Është ky neni 4.4 i Ligjit për Arsim, gjegjësisht rregullorja e rendit shtëpiak të shkollës ajo që ndalon çfarëdolloj propagandimi të fesë nëpër shkollat publike. Në nenin 4.7 të këtij ligji shkruan: “Institucionet arsimore publike do të përmbahen nga mësimdhënia fetare ose veprimtaritë e tjera që propagandojnë ndonjë fe të caktuar”.
Edhe pse për të miratuar kërkesën e tyre për këtë të drejtë fondamentale Bashkësia Islame e Kosovës dhe Partia e Drejtësisë disa herë me radhë kanë paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e tyre që e kundërshtojnë një diskriminim të tillë, duket se kjo ka hasur në vesh të shurdhër.
Për të argumentuar këtë të drejtë dhe nevojë të natyrshme, këto dy institucione përveç dokumenteve të nevojshme patën arritur të grumbullojnë me qindra mijëra nënshkrime të besimtarëve muslimanë në tërë Kosovën, duke përpiluar edhe peticionin kundër këtij diskriminimi, por pa sukses.
Bashkësitë e tjera fetare në Kosovë nuk janë dakord që lënda e edukatës fetare të futet nëpër shkolla. Sipas Don Lush Gjergjit, Famullitar dhe Vikar Gjeneral i Kishës Katolike në Kosovë, as kisha dhe as xhamia nuk mund të zëvendësojnë shkollën. Kisha katolike ka pasur qëndrim asnjanës dhe zë të paqartë rreth kësaj çështjeje, ndërsa kisha protestante e Kosovës është kundër futjes së kësaj lënde nëpër shkollat shqipe në Kosovë.
Bashkësia Islame e Kosovës, institucion që përfaqëson interesat e popullatës shumicë me përkatësi muslimane, është këmbëngulëse që lënda e edukatës fetare duhet të futet sa më parë në planprogramet mësimore. Sipas Mr. Qemajl Morinës, përfshirja e lëndës fetare në shkollat publike është më se e nevojshme, sidomos në këto thyerje të mëdha me të cilat po ballafaqohemi.
“Shoqëria jonë kaloi nëpër një periudhë të gjatë të një sistemi monist që nuk pranonte asnjë ideologji tjetër, duke përfshirë këtu edhe fenë. Kështu, për një kohë të gjatë shoqëria jonë u edukua në një sistem ateist që mohonte ekzistencën e Zotit. Periudha e pasluftës u shfrytëzua edhe nga shumë organizata të huaja për propagandë fetare. Prandaj, duke u mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, në kuadër të së cilës është edhe e drejta e shprehjes dhe e edukimit fetar, ne besojmë se kjo është e drejtë legjitime edhe e nxënësve tanë që shkollohen në shkollat publike. Lënda e edukatës fetare tashmë është pjesë e planprogrameve shkollore në shumë vende evropiane. Kështu veprohet edhe në vendet e dala nga ish-Jugosllavia, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova. Në rrethanat e reja demokratike që po mbretërojnë në Kosovë, kjo çështje meriton një shqyrtim objektiv nga të gjitha institucionet tona përgjegjëse për arsimin kosovar, sepse është në interesin tonë të përgjithshëm.”
Në lidhje me inicimin e idesë në këtë periudhë të ndjeshme politike e sociale, Qemajl Morina thotë se kjo ide nuk është e re, madje në këtë drejtim punohet që nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
“Për fat të keq, deri më sot nuk kemi gjetur mirëkuptim nga institucionet kompetente për arsimin kosovar. Ne besojmë se është obligim i yni që kërkesat tona t’ua paraqesim organeve kompetente, por ne nuk mund t’ua imponojmë atyre dëshirën dhe vullnetin tonë.”
Por, siç thotë Qemajl Morina, për realizmin e këtij projekti megjithatë lypset bashkëpunimi i të gjitha institucioneve që merren me arsimimin e brezave tanë të rinj. “Ne, si Bashkësi Islame, jemi të hapur për bashkëpunim dhe do të jemi në gjendje t’i kryejmë obligimet tona kurdo që kjo të na kërkohet. Në aspektin e kuadrove, ne kemi kuadro të kualifikuar, por normalisht se kjo do angazhim edhe më të madh për trajnimin dhe kualifikimin e tyre, që ata të jenë në gjendje ta kryejnë misionin e tyre, kur për këtë gjë do të merren vesh të gjitha institucionet tona. Kuptohet që paraprakisht duhet të merret pëlqimi nga organet kompetente.”
Pse janë shfaqur kërkesat për mësimin fetar?
Mësimi fetar në forma të ndryshme zhvillohet gati në të gjitha shtetet evropiane, natyrisht duke marrë parasysh specifikat historike dhe shoqërore të këtyre shteteve. Mësimin fetar në shkollat shtetërore publike dhe statusin e tij juridik çdo shtet e rregullon në pajtim me parimet themelore të rregullimit shtetëror, shoqëror dhe në pajtim me traditën e vet kombëtare, me kulturën specifike si dhe në pajtim me karakteristikat e sistemit të arsimimit dhe të edukimit në përgjithësi.
Në shumicën e shteteve të Evropës feja paraqet qendrën e sistemit të vlerave, të cilat duhet të barten te nxënësit në procesin edukativo-arsimor. Karakteri dhe qëllimi themelor i lëndës së mësimit fetar ka për qëllim nxënien e vlerave të caktuara në pajtim me religjionin zyrtar ose atë dominues.
Në Britani të Madhe, në Greqi, në Rumani, në Gjermani, në Suedi, në Islandë, në Norvegji, etj., mësimi fetar është lëndë obligative mësimore. Ndërkaq, në Shqipëri, në Kosovë, në Bullgari, në Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe në Maqedoni mësimi fetar ende nuk është futur në shkollat publike. Në Serbi mësimi fetar në baza konfesionale dhe si lëndë edukative është futur prej vitit shkollor 2001-2002.
Burimet e mësimit fetar në Evropë
Përderisa ligji për arsimin kosovar futjen e lëndës fetare në shkolla e kundërshton në mënyrë vendimtare duke u bazuar te propagandimi fetar, janë deklaratat e përgjithshme dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë njerëzore ato që e legalizojnë mësimin fetar nëpër shkollat publike.
“Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë.” Neni 18.
“Arsimi duhet të synojë lulëzimin e plotë të personalitetit njerëzor dhe forcimin e respektit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ai duhet të favorizojë mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjitha kombeve dhe të gjitha grupeve raciale ose fetare si dhe të ndihmojë zhvillimin e veprimtarive të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes. Prindërit kanë të drejtë, në mënyrë prioritare, të zgjedhin llojin e arsimit për fëmijët e tyre.” Neni 26.
Po ashtu, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, neni 20, në lidhje me arsimin dhe fenë thotë:
“Shtetet palë në këtë Pakt janë të mendimit se arsimi duhet të synojë lulëzimin e plotë të personalitetit njerëzor dhe të ndjenjës së dinjitetit të tij, të forcojë respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ata veç kësaj, janë të një mendimi se arsimi duhet të mundësojë që çdo person të luajë një rol të dobishëm në një shoqëri të lirë, të favorizojë mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë ndërmjet të gjitha kombeve dhe të gjitha grupeve racore, etnike e fetare... Shtetet palë në këtë Pakt zotohen të respektojnë lirinë e prindërve dhe kur është rasti, të kujdestarëve ligjorë, për të zgjedhur për fëmijët e vet institucione të tjera përveç atyre publike, por që të jenë në përputhje me normat minimale që mund të jenë caktuar ose miratuar nga shteti në fushën e arsimit, dhe për të siguruar arsimimin fetar dhe moral të fëmijëve në përputhje me bindjet e tyre.”
Pra, me plot të drejtë, konkludohet se mësimi fetar i fëmijëve nëpër shkolla është një e drejtë natyrore dhe nuk mund të quhet propagandë apo diçka tjetër.
Frika ndaj ndasive
Sa i takon arsyetimit se futja e lëndës fetare në shkollat publike në Kosovë do të mund të shkaktonte ndasi apo nxitje të urrejtjes ndërfetare, sipas Mr. Qemajl Morinës kjo nuk qëndron.
Sipas tij, edukata fetare do të jetë për të gjithë dhe nuk duhet të kemi paragjykime se kjo lëndë mund të shkaktojë ndasi mes nxënësve, sepse secili do të njihet me fenë së cilës i përket si dhe me fenë e shokut të vet.
“Mosnjohja, qoftë edhe në aspektin fetar, shkakton barriera në mes popujve, ndërsa në momentin kur ata njihen me besimet e njëri-tjetrit këto barriera bien, sepse parimet që i bashkojnë janë shumë më të mëdha se sa ato që i ndajnë. Prandaj, prej edukatës fetare mund të kemi vetëm dobi dhe afrim në mes njerëzve të besimeve të ndryshme”, konkludon Mr. Qemajl Morina.
Deputeti i Partisë së Drejtësisë, Dr. Ferid Agani, një protagonist i përhershëm për futjen e edukatës fetare në shkollat publike, ka dhënë para Kuvendit të Kosovës dhe para deputetëve sqarimet dhe argumentimet në favor të lëndës së edukatës fetare. Ai në mes tjerash ka thënë se ndaj kësaj çështjeje nuk kërkohet një qasje me qëndrime të paragjykuara politike, por para së gjithash me argumente profesionale. Çështja thelbësore është se çka fitojnë dhe çka humbin nxënësit me zbatimin e lëndës së edukatës fetare në shkolla. Sipas deputetit Dr. Ferid Agani, nxënësit me zbatimin e kësaj lënde nuk humbin asgjë, por fitojnë shumë.
Deputeti Dr. Ferid Agani thotë se “të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për krizën e madhe morale që ka përfshirë shoqërinë tonë dhe veçanërisht rininë”. Hulumtimet e bëra i kanë vërtetuar në mënyrë të padyshimtë indikatorët e kësaj krize, si: shtimi dramatik i sëmundjeve të vartësisë, alkoolizmit, tentimeve të vetëvrasjes dhe të vetëvrasjeve, prostitucionit, delikuencës së të miturve, kriminalitetit, çrregullimeve psikiatrike etj.
Në situatën e krizës së skajshme ekonomike dhe sociale me shkallë ende të lartë të pasigurisë politike, të ballafaquar me ofensivën mediale si pjesë e procesit të pashmangshëm të globalizimit, të rinjtë tanë të papunë dhe në shumë raste pa mundësi të arsimimit adekuat, të lënë anash kujdesit institucional, janë të hutuar, të dëshpëruar dhe të pakënaqur me gjendjen e përgjithshme ekonomike, sociale, politike, bile edhe me gjendjen familjare. Në mungesë të objekteve adekuate për identifikim në familje, ata identifikohen me personalitete, zakonisht të huaja, që kanë sistem të ndryshëm vlerash. Në të njëjtën kohë, propaganda mediale vazhdon t’u shpëlajë mendjet dhe zemrat, duke ua thelluar më tutje krizën e identitetit. Në këtë situatë, porositë nga librat e shenjtë për paqe, dashuri, respekt të ndërsjellë, ndershmëri, sjellje njerëzore, solidaritet dhe tolerancë, drejtësi, trimëri, kujdes ndaj prindërve, jetimëve, të varfërve, të sëmurëve, etj., që do të mbushnin orët e edukatës fetare, do të paraqisnin udhëzim dhe qetësim për zemrat dhe mendjet e të rinjve si dhe do të ofronin siguri dhe parashikueshmëri, aq të nevojshme për zhvillim dhe funksionim normal psikologjik.
Ndërsa, vërejtjeve që bëhen nëse futja e fesë në shkolla do të binte ndesh me laicizmin si parim kushtetues e shtetëror në Kosovë, deputeti Dr. Ferid Agani iu kundërpërgjigjet kështu: “Ndarja e institucioneve fetare nga ato shtetërore është parim kushtetues i organizimit tonë shtetëror si dhe i organizimeve shtetërore në mjediset gjeo-politike në të cilat synon të integrohet Kosova. Ky parim në Kosovë është duke u keqpërdorur dhe për pasojë kemi shkeljen e vrazhdë të të drejtave elementare të njeriut, siç janë liria e edukimit fetar në shkolla publike si dhe liria e respektimit të normave fetare në rastin e veshjes që bartet në institucionet publike. Pra, laicizmi ose ndarja e fesë nga shteti nuk nënkupton ndarjen e vlerave fetare nga institucionet publike, por ndarjen e institucioneve fetare prej vendimmarrjes për çështje shtetërore. Kjo nuk mund të justifikohet për ta ndaluar një të drejtë elementare dhe të natyrshme për nxënësit muslimanë, porse ky manipulim i rëndë, që rrënjët i ka në interpretimin komunist-ateist të parimit të laicizmit, ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda në trupin kombëtar shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Gjenerata të tëra të rinisë shkollore ngelin të privuara nga e drejta për t’u edukuar në aspektin fetar brenda sistemit shkollor, ndonëse kjo nuk ka të bëjë aspak me parimin e laicizmit.
Sot e kësaj dite, besimi në Zotin e Madhërishëm që kultivohet në familjet e nxënësve, me vendimin e pushtetarëve të hutuar lihet te pragu i shkollës duke shkaktuar zbrazëti të madhe në edukimin e tyre si dhe duke formësuar tek ata moralin e dyfishtë: besimtarë në shtëpi dhe në familje, ateistë në shkollë. Kjo mund të ketë pasoja të rënda psikologjike, veçanërisht në mesin e rinisë shkollore, e cila në dhjetëvjeçarët e fundit ka përjetuar ngjarje të shumëfishta traumatike.
Lënda e edukatës fetare në shkollat publike si dhe mbajtja e lirë e shamisë në institucionet publike paraqesin vlera civilizuese të respektimit të lirive fetare si të drejta elementare të njeriut në shumë shtete të ashtuquajtura laike, ku institucionet fetare janë të ndara nga ato shtetërore. Mjafton të përmenden shembujt e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Polonisë, Greqisë, Kroacisë, Austrisë etj.. Nuk duhen mbyllur sytë para këtij realiteti. Mohimi i realitetit është mekanizëm primitiv i mbrojtjes së unit”, shprehet deputeti i Parlamentit të Kosovës.
Sido që të jetë, të gjitha argumentet tani flasin në favor të futjes sa më të shpejtë të edukatës fetare në shkolla, pavarësisht se dikë mbase edhe e pengon një gjë e tillë. Megjithatë, organet drejtuese në Kosovë vazhdojnë ta mbajnë në heshtje një gjë të tillë. Se a do të mundësohet kjo gjë apo jo, mbetet të shihet pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, ku shpresohet se gjërat do të ndërrojnë drejtimin dhe gjithsesi do të triumfojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pse jo edhe të shumicës së kësaj popullate, asaj islame.
http://fjalaebukur.com/sq/index.php?option=com_content&view=article&id=353:mesimi-fetar-ne-shkollat-publike-te-kosoves-dhe-statusi-i-tij-juridik&catid=13:aktuale&Itemid=35