Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Polemika, recensione, shqyrtime, intervista ->

Kush ka qene Enver Hoxha?




Profesori 74-vjeçar rrëfen luftën e pushtetit të Enver Hoxhës për të shembur fenë dhe Zotin, duke guxuar të instaloj për herë të parë në botë ateizmin



Hulusi Hako: Si i bëra “gjyq Zotit” dhe propagandova ateizmin në Shqipëri!



Intervistuan: Poli Hoxha & Luan Kondi Gazeta “PANORAMA”

Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Kush është Hulusi Hako



(Judët që në vijim u bënë njerëz të njohur në Shqipëri si Mark Ndoja, Hulusi Hako e Luigj Franja me shokë në luftën kundër Kishës dhe fesë në Shqipëri, e filluan me përdhunimin e varrit të At Gergj Fishtës eshtrat e të cilit i hodhën në lumin Dri dhe vazhduan me shndërrimin e kishave dhe Xhamive në depo dhe magazina - Mërgim Korça)

Profesor Hulusi Hako, udhëheqës dhe realizues i ateizmit në Shqipëri, u lind më 10 tetor të vitit 1930, në Delvinë. Shkollën fillore e përfundoi në qytetin e lindjes, ndërsa atë unike në gjimnazin “Asim Zeneli”, në Gjirokastër. Kreu studimet universitare në Universitetin “Lomonosov” në Moskë, për filozofi në vitet 1952-1958. Po ne vitin ´58, ai mbrojti diplomën me temë: “Roli reaksionar i islamizmit në Shqipëri”. Kthehet në atdhe dhe e emëruan pedagog në Universitetin e Tiranës, ku dha lëndën e materializmit dialektik. Në vitin 1967, ishte një nga propaganduesit e filozofisë ateiste dhe ndihmoi në lëvizjen e kohës kundër bestynive fetare dhe kulteve të besimit. Hulusi Hako është autor i një mori shkrimesh propagandistike antifetare dhe librash të kësaj fushe (të paprecedent edhe në botë) si: “PPSH mbi fenë dhe ateizmin shkencor” botuar në vitin 1967, “Akuzojmë fenë” botuar një vit më vonë. “Gruaja dhe fëmija, viktimat më të ndjeshme të ideologjisë fetare” që pa dritën e botimit në vitin 1969, “Gjyq Zotit”, viti 1972, skenar dokumentar “E vërteta mbi fenë” viti 1974. Në këtë periudhë mbrojti doktoraturën me temë: “Vija politike dhe përvoja e PPSH për edukimin ateist shkencor të popullit” viti 1978, “Ateizmi shkencor” viti 1983, “Vatikani paraziti shekullor i planetit” viti 1984, “Folklori, zëri i gjallë i kombit kundër fesë” viti 1986.

Profesor Hulusi Hako, tashmë është 74-vjeçar. Ai pranon se ka qenë dhe është ateist. Sipas tij, brumosjen me këtë filozofi e ka që në fëmijëri, falë nënës se tij që edhe pse ishte e pashkollë, kur shikonte që shumë fëmijë vdisnin nga sëmundjet dhe lufta që merrte gjithashtu jetë njerëzish pyeste: “Ku është ky Zoti, përse nuk vë dorë në këto gjëra?” Hako rrëfen në intervistën e tij se si ai i thelloi më tej bindjet ateiste, kur shkoi për studime në Moskë, për filozofi. Pas mbarimeve të studimeve në BS, ai u emërua pedagog në Universitetin e Tiranës, ku do të jepte lëndën e materializmit dialektik. Në vitin 1967, vit kur filloi edhe lufta kundër fesë dhe institucioneve të kultit, Hako do të bëhet propaganduesi kryesor i ateizmit. Si orientohej nga KQ dhe Foto Çami, grupi i propagandistëve të ateizmit që takoheshin me masat punonjëse. Çfarë porosiste Enver Hoxha në atë kohë dhe përse komuniteti mysliman nxori qarkore që vartësit e tyre të dorëzonin çelësat e faltoreve nëse këtë “e kërkonte populli”. Kush ishin pengesat që haseshin në luftën kundër fesë dhe përse kleri katolik nuk mund të shkëputej nga Vatikani, siç kërkohej në atë kohë. Këto dhe të tjera pyetje marrin përgjigje në vijim të intervistës interesante të profesorit Hulusi Hako.

Pyetje: Keni ndonjë merak nga jeta?

Hulusi Hako: Kur ha bukë bën edhe thërrime. Ideja e plakës “më bëni edhe një herë të re, pa do të shikoni sa bukur do të nusëroj”, mbetet shprehje figurative e faktit se njeriu e shikon gjithnjë me sy kritik të kaluarën e vet dhe të shoqërisë ku ka “milituar”, sidomos për pjesën shoqërisht të dobishme të veprimtarisë së vet.

Pyetje: Në veprimtarinë tuaj publike spikat një qëndrim i rreptë ndaj Zotit. Ku e ka zanafillën ky formim ateist?

Hulusi Hako: Të veçantat, personalet në këtë formim e në krejt procesin e akumulimit jetësor shkencor, kanë nisur që në fëmijëri. Në familje nëna ime, atëherë me pesë fëmijë dhe në skamje, përkundrejt pyetjes sonë se ç´do të hanim në darkë na përgjigjej: “Ç´të na japë xhiko perëndia”. Por dominues në gjykimet e saj ka qenë skepticizmi i shfaqur me arsyetimet: “Gjithë këto vuajtje, sëmuren dhe vdesin fëmijë, bëhen luftëra e padrejtësi, ku është ky Zoti që nuk ndërhyn dhe nuk vë dorë?” Nëna kishte vetëm tri klasë fillore dhe në vitin 1912 pas shpalljes së Pavarësisë, i ati i kishte thënë të mos e vazhdonte më atë, pasi ishte bërë goxha vajzë. Ajo orientohej shumë me përvojën e jetës dhe gjykimin realist. Nëna ishte e etur për dije dhe ndaj bëri çdo përpjekje për të na arsimuar. Kështu në ngarkesën time shpirtërore, emocionale diktoi e dominoi jo mësimi i fesë në shkollën fillore me formatet e kohës, por realizmi i nënës. Megjithatë, edhe qyteti i Delvinës, ku jam lindur dhe rritur, nuk dallohej për ndonjë jetë fetare të theksuar. Iu gëzoheshim festave pagane dhe atyre myslimane, ashtu për anën fetare të tyre. Më kujtohet edhe diçka tjetër me nënën. Në kohën kur ne u rritëm dhe u bëmë kuadro me shkollë, nëna ishte në moshën e tretë dhe përsëri ajo nuk kishte besim në dogmën tjetër fetare të “jetës së përtejme” ndaj dhe na thoshte: “Kujdesin dhe dashurinë tregomani për së gjalli. Kur të vdes, më hidhni në kanal dhe kërceni dhe këndoni”.

Pyetje: Si erdhi dhe u kultivua më tej te ju bindja antizot?

Hulusi Hako: Pas përfundimit të shkollës fillore dhe më pas arsimit solid në gjimnazin e Gjirokastrës “Asim Zeneli” në vitet 1946-1952, më takoi të vazhdoja studimet e larta në fakultetin e Filozofisë në Universitetin “Lomonosov”, në Moskë. Këtu u konsoliduan edhe më botëkuptimi im shkencor ateist. Ai u bë në të njëjtën kohë ndërgjegje dhe mendimi im. Në planin mësimor të fakultetit krahas mjaft disiplinave natyrore dhe humane, zhvillohej edhe lënda e ateizmit shkencor. Në qershor të vitit 1958 mbrojta përpara Komisionit Shtetëror diplomën me temë: “Roli reaksionar i Islamizmit në Shqipëri”. Për përgatitjen e temës në fjalë erdha me pushime për të studiuar literaturë e grumbulluar materiale konkrete. Tema përbënte një risi për komisionin, i cili e vlerësoi maksimalisht, duke e shoqëruar edhe me fjalët: “Urime në punën për edukimin shkencor të masave punonjëse në Shqipëri”.

Pyetje: Sa iu shërbeu urimi i profesorëve rusë për t´u destinuar në përkushtimin tuaj ndaj ateizmit?

Hulusi Hako: Fakulteti, tema e diplomës dhe urimi i profesorëve sovjetikë, përbëjnë një premisë, mundësi reale, e cila u bë realitet dhe mori jetë pasi u ktheva në atdhe, ku më emëruan pedagog i filozofisë marksiste-leniniste në Universitetin e Tiranës. Materializmi dialektik ishte lënda e mendjes, ndërsa ateizmi shkencor u bë fusha kërkimore, tema e kualifikimeve të mëtejshme dhe lënda e militimit në frontin ideologjik. Pas kësaj do të botoja mjaft materiale në organe qendrore dhe lokale. Jo vetëm kaq, por kam qenë lektor në shumë takime dhe biseda me kolektiva nxënësish, punonjësish apo dhe ushtarë të reparteve të ndryshëm ushtarakë, në qytete, fshatra, në aktive dhe seminare.

Pyetje: Pse çfarë po ndodhte në këtë kohë?

Hulusi Hako: Fryma ideologjike dhe kulturore, sipas orientimeve të partisë në pushtet, bazohej në mësimet e Marksit. Partia e klasës punëtore, duke lënë të lirë ushtrimin e kultit fetar synon çlirimin e masave punonjëse nga prangat shpirtërore të opiumit fetar. Anëtari i partisë si rregull nuk pajtohej me mbajtjen e besimeve fetare, besëtytnive e zakoneve prapanike. Ai duhet të ishte pararojë dhe të jepte shembullin e tij personal në familje e në proceset e emancipimit shpirtëror. Por, juridikisht parimi demokratik i lirisë së ndërgjegjes ishte i sanksionuar në veprim. Po peshorja anonte nga ateizmi shkencor. Edhe komunitetet fetarë ishin të lirë. Besimtarët bënin jetën e tyre, por frekuentimi i faltoreve ishte në rënie. Më kujtohet thënia e një kleriku në intimitet atëherë: “Sa të gjejmë shesh, do të bëjmë përshesh”. Të gjithë faktorët e jetës vepronin në dizfavor të fesë. Përpjekje të mëdha politike u bënë nga qeveria në vitet e para të pushtetit popullor, për ta ndarë kishën katolike në Shqipëri nga “Selia e Shenjtë”, Vatikani. Pra, u bënë përpjekje që të shkëputej ajo organizativisht dhe të kishte statusin e vet. Por, kjo ishte parimisht e pamundur. Si mund të qëndronte organizmi pa kokë. Nga Vatikani, si organizëm fetar ndërkombëtar, mund të shkëputesh vetëm si herezi fetare, siç u ndanë në Evropë format e protestantizmit. Rezistimi dhe deri-diku rezistenca e Arkipeshkëvit shqiptar ishte bindëse dhe e justifikueshme, nisur edhe nga zbatimi i parimit “katolicizmi ose me atin e shenjtë ose hiç fare”.

Pyetje: A ka pas hezitimi dhe rezistenca të tjera të shfaqura, kundër heqjes së besimit fetar?

Hulusi Hako: Nuk diskutohet që po. Prania e një irredentizmi fetarisht të motivuar, që më shumë mbetej latente, i mbyllur, ose shprehej me kujdes, me parulla të kamufluara. Nga vrojtimet e mia mund të përmend edhe disa raste të veçanta e të kufizuara. Mbasi u mbyll kapitulli i merakut të familjes, se mos sillja ndonjë ruse nga Bashkimi Sovjetik, nën presionin e familjes, vendosa ta përqendroj vëmendjen te një vajzë, të cilës i shkrova edhe një mesazh në një copë letër. Ajo më tha se i kishte pëlqyer kjo gjë, por ndër të tjera më përmendi se ishte myslimane. Aty për aty mendova se ajo nuk e kishte kuptuar se për atë dashuri me shikim të parë unë do të sakrifikoja të gjitha perënditë dhe shenjtorët. Pra, unë, ateisti, po hasja në vështirësinë e parë, ndjenjën. Vajza më habiti dhe me një tjetër deklarim të sajin se familja e saj, shfaqte pretendimin “se Zoti për inatin tim, hakmerrej me të, pra vajzën”. Aty për aty i thashë se kjo nuk ishte në nderin e Zotit dhe nuk ishte burrërore, e as në traditën e shqiptarit që të merrej me një femër. Hera-herës, dëgjoja edhe replika në familjen time: “Nuk gjete ndonjë fushë tjetër ti. Ngele duke u marrë me priftërinjtë dhe hoxhallarët”. Kurse në vitet ´60-të pas një artikulli, botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, për problemet e edukimit ateist, më erdhi një kartolinë nga fshati Tale i Lezhës, ku shkruhej: “Kush je ti more që guxon të shash fe e Shënano, që shqiptari i ka bash me Besë e Atdhe”. Me ka mbetur në mendje që një herë kur shkova të diskutoja me kolektivin e Ndërmarrjes Rruga-Ura, ku punonte edhe një i sektit fetar “Dëshmitarët e Jehovait”. Ftesën për këtë bisedë e kisha marrë nga Bashkimet Profesionale. Pas diskutimit tim, në pushim m´u afrua punëtori dhe më tha: “Me njohuritë që ke, mund të ishe një propagandist i mirë i sektit tonë”.

Pyetje: Në vitin 1967 shpërtheu lëvizja revolucionare kundër fesë. Si u përgatit kjo fushatë?

Hulusi Hako: Asgjë në jetën shoqërore të asaj kohë nuk çonte ujë në mullirin e fesë. Përkundrazi, punohej për shkëputjen e njerëzve nga ajo. Punonin shkollat dhe mediat, klubet e pallatet e kulturës dhe bibliotekat, kinematë dhe teatrot. Pra, duket që në këtë kohë feja është bërë tabelë qitjeje. Ushtrimi i lirë i fesë kishte bashkudhëtare edhe veprimtarinë për edukimin ateist shkencor, që bëhej gjithnjë e më intensiv, pak a shumë dhe më e kualifikuar. Në fillim të viteve ´60-të, kisha shkruar disa artikuj si dhe broshurën “Feja e parë në dritën e shkencës”. Partia në pushtet që në prill të vitit 1947 kishte porositur sektorin e arsimit të organizonte edhe propagandë fetare në shkolla e kudo, duke stimuluar ndjeshëm edhe luftën kundër fanatizmit fetar dhe zakoneve të vështira. Ndërsa, në janar të vitit 1967, rinia e shkollës së mesme “Naim Frashëri”, në Durrës shpall publikisht nismën “të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, besëtytnitë, zakonet prapanike”. Më 6 shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha mbajti fjalimin me temë “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”. Dy ditë pas këtij fjalimi gazeta “ZP” i bënte jehonë nismës së nxënësve dhe mësuesve të shkollës nëpërmjet kryeartikullit “Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive dhe zakoneve prapanike”. Situata po ndizej dhe në Durrës dhe qytete e krahina të tjera, nisën debatet fletë-rrufetë, e veprime të tjera konkrete kundër fesë. Më 26 mars organizohet kuvendi i tre brezave në Lezhë, si simbol i karakterit masiv të asaj lëvizjeje. Ç´është e vërteta Enver Hoxha, ato ditë, insistonte për punë bindëse. Ai thoshte: “Populli duhet të bindet për kotësinë dhe rrezikshmërinë e fesë, e kishës, të xhamisë, të çdo institucioni e zakoni fetar dhe vetë të marrë vendim të prishë ose jo, ta braktisë fenë menjëherë ose ngadalë”. Kryesia e komunitetit mysliman dhe atij bektashian ishin të parët që lëshuan shpejt poshtë qarkoren, ku porosisnin vartësit të dorëzonin çelësat e faltoreve, kur e kërkonte një gjë të tillë populli. Në këtë moment ndërhyn Enver Hoxha, duke thënë: “Po të na kishin pyetur, nuk do t´ua sugjeronim një qarkore të tillë, por meqë e bënë vet, ashtu qoftë”. Idetë frymëzonin njerëzit në vepra dhe në veprime sipër lindnin ide të reja. Entuziazmi i spastrimit, krenaria e krijimit të shpejtë të një shoqërie ateiste, u bënë marramendëse. Reforma e suprimimit të klerit, faltoreve dhe praktikave fetare, u realizua pa ndonjë rezistencë të konsiderueshme nga poshtë, pra nga masat popullore. Kjo reformë u mirëprit dhe u përshëndet nga lart, nga partia në pushtet. Më 9 qershor 1973 në Shkodër u çel edhe muzeu ateist.

Pyetje: E parë kjo në këndvështrimin e sotëm a keni ndonjë kritikë ndaj kësaj lëvizje?

Hulusi Hako: Kam, patjetër. Dëshiroj të them se synimet dhe preferencat e PPSH dhe Enver Hoxhës, përveç që burojnë nga shkenca dhe filozofia marksiste-leniniste, në një masë të konsiderueshme ushqehen edhe nga traditat solide kombëtare e popullore fetare dhe apatike ndaj klerit. Shumë të huaj, ndër ta edhe arvanitasi Aristidh Kola, kanë vërejtur e pohuar, mbështetur në shkaqe e rrethana konkrete historike, se shqiptarët janë populli më pak fetar i botës. Është edhe kjo gjendje që kushtëzon e ka gjeneruar tolerancën ndërfetare midis shqiptarëve, ndryshe nga fanatizmi që ka atribut të vet intolerancën dhe mbetet një premisë dhe terren për t´u keqpërdorur. Feja u rehabilitua në Shqipëri, sepse u restaurua kapitalizmi. Në kushtet e një jetëgjatësie të sistemit politik social-ekonomik, kulturor-arsimor që lamë pas, feja do të harrohej fare. Mirëpo në rrjedhën e sotme të proceseve drejt bashkimit evropian, një afishim i prirjeve ateiste do të ishte ku e ku më i pëlqyer sesa gogoli shqiptar i ndonjë fundamentalizmi, me të cilin fqinjët tanë mashtrojnë veten, u hedhin dhe të tjerëve hi syve. Gjithashtu mund të them se Marksi ka shprehur idenë se “partia e klasës punëtore, duke lënë të lirë besimin fetar, synon çlirimin e ndërgjegjes së punonjësve nga prangat shpirtërore të opiumit fetar. Kjo është strategjia”. Lidhur me këtë vjen edhe një tjetër klasik i marksizmit, Frederik Engels, i cili shprehet se “shërbimi më i mirë që mund t´i bëhet idesë së Zotit është shpallja e ateizmit simbol i detyruar”. Ky konkluzion lidhej me disa veprime të nxituara e sektare të Komunës së Parisit më 1871 që mbylli 20 kisha. Megjithatë, komunarët kishin grumbulluar një duf kundër kishës katolike. Në këtë kontekst, ajo që e ekspozoi keq dhe e vuri në pozitë delikate Shqipërinë socialiste para perëndimit ishte neni i Kushtetutës së vitit 1976 ku thuhej: “Shteti nuk njeh asnjë fe, zhvillon dhe përhap propagandën ateiste”. Më keq akoma ishte formuluar neni 55 i Kodit të Procedurës Penale që vendoste dënimin “agjitacion dhe propagandë fetare” njëlloj si atë “propagandë fashiste luftënxitëse”. Ky ekspozim negativ në gjuhën juridike i jepte të drejtën morale Perëndimit të reagonte e replikonte, duke u shprehur: “Avash ju shqiptarët. Keni aq shumë halle në tokë dhe merreni me qiellin”. Demokratike është të kesh të garantuar e të gëzosh lirinë e ndërgjegjes, ta trajtosh atë si çështje private, personale. Shqipëria bëri një deklarim të tepërt e të panevojshëm, përdori autoritetin e shtetit, praktikës kushtetuese e ligjit, në favor të ateizmit dhe në dëm të ndjenjave fetare.

Pyetje: Përse nuk reaguat për këtë?

Hulusi Hako: Për Kodin Penal nuk e kisha idenë, këtë e mësova kur ngritën zërin vendet Perëndimore. Për nenin e Kushtetutës, kur ishte në projekt për diskutim popullor, sugjerova në aparatin e Komitetit Qendror një formim më të përgjithësuar, por nuk u reflektua. Pas lëvizjes popullore vijnë një sërë botimesh, librash dhe broshurash si “PPSH mbi fenë dhe ateizmin shkencor” në vitin 1967, “Akuzojmë fenë” viti 1968, “Gruaja dhe fëmija, viktimat më të ndjeshme të ideologjisë fetare” viti 1969, “Gjyq Zotit” viti 1972, skenar dokumentar “E vërteta mbi fenë” viti 1974. Në këtë periudhë mbrojta edhe doktoraturën me temë: “Vija politike dhe përvoja e PPSH për edukimin ateist shkencor të popullit” viti 1978, “Ateizmi shkencor” viti 1983, “Vatikani paraziti shekullor i planetit” viti 1984, “Folklori, zëri i gjallë i kombit kundër fesë” viti 1986.

Pyetje: Në “betejën” me fenë, cilat ishin rekomandimet e partisë dhe Enverit për luftën kundër saj?

Hulusi Hako: Fushata për goditjen e fesë, besëtytnive dhe zakoneve prapanike u vunë në qendër të vëmendjes jo vetëm të udhëheqjes së partisë, sektorit të propagandës, por edhe të të gjitha organizatave bazë të partisë, komunistëve, të veprimtarëve të organizatave të masave dhe të shtypit. Kuvendet dhe mbledhjet, anembanë Shqipërisë nuk reshtnin atë pranverë të vitit 1967. Ishte një debat i fuqishëm, ku para gjyqit të arsyes delte gjithë bagazhi negativ i së kaluarës. Vetë Enveri fliste për hapa të matura, për krijimin e bindjeve në çështjen e mbylljes së faltoreve. Ai orientonte punën e partisë edhe me idenë se të besuarit nuk është faj, por një fatkeqësi e njerëzve. Por, fakti është që edhe atë e përfshiu vrulli dhe entuziazmi masiv. Them se Enveri është nga të paktët personalitete shtetërore, pas klasikëve, që është prononcuar më shumë për problemet e fesë. Dhe jo vetëm kaq, por ka reaguar sistematikisht në rrjedhën praktike të lëvizjes kundër fesë. Sigurisht, prononcimet e tij kanë qenë në rezonancë me veprimtarinë e masave dhe madje në amplifikim të aksioneve të tyre. Është i njohur pozicionimi i Hoxhës, si ateist që në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare. Por, partia në ato vite i ka bërë thirrje edhe komuniteteve fetare dhe klerikëve që, duke u bazuar në ndjenjën atdhetare, të kontribuonin në kauzën e çlirimit. Pas çlirimit, ai do të afishonte botëkuptimin materialist, ateist shkencor, ide e cila mishërohej në të gjithë jetën politike, arsimore të vendit.

Pyetje: Cilat kanë qenë lidhjet tuaja me sektorin e propagandës në KQ?

Hulusi Hako: Këto lidhje kanë qenë në varësi të situatave dhe jo shumë të shpeshta apo sistematike. Për shembull, në vitin 1964, disa pedagogë të filozofisë i kërkoi në takim Foto Çami, atëherë specialist në sektorin e propagandës në KQ. Qëllimi i këtij takimi ishte që të përgatitnim së bashku tematikën e një libri për propagandën ateiste shkencore. Nëpërmjet disa takimeve dhe debateve, sigurisht pune, u bë i mundur hartimi dhe botimi i librit “Feja, opium për popullin”. Në këtë libër, me rreth 200 faqe, trajtuam tema më shumë të përshtatura nga literatura sovjetike dhe pak të ilustruara me shembuj të historisë dhe jetës sonë të përditshme. Pas dhjetë vjetësh, më 1975, kur u hartua projektkushtetuta e re dhe po diskutohej, u paraqita përsëri në KQ të PPSH, për të diskutuar rreth nenit: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah propagandën ateiste shkencore”. Kisha mendimin që në Kushtetutë të mos afishohej kaq ashpër qëndrimi i shtetit ndaj fesë, pasi kjo përbënte një arsye më shumë që Perëndimi të na cilësonte si shtet diktatorial dhe që “vret” liritë dhe të drejtat e njeriut. Kushtetutës do t´i mjaftonte garantimi i lirisë së ndërgjegjes, sepse ç´përmban shtetasi në ndërgjegjen e tij, është monopol dhe një çështje personale. Projekti u aprovua ashtu siç ishte shkruar dhe sugjerimi im nuk u mor parasysh. Di të them se akoma pa u shembur Muri i Berlinit, po na afronte 25- vjetori i lëvizjes revolucionare kundër fesë dhe zakoneve prapanike në Shqipëri. Kisha mendimin se ky përvjetor jubilar duhej përkujtuar, edhe me njëfarë bilanci. Ja propozova këtë Nexhmije Hoxhës, e cila e mirëpriti dhe më porositi që të hartoja një projekt për këtë eveniment, i cili mbeti jetim, pasi erdhën ndryshimet dhe ajo lëvizje përfundoi si një kauzë e fikur.

Pyetje: Patët përplasje me klerikët dhe besimtarë?

Hulusi Hako: Faltoret u mbyllën me “goditje të përqendruar”. Por, megjithatë, në shumë besimtarë mbetej i pashuar në ndërgjegjen e tyre feja. Ata do të gjenin mënyrat, rrugët për të ngushëlluar vetveten dhe për të kërkuar derman nga vendet e “mira” dhe nga ndonjë klerik. Kështu që debatet, mbledhjet, kritikat ndaj këtyre njerëzve vazhduan edhe më pas. Nuk mund të lë pa përmendur në këto vite edhe pjesëmarrjen në ekipe për të zmbrapsur mjaft njerëz fatkeq të të gjitha besimeve që niseshin në shtegtim të gjatë në kishën e Shenanoit, në Laç. Ata çonin atje njerëz të sëmurë epileptikë apo që vuanin nga tensioni, dhembjet e kokës, vajza që nuk u delte fati dhe gra që nuk lindnin. Këto ballafaqime, besimtarët na i merrnin si ndërhyrje dhe presion dhe shpesh herë edhe revoltoheshin. Në këtë kontekst, kam sugjeruar për të dërguar jo ekipe veprimtarësh dhe lektorësh, por grupe mjekësh të disa specialiteteve. Nga takimet dhe bisedat me njerëzit, të cilat ishin të herëpashershme dhe nga konstatimet që bënin grupet e punës, u arrit në konkluzionin se njerëzit kishin nevoja imediate për mjekë të specializuar dhe jo se ata, nisur nga “besimi i thellë”, shkonin në këto vende që i konsideronin si shpëtimtarë të halleve të tyre. Kështu, nisur nga kjo, mendova t´i bëj një relacion kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, ku i argumentoja se duhet të ndërhynim në këto raste jo më me teorira dhe leksione antife, por me veprime konkrete, që do të thoshte ndihmë mjekësore e kualifikuar për këta fatkeq. Pasi u mbyllën veprat e kultit, klerikët nisën të jenë si të gjithë të tjerët, qytetarë të thjeshtë dhe të jetonin me punën me djersën e ballit. Më kujtohet edhe një rast interesant kur kleriku, Niko quhej, që kishte studiuar për teologji në Athinë, pasi përktheu në gjuhën greke, për minoritetin, librin “Akuzojmë fenë”, m´u shpreh se kisha ndikuar edhe unë tek ai, për të reflektuar dhe për të qenë më realist në jetë. Por, ndodhte që ndonjë, qoftë edhe studenti im, të ruante akoma ndonjë shpresë te besimi fetar. Kështu, Terezës, nga Shkodra, studente e agronomisë, që jepte provimin shtetëror të lëndës së marksizmit, i gjetëm të fshehur në librezën e notave pikturën e ikonës së Shën Terezës. Si ndëshkim ajo mori moskualifikimin në atë sezon dhe e detyruam të vinte edhe një herë në sezin e vjeshtës.

Pyetje: Keni qenë gjithnjë konsekuent i mendimeve tuaja ateiste?

Hulusi Hako: Ateizmi nuk varet nga ekonomia e tregut, nuk është politikë, as koniunkturë apo veshje stine, por ndërgjegje e mendim shkencërisht i argumentuar. Atë e bëjnë të tyre politika të caktuara, ashtu sikurse politika të tjera anojnë nga feja. Shumë të njohur të mi, me dashamirësi më thonë tani, sikur kam qenë i detyruar në kohën e monizmit, të shkruaja për problemet e ateizmit shkencor, se ashtu ishte koha, e ma donte të luaja pjesën. Po me këto mendime dhe opinione që mbeten vetëm të tyre, ata më deformojnë. Me kënaqësi më ka folur për shkrimet e mia ateiste, para 40 vjetëve, edhe dr.Pëllumb Bitri, profesor i dëgjuar i anatomisë. Ai më rekomandonte që të shkruaja sa isha ende i ri. Ja kuptova nëntekstin dhe i thashë: “Më vonë me përvojë dhe akumulim do të jem më bindës në argumente”. Më kujtohet edhe një thënie e pediatrit të nderuar Thoma Kristo, i cili në koifidencë më thoshte: “Dua të besoj, por kur të shoh ty që as rënkon e as çalon, e kam vështirë të vendos për këtë?”. Kush e dëshiron fenë mund t´i bëjë edhe asaj vend në një qoshe të ndërgjegjes, por kjo nuk e injoron faktin se ateizmi vjen gjithashtu nga thellësitë e shekujve, është i pranishëm paralelisht me fenë në të gjitha epokat e rendet shoqërore dhe shkon gjithnjë duke u zgjeruar e konsoliduar. Të paktën këto dy-tre mijë vjetët e fundit, feja dhe ateizmi nuk i janë ndarë ndërgjegjes dhe kulturës njerëzore. Ateizmin nuk e shpiku marksizmi apo komunizmi, por e trashëgoi atë nga thesaret e kulturës e të mendimit progresist botëror, e vlerëson atë si një shprehje dhe forcë emancipuese të shpirtit dhe mendjes njerëzore. Si tregues të personalitetit të pavarur dhe dinjitetit të konsoliduar. Që para 2500 vjetëve “Prometeu” i Eskilit, simboli i luftëtarit për lumturinë e njerëzimit, heroi legjendar që i grabiti zjarrin Zeusit, në favor të njerëzve e qesëndisi Hermesin, shërbëtorin e perëndive me fjalët: “Ji i sigurt, nuk dua kurrë ta ndërroj fatin tim të mjerë me skllavërinë tënd prej shërbyesi. Preferoj më mirë të jem i lidhur me zinxhirë në këtë shkëmb, sesa të jem lake i bindur i Zeusit…”. Me një fjalë, unë i urrej të gjitha perënditë. Protemeizmi dhe ateizmi dalin kështu si sinonime që mund të përdoren në vend të njëri-tjetrit. Ateizmi u bë jeta ime shkencore e profesionale, të cilën nuk kam të drejtë ta zhvlerësoj e ta reduktoj në një tullumbace, apo fluckë sapuni. Përkundrazi, ndihem krenar që jam marrë me këtë temë, ajo më ka dhënë kënaqësinë e sadisfaksionin e një jete aktive, krijuese të dobishme. Të merresh me Zotin, është gjëja më e lehtë, se merresh me hiçin, me të paqenurin, është si të qëllosh në ajër, ndoshta dhe si puna e Don Kishotit, që krekosej e luftonte kundër mullinjve të erës. Por, nga ana tjetër, kjo është dhe mjaft e vështirë, që t´ia argumentosh racionalisht besimtarit shkëputjen nga dogma e Zotit, sepse ai e ka fenë një mënyrë jetese të përqafuar emocionalisht. Pastaj, angazhimi dhe shpenzimet botërore që bëhen për indoktrinimin fetar të njerëzve, me një punë intensive e sistematike, nga lindja deri në vdekje, dhe në të gjitha sferat e jetës janë të pallogaritshme, shuma astronomike. Ka njerëz të thjeshtë, që sugjestionohen lehtë edhe prej prononcimeve teologjike e veprimeve të disa politikanëve apo burra shteti.

Pyetje: Aktualisht, a veproni dhe jetoni si ateist intensiv?

Hulusi Hako: Nuk heq dorë nga ateizmi. Ta ndryshoj atë është njësoj sikur heq shtyllën kurrizore. Kurse për intensivitet nuk e lejon as mosha dhe as koha. Në një farë mënyre i përkas edhe unë emigracionit jo fizik, por vetëm të mendjes, sepse sa për ushtrimin e trurit shkruaj ndonjë temë modeste në revistën e përmuajshme “La Voce Degli Atei Materialisti Dialettici” (Zëri i Grupit ateist Materialist Dialektik), që botohet në Romë. Kjo është një shoqatë e majtë, e themeluar në gusht të vitit 1998, me president shkrimtaren dhe intelektualen militante Miriam Pellegrini Ferri. Shkrimet e mia në këtë revistë janë mirëpritur dhe botohen në faqen e dytë të saj. Ne, shqiptarët, po të ishim të prirë të ecnim në gjurmët më të mira të demokracisë evropiane, do të reflektonin rreth faktit që m´u në kryeqytetin e Italisë fqinje, ku ka selinë edhe Vatikani, “një lagje shtet” me status dhe veprimtari të mirëfilltë politike, të ngjyrosur fetarisht, shoqata në fjalë nuk ngurron t´i numërojë Vatikanit gjithë bëmat e të këqijat historike dhe aktuale, që me diegjen e Xhordano Brunos, në sheshin e Luleve të Romës (viuti 1600), deri te bashkëpunimi me fashizmin e nazizmin, në vazhdim.

Pyetje: Keni replikuar ndonjëherë për përcaktimet që u janë bërë nga të tjerët?

Hulusi Hako: Kam dy shije paralele. Njëra është ajo e keqardhjes për demokracinë tonë. Një gazetare, të cilës i çova për botim një shkrim ateist, ma refuzoi bashkëpunimin, duke më quajtur persekutor të ndërgjegjes. Një gazetë aty, nga viti 1995, më ka quajtur si “Juda i zi i Shqipërisë”…, “Krimineli që e ka vendin gjetiu!” (pa e specifikuar se ku “gjetiu”, në qeli apo në qiell. dmth., në kazanët e valuar të ferrit-xhehnemit). Mund të shtoj këtu edhe kronikën e një tjetër gazete, në janar të vitit 1993, me titull: “Ambasada greke ndihmon komunistët shqiptarë”, ku shprehet habia se si mund të jetë i pranishëm në Greqinë ortodokse ish-pedagogu i ateizmit shkencor, “i dënuari disa herë me vdekje nga Patriarkana Greke dhe Sebastionos”. Nuk e kam gjetur me vend të replikoj, sepse i kam quajtur opinione tepër personalë dhe jashtë standardeve profesionalë. Po t´i vlerësoja si prononcime madhore duhej të gëzoja të drejtën t´u kërkoja autorëve një “prokurë hyjnore”, që flasin kaq serbes në emër të Qiellit.

Pyetje: Thuhet se edhe Vatikani ju ka dënuar me vdekje për aktivitetin dhe veprën tuaj antifetare?

Hulusi Hako: E di edhe unë këtë “thashetheme”. Fjala se Vatikani më kishte dënuar me vdekje them se ishte thjesht një shaka e studentëve të mi që nga ndokush merrej edhe seriozisht. Gjithsesi, diçka ka ngelur… Shija e dytë është ajo e vlerësimit dhe e konsideratës që ka treguar shoqata ateiste e Romës, e cila më ka shënuar në listën e Presidencës së Nderit të përbërë sot nga 12 personalitete shkencore nga Italia, Shqipëria, Gjermania, Bjellorusia, Belgjika dhe Kuba. Të gjithë këta personalitete të shquar mblidhen për të argumentuar mungesën e Zotit pranë Vatikanit dhe unë nuk di që të jenë dënuar me vdekje.



Pyetje: Në një të përditshme në Shqipëri u ribotua shkrimi i Presidentit gjerman, Johannes Rau, “Liria e besimeve fetare”. Ku bashkoheni dhe ku ndaheni me mendimet e tij?



Hulusi Hako: Kam shumë për të thënë. Mesazhi i Presidentit gjerman: “Unë personalisht gjej optimizmin dhe forcën në besimin kristian, që më jep ngushëllim dhe shpresë në jetë dhe vdekje, por në të njëjtën kohë kam respekt për të gjithë ata, që jetës së tyre i japin formë mbi themele të tjera”, është një ide lapidar, që pret të ardhmen, është portreti model i qytetarit të emancipuar, që e kërkon shekulli dhe mijëvjeçari i ri. Për të gjykuar drejt sfidat e kohës, nuk ka të bëjë fare dallimi ynë midis besimit dhe mosbesimit (ateizmit), që është thjesht një çështje personale. E rëndësishme e parimore është përqasja ndaj problemeve madhore të shoqërisë së sotme që lidhen me fetë dhe gjetja, përcaktimi i drejtë i rrugëve të zgjidhjes. Shkrimi i Presidentit gjerman ka të bëjë me aktualitetin, shikon dhe nga e ardhmja, madje në rang botëror, ku raportet midis feve botërore (veçanërisht midis kristianizmit dhe myslimanizmit), krejt ndryshe nga raportet shqiptare, nuk shkëlqejnë. Në mbarë planetin, fetë mbeten mjaft të ndjeshme e problematike, të diskutueshme, të debatueshme, qoftë për problemet që gjenerojnë ato vetë, qoftë për instrumentalizimin e tyre dhe për raportet me shtetin e demokracinë, me politikën e ligjin. Ky shqetësim përshkon edhe shkrimin e Johannes Raut, sepse, ndërsa bashkëjetesën, tolerancën dhe konsensusin tanimë demokracia moderne i ka bërë realitet, në pluralizmin politik dhe në mendimin ndryshe, e ka ende relativisht të vështirë për t´i mishëruar ato edhe në pluralizmin fetar, në respektimin e besimit ndryshe.



Pyetje: Si mund të arrihet kjo?



Hulusi Hako: Është krejt e pamjaftueshme të deklarohet vetëm se “me gjithë ndryshimet në detaje të gjitha fetë kanë të përbashkët besimin te Zoti”. Dua të theksoj atëherë se kjo gjë e përbashkët, sado themelore dhe e rëndësishme, nuk krijohet kollaj në botë apo dhe në një kontinent, as federatë, as konfederatë e feve dhe faltoreve. Në ndërgjegjen e çdo besimtari, e shumicës fanatike, është rrënjosur fort dogma: “Feja ime, Zoti im, mënyra ime e adhurimit të tij; të tjera janë sekte prej djallit!”. Kur të arrihet që besimtarët e feve të shumta në botë, të ndërgjegjësohen se i përkasin një Zoti dhe të shkundin barrierat e ngritura midis feve, atëherë ata do të kenë aderuar për shembull nga Bahaizmi. Mirëpo kjo është një utopi. Ndërsa dëshirën e Presidentit gjerman për bashkekzistencën e besimeve në një komb, ne shqiptarët e vlerësojmë dhe e mirëpresim, sepse, duke jetuar në mozaikun e tri feve, paqen dhe harmoninë ndërfetare, e kemi një realitet të konsoliduar, një pasuri shpirtërore, një virtyt kombëtar dhe mesazh për popujt e tjerë. Tjetër, nëpër botë sot i gjejmë fetë me statuse nga më të ndryshmet. Janë shtete me kushte demokratike të lirisë së ndërgjegjes dhe vende me fe shtetërore. Gjejmë Laicizmin francez dhe “Shekullarizmin e Iluminuar”, siç cilësohet ai në Gjermani. Këto gjykime e vlerësime të ndryshme për të njëjtën dukuri shoqërore, dëshmojnë për prani të theksuar të subjektivizmit e relativizmit. Historia e feve në botë nuk ka shkëlqyer. Edhe në Gjermani, siç pohon Rau: “Që në Asamblenë e parë kushtetuese gjermane… pati zëra, të cilat kishat dhe fenë i quajtën ’shkopinj në rrotat e civilizimit’ dhe kërkuan me forcë ndalimin e tyre. Por, ndodhi që davaja u fitua nga zërat e tjerë. Ndërkohë dihet mirë se në themelet e civilizimit, në thesaret e kulturës botërore janë depozituar dhe qëndrojnë ´si bukuroshe e fjetur´ prometeizmi dhe panteizmi, Aristofani dhe Demokriti, Epikuri dhe vepra “Dererum natura” (mbi natyrën e sendeve), e Tit Lukrecit, humanizmi i Rilindjes Evropiane, “natura-causa sui” (natyra është shkaku i vetvetes), i Spinozës, Volteri “didero”, gjermano-francezi Holbah, ateizmi i Forejbahut etj”. Atëherë cili princip i “të menduarit dhe të vepruarit iluminist”, ai që ka rrjedhur nga ekzistenca e një zoti, apo ai që e ka injoruar atë. Kjo është një çështje parimore në qëndrimin ndaj krejt trashëgimisë kulturore. Në botë sot janë të pranishëm, jo vetëm statuset politiko-juridike nga më të ndryshmet, por dhe trajtimi i tyre edhe si llastica dhe beniaminë, ka shfaqje të apollogjizmit që shkon deri në shpalljen e fesë “lule mos më prek”. Nuk përjashtohet një ditë, në të ardhmen, që të zgjohet natyrshëm “bukuroshja e fjetur” në ndërgjegjen dhe formimin e politikanëve, a burrave të shtetit, të cilët detyrimisht lënë gjithnjë gjurmë në psikologjinë dhe mendësitë e shtetasve të vet. Në rrugëtimet e shtegtimet historike të popujve kanë qenë të ndjeshme për shembull reformat e Petrit të Parë në Rusi dhe revolucioni i Kemal Ataturkut në Turqi me frymë oksidentale; mbyllja e 20 kishave nga Komuna e Parisit (1871) dhe kulturkamph i Bismarkut, motivet e reformës ateiste në Shqipëri etj. Problemi sot shtrohet që mbështetur në tërë përvojën dhe tendencën historike të përcaktohet mirë vendi dhe roli që u takon feve, do të thosha një grup i organizuar kompetent i përbërë prej historianësh dhe teologësh, juristësh dhe sociologësh, politologësh dhe filozofësh me paanësi dhe objektivitet nën patronazhin e UNESKO-s apo dhe të vet Presidentit Rau të hartonin manifestin e ideve standarde, universale, të jepnin një prototip të optimizuar, të statusit, ato modalitete, që do të shërbenin si udhërrëfyes për shekullin e XXI e më tej. Rau mendon që fetë duhet të heqin dorë nga realizimi i pretendimit të tyre për “vlefshmëri absolute”. Po hajt ta realizosh këtë në praktikë. Këtu ngec sharra në gozhdë. Ndjesia e vlefshmërisë absolute shërben si një nga shtyllat e çdo besimi më vete. Në të ardhmen i duhet qëndruar besnik dhe konsekuent parimit të shtetit laik dhe të konsiderohet fuqiplote ideja: “Të besoj apo mos të besoj njeriu, kjo është një çështje e secilit, një çështje ndërgjegjeje, dhe jo një çështje institucionale”. Për t´u diskutuar është edhe shpallja e fesë si “një nga të drejtat themelore të njeriut”, madje një e “drejtë e përgjithshme e patjetërsueshme”. Ta quash një të drejtë grupi, pa e universalizuar në korniza ligjore dhe as në opinionin publik, kjo është normale, por qenia e një shumica dërmuese të njerëzimit besimtarë, nuk është kriter për ta shpallur atë si një “të drejtë” ashtu siç nuk është i tillë edhe përdorimi i duhanit. Në të drejtat universale të njeriut bashkë me garantimin e jetës, të punës, të arsimimit etj., është thjesht dhe vetëm liria e ndërgjegjes. Kur ke të garantuar dhe gëzon lirinë e ndërgjegjes, atëherë secili zgjedh vetë të hyj në jetë si besimtar apo ateist, në mënyrë private dhe personale, ashtu siç zgjedh ngjyrën e kostumit dhe modelin e flokëve. Së fundi si shembull kë do të quajmë kulturë dhe kontribut në të, krijimtarinë e Salman Ruxhdie, apo dekretet e Sheriatit, që e kanë dënuar atë disa herë me vdekje? Emancipimi i femrës myslimane, a nuk ka të bëjë domosdoshmërish edhe me ndërhyrje dhe kufizime ligjore të fesë? Shkurt, konvergojnë apo divergojnë kultura dhe feja? Pra, duhet konturuar mirë disa principe drejt së ardhmes që brezat pas një apo më shumë shekujsh të mos na qortojnë rëndë.


E Dielë, 23 Gusht 2009; 09:30


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats