Problemi i krishterizimit të myslimanëve

Problemi i krishterizimit të myslimanëve është aktual edhe gjatë viteve të fundit e jo vetëm në Mesjetë, apo gjatë periudhës kolonialiste. Aktuale është fushata e krishterizimit në Afrikë, Azi, madje edhe në Evropë, në Bosnjë, e sidomos edhe më shumë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Qarqeve të caktuara brendashqiptare dhe jashtëshqiptare ky pohim do të mund t‘i dukej i ekzagjeruar. Madje, dukurinë e krishterizimit do të përpiqen ta justifikojnë me rrugëtim normal të modernizimit, liri të të shprehurit, të menduarit; do ta justifikojnë si kthim rrënjëve, kthim si e thonë shpesh “besimit të baballarëve”. Por, nëse fenomenin e konvertimit e shqyrtojmë më thellësisht do të shohim se dukuria e krishterizimit të myslimanëve nuk është çështje rasti, as dukuri spontaniteti, por dukuri mjaft mirë e studiuar dhe me saktësi e vënë në veprim nga mjeshtër perfid e të rafinuar. Ky proces ka fazat e tij të zhvillimit dhe ne me këtë rast nuk do të merremi me këtë çështje. Kjo do t’i mbetet një studimi gjithëpërfshirës. Por, me këtë rast do t’i theksojmë disa çaste më eklatante me shpresë se në rastet e ardhme do të sqarohen edhe më mirë e më thellë proceset e tilla. Duhet pasur parasysh se dukuria e konvertimit, krishterizimit, nuk është rast vetëm në trojet shqiptare. Revista arabe “El-Usreh”, në një numër të mëhershëm, pohon se krishterizimi (konvertimi) në Afrikë ka disa mënyra, sikur: - Metoda e parë është nëpërmjet martesave të përziera. Për këtë arsye, Fakulteti Katolik në kryeqytetin e Kenisë i kurajoi vijuesit e mësimeve të Kishës që të martohen me myslimanë, sepse, sipas tyre, kjo është mënyra më e pavërejtur që myslimanët të konvertohen në krishterizëm. Revista më tej e thekson rastin e një Hasani, i cili pasi u krishterizua si pasojë e martesës së përzier, nëpërmjet tribunave publike që organizoheshin për këtë qëllim filloi të nxisë krishterizimin e myslimanëve në këtë mënyrë. Nëse këtë mënyrë do ta analizojmë më mirë do të shohim se kjo mënyrë është futur edhe te shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e troje të tjera shqiptare, respektivisht kështu veprohet me shqiptarët në Greqi, Itali dhe vendet e tjera perëndimore. Nëse opinioni lexues do t’i rikujtojë disa ditët e fundit të Bajramit të Kurbanit të fundit, televizioni kombëtar TV Koha Vizioni në Prishtinë, në vend që të ofrojë ndonjë program festiv për myslimanët, ai emetoi programin se si një femër me emër mysliman është martuar me një mashkull katolik dhe se është shumë e kënaqur me këtë martesë. Po ashtu, show-programi i RTK Oxygen me Besim Dinën, në fund të muajit dhjetor 2009, gjithashtu organizoi një program me një martesë të përzier, sërish femra myslimane e martuar me një katolik, dhe si mysafir Lush Gjergji, plot gojën demagogji, dhe një teolog inferior përballë mjedisit. Edhe ky program, e qartë, i kurdisur për këtë qëllim, kurse në dëm të myslimanëve. Porosia e programit ishte e qartë: demonstrimi i superioritet kristian kundrejt një islami inferior, i organizuar me skenar poshtërues. - Metoda e dytë është nëpërmjet sistemit arsimoro-edukativ, sidomod në regjionet e varfra të Kenisë. Nëpërmjet organizatave humanitare-bamirëse perëndimore në regjionet e varfra janë ndërtuar shkolla, të cilat, stimulonin kalimin në katolicizëm si kusht për mospagesë të shpenzimeve shkollore. Kjo qartë tregon se këto organizata nuk janë humanitare dhe bamirëse, por misionariste dhe me qëllime krejt johumane, për konvertimin e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Nëse kësaj gjendjeje në Afrikë i hedhet një shikim, sërish do të shohim se qindra organizata humanitare e bamirëse në Kosovë por edhe në Shqipëri nuk kanë njëmend qëllimin e proklamuar në afishet, reklamat dhe programet e tyre publike. Shkolla fetare katolike Loyola, e ndërtuar në Prizren, dhe shumë shkolla të tjera të ngjashme në trojet shqiptare këtë tendencë e ilustrojnë më së miri. Nëse nuk i besoni këtyre fjalëve ju sugjeroj ta lexoni veprën e dr. Haris Silajxhiq, Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në arkivat e Vashingtonit, edhe në gjuhën shqipe të botuar, por edhe vepra të tjera, dhe do të shihni përfshirjen e këtyre organizatave në procesin e konvertimit të myslimanëve në krishterizëm. Madje, gjatë një takimi, në një vërejtje timen një ushtaraku gjerman të KFOR-it se organizata të caktuara kanë abuzuar me fëmijët jetimë të Krushës në Kosovë, duke iu shpërndarë Bibla dhe fletushka të ilustruara fetare, ushtaraku i lartë u përgjigj: edhe ju myslimanët këtë po e bëni në Gjermani. Po, iu përgjigja ushtarakut, edhe ne e bëjmë këtë në Gjermani, por jo me fëmijët jetimë, me rastet më të rënda sociale, me të pastrehët e të paushqyerit, por me ambasadorë e doktorë shkencash, me artistë e shkrimtarë kulmorë botërorë. Ushtaraku heshti, kurse unë vazhdova se Kosova po shërben si laborator eksperimentesh ... Një metodë tjetër e konvertimit të myslimanëve është largimi i rinisë, sidomos të djemve myslimanë shqiptarë në Perëndim dhe inkurajimi i martesave të tyre të përziera, si rrugë e lehtë për ambientim në ato vende. Këto familje të përziera, më rastet më të mira, brenda dy-tre brezave kalojnë në krishterizëm. Kjo mënyrë është metodë spontane por e suksesshme. Këtë e vërtetoi edhe Lush Gjergji, i cili shkeli dispozitat kristiane dhe lejoi martesën e përzier sipas krishterizmit, por me prapavijë se pas dy-tre brezash, ajo martesë do të shndërrohet në familje krisitiane. Në parim martesat e përziera mysliman-kristiane lejohen, por rrethanat praktike këtë e ndalojnë. Ka shumë arsye për këtë, kurse preventiva është gjeja më e mirë. Një praktikë tjetër e konvertimit te ne është edhe nëpërmjet sistemit shkollor të ashtuquajtur laik. Ai vetëm në shikim të parë deklarohet si laik, sepse po të shikohet programi i lëndës së gjuhës shqipe, dhe ai i lëndës së historisë, duke filluar nga formula e pagëzimit, Gjon Buzuku, Marin Barleti, Matranga, Mjedja etj.etj., e deri te ditët aktuale me Atë Shtjefën Gjeçovin, Atë Zef Pllumbin etj etj., me fillimet e krishterizimit të tokave ilire e deri në ditët aktuale, ku minoritet kristian dominon dhe orienton rrjedhat politike, kulturore dhe shkencore shqiptare. Në anën tjetër, myslimanët nuk janë të përfaqësuar më shumë se me dy-tre personalitete, dhe atë me minimum faqesh dhe ne kontekst negativ. Këtë më së miri po e tregon shkenca ndërkombëtare. Veprat e Thomas Arnoldit më herët, dhe ato të Noel Malkolmit, të Oliver Shmidit, dhe së fundi të Nathalie Klerit, dëshmojnë të kundërtën, rolin pozitiv të Islamit dhe myslimanëve në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe formimit të nacionalizimit shqiptar përballë nacionalizmave ballkanikë. Pikërisht, kjo është arsyeja kryesore përse Kisha Katolike është kundër futjes së mësim-besimit në shkolla laike, sepse ajo nuk mund të përfaqësohet më mirë në programe shkollore edhe po të jetë mësim-besimi nëpër shkolla laike. Kurse myslimanët, ndonëse në nivel kombëtar paraqesin mbi 80% të popullsisë, nuk kanë kurrfarë pjesëmarrjeje në programet shkollore e intelektuale. Prania e Islamit tek shqiptarët nga institucionet kombëtare komentohen si një e keqe e domosdoshme, si aksident që u ndodhi shqiptarëve, që i pengoi shqiptarët të integrohen me vendet e tjera rajonale. Prandaj, thuajse vetëm shqiptarët në Evropë kanë mbetur pa e futur mësim-besimin në shkollat laike. Të gjitha vlerat e tjera perëndimore i morëm, i përvetësuam, madje ua tepruam atyre, përveç mësim-besimit. Ua tepruam në zhveshuri, ua tepruam në alkool, ua tepruam në drogë, ua tepruam në mafiozllëk, sepse kjo paraqet vlerë perëndimore. Si të kapërcehet kjo gjendje? A duhet dhe a mundet Bashkësia Islame të ndihmojë në këtë apo në atë aksion, a duhet të bashkohen të gjithë ata që e ndiejnë veten myslimanë në ofrimin e kontributit të tyre? Problemi është kompleks dhe kërkon ndërmarrje komplekse, shumëpërmasash, duke transformuar veten dhe rrethin ku jetojmë, urtësisht dhe diturisht, pa improvizime dhe pa ekuivoke. Burimi: http://www.gazetaimpakt.com/pdf/impakt04.pdf IMPAKT - e perdujavshme politike, kulturore dhe shoqerore, Tirane, 15. janar. 2010, fq. 14-15.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme