Sëmundjet e ummetit, në mes fitores dhe disfatës

Ku janë autoritetet të thonë fjalën e tyre, ku janë liderët dhe rob të kujt janë, të Allahut apo të armiqve të fesë?! Ku është krenaria islame, vëllazërimi, solidariteti, ndihmesa, fuqia e imanit?
Përgjithësisht, gjendja dhe pozita e myslimanëve sot në botë është e qartë dhe e dukshme për secilin që ka sy e mend. Nuk duhet të jesh shumë i mençur për të parë dhe vërejtur se nga gjithë popujt, myslimanët janë sot më të varfër, më të paarsimuar, më të sëmurë, më të shtypur dhe me plotë të drejtë mund të themi se janë bërë minj eksperimental të fuqive botërore, tek të cilët provojnë të gjitha rendet e reja ndërkombëtare dhe armatimin më bashkëkohor. E mbi të gjitha n`a nevojitet që edhe në mes vete të zihemi, të luftojmë dhe derdhim gjakun. Ndërsa armiqtë, të kënaqur fërkojnë duart dhe na përqeshin.
Nuk nevojitet me qenë tepër mendjemprehtë për të konkluduar që myslimanët janë në disfatë në të gjitha segmentet e jetës. Përpos kësaj, shumica e tyre janë në disfatë shpirtërore dhe të gjunjëzuar në greminën shpirtërore, në krizën e imanit.
Duhet kuptuar se disfata shpirtërore, kjo dobësi dhe ky nënçmim i myslimanëve nga ana e armiqve të tyre nuk kanë ardhur menjëherë, pa përgatitje dhe pa shkas. Ky është fryt i përçarjes së ummetit islam. Është fryt i marrëdhënies sonë të dobët ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këto dobësi dhe këtë përçarje i kanë shfrytëzuar armiqtë e islamit, të cilët në vete kanë thurur kurthe dhe planifikuar sulme ndaj islamit dhe myslimanëve. Në paqe na japin helm e mjaltë, ndërsa në luftë n`a shfarosin pa mëshirë.
Pra, po flasim për dobësitë dhe mangësitë e brendshme. Natyrisht ekzistojnë edhe tradhtitë dhe kurthet e jashtme, por nëse një shtëpi është e ndërtuar fuqishëm dhe në themele të forta, nëse ajo është ,,Bunjanun marsus" (ndërtesë e fortifikuar), atëherë furtunat dhe erërat e fuqishme nuk mund t`i bëjnë asgjë.
Shumica prej nesh pyesim për shkakun e gjitha këtyre fatkeqësive që goditën tokat islame. Pyetje të ndryshme shpesh i`a bëjmë vetes. Siç thotë Allahu i Madhëruar: "E kur juve u goditi një dështim (në Uhud). E që ju i`a patët dhënë atyre dyfish (armikut në Bedër), thanë: "Prej nga kjo?" (Ali Imran, 165)
Allahu i Madhëruar u përgjigjet me gjithsejtë pesë fjalë: " ...Ajo është nga vet ju!.." (Ali Imran, 165)
Pra, Allahu i Gjithëdijshëm i`u shpjegon atyre dhe gjeneratave pas tyre që disfata nuk vjen vetvetiu, por i ka shkaqet. Dhe kur plotësohen të gjitha shkaqet, vjen te rezultati: "Çfarëdo e keqe që mund t`ju godas, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija e për shumë të tjera, Ai u fal" (Esh Shuara, 30)
Sot myslimanët përbuzin dhe nën ç mojnë njëri-tjetrin, kanë kundërthënie të shumta në mes veti, luftojnë kundër njëri-tjetrit, vriten në mes vete, shkatërrojnë familjet e njëri-tjetrit. Pengojnë njëri-tjetrin në punë, mashtrojnë, nëpërkëmbin dhe marrin hakun e njëri-tjetrit. Në vend të dashurisë së sinqertë, njëri-tjetrit i japin urrejtje, brenga, sëmundje, lëndime, fyerje dhe vuajtje. Në këtë përdorin armët më të rënda dhe më shkatërruese: dredhi, tradhti, magji, xhinë, etj. Deri kur kështu, o Ummet dhe për interesa të kujt?!
Ndërsa Allahu n`a ka dhënë aq shumë gjëra të përbashkëta që n`a lidhin dhe n`a afrojnë: Allahu është Zoti ynë, Islami - feja jonë, Muhammedi a.s. - Pejgamberi ynë, Kur`ani - Libri ynë, Qabeja - Kibla jonë, Sunneti - Rruga jonë, Sheriati - Ligji ynë.
"Kjo është rruga Ime e drejtë, andaj pasoni e mos pasoni rrugët tjera që tu shmangin nga rruga e vërtetë!" ( El En`amë, 153)
Pejgamberi a.s. bëri një vijë të drejtë dhe e quajti "Siratal mustekim", ndërsa vijat tjera anësore i quajti rrugë të shejtanit në të cilën qëndron nga një shejtan.
Sa herë në ditë ne në namaz lexojmë: "Ihdinas-siratal mustekim !" Ezani, namazi, zekati, haxhi, të gjitha këto n`a afrojnë, n`a bashkojnë. Siç thonë disa dijetarë, sot 95 % të gjërave n`a bashkojnë, i kemi të përbashkëta, andaj a thua për shkak të ndryshimeve minimale do të derdhim gjakun.
Për këtë, Allahu i Madhëruar qartë tregon në Kur`anin fisnik: "Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk u largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre." ( Er Rrad, 11)
Ky verset tregon qartë dy gjëra kryesore shumë të rëndësishme:
Tërheq vërejtjen në fuqinë më të rëndësishme në jetën tonë, pa të cilën nuk ka ndryshime, përparim, ruajtje të shenjtërisë dhe mbrojtje të identitetit. Kjo është fuqia shpirtërore (fuqia e imanit) dhe kjo gjendet te vet myslimanët dhe këtë duhet ruajtur dhe kultivuar.
Verseti, gjithashtu n`a bën të ditur që fati është në duart tona, nga ne varet lumturia dhe ardhmëria më e mirë. Pra, nga ne varet! Çfarë jemi, ashtu është gjendja jonë; çfarë jemi ne, ashtu janë liderët tanë.
Obligim e secilit mysliman është të pengojë zullumin ndaj vëllait të tij. Është i obliguar t`ia zgjatë dorën e ndihmesës, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë: "Secili myslimani cili nënçmon myslimanin tjetër në situatë kur ky e humb nderin e tij, Allahu do ta nënçmojë në situatë kur i nevojitet ndihma e Allahut. Ndërsa secili njeri i cili ndihmon myslimanin në situatë kur ky e humb nderin e tij, Allahu do t`i ndihmojë në situatë kur i nevojitet ndihma e Tij."
Pejgamberi a.s., në hadithet e tij i ka urdhëruar t`i ofrojnë ndihmë vëllezërve të shtypur, e jo që të sulmojnë njëri-tjetrin. Myslimani nuk duhet i heshtur të shikojë zullumin që i bëhet vëllait të tij: "Myslimani është vëlla i myslimanit, nuk e dëmton dhe nuk e lejon tjetrin ta dëmtojë. Kush ndihmon vëllain në fatkeqësi, Allahu do t`i ndihmon në nevojën e tij. Kush mënjanon një fatkeqësi nga myslimani, Allahu do t`ia mbulojë nga ai Ditën e Gjykimit.", ka thënë Pejgamberi a.s. ( Buhariu)
Myslimanët duhet të jenë si një trup, jo vetëm teoritikisht, por edhe praktikisht. Transmeton Numan ibn Beshir, se Pejgamberi a.s. ka thënë: "I sheh besimtarët në dashurinë në mes tyre, dhembshurinë ndaj njëri-tjetrit dhe sjelljen e bukur, sikur me qenë një trup, kur një pjesë e trupit ndien dhembjen, tërë trupi e ndien dhimbjen dhe pagjumësinë." ( Muslimi)
Myslimanët duhet të jenë si një ndërtesë unike e fuqishme. Ka thënë i Dërguari i Allahut a.s.: " Besimtari ndaj besimtarit është si ndërtesë, një pjesë e përforcon tjetrën." ( Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)
Në kohën para islamit, idhujtarët e kanë ndihmuar vëllezërit e tyre në të mirë e në të keq. Islami e mbajti dhe e plotësoi këtë institucion në mënyrën si e përmend Pejgamberi a.s.: "Ndihmojë vëllait tënd të cilit i bëhet zullum dhe zullumqarit! I Dërguar i Allahut, e kuptojë t`i ndihmosh mazllumit (atij që është i dëmtuar), por si ta ndihmoj zullumqarin?!, e pyeti njëri prej sahabëve prezent. "Ta ndalosh të bëj zullum, në këtë mënyrë do t`i ndihmosh." ( Buhariu)
Edhe pas këtyre fjalëve të Pejgamberit a.s., si mundemi ne myslimanët të qetë të shikojmë zullumin të cilin e bëjnë jobesimtarët ndaj vëllezërve të pafajshëm!? Përse lejojmë që myslimanët në mes vete të luftojnë dhe derdhin gjakun për shkak të interesit të armikut. Ne shumë mirë e dimë se islami ndalon ndarjet, sektet, lënien e bazës, xhematit. Allahu i Madhërishëm në Kur`anin fisnik, urdhëron: "Respektoni Allahun e të Dërguarin e Tij, e mos u përçani në mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë. Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit." ( El Enfalë, 46)
Përveç këtij urdhri Hyjnor të fuqishëm, mos u përlani në mes vete! Por cili është ilaç për shërimin e sëmundjeve të Ummetit?
Para se gjithash. Duhet kthyer Allahut dhe Pejgamberit a.s., burimeve të fesë dhe ta forcojmë imanin, islamin dhe ihsanin. Të duhemi për hir të Allahut (El muhabbetul fil-lah). Të dëshirosh për vëllain mysliman atë që dëshiron për vete, edhe më tepër. Të ndihmohemi në mes vete, të respektohemi dhe të kuptohemi, etj. Të bashkëpunojmë në mirësi, sinqeritet dhe devotshmëri, e jo në mëkate e armiqësi. Të kemi tolerancë dhe të dimë, të dëshirojmë të falim. Të ndryshojmë për të mirë dhe Allahu do të ndryshojë gjendjen tonë dhe do të shërojë sëmundjet e përmendura.
Dhe në fund ta dëgjojmë mesazhin e Allahut xh.sh. drejtuar të gjithë myslimanëve deri në Ditën e Gjykimit: "E mos u dobësohuni (fizikisht) dhe mos u dëshpërohuni (shpirtërisht), derisa ju jeni më të lartit, poqe se jeni besimtarë të sinqertë." ( Ali Imran, 139) "Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave." ( El Haxh, 32) "Zoti ynë! Na dhuro durim! Na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër jobesimtarëve!" ( El Bekare, 250)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme