Benjamin Disrael: Skënderbeu, një princ grek?

Libri në Tiranë


Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, nga kërkimet e rrjetit të këtij institucioni, me emrin Iskander del edhe ky libër. Në të vërtetë është fotokopja e këtij libri, dhe është pjesë e fondit ku ruhen të gjithë librat e dhuruar në Bibliotekën Kombëtare. Nga nënshkrimin “Dhuruar Bibliotekës Kombëtare nga dr. Robert Elsie, tetor 1991”, kuptojmë se ky roman është bërë pjesë e këtij fondi para 16 vjetësh. Elsie thotë se për ta lehtësuar konsultimin e veprës në Shqipëri dhe për t’i thelluar studimet mbi Skënderbeun në letërsinë botërore, ai vendosi që t’i dhurojë një fotokopje të romanit, Bibliotekës Kombëtare të Tiranës. Nga albanologu i njohur Robert Elsie, mësojmë se libri është zbuluar rastësisht prej tij dhe se kjo vepër megjithëse me karakter letrar përbën një zbulim për albanologjinë. Me ndihmën e nëndrejtore shës së Bibliotekës Kombëtare, Etleva Domi, mundëm të fotokopjojmë 2-3 faqe nga romani, për të sjellë imazhe nga kjo vepër për lexuesin.




Romani dhe autori



Në një shkrim informues botuar në Prishtinë në vitin 1993, studiuesi Robert Elsie shkruan: “Për albanologët ka mbetur krejtësisht i panjohur deri tani një roman anglez i shekullit të kaluar, mbi temën e Skënderbeut”. Romani është shkruar në vitin 1833. Autori i romanit ka marrë famë në Angli dhe në tërë botën jo vetëm si shkrimtar, por edhe si burrë shteti. Benxhamin Dizraeli (Benjamin Disraeli, 1804-1881), kryeministri i Anglisë në kohën e Mbretëreshës Viktoria, është një ndër figurat më të spikatura të politikës britanike të shekullit të kaluar.
Ky politikan i shkathët, i emëruar më vonë Lord Bikwnsfild (Lord Beaconsfield), ishte përfaqësues i Britanisë se Madhe në Kongresin e Berlinit në korrik të vitit 1878. Synimi i Dizraeli-t në këtë Kongres të fuqive të mëdha ishte në radhë të parë për të luftuar kundër ekspansionizmit të Rusisë cariste, duke kundërvënë shpërbërjen e plotë të Perandorisë Osmane. Është ky fakt që kërkesat e shqiptarëve të drejtuara atij në “Memorandum degli Albanesi”, mbetën pa përgjigje. Dizraeli ishte jo vetëm politikan por edhe një shkrimtar mjaft i lexuar në epokën “viktoriane” me romane dhe tregime të shkruara me shijen e kohës.




Në gjurmët e Bajronit


Në vitet 1830-1831, si një burrë i ri me tendenca të theksuara pas aventurave, ai kishte ndërmarrë një udhëtim të gjatë në vendet e Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme. Kësisoj, siç shpjegon Elsie, “në tetor të vitit 1830 erdhi nga Korfuzi në Janinë, në kryeqytetin e Shqipërisë së Jugut në atë kohë, për një vizitë që e përshkroi me shumë emocione në letrat e tij të dërguara në Angli. Pas kësaj “jave të mrekullueshme” siç e cilësoi, dhe me siguri nën ndikimin e Lord Bairon-it (Lord Byron, 1788-1824), Benxhamin Dizraeli vendosi ta trajtojë temën e Skënderbeut në romanin e shkurtër “Ngritja e Skënderbeut” (The Rise of Iskander), të cilin ai e mbaroi në qytetin anglez të Bathit në dimrin e vitit 1832-1833". Menjëherë pas kësaj, ai e botoi veprën së bashku me një roman tjetër në Londër, në vitin 1833.




Romani në Anglinë e shek XIX


“Ngritja e Skënderbeut”, në stilin e romaneve të ashtuquajtura “mesjetare” të shkrimtarit skocez Sër Ualter Skot (Sir Walter Scott, 1771-1832), është më shumë një vepër romantike se sa një roman historik. Ngjarjet në libër fillojnë me vizitën e Skënderbeut, natën tinëz, në kampin e Janosh Huniadit për të përgatitur kryengritjen e epiriotëve dhe me kthimin e tij në Krujë. Tema kryesore e romanit është çlirimi dhe shpëtimi nga Iskanderi, tani Princi i Epirotëve dhe nga miku i tij Nikaiusi, Princi i Grekëve, i Princeshës Iduna, vajza e Huniadit, e cila është e burgosur në haremin e turqve në Edirne (Adrianopol). Sipas Elsiesë, ky roman i shkurtër prej 22 kapitujsh dhe prej 113 faqesh, është vepra kryesore e prozës angleze të shekullit 19-të me temën e Skënderbeut, dhe, me gjithë se nuk kishte një sukses të madh, u ribotua anglisht të paktën 13 herë. Gjithashtu mësojmë se romani është përkthyer dhe botuar dy herë në gjuhën greke dhe një herë sllovenisht. Elsie thotë se në shekullin e njëzetë “romani filloi të humbë pëlqimin e lexuesve, pasi shija e publikut ndryshoi me kohë”. Ai hedh idenë se ka shumë të ngjarë që Dizraeli ta ketë dëgjuar emrin e Skënderbeut për herë të parë jo në Janinë, por në veprën e historianit të famshëm anglez, Eduard Gibwnz (Edward Gibbons, 1737-1794), me titull “Historia e Rënies dhe e Rrëzimit të Perandorisë Romake”, e cila lexohej shumë në Anglinë e shekullit XIX dhe veçanërisht nga turistët anglezë gjatë udhëtimeve nëpër Evropën Jugore”. Si duket, nën ndikimin e Gibwnz-it ishte jo vetëm Dizraeli, por edhe Lord Bajron, i cili pas një sërë skandalesh dashurie të shfrenuara në Angli, u detyrua të emigronte në Evropë, ku toleranca seksuale ishte më e theksuar. Edhe Lord Bajron kishte ardhur në Shqipërinë e Jugut në kohën e Ali Pashë Tepelenës (1741-1822). Botimi i parë i poemës së gjatë “Çaild Harold”, ku përmenden Shqipëria dhe Skënderbeu, ishte një sukses i jashtëzakonshëm në Angli, dhe ka ndikuar edhe në formimin e Dizraelit.




Risi


Më interes në veprën “Ngritja e Skënderbeut” është fakti se heroi kombëtar shqiptar del jo si një shqiptar, por si një princ grek. “Madje, fjala shqiptar përdoret në roman vetëm një herë në një përshkrim të veshjeve të Skënderbeut: “Mbante një këmishë të bardhë, jo të rrallë për shqiptarët”, - thotë Elsie, ndërsa thekson faktin se “kemi të bëjmë me një roman krejtësisht sentimental, pa bazë historike në përgjithësi”. Duke u nisur nga rrethanat e epokës që jetojmë, mund të themi me siguri se romani i Disraelit “Ngritja e Skënderbeut” nuk është një vepër letrare më cilësi të lartë. Megjithatë, sipas albanologut Elsie, “në fushën e Albanologjisë kjo vepër e Dizraelit ka një rëndësi të veçantë, dhe është për t’u habitur që ky roman nuk është përmendur fare në studimet përkatëse mbi Skënderbeun”. “Ngritja e Skënderbeut” është rasti i parë dhe shembulli më i spikatur në prozën angleze i një adaptimi letrar të temës së Skënderbeut. “Në të njëjtën kohë është e para vepër, ndoshta e vetmja, e prozës letrare angleze me një temë shqiptare”, - thotë Elsie, duke argumentuar se i parë nga ky këndvështrim, romani i Dizraelit është “një përmendore e rëndësishme e marrëdhënieve letrare dhe kulturore anglo-shqiptare, që me guxim mund ta emërojmë si zbulimi letrar i Shqipërisë në shekullin XIX”.



PASAZH NGA ROMANI


Kapitulli XXII


Skënderi, Mbreti i EpiritNdërkohë që dashnori i trishtuar i vajzës se Huniadit pëshpëriti fjalët e fundit vetmitare, miku i tij më fatlum mori në qendër të skenës së triumfit, urimet e lavdishme të vendit të tij të çliruar. Shpartallimi i turqve u krye dhe kjo fitore përkoi me humbjen e tyre në Bullgari, duke e bërë botën e krishterë më të sigurt nga sulmet e turqve dhe drejtuesit të tyre, Murati i Dytë. I rrethuar nga aleatët e tij bujarë dhe drejtuesit e Epirit, Skënderi mori nga Huniandi i madh, dorën e vajzës së tij të bukur. “Falë këtyre luftëtarëve trima” - tha heroi, - mund t’i ofroj vajzës suaj siguri, nder dhe një shtëpi të krishterë”. “Zotëri i lavdishëm! Epiri falë jush e ka këtë siguri, ekzistencën kombëtare dhe besimin e shenjtë”, - tha prijësi i madh, duke iu drejtuar Skënderit. Ajo që duhet të bëjmë tani është t’i ruajmë ato. Në të vërtetë, po ju them se këto mund t’i ruajmë më së miri, duke ju vendosur në fronin e të parëve tuaj. Prandaj them me zë të lartë: “Zoti e ruajt Skënderin, mbretin e Epirit!” Dhe të gjithë thirrën me zë të lartë: “Zoti e ruajt Mbretin! Zoti e ruajt Skënderin, Mbretin e Epirit!”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme