Bota e parë përmes dimensionit shpirtëror

Lirisht mund të konkludojmë me gojën plotë se, libri ‘Fjalë frymëzuese’ i shkruar nga Mirsadi, është një kontribut i vyeshëm kundër kësaj epidemie të kohës sonë.
Autori shkruan: "Ata që shkatërrojnë janë të shumtë, ata që e ndërtojnë janë të paktë. Prandaj Shqipëria sot pret që t`i dalin zot." Kush më mirë se rinia do ta bënte këtë gjë, mu për këtë kapitulli i dytë titullohet: PËR NJË RINI MË AKTIVE NË BARTJEN E ISLAMIT.
Njeriu sot po vërtitet në një vorbull shpirtërore dhe ndjehet i huaj në një botë që e shpiku vetë. Jetojmë në një botë e cila bën që shpeshherë e vërteta të duket e rrejshme, kurse e rrejshmja të duket e vërtetë. Kjo botë është e çuditshme. Çudinë e shpreh autori edhe në kapitullin e parë të librit, që titullohet: ÇUDI !

Besimtari ruan shumë gjëra me vlera shpirtërore, dhe sipas tij ato po kërcënohen çdo ditë, dhe atyre po iu kanoset zhdukja.

Shoqëria sot është në siklet dhe është katandisur në këtë gjendje të mjerueshme duke qenë e privuar nga dimensioni shpirtëror.

Bota materialiste po i josh njerëzit të besojnë se realiteti shpirtëror, është joekzistent apo i demoduar në krahasim me botën që supozohet si e vetmja botë ‘reale’ dhe së cilës po i kanoset rreziku nga shthurja morale.

Për t’iu shmangur këtij degradimi, njerëzimi ka nevojë për besim të vërtetë dhe të paluhatshëm:
Shumë njerëz në periudhën e vështirësisë, apo mirëqenies bien nga provimi, përveç atyre që i ruan All-llahu. Për këta njerëz Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Është e çuditshme situata e besimtarit, çdo gjë dhe çdo gjendje e tij është e mirë, kjo s’i ndodh askujt përveç besimtarit. Nëse është në mirëqenie, është mirënjohës dhe kjo është mirë për të, por edhe nëse e godet ndonjë fatkeqësi, duron edhe kjo është mirë për të ... e ata janë pak.”

Le të citojmë një pjesë nga libri:

Kjo gjendje në të cilën ndodhesh ti sot, është një gjendje kritike. Një gjendje e tillë, e bën çdo njeri të mërzitet e të trishtohet; mirëpo për besimtarin nuk duhet të jetë kështu... Ai ka një vizion tjetër, është i fuqishëm, është i gatshëm të përballojë çdo problem…sepse ai e di se çfarë do All-llahu bëhet dhe çfarë s’do Ai, s’bëhet!

Vetëm lidhja me All-llahun është garanci për të mos rënë nga provimi në të dyja situatat.
Njeriu lind në kohën kur i duhet ta gjejë vendin e vet dhe në vendin ku i duhet ta gjejë kohën e vet. Ka rëndësi shumë të madhe që njeriu të dijë të jetojë me kohën dhe të jetë në gjendje të shfrytëzojë atë.

Le të citojmë një fragment nga libri i autorit:

"Prandaj vëllezër muslimanë të përpiqemi edhe ne që ta shfrytëzojmë kohën e mos ta lëmë të na iki kot, ngase ‘koha është anije, që nuk e hedh kurrë spirancën’… Zoti na bëftë prej atyre që e shfrytëzojnë kohën në dobi të njerëzimit."

Për të pasur siguri dhe garanci për ruajtjen e identitetit të gjeneratës së ardhme janë dy elemente të pandashme që njëkohësisht janë edhe alternativa e shpëtimit tonë dhe fëmijëve tonë. Ato janë: besimi (edukimi) dhe arsimimi (dituria).

Të besosh do të thotë të dish se rrena nuk është e vërtetë; se errësira nuk është dritë; se e keqja nuk është e mirë; se dhuna nuk është drejtësi; se marrëzia nuk është urtësi. Të besosh do të thotë të dish se besimi është çështje publike, e mosbesimi çështje private. Të besosh, pra është të kthjellohesh, të zgjohesh nga gjumi letargjik, të vetëdijesohesh dhe t’i shohësh gjërat me syrin e besimit, me syrin e shpirtit. Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Njerëzit janë në gjumë, kur vdesin zgjohen”. Ndërsa ajetet vijuese përshkruajnë shumë qartë gjendjen e më sipërme: “Nuk është i barabartë i verbëri me atë që sheh. As errësirat me dritën. As hija me vapën. As nuk janë të njëjtë të gjallët me të vdekurit... (Fatir: 19-22).
Bota e sotme i ka lënë mënjanë të gjitha vlerat e larta shpirtërore, madje shpeshherë edhe vetë vlerat morale, i gjykon nga këndvështrimi material.

Besimtari mundohet që ta ruajë shpirtin dhe mendjen të pastër dhe të kontribuojë, me aq sa mundet, në ruajtjen e trashëgimisë së mrekullueshme shpirtërore dhe padyshim namazi është një thesar shumë me vlerë që luan një rol të pazëvendësueshëm në këtë drejtim, ashtu sikurse thotë Pejgamberi (a.s.), se namazi është shtylla e fesë. Po citojmë përsëri një fragment nga libri:

"Namazi është motor i fuqishëm që e vë njeriun në lëvizje pesë herë në ditë. Është fuqi nga e cila buron adhurimi, pastërtia, kultura, qytetërimi, edukata, morali etj. Është arma më e fuqishme kundër nxitimit në punë të këqija dhe kundër stresit.
Në namaz balli ynë puth dheun, e provon sexhden dhe ndjen kënaqësinë e shijes së përuljes."
Ky është momenti kur njeriu është më afër Krijuesit të tij.

Jemi bindur se të dobëtit i duhet fuqia, e jo mëshira e humanizmi. Kjo tregon se ripërtëritja jonë duhet të jetë me mendje e fuqi, me dije e shkencë e jo me lot e vaj. Xhihadi ynë nuk duhet të shkojë rrugëve të shkatërrimit të asaj që kanë arritur të tjerët, por xhihadi ynë duhet të shkojë rrugëve të mësimit se si ne këtu të bëjmë atë që kanë bërë të tjerët.

Duke shprehur rëndësinë e studimit, autori i librit njërin prej kapitujve do të emërtojë: Jam krenar që studioj në medrese, jam krenar që jam medresist.
"Unë jam krenar që studioj në medrese! Vendi ku mësohet për fenë e All-llahut dhe për dritën që ndriçon në netët e errëta, në netët pa hënë, të kohës së sotme, prandaj jam krenar që jam musliman."

Duke pasur parasysh vlerën e madhe që i jep islami dijes, autori shpreh: krenarinë ngase studion në shkollën, e cila mban emrin e një njeriu të madh, si Haxhi Sheh Shamia. Autori kujton me mall dhe nostalgji rahmetliun prof. Faik Lulin.

MALL PËR PROFESOR FAIKUN

"Profesor, më ka marrë malli të të shoh teksa ecje korridorit të medresesë, teksa ngjitje shkallët, teksa shpjegoje..., me atë kostumin (zakonisht blu), me kravatë, me flokë të thinjura, e me zemër të madhe, kështu të mbaj mend."
Kështu e mbajmë mend të gjithë ne rahmetliun prof. Faikun. Ky është respekti që duhet treguar ndaj mësuesit dhe dijetarit, ngase sikurse thotë Muhammedi (a.s): ‘Dijetarët janë trashëguesit e pejgamberëve’…

Ajo që i duhet njeriut bashkëkohor, midis këtij moçali të turbulluar të botës mendore dhe fizike, është porosia Hyjnore.

Islami na mëson se të gjitha krijesat, madje i gjithë universi është manifestim i fuqisë së Zotit. Njeriu është mëkëmbës i Zotit në tokë, prandaj për ta realizuar këtë mision kaq fisnik e kaq të shenjtë ai duhet të jetë shërbëtor besnik i Krijuesit dhe të punojë që të zbatojë çdo urdhër të Tij. Vetëm kështu njeriu mund të ketë dinjitet të plotë, respekt dhe të arrijë lumturinë në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër.



Vëllezër!
Mund të duket si paradoks, por shumë njerëz janë të vdekur megjithëse ata jetojnë. Ata nuk e dinë se çfarë kuptimi ka jeta dhe ata nuk bëjnë asgjë për veten e tyre e as për të tjerët. S`ka dyshim, ne nuk jemi dhe kurrë nuk duam të jemi nga këta njerëz.
Vdekja nuk është tragjedia finale e jetës, ngase njeriu është një qenie e përjetshme, që nuk asgjësohet me vdekjen e tij. Ai është një qenie që vdes një herë dhe jeton dy jetë, jetën e sosur të kësaj bote dhe jetën e pasosur, të amshueshme të botës tjetër.
Nuk ka popull në histori, që nuk e ka pasur besimin e vet, kulturën e vet dhe traditat e veta. Besimi nuk mund të imponohet me forcë, për arsye se ai është i natyrshëm. Mosbesimi imponohet me dhunë, ashtu siç bëri komunizmi, sepse është jo i natyrshëm.
Mjedisi i sotëm, që u lind nga mendja sekulariste, si rezultat i teknologjisë dhe shpikjeve të shumta ka çuar drejt largimit nga shpirtërorja duke sajuar një mjedis materialist që nuk është i përshtatshëm për masën dhe formën tonë. Njeriu i sotëm është përgjegjës sepse nuk bën dallimin mes të lejuarës dhe të palejuarës. Ai nuk respekton urdhrat e Zotit.
Andaj shoqëria e sotme është një shoqëri që po bie moralisht dhe mendërisht dhe që vuan nga stresi dhe shqetësimet e shumta.

Kjo gjithësi nuk duhet të reduktohet vetëm në rrafshin hapësinoro-kohor pa horizont shpirtëror. Natyra është dhunti e dhënë nga Zoti në shërbim të njeriut. Nivelet e realitetit më të lartë shpirtëror nuk hyjnë në kategorinë e dokrrave dhe përrallave!
Islami i hedh poshtë gjithë ato bindje dhe filozofira të cilat njeriun e shohin nga aspekti dy-dimensional, duke e privuar nga dimensioni transcendental-shpirtëror.
Sikur i verbëri të ndërtonte filozofi të mbështetur në përvojën e tij të botës që del nga katër shqisat e tjera të tij, sigurisht ajo filozofi do të dallonte nga realiteti që do të perceptohej duke u bazuar në ato katër shqisa dhe në shqisën e të parit.
Ajo që i mungon njeriut bashkëkohor është pikërisht vizioni shpirtëror dhe të parit e gjërave më syrin e zemrës: “Pra nuk janë sytë të verbër, por zemrat që i kanë në kraharor.” (el Haxh, 46)

Synimi i këtij libri është që të vejë në dispozicion një grup të dhënash fetare që kanë të bëjnë me secilin prej nesh, e veçmas me rininë në kohën tonë, në mënyrë që të largojë shastisjen në mendje dhe grimcimin e shpirtrave.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme