Ne dhe Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Nëse Ummeti islam supozon se e din vlerën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], atëherë realiteti e përgënjeshtron supozimin e tyre. Ummeti mund të supozojë dashurinë e sinqertë ndaj tij, por All-llahu i Madhërishëm i sprovoi me një ajet kur’anor ku thotë: “Thuaj: "Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. (Ali Imran: 31)
Nëse Ummeti islam supozon që e njeh vlerën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në anën tjetër kemi një realitet faktik krejtësisht ndryshe nga supozimi i tyre, nisur nga fakti që sheriati i tij është latuar, Sunneti i tij është anashkaluar duke i dhënë prioritet ligjeve pozitive në të gjitha segmentet e jetës: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht”. (En-Nisa: 65)
Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] gëzon një respekt të madh tek All-llahu i Madhërishëm, vlerësohet lartë dhe është shumë i dashur te All-llahu i Madhërishëm. All-llahu i Madhërishëm krijoi krijesat, nga krijesat zgjodhi Lajmëtarët (enbijatë), nga Lajmëtarët zgjodhi të Dërguarit (rusulët); prej të Dërguarve zgjodhi pestë më të zgjedhurit (ulul azm), Nuhin, Ibrahimin, Musain, Isain dhe Muhammedin [alejhimus-selam]). Nga pestë më të zgjedhurit përzgjodhi dy miqtë e dashur Ibrahimin dhe Muhammedin, kështu që Muhammedin e zgjodhi nga të gjitha krijesat mbi fytyrën e tokës, ia zgjeroi atij gjoksin, e ngriti vlerën e tij, dhe e dëlirësoi nga çdo gjë.
E dëlirësoi mendjen e tij, zemrën e tij, shikimin e tij, gjoksin e tij si dhe në të gjitha segmentet tjera e dëlirësoi Lavdiploti duke thënë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!” (El-Kalem: 4)
Si dhe shumë vlera tjera që i konfirmoi Kur’ani Fisnik dhe tradita verbale, konfirmuese dhe praktike e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Nisur nga këto parime duhet si Ummet i këtij Pejgamberi madhështor të dimë detyrimet që kemi ndaj tij. Detyrimet janë të shumta, kështu që çdo pjesëtar i Islamit duhet t’i dijë dhe të punoj sipas tyre, duke i jetësuar në jetën e përditshme. Në të kundërtën si mund që muslimani të supozoj dashurinë e Pejgamberit gjë që asnjë veprim nuk e zbaton nga ajo që kërkohet prej tij.
Detyrimet ndaj Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] janë:

1. Të besuarit në Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Të besuarit në Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është prej postulateve të besimit islam, me të cilat obligohet të besoj muslimani. Një prej këtyre postulateve është të besuarit në pejgamberët e All-llahut.
Si pjesë e besimit në Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është të besuarit bindshëm pa hamendje se dërgesa dhe shpallja e tij është e vërtetë dhe obligim nga All-llahu; të punuarit sipas porosive të tij. Të besuarit në çdo gjë që solli në fenë islame dhe që informoi nga All-llahu i Madhërishëm është e vërtetë e saktë. Ky besim duhet të konfirmohet me zemër, gjuhë, për faktin që s’mjafton vetëm të besuarit me gjuhë (përmes shqiptimit) ndërkohë që zemra e përgënjeshtron atë: “O ju që besuat, besoni vazhdimisht All-llahut, të dërguarit të Tij, librit që gradualisht ia shpalli të dërguarit të Tij dhe librit që e pat zbritur më parë. Kush nuk i beson All-llahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dëguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg”. (En-Nisa: 136) Andaj çdo një që dyshon në dërgesën e tij si pejgamber apo në shpalljen e tij është i pafe (kafir).

2. Dashuria ndaj Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Është detyrim prej detyrimeve të Ummetit islam ndaj tij, është obligim shumë i rëndësishëm, ngaqë besimi i muslimanit vihet në pikëpyetje nëse mungon dashuria e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Thuaj (o i dërguar): "Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur”. (Et-Teube: 24) Ndërkohë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Askush prej jush nuk beson përderisa unë të jem më i dashur tek ai sesa prindi, fëmija dhe tërë njerëzit”. (Buhariu). Me të dëgjuar Omeri [radijall-llahu anhu] këtë hadith, tha: Vallahi, ti je më i dashur tek unë se gjithçka tjetër pos vetes sime! Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Jo, pasha Atë që shpirti im është në duart e Tij derisa të jem më i dashur te ti edhe më tepër se vetvetja. Ndërkohë Omeri tha: Vallahi, tani ti je më i dashur sesa vetvetja ime. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu përgjigj: Tani Omer, ke besuar si duhet dhe ke realizuar besimin e përkryer duke e dashur Pejgamberin tënd”. Si shenjë e dashurisë ndaj Pejgamberit është kur njeriu ndikohet nga ajo që ka dashuruar Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të duhet atë që solli Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të ftohet në rrugën e tij, të dashurohen familja e tij, sahabët e tij. Si shenjë e dashurisë ndaj tij është sa më tepër t’i dërgohen bekime dhe lutje, përmallimi për t’u takuar me të.

3. Bindja ndaj Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe zbatimi me dëgjueshmëri të urdhrave të tij

Bindja ndaj Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është obligim i domosdoshëm, bazuar në fjalët e All-llahut të Madhërishëm: “O ju besimtarë, respektojeni All-llahun dhe respektojeni të dërguarin, e mos i çoni kot veprat tuaja!” (Muhammed: 33) Në vazhdën e kësaj Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “I tërë Ummeti im do të hyjnë në Xhennet pos atyre që refuzojnë (hyrjen në Xhennet)!! Sahabët thanë: Po kush është ai që do të refuzojë, o Pejgamber i Allahut?! Tha: Ai që më pason (bindet) do të hyjë në Xhennet e që nuk më bindet ka refuzuar”. (Buhariu). Andaj është obligim i domosdoshëm për muslimanin t’i bindet Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në atë që e ka bërë hallall dhe haram, ngaqë atë që e bëri hallall është hallall dhe atë që e ndaloi është haram që duhet larguar prej saj: “S’do mend se atë që e bëri haram Pejgamberi i All-llahut është sikur ta ketë bërë haram All-llahu”. (Hakimi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, me sened të saktë) Duhet të jemi shumë të kujdesshëm të mos kundërshtojmë urdhëresat e tij, ngaqë shpie në shlyerjen e veprave të mira dhe personi i tij kërcënohet me dënim në zjarr të Xhehennemit. All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “(Nuk kam në dorë tjetër), përveç kumtimin prej All-llahut dhe përveç shpalljeve të Tij. Kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, i tij është zjarri i Xhehennemit, aty do të jenë përgjithmonë, pa mbarim”. (El-Xhinn: 23)
Si shenjë bindjeje ndaj tij është të kapurit pas traditës së tij, pas asaj që ka porositur, të largohemi nga ajo që ka ndaluar, të udhëzohemi sipas Sunnetit të tij, të jemi të përpiktë në aspektin higjienik të veshmbathjes sonë, të trupit tonë, të jemi të sinqertë në fjalët, në veprat, të kërkojmë gjithë atë që është hallall sa i përket ushqimit, pijes, veshmbathjes, kurorëzimit dhe të qëndrojmë sa më larg haramit. “Çka t'ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t'ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër”. (El-Hashr: 7)

4. Pasimi i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Duhet të pasohet Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me bindje në besim, fjalë dhe vepra, të punuarit sipas tyre është obligim i domosdoshëm. Duhet të pasohet udhëzimi i tij, të shkohet gjurmëve të tij. Të mos shpiket asgjë në fenë e All-llahut, por të punohet për të evituar çdo bidat aq sa ka mundësi njeriu. Çdo fjalë duhet të peshohet me peshoren e Islamit duke e parë qëndrimin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në lidhje me çështjen në fjalë. Të pasohet Pejgamberi në çështjet e adhurimit, besimit dhe sjelljeve, ndaj kjo është rruga e shpëtimit për në Ditën e Kijametit insha’All-llah.

5. Imitimi i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Me fjalë tjera, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duhet të jetë shëmbëlltyra jonë në jetën e përditshme, ai është modeli më i përkryer i njerëzimit, të cilin duhet imituar e jo individë tjerë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. (El-Ahzab: 21) Lidhur me këtë Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] ka thënë: “Kam frikë që do t’u bien gurë nga qielli!! Them: Ka thënë Pejgamberi i Allahut, e ju më thoni ka thënë Ebu Bekri dhe Omeri”. Atëherë si do ishte puna me ata që tërësisht kontestojnë Sunnetin e tij, apo shëmbëlltyrë e tyre është ndonjë artist, futbollist apo ndonjë person tjetër. Secili që refuzon që Pejgamberi të jetë shëmbëlltyrë e tij, e ka ekspozuar vetveten në lajthitje që shpie në shkatërrim.

6. Nderimi i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Nderimi i tij është një ndër obligimet më të theksuara për Ummetin e tij, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne të dërguam ty (Muhammed) dëshmitar, përgëzues dhe qortues”. (El-Fet’h: 8) Andaj duhet të nderohet, të madhërohet por jo të hyjnizohet, ngaqë kjo është haram. Si shenjë e nderimit të tij është çdo të gjë që ka të bëjë me të, emri i tij, fjalët e tij, Sunneti i tij, legjislacioni i tij, familja e tij, shokët e tij dhe çdo që tjetër që i përket atij. Pas shpërnguljes së tij në ahiret, nuk duhet të ngrihet zëri në xhaminë e tij, për faktin se duhet respektuar edhe pas vdekjes së tij. Transmetohet nga prijësi i besimtarëve Omer ibn Hattabi [radijall-llahu anhu] se kishte dëgjuar zërin e dy njerëzve në xhaminë e Pejgamberit, duke biseduar me zë të lartë, dhe Omeri u thotë: “A e dini se ku ndodheni ju dy?. Pas çkahit u thotë: Prej nga jeni? Thanë: Nga Taifi. Omeri u tha: Po të kishin qenë medinas do t’ju kisha rrahur”.
Të mos thirret Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me emrin e tij “O Muhammed”, por t’i thuhet “O Pejgamber i All-llahut”.
Të nderohet fjala e tij, kur të citohen fjalët e tij, të tregojmë respekt dhe nderim duke i dëgjuar me vëmendje.

7. Të obliguarit për këshillim në emër të tij

Këshillimi i tjerëve, d.m.th njeriu ia dëshiron të mirën të tjerëve, kështu që ai lutet për ta, i këshillon, i udhëzon kah e mira, për faktin se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] këtë fe e bëri këshillë. Vëllazëria fetare është më e fortë sesa vëllazëria nga gjenealogjia. Këshillimi në emër të tij pas vdekjes së Pejgamberit realizohet kur tregohet interes për hulumtimin rreth Sunnetit të tij, rreth vlerave morale të tij, sjelljeve, nderimin e çështjes së tij duke qenë praktikues i përpiktë; hidhërimi i madh dhe distancimi kur të anashkalohet dhe shpërfillet Sunneti i tij, miqësimi me ata që porositi të miqësohemi, përngjasimi me të si në ushqime, pije, ndeje, veshmbathje e tij.

8. Dashuria e familjes dhe sahabëve të tij

Dashuria e familjes së tij të ngushtë dhe shokëve të tij është pjesë përbërëse e dashurisë ndaj Pejgamberit. E kemi për obligim që t’i duam ata, dhe çdo përbuzje apo tallje apo ofendim i tyre konsiderohet edhe ofendim, tallje dhe përbuzje e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Mos i shani shokët e mi, sepse edhe sikur të shpenzoni pasuri sa kodra e Uhudit asnjëherë nuk do të arrini vlerën e tyre e as dëlirësinë e tyre”. (Buhariu dhe Muslimi).

9. Lutjet dhe bekimet t’i dërgohen Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Obligim i Ummetit është që lutjet dhe bekimet t’ia dërgojnë Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], që njëherazi dëshmon bindjen All-llahut të Madhërishëm i Cili porositi besimtarët të luten dhe ta bekojnë Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Më meritor për mua në Ditën e Kijametit do të jenë njerëzit që më së shumti më kanë dërguar lutje”. (Tirmidhiu, hasen sahih) “Koprrac është ai i cili kur përmendem tek ai nuk më dërgon lutje”.

10. Të mbrojmë autoritetin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]

Fillimisht duhet të dimë se ekzistojmë shenja para se të fillojmë mënyrën e mbrojtjes së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e që janë: që zemra jote të digjet flakë nga dhembja dhe syri yt të pikojë gjak për shkak të fyerjes së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Secili nga pozicioni i tij duhet ta mbrojë Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ligjëruesi duhet ta mbrojë nga mimberi i tij; shkrimtari ta mbrojë përmes penës së tij; intelektuali përmes evitimit të dyshimeve që i nxisin të tjerët; pasaniku përmes pasurisë së tij duke shpenzuar në botimin e librave, revistave, emisioneve debatuese, organizimit të tribunave që janë në funksion të mbrojtjes së autoritetit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] etj. Kur të gjithë të rreshtohemi në mbrojtje të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të tjerët do t’ia kenë lakmi muslimanëve, sesi Ummeti i tij është rreshtuar, sigurisht që një numër i madh i tyre do të interesohen ndoshta edhe do të përqafojnë Islamin. Me fjalë tjera, të jemi ambasadorë të vërtetë të Islamit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme