Roli botëror i Amerikës duhet të jetë realist dhe i moralshëm

Tashmë ka shenja shqetësuese që konsensusi bipartizan po krijohet nga një konfuzion i tillë, bazuar në të njëjtat supozime dhe mite si më parë. Ky konsensus është bindës për shumë amerikanë, por plotësisht jo bindës për vende të tjera, dhe kryekëput jashtë realitetit në pjesën më të madhe të botës.

Është e vërtetë që çdo rrugë e ndjekur për politikën e jashtme që shpreson të sigurojë mbështetje në SHBA duhet të përqafojë elementet e realizmit dhe të moralit.

Nga njëra anë një pjesë e madhe e amerikanëve gjithnjë ka këmbëngulur që politika e SHBA t’i shërbejë interesave dhe mbi të gjitha sigurisë së amerikanëve se sa të jetë vetëm ndjekëse e idealeve. Njësoj, forcat mbizotëruese në traditën amerikane kanë treguar vazhdimisht një mospranim të thellë të strategjive që bazohen thjesht në realizmin “klasik”, pa patur asnjë grimë të synimeve dhe detyrimeve morale.

Neokonservatorë t dhe skifterët liberalë përpiqen të balancojnë realizmin dhe moralin. Ata e perceptojnë korrektësisht që natyra e brendshme e vendeve të tjera ka të bëjë si kurrë më parë me sigurinë amerikane, sepse revolucioni islamik dhe ekstremizmi islamik lulëzojnë në shtete të falimentuara dhe shoqëri të shkatërruara.

Ato kanë të drejtë të argumentojnë se një rrugë klasike realiste është e pamjaftueshme për të kapur këtë problem. Përgjigjet e tyre, megjithatë, çojnë në drejtime radikalisht kontradiktore të realizmit të vijës së ashpër dhe moralit utopik – ose në vend të tyre, pseudo-realizmit dhe pseudo-moralit.

Në vend të kësaj rruge hipokrite dhe të pasuksesshme ne propozojmë filozofinë e realizmit etik si një bazë intelektuale dhe morale për strategjinë e SHBA. Realizmi etik u paraqit në të kaluarën nga disa prej figurave më të mëdha të traditës intelektuale amerikane, përfshi teologun Reinhold Niebuhr, filozofin Hans Morgenthau dhe mendimtarin dhe diplomatin e madh George Kennan.

Këta njerëz ishin kundërshtarë të fortë të totalitarizmit nazist dhe sovjetik, por të tre u zhgënjyen tej mase me strategjinë e luftës së ftohtë të SHBA, veçanërisht kombinimin e saj të mesianizmit kombëtar me paranojën dhe militarizmin. Niebuhr, Morgnthau dhe Kennan të gjithë ishin mbështetës së idesë që t’i rezistohej agresionit komunist në Kore, por të gjithë bashkuan me opozitën e fortë kundër luftës në Vietnam. Zërat e tyre i kanë munguar shumë debateve mbi politikën e tanishme të jashtme.

Realizmi etik vë theksin tek një strategji ndërkombëtare e bazuar në maturi; një përqendrim të rezultateve të mundshme në vend të synimeve të mira; një studim të afërt të natyrës, pikëpamjeve dhe interesave të shteteve të tjerë, dhe një gatishmëri për t’i trajtuar dhe pranuar ato kur nuk bien në kushtërshtim me interesat e veta vërtetë jetësore të SHBA-ve; dhe një përzierje të patriotizmit të thellë amerikan me një vetëdije po aq të thellë të kufijve që ka pushteti amerikan dhe mirësia amerikane.

Nga realizmi etik ne arrijmë në konceptin e Paqes së Madhe të Kapitalizmit, e cila i bën jehonë koncepteve të Kennan dhe Morgenthau të rendit ndërkombëtar dhe qëllimeve morale të diplomacisë. Ajo paraqet një rend botëror të pranuar në mënyrë të nënkuptuar nga të gjitha shtetet kryesore të botës, dhe e cila garanton interesat e vërteta të tyre jetësore, përfshi mposhtjen e grupeve terroriste.

Paqja e Madhe Kapitaliste varet pjesërisht nga pushteti botëror amerikan. Megjithatë, si kufijtë realë të pushtetit amerikanë dhe nevoja për të akomoduar interesat dhe ambiciet legjitime të shteteve të tjera do të thotë që në pjesën më të madhe, përdorimi i drejtpërdrejt i pushtetit amerikan ka nevojë të jetë qëllimisht i kufizuar.

Në vend të kësaj, SHBA duhet sa herë që është e mundur të punojë nëpërmjet “ujdive” joformale që lidhin shtetet më të rëndësishme të një rajoni.

Në Lindjen e Mesme, për shembull, SHBA ka nevojë të ndihmojë në krijimin e një marrëveshjeje rajonale që përfshin Iranin dhe Sirinë dhe të kërkojë npërmjet këtyre grupimeve të mbajë dhe rregullojë konfliktin në Irak pas tërheqjes së SHBA nga ai vend. Në këtë kuptim, është thelbësore që SHBA të veprojnë me vendosmëri për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestine z.

Në Azi, SHBA duhet të kuptojnë që Kina, jo Amerika do të jetë në të ardhmen “e para midis të barabartëve”. Për sa kohë që Kina është e përgatitur të veprojë me përgjegjësi dhe në bashkëpunim me shtete të tjera si Japonia, SHBA duhet të njohin në mënyrë të qartë udhëheqësinë kineze në kërkimin e përgjigjeve për veprimet e rrezikshme të regjimit koreanoverior dhe sfidave të tjera të ardhshme në rajon.

Koncepti nuk kundërshton përhapjen afatgjatë të demokracisë. Përkundrazi, është një parakusht thelbësor për demokracinë e vërtetë në pjesën më të madhe të botë. Sepse do të jetë një garanci për paqen, rendin, tregtinë dhe zhvillimin ndërkombëtar pa të cilat demokracia nuk mund të ketë në asnjë rast jetë të gjatë.

_________________

Anatol Lieven është në Fondacionin Amerika e re.

John Hulsman është nga Oppenheim Scholar në Këshillin Gjerman të Marrëdhënieve me Jashtë.

Libri i tyre “Realizmi etik: Një vizion i rolit të Amerikës në Botë” është botuar nga Pantheon
Financial Times 16.10.2006

Burimi: RIMEKEMBJA 14/ 11/ 2006

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme