruar”,(1571) që në shekullin e XVII ishte imituar në 98 poema të poetëve italianë. Ajo thekson se për të shkruar “Skënderbejadën” autorja italiane ka qenë ndikuar nga “Eneida” e Virgjilit dhe një sërë veprash të ngjashme klasike epike të lashtësisë dhe ka ndjekur rendin e ngjarjeve siç e kishte rrëfyer Barleti.
Të parën nga 23 këngët e “Skënderbejadës” autorja e nis duke imituar “Eneidën” e Virgjilit: “Këndoji, O Muzë, Mbretit të Epirit, trego sa fort qëndroi ai dhe sa trimërisht luftoi kur perandori turk u priu ushtrive skithe, perse e arabe drejt Krujës për të bërë luftë kundër tij. Malet dhe pllajat ishin mbuluar me kufoma; shumë shpirtra shkuan në parajsë, shumë të tjerë në ferr. Otomani barbar dhe ushtarët e tij u therën nga mbreti, të cilit i buzëqeshte bekimi qiellor” (fq. 75). Frymë lufte heroike pa kompromis.
Rinaldina Rasell ka vënë në dukje se në kohën e Sarrokit “ishte e natyrshme që të zgjidhej lufta e Skënderbeut si subjekt i një poeme heroike. Për Kishën Romane (katolike) kërcënimi më i madh ndaj botës së krishterë ishte Perandoria Osmane” (fq.21). Por ajo pa ngurrim sqaron se: “Ajo çka i jep njëtrajtshmëri toni rrëfimit, ajo që i mban shumë të lidhura copëzat e ndryshme të poemës nuk është frymëzimi fetar, por një kuptim i fatit, një ndjesi për një popull të bashkuar në luftë për një çështje të përbashkët... Skënderbeu si Enea është i paracaktuar nga fati për të përmbushur një mision kombëtar tokësor” (fq.39).


“Heronjtë kombëtarë” janë të mbrojtur

Prej shekujsh, pra, është përcaktuar formati i vërtetë i figurës dhe i imazhit të Skënderbeut. Nuk ka nevojë për kurrfarë portretizimesh të reja historike, politike e fetare, për mitizime e misticizëm rreth Skënderbeut. Ka nevojë vetëm të njohim sa më realisht historinë e Skënderbeut luftëtar e burrë shteti, në bazë dokumentesh. Atëherë përse lind vallë gjithë ai shqetësim që vetë kryetari i sotëm i shtetit shqiptar të ndërhyjë me autoritetin e postit të tij për të organizuar “mbrojtjen e Skënderbeut”?! “Heronjtë kombëtarë” janë të mbrojtur qysh kur pranohen si të tillë. Nëse nuk janë pranuar si të tillë asnjë mbrojtje shtetërore, ligjore, policore e ushtarake nuk e mban dot në piedestal. Ramiz Alia e shpalli Enver Hoxhën “burri më i madh i historisë së shqiptarëve”, më lart se Skënderbeu dhe përuroi shtatoren stërmadhe të Enverit pikërisht përballë monumentit të Skënderbeut në qendër të Tiranës. Ku është përmendorja e Enverit sot? Para pak vitesh, më 20 shkurt 1991, atë e hoqën zvarrë njerëzit që nuk e kishin pranuar si “hero kombëtar”. Skënderbeu është aty.


Skënderbeun e nderon imazhi i luftëtarit legjendar, jo i një “murgu manastiri”

Edhe ndaj figurës së Skënderbeut si “Hero kombëtar” janë bërë e bëhen sulme. Ka njëfarë të drejte kur ndjehet i shqetësuar kryetari i sotëm i shtetit të Shqipërisë, sepse bëhen sulme kundër imazhit real të Skënderbeut. Por, a e ka kuptuar mirë vallë kryetari i shtetit tonë se çfarë duhen quajtur “sulme kundër Skënderbeut”; se kush po e shigjeton “Heroin Kombëtar”?
A është vallë kryetari i shtetit plotësisht i qartë se kush po përpiqet ta tjetërsojë figurën reale, legjendare e mitike të deritanishme të Skënderbeut dhe ta riformatojë imazhin e Skënderbeut për pragmatizëm meskin të kohës së sotme? Meqenëse i hyri zahmetit akademik përse kryetari i shtetit nguroi të drejtonte si duhet gishtin mbi “mendjerobëruarit e pajisur me guxim regresiv që bëjnë përpjekje të mjerueshme të tjetërsojnë rolin e Skënderbeut në historinë e shqiptarëve dhe atë të qytetërimit europian”?! Nuk mund të themi se të tillë nuk ka. Po cilët janë ata?
Është plotësisht e vërtetë që realiteti historik jep e nuk pranon leksione, por leksionet nuk i pranon në radhë të parë nga mitologjia e misticizmi. Politika ka nevojë edhe për leksione mitologjike, por jo për gjithfarë mitesh, jo për mistifikime e misticizëm rreth figurës së Skënderbeut.
Profesionalizmi dhe moraliteti që kërkon kryetari i shtetit duhen gjetur tek ata që u falen fakteve, jo klisheve mitike e mistikës. Por me sa po shihet kryetarit të shtetit të Shqipërisë retorika politike në mbrojtje të Skënderbeut, i është dashur për nevojat politike të ditës, për të fashitur ato pakënaqësi që ka shkaktuar me disa dekorime pa vend, me mosdekretimin e ligjit të hapjes së dosjeve. Ceremonia përkujtimore për Skënderbeun u shfrytëzua për të përforcuar atmosferën e vizitës në Kosovë. Edhe në vitin 1968 e veçanta e ceremonive ishte prania në to për herë të parë e përfaqësuesve të shqiptarëve nga Kosova.
Përkujtimi i bëmave të Skënderbeut në vitin 1968 duhej t’i shërbente pushtetit politik shqiptar të Enver Hoxhës për të mobilizuar frymën e krenarinë shqiptare për “luftë si në rrethim në kështjellën e socializmit buzë Adriatikut”, përballë rreziqeve që i vinin nga superfuqitë, tamam si në kohën e Skënderbeut përballë superfuqisë së atëhershme. Në vitin 2009 Skënderbeu u përkujtua më ndryshe, sepse protagonistët e veprimtarive ceremoniale kishin nevojë të përçonin mesazhin politik se parësore për ta mbetet orientimi integrist evropian, se Skënderbeu për shqiptarët mbi të gjitha simbolizon orientimin e tyre drejt Perëndimit në politikë e në jetën shpirtërore. Prandaj pushtetarëve të vitit 2009 u duhej një “riformatim i epopesë skënderbejane” .
Këtë e dëshmoi kremtimi për herë të parë i 17 janarit si “ditë meditimi e lutjesh”. Ishin mbledhur një tabor i madh politikanësh e pushtetarësh shqiptarë, jo vetëm nga Shqipëria londineze, për të përuruar këtë ditë të shënuar (pa shenjtëri) politiko-fetare me një heshtje medituese para monumentit të Skënderbeut, në krah të xhamisë së Et’hem Beut, në qendër të Tiranës, për të vazhduar me një “marshim paqeje” si në mitingje politike të medituesve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e kombit” dhe për të përfunduar me lutjet e rastit në stil më kishtar para monumentit të Nënë Terezës në rrëzë të kodrave jugore të Tiranës.


Me koka të varura mbi gjoks

Prej disa kohësh ishte hedhur ideja që shqiptarët të kishin një “ditë meditimesh e lutjesh”, që në botë zakonisht quhet “një minutë heshtje kushtuar meditimit e lutjeve” dhe mbahet para se të fillojë ndonjë mbledhje. Jeta e shqiptarëve tashmë e tejmbushur me gjithfarë festash zyrtare e ditësh të shënuara politike e apolitike, fetare e antifetare, me kuptim e pa kuptim, ka tani jo një minutë, por një “ditë të katekizmit propagandistik” .
Para monumentit madhështor të Skënderbeut mbi kalë, me shpatë të ngritur triumfalisht jashtë këllefi si në ditë parade pas betejës së fituar, mu në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, politikanët e tubuar qëndronin “meditueshëm”, me koka të varura mbi gjoks, jo sikur ishin para shtatores drithëruese të birit më të vogël të Gjon Kastriotit, që nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte vërvitur shpatën në beteja gjatë gjithë jetës së vet, por sikur të ishin para ndonjë ikone të birit tjetër të Gjonit, që ishte mbyllur e kishte jetuar si murg në manastirin serb të Hilandarit në Malin Atos, afër Selanikut. Një “riformatim” i pahijshëm e zbeh figurën reale e mitike të Skënderbeut, e zbret atë nga kali i betejave të rrepta dhe e vë atë në pozicionin e një eremiti ose murgu pacifist në ndonjë qoshkë mistike, ku njerëzit të shkojnë të kërkojnë ngushëllim për hallet, ose ushqejnë shpresën se kështu u del më lehtë viza për në Evropë!


Në Luginën e Preshevës nuk ka fare Skënderbe

Monumenti i Skënderbeut kur rrugëtoi nga Shqipëria për t’u vendosur në Prishtinë për ironi (apo për shenjë të keqe) mbërriti atje me shpatë të thyer. Autori i shkrimit “Ku ngjajnë dhe ndryshojnë tre Skënderbetë” (gazeta “Ndryshe”, 29 shtator 2007), e ka quajtur këtë monument “politikisht korrekt”, si “Skënderbeu multietnik” i antishqiptarizmit të UNMIK-ut. Ai shkruan se ky monument e ka shpatën ulur “sepse në të kundërtën, shpata e tij e ngritur a nuk do të cilësohej si kërcënim ndaj multietnicitetit?” . Më tej në të njëjtin shkrim lexojmë për “Skënderbeun e tretë”, të vendosur 500 metra larg “Urës së Gurit” në Shkup: “Tepër i vogël, krejt shpatën futur në brez, qëndrimin sikur të ishte kthyer prej një beteje të humbur. Sikur ta kishte nënshkruar marrëveshjen e Ohrit. Skënderbeu që ka luftuar për ruajtjen e sovranitetit të Maqedonisë. Ky i Shkupit është Skënderbe minoritar... Në Luginën e Preshevës nuk ka fare Skënderbe”.
Këto “riformatime” monumentale të Skënderbeut janë gërvishjet më të thella që mund t’i bëhen pikërisht asaj “mitologjisë skënderbegiane” , që disa e mbrojnë me fanatizëm vulgar. Pikërisht këta nuk kanë thënë asgjë për shpërfytyrime të tilla skulpturore të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, ndërsa vënë kujen kur shkruhet për të paraqitur me sa më shumë vërtetësi e saktësi realitetin skënderbegian dhe vlerat e vërteta që ka historia reale e kohës së Skënderbeut për shqiptarët edhe sot (!). Mbrojtësit e çartur të miteve për Skënderbeun duan të riformatojnë edhe simbolizmin e monumentit në qendër të Tiranës.
Në pamundësi për ta hequr (ndonëse ka pasur llafe që dikush edhe për këtë paska menduar dhe prova e parë për të krijuar precedent u bë mandej nga Burreli), ose për t’ia thyer shpatën, apo për t’ia drejtuar asaj tehun nga barku e bishti i kalit si në Prishtinë e Shkup, po përpiqen ta kthejnë vetë monumentin në një vend pelegrinazhi murgjërish politikë për meditime e lutje që të shkojnë mbarë integrimet europiane, multietniciteti në Kosovë dhe “integrimi shqiptaro-sllav” në Maqedoni. Pikërisht këtyre “roformatuesve” mitizues të Skënderbeut duhej t’u drejtohen qortimet për përpjekje mjerane për çmitizimin e Skënderbeut. /

Skënderbeu, hero kombëtar i pakontestueshë m për shqiptarët
Fjalimi në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut është ndoshta fjalimi politik më retorik e më luftarak që kemi dëgjuar deri tani nga kryetari i tanishëm i shtetit. Ai përmban më shumë simbolizma sesa duhet të përftojmë nga imazhi i Skënderbeut për punët e ditëve tona. Ka plot aluzione e qortime për veprimtaritë e sotme në fushën e politikës praktike dhe të mendimit politik. Është njëkohësisht një fjalim ku presidenti mban haptazi anë dhe jep vijën me autoritetin e udhëheqësit të lartë shtetëror edhe në debatet teorike që zhvillohen lidhur me të shkuarën dhe të sotmen e kombit shqiptar, me patriotizmin e antipatriotizmin, me identitetin e dinjitetin shqiptar. Kryetari i shtetit e ka vënë veten në pozitën e mësuesit të rreptë të historisë që i rreh krahët nxënësve që ai i quan të mirë në mësimin e lëndës, sipas tekstit të autorizuar nga shteti dhe u tërheq veshin atyre që guxojnë të thonë diçka edhe jashtë tekstit zyrtar.


Riformatimi mitik e mistik bëhet në kontekst politik

Kryetari i shtetit këmbëngul në përdorimin e postit të tij shtetëror si gjykatore supreme mbi debatet që bëhen midis shqiptarësh e të huajsh për historinë e imazhin e Skënderbeut, duke marrë haptazi rolin e protektorit të lartë pushtetor të mendimit politik, historiografik e intelektual që i prin Ismail Kadareja përballë kontestuesve të këtij mendimi. Është hera e parë, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, që një kryetar shteti vepron në këtë mënyrë që të imponojë një mendim të caktuar në fusha që nuk janë kompetencë e tij pushtetore dhe profesionale.
Retorika presidenciale rreth debateve për figurën e Skënderbeut është shoqëruar edhe me një apoteozë për vendin dhe për rolin e Familjeve të Mëdha në historinë e në jetën e kombit shqiptar. Këtë e pasqyruan më mirë më 18 janar 2009 gazeta ”Standard”, që fjalimin e kryetarit të shtetit e botoi nën titullin “Rrugëtimi ynë nëpër histori kalon përmes dyerve fisnike” dhe gazeta “Tirana Observer” që 5 faqet e saj të para i kishte zënë me specialen historike “Familjet e mëdha në Shqipëri, ja kush janë”. Kështu u krijua shkas për debat tjetër rreth absolutizimit të rolit të familjeve të mëdha. Si në çdo vend familje të caktuara me tradita të shquara, që kanë dhënë ndihmesë të veçantë në përparimin e kombit duhet të nderohen në mënyrë të veçantë. Por koncepti “familje të mëdha” është mjaft i mjegullt. Familjet e mëdha shpërbëhen e zhbëhen dhe “familjet vogla” ngrihen në nivelin e protagonistëve për fatet e përparimin e vendit. Në gjirin e familjeve të mëdha mund të këtë njerëz që i shërbejnë dhe e nderojnë kombin dhe njerëz që e turpërojnë dhe e dëmtojnë kombin. Njerëzit simbol për të dy qasjet vazhdojmë t’i gjejmë tek Kastriotët. Skënderbeu është hero kombëtar për shqiptarët. Nipi i tij Hamzai ende mbetet me damkën e kryetradhtarit kombëtar. Plot familje të mëdha kanë qenë të implikuara në veprimtari antikombëtare, kanë marrë pjesë në shitjen e interesave të Shqipërisë. Edhe sot njerëz që arrijnë të kapin majat e politikës e të pushtetit bëjnë pazare me interesat e Shqipërisë.
Shqipëria nuk ka pasur “fisnikëri të mirëfilltë” si vendet e tjera. Por ka pasur një popull që ka bërë atë që nuk mund ta bënte një fisnikëri e fuqishme e munguar.
Në propagandën e regjimin komunist absolutizohej roli i masës përballë rolit të heroit, roli i popullit para udhëheqësve, roli i vegjëlisë përpara shtresave të larta, ndonëse në praktikën komuniste lulëzonte kulti i individit, kulti i partisë së vetme dhe reklamohej kulti i proletariatit. Kurse “familjet e mëdha” denigroheshin, goditeshin, fajësoheshin edhe për fatkeqësitë që kishte pësuar kombi shqiptar në rrugëtimin historik. Por nuk ka kuptim e dobi të kapërcehet në skajin e kundërt të vlerësimeve, të ngrihet me nostalgji një kult i “familjeve të mëdha” të dikurshme, që nuk luajnë dot më ndonjë rol të veçantë dhe të përhapet kështu një frymë denigruese e fyese për pjesën tjetër të popullit. Jetojmë në kohë moderne dhe vlera e individit, familjes grupimit politik e shoqëror matet me ndihmesat që japin jo me tituj të trashëguar.


Anatemat politike pas botimit të një vepre historiografike

Retorikat presidenciale për figurën e Skënderbeut dhe vendin e “familjeve të mëdha” në shoqërinë shqiptare erdhën pas një fushate propagandistike disamujore, në të cilën janë trazuar në mënyrë të çekuilibruar interesimi e kërshëria me pështjellimin e zemërimin pas botimit në gjuhën shqipe të një vepre të re shkencore kushtuar Skënderbeut. Autor i veprës është një studiues i ri, zvicerani Jens Shmit. Më parë në gjuhën shqipe ishte botuar një vepër tjetër voluminoze e Shmitit, “Shqipëria Venetike”. Të dyja këto vepra janë sjellë në shqip nga i njëjti përkthyes, studiuesi Ardian Klosi. Madje “Skënderbeu” është botuar më parë në shqipe se në gjuhën gjermane në të cilën është shkruar origjinali.
Për “Skënderbeun” e Shmitit deri tani është bërë një promovim në sallën e Muzeut historik kombëtar, pas të cilit filluan debatet publicistike në shtyp, ose u organizuan “tryeza debati” nga ato të rëndomtat e monotonet që janë të shpeshta në ekranet televizive të Tiranës për gjithfarë subjektesh nga një grup pothuajse i njëjtë i llafologëve të ekranit. Ende nuk janë bërë debate të mirëfillta e të shtruara shkencore midis profesionistë ve të fushës përkatëse. Më shumë është folur e shkruar kuturu, ngul e shkul, sipas shijeve, paragjykimeve e pasioneve të njërit e të tjetrit, pa u përqendruar seriozisht në një analizë objektive për të zbuluar vlerat kryesore të veprës së Shmitit, risitë që ajo mund të ketë sjellë në trajtimin e historisë së Skënderbeut, apo në vlerësimin e fakteve të njohura prej kohësh në dritën e dokumenteve të reja.
Në shkrimet e diskutimet e deritanishme frymën më negativiste e nihiliste ndaj punimit të Shmitit e futi me një arrogancë e papërgjegjësi skandaloze shkrimtari Ismail Kadare, që hiqet se është zotëruesi i vetëm i “copyright-it” për hedhur në publik mendime e vlerësime për figurën e Skënderbeut, rolin e tij historik dhe vendin e tij në kujtesën e përditshmërinë politiko-shoqë rore shqiptare. Kadareja duket i etur për “mbrojtje ligjore” të imazhit që ai ka për Skënderbeun, pa e vrarë mendjen se kjo do të ishte një shëmbëlltyrë e shëmtuar e praktikës së dështuar politike të regjimit komunist e të Ramiz Alisë që në vitin 1991 miratuan famëkeqin “Dekret për mbrojtjen e monumenteve e të figurave historike” që të mbanin në këmbë me dhunë ligjore monumentet e figurën e diktatorit Enver Hoxha. Edhe kësaj here nuk kanë nguruar daullexhinjtë e tezave të Kadaresë të bëjnë zhurmë vulgare linçuese kundër veprës së Shmitit dhe gjithë atyre që nuk bashkohen me korin kadarean për të kënduar lavdinë kristiano-europiane të Skënderbeut.
“Skënderbeu” i Shmitit nuk është lexuar ende nga shumë prej atyre njerëzve që kanë marrë përsipër ta qortojnë rëndë atë dhe autorin e tij nga pozitat e “superpatriotizmit shqiptar”. Libri u vu në qarkullim në ditët e panairit të librit, 14-18 Nëntor 2008, në Tiranë. Ato ditë ishte e vështirë të siguroje një kopje në një stendë të vogël ku shitej libri. Mund të shkoje shumë herë tek ajo stendë dhe librin nuk e siguroje dot. Një shitëse të jepte përgjigjen standarte “këtë kopje e kemi sa për ekspozim, por presim të na vijnë kopjet e tjera, se ato që kishim u mbaruan”. Edhe pse mund të shkoje përsëri po atë ditë, të nesërmen e të pasnesërmen të jepej po ajo përgjigje. Ndodhte si në atë shakanë e kohës së komunizmit kur një dyqanxhi kishte varur në derë të shitores tabelën ”sot me pare, nesër pa pare” dhe njerëzit shkonin të nesërmen me shpresë të merrnin diçka gratis, por shitësi u thoshte “lexojeni mirë tabelën jo sot, po nesër do të japim pa pare”.

Mospajtimet me një mitologji nuk janë fyerje

E pyeta një herë atë shitësen e re “mos ju ka trembur Ismail Kadareja me deklaratat kundër atyre që po sulmuakan Skënderbeun që nuk mbanin kopje të librit për shitje?” Ajo deshi të më mbushte mendjen se kanë shitur shumë dhe për këto shitje kishte një listë të tërë. E çuditshme pse duhej bërë ajo listë për librat e shitur!
Pas leximit të mundimshëm të librit të Shmitit “Shqipëria venedike” nuk merret lehtë vendimi për t’i hyrë menjëherë leximit të një libri të dytë voluminoz të këtij autori. Por kjo nuk është arsyeja kryesore që jam vonuar në leximin e tij. Nga komentet e atyre që e kanë lexuar del se në përgjithësi libri shtjellon atë çfarë kemi mësuar më parë, veçse me një mbështetje më të pasur e më të zgjeruar dokumentare dhe me vlerësime më gjakftohta, prej një të huaji të pa trazuar shumë në “pasione shqiptare”. Nuk ka vend për padurim në leximin e librave të të huajve për Skënderbeun, sepse prej kohësh kemi një pamje të qartë se si i ka leverdisur Evropës të shkruajë, të vjershërojë, të këndojë e të pikturojë për heroin e shqiptarëve.


Evropa më shumë na ka mësuar se e kemi mësuar për Skënderbeun

Dihet se shumica e veprave historiografike, poetike, letrare, muzikore për Skënderbeun janë shkruar jashtë Shqipërisë, nga jo shqiptarë. Historiografët e propagandistët shqiptarë u janë referuar kryesisht veprave të tilla për të himnizuar heroin tonë kombëtar. Evropianët e kanë ndjerë më herët se shqiptarët nevojën e shndërrimit të historisë së lavdishme reale të Skënderbeut në legjendë dhe krijimin mbi këtë bazë të miteve rreth figurës së Skënderbeut.
Në vitin 1999 u botua në Londër një vepër historike shkencore, sipas parametrave të kohës, për Skënderbeun, e shkruar disa dekada më parë nga publicisti e studiuesi i mirënjohur anglez Herri Hoxhkinson, për të plotësuar një zbrazëti të gjatë botimesh që ishte krijuar në historiografinë angleze për heroin e shqiptarëve. Në parathënien e librit të Herri Hoxhkinsonit, “Scanderbeg”, Deivid Abulafia e ka përmendur se “Karriera e tij (Skënderbeut) shërben si një kujtesë e kohës se ajo që ndodh në Ballkan lë gjurmë të dukshme edhe në të ardhmen e Evropës perëndimore”(fq. ix, botimi anglisht).
Në bibliotekën time kam një libër, ndoshta i rrallë tani, përderisa nuk figuron as në bibliografinë e librit të Shmitit që titullohet “L’Albania ed il principe Scanderbeg”, i botuar në Torino (Itali) në vitin 1898 dhe i shkruar nga një nënkolonel i ushtrisë italiane, F. Cuniberti. Ai e paraqet Skënderbeun si një strateg ushtarak gjenial, por si një burrë shteti mediokër në punët shtetërore jashtë artit ushtarak. Pra, një shekull para se të botohej libri (“nervngritës” për disa) nga Jens Shmiti në Evropë janë bërë analiza me rreptësi shkencore. Ndër të tjera Kuniberti ka analizuar rolin negativ të klerit katolik shqiptar, kryesisht të Pal Engjëllit, që me porosi të Venedikut e të Papatit të Romës, ndikuan në çastet më kritike për shqiptarët që Skënderbeu të prishte armëpushimin 10-vjeçar të arritur me Sulltan Mehmetin II. Kjo i bëri të pakënaqur disa nga princërit anëtarë të Lidhjes së Lezhës, të cilët dëshironin dhe shpresonin për një periudhë frymëmarrjeje e lehtësimi pas rraskapitjeve në beteja të shumta e të rënda për shqiptarët. Jens Shmiti u ka kushtuar gjithashtu vëmendje telasheve që i sillnin Skënderbeut intrigat diplomatike të shteteve italiane dhe pabesitë që i bënin këta shtete në çastet më të vështira.


Ndikimi i artit

Për të kuptuar se si e ka vështruar me admirim për një kohë të gjatë Evropa figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve vlen shumë “Skënderbejada” e Sarrokit, poema e Longfellout, muzika operistike dhe veprat e artit pamor me motive nga luftërat e Skënderbeut. Ishte koha kur si subjektet e krijimtarisë artistike nxirreshin nga ndërthurja e besueshmërisë historike me mrekullitë e krishtera.
Është e kuptueshme që në këtë frymë e kishte shkruar më parë historinë e bëmave të Skënderbeut edhe humanisti shqiptar Marin Barleti. Në këtë frymë vjershëroi më vonë poeti i Rilindjes kombëtare shqiptare Naim Frashëri për historinë e Skënderbeut. Është përsëri e kuptueshme që me të tilla frymëzime të shkruheshin romanet “Kapiteni i jeniçerëve”, “I fundit i kastriotëve”, poema e Perliçevit mbi Skënderbeun. Është më pak e kuptueshme që në ditët tona me kësi frymëzimesh të trillohet një “roman pasmodern” si ai i shkrimtarit maqedonas Dragi Mihajllovski “Skënderbeu im”, që ndryshe nga libri i Shmitit paska entuziazmuar “Gazetën Shqiptare” (6 janar 2009).
Është e pakonceptueshme që të presësh nga historianët sot të shkruajnë vetëm në këtë frymë, apo me frymëzime të tilla dhe të anatemosh Jens Shmitin pse nuk ka ruajtur frymën e “Skënderbejadës” së Sarrokit edhe pas disa shekujsh, apo pse nuk ka imituar Marin Barletin, veprën e të cilit në fakt Shmiti e vlerëson shumë dhe e cilëson si bazë për studime skënderbegiane. Por Shmiti si njeri i shkencës, jo i artit apo i historiografisë romantike, ka si pikësynim të pasqyrojë me objektivitet realitetin e kohës e të bëmave të Skënderbeut, jo të ripërtërijë “Imazhin barletian të Skënderbeut që të kujton shumë atë të oratorëve të lashtë grekë kur nxisnin athinasit t’u bënin qëndresë pushtuesve persë që vërshonin në tokat e tyre” (Dr. Deivid Abulafia në parathënien e librit të Hoxhkinsonit, fq. x).


Realiteti i provuar është më i besueshëm se mitologjia

Ishte pa vend që të kurdisej një “debat për debat” (ndoshta më shumë për reklamë komerciale) në emisionin “Opinion” të TV “Klan” rreth pyetjes “Skënderbeu, realitet apo mit?”. Dihet pa bërë kurrfarë debati se Skënderbeu dhe bëmat e tij janë realitet e jo mit, se Skënderbeu e bashkëluftëtarë t e tij lanë si trashëgimi realitetin heroik dhe të hidhur njëkohësisht për pasardhësit e tyre. Kurse legjendat dhe mitin për këtë realitet e krijuan të tjerët më vonë. Madje krijohen edhe (anti)mite të reja për nevoja politike të ditës.
Prandaj mund të quhen të nxituara dhe të tepruara shpërthimet kundër veprës së Shmitit që prej disa muajsh i kemi vërejtur në shumë shkrime si: “Përse sulmohet Heroi ynë Kombëtar – Skënderbeu?” (“Tirana Observer”,19 nëntor 2008); “Historia, tekstet shkollore, Skënderbeu”, (“Shekulli”, 18 nëntor 2008); “Skënderbeu, ky titan”, ( “Standard”, 15 nëntor 2008); “Kadare: Pseudo-intelektualë t po çmitizojnë figurën e Skënderbeut” (“Ballkan”, 18 nëntor 2008); “Kadare: sulmet ndaj Skënderbeut janë të turpshme”( “55”, 18 nëntor 2008); “Pse po ringjallen Ballabanët?” ( “55”, 18 nëntor 2008); “Albanologu i rremë i Skënderbeut”(“Tirana Observer”, 24 dhjetor 2008); “Kush fshihet pas simbolikës perëndimore” ( “Sot”, 29 nëntor 2008); “Kush guxon të hedhë baltë mbi Skënderbeun? Lajthitje intelektuale ose injorancë me diplomë” (në disa numra të “55” në muajin dhjetor 2008); “Kaposhët qark Skënderbeut për ta zbritur nga kali” ( “Ndryshe”, 12 dhjetor 2008); “Gabimet e Shmitit në një libër të ri” (“Milosao”, 28 dhjetor 2008); “Skënderbeu, vija ndarëse midis shqiptarëve dhe antishqiptarë ve” dhe “Berisha: sulmet kundër Skënderbeut, donkishoteske” (“Sot”, 30 dhjetor 2008); “Si mund të shpifet gjer te Skënderbeu?” (“Sot”, 8-9 janar 2009) etj.


Kadareja, flamurtari i propagandës “mito-skënderbegiane”

Në këta shkrime spikat një frymë inatçore dhe shpesh diletante në trajtimin e problemit me qëllim për të denigruar veprën e studiuesit zviceran dhe për të krijuar një (anti)mit të ri shumë negativ, atë të “shpifjes për heroin kombëtar të shqiptarëve”, që gjen ithtarë tek njerëz të paformuar, ose tek dallkaukë të cilët çirren për lavdinë e Skënderbeut, por vetë predikojnë e veprojnë në rrethanat e sotme të kundërtën e asaj që bënte Skënderbeu në kohën e tij. Ismail Kadareja, flamurtari i kësaj propagande “mito-skënderbegiane” në një numër intervistash, deklaratash publike e shkrimesh të tjera jo vetëm ka shpërfytyruar më keq se gjithkush natyrën e debatit që u ngjall pas librit të Shmitit, por edhe shpif pa turp kundër atyre që kanë pikëpamje shkencore të përpunuara mirë që nuk përputhen me deklarata amatoreske propagandistike të Kadaresë.
Kadareja dhe ithtarët më të zellshëm të tij nga njëra anë hiqen superatdhetarë , duke glorifikuar rezistencën e dëshpëruar antiosmane pa shpresa në fitoret që bëri Skënderbeu kundër osmanëve (Rinaldina Rasell ka shkruar: “Qysh para vdekjes së Skënderbeut lufta e tij kishte marrë kthesën drejt më të keqes” fq.24) dhe nga ana tjetër u predikojnë shqiptarëve sot të heqin dorë nga çdo qëndrim nacionalist dhe të varin shpresat vetëm tek përulja para fqinjëve jomiqësorë e të dëshmojnë dëgjueshmëri pa kufi para Evropës.
Janë botuar edhe shkrime që tregojnë se ndonjë nga ata që i turret Shmitit sot, dikur nuk ka qenë kaq i përkushtuar ndaj seriozitetit shkencor, kur shtrohej problemi i plotësimit të studimeve skënderbegiane në Shqipëri (shih “Pse ankohej profesor Jup Kastrati” në “Ndryshe”, 27 dhjetor 2008), “Nga Skënderbeu mitik në atë historik” (“Shekulli” 18 janar 2009).
Autori i këtij shkrimit të fundit përmend dy vlera kryesore të librit: 1- ndriçon një periudhë të Mesjetës së vonë, për të cilën ne kemi pak njohuri; 2- zhvesh nga mbulesa e trashë e mitit një personazh si Skënderbeu, duke e vendosur atë në sfondin e vet të kohës. Autori mendon se reagimet kryesore kundër librit “tregojnë për një nivel shumë të ulët intelektual / akademik, ku mbizotëron një agresivitet nacionalist vulgar...”. Disa nga ata që kanë reaguar negativisht ndaj librit të Shmitit kanë shfaqur vërtet nivel të ulët intelektual / akademik. Por, reagimet në përgjithësi nuk kanë ardhur nga pozitat e agresiviteti nacionalist, të përpunuar apo vulgar, pavarësisht se reaguesit hiqen sikur nuk duruakan dot fyerjet e rënda (imagjinare) ndaj dinjitetit të shqiptarëve. Mospajtimet me një mitologji për hir të fakteve historike nuk mund të cilësohen fyerje ndaj dinjitetit të mbështetësve të kësaj mitologjie. /

Skënderbeu mes mitologjisë dhe realitetit
Në themel të reagimeve kundër librit të Shmitit qëndron mllefi i atyre që nuk kanë si ta përdorin lirshëm librin që të riformatojnë imazhin dhe vlerat e luftërave të Skënderbeut në përputhje me tezat se shqiptarët duhet të kenë tani vetëm dy përparësi politike e mendimore: lidhjet e ngushta vetëm me botën perëndimore dhe konvertimin e myslimanëve shqiptarë në katolikë. Madje këtë nuk arrijnë ta bëjnë as me mitet e krijuara për Nënë Terezën si shenjtore e tyre që i fton vetëm drejt katolicizmit perëndimor.
Pikërisht më 17 janar 2009 kur ishin në kulm meditimet para shtatores së Skënderbeut e lutjet para përmendores së Nënë Terezës kryeministrit të Shqipërisë i vinte një mesazh nga kryeministri i Indisë me urimin që të forcoheshin edhe më shumë lidhjet shqiptaro-indiane. Në mesazhin e tij kryeministrit i Indisë Manmoham Sing ka i është referuar edhe Nënë Terezës së etnisë shqiptare dhe të shtetësisë indiane duke e quajtur atë edhe “simbol i forcimit të këtyre lidhjeve”. Pra emri i Nënë Terezës po u hyn më shumë në punë shqiptarëve për t’i lidhur me Lindjen budiste se me Perëndimin e krishterë. Deri tani nga asnjë kryeministër perëndimor nuk kemi dëgjuar një vlerësim të tillë për Nënë Terezën.


Në vlerësimin e Skënderbeut të jemi fishtianë, jo kadareanë

Një ndihmesë e veçantë për të kuptuar natyrën e debatit të tanishëm është ribotimi në “Standard” në data 17-19 dhjetor 2008 i shkrimit të klerikut katolik Marin Sirdani “Për çfarë fajësohet Skënderbeu?”, i botuar fillimisht në “Hylli i Dritës” në vitin 1938 . Redaksia e gazetës në komentin e saj paraprak e lajmëron lexuesin se “Shumë nga ato që përbëjnë debatin mbi figurën e Skënderbeut janë të stërthëna”. Pra, nuk është botimi i librit të Jens Shmitit ai “mëkati i parë” që “mito-skënderbegianë t” të ngrihen me kaq furi në mbrojtje të “mitologjisë skënderbegase” .
Kjo fushatë e “mito-skënderbegianë ve” nuk bëhet se po sulmohet “mitologjia e heroizmit kombëtar shqiptar”, por sepse frymëzuesit e saj politikë, ideorë e fetarë duan të ngulisin tek shqiptarët dy (anti)mite të rinj :1- të Skëndrebeut si luftëtar i palëkundur për lidhjen e shqiptarëve me katolicizmin papnor 2- të Skëndrebeut si pararendësi i europianizmit dhe ndarjes së shqiptarëve me Lindjen e integrimin e tyre vetëm në Perëndim. Pra, janë më shumë tundimet politike se ato shkencore që nxisin mallkimet kundër librit të Shmitit. Në këtë atmosferë propagandistike lindi dhe ideja që dita e vdekjes së Skënderbeut të shpallet “ ditë lutjesh e meditimesh” për shqiptarët. Kështu mitologjisë rreth Skënderbeut i hidhet dhe një vello e natyrës fetare që ta mbajnë njerëzit e të gjithë besimeve në Shqipëri. Është jashtë realitetit të hershëm e të sotëm që Skënderbeu të paraqitet si simbol i njëfetarizmit (të maskuar), si pararendës i europianizmit dhe i integrimit evropian, si paralajmërues i nënëterezizmit mëshirmadh kristian të shekullit XX, siç u pëlqen “marshuesvet të paqes” më 17 janar 2009.
Jens Shmiti ka reaguar me interpretime e shpjegime te matura ndaj keqdashjeve të shprehura kundër tij në disa intervista: “I vetmi renegat fisnik që i ktheu shpinën Sulltanit” (në “Shekulli”, 11 nëntor 2008); “Skënderbeu në dokumente të panjohura” (në “Shqip”, 10 nëntor 2008); “Një hero me shembullin e Enver Hoxhës”, (në “Shekulli”,11 nëntor 2008); “Skënderbeu, vullneti i tij rrënoi shqiptarët”( në “MAPO”, 15 nëntor 2008).
Ka pasur edhe shkrime që kanë ndihmuar të vihet njëfarë rregulli në këtë fushatë, të krijohet një ekuilibër më i mirë midis të vërtetave e spekulimeve, të ftohet pakëz lava e histerizmit kundër librit të Shmitit dhe të ulet inati i atyre që hidhen si të tërbuar nga keqkuptimi se shqiptarëve po ua fyejnë e po ua poshtërojnë heroin e tyre kombëtar
Nga rregulli i ndjekur deri tani për pranimin me kënaqësi të literaturës perëndimore mitizuese për Skënderbeun nuk mund të bëhet përjashtim tani vetëm pse vepra e Jens Shmitit i kushtohet kryesisht pasqyrimit të realitetit skenderbegian e jo mitologjisë skënderbegiane. Nuk mund të shpallet a priori si herezi antishqiptare një punim i ri mbi historinë e Skënderbeut, që sipas një mendimi ende nën zë të disa specialistëve të historiografisë është shumë i dokumentuar edhe pse nuk sjell risi përmbytëse në studimet për Skënderbeun.


Ideali i Skënderbeut, liria dhe pavarësia e Shqipërisë

Në këtë shkrim nuk synoj të bëj një recension të librit, sepse nuk është fusha ime të bëj recensione veprash profesionale historiografike. Por në debatet e për vendin e rolin e Skënderbeut në historinë shqiptare, për modelin e prijësit ushtarak e politik që jep figura e Skënderbeut në ditët tona, për vlerësimet që duhet të kemi sot për epokën skënderbegiane nga këndvështrimi politologjik jam i përfshirë prej vitesh edhe unë. Krahas politologut Hysamedin Feraj e bashkëpunëtorëve të tjerë të”Rimëkëmbjes”, kam bërë polemika të ashpra me rrymën katolikocentriste që Skënderbeun do ta imponojë vetëm si figurë të Krishterizmit, vetëm në rolin e Atletit të Krishtit.
Kemi mbrojtur pikëpamjen se figura e Skënderbeut duhet kuptuar, vlerësuar e lartësuar si e Heroit kombëtar të shqiptarëve në luftën për liri, për gjuhën e vendin e vet, për “atdhe dhe fe”, për nderin e krenarinë e familjes, ashtu siç e ka përshkruar edhe Atë Gjergj Fishta kur shkruante më 19 Kallnur (janar) 1917: “Kangt e poetve legjendat e rapsodit e popullit e çfaqin Skanderbegun vetem si nji fatos fejet; por para synit t’historjakut e t’vrojtarit t’paanshem Skanderbegu asht fatosi i liris e i pavarsis s’komeve, tuj kenë qi dishiri i liris kje aj, qi ma s’parit e shtyni at burrë t’permendun me rrokë armet për Shqypni. Skanderbegu me at trimni e rreptsi me t’ cilen luftoj kundra turqve, qi ishin mysliman, luftoj edhe kundra venedikasve qi ishin t’kshtenë. Prandej t’gjith shqyptarët e vertetë, pa ndërlikim partiet e besimit, do ta nderojnë Skanderbegun si nji fatos t’komit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punët e tij. Skanderbegu asht ideali i liris e i pavarsis s’Shqypnis” ( Gjergj Fishta, “Përndritje”, Lajmtari 2000, fq. 60).
Atë Gjergj Fishta kur ka shkruar kështu ka qenë në dijeni të fakteve historike se “Sukseset e Skënderbeut ngjallnin intersim të madh tek Papët, por orvatjet e tyre për të organizuar kryqzatë kundër osmanëve dështonin çdo herë për shkak të problemeve brenda kishës dhe interesimit të vakët të princërve europianë që më shumë ngatërroheshin mdis tyre”. Fishta e ka ditur më mirë se gjithkush se “Papa Eugjeni IV (1431-47) u mundua më kot të nxiste europianët për veprim, se Nikolla V (1447-55) e emërtoi Skënderbeun “Kampion i Krishtërimit”, Kalisti III (1455-58) e bëri atë ”Kryekapedan i Selisë së Shenjtë’, Piu II vdiq më 1464 pa e nisur kryqzatën nga Ankona dhe Pali II (1464-71) i dha luftëtarit shqiptar një titull të ri pa dobi “Atlet i Krishtit”( Rinaldina Rasell në “Skënderbejada” fq. 23). Megjithatë Fishta ngulte këmbë që Skënderbeut t’i njihet vetëm titulli “Fatos për lirinë e popullit”.


Një libër që thyen tabutë...?

Pra libri i Shmitit është bërë “mollë sherri” në shumë drejtime e midis shumë personash. Këtij sherri i bëjnë hyzmet dhe historiografë “anti-Shmit”, të lënduar në ndjesitë e tyre politike ose në sedrën e tyre profesionale, pasi për një jetë të tërë janë vërdallisur rreth një figure të Skënderbeut, e cila nuk pasqyrohet plotësisht ashtu si duan ata në librin e Shmitit. Këta historiografë ose intelektualë publicistë e kanë të zorshme tani të njihen qetësisht me një portret të Skënderbeut, të bërë në bazë dokumentesh historike, jo në bazë mitesh e legjendash, që ndryshon disi nga ai portreti me shumë stisje zbukuruese për spekulime, vërtetësinë e duhur historike, jashtë gjykimeve të shëndosha politologjike.
Në debatin e tanishëm më qartë, më saktë, më bindshëm, me gjakftohtësi ka folur përkthyesi i librit Ardian Klosi, në intervistën dhënë “Gazetës Shqiptare” më 17 nëntor 2008. Ardianit i binte barra ta bënte këtë për respekt ndaj autorit Shmit, për të mos lënë inatçorët të silleshin pa fisnikëri ndaj Shmitit, për të mos lënë në huti lexuesit shqiptarë të librit. Por mbrojtja më e mirë e veprës së Shmitit do të jetë vepra vetë.

Skënderbeu nuk ka duruar dhimbjen dhe turpin e privimit nga trashëgimia
Tani për tani mjafton të mbetemi tek vlerësimi që ka bërë Ardian Klosi se Shmiti e ka lartësuar e pastruar figurën e Heroit kombëtar të shqiptarëve, nuk e ka fyer apo përlyer duke e sjellë atë në përmasat e njerëzores, më larg mitologjikes. Madje Shmiti ka bërë pikërisht atë që kërkojnë politikat e intelektualët integristë evropianë të Shqipërisë, ka qëndruar më afër idesë që e paraqet Skënderbeun si integrist euro-perëndimor shqiptar qysh në mesjetë.
Tërbimi i Kadaresë shpërtheu vrullshëm sidomos në bisedën e tij para një grupi adhuruesish në qytetin e tij të lindjes, në Gjirokastër. Kadareja i fryu në maksimum bulçitë dhe u prish tej mase në çehre për t’u rënë borive të alarmit se po sulmohej e fyhej rëndë Heroi kombëtar i shqiptarëve dhe shqiptarët po qëndronin të mpirë, po e tregonin veten komb pa dinjitet që nuk di të vlerësojë, as nuk e do lirinë. Kadareja i përbuzi shqiptarët duke recituar fjalët poetike krijuar në kontekst tjetër: “skllevër e bij skllevërish që liri nuk doni”. Ishte një shpërthim i paparë i tërbimit vetëm se në veprën e Shmitit janë sjellë prova e dokumente historike, që nuk i shkojnë për shtat propagandës 20-vjeçare të Kadaresë se Skënderbeu ishte prijësi për bashkimin e shqiptarëve me mbretërinë e Papës e të katolicizmit dhe prandaj shqiptarët e sotëm duhet të kthehen tek koha e Skënderbeut, të bëhen katolikë e të armiqësohen me çdo gjë lindore. Libri i Shmitit sjell prova historike se këto që ka thënë Kadareja janë gjepura. Edhe vetë Kadareja në një rast është rrëfyer se ka gabuar që ka kërkuar konvertim të shqiptarëve myslimanë në katolikë. Por, përsëri atje i rri mendja.


Inatçi ndaj zbulimit arkivor se Skënderbeu ka luftuar për babën, jo për Papën

Ka edhe studiues të historisë e intelektualë të tjerë që nuk ia falin dot Shmitit që në Arkivin e Milanos ka gjetur një dokument ku raportohet se ambasadorët papnorë kishin vënë në dijeni Papën se Skënderbeu luftën kundër Perandorisë Osmane nuk e kishte nisur i shtyrë nga përdëllimi për Krishterimin, por ngaqë Sulltani në kundërshtim me premtimet e bëra ia kishte vrarë babën. Ky zbulim i Shmitit nuk duket dhe aq zbulim i madh. Në librat shkollorë, edhe në filmin shqiptaro-sovjetik, kemi mësuar se Skënderbeu kur ishte pranë Sulltanit u zemërua shumë se pas vdekjes së babait Sulltani nuk po ia kthente principatën. Në librin me korrespondenca të Skënderbeut ka mjaft materiale që tregojnë se ky nuk kishte ndonjë dashuri të madhe e besim të veçantë tek Papa.
Disa thonë se ka bërë gabim Shmiti që u ka dhënë kaq rëndësi këtyre raporteve ambasadoriale, sepse raportime të tilla nuk janë gjithmonë të sakta. Me këtë logjikë mund të zhvleftësohen shumë lloje dokumentesh. Zemërimin për “zbulimin” e Shmitit më shumë e motivojnë me arsyetimin se është fyese për Heroin tonë të paraqitet ai si njeri që nuk ka pasur në zemër atdheun e fenë etj. etj. Këto janë gjepura. Më me vend është interpretimi se me këtë zbulim Shmiti e ka nderuar Skënderbeun, sepse ka sjellë një provë të re se Skënderbeu ka vepruar vërtet me mendësi e shpirt arbnor (shqiptar). Edhe kur logjika e zhvillimeve në Ballkan e në Evropë, si dhe raporti i forcave me Perandorinë Osmane, të vetmen superfuqi të atëhershme i diktonin Skënderbeut të mos hynte në luftë, ai nuk ka duruar dot dhimbjen dhe turpin nga vrasja e babait, ose nga privimi nga trashëgimia e babait. Për të bërë një luftë të pabarabartë, që e di qysh në nisje se nuk e fiton dot dhe do të të kushtojë shumë shtrenjtë duhej një karakter i veçantë, një motiv specifik. Shmiti e zbulon më saktë figurën e Skënderbeut që në sytë e arbnorëve të atëhershëm nuk duronte dot turpin, dhe ata për këtë i shkuan pas.


Skënderbeu më shumë luftoi për hir të babës se të Papës

Por, inatçinjtë e sotëm ndaj librit të Shmitit kanë propaganduar gjatë se Skënderbeu, edhe pse e shihte se po i binte me kokë një muri të tmerrshëm si Perandoria Osmane, e bënte këtë luftë të humbur për hir të Papës e të Krishterimit. Këta duan të bindin shqiptarët se Skënderbeu më shumë luftoi për hir të Papës se të babës, kurse Shmiti na vërteton se ai paska luftuar për hir të babës e jo të Papës.
Inatin disa e shprehin me akuzat se Shmiti po na lë pa simbolikë kombëtare. Në fakt ai e qëron simbolikën kombëtare shqiptare nga amabalazhe të panevojshëm, nga lulka me shije të keqe.
Disa turfullojnë se libra si i Shmitit synojnë të zhbëjnë emblemën kombëtare shqiptare duke njollosur njërin nga treshja e kësaj embleme Skënderbeu-Nënë Tereza-Kadareja, që e ndërton rryma katolikocentriste për të mbështetur ëndrrën e saj të rikonkuistës katolike tek shqiptarët. Kjo rrymë do të imponojë si emblemë kombëtare një “trini të shenjtë” personalitetesh mbi bazë të katolicizmit: Skënderbeu si luftëtar për Papën, jo për babën; Nënë Terezën si të vetmin burim shpirtëror për shqiptarët dhe Kadarenë si të vetmin frymëzues kulturor për konvertimin në katolicizëm. Pikërisht në funksion të kësaj skeme u përdorën edhe veprimtaritë përkujtimore për Skënderbeun më 17 janar 2009. Heshtja medituese u mbajt para monumentit të Skënderbeut në sheshin me emrin e tij, pa u marrë vesh nëse të heshturit meditonin më shumë për Skënderbeun si “Hero i Kombit” shqiptar, apo si “Atlet i Krishtit”.
Procesioni politiko-fetarist vazhdoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Përshpirtjet e lutjet u bënë para shtatores së Nënë Terezës, ku nuk mund të pranohen e të z&eu

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme