Kuptimi i Hixhretit

Po ç’ishte ky revolucion kështu dhe kush ishte ai që i dha zjarr këtij?

Ajo që duhet të theksojmë është se ky revolucion i pazbërthyer për shumë mëndje, nuk kufizohet vetëm në një pikpamje të jetës, përkundrazi hyn në labirintin e problemeve fetare, shoqërore, politike dhe kulturore. Ai që i dha shpirt këtij revolucioni është Djali i Madh i Botës: Muhamedi (Alejhis Salatu wes-Selam).

Profeti e zbuloi të vërtetën në një natë të ëmbël, në mes të ajrit të lehtë të Hirasë dhe në mes të rrezeve të hënës që varet si shtizë për të thurur kurorën e lavdisë së tij… E pa dhe u gjend papandehur në gjirin e një shpirti të pakufizuar që i jep gjallëri këtij infinitumi… Profeti dëgjoi Këngën e së Vërtetës, atë këngë që pat dëgjuar dikur edhe Ibrahimi, Musaj dhe Isaj (paqja e Zotit qoftë mbi ta)… E degjoi mirë dhe u mahnit në melodinë e saj, Qe një poezi dashurie që dëgjoi Shpëtimtari i Botës. Prandaj filloi të këndojë vargun e parë të kësaj poezie… por fjala e Profetit gjeti pak veshë në fillim, u kufizua, pasi një botë e tërë pa tek ai një njëri të rrëzikshëm që kërkonte të luftonte traditat dhe zakonet që, sipas mendjes së tyre, të paluajtshme si ligjet e natyrës.

Jemi në ditët e para të islamit, në periudhen mekane, periudhë plot vuajtje, sakrifica, mundime dhe mjerime. Zemra e Profetit fryhet për ditë për të shpërthyer më vonë si vullkan. Të paktë janë shokët e tij…sa mund të numërohen gishtat e dorës, por të gjithë rrojnë me shpirtin e Fjalës së Allahut dhe të Profetit të tij. Të gjithë i kanë hedhur sytë në buzën e Muhamedit, e cila, për ta është si një kitarë që ndjenjat artistike të një Vagneri apo shpirtin e lodhur të një Shuberti. E dinë të gjithë ajo buzë nuk është lozonjare,… nuk gënjen, …pasi ajo pëshpërit pak më parë këtë vërset: “Profeti nuk flet nga dëshira e tij. Ajo që flet ai është Vahj (Revelatë) që i shfaqet atij”.

Dhe ja me të vërtetë një ditë dy buzët e Profetit luajtën…Shpirti i tij lëshon në qiellin e Mekës një rreze: Hixhret, … emigrim, … shpërngulje. Kjo qe fjala e tij. Dhe besnikët dëgjuan… Do ta linin medoemos atdheun e tyre që me aq dashuri u fali jetën dhe bukurinë. Do të ikni patjetër… Fjala e Profetit nuk është erë, nuk është fantazi e tepruar… Muhamedi (a.s.) thotë atë që e dëgjon nga thellësia e shpirtit të tij.

Prandaj filluan një nga një ta linin Mekën për të hyrë në Medinë, duke mbetur në Mekë vetëm Profeti me dy shokët e tij: Ebu Bekrin dhe Aliun, Luanin e Allahut. Po edhe këta do të niseshin.

Kështu në një mëngjes të bukur, ashtu siç janë mëngjeset e shkretëtirës, Profeti i Zotit bashkë me shokun e tij të sinqertë, H. Ebu Bekrin, i lë për një kohë lamtumirën Mekës. Dy pika lotë derdh Profeti i islamit: lot i parë është lot i gëzimit që shënon triumfin e Fjalës së Vërtetë… Këtë e ndjen qysh tashti… Lot i dytë është ai që derdhë biri i njeriut. Është loti që shfaq një shpirt të zhuritur që po ndahet nga vendi i lindjes së tij… Është loti që vadit kujtimet djaloshare të ditëve të një të riu që skllavëroi zemrën e gjerë të H. Hatixhesë. H. Muhamedi derdh këto dy pika lotë dhe vë këmbën e bekuar në rërën e dezertit… I duhet të udhëtojnë me ditë nën diellin e nxehtë që të rrjep zhapën e kokës. Kur largohen nga Meka, e ndjejnë veten se janë të lodhur… Prandaj hyjnë në shpellën e Theurit … Dy shpella qëndrojnë në frontin e historisë së shkëlqyer të islamit: Shpella e Hirasë dhe ajo e Theurit. Në heshtjen e Hirasë u dëgjua Fjala e Allahut… Në Theur vetëtiu mendja… Në të parën punoi shpirti i gjerë i Profetit, në të dytën punoi mendja, gjykimi…

Që të dy rrinë për tri ditë në Theur… Heshtje dhe asgjë tjetër… Profeti flet rrallë… por një fjalë e tij del nga shpirti dhe përhapet rrathë-rrathë në kozmosin e pafund… Dy vija lotësh që tërhiqen në fytyrën e Ebu Bekrit, tregojnë se diçka nga jashtë kërkon të hyjë në shpellën e misterit… Dëgjohen patkonj kuajsh që shkelin në shkëmbenj… Rrëngjethje shpirti i shtohen Sidikut, se jeta e Resulit të Zotit është në rrezik… Do ngushëlluar tashti Sidiku: … “La tahzen innall-Llahe meana!” “Mos u mjero, se Allahu është me ne!”, qe ngushëllimi që i bëri Profeti shokut to tij. Qe një tingull ky që doli ëmbëlsisht nga kitara e shpirtit të tij. Ky tingull dëgjohet edhe sot në qetësinë e Theurit, kur udhëtari i lodhur ungjet të pushojë pranë.

Në një pasdreke të nxehtë, Profeti i Zotit bashkë me besnikun e tij, hyjnë në Medine, e cila, këtej e tutje do të quhet Medineten-Nebi (Qyteti iProfetit).

Hixhreti ishte mbaruar…

Me Hixhretin fillon data e ngadhnjimit të islamit. Me Hixhretin merr fund një histori e vjetër, mbushur me konceptet metafizike që prodhoi filozofia e një Platoni, filozofi e shkruar në hijen e shpellës së jetës; merr fund kjo histori për t’i lëshuar vendin një historie të re me një filozofi të shkruar nën rrezet e së vërtetës. Mbaron një epokë dhe nis një tjetër. Në të parën sundon Zoti i mpitë e i pavullnetshën i Aristotit që është ndarë fare nga punët e njerëzve, kurse në të dytën sundon Allahu i Muhamedit që është më afër njeriut se delli i qafës… sundon “Intelligence Supreme”, një shkëndi e së cilës është edhe mendja jonë. Filozofia që do të ndjekë Hixhretin, do të hyjë thellë në detajet e përditshme të jetës së myslimanit, sepse është filozofia e një jete të lumtur… është filozofia që doli nga zemra… Ky sistem filozofik do të përqafohet nga bota, pasi vetëm me anë të këtij mundi të kuptojë njeriu se ç’është kjo pafundësi (infini=la nihaijje), kështu që përmban në gji të saj ligje dhe sisteme të shumëllojshme, ç’është e Vërteta Supreme (Relite Supreme=Hakikati Ylja) dhe se çfarë qëndrimi duhet të marrë njeriu përpara një fuqie që ka shtrirë mbretërinë e saj jashtë këtij rrethi të kohës (temps=zeman) e të vendit (espace=meqan) që qarkon filozofinë e Bekonit. Edhe filozofët që do të udhëtojnë nëpër këtë epokë të re, do të jenë më modestë se të parët… Këta do të ngulmojnë në idenë se me një vështrim të vetëm që i drejtohet gjithësisë, nuk mund të zbulohet misteri, … mund të vërehen dusa shfaqje të tij, por jo kurrë misteri në vetvete…

Revolucioni i pashembull, që nisi me Hixhretin, mbajti në dorë dy ura: atë të shpirtit dhe atë të mendjes. Dhe trokiti në çdo derë. Ky revolucion tronditi nga themelet monumentin e shoqërisë që ishte ngritur me sistemet brutale të asaj kohe, dhe nxorri nga gjiri i tij një rend shoqëror të ri: sistemin shoqëror islamik sipas të cilit do të veprojnë besnikët.

Me Hixhretin zë fill një botëkuptim i ri, … një jetë e kulluar apo një histori e re e zhvillimit politik, në të cilën do të sundojë një skllavi, një histori tërësisht njerëzore, nëpër shfaqjet e së cilës do të rrahin me fuqi ndjenjat e vëllazërimit, të bashkimit e të lirisë, një histori, nëpër shekujt dhe zigzaget e së cilës do të dëgjohet monotonia e një zëri misterioz. Po ç’është ky zë…? Është zëri i amëshuar, i ruajtur në zemrën e gjithësisë që e dëgjoi për të parën herë Profeti Muhamed në Hira; është zëri që e thirri më vonë Profetin të bëhet pionieri i revolucionit botëror; është zëri që dëfren shpirtin e lodhur të beduinit apo të karvanit arab kur humbet si një pikë në pafundësinë e oazeve të Saharasë apo të Nexhdit; është zëri që aq ëmbël e dëgjonte Hafëzi Shiraziu, bilbili i Iranit, kur dehej në aromën e luleve të “kopshtit të Iremit” dhe kur për një çast venitej përpara fytyrës magjike të Shahnebatit, të dashurës së tij ideale. Këtë zë monoton e dëgjojmë kurdoherë që gjendemi përpara vargjeve e gazeleve të bukura të tij.

Pas Hixhretit shekujt do të përdridhen rreth një ideje të vetme që shpërtheu nga balli i Profetit. Kjo do të marshojë pa u ndalur asnjëherë… Do të fluturojë misteriozisht deri në Marok në një anë, ku do të ndjejë muzikën melankolike që nxjerrin valët e Atlantikut, dhe nga ana tjetër do të ngrehi pallatin mbi majat shkrepore të Himalajit, prej ku do të dëgjojë në heshtjen e netve pranverake himnin e lavdisë së saj që do ta këndojë djali i islamit, dr. mohamed Ikbali i Indisë me një persishte të bukur në Perri Xhibrilin e tij. Të gjitha evolucionet fetare e shoqërore dhe të gjitha rrymat e mendimit që do të hyjnë me fuqi dhe që do të vërtiten si satelitë rreth katedrave të universiteteve të Kordovës, Kajros, Samarkandit dhe Buharasë nuk janë veçse shfaqje të ndryshme të kësaj ideje.

H. Muhamedi ishte shpirti i kësaj ideje… Tek Ai unë gjej sintezën e fuqive e të energjive të shumëngjyrshme që e shtyjnë shoqërinë dhe shfaqjet e kësaj në rrugën e pambaruarshme të evolucionit. Profeti Muhamed për mua është një ekzistencë e përsosur që shkrihet në pafundësinë e Zeitgeistit (Shpirtit të Botës) për të dalë fjala e amëshuar.

Fyelli i Meulana Xhelaledin Rumiut këndoi dikur një pjesë të këngës së tij:

Kush u nda nga origjina si një pik’ në gjithësi,

Papushim përpiqet koha ta bashkojë përsëri.

Kështu edhe Profeti Muhamed (a.s.) doli si një notë muzikore nga Zemra e Qiellit dhe humbi dalngadalë në oqeanin e hapësirës duke lënë pas për gjithë jetën një tingull. E ku vajti…? U kthye në origjinë prej ku doli… Artisti e do artin e tij…


Përshtatur nga libri: Vexhi Buharaja, fq. 61-65, Ali Vezaj

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme