Fundamentalizmi dhe Krishterizmi

Franjo Topiq


Fundamentalizmi dhe Krishterizmi


Në shkrimet dhe diskutimet ditore për fundamentalizmin islamik është thënë që shumica që flasin dhe shkruajnë për të në të vërtetë edhe nuk dinë saktë domethënien e fjalës fundamentalizëm dhe për këtë na duket e arsyeshme dhe e justifikueshme ta shtrojmë prejardhjen dhe përmbajtjen e këtij termi burimisht joislam.


Fundametalizmi dhe protestantizmi

Fundametalizmi (lat. fundamentum = themel) është i proveniencës amerikane, nga shekulli XIX, kurse lindi si protest në shfaqjen e liberalizmit dhe modernizmit të skajshëm, ndër të cilat për bashkësitë fetare sidomos kanë qenë interesante dhe provokative pozitivizmi dhe evolucionizmi. Ata edhe kanë qenë shkasi i drejtpërdrejtë që brenda disa bashkësive kishtare evangjeliste (protestante) janë organizuar konferenca biblike, në të cilat janë përpjekur me ndihmën e Biblës të përgjigjen në problemet dhe pyetjet e lindura riashtazi. Kjo lëvizje joformale mjaft shpejtë është përhapurnë SHBA, pastaj në Britaninë e Madhe dhe në vendet misionariste, ku kanë vepruar pjesëtarët e kësaj lëvizjeje.

Gjatë kohës janë kristalizuar disa postullate themelore teorike mbi të cilat "fundamentalistët” veçanërisht kanë insistuar:

- Pagabueshmëria e teksteve biblike dhe e doktrinës së tërësishme biblike;

- Lindja virgjërore e Jezusit;

- Flijimi zëvendësues i Jezusit për të gjithë njerëzit;

- Ringjallja e trupit pas vdekjes dhe ardhja e sërishme e Jezusit dhe konstituimi i "mbretërisë” mijëvjeçare para fundit përfundimtar të botës.

Hov të ri dhe rrumbullakësim më konkret ideor kësaj lëvizjeje i ka dhënë një varg veprash, si:"The Fundamentals: A Testimory to the Truth” (Themelet: dëshmia për të vërtetën), të cilën prej vitit 1910 në 12 blejë ka publikuar dhe i ka zgjeruar idetë kryesore të kësaj lëvizjeje.

Vlen të ceket se kjo lëvizje ka pasur për kundërshtar ithtarët e të a.q. "Social Gospel” (Ungjilli social), të cilët janë përpjekur që sa më tepër t'ia përshtasin Ungjijt dhe fetë rrethanave shoqërore. Mirëpo, fundamentalistët kanë konsideruar që shoqëria duhet të ndërtohet dhe të harmonizohet me principet e fesë dhe të Biblës. Për këtë qëllim ata më 1911 themelojnë Shoqatën Botërore Kristiane Fundamentaliste (WCFA), kurse krahas kësaj kanë ekzistuar edhe shumë shoqata fundamentaliste zonale prej të cilave disa kanë pasur edhe synime speciale.

Në përshkrimin e fundamentalizmit nuk mund të anashkalohet as fakti se pjesëtarët e tij kanë qenë të ndarë dhe të konfrontuar edhe ndërmjet veti sipas disa bashkësive protestante, e më së shumti ndër baptistët, prezbiterianët dhe nxënësit e Krishtit.

Krahas të gjitha problemeve të brendshme të përbashkët e kanë përcaktimin antiekumrnik dhe antidialogist ashtu që, pasi që është formuar Këshilli Botëror Ekumenik i Kishave (Amsterdam 1948), kanë themeluar Këshillin Ndërkombëtar të Kishave Kristiane (ICCC) si baraspeshë. Për një kundrim sa më të gjithanshëm të kësaj lëvizjeje komplekse e të llojllojshme duhet pasur parasysh që në te ndikojnë lufta qytetare në ShBA, industrualizimi në rritje e sipër dhe faktorët tjerë politikë dhe ekonomikë. Të përmendim se sot llogaritet se në ShBA ekzistojnë rreth 10 milionë ithtarë të kësaj lëvizjeje në bashkësitë e ndryshme protestante.


Fundamentalizmi dhe Kisha katolike

Në teologjinë dhe mendimin katolik nuk ndeshet nocioni fundamentalizëm, që mirë e ilustron e dhëna se në enciklopedinë më të madhe katolike teologjike Sacramentum mundi (Sakramenti i botës, 1967-1969), botimi italian, 8 vëllime) jo vetëm që nuk ka njësi të veçantë të përpunuar me këtë emër por fare nuk përmendet.

Por, duke pasur parasysh domethënien e fundamentalizmit si tërësi ideore dhe veprim praktik - që duke iu kthyer burimeve ka dëshiruar që fillimet t'i gurëzojë dhe të mos lejojë ndryshime, duke ngatërruar qenësoren dhe dytësoren atëherë brenda Kishës Katolike do të mund të flitej për integralizmin si korelativ të fundamentalizmit, duke pasur në konsideratë të gjitha specificitetet e domosdoshme. Nuk është pa kuptim që integralizmi paraqitet afërsisht njëkohësisht kur edhe fundamentalizmi. Edhe integralizmi ka lindur si reaksion ndaj shekullarizmit, liberalizmit dhe modernizmit. Natyrisht se me këtë është kushtëzuar edhe në formën dhe përmbajtjen e vet. Edhe integralizmi konsideron që Bibla është meritore dhe përcaktuese jo vetëm për fushën e fesë por edhe për fushat shkencore, kulturore, politike dhe ekonomike.

Në fillim të shekullit XX ky botëkuptim fluid ideor dhe emocional për botën i ka fituar edhe format e veta të organizuara në Sodalitium Pianum romak (Shoqëria e Pios) kurse e ka udhëhequr Umbert Benigni. Shoqëria ka tentuar të formojë liga, parti dhe sindikata kristiane të frymëzuara në principet fetare në Gjermani, Francë dhe në tërë Italinë. Por, zyra supreme e Kishës Katolike shumë shpejt ka vërejtur se kjo është "sektarizëm” i llojit të vet dhe papa Benedikti (1914-1922) e ka shformuar këtë shoqëri.

Për raportet e ngatërruara e komplekse të fesë dhe realitetit të kësaj bote Kisha katolike palëkundshëm dhe autoritativisht është deklaruar në Kuvendin II të Vatikanit (1962-1965), në atë instancën më të rëndësishme doktrinore, duke thënë se realitetet e kësaj bote kanë autonominë e vet legjitime, se dituria, kultura, politika dhe ekonomia janë fusha të pavaruara shoqërore dhe se Kisha nuk dëshiron drejtpëdrejt të përzihet në rregullimin e tyre. Por pasi që njerëzit konkret janë bartës dhe lëvizës të këtyre veprimtarive dhe, nëse janë katolikë, atëherë i lidh vetëm ajo që bënë pjesë në esencën e fesë së tyre, kurse në tjetrën veprimet duhet të sillen sipas ndërgjegjes së vet si anëtarë përgjegjës të shoqërisë.

Kisha si institucion e ruan të drejtën për vete që të bëhet ndërgjegja kritike e vetëdijes të çdo rregullimi shoqëror dhe të disa realiteteve të kësaj jete, sidomos të segmentit moralo-etikë.

Por, me qëndrimet e tilla nuk janë pajtuar të gjithë brenda Kishës dhe se pas kuvendit të cekuar është shfaqur rezistenca e llojit të vet për pikëpamjet e tilla, kurse e personifikon kryepeshkopi Marcel Lefevre (francez i lindur më 1905) i cili në rezistencën e vet këtyre ndryshimeve ka shkuar deri në skaj të bashkësisë katolike duke formuarVëllezërinë e Pios (të dy këto shoqëritë quhen sipas papa Pios V, që ka qenë në krye të Selisë së Shenjtë në kohën e shfaqjes së protestantizmit në shekullin XVI) me seli në Zvicër. Për shkak të këmbëngulësisë në mospranimin e ndryshimeve, drejtoria kompetente vatikanase ia mori të drejtën të veprojë dhe të dalë si klerik dhe peshkop katolik.


Tezat dhe shenjat për të kuptuarit e fundamentalizmit

1. Vlen të thuhet se fundamentalizmi para së gjithash është gjendje e caktuar e shpirtit që i kundërvihet çdo gjëje të re, çkahit mirë i përgjigjet mendimi i Dostojevskit se njeriu nuk i frikësohet më asgjësë si diç e re - ­sepse ajo e shpie njeriun në pasiguri nga e cila çdo njeri mjaft frikësohet.

2. Kjo është lëvizje protestuese dhe tashmë me vetë këtë është kushtëzuar, dhe do të thoshim dhe i hendikepuar, me atë në çka reagon, prandaj duhet njohur mirë liberalizmin dhe modernizmin në vëllimin dhe kuptimin e tyre të larmishëm.

3. Këtu ndeshemi me thirrjen në "kthimin burimeve", që është krejtësisht e arsyeshme duke e marë parasysh atë se burimi është burim i lumit dhe se ai është më i pastërti në gurrë. Pa dyshim ka të drejtë M. Dizdar kur me dozë të nostalgjisë konstaton se ai është pa burim dhe se në pajtim me këtë pyetet: "Si t'i kthehem burimit tim” (Shënim mbi burimin). Kthimi në burime qënësisht është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, por kjo nuk do të thotë gurëzim edhe i tërë asaj që është dytësore dhe e kushtëzuar me rrethanat kohore dhe shtresimet e epokës.

4. Fundamentalizmi e inicon çështjen e lidhjeve të traditës dhe ndryshimeve, çështjen e perceptimit statik dhe dinamik të jetës dhe qëndrimit ndaj historicitetit të realitetit, me çka duhet të ballafaqohet çdo bashkësi shoqërore dhe religjioze. Ndaj, është me rëndësi thelbësore dallimi i bërthamës dhe gëzhojës, asaj që është eminentësisht me prejardhje hyjnore dhe asaj që është vetëm njerëzore. Ndonëse është e vërtetë ajo poetikja se në këtë botë vetëm ndryshimi është i përhershëm, megjithatë në fushën fetare ekziston diç e pandryshueshme, e amshueshme, jokohore. Në këtë optikë të shqyrtimeve hyn edhe raporti i të amshueshmes dhe kohores, transcendencës dhe imanences, mbinatyrores dhe natyrores.

5. Fundamentalizmi në formën e vetë të ashpërsuar është dëshira që jeta komplete private dhe publike të rregullohet sipas parimeve të lëvizjes përkatëse, të religjionit ose të bashkësisë fetare. Nuk është vështirë të kuptohen dëshirat e tilla, por kufiri vendimtar dhe ndarës është pranimi i tjetrit, si të ndryshëm, dhe toleranca. Sidomos kjo vlen në fushën fetare, ku dashuria nuk do të duhej të jetë vetëm princip teorik por edhe rregull i mirësjelljes në jetën e përditshme.

Përktheu: Nexhat Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme