Për rëndësinë që ka dhe mund të ketë faktori politik i vendeve islamike në procesin e definimit të statusit politik të Kosovës, si njëri ndër faktorët mjaft relevant në politikën botërore, posaçërisht në kontekstin kur bëhet fjalë për përfitimin e votave të 57 vendeve anëtare të Konferencës islamike, njëherë edhe anëtare të OKB-së me të drejtë vote të barabartë me vendet tjera, është marri politike e llojit më banal të thuhet se “neve nuk na duhen votat e vendeve islamike” për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, siç po deklarojnë disa bashibozukë të stërngarkuar me islamofobinë e tyre të pakuptimtë..!?
Se roli i 57 vendeve islamike në procesin e pavarësimit të Kosovës është i nevojshëm fletë qartë ftesa të cilën administrata amerikane kohë më parë i bëri Myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) z. Naim Tërnava që t’i vizitojë SHBA-të, ku ai gjithnjë në këtë vazhdë, pati dhe zhvilloi takime tejet të rëndësishme me politikanët amerikanë rreth rolit që mund të ketë faktori islam shqiptar për t’i bindur disa vende islamike që ta ndërrojnë qëndrimin e tyre në favor të planit të M. Ahttisarit, siç ishte rasti me qeverinë indoneziane e cila në fillim mbante qëndrim të rezervuar karshi pavarësisë së Kosovës, por të cilin ajo e ndryshoi në ndërkohë në të mirë të Kosovës.
Pra, votat e 57 vendeve islamike i duhen patjetër Kosovës, sidomos pas aprovimit të planit të Ahttisarit dhe nxjerrjes së Rezolutës së re për Kosovën në KS të OKB-së e cila ia hap rrugën e pavarësisë, pra kur Kosova më pastaj ta shtron kërkesën e saj për pranim në OKB si anëtare e re e saj. Prandaj, në rastin konkret nuk kemi të bëjmë fare me aspektin fetar të kësaj përkrahjeje, siç po trillojnë disa antiislamistë shqiptarë në krye me Ardian Ndrecajn, etj, por para së gjithash kemi të bëjmë me hapa diplomatik për t’i përfituar votat e këtyre vendeve që nesër të votojnë në favor të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht për pranimin e saj në OKB. Këta islamofobistë të frustruar nga frika që kanë nga bota islame, nuk lanë gurë dhe dru pa lëkundur që, gjithnjë sipas tyre, Kosova të mos identifikohet si vend islam, ngase siç pohojnë ndihmat e këtyre shteteve Kosovës nuk i ndihmojnë asgjë..!?
Mirëpo, shikuar realitetin përkrahja e këtyre vendeve ndaj çështjes së Kosovës, përveç përdorimit për qëllime politike të faktit të pamohuar se populli shqiptar i Kosovës mbi 85% i takon besimit islam, realitet ky i cili nuk mund të mohohet dhe as të anashkalohet nga askush, pra të qenit e shqiptarëve me shumicë të besimit islam, ajo kurrsesi dhe në asnjë rast nuk e ka dëmtuar dhe as nuk e ka penguar zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Përkundrazi, vetëm sa e ka ndihmuar atë. Ata të cilët bëjnë përpjekje që këtë fakt ta minimizojnë ose ta zhvlerësojnë, thënë më së buti nuk ia duan të mirën Kosovës, por as kombit shqiptar, sepse kur në pyetje është ndihma dhe përkrahja që ky grup shtetesh mund t’ia bëjë procesit të pavarësimit të Kosovës, zërat si ai i Ndrecajt me disa bashkëmendimtarë të tij, na vijnë posi zëra qyqesh që kukasin në terrin e natës së pa dritë, pa qenë në gjendje të logjikojnë drejtë dhe me arsye kombëtare, duke mos e ndarë këtu rolin e faktorit politik islam nga roli fetar, sepse kur është në pyetje zgjidhja e statusit të Kosovës politikën shqiptare nuk duhet përçarë dhe bërë “mish-mash” me arsyetimin banal se “pavarësia e Kosovës nuk fitohet në Islamabad”..!? Mbase rolin e faktorit diplomatik të 57 vendeve islamike duhet kuptuar si nevojë imediate në favor të kauzës sonë kombëtare, e jo si frikë nga ndikimi islam në Kosovë. Privilegjin që kanë shqiptarët në kuptimin si shumicë të përkatësimit të tyre fetar islam në relacion me botën islame do të ishte marrëzia më e madhe e politikanëve shqiptarë që mos ta shfrytëzojnë në të mirën e tyre në këto çaste tepër delikate nëpër të cilat po kalon sot procesi i definimit të statusit final të Kosovës.
Si, dhe sa e kanë futur në shërbim të tyre faktorin politik dhe diplomatik islam vendet dhe qeveritë e botës perëndimore për qëllimet e tyre strategjike, qoftë në aspektin dominues-kolonial, qoftë në atë të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike me këto vende, mund të sillen me qindra fakte dhe argumente, duke filluar nga amerikanët, anglezët, francezët, gjermanët, ruset dhe sidomos kinezët, të cilët, vendet e lartë përmendura pra, faktorin fetar islam e kanë shfrytëzuar maksimalisht për interesa të tyre politike dhe ekonomike, duke ndërmarrë në këtë drejtim hapa konkret në forcimin e këtyre marrëdhënieve siç ka qenë hapja e qendrave islame dhe xhamive në vendet e tyre dhe deri tek lejimi i botimit të literaturës së shumtë islame, e cila para se të ishte në shërbim të zhvillimit të marrëdhënieve kulturore midis popujve përkatës të këtyre dy blloqeve, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në shërbim të politikës së tyre nacionale, kuptohet si mjet për forcimin e bashkëpunimit bilateral pas të cilit gati gjithherë kanë qëndruar motive dhe arsye tjera politike-strategjike, siç është vepruar deri vonë ndaj botës islame e cila për disa shekuj ka qenë nën sundimin kolonial të Perëndimit. Dhe, kur është fjala tek shfaqja e simpatisë ndaj Kosovës që vendet islamike mund ta shprehnin në rastin e Kosovës, si vend popullsia e të cilit i takon me shumicë fesë islame, një përkrahje e tillë do të ishte krejtësisht e natyrshme dhe e mirëseardhur për shqiptarët.
Andaj, përpjekja e disa politikanëve shqiptarë të cilët kanë menduar që faktin e të qenit të shqiptarëve me shumicë myslimane ta përdorin për interesa tona politike dhe kombëtare, siç është tash rasti me përpjekjet që po bënë diplomacia shqiptare për kapërcimin e vështirësive politike që aktualisht janë duke e penguar dhe ngadalësuar procesin e pavarësimit të Kosovës nën ndikimin e Moskës dhe Beogradit, e konsiderojmë si një hap shumë të qëlluar politik dhe diplomatik, të cilin është dashur mbështetur me të gjitha mjetet.
Kështu që shikuar nga ky kënd anëtarësimi i Shqipërisë si anëtare e Konferencës Islamike me 1992 me iniciativën e Dr. Sali Berishës, ish president i Shqipërisë asokohe, jo vetëm se ka qenë hap mjaft i qëlluar diplomatik, mbase edhe i domosdoshëm politikisht, gjë që u dëshmua qartë në Konferencën e fundit të vendeve islamike e cila para disa ditësh u mbajt në Islamabad, ku siç dihet në Dokumentin zyrtar të nxjerr nga ky tubim i lartë, unanimisht është përkrahur pavarësia e Kosovës. Ky qëndrim dhe kjo përkrahje që 57 vendet islamike i kanë dhënë procesit të pavarësimit të Kosovës mbase e ka peshën e vetë shumë të madhe, përpos në planin politik për ta ndihmuar Kosovën, po ashtu edhe në planin e aktiviteteve politike në arenën ndërkombëtare, e cila kur është fjala për pavarësimin e Kosovës aktualisht po udhëhiqet nga SHBA, të cilat njëjtë posikur të gjitha vendet islamike janë deklaruar në mënyrë të prerë pro pavarësisë së Kosovës. Dhe ky koordinim nuk mund të ishte një koincidencë diplomatike, veçse një çështje e koordinuar mirë midis këtyre dy faktorëve kyç në arenën e politikës ndërkombëtare.
Kështu që ta sulmosh dhe akuzosh qeverinë shqiptare në Tiranë që e ka dërguar zëvendësministren për punë të jashtme të Shqipërisë që të merr pjesë në punimet e kësaj Konference, ose ta kritikosh përpjekjen e disa politikanëve kosovarë të cilët kanë dashur të jenë prezent në këtë Konferencë, qoftë edhe në cilësinë e mysafirit, s’mund të cilësohet ndryshe veçse si pa përgjegjësi politike dhe kombëtare, e cila në kontekstin e rrjedhave aktuale politike në arenën ndërkombëtare rreth Kosovës dhe zgjidhjes së statusit të saj politik, pa dyshim se e dëmton këtë proces, po aq sa edhe politika e Beogradit, sepse në asnjë mënyrë këta frikacakë politikë nuk mund të jenë “më katolik se papa”, të cilët me këto “mish-mashe” politike dhe deklarime boshe kanë dëshmuar se nuk marrin vesh në politikë, por as nuk i kuptojnë rrjedhat në diplomacinë botërore. Andaj, kur të kihen parasysh pengesat e brendshme që disa ia kanë bërë këtij procesi, nuk duhet çuditur fare pse çështja e Kosovës është zhagitur që tetë vite, me gjasa shumë të këqija që të shtyhet edhe për shumë kohë.