Islami dhe muslimanët në Bullgarinë mesjetare

Hyrje


Nëse e pranojmë si të saktë periodizimin e historisë që e ofron evropocentrizmi[1] se Mesjeta kryesisht fillon e mbaron ndërmjet shekujve V e XV, atëherë shenjat dhe gjurmët e para historike e materiale të kulturës e qytetërimit islam në Ballkan, sidomos në trojet iliro-shqiptare, shpiejnë në periudhën kur popujt e sllavëve të jugut ende i përkisnin religjionit të tyre sllav, kurse ilirët gjendeshin ndërmjet rezistencës së fuqishme në pjesët rurale dhe përqafimit të ngadalshëm të kristianizmit greko-bizantino-romak në pjesët urbane. Shkencëtari boshnjak M. Haxhijahiq, kur e trajton këtë çështje pohon se “shfaqja e Kristianizmit te sllavët e jugut, ose te pjesa më e madhe e tyre, nuk është më e vjetër nga shfaqja e Islamit.”[2]

Në kontaktet dhe koekzistencën e hershme të popujve ballkanikë me popujt muslimanë determinuan kushtet natyrore–gjeografike të Ballkanit dhe trojeve iliro-shqiptare. Rrugët tokësore e detare transballkanike me mileniume çonin për Azi e Afrikë, dhe mundësonin fërkime dhe koekzistencë politike, ekonomike, tregtare, ushtarake, por edhe kulturore - filozofike.[3]

Në këtë pikëpamje duhet kuptuar edhe praninë e Islamit dhe të muslimanëve në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare veçan.

Kjo temë deri tash vetëm fragmentarisht është trajtuar në literaturën e huaj, kurse në atë shqiptare është injoruar tërësisht, është e paprekur.[4] Është detyrë imediate e institucioneve shkencore dhe e individëve që në të ardhmen Mesjetës t’i përkushtohen të liruar nga prangat dhe shabllonet judeo-kristiane dhe greko-romake, paliane dhe svetosaviane, kryqtare dhe inkuizicionale, karagjorgjiane dhe shënstevaniane. Mos të frikësohemi se hulumtimi i historisë islame ndër ne do të thotë edhe islamizimi ynë.



I. Prejardhja dhe vendlindja e parë e bullgarëve, vendosja e tyre në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare

Deri sot shkenca e historisë nuk posedon me të dhëna të sakta mbi prejardhjen e bullgarëve. Hipotezat dhe tezat e ndryshme që qarkullojnë në literaturë duhet pranuar me rezervë, sepse historitë nacionale për arsyera tendencioze të dhënat historike i interpretojnë konform politikës aktuale nacionale. Megjithatë, historianët neutral kontribuon që të krijohet një pasqyrë më reale.

Bizantologu botëror G. Ostrogorski bullgarët i quan “popull turk”,[5] kurse historiani anglo-amerikan, N. Malcolm, bullgarët i quan si fis turk,[6] të cilët deri në shekullin VIII - IX ishin turqishtfolës, kur filluan të asimilohen.[7] Encikoledia Britanike bullgarët i quan “racë turaniane me prejardhje hune-avare.”[8] Edhe shkencëtari boshnjak A. Hukiq Bullgarët i quan fis turko-tatar, për të shtuar se janë “pasardhës direkt të Hunëve, të cilët pas migrimeve të mëdha pas shekullit të V-të u ndanë në dy grupe: njëri grup u vendos në Evropën qendrore dhe të mesme, kurse grupi tjetër u vendos rreth lumit Vollga dhe degës së saj Kamu. Aty formuan Bullgarinë Povolliane. Ky grup më vonë, gjatë viteve 921 – 922, e pranoi Islamin.[9]

Në shekullin IV konsiderohet se bullgarët jetonin ndërmjet Uralit dhe Vollgës, që në vitin 433 yë ndahen në dy grupe: 1) Grupi i Utigurit dhe 2) Kutriguri. Grupi i Utigurit pas njëqind vitesh formoi një shtet të fortë në veri të Detit të Zi, të cilin në vitin 560 e shkatërruan Avarët. Por në vitin 582 Utiguri formoi shtetin e tij në Vollga.

Nuk kemi të dhëna të sakta mbi vendlindjen e tyre, por supozojmë se këtë duhet kërkuar në vendlindjen edhe të vetë turqve.

Sipas veprës “Risaletu Ibn Fadlan” të udhëpërshkruesit musliman Ahmed Ibn Fadlanit, në veri të lumit Vollga (ai e quan Itl) gjendej një qytet me po këtë emër me banorë, sipas tij, sllavë, që quhej Bullgar, thuajse çdo herë i mbuluar me borë, me shtëpi prej druri. Mes’udi, udhëpërshkrues tjetër musliman, pohon se Bullgarinë e banonin bullgarët dhe se ky vend gjendet përreth Detit të Zi.[10]

Rreth kohës së vendosjes së bullgarëve në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare ka mendime të ndryshme. Mirëpo, konsiderojmë se “bullgarët si fis turk kishin filluar të plaçkisin në Ballkan në fund të shekullit V, duke mos lënë gjurmë më të thella.”[11] Sipas D’Angely, prej vitit 534 deri 562 “Iliria përjetoi pushtimet e sllavëve, bullgarëve dhe hunëve”[12], që atëherë, pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë më 395, i takonte ritit bizantin.[13]

Sipas shkencëtarit çek, F. Dvornik, “sllavët, avarët dhe bullgarët e filluan vendosjen e tyre në Ballkan nga fundi i shekullit VI.”[14] Është interesante të thuhet se sllavët nuk kishin ushtri të veten, ndonëse numerikisht ishin tejet shumë. Ushtrinë e posedonin avarët, të cilët popullin sllavë e përdornin për ushtri. Pas vitit 580, avarët dhe sllavët, duke vrarë, plaçkitur e djegur disa vite rresht, filluan sllavizimin e Ballkanit. Sidomos, sulmet e furishme të hordhive avare, sllave e bullgare, pas vitit 617, Ilirinë, Trakinë dhe Epirin e zhytën në gjak … Mendohet se si viktima e skllevër ranë mbi 200.000 njerëz.[15] Natyrën e pushtimeve të Ballkanit nga ana e avarëve, sllavëve dhe bullgarëve e përshkruan F. Dvornik: “E gjith kjo organizatë kishtare bashkë me shum monumente të kulturës kristjane u çdukën kudo që shkeli kamba sllave. Për gati një shekull i gjith gadishulli i Ballkanit u zhytë në gjak dhe në zjarr dhe shumë qytete të lashtë dhe të lulëzuam u bënë hi e pluhur.”[16] Pas vendosjes së sllavëve, avarëve dhe bullgarëve në Ballkan, popullësia në Iliri e përreth “për një kohë të gjatë ishte larguar nga krishterimi (bizantin, N. Ibrahimi). Dhuna e ushtruar nga pushtuesit, djegia dhe rrënimi i çdo gjëje mbi tokë bëri që “ndërtesa kishtare të asaj kohe (shekullit VII, N. Ibrahimi) më nuk ka.”[17]

Kah fundi i shekullit VII, përkatësisht në vitin 679 e pas, bullgarët nën udhëheqjen e kanit Asparuh, u shkëputën nga supremacia e avarëve (dhe sllavëve, N. Ibrahimi), por edhe nën presionin e kazarëve, dhe duke e kaluar Danubin, u vendosën në mes Danubit dhe Selanikut, përkatësisht në tokat e Bullgarisë së sotme, duke u pavarësuar nga Bizanti.[18] Mirëpo, pasi bullgarët ishin numerikisht më të vegjël se sllavët, gjuha bullgare filloi të zëvendësohet me atë sllave. Këtë fakt e pohon edhe N. Malcolm, për të theksuar se gjuha bullgare është zhdukur kah gjysma e shekullit IX.[19] Edhe G. Ostrogorski ishte i mendimit se “vërshimi i popullit turk të Bullgarëve në Ballkan është nga mesi i shekullit VII e pas”.[20]

Në fillim të shekullit VIII dyndjet sllave morën fund në Ballkan, duke rezultuar me ndryshime të mëdha të strukturës etnike të vendeve të Ballkanit. Trakët, banorët e parë të Ballkanit bashkë me Ilirët,[21] u zhdukën krejtësisht duke e formuar Bullgarinë e sotme.[22] Kurse vendbanimet ilire u ngushtuan dhe më tepër dhe popullësia që banonte në vendet që sot quhen Slloveni, Kroaci, Dalmaci, Bosnje, Serbi, Maqedoni, Mal i Zi u asimiluan krejtësisht duke u sllavizuar ose duke u shfarosur.[23]

Pjesërisht këtij asimilimi apo kësaj shfarosjeje i shpëtuan trojet iliro-shqiptare, dëshmi të së cilës janë shqiptarët e sotëm.[24]




II. Aktiviteti ushtarak bullgar dhe lëvizjet tjera në Ballkan
dhe në trojet iliro-shqiptare



A. Aktiviteti ushtarak



Vendosja e bullgarëve në Ballkan e sidomos në trojet iliro-shqiptare kryesisht është kryer nëpërmjet avarëve, si elitë sunduese ushtarake, sllavëve si masë populli në ushtrinë avare dhe të bullgarëve. Këto sulme filluan kah fundi i shekullit V, në mënyrë josistematike, për t’u intensifikuar gjatë shekujve VI e VII.[25] Kah fundi i shekullit VII (679) kani Asparuh i shkëputi bullgarët nga dominimi avaro-sllav. Ndonëse në fillim sllavët dhe bullgarët mjaft dallonin [26] në gjuhë, në besim dhe në traditat tjera, këto dallime më vonë për shkak të aleancave dhe bashkëpunimeve tjera, u zvogëluan konsiderueshëm. Kjo para së gjithash manifestohet në faktin se bullgarët e harruan gjuhën e tyre me prejardhje turke dhe pranuan sllavishten.

Qoftë në ofanzivë me synim zgjerimi, qoftë në defanzivë me synim mbrojtjeje, gjatë disa shekujve bullgarët bënë luftëra të përgjakshme kundër Bizantit, Hungarisë, Rusisë, popullit peçeneg, fiseve të ndryshme dhe popullatës vendëse trakase dhe iliro-shqiptare.[27]

Kështu, më 821 deri 823 bullgarët i gjejmë aktiv në luftërat bizantino-arabe.[28]

Në kufijt lindor të Ilirisë patën arritur bullgarët, të cilët synonin zgjerimin e shtetit të tyre. Kështu, gjatë viteve 830 – 880 bullgarët janë tejet agresiv, duke mbjell tmerr në viset e pushtuara, që deri atëherë i mbante perandoria bizantine. Në vitin 851 ata u shtrinë në Maqedoninë qendrore dhe në Shqipërinë e jugut, duke pushtuar Ohrin dhe Devollin.[29]

Deri në vitin 850 bullgarët e pushtuan edhe Kosovën.[30] Kurse gjatë sundimit të Simeonit (sundoi gjatë viteve 893 – 927) kufijt e shtetit bullgar u zgjeruan edhe në të gjitha tokat shqiptare.[31] Simeoni duke përfituar nga lufta kundër arabëve në Selanik, ku shkoi si ndihmë për Bizantin që t’i dëbojnë kusarët arabë, e fitoi nga Bizanti dhuratë pos Selanikut edhe pjesën tjetër të Maqedonisë,[32] që pastaj ta pushtojë më 904 Vlorën dhe Himarën, më vonë Butrintin dhe Nikopojën (Prevezën), pastaj qytetin ilir Antiparea (Berati) e prej këtej pushtuan luginën e Vjosës[33] etj. Këtë sukses të bullgarëve e ndihmoi konsiderueshëm grupi turano-bullgar i Asparuhut, që deri atëherë ishte i stacionuar në Detin e Zi në Lindje.[34]

Në dekadat vijuese ra edhe Durrësi (1005). Manastiri (1014), Shkodra [35] etj. Ky ishte, pak a shumë, edhe zeniti i bullgarëve në trojet iliro-shqiptare.





B. Lëvizjet etnike, misionariste dhe heretike



Bullgaria mesjetare, por edhe trojet iliro-shqiptare, ishin udhëkryq i lëvizjeve të ndryshme të popujve, të grupeve misionariste dhe sekteve heretike. Janë të shumta këto lëvizje[36], por do të kënaqemi ta cekim vetëm disa shembuj eklatantë.



1. Bogumilizmi. - Pas Simeonit, e në periudhën e sundimit të Car Pjetrit në Bullgari, shfaqet sekti bogumil, që ngjashëm me mesailianët dhe paulicianët, u shpërngulën masovikisht në Bullgari e Maqedoni.[37] Konsiderohet se fillimi i tyre në Ballkan zë fill në shekullin e VIII, kur paulicianët e Armenisë nga Bizanti qenë transferuar në Traki që t’i mbrojnë kufijtë kundër Bullgarisë.[38] Nismëtar i bogumilizmit ishte popi Eremi i quajtur Bogumil, që jetoi në shekullin X. Ky proklamoi idetë maniheiste dualiste, duke e quajtur veten kristian të mirë.[39]

Bogumilizmi me doktrinën e tij kundërshtoi katolicizmin dhe ortodoksizmin dhe ishte shumë më afër Islamit dhe monoteizmit të tij. Për kërë arsye, bogumilizmi u ndoq rigorozisht nga Bizanti, Bullgaria, pastaj nga Serbia etj. Në pamundësi veprimi, bogumilët filluan lëvizjet e tyre nëpër trojet iliro-shqiptare për t’u vendosur në shekullin XII në Bosne.[40] Më vonë, në shekullin XIII bogumilizmi u bë fe zyrtare e shtetit në Bosne, kur mbreti Kulin bani me dekret të vetin, lëkundjet ndërmjet katolicizmit romak, ortodoksizmit greko-bizantin i stabilizoi në Kishën boshnjake bogumile,[41] kurse me ardhjen e osmanlinjve në Bosne, populli boshnjak e pranoi Islamin me vetëdëshirë, pa rezistencë, sikur edhe shqiptarët.[42]

Konsiderojmë se kalimi i bogumilëve nga Lindja në Bullgari, e pastaj në Serbi e trojet iliro-shqiptare nuk ishte pa ndikim te shqiptarët. Gjithashtu, pos asaj që doktrina bogumiliste ishte më afër Islamit se kristianizmit, ata u ndikuan drejtpërdrejt nga mësimet islame edhe gjatë qëndrimit të tyre në Bullgari, në trojet iliro-shqiptare e të tjera, nga Sari Salltuku, peçenegët, turqit vardariot, muslimanët e Panonisë etj. Këta edhe ishin disa nga faktorët eksteriorë që Islami në kohën e osmanlinjve u përqafua nga shqiptarët vullnetarisht dhe pa përplasje të mëdha.[43]



2. Peçenegët. - Fërkimet e para të peçenegëve[44] me bullgarët i hasim në shekullin IX e pas. Këto fërkime disa shekullore ndikuan te bullgarët që të njihen me mësimet islame, krahas njoftimeve që kishin për Islamin nga periudha e parakristianizmit më 856, kur kani bullgar Borisi personalisht e pranoi kristianizmin ortodoks dhe filloi kryqimin e popullësisë vendëse. Peçenegët herë-herë në aleancë me bullgarët, e herë-herë në armiqësi me ta, por edhe në perandorinë bullgare për disa shekuj ndikuan që “arsimimin e tyre të shkëlqyeshëm” arabo-islam ta bartin në tërë Ballkanin dhe trojet iliro-shqiptare.[45]



3. Sari Salltuku. - Paraqitja e Sari Salltukut në skenën historike dhe lëvizjet e tyre misionariste paraqesin faktin me rëndësi në përhapjen e Islamit ndër bizantinët, bullgarët, hungarezët dhe trojet iliro-shqiptare në shekullin XIII e XIV, në kohën kur shtetet e atëhershme evro-ballkanike ndërmerrnin të gjitha masat për çrrënjosjen e pikëpamjeve heretike.[46]

Nga Buhara, nëpër Anadoll, që pas vitit 1241 Sari Salltuku dhe ithtarët e tij të shumtë të vendosen në Dobruxhë të Bullgarisë/Rumanisë, atëbotë territor bizantinas.[47] Prej Dobruxhës, Sari Salltuku dhe ithtarët e tij lëvizën në drejtime të ndryshme. Gjurmët materiale, toponimia dhe legjendat e shumta dëftojnë se ai ishte në misione fetare e ushtarake në Panoni, Hungari, Çeki, Sllovaki, Shkup, Srem, Maçvë, Bosnje, Krujë, Durrës, Opojë, Pejë, Gjallicë të Gjakovës, Prilep të Deçanit, Shën Naum të Ohrit, etj.[48]

Këta tre shembuj (bogumilët, peçenegët, Sari Salltuku) nuk janë të vetmit, por janë shembuj eklatantë për ta pasqyruar sado pak më realisht gjendjen politike, fetare, sociale e kulturore në Bullgari dhe në trojet iliro-shqiptare, para kristianizimit të Bullgarisë, gjatë kristianizimit dhe pas përfundimit të procesit të kristianizmit.




III. Gjendja shpirtërore e bullgarëve para kristianizimit të tyre



A. Gjendja e përgjithshme shpirtërore



Gjendja shpirtërore në Bullgari dhe në trojet iliro-shqiptare në periudhën historike të problematizuar ishte e determinuar nga faktori ushtarak, politik e ekonomik. Romakët, gotët, anzhujt, sllavët, avarët, peçenegët, bullgarët dhe popullësia vendëse e Evropës ishin në konflikte reciproke të vazhdueshme, madje në shfarosje. Trakët, peçenegët dhe pjesërisht iliro-shqiptarët janë shembuj tipik të mbijetimit të popullit më fleksibil, të fortë etë zhdërvjelltë.

Kristianizimi i tipit katolik e ortodoks gjatë shekujve gjithnjë e më shumë institucionalizohej. Rezistenca e besimeve të lashta gjithnjë e më tepër dobësohej nga ofanziva shfarosëse e romakëve, bizantinëve, pastaj e sllavëve etj.[49]

Në letrat shqipe ekzistojnë supozime asnjëherë historikisht të argumentuara se shqiptarët u kristianizuan menjëherë pas vdekjes (sic!) të Jezusit, drejtpërdrejt nga Pali. Përpjekjet që kjo “e vërtetë” të plasohet si e vërtetë janë të paqëndrueshme.[50]

Kristianizimi i Evropës dhe Ballkanit vërtetë filloi herët individualisht e ilegalisht, që të intensifikohet në shekullin IV, kurse për të marrë hovë në shekullin IX e për të përfunduar në fund të shekullit XIII. J. Le Goff pohon se “Kristianizimi në Rusi, Ukrainë dhe Ballkan në shekullin X, XI e XII është proces i hapur”, për të vazhduar se në këto troje “shpesh revoltat pagane dyfishoheshin, shëndroheshin në kryengritje shoqërore, kurse masat ktheheshin në paganizëm, sepse kristianizmi mesjetar është nga lart dhe me zor.”[51]

Në këtë gjendje politike, ushtarake dhe ekonomike gjendja shpirtërore e popujve ishte e ndrydhur nga pushtuesit dhe sunduesit e ndryshëm fillimisht paganë e më vonë kristianë. Shembulli i fesë islame dhe i muslimanëve në perandorinë bullgare ende të pakristianizuar dhe më pastaj të kristianizuar është eklatant për një pasqyrë të gjendjes shpirtërore në këto troje në këtë periudhë historike.





B. Islami dhe muslimanët në perandorinë mesjetare bullgare parakristiane

dhe kristiane



Nuk disponojmë me të dhëna ekzakte se prej kur janë vendosur Islami dhe muslimanët në trojet e perandorisë mesjetare bullgare që atëherë shtrihej në pjesën më të madhe të trojeve iliro-shqiptare, por ishte e sigurtë se prania Islamo-muslimane është evidente qysh në shekullin IX, disa dekada para kristianizimit të bullgarëve. Sigurisht se rol me rëndësi kanë luajtur tregtarët, misionarët, migrimet e dhunshme dhe ato ekonomike etj.[52] Këtë temë orientalisti serb R. Bozhoviq e përkufizon ashtu që praninë Islamo-muslimane në këto troje e sheh kryesisht “nëpërmjet Bizantit, nëpërmjet basenit të Mesdheut: Spanjës, Egjiptit fatimit dhe Sicilisë, nëpërmjet Hungarisë, apo veriut dhe luftëtarëve nomadë të peçenegëve”.[53]

Disa burime qartazi flasin se në fillim të shekullit IX në perandorinë bullgare dhe vendet fqinje muslimanët ekzistonin masovikisht, me një kulturë të lartë fetare, kulturore, por edhe të banimit, ushqimit etj. Historiani i vjetër kroat V. Klaiq pohon se në Bullgari dhe në vendet fqinje ka pasur muslimanë.[54] Historiani e teologu kroat i shek. XIX F. Raçki pohon se “tregohet se arabët, duke shpërndarë libra, kanë përhapur islamin…”.[55] Edhe Llujo Taller në librin e tij “Nga fallxhorët e magjistarët deri te mjeku modern” thekson se në këtë kohë Bullgaria ishte përplotë muslimanë dhe se njëherë bullgarët madje i kanë djegur librat muslimane në Bullgari.[56]

Tashmë pamë se bullgarët dhe Bullgaria, që në shekullin IX kapte pos Bullgarisë së sotme edhe trojet ilir-shqiptare,[57] ishin përplotë libra muslimane (saracene), mirëpo ndonëse Franjo Raçki thekson se Arabët janë ata që i sollën dhe i distribuuan librat, nuk kemi hasur në të dhëna se në cilat gjuhë ishin librat saracene (muslimane) në Bullgari, sepse po të ishin në arabishte nuk shohim ndonjë rrezik për bullgarët dhe kristianizmin e tyre të ri dhe për vetë Borisin. Ka gjasë që këto libra të kenë qenë në gjuhën e popullit, e mbase me shkronja arabe[58], që për bullgarët do të ishte rrezik më i madh [59] se sa librat islame në gjuhën arabe që pakush i kuptonte nga populli.

Për muslimanët në Bullgari në pjesën e parë të shekullit IX është ruajtur dëshmi e dorës së parë në Arkivën e Vatikanit, në kreun CIII të letrës së njohur të papës së 113 Shën Nikolla I i Madh (që sundoi gjatë viteve 858 – 867 [60] me titullin “Response Nicollai I Papae ad consulata Bulgarorum”, ku thotë:



“De Ibieris profanis, quos a Saaracenis vos abstalisse ac apud vos habere perhibetis, quind facienden sit, in quiritis. Qui nimirund non sunt reservandi: ‘Carrumpumt’ enim, siont soriptum est ‘mores bonos colloquia male’, sed utpate noxii et blas phemi ignitradendi”.



“Ju pyetni ç’duhet bërë me librat heretikë, të cilët pohoni, gjenden te ju, kurse i keni marrë nga saracenët. Ato, natyrisht, nuk duhet ruajtur, sepse sikur që është e shkruar (në Enciklikën mbi Korinasit), kuvendimet e këqija prishin moralin e shëndoshë, e për këtë si të dëmshme dhe heretike dorëzoni zjarrit.” [61]



Nga përgjigjja e papës drejtuar Borisit qartë duket se bullgarët, përkatësisht kani Borisi, në hamendjet e tij më tepër politike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, në këtë periudhë iu drejtua papës së Vatikanit për këshillë se si të veprojë me librat saracene (d.m.th. muslimane) pas kristianizimit të muslimanëve dhe të tjerëve në Bullgari. Këtë ndodhi e regjistrojnë si burimet muslimane, ashtu edhe ato jomuslimane.[62]

Përkundër kristianizimit të muslimanëve me dhunë në Bullgari, një pjesë e muslimanëve vazhduan të jetojnë në këto dhe trojet përreth.[63] Prania e peçenegëve, e ithtarëve të Sari Salltukut dhe muslimanët vendas janë argumenti më i fuqishëm për pohimin tonë se Islami vazhdoi të jetojë.

Historiani e udhëpërshkruesi musliman Jakut el-Hamewiu shënon se në vitin 922 / 309 hixhrij, i dërguari i mbretit bullgar e njoftoi halifin abasit në Bagdad, El-Muktedir Bil-Lah, për pranimin e Islamit nga ana e mbretit dhe e familjes së tij.[64]

Ndonëse me ndryshime tejet të vogla, po këtë ndodhi e hasim edhe te udhëpërshkruesi i njohur musliman Ibn Fadlani, i cili njofton se gjatë kohës së sundimit të halifit El-Muktedir Bil-lah (295-320 hixhrij / 907-932) arriti një i deleguar nga qyteti i Bullgarëve dhe njoftoi se sunduesi sllavë[65] me emrin Bulutvar (në disa burime me emrin Allmas) ka përqafuar Islamin dhe se kërkon dikë që do t’ia mësojë atij dhe të tjerëve këtë fe. Halifi El-Muktedir e përgatiti dhe e dërgoi një delegacion me dhurata, kurse shkresën ia dorëzoi Ibn Fadlanit. Ibn Fadlani e përshkroi udhëtimin e tij, por ky udhëpërshkrim humbi, pos disa fragmenteve. Këto fragmente Rusët në Petrograd më 1823 i botuan në origjinal e përkthim.[66] Ibn Fadlani përshkruan sunduesin bullgar Bulutvarin se si e priti dhe gostiti, se si e mori emrin Xhafer, ai përshkruan ushqimet dhe pijet, traditat e tyre etj.[67]

Një burim tjetër sunduesin bullgar Bulutvarin dhe popullin e tij e vendos përbri Vollgës. Rreth qytetit bullgar jetonin fise që merreshin me gjueti, kurse banorët e tyre, bullgarët povollian, duke iu falënderuar sunduesit të tyre Allmasit (në burimet tjera Bulutvari) e pranuan islamin. Me kërkesë të Allmasit, halifi abasit El-Muktedir Bil-lah i dërgoi dijetarët e tij në Bullgarinë Povolliane me qëllim që të përhapet Islami. Më vonë shtatë dijetarë nga këta do të shkojnë në Hungari dhe në Evropën e mesme për ta përhapur Islamin.[68]

Praninë e Islamit në Bullgari e vërejmë edhe në burimet tjera, pravosllave. Në vitin 896/376 hixhrij në Kiev të Ukrainës, shkoi një i deleguar musliman ta përvetësojë Shën Vlladimirin, mbretin e Ukrainës, që ta përqafojë Islamin. Pasi që ai ishte ende në religjionin e tij të vjetër sllav, i ftoi teologët muslimanë bullgarë të Vollgës që t’ia ekspozojnë themelet e besimit të tyre. Vlladimiri edhe vetë merrte pjesë në diskutime shkencore.[69]

Vetë Vlladimiri këtë ndodhi e përshkruan në mënyrën vijuese: “Ja, erdhën Bullgarët duke më thënë: prano ligjin tonë (Islamin, N. Ibrahimi). Pastaj erdhën gjermanët duke e lavdëruar ligjin e vet. Pas tyre erdhën hebraikët. Më në fund erdhën grekët të cilët i kritikuan të gjitha fetë pos të tyres … Këshilltarët më thanë: “Ti e di, o sundues se askush nuk e qorton atë që është e tij, por përkundrazi, vetëm e lavdërojnë. Nëse dëshiron me kujdes të njoftohesh, dërgoji disa njerëzit tu që t’i studiojnë traditat e ndryshme fetare dhe të shohin se si disa popuj e lavdërojnë Zotin.”[70]

Nga burimi tjetër, nga kronika mesjetare ruse ‘Povest vremenih leta’ e shekullit XI, lexojmë se Vlladimiri pas takimit me shumë delegacione të feve të ndryshme, e dërgoi një delegacion për t’i vizituar disa qendra, për ta verifikuar besimin e tyre. Pas kthimit të delegacionit, ata pohuan: “Erdhëm në Bullgari dhe pamë se si luten ata në tempull, përkatësisht në xhami…”. Këto deklarata ata i dhanë në vitin 6495 sipas kalendarit të tyre rusë, përkatësisht në vitin 987 sipas kalendarit gregorian.[71]

Nga të gjitha të cekurat rezulton se në këto vise ka pasur vendbanime masovike muslimane, pos tjerash edhe xhami të shumta, që janë argument i fuqishëm se Islami ishte fe më e hershme te banorët vendorë të pjesës më të madhe të Evropës juglindore, përkatësisht të Ballkanit qendror e lindor.





C. Kristianizimi i bullgarëve në mesjetë



Pavarësimi politik i bullgarëve nga Bizanti në fund të shekullit VII (679 e pas), asimilimi gjuhësor i tyre duke e harruar gjuhën e tyre me prejardhje turke, por duke e pranuar sllavishten nga populli sllav, numerikisht më i madh, dhe zgjerimi i shtetit bullgar në të gjitha anët, Bullgarinë e bëri faktor në regjion. Njëkohësisht, krahas fërkimeve politiko-ushtarake, Bullgaria filloi fërkimet intenzive edhe në rrafshin shpirtëror, kryesisht ndërmjet Papatit dhe Bizantit, që ishte karakteristik edhe për popujt tjerë përreth (serbët, maqedonët, rumunët e rusët) në shekullin IX – X.[72]

Atë kohë me Bullgarinë sundonte kani Borisi (852 – 889). Për shkak të kontesteve me Bizantin, kani bullgar Borisi u përcaktua që kristianizmin ta pranojë nga Frankët, d.m.th. nga Roma. Mirëpo, me të kuptuar për këtë, intervenoi Bizanti si në tokë ashtu edhe në det, duke e detyruar Borisin që kristianizmin ta pranojë nga Bizanti.[73] Sipas G. Castellan, Borisi e pranoi kristianizmin më 864 nga duart e priftrinjve bizantinë, duke e vënë shtetin e vet nën jurisdiksionin e patrikut bizantin Fotit.[74] Me këtë rast Borisi u pagëzua me emrin Mihajlit III. Kurse Mihajli III, si shpërblim për veprimin e Borisit, e transmetoi mbi Borisin sundimin suprem mbi pjesët veriperëndimore të Maqedonisë dhe mbi pjesët jugore të Shqipërisë dhe njëherit, gjatë kungimit të Borisit, Mihajli III – perandori bizantin, u bë kumbar i Borisit.[75]

B. Jelavich luhatjet e Borisit ndërmjet Romës dhe Bizantit, përkatësisht njohjen e jurisdiksionit të Romës fillimisht dhe braktisjen e saj e sheh si veprim politik.[76]

Me gjithë ndikimin që kishte Bizanti mbi Borisin bullgar dhe mbështetjen politike dhe ushtarako-ekonomike që e zhvillonte mbi bullgarët, Borisi, gjatë viteve 866 – 869 ishte në bisedime me papën Nikolla I, që Bullgaria të vihet nën ndikimin papnor. Njëherit, Borisi i pengoi klerikët grekë në kristianizmin e bullgarëve, duke marrë premtime nga papa Nikolla I se Bullgaria do ta formojë ipeshkvinë e pavarur dhe klerikët romakë do t’i kryqojnë sipas ritit romak. Mirëpo, në Sinodin e vitit 870 u vendos që dioqeza bullgare të varej e administrohej nga Konstantinopoli.[77] Përkundër bashkëpunimit të sërishëm të Kishës bullgare me Bizantin për arsyera të ndryshme, Kisha bullgare e ruajti organizmin e vet ekleziastik.[78] Mendojmë se edhe princat lokalë bullgarë ndikuan që Borisi të afrohet kah Bizanti, sepse ata i frikësoheshin afrimit bullgaro-frank.[79] Për më tepër kjo kur kërkesa e Borisit për autoqefalitet të kishës bullgare drejtuar Romës u refuzua nga papa Nikolla I.[80] Kjo do të arrihet vetëm në kohën e Simeonit, në vitin 925, kur ky e formoi patrikanën bullgare.[81] Qendër e patrikanës së re ishte Ohri, i cili në shekullin IX – X, paraqiste qendër të fuqishme kulturore e fetare, kurse në fund të mbretërimit të car Samuillit kryepeshkopata e Ohrit përfshinte peshkopatën e Shkupit, të Lypjanit dhe ate të Prizrenit.[82]

Kristianizimi i bullgarëve ndikoi në shumë pikëpamje në tërë regjionin, sepse Bizanti u forcua edhe më shumë në Ballkanin qendror,[83] e njëkohësisht kristianizmi shërbeu si faktor integrues ndërmjet sllavëve dhe bullgarëve[84] për t’i përballuar rreziqet nga Perëndimi katolik. Në anën tjetër, kristianizimi i Perandorisë bullgare pati një rëndësi të madhe kulturore sepse në të njëjtën kohë ai ishte një konsolidim vendimtar i kulturës sllave ndërmjet futjes së një gjuhe të shkruar të tyre; gjithashtu, me sllavizimin e përfaqësisë kishtare, kisha bullgare i shpëtoi edhe varësisë së fortë nga Bizanti.[85]

Më në fund, kristianizimi i solli Bullgarisë fundin e sllavizimit, që pati rezultuar me ndërrimin e gjuhës amtare me atë sllave, i solli bashkimin shtetëror dhe etnik të perandorisë së re,[86] duke i asimiluar apo persekutuar e zhdukur muslimanët dhe kulturën shpirtërore e materiale të tyre (librat, xhamitë etj.), të krijuar për një kohë të gjatë, por edhe popujt tjerë në territorin që ata e sundonin.[87]





Ç. Rënia e bullgarisë mesjetare



Bullgaria e pushtoi Kosovën qysh në vitin 850 dhe atje mbeti deri në vitin 1014 – 1018, kur vdiq perandori Samuili,[88] kur definitivisht dorëzoi edhe garnizonet e fundit në Berat dhe kalanë e Tomorrit.[89] Sipas të njëjtit burim, Bullgaria u largua nga të gjitha vendet e pushtuara në Shqipëri tek në vitin 1041.[90] Gjatë kësaj periudhe Bullgaria u përpoq ta forcojë sundimin e vet me të gjitha mjetet që kishte, duke luftuar kundër muslimanëve, por edhe grupeve më të vogla etnike, të a. q. grupeve heretike. Mirëpo, perandoria rivale, Bizanti, në fillim të shekullit XI, në vitin 1014 në Betejën e Kleidonit, në krye të së cilës ishte Basili II, e shkatërroi perandorinë bullgare dhe e ktheu në gjirin e perandorisë bizantine[91]. Me këtë rast, ai urdhëroi “masakrimin e 10.000 bullgarëve të zënë robër në këtë luftë duke ua verbuar sytë.”[92] Kështu u mbyll edhe një faqe e historisë, ndonëse bullgarët kanë vazhduar të jetojnë edhe më tej.




Përfundimi



Perandoria mesjetare bullgare është ngushtë e lidhur me besimin islam dhe muslimanët. Prania e muslimanëve në perandorinë bullgare, e kjo nënkupton edhe trojet iliro-shqiptare të cilat ishin nën okupimin e tyre, është e argumentuar si nga burimet vatikane, ashtu edhe nga ato bizantine, pastaj islame etj. Këshilla e papës Nikolla I drejtuar kanit bullgar Borisit për masat që duhet ndërmarrë kundër muslimanëve dhe krijimit shpirtëror e kulturor të tyre – librit, është dëshmia më e fuqishme se kryqëzatat e inkuizicioni dhe luftërat e mëpajtajme kundër muslimanëve deri në ditët e sotme, janë pasojë e jotolerancës dhe të mosnjohjes judeo-kristiane e greko-romake ndaj vlerave jashta tyre.

Është obligim shkencor por edhe moral që studiuesit e ndryshëm (historianët, arkeologët etj.) te ne ta studiojnë historinë jo duke i seleksionuar temat varësisht rrethanave politike e ideologjike, por ajo, historia duhet të studiohet në tërësinë e vet. Islami dhe muslimanët janë realitet për disa shekuj gjatë mesjetës në Ballkanin juglindor, pra edhe np trojet tona duke e përballuar dhunën e ushtrive dhe besimeve pagane e kristiane.





Summary



Islam and Muslims in Mediaeval Bulgaria

(IX-XI century)



Even before the formation of the state and before the people became Christians, the mediaeval Bulgarian Empire, which also included the Illyrian-Albanian territories occupied by them at that time, was closely associated with Islam and Moslems. The point of this scientific theory is proved by manuscripts from the Vatican and also from Byzantine and subsequently Islamic sources, etc. The advice of Pope Nicholas I to the Bulgarian Khan Boris, about steps which should be taken against Moslems and the spiritual creativity of their culture – books and mosques, is strong evidence that the Crusades and Inquisitions and the wars which followed against Moslems up till the present day are the result of Jewish – Christian and Greek-Roman ignorance and rejection of values other than their own, but also continuous intolerance throughout history…


[1] Periodizimi i këtillë i përgjigjet traditës pagano-kristiane evropiane dhe pa dyshim është i gabueshëm. Shih: Muhammed Umhazun, Dirasa et-tarih’il-islamijj, Rijad, botimi I, 1416 apo përkthimi boshnjak: Muhammed Umhazun. Koncept izucavanja islamske historije, botimi I, Sarajevo, 2000, fq. 5 - 88.

[2] Shih: Muhammed Hadzijahic e të tjerë, Islam i Muslimani u Bosni i Hercegovini, Sarajevo, 1977, fq. 20; Muhammed Hadzijahic, Neki pojavni oblici Islamske civilizacije u nas, Argumenti – Casopis za drustvenu teoriju i praksu, nr.2/1982, Rijekë, fq. 212; dhe shkrimet tona: Islami në Ballkan para shekullit XV, botimi II, Prizren, 2000, dhe Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, botimi III, Prishtinë, 2000.

[3] Marija Gjukanoviq, në: Grup autorësh, Historia e letërsisë botërore, vëll. I, Prishtinë, 1989, fq. 190 - 191

[4] Viteve të fundit nga ne dhe nga disa të tjerë kjo temë është prekur me nga disa rreshta, që nuk ka përmbushur as nevojat më elementare shkencore.

[5] Georges Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë, 1997, fq. 83.

[6] Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, botimi II, Prishtinë – Tiranë, 2001, fq. 23.

[7] Runciman, Bulgarian Empire, fq. 93, sipas: N. Malcolm, op. cit., fq. 377, fusnota 3.

Kurse A. K. Bogdan bullgarët i quan përzierje të fiseve “Bullgare-Turke-Ugrike” të sllavizuara që në trojet trako-ilire u vendosën në fund të shekullit VI. A. K. Bogdan, Historia e shqiptarëve nga Ilirët e lashtë në erën e Islamit, në: Univers – revistë shkencore kulturore, Nr. 1/2001, Tiranë, fq. 54.

[8] Encyclopaedia Britannica, LTD, vol. IV, fq. 359.

[9] Abdurrahman Hukic, Arapi i Islam u Evropi, Glasnik VIS-a, Sarajevë, nr. 4-6, 1961, fq. 152.

[10] Sipas: H. Mehmed Handzic, Teme iz opce i kulturne historije, vëllimi II, Sarajevë, 1999, fq. 100. Shih: Jakut, Mu’xhem’ul-buldan, I, fq. 379 dhe II, fq. 379, Kairo, 1907, sipas: Mustafa Busuladzic, Muslimani u Rusiji, Sarajevë, 1996, botim reprint i vitit 1943, fq. 11.

[11] N. Malcolm, op. cit., fq. 23.

[12] Robert d’Angely, Enigma nga Pellazgët te shqiptarët, Tiranë, 1988, fq. 237.

[13] Blerim Çela, Shqiptarët ndër shekuj, Tiranë, 2001, fq. 115.

[14] Sipas: B. Çela, op. cit., fq. 115.

[15] B. Çela, op. cit., fq. 116.

[16] F. Dvornik, Les Slaves, Byzance et Rome an IX-exme Siecle, 1926, sipas: Tajar Zavallani, Histori i Shqipnis, botimi II, Tiranë, 1998, fq. 80. Shih gjerësisht: Neritan Ceka, Ilirët, Tiranë, 2001, fq. 277 (275-278).

[17] Hansjurg Frommer, Die Illyrer, Karlsruhe, 1988, në: Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, Prishtinë, 1990, fq. 173.

[18] Encyclopaedia Britannica, vol. IV, fq.359. B. Cela, op. cit., fq. 126.

G. Castellan pavarësimin bullgar e përshkruan si vijon: “Gjatë gjysmës së dytë të shekullit VII një popull turanian, i afërt me turqit, protobullgarët e detyruan Bizantin ta njeh shtetin e tyre qysh më 681”. Georges Catellan, Histori e Ballkanit, Tiranë, (-), fq. 23.

[19] N. Malcolm, op. cit., fq. 377; Barbara Jelavich, Historia e Ballkanit, vëllimi I, Tiranë, 1999, fq. 28.

[20] G. Ostrogorski, op. cit., fq. 83.

[21] Për këta dy popuj ka të dhëna të mjaftueshme se janë ndër banorët e parë të gadishullit ballkanik. Shih: B. Jelavich, op. cit., fq. 17.

[22] B. Çela, op. cit., fq. 117.

[23] B. Çela, op. cit., fq. 117; Krhs.: T. Zavalani, op. cit., fq. 75.

[24] Shih: Neritan Ceka, Ilirët, Tiranë, 2001, fq. 275 tj.

[25] Ibid., fq. 300 – 301.

[26] G. Ostrogorski, op. cit., fq. 83.

[27] Për luftërat bullgaro hungareze, ruse, peçenege, kumane etj. shih: Encyclopaedia Britannica, vol. V, fq. 359.

[28] Shih gjerësisht: Rade Bozovic, Arapi u usmenoj narodnoj pesmi u srpsko-hrvatskom jezickom podrucju, Beograd, 1977, fq. 176.

[29] Shih: Hansjorg Frommer, Die Illyrer, op. cit., fq. 173; B. Cela, op. cit., fq. 130; Shan Zefi, Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve, Prizren, 2000, fq. 47.

[30] N. Malcolm, op. cit., fq. 27.

[31] Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, vëll. I, botimi III, Prishtinë, 1979, fq. 150 – 151.

[32] Dragan Tashkovski, Mbi kombin maqedonas, Shkup, 1975, fq. 36 dhe 96.

[33] Shih: Petrika Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar (395 – 1875), Tiranë, 1999, fq. 78; B. Cela, op. cit., fq. 130.

[34] Shih: D. Tashkovski, op. cit., fq.22.

[35] B. Çela, op. cit., fq.130; Hansjorg Frommen, op. cit., fq. 173.

Kleriku katolik Atë Lech Rynkiewicz S. J. konsideron se gjatë viteve 917 – 1019 nën sundimin bullgar ra Shqipëria qendrore – jugore, me përjashtim të bregdetit që mbeti në duart e Bizantit. Shih: Disa data të rëndësishme historike, në: David Xhuxho, Papa në Shqipëri më 25 prill 1993, Radio Vatikani – Drita, 1995, fq. 128.

[36] Në Bullgarinë mesjetare, pos kristianëve kishte edhe hebraikë dhe muslimanë. Po ashtu, ekzistonin edhe sektet e bogumilëve, babunëve, patarinëve, katarëve, albigjezëve e të tjetë, që shtriheshin prej Armenisë deri në Francën Jugore. (Shih: G. Ostrogorski, op. cit., fq, fq. 182; Vjekoslav Klaic, Poviest Bosne do propasti kraljevstva, Zagreb, 1882, fq. 347.

[37] G. Ostrogorski, op. cit., fq. 182

[38] Shan Zefi, Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve, Prizren, 2000, fq. 93.

[39] V. Klaic, op. cit., fq. 347; Sh. Zefi, Op. cit., fq. 92.

[40] V. Klaic, op. cit., fq. 347; Suljaga Saliagic, Mi bosansko-hercegovacki muslimani u krilu jugoslovenske zajednice, Banja Luka, 1940, fq. 9; Sh. Zefi, op. cit., fq. 93; Dh. Shuteriqi, Gjurmime letrare, Tiranë, 1974, fq. 24… .

[41] V. Klaic, op. cit., fq. 347; Sh. Zefi, op. cit., fq.93.

[42] Grup autorësh, Rreth përhapjes së islamit te shqiptarët, botimi II, Prizren, 2001.

[43] Shih: Th. W. Arnold, Povijest islama, Sarajevë, 1990 (apo përkthimi shqip në dorëshkrim: Historia e përhapjes së Islamit; N. Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, botimi III, Prishtinë, 2000.

[44] Gjerësisht për peçenegët: N. Ibrahimi, Prejardhja dhe vendosja e peçenegëve në trojet iliro-shqiptare e në Ballkan dhe roli i tyre në përhapjen e islamit në këto troje, Edukata islame, nr. 65/2001, Prishtinë, fq.57 - 76.

[45] Rade Bozovic, op. cit., fq. 183 etj.; Muhammed Hadzijahic, Islam i muslimani, op. cit., fq 26 etj.

[46] Kemal H. Karpat, Gradjanska prava muslimana Ballkana, në: Muslimani Balkana – Istocno pitanje u XX veku, Tuzla, 2001, fq.96; Skender Rizaj, Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë, Prishtinë, 1991, fq. 49. G. & J. Testas, Inkvizicija, Zagreb, 1982, fq. 8.

[47] Halil Inalxhik, Perandoria osmane –1300 – 1600, Shkup, 1995, fq. 269 – 270; Dzemal Cehajic, Derviski redovi u jugoslovenskim zemljama, Sarajevë, 1986, fq. 101.

Shënimet historike tregojnë se me Sari Salltukun janë shpërngulur disa dhjetëra mija njerëz të vendosur në 12.000 tenda. Sipas: Grup autorësh, Muslimani Balkana, op. cit., fq. 96.

[48] Shih gjerësisht: N. Ibrahimi, Sari Salltuku dhe roli i tij në përhapjen e islamit në trojet ilir-shqiptare e ballkanike para shekullit XIV, në: Edukata islame, revistë shkencore, kulturore, islame tremujore, Prishtinë, nr. 66 / 2002, fq. 115 - 131.

[49] Naser Ferri, Latronët – lëvizje e rezistencës kundër romanizimit, Bujku – e përditshme e dt. 23. 11. 1996, Prishtinë, fq. 13. N. Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, op,. cit., fq. 179 – 216.

[50] N. Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, op. cit.

I këtillë është edhe konstatimi se “në trevën e Kosovës kemi vetëm procesin e krishterizmit të përfunduar në antikën e vonshme…” Muhamet Tërnava, Studime për Mesjetën, Pejë, 2000, fq. 265. Shih edhe: Shyqri Nimani, Trojet shqiptare në harta dhe stema ndër shekuj, Prishtinë, 1996, fq. 18 etj.

[51] J. Le Goff, Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Tiranë, 1997, fq. 182 – 183.

[52] N. Ibrahimi, Islami në Ballkan para shekullit XV, botimi II, Prizren, 2000, fq. 17 – 37 dhe 43 – 77.

[53] R. Bozovic, op. cit., fq. 176.

[54] V. Klaic, op. cit., fq. 347.

[55] Franjo Racki, Bogumili i patareni, fq. 350, sipas: Mehmed Handzic, Islamizacija Bosne i Hercegovine i poreklo bosansko-hercegovackih muslimana, Sarajevë, 1940, fq. 13.

[56] Franjo Racki, op. cit., fq. 350. Shih: Mustafa Spahic, Povijest islama, 4, Sarajevo, 2000, fq. 136.

[57] Shaban Demiraj, Gjuhësi ballkanike, Shkup, 1994, fq. 194; Muhamet Tërnava, Popullësia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë, 1995, fq. 20.

[58] Kjo nuk është e pamundur kur dimë se edhe Polakët që pranuan Islamin në mesjetë në shekullin XIII përdornin shkronjat arabe edhe për gjuhën amtare polake, sikur që boshnjakët mo vonë përdornin bosançicën apo shqiptarët alfabetin e adaptuar arab. Shih: A. Hukic, Arapi i islam u Evropi, Glasnik VIS-a, Sarajevë, nr. 7-9, 1961, fq.280.

[59] Muhamet Hadzijahic, Islam i Muslimani, op. cit., fq. 22.

[60] Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Prizren – Zagreb, 1998, fq. 438.

[61] Citati në origjinal dhe përkthimi i tij janë sipas: Muhamed Hadzijahic, Islam i Muslimani, op. cit., fq. 22.

[62] Shih: Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990, fq. 132; Georges Castellan, Histori e Ballkanit, Tiranë, (-), fq. 39-40; Miroslav Brandt, Srednjovjekovno doba povijesnog razvitka, vëllimi I, Zagreb, 1980, fq. 345; Dhori Qiriazi, Krishterimi i Shqipërisë, Tiranë, 2000, fq. 55; Rade Bozovic, op. cit., fq, 178; Hansjorg Frommer, Die Illyrer, Karlruhe, 1988, në: Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, Prishtinë, 1990, fq. 178; G. Ostrogorski, op. cit., fq. 162 etj.

[63] Ka mendime se një pjesë e Bullgarëve Povollian mbetën në Bullgari, por një pjesë migroi këtë kohë por sidomos rreth vitit 1238, duke ikur para sulmeve të furishme të ushtrisë së Xhingiz-hanit. Një pjesë e tyre u vendosë në Hungari, një pjesë në Finlandë dhe në pjesët tjera më të qeta. Shih: A. Hukic, nr. 4-6/1961, op. cit., 152 dhe 281.

[64] Jakut el-Hamewiu, Mu’xhem’ul-Buldan, Kairo, 1323 /1906, fq. 486 – 487, sipas: F. Rexhepi, Kultura arabo-islame në Ballkan para ardhjes së turqve, Dituria islame, nr. 76/1996, Prishtinë, fq. 36.

[65] Ibn Fadlani nuk e bën dallimin ndërmjet sllavëve dhe bullgarëve.

[66] Sipas: H. Mehmed Handzic, Teme iz opce i kulturne historije, op. cit., fq. 101.

[67] Ibid., fq. 101 – 102.

[68] Sipas: T. O. Tarhani, Neki spomenici islamske kulture u Madzarskoj, Islamska misao, nr. 43/1982, Sarajevë, fq. 43.

A. Hukiq pohon se “sunduesi i Bullgarëve Povollian Almasi i dërgoi dhurata të çmueshme halifit El-Muktedir Bil-lahit, pasi e pranoi Islamin dhe një shkresë në të cilën kërkoi t’i dërgohen njerëz të ditur. El-Muktediri e dërgoi një delegacion në krye me Ahmed ibn Fadlanin. Ibn Fadlani pos tjerash shkroi udhëpërshkrimin e tij, ku përshkroi Bullgarinë, Bashkirinë, vise të detit Kaspik etj. A. Hukic, op. cit., fq. 152.

[69] M. Hadzijahic, Islam i Muslimani, op. cit., fq. 21 – 22.

Për bullgarët povollian apo vollgian, të grupit të Utigurit mendohet se fillimisht ishin politeistë, por shumë herët, në vitin 900, e pranuan islamin, që sigurisht ka të bëjë me Allmasin apo Bulutvarin. Shih: Encyclopaedia Britannica, vol. IV, fq. 359.

[70] Chronique dite de Nestor, ann. 987, XLI, Paris, 1884, sipas: Marko Susnjic, Hrestomatija izvora za opstu istoriju srednjeg vijeka, Sarajevë, 1980, fq. 355.

[71] Shih: Pamjatniki literatury drevnei Rusi: XI – nacelo XII v. fq. 123 – 125, sipas: Shkëlzen Maliqi, Vizantijski kulturni areal, Thema, 4(3), 1985, Prishtinë, fq. 20 – 31, fusnota 3.

[72] Sipas A. Gams, serbët, maqedonët, bullgarët, rumunët dhe rusët pranuan pravosllavljen bizantine prej shekullit VIII deri në shekullin X. Shih: Andrija Gams, Biblija i drustvo, Novi Sad, 1979, fq. 269.

J. Le Goff procesin e kristianizmit në Evropë të filluar më herët e sheh si proces të hapur që mori fund vetëm në fund të shekullit XIII, të imponuar me dhunë nga perandoritë apo shtetet në formim e zgjerim e sipër. J. Le Goff, op. cit., fq. 182 – 183.

Edhe M. Tërnava është i pajtimit se fillimi i procesit të kristianizimit të sllavëve kishte filluar nga fundi i shekullit IX e tutje. Muhamet Tërnava, Studime për Mesjetën, op. cit., fq. 10.

[73] M. Brandt, op. cit., fq. 348.

[74] Georges Castellan, Histori e Ballkanit, Tiranë, (-), fq. 39.

Në literaturën shkencore historike qarkullojnë disa data të kalimit të kanit bullgar Borisit në kristianizëm. Mendojmë se dallimet e vogla më tepër janë çështje të llogaritjes jo të saktë të viteve se sa diç tjetër dhe nuk paraqet problem për historinë. P. sh. B. Jellavich në veprën Historia e Ballkanit, I, Tiranë, 1999, faqe 28 pohon se kryqimi ndodhi në vitin 865, kurse në Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990, faqe 132 pohon se kryqimi ndodhi ndërmjet vitit 864/865. G. Ostrogorski, op. cit., fq. 162 mendon se kryqimi ndodhi saktë në vitin 866. Edhe vepra e grupit të autorëve, Historia e popullit shqiptar, vëllimi I, botimi III, Prishtinë, 1979, faqe 150, e sigurisht në mbështetje të tij edhe Blerim Cela, op. cit., fq. 130, cekin se kryqimi i kanit bullgar Borisit dhe popullit të tij ndodhi në vitin 866. Shih: Neritan Ceka, op. cit., fq. 162.

Për vendin e pagëzimit të kanit Borisit burimet historike janë diç më të varfëra, por në mbështetje të disa veprave dhe gjurmëve arkeologjike vërejmë se ky ishte Ballshi në vitin 866. Ballshi sipas arkeologëve dhe historianëve është qyteti Bylisi, në Antikitetin e Vonshëm, apo në fqinjësi të afërt me të, më vonë të quajtur nën ndikimet sllave Gllavinicë, që gjendet në Shqipëri. (Neritan Ceka, op. cit., fq. 247 – 249, 286; 288.). Kjo argumentohet edhe nga një pllakë, rrasë guri me një mbishkrim, i cili u zbulua para Luftës së II botërore në gjuhën greqishte në rrënojat e bazilikës së Ballshit ku lexojmë: “U pagëzua prijësi i Bullgarisë, Borisi i quajtur Mihal, me popullin e tij të dhënë nga perëndia në vitin 6374 (ky vit sipas kalendarit bizantin tregon krijimin e botës sipas Biblës, e që korrespondon me vitin 866, që normnalisht është paradoks, N. Ibrahimi.” Sipas: Praschniker C., Muzakia und Malakastra, fq. 23; dhe BZHSH, vëllimi II, fq. 29, sipas: Dhori Qiriazi, op. cit., fq. 55. Krhs.: Neritan Ceka, op. cit., fq. 304.

[75] Dragan Tashkovski, op. cit., fq. 35 – 36.

[76] Barbara Jellavich, Historia e Ballkanit, I, Tiranë, 1999, fq. 28.

[77] Enciklopedija zivih religija, op. cit., fq. 132; M. Brandt, op. cit., fq.348; Dh. Qiriazi, op. cit., fq. 44. Encyclopaedia Britannica, vol. V, fq. 359.

[78] B. Jelavich, op. cit., fq. 28.

[79] Momir Jovic, Istorija Srba, Prishtinë, 1997, fq. 49.

[80] Ibid.

[81] G. Castellan, op. cit., fq. 40.

[82] N. Malcolm, op. cit., fq. 42.

[83] M. Jovic, op. cit., fq. 55.

[84] T. Zavallani, Histori e Shqipnis, botimi II, Tiranë, 1998, fq. 75.

[85] Hansjorg Froomer, op. cit., fq. 177. Krhs.: B. Jellavich, op. cit., fq. 28.

[86] Shih: N. Malcolm, op. cit., fq. 28. Krhs.: B. Cela, op. cit., fq. 130; Dh. Qiriazi, op. cit., fq. 45.

[87] Shih: Mustafa Spahic, Povijest islama, 4, op. cit., fq. 136. Ky pohon se “përkundër numrit aq të madh, muslimanët qenë asimiluar, kryquar, devastuar dhe shfarosur.”

[88] Shih: N. Malcolm, op. cit., fq. 28. Krhs.: B. Cela, op. cit., fq. 130; Dh. Qiriazi, op. cit., fq. 49.

[89] Neritan Ceka, op. cit., fq. 306.

[90] Ibid., fq. 307.

[91] Encyclopaedia Britannica, LTD, vol. I, fq. 511.

[92] The Barnes Review, New York, Mars – Prill, 2000, vëllimi VI, nr. 2, sipas: A. K. Bogdan, Historia e shqiptarëve nga Ilirët e lashtë në erën e Islamit, në: Univers – revistë shkencore kulturore, Nr. 1/2001, Tiranë, fq. 54.

Sipas Enciklopedinë Britanike Basili II vrau e masakroi 15000 bullgarë. Shih: Encyclopaedia Britannica, vol. V, fq. 360.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme