Besimi në një Zot përjashton çdo politeizëm

Dëshmia e të qenmit të Tij është mbarë gjithësia(1), njeriu i përkryer(2) dhe vetë statusi i njeriut si zëvendës i All-llahut në Tokë.(3) Në anën tjetër, njeriu(4) si qenie dualistike, i përbërë nga materia dhe shpirti, ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga Krijuesi(5), Sunduesi, Furnizuesi i Tij, nga Ai i cili i mbanë në jetën animale, intelektuale, humane dhe spirituale. Këtë nevojë njeriu edhe e manifeston ndonëse në mënyra dhe forma të ndryshme, varësisht nga faktorët që e rrethojnë dhe varësisht nga angazhimi i tij që t’i drejtohet Absolutit Suprem. Gjatë leximit krahasimtar të veprave të ndryshme religjioze, ballafaqohemi me lajthitjet dhe shtrembërimet e ndryshme kundrejt të besuarit e drejtë të Krijuesit Absolut, që edhe e kërkon ajeti i pakapërcueshëm dhe bazor për këtë pikëpamje “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë.”(6)

Mirëpo, që njeriu me sukses dhe drejt ta kryejë detyrën e zëvendësit të Zotit në tokë dhe përgjegjësinë e këtij misioni të rëndë e të vështirë (7), krahas vetëdijes mbi llogarinë përfundimtare i nevojitet edhe përforcimi moral dhe freskimi i kohëpaskohshëm shpirtëror. Islami e ka hetuar këtë nevojë andaj përcaktoi mënyrë të veçantë të freskimit me anë të lidhjes së përditshme shpirtërore (namazi dhe format tjera të adhurimit dhe të lutjeve) me burimin e Gjithmundshëm të të gjitha fuqive - All-llahun. Kjo mënyrë është ibadeti nëpërmjet të cilit njeriu i ripërtrinë forcat e veta, e përforcon besimin në sukses, sepse ka bindjen se Ai e ndihmon atë.(8)

Gjatë këtij komunikimi të të mundshmit (njeriut) me të Domosdoshmin, Absolutin (All-llahun) gjatë historisë krijohen raporte që do të mund të përkufizoheshin në tri mënyrat vijuese:

1.

“Uniteti i Qenies absolute”
2.

“Uniteti i respektit të Qenies absolute”
3.

“Uniteti i atributeve të Qenies absolute”.

Dy parimet e para i miraton dhe thuajse në tërësi me to pajtohet edhe Islami. Në këtë pikëpamje Islami nuk dallon në asgjë nga religjionet tjera. Mirëpo, dallimi ndërmjet Islamit dhe religjoneve të tjera konsiston në parimin unikal, që e posedon vetëm Islami, e ai është “uniteti i atributeve të Qenies absolute”. Nëpërmjet këtij parimi d.m.th. nëpërmjet këtyre atributeve që afirmohen në këtë parim All-llahu e manifeston veten dhe këto atribute i përkasin ekskluzivisht Atij. Këtë parim hyjnor (atributet) me Të nuk e ndanë askush. Pjesëmarrja e kujtëdo tjetër në këto atribute do të thotë rrënim, shkatërrim i Unitetit të Tij.(9)

Në religjionet popullore, filozofike dhe në judeo-kristianizëm(10), “uniteti i Qenies absolute”, pastaj “uniteti i respektit të Qenies absolute” dhe “uniteti i atributeve të Qenies absolute” ka qenë i ndarë. Për këtë arsye, në besimin e tyre hasim Zotin suprem dhe zotat lokalë, zotat me kompetenca të pjesërishme në Tokë dhe në hapësirë, pastaj njerëzit shpirtëror, ndërmjetësuesit dhe njerëzit me ndikim, të cilët respektohen sikur edhe Zoti suprem(11). Mosuniteti i këtyre tri komponentave qenësore në të besuarit korrekt të Zotit rezultoi lindjen e institucionit privilegjues të “klerit”, përkatësisht të institucionit “të priftërisë”, lindjen e instituciuonit privilegjues, institucionit ndërmjetësues ndërmjet masës nga një anë dhe klerikëve në anën tjetër.(12) Kësaj dukurie nuk i shpëtoi as muslimanizmi, që mund të vërehet lehtë nga e kaluara dhe nga aktualiteti ynë. Kur’ani një gjendje të këtillë e luftoi ashpër, të gjitha paragjykimet i zhduki dhe proklamoi se njeriu është ai që drejtpërdrejt i drejtohet All-llahut absolut(13), është në kundërshtim të ashpër me “unitetin e Qenies së Zotit” dhe në kundërshtim me mëshirën Hyjnore të drejtohemi për ndihmë, t’i lutemi dikujt tjetër përveç All-llahut, Një të vetmit.(14) Raporti i vetë njeriut dhe i Zotit, i cili nxirret nga atributet e Tij, ndërsa i cili është se “Zoti krijon, vigjilon dhe mbron”, është raport i drejtpërdrejtshmërisë së mirëfilltë. Së këndejmi, në konceptimin e tillë strikt monoteist, ndërmjetësuesit nuk janë të domosdoshëm, qofshin ata engjëjt apo njerëzit,(15) sepse “kur në shpirtin tonë ta mësojmë dashurinë dhe kujdesin e All-llahut, mëshirën e Tij sikur edhe drejtësinë, ky është rezultat i drejtpërdrejtë i asaj se me aktin e adhurimit i përulemi dhe kuptojmë edhe gabimësinë tonë edhe fuqinë gjithëpërfshirëse të Tij.(16)

Në jetën e individëve pasojnë periudha të krizave shpirtërore dhe materiale, periudha kur të gjitha burimet e optimizmit dhe të suksesit shterren, kur njeriu ndihet i paaftë, i shkretë, kur nuk ka ligj të cilit do t’i mbështetet dhe të kërkojë ndihmë, ndihmë që të dalë nga labirinthi i tij.(17) Në një gjendje të këtillë njeriu instinktivisht u drejtohet forcave të tjera, alternative, zotave, engjëjve dhe shenjtërive për ndihmë. Njeriu gjatë këtyre veprimeve nuk e futë në veprim kualitetin, dimensionin e tij hyjnor(18), por ndjek epshet, dimensionin e tij animal(19) dhe fundoset në mëkatet e tij(20), e përçmon vetëveten dhe e shkatërron “unitetin e Qenies absolute.”(21)

Mund të përfundojmë se njeriu, si qenie e pamjaftueshme, e varur dhe e nevojshme për Drejtues Absolut, të Drejtë dhe Permanent, nëpërmjet ibadetit përmbush mangësinë thelbësore të natyrës së vet, jo vetëm nëpërmjet ‘pesë sharteve’ formalisht, por me angazhim të plotë në të gjitha fushat e jetës, gjithnjë duke e pasur parasysh fuqinë e All-llahut:

“All-llahu. Me vullnetin e tij, ju ka nënshtruar detin në mënyrë që nëpër te të lundërojnë lundrat, të mundeni të kërkoni mirësitë e tij. Ndoshta jeni mirënjohës. Dhe ua ka nështruar çka ka në qiej dhe në tokë. E tëra është prej tij. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (El-Xhathijetu, 12-13).



(1) “Ne do t’u tregojmë argumentet tona në horizont si edhe në vetë ata, deri sa t’u bëhet krejt e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt të jetë për çdo send dëshmitar”. Fussilet, 53.

(2) “Ne e kemi krijuar njeriun në formën më të bukur”. Et-Tin, 4.

(3) “…Unë në tokë po caktoj një mëkëmbës ...”. El-Bekaretu, 30.

(4) “… Ai me të vërtetë është i padrejtë dhe injorant”. El-Ahzab, 72

(5) Shih ajetin kur’anor: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë.” Gjerësisht lexo komentin: Husein Djozo, Prijevod Kur’ana s komentarom, I, Sarajevë, 1966, fq. 12.

(6) El-Fatihatu, 5.

Kushejriu dhe Huxhviri sentencën ‘Ijjake na’budu’ e kuptojnë si Ligj, kurse sentencën ‘we ijjake neste’in’ e kuptojnë si Realitet Hyjnor. (Gjerësisht sipas: Annemarie Schimmel, Odgonetanje Bozijih znakova - Fenomenoloski pristup islamu, Sarajevë, 2001, fq.414.

(7) “Ne u kemi dhënë obligim qiejve, tokës dhe maleve, por ato refuzuan të pranojnë këtë se u frikësuan, kurse njeriu e mori mbi vete. Ai me të vërtetë është i pa drejtë dhe injorant.” El-Ahzab, 72).

(8) Gjerësisht: Husein Djozo, Prijevod Kur’ana s komentarom, I, op. cit., fq. 11 - 12.

Krhs.: Al-lammeh Es-Sejjid Muhammed Husejn Et-Tabatabai, El-Mizanu fi tefsir’il-Kur’an, I, botimi III, 1393 h./1973, pa vend botimi, fq. 15-27.

(9) “Sikur me Tokën dhe qiejt të drejtonin zotat tjerë, e jo All-llahu, ata do të shkatërroheshin …” (El-Enbija, 22).

Shih: Husein Eshfak, Sustina islama – Komentar Fatihe, botimi II, Sarajevë, 1986, fq. 59. Krhs.: Resid Hafizoviq, Teoloski traktati – O nacelima islamske vjere, Sarajevë, 1996, fq. 9 – 26; Adnan Silajdzic, Filozofijska teologija Abu al-Hasana al-As’arija, Sarajevë, 1999.

(10) Vuko Pavicevic, Sociologija religije sa elementima filozofije religije, botimi II, Beograd, 1980; Cedomil Veljacic, Razmedja azijskih filozofija, I-II, Zagreb, 1978.

(11) Gjendja e periudhës e ashtuquajtur “paraislamike” (asr’ul-xhahilijjeh) këtë më së miri e dëshmon, por një gjendje e ngjashme ka mbretëruar edhe në nënkontinentin e Indisë, Persisë së vjetër, Greqisë së vjetër.

(12) Husein Eshfak, op. cit., fq. 60.

Nerkez Smailagic, Klasicna kultura islama, I, Zagreb, 1973, fq. 34.

(13) Ibid., fq. 61.

(14) Ibid., fq. 21.

(15) Ibid., fq. 36.

Kurse M. Abduhu në lidhje me këtë çështje thotë: “Të gjithë ata që shpresojnë në ndihmën e të vdekurve dhe mendojnë se me ndërmjetësimin e të vdekurit, dëshira e tyre do të përmbushet ose ndonjë punë do t’ju shkojë mbarë, do të lajthojnë nga rruga e vërtetrë dhe nuk besojnë në një Zot.” Muhammed Abduhu, El-Kur’anu’l-hakim, libri III, Sarajevë, 1932, fq. 55.

Mufesiri i njohur islam S. Kutub këtë çështje e shprehë kështu: “Udhëkryqi ndërmjet çlirimit absolut nga çdo lloj robërimi dhe ndërmjet robërimit absolut të njeriut paralajmëron krijimin e çlirimit të plotë, komplet, njerëzor, çlirimit nga robërimi iluzioneve, çlirimit nga robërimi sistemeve, nga robërimi gjen-djeve.” Shih: Sayyid Qutb, U okrilju Kur’ana (Fi dhilal’il-Kur’an), 1, Sarajevë, 1996, fq. 19.

(16) The Glorious Kur’an, Translation and Commentary by Abdullah Jusuf Ali, Libya, 1393 h./1937, pp. 14, fusnota 21.

Krhs.: Tefsir Ibn Kesir, Botim i shkurtuar, Zgjodhi versionet më të drejta M. N. er-Rifai, Sarajevë, 1420 h./2000, fq. 32.

(17) N. Ibrahimi, Religjioni, shpirtërorja dhe shëndeti mental, kaptinë e këtij libri.

(18) “… dhe i kam dhënë edhe shpirt (… min ruhi …)”. El-Hixhr, 29.

(19) “… ata janë sikur kafshët …” (… ulaike ke’l-en’a-mi…). El-A’raf, 179.

(20) “Pastaj e shtyjmë në fund të fundit“ (Thumme reded-nahu esfele safilin). Et-Tin, 5; “… Ata janë sikur kafshët, madje edhe më të humbur …” (Bel hum edal-lu). (El-A’raf, 179).

(21) M. Abduhu thotë se “Njeriu në çdo punë duhet t’i përdorë të gjitha mjetet e lejuara dhe ta inkuadrojë tërë fuqinë dhe mundësinë e tij, ndërsa nëse kjo e kalon fuqinë e njeriut, duhet që këtë punë t’ia besojë të Gjithëfuqishmit dhe që nga Ai të kërkojë ndihmë sepse All-llahu i madhëruar është Shkaku i Parë dhe krijues i çdo gjëje.” M. Abduhu, op. cit., fq. 55.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme