Serbizimi i trashëgimisë kishtare bizantine në Kosovë përfundoi në periudhën osmane

Shkrimi “Kush po e bënë Metohinë?” për shumë saktësi shkencore e mendim të qartë politik nuk duhet të mbetet e thënë “fushk në dushk...!” Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithësi gjendet në një qark vicioz edhe me fajin e shërbyesve politikë shqiptarë, si gjithherë. Pastori Dr. Fehmi Cakolli ka shtënë në pikën e duhur. Të heqësh dorë nga e kaluara, për hire të allishverisheve politike të Fuqive të Mëdha me pushtuesin e Kosovës dhe veçmas të mos përfillësh trashëgiminë kulturore të identitetit të etërve që jeton në ne, e në themele të ardhmënisë shqiptare, është më shumë se tradhti para brezave paraardhës dhe pasardhës.

E kam pëlqyer formimin e “Ekipit të Unitetit” për “bisedimet për Statusin e Kosovës” në Vjenë, për faktin se nuk e dëshiroja përsëritjen e marrisë shqiptare në Londër, më 1912/13. Kam shpresuar se “ekipi” do të bashkëpunojë me qarqet shkencore kombëtare e ndërkombëtare, dhe do të angazhohet për jetësimin në Kosovën e pavarur të përvojave shtetërore ekzistuese më demokratike në botë, por nuk kam mundur ta marrë me mend se ata që dukën në sipërfaqe të “Ekipit”, për aspirata egoiste apo partiake, do t’u hapin udhë eksperimenteve: multietnicitetit johistorik në Kosovën me mbi 98% të banorëve me civilizim të etnisë shqiptare historike. Turqit e Kosovës, boshnjakët e Kosovës, goranët e Kosovës janë etni iliro-shqiptare, pjesë e civilizimit të kombit shqiptar me gjuhë miras nga bashkëpunimi me pushtuesit, kurse “egjiptasit” dhe “hashkalinjët” tanimë janë pjesë e patjetërsueshme e civilizimit kombëtar shqiptar. Ata nuk kanë tjetër atdhe as tjetër komb. Mbi këto shtylla ka mbështetjen konstatimi shkencor i Profesor Miftar Spahisë - Thaçit, në Dosjen “Rreth Kosovës” të dërguar kryetarëve: Bill Klinton, Boris Jelcin, Xhon Mejxhër, Fransua Miteran dhe Filip Gonzales, më 25 korrik 1993: “Kosova i përket vetvetes, dmth., kombit shqiptar. Ky është fakt, jo foksion, jo mitologji”.

Legalizimi i eksterritorialitetit të kishave (manastireve) ortodokse, të paqena serbe në gjenezën e tyre dhe pa asnjë shembull në botë, është ndarje e padrejtë e të kaluarës kolonialiste të Serbisë në Kosovë, dukuri e panjohur në historinë e shembjeve të fuqive kolonialiste evropiane në Ballkan, në Azi, në Afrikë, - kushti i parë për të mos pasur kurrë shtet as ligjshmëri në Kosovë. Kur kësaj t’i vije në krah decentralizimi vërtet anakronik territorial administrativ komunal të enklavave me shumicë serbe, ish-çifçinjë në tokat e bejlerëve shqiptarë nga mesi i shekullit XVIII dhe të kolonistëve serbë e malazias nga viti 1912, do të thotë robëri e re serbe mbi një të tretën e popullit etnikë të Kosovës, do të thotë Kosova lëmë e gjithkujt, tokë e askujt, me mina të kurdisura ndërkombëtarisht për shpërthim me teledirigjim sa herë që të kërkohet defaktorizimi i Kosovës dhe i kombit shqiptar në përgjithësi, për interesa të fqinjëve sllavë e grekë ortodoksë. Me fjalët e Profesorit të Univerzitetit Mansfild të Pensilvanisë, të madhit Miftar Spahija - Thaçi në Dosjen e cituar, do të thoshim: “U teprue shumë. Kupa u mbush (...). Serbët janë pushtuesit e Kosovës. Kosovarët janë në trojet e veta (...). Kosova nuk asht nji enklavë në territorin e Serbisë. Ajo është vazhdim gjeografik dhe gjuhësor i Shqipnisë. Atë e pushtoi Serbia më 1912, dhe Konferenca e Londrës 1912-1913 mori nji vendim të padrejtë dhe fyes, kur ia dha Kosovën Serbisë, tue pre, në këtë mënyrë, kombin shqiptar përgjysmë”.

Konstatimet e pastorit Dr. Fehmi Cakolli: “Shqiptarët e Kosovës para islamizimit kanë qenë shumicë të krishterësh ortodoksë”, se “Kosova historikisht çdo herë ka qenë më shumë nën ndikimin e krishterimit lindor se sa atij perëndimor” janë konstatime shkencore të pamohueshme. Po kështu edhe konstatimi: “Shpeshherë nga intelektualë dhe islamistë të ndryshëm kur flasin për rolin e islamizmit të Kosovës ata pohojnë se pikërisht islami i ka ruajtur kosovarët nga shkrirja në serbë”- është plotësisht i mbështetur, por kërkon një zgjerim: Islami e ndërpreu serbizimin, malazezimin, bullgarizimin dhe greqizimin kryesisht në periferinë, në ledhin etnikë të njësisë etnokulturore të Shqipërisë dhe në mjediset shqiptare (ish Dardania dhe ish Maqedonia romako-bizantine, piemonti ku nisi ngjizja e kombit shqiptar dhe e njësisë së Shqipërisë etnike) të administruara nga kisha bullgare shënnaumiane - ekzarhiste osmane dhe kisha serbe shënsaviane-patriarkiste osmane në Mesjetën e vonë dhe në shekujt e parë të Kohës së re, pikërisht në periudhën e ngjizjes së gjymtyrëve të kategorisë historike shoqërore të kombeve ballkanike.

Këto teza i kam mbështetur me fakte nga viti 1971, në luftë për tapinë shqiptare të Kosovës në mesjetë - kundër pseudoshkencës historiografike e etnografike serbe. Këtu, mendimet e fisme dhe konstatimet e drejta të Dr. F. Cakiqit më duket më e udhës t’i mbështesë me konstatimet në natyrën e mendimit historiografik dhe diplomatik brilant dhe antologjik të Profesor Spahisë, në Skicën “Rreth Kosovës - Verë 1993”: “Turqit ishin komb islamik. Shqiptarët e kuptuan shpejt që nji tjetër rrugë fetare e ndryshme nga ortodoksia, mund t’ua shpëtonte shpirtin para Zotit, dhe, në të njejtën kohë, mund t’ua këpuste zinxhirët e serbianizimit ose të helenizimit. Ata e kapën momentin dhe nuk u luhatën gjatë çfarë me ba. Ishte nji moment unikal historik i nji rëndësie tejet të madhe. Dhe ata nuk e lanë t’u shpëtonte. Ata nisën me u konvertue në Islam për të qenë të ndryshëm, madje edhe në çështjet fetare, nga serbët dhe grekët e për të ruejtë kësisoj, individualitetin e vet si shqiptar. Islamizimi i tyne, ishte lëvizja ma racionale në historinë e tyne të gjatë të vuajtjeve nga invazionet sllave. Ata duhej të ndryshonin fenë, kjo ishte domosdoshmëri, sepse edhe nën zotnimin turk, përderisa ata nuk kishin kishën e vetë autoqefale, ata duhej të praktikonin fenë e tyne ortodokse në kishat serbe dhe greke. Si pasojë, ata ishin në rrezik me u asimilue nëpërmjet fesë, siç kishte ndodhë nën okupimin serb ose greko-bizantin. Shqiptarët nuk u luhatën, ata u konvertuen me mija, me qinda mija, së pari udhëheqësit e tyne, princat e tyne”.

Uroj që këtë shkrim ta lexojnë intelektualët kadaristë dhe katedralistë aktualë! Hëpërhë, ndalemi këtu. Konstatimi politik i Pastorit protestant për konstatimin politik të “përgjegjësit për minoritete” në “Ekipin e Unitetit”, Z. Veton Surroi “se përderisa nuk ka asnjë shqiptar ortodoks në Kosovë prandaj edhe nuk mundet të quhet bashkësia fetare Kisha Ortodokse e Kosovës, por vetëm si Kisha Ortodokse Serbe (e Serbisë). Ky është kulmi rezonues i injorancës së një politikani që mbahet për lider në Kosovë (...). Ai e anashkalon aq keq historinë e Kosovës, sikur ai nuk e di se para islamizimit të Kosovarëve ata historikisht kanë qenë të krishterë ortodoksë; madje, çdoherë në Kosovë shqiptarët kanë qenë shumicë e të krishterëve të ritit lindor” - është kjo shprehje e integritetit dhe e guximit intelektual shqiptar të Z. Cakiqi. E vetmja gjë që duhet të theksoj këtu është fakti se konstatimet e Z. Surroi dalin nga platforma politike e Qeverisë Çeku. Këtë e kam provuar vetë, në ditët sa po e mori postin e kryeministrit.

Meqë midis punëtorëve shkencorë dhe qeveritarëve shqiptarë gjithandej në periudhën e tranzicionit nga komunizmi në demokraci dhe nga robëria në liri, është një gji deti pa trapa lidhës, në Të pamën për Nanën e një eprori të TMK-së, e para mësuese shqiptare në Drenicë, rastisi të takohem me Kryeministrin e sapofronsuar, i shoqëruar nga sfita. Dhe, sikur me ra radha t’ia uroj fronsimin, me pak rrotlla, dhe i shtrova një tufë kërkesa: “Po shkoni në Bisedimet në Vjenë. Mendoj se Ato duhet të paraqiten si bisedime kosovaro-ndërkombëtare dhe jo shqiptaro-serbe; të mos pranohen eksterritorialitete të manastireve, por manastiret dhe kishat ortodokse historike të trajtohen si pasuri ortodokse vendore, kosovare, jo nacionale serbe. Të mbështetet qëndrimi shkencor se nuk ka xhami shqiptare, as kishë katolike shqiptare dhe as kishë ortodokse serbe. Perceptimi nacional i tempujve fetar është edhe antibiblik dhe antikuranor...!”

Kryeministri, Zoti Çeku, në mënyrën më lakonike, me një nënqeshje cinike, goditi këshillat e mia: “Vetëm edhe kjo na duhet...!”, kurse një sejmen i tij, me një arrogancë, shkoi edhe më larg. Ky ishte mësim për mua të ndjekë udhë të tjera, si në Kohën e Rugovës - Ndërkombëtarizimin e të vërtetave shkencore me Letra publike dhe me Letra interne - drejtuar personaliteteve ndërkombëtare dhe drejtuesve të UNMIK-ut.

Nuk qëndron i plotë konstatimi i hirësisë Z. Cakiqi: “Gjatë kohës së Perandorisë Osmane në Kosovë ka ndodhur rrënimi dhe prishja e shumë kishave katolike, por jo edhe atyre ortodokse”. E para, kisha katolike në Kosovë nuk është më e hershme se pushteti nemanjid. Kishat e para katolike në qendrat zejtare e xehetarie të Kosovës ishin faltore të elementit evropianë: xehehetarë, tregtarë, diplomatë etj. Këto kisha do të goditën me Krisobulat dhe Zakonikët e carëvet nemanjid, shumë para filleve të Islamit. Fillet e aktivitetit administrativ të Kishës romano-katolike në trojet shqiptare të Tivarit (në territorin e “Shqipërisë Venedikase”) nisen në fillim të shekullit XII, kurse konsolidimi i Administratës së kishës romano-katolike në Kosovë ndodhi në periudhën e lulëzimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, pikërisht në shek. XVI/XVII, nën patronatin e Papatit dhe të Evropës. Kjo është edhe periudha më e fuqishme e autoqefalitetit të Patriarkisë Ortodokse të Pejës, që shënoi kurorëzimin e procesit të serbizimit të kishës bizantine në Kosovë dhe zyrtarizmin osman të përvetësimit të trashëgimisë fetare e kishtare shqiptare të ritit lindor në trevat shqiptare të administruara nga Patriarkana e Pejës.

Të konstatojmë edhe këtë fakt: Deri në fund të shekullit XVII, kur në njëfarë dore mori fund kalimi masiv i shqiptarëve në Islam me ndërhyrje të Papatit, të Rusisë dhe të Evropës në çështjet fetare në Perandorinë Osmane, nuk pati as rrënime të kishave ortodokse. Tani, shqiptarët myslimanë ishin ata që i rrënuan kishat e tyre ortodokse, me gurtë e të cilave aty-këtu bënë xhami, kulla, mure oborresh ose mullinj. Kisha ortodokse institucionale osman, do të lulëzojë si kishë serbe pakthyeshëm nga pjesa e dytë e shekullit XVIII, përkatësisht gjatë shekullit XIX, gjithnjë nën mbrojtje të pushtetit osman dhe nën patronatin ndërkombëtar shtetëror dhe kishtar ruso-evropian.

Këtu, tashti, e do nevoja t’ia ofrojmë fjalën Profesor Spahisë: “Konvertimi në islam u diktue nga nevoja për të ruejtë kombësinë shqiptare, për të qenë ndryshe nga serbët dhe grekët dhe jo nga nji krizë ndërgjegjeje në Jezu Krishtin. Ata ia kishin frikën dhe e urrenin popin, që serbizonte dhe papà-in që i helenizonte, por jo priftin katolik, sepse ky nuk rrekej me i latinizue. Gati gjithë populli shqiptar u ba mysliman. Ky konvertim masiv u dha mundësinë dhe lehtësinë atyne shqiptarëve, të cilët parapëlqyen me mbetë ortodoksë që të ruenin gjuhën dhe kombësinë shqiptare” - brenda ledhit territorial islam përkufizues të qenies Shqipëri Etnike.

Në shkrimin e Pastorit të nderuar hasim, për të parën herë, një koncept shkencor filozofiko-historiografik lëndor: Metohizëm për dukurinë e pranimit të kantonizimit serb të Kosovës përmes decentralizimit komunal dhe eksterritorialitetit serb të mbi 35 manastireve dhe të kishave ortodokse të Kosovës. Konstatimet se “Metohizmi (është) strategjia serbe për t’i lënë shqiptarët ardhacakë dhe fundamentalistë” islamë, në trojet stërgjyshore, është gjedhë aktuale e mendimit politik dhe shkencor shqiptar. Do të mbetët në analet e mendimit shkencor dhe politik konstatimi i Dr. Fehmi Cakiqit se koncepti “metohizëm” ngërthenë aspiratën serbe shekullore për përvetësimin e trashëgimisë bizantine-ortodokse në Kosovë dhe gjetkë në trojet shqiptare, por konstatimit se “Sot Veton Surroi dhe Lutfi Haziri, me dashje ose pa dashje, janë shndërruar në strategjinë serbe të bërjes së metoheve nëpër Kosovë (...), sufraganë (në kuptimin jo pezhurativ por atë klasik; d.m.th. ndihmës i klerit) e këtij procesi”, kur ti shtohet edhe konstatimi në vijim se “Trashëgimia kulturore është e gjithë atyre që e kanë krijuar, e gjithë atyre që e kanë zhvilluar, e gjithë atyre që e kanë përdorur dhe e gjithë atyre që e kanë zotëruar, apo pushtuar” është mendim politik, etnografik dhe historiografik antologjik.

Mbi këtë amplitudë, Profesor Miftar Spahija - Thaçi, do t’i thërriste UNMIK-ut, Ahtisarit, Kofi Annanit, Grupit të Kontaktit, sot, me fjalët që ua kishte drejtuar, më 1993, burrave shtetëror më të rëndësishëm, për Krizën e Kosovës dhe Çështjen shqiptare të ndërlikuar me dhunë diplomatike ndërkombëtar në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Londrës, dhe në Konferencën e Versajës: “Shqiptarët nuk kishin një kishë të veten, autoqefale që të kujdesej për nevojat e tyne shpirtnore në gjuhën e tyre. Ata duhej t’i thithnin mësimet e Jezusit përmes popit serb ose papà-it grek. Nuk kishte rrugë tjetër. Feja ishte gjithçka në kohën bizantine, në qoftë se njeriu nuk donte të shkëputej nga Zoti dhe të përbuzej nga njerëzit. Shqiptarët duhej të shkonin në kishën serbe që të kuptoheshin prej Zotit. Zoti ishte nga ana e Serbisë. Ai nuk njihte shqipen, por njihte gjuhën greke, serbe, bullgare(...)! Grekët, bullgarët dhe serbët nuk kishin ndonjë arsye me u ba muslimanë. Turqit jo vetëm respektonin fenë e tyren ortodokse, por njihnin, gjithashtu, madje patriarkatet kombëtare respektive: prandaj, pse me u konvertue në Islam? Sot, mburren që kanë ruejtë fenë e vet ortodokse për të marrë lëvdata prej evropianëve dhe amerikanëve dhe, në të njejtën kohë, për të qortue e fajësue shqiptarët, si nji entitet fetar i huej brenda kristianitetit evropian! Si pasojë, ata presin të shpërblehen në dam të viseve shqiptare (...). Sot Serbia po i errëson problemet. Ajo po përzien politikën me fenë me qëllim që të grabisë tokë në dam ose ma fort me vrasjen e popujve dhe kombeve islamë (...). Serbët mburren se janë flamurtarët e kristianitetit evropian kundër Islamit. Sesa beson Evropa a sesa mashtrohet Evropa, kjo asht nji çeshtje e gjakut të përbashkët sllav me Rusinë, e miqësisë evropiane dhe amerikane, e bazueme në interesat strategjike (...). Miqësia me serbët asht nji njollë e zezë në ndërgjegjen e Evropës dhe t’Amerikës. Nuk e vlen të kesh nji mik të tillë, të zhytun në gjak dhe në turp.”

Pastori protestant Dr. Fehmi Cakolli, me të drejtë dhe mbështetje logjike, politike dhe historike, proteston: “...nacionalizimi i asaj lloj trashëgimie kulturore që s’ka amësi, është vetëm akt i përvetësimit, ashtu sikur pandeh Serbia se të gjitha kishat ortodokse në Kosovë janë serbe (...). Nëse dikush synon që t’i mbrojë kishat ortodokse në Kosovë përmes eksterritorialiteti atëherë ky do të jetë dëmi më i madh për të ardhmen e këtyre kishave, pasi që përmes izolimit dhe pronësimit të dhunshëm do të krijojnë çdoherë ndjenja tunduese tek shumica e njerëzve që jetojnë këtu”.

Hirësia e tij, Cakolli, e përmbylli shkrimin me plot mesazh që i shkon natyrës së pozitës së tij të udhëheqësit shpirtëror të ungjillorëve: “Kështu e shohim se çfarë politike po bëjnë sot liderët tanë të quajtur Veton Surroi dhe Lutfi Haziri. Le të lutemi për ta!” - Unë, megjithatë, do të kërkoja t’i ndalojmë jo vetëm ata, por Qeverinë kukull unmikiane, sepse dëmi i aminimeve të saj është më i pariparueshëm se sa shtyrjet e zgjidhjes së statusit konjuktural ndërkombëtar të Kosovës, dhunë kjo ndërkombëtare ndaj Çështjes shqiptare, e vetme e mundshme për zgjidhje të drejtë me Vetëvendosje të popullit. Profesor Miftar Spahija do të kërkonte: Serbia le t’i sosë ditët e padenja në mënyrë paqësore, siç i kanë sosë përpara saj disa perandori të tjera!”

Prishtinë, 13 dhjetor 2006

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme