Daltonizmi hermafrodit i Baton Haxhiut

Një të diele të qetë në një nga lokalet e Prishtinës derisa po pija kafen e mëngjesit nuk kishte si të mos ti vrisnin veshët me zhurmën e ideve donkishotiane muhalifet e Baton Haxhiut i cili kutërbonte mllef nga tavolina karshi. Deshe s’deshe çirrja e tij pas mullinjve të erës vinte edhe deri tek ti. Disa varreza myslimane ishin dhunuar në Kosovë dhe ja, shkrepi një rast i mirë për një shkencëtar të dështuar që te klithte në ajër disa ide maniake për të fituar ndonjë referencë të mirë servilizmi në sytë e padronëve ndërkombëtar. Në fillim foli për absurditetin e myslimanizmit shqiptar, pastaj doli tek konceptualizmi i politikës ndërkombëtare, më voni i hyri muhabetit të ekonomisë së Ballkanit dhe në fund fare si rezyme ua kumtoi miqve të tij idenë e vet për tu bërë i krishterë protestant për shkak të trendit dhe modës (sikur besimi të fitohej për këto shkaqe), por problemi ishte se po qe se do ta bënte këtë (po citoj) ‘gruaja kishte me më lëshu’. Sic! Ndërsa unë sikur edhe të tjerët qe ishim përreth tavolinave në atë lokal vetëm dëshironim të pinim të qetë një kafe. Bah... një nisje me ters e ditës. Pas vetëm ca ditësh rastësisht më ra në sy shkarravina e quajtur “Kthimi i Njeriut” e botuar tek “Korrieri” i datës 9 Gusht dhe i shkruar nga kush tjetër veçse Baton Haxhiu. E dija se kisha të drejtë kur mendova atë mëngjes se Baton Haxhiu po përgatitej për t’ia bërë qejfin edhe një herë Sanqo Panqës në kurriz të shqiptarëve myslimanë. Jo pse ky shkrim meritonte përgjigje por vetëm sepse ca dezinformata të qëllimta dhe disa të tjera të iniciuara nga naiviteti dhe kapaciteti i ulët profesional i autorit më shtynë që për hir të publikut ti them dy tri fjalë.Pikë së pari fillimfjalitë e autorit me stilin ‘dëgjova’, ‘thuhet’ apo ‘nëse është kështu’ vijnë erë të një gazetarie bulevardeske e cila jo që nuk prodhon ndonjë gjësend me vlerë apo ndonjë premisë lidhur me ndonjë problem por vetëm sa e barazon gazetën ku botohen përrallat e tilla me një magazinë horoskopi dhe të zhytë me të dy këmbët në një antivlerë gjigante. Supozimi dashakeq rreth autorëve të dëmtimit të varrezave myslimane të cilat ndodhën kohëve të fundit në Kosovë dhe shitja e këtij supozimi në formën e një fakti (pa çka se policia nuk ka deklaruar një gjë të tillë) është një tendencë e rrezikshme që të krijohet një kaos në brendi të shqiptarëve myslimanë. Nuk do mend se varrezat u dhunuan nga militantë alla batonistë të cilët duan pastaj të krijojnë material për të përdhosur gjithçka që ka të bëjë me shqiptarin mysliman duke zhvlerësuar një histori të tërë ku i tilli ndikoi gjatë gjithë kohës në të mirë të kombit të vet. Kjo është njësoj si të akuzosh shqiptarët në tërësi se po i mbjellin bombat e fundit dhe vrasjet e fundit nëpër Kosovë, dhe kjo tregon një mangësi dërrasash në trurin e hedhësve të këtyre ideve. Në unison myslimanët shqiptarë e kanë dënuar këtë aksion vandal të përdhunimit të varrezave të tyre sepse një gjë e tillë e ofendon në thelb identitetin njerëzor të shqiptarit mysliman sikur që në tërësi shqiptarët i kanë dënuar aktet e dhunshme të rrezikimit të ardhmërisë së Kosovës nëpërmjet bombave dhe vrasjeve. Këtë do ta dinte mjaft mirë edhe Baton Haxhiu po qe se do ta merte mundin ta dëgjonte anën e medaljes së ‘vehabitëve’ shqiptarë (term me të cilin i quan ata myslimanë të cilët kanë mjekra) të cilët njësoj dënojnë mënyrën qyqare të vandalizmit nëpër varreza; më mirë ta bënte këtë pra Haxhi Batoni në vend që të ikte trishtueshëm nga dëgjimi i anës tjetër ashtu siç i kanë sugjeruar disa miq në një debat të dielën sikur nëpër përrallat e Andersenit. Fundja le ti mbetet policisë kjo punë dhe le të mos meremi me shantazhime dhe supozime. Sikur që është njësoj dezinformatë pohimi se gjoja të tilët myslimanë e paskan rrahur një Dëshmitar të Jehovait në Deçan. Pikë së pari i sulmuari nuk ishte Deshmitar i Jehovait por i takonte kultit protestant të quajtur “Asambleja e Perëndisë”. Një ngatërrim i tillë është sikur Baton Haxhiu të niset për tu pagëzuar në një kishë protestante dhe të përfundojë në një tempull të kultit Hare Krishna. Hajde Baton hajde. Edhe kësaj i thonë gazetari. Gazetar e publicist të thënçin edhe ty! Dëshmitarët e Jehovait me Asamblenë e Perëndisë janë si nata me ditën; shumë të ndryshme. Dhe e dyta spekulimet e tua për aktorët e këtij akti do të duhej të përfundonin me marrjen tënde në informata në polici meqë je duke tingëlluar sikur je duke ditur diçka. Për informimin e trurit tënd të vobektë ishin të gjithë banorët e atij vendbanimi të Deçanit ata të cilët kishin bërë peticion kundër ndërtimit të kishës së Asamblesë së Perëndisë në një vend ku nuk ka asnjë të krishterë dhe tash sipas teje të gjithë këta banorë qenkan vehabitë me mjekra. Fodullëk me bisht! Edhe pse në Kosovë e as te shqiptarët nuk ekziston një sektë megalomane fantome ‘venabiste’ me seli në Prizren e me degë të fuqishme në Prishtinë e në Tiranë në mënyrën si e stilizon daltonisti Baton sikur të mos kishte ngjyra tjera për të përveç të bardhës dhe të zezës. Në një vend ku sundon ligji dikush do të përgjigjej para organeve të drejtësisë për përhapje të tilla dizinformatash bulevardeske dhe mbjellje frike në masa. Dhe lundrime të tilla nëpër frazeologji të cilat i paraqesin shqiptarët si bartës të fundamentalizmave të paqena jemi mësuar të dëgjojnë vetëm nga publicistika dashakeqe sllave. Urime Baton Haxhiu për aleancat e reja. Më i rrezikshëm dhe më naiv është budallallëku tjetër i autorit rreth hedhjes së idesë për rishqyrtimin e identitetit fetar të shqiptarit. Daltonizëm hipokrit më hermafrodit e vështirë të gjesh. Në njërën anë të provosh të ia gjesh sistemin e vlerave kombit (sa patetike) dhe në anën tjetër ta dhunosh historinë e kaluar të shqiptarëve me supozime boshe se fetaria nuk i ka dhënë kurrë ndihmesë çështjes kombëtare (duke harruar gjithë atë bagazh të shqiptarëve të cilët ishin edhe myslimanë të mirë e edhe patriotë të zellshëm) është një hecje në ardhmëri me hapa prej kërmilli duke lënë jargën e servilizmit mbrapa. Në kohën kur Baton Haxhiu ikte trenave të luftës ishin shqiptarët (myslimanë shumica) të cilët ia kishin kthyer pushkën shkaut para se aleatët të vendosnin për të na ndihmuar. Sa hipokrizi të provosh të harrosh të tillën dhe t’i japësh merita boshe dikujt me kamuflime servilizmi. Toleranca fetare të cilën prej shekujsh e kultivojnë shqiptarët dhe e cila është strumbullar edhe i cilësdo demokraci e kulturë perëndimore e tregon më së miri rrënjën civilizuese të kontribuuesve të kësaj harmonie. Ishin dhe janë shqiptarët myslimanë ata të cilët e bartin barrën kryesore të këtij vullneti dashamir i cili ka shërbyer gjithandej historisë si promotor i denjë i kultivimit patriotik dhe civilizues; dhe tash të vish me ide për rishqyrtime fetare dhe ta minosh atë vullnet të shumicës së shqiptarëve është sikur t’u shpallësh luftë vetë këtyre shqiptarëve. Po bëhen veçse dekada prej se u trumbetua për herë të parë ideja për ritushime fetare të shqiptarëve dhe sot më tepër se kurrë është duke u vërtetuar se ky mitizim i konstelacionit të vlerave është absurditeti më i madh të cilin një intelektual kontemporan mund të ia lejojë vetvetes. Në vlerat në të cilat Baton Haxhiu dëshiron të na shtyjë dhunshëm me puhizën e kryqëzatave të tij, thirrjet për ringjyrosje fetare kolektive do të konsideroheshin përkthime të analeve mesjetare anarkiste. Në sistemin e vlerave perëndimore të cilat shqiptarët myslimanë i kanë të gdhendura kaherë e nuk kanë nevojë ti blejnë tash, çmohet në piedestal liria e individit për të bërë zgjedhje të shëndosha dhe poashtu ruhet me fanatizëm e kaluara e pasur kulturore e civilizuese, aq më tepër kur ajo është e gjallë e ngërthyer edhe në jetën e tanishme të përditshme. Shqiptarët myslimanë kanë më tepër arsye të ndihen si pjesëtarë të një civilizimi të tillë pa pasur nevojë për ritushime sepse e kanë të ngërthyer këtë mentalitet edhe me bagazhin e trashëguar të mendësisë së urtë të kulturave Biblike dhe Kuranore të cilat vijnë nga Lindja dhe të cilat Perëndimi i vlerëson tejmase duke qenë se edhe ai aty e gjen syzheun e rrënjëve të veta. Manipulimi me formësimet Lindje-Perëndim të cilat autori tenton t’i shtjellojë me dijen e një katër-pesë vjeçari janë belbëzime boshe të cilat nuk i hyjnë në gjep për një kohë të gjatë askujt. Shqiptarit mysliman po i humb durimi. Në vend që të falënderohet se nuk ka rënë asnjëherë pre e insinuatave qëllimkëqija të cilat u janë servuar me të madhe viteve të fundit, atij i vazhdohet ti thirret që për një natë ta sistemojë në plehra qenien e cila e ka krijuar atë prej shekujsh dhe i ka ndihmuar të jetë ai që është sot. Ky patetizëm quhet Baton Haxhiu sot. Klika e ideve të tilla, e kaluara dhe e tashmja, rrezikon ndjeshëm të ardhmen e kombit të vet duke qenë se jo përjetësisht shqiptarët myslimanë do të jenë të prirë të përbijnë me tolerancë marrëzirat e tilla. Mund të ju teket edhe shqiptarëve myslimanë të fillojnë propaganda për kthimin e katolikëve dhe ortodoksëve kristianë shqiptarë tek shumica myslimane, për rifreskim të trurit të klasës komunisto ateiste shqiptare, dhe në një kaos të tillë mishmashesh okultiste do të përfitojë vetëm egoja e pseudointelektualëve të tipit daltonist Batonist të cilët prapë fajin do t’ia venë turkut dhe shqiptarit mysliman pa çka se po hedhin vetë zjarr në një skenar të tillë. Dikur thuhej ’kush punon fiton’ ndërsa sot duke pasur parasysh se puna e robve të tipit Baton Haxhiu të merr në qafë me idetë mendjeshkurtra dhe të pasakta, ka ardhur koha të thuhet ‘kush mëson fiton’. Prandaj i nderuar Baton Haxhiu kthehu në fakultetin ku ke nisur studimet dhe mëso në vend që të mirresh me pallavra të cilave nuk ua di as fytyrën e as rrënjën. Mund të bëhesh bile një biolog me diplomë, qoftë kjo edhe me gjashta aty këtu të falura, dhe të paktën mund të kontribuosh duke i mësuar nxënësit e jo shqiptarët e rritur se çka është hermafroditizmi i vërtetë. Dyert i ke të hapura në fakultet. Siç do të donte tu thoshte profeti Jezus farisenjve të pabindur koprracë “Dyert e Pendimit Janë Gjithmonë Hapur”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme