
Ikballi si vetëdijësues dhe krijues i ringjalljes islame në shek. XX
Gjysmë shekulli[1] na ndanë nga ato ditë kur poeti dhe filozofi Muhammed Ikballi ekspozoi koncepcionin e tij të përtëritjes së filozofisë fetare të islamit si kërkesë për ringjalljen e sërishme të burimit të harruar të vetëdijësimit madhështor dhe të zgjimit kreativ të tërë jetës në islam.
Në ligjërata, të përgatitura me kërkesë të Shoqatës muslimane në Madras dhe të mbajtura në tre qytete të Indisë së atëhershme, mendimtari më kryengritës i bashkëkohësisë islame, i cili me përpjekjen e ekzistencës së vet ‘të acaruar metafizike’ paraprakisht ka provuar aksidentin kozmik dhe shansin e njeriut edhe në Lindje edhe në Perëndim, ka kërkuar ‘organizim’ të ri të takimit të madh të popullatës muslimane me thirrjen autentike islame midis dilemës së kohës së re. Shkaqet për këtë takim të shpresës më të madhe, ai i ka gjetur vendosshmërisht të imponuara në situatën shpirtërore-historike të botës muslimane, e cila në çdo aspekt qe pjekur për pastrim bazor, dhe nevojës që njohuritë e shumta të reja në horizontin e zgjeruar të mendimit dhe përvojes njerëzore të lidhen dhe të përshkohen me idenë e unitetit mjaft të fuqishëm për të gjitha mundësitë e qarta dhe të paarrituara të njeriut.
Atë që shumë intelektualë islamë, në procesin e gjatë të zhdehjeve individuale kundruall realitetit me shekuj të sëmurë të botës muslimane, e kanë shpallur si ‘formulë të shpëtimit’ të muslimanëve nga gjendja ‘me të cilën as Zoti, as njeriu nuk mund të jenë të kënaqur’, e ky është kthimi principeve fundamentale të islamit. Ikballi në fjalimet e veta këtë e formulon si detyrë me rëndësi të përgjithshme. Kthimi principeve islame nuk do të thotë thjeshtë kthimi i muslimanëve vetëvetes dhe përtëritja e diskutimit të tyre me botën në hapësirën e historisë të cilën e karakterizojnë strukturat dhe krijimet nga periudha e klasikës islame. Ky është kthim fillimit të ri të zgjimit dhe raportit të zgjuar të muslimanëve kundruall Zotit dhe universumit, arsimim krijues i rendit më të lartë në lidhshmërinë e njeriut me Zotin dhe me tërësinë e pandarë të botës. Sepse, islami është mesazh për njerëzinë, kurse në kohën e fushës së konstituuar planetare të konfirmimit të përbashkësisë së njeriut me njerëzit tjerë, pa të cilën njeriu do të ishte së tepërmi i varfër për synimin më të lartë të jetës, shpëtim lokal edhe ashtu nuk ka. Kthimi i muslimanëve Islamit, së këndejmi, imponohet në hapësirën e tërë botës si rast dhe mundësi e plotëvlefshme të tij.
E pasi bota në fytyrën bashkëkohore, për shkak të kontributit dhe karakteristikave të veta të drejtpërdrejta me veprat e të tjerëve shumë më tepër se të muslimanëve, është zonë e provokimeve dhe parapërcaktimeve të rënda, kthimi islamit supozon para së gjithash aksident të ballafaqimit të madh të frymës së kulturës islame dhe frymës së epokës moderne. Sepse, zgjimi islam i muslimanëve nuk domethënë përshtatja dhe penetrimi i tyre në rrjedhat e bashkëkohësisë që në fakt nga trolli i Evropës moderne imponohet si tërësi botërore-historike të jetës së njerëzisë. Me çarjen e vet fundamentale ndërmjet sistemeve të mëdha intelektuale të cilat i ka ndërtuar, kurse në të cilat Ikballi gjen vazhdimin krijues të disa fazave më të rëndësishme në zhvillimin autonom të kulturës islame, dhe fatit fatkeq jetësor të personalitetit i cili vetë së koti kërkohet në sistemin shoqëror që çdo gjë e anulon dhe e shpie në funksionin e eksploatimit të të varfërve nga ana e të pasurve. Evropa për Ikballin është pengesa më e madhe në rrugën e prosperitetit moral të njeriut. Për këtë arsye për përtëritjen e filozofisë fetare të islamit, në çka Ikballi sheh ndërtimin e konceptimit të domethënies së mirëfilltë të mesazhit islam për njerëzinë, është i domosdoshëm veprimi i të hulumtuarit më të thellë ideor të të gjitha burimeve të vetëdijes dhe situatës jetësore të njeriut të shekullit njëzet. Kështu vetëm kjo do ta arrijë përmbushjen e vet si vetëvetëdija gjithëpërfshirëse islame e muslimanëve në kompetencën e tyre që, si bartës të Shpalljes së fundit, të zhvillojnë për njerëzinë bashkëkohore interpretimin shpirtëror aq të nevojshëm të gjithësisë, horizontin e lirisë shpirtërore të personalitetit dhe principet e pikëarritjes universale të cilët do të mund ta orientojnë evolucionin e botës njerëzore në bazën shpirtërore. E këto në të vërtetë janë refuzimet e Ikballit që njeriu të nënçmohet, pas të gjitha të folurave të të kaluarës dhe para çdo të foluri të ardhmërisë, në copëzën e materies së kot në rastin absurd të gjithësisë dhe besimi i tij në mundësinë e fesë si synim për jetë më të gjërë dhe formës më të lartë të pjesëmarrjes së njeriut në aspiratat më të thella të gjithësisë: asaj pjesëmarrjeje në të cilën njeriu e formëson fatin e vet dhe fatin e gjithësisë dhe në të cilin, sipas fjalës kur’anore, sigurisht e përcjell ndihma e Zotit. Sepse, ligjëratat e veta mbi kthimin e muslimanëve islamit, ky poet i zanafillës së harruar dhe mendimtar i ndërtimit historik të ardhmërisë, i ka filluar dhe i ka mbaruar me hymn njeriut i cili me mendim, ndjenja dhe veprim ngrihet deri te e Vërteta Përfundimtare.
Nga përmbajtja e ligjëratave të Ikballit ka lindur vepra “Ripërtëritja e mendimit fetar në islam”, vepra e cila, me gjithë ‘çiltërinë e vet utopike’, në sheshin e botës reale si pak kush tjetër autentikisht do ta shprehë dhe konceptualisht do ta përcaktojë lëvizshmërinë grandioze dhe gjurmimin e botës muslimane për vetë konceptimin dhe identifikimin islam në kohën e shekullit të njëzet.
Sarajevë, 1979.
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Dr. Hilmo Neimarlija, boshnjak, profesor shumëvjeçar i filozofisë në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë. Teksti është përkthyer nga: M. Ikball, Obnova vjerske misli u islamu. bot. II, fq. 5-7. Titulli i përkthyesit.