HARRESA, ALBIN KURTI DHE PAVARËSIA E KUSHTËZUAR

Të gjithë okupatorët e Kosovës janë thirrë në institucionet që ata i kanë krijuar. Sot “institucionalistët” e Kosovës janë të vetokupuar nga mendësia, logjika dhe filozofia e padronëve të tyre të deridjeshëm serbosllav.

Kjo u vërejtë gjatë interpalancës së Ministrit të Punëve të Brendshme në Parlamentin e Kosovës, i cili me një demagogji të llojit të veçantë mundohej ta fshehë krimin e policëve rumunë dhe policëve të SHPK-së. Andaj, me të drejtë mund të konstatohet se kjo ministri me marrjen e jetërave të qytetarëve dëshmoi se është trashëgimi e okupatorit serbo-jugosllav. Identik me qëndrimet e dikurshme të Rankoviqit, Shoshit, Dollancit, Sefedinit, Maliqit e Morinës ishte edhe Ministria aktuale e Policisë së Kosovës. Ndërsa, disa parlamentarëve po të mos u shihet surrati, fjalori i tyre nuk dallon fare nga Sinan Hasani, Ali Shukria, Kolë Shiroka, Azem Vllasi e Rrahman Morina. Derisa këta flisnin në emër të komunizmit dhe bashkim – vëllazërimit epigonët e tyre sot në Parlamentin e Kosovës e kanë plot gojën pavarësi, të drejtë universale, demokraci, patriotizëm, e në anën tjetër janë servilë të përbetuar me teorinë “çfarë thonë të tjerët, ashtu duhet të bëjmë”.

Po të mos ishte harresa, kjo sëmundje kolektive, me siguri do na çoheshin të vjellurat kur Melihate Termkolli sot flet për pavarësinë e Kosovës, ndërsa dje si deputete e përbetuar komuniste në kohën e Millosheviqit ngriti dy duart dhe dy këmbët për suprimimin e Autonomisë së Kosovës më 1989. Sot po e njëjta është hiç më pak se Ministër në Qeverinë e Kosovës së Varur Jo Demokratike dhe Multietnike e gadi aspak shqiptare . Kjo dhe shumë si kjo nga i njëjti kazan jepnin ide aktiveve politike të Lidhjes Komuniste Jugosllave se si duhet luftuar nacionalizmin, irredentizmin dhe separatizmin shqiptar, dhe këto ide anti njerëzore i hymnizonin madje edhe në poezi.

Po të mos ishte harresa kjo sëmundje kolektive, në një shoqëri normale do emëroheshin në pozita qeverisëse njerëz normal. Tri shtyllat e shëndetit të një shoqërie: shëndetësia, arsimi dhe kultura, në Kosovë janë të sulmuara nga një zezonë më e rrezikshme se cunami. E sidomos kultura ku në krye të së cilës është njëfarë Astrit Haraqija i cili bën jo vetëm kulturën por edhe politikën sepse është shok me Marko Millosheviqin e Kosovës, alias Ukë Rugovën. Ky profiter në mes politikës së Lidhjes Demokratike të Dacit dhe Lidhjes Demokratike të Kacit luan lojën e pozicionimit të vetë vetes, sepse shoqëria në përgjithësi dhe mekanizmi institucional në veçanti janë të gllabëruar nga fundërrinat anti shqiptare. Ky matrapaz në emër të kulturës së Kosovës merret me Hamame, Hamamet janë banjo publike turke, që në Kosovë i ngritën pushtuesit otoman. Ky ashik i hamameve pretendon me restaurimin e hamameve ta bëj Kosovën një hamam të madh.

Ky degjenerues i kulturës, i jep luks vetes ta provokoj shkrimtarin, humanistin dhe disidentin më të madh shaqiptar Adem Demaçin me qëllim që të jetë aktual në skenën e hamamxhinjëve që përfaqëson. Po ashtu kjo pjellë hamami i jep vetes të drejtë të dyshoj në Albin Kurtin, i cili për këtë pjellë hamami është koncept me të gjitha virtytet e një luani që nuk merret me mijtë e hamameve, e që fatkeqësisht këta minjë të hamameve bëjnë politikën “transparente” në Kosovën iniferente.

Po të mos ishte harresa, kjo sëmundje e madhe e përgjithshme e Kosovës, këta deputetë jo se nuk do të kishin ulëse në parlament por do të ishin të injoruar edhe në lagjen ku jetojnë. Por ja, harresa e shqiptarëve e studiuar mirë nga okupatori serb e posaçërisht Millosheviqi, na bëri të gjithëve të barabartë. Sot sherbëtorin e okupatorit e ke në polici, sot sherbëtorin e okupatorit e ke në parlament, sot sherbëtorin e okupatorit e ke në gjyqësi, sot sherbëtorin e okupatorit e ke në qeveri. Sot atdhetarin e ke në burg.

Hiç më larg se më 29 Mars të këtij viti QIK-u lëshoi një deklaratë të Ministrit të Drejtësisë Jonuz Salihaj i cili në mes tjerash thotë se: “Albin Kurti po trajtohet në burg si të gjithë të gjithë të burgosurit e tjerë”. Nëse ka pak logjikë ose ndërgjegjegje nuk do e thoshte këtë gënjeshtër Ministri i Anti Drejtësisë, sepse Albin Kurti është sot i vetmi peng i ndërgjegjes në europën e qytetëruar, nëse mund të quhet Kosovastani pjesë e Europës. Pra Ministër i Drejtësisë kuptoje se Albin Kurti është i burgosur politik, peng i pa aftësisë tënde, peng i pa aftësisë së Qeverisë, peng i pa aftësisisë së grupit të “Unitetit”. Këtë e dëshmon ti në vazhdim të deklaratës të dhënë në QIK më 29 mars 2007; “Vendimi për mbajtjen e Kurtit në burg i takon organeve gjyqësore, ndërsa Ministria e Drejtësisë po përkujdeset vetëm për trajtimin e tij në burg”. Këtë delirium nuk di si ta quaj, më duket pak ti them injorancë e ta quaj idiotizëm më duket se po nënçmoj idiotët. Me sa di organet gjyqësore janë në kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë, përveç në Kosovë ku gjyqësori është në duar të fantazmave ndërsa Ministria e Drejtësisë merret me trajtime, dmth. merret me letra toaleti, pastë për dhëmbë, konzerva me emblemën shtetërore për të burgosur. Ministria e Drejtësisë, sipas Ministrit të Drejtësisë nuk merret me drejtësinë por merret me shërbimet ndaj atyre që jo drejtësia i privon nga liria. Që ironia të jetë më e madhe ta lexojmë mëtutje Ministrin e Drejtësisë; “kërkesat e Kurtit janë në kundërshtim me rregullat e burgut dhe se nuk mund të bëhen përjashtime për të”. Nëse Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin bëri protestë për mos përdorimin e produkteve të Serbisë, (protestë kjo që e shqetësoi edhe Kryetarin e Serbisë Tadiqin), dhe e bëri këtë për të vetëdijësuar të thuash edhe establishmentin “institucional” të Kosovës, tani në burg kërkesa e Albin Kurtit që të mos i jepet ushqim me emblemën Made in Srbija qenka në kundërshtim me rregullat e burgut?! Dhe për të shpërlarë tërë këtë të pa larë Ministri i Drejtësisë jep sihariqin se, “do të angazhohet që Kurti të mos ketë produkte të Serbisë dhe të trajtohet në mënyrë pak më të veçantë se të tjerët”.

Harresës, kësaj sëmundje të madhe të Kosovës po mundohet me tërë forcën morale e kombëtare tia kthej vetëdijen Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti. Me të drejtë Hidajet Hyseni tha në Parlament se Albini është sot simbol i lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës dhe është ndër djemtë më të mirë që ka pasë ndonjëherë Kosova. Tek Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje mbizotëron Kujtesa Kombëtare, Kujtesa Emocionale, Kujtesa Historike dhe mbi të gjitha Kujtesa Morale ndaj shoqërisë dhe kombit.

Kaloi 3 prilli 2007, dita historike në Këshillin e Sigurimit kur Kosova do pranohet Shtet i Pavarur dhe Sovran, (pak i kushtëzuar por ska gajle). Nuk u pranua Pavarësia e Kushtëzuar e Kosovës. Madje Kryetarit Fatmir Sejdiu iu ndalua edhe paraqitja para Këshillit të Sigurimit. Ia ndaloi Kryeministri i Serbisë Koshtunica, ai i cili e injoroi që në fillim Ahtisaarin dhe Pakon e tij për Kosovën. Madje e injoroi, e përbuzi para Pesëshes së Madhe edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Ku janë tani trumpetuesit e Pavarësisë në Pako për Kosovën, apo vetë këta janë bërë pako. U desh urgjentisht të vie në New York Joakim Ryker tua ruaj faqen e zezë kokonave të Unitetit.

Edhe kjo do harrohet, sepse tani do përdoret ajo shprehja popullore, “prit gomar sa del barë”. Por kur doli bari ngordhi gomari.

Albin Kurti është edhe më tutje në burg. I burgosur politik, i burgosur nga ata që plot gojën e kanë Pavarësi të Kosovës e plancat i kanë kobasica të Serbisë. Po të respektohej Lëvizja Vetëvendosje që tash për tash është e vetmja alternativë e mirëfilltë dhe avangardë e Kosovës, ndryshe do flitej edhe në Këshillin e Sigurimit edhe në Bruksel edhe në Moskë. Po të respektohej Lëvizja Vetëvendosje, jo vetëm produktet serbe do të ishin në Kosovë, por as Serbia nuk do të ishte në Kosovë.

Do vijnë për Kosovën ditë të mira!

Fill pas luftës ishte shansi historik që vetëm me krijimin e një spektri gjithëpërfshirës politik në Kosovë pas tri vjetësh të mbahej referendumi për Vetëvendosje, garantuar nga Madeleen Albright. E dhunoi këtë marrëveshje kufoma e Velanisë. Pasojat po shihen edhe pas tetë vjetësh. Tash ky grup i unitetit i futur në një pako, një ditë pa dyshim do të jetë kufomë si ajo e Velanisë, sepse ekziston një rrymë e re që po lufton kundër HARRESËS!...

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme