
Në vitin 1662 Pjetër Bogdani thotë: ‘Për shkak të presionit të turqve (shqiptarëve të besimit musliman S.R.), misionarët kanë ikur nga Hàsi, kurse 20 shtëpi katolike, që t’u shpëtonin detyrimeve të rënda, kanë kaluar në fenë islame. Vetëm gratë dhe vajzat kanë mbetur në fenë katolike, sepse nuk paguanin xhizjen dhe detyrimet e qera”.
… Më 10 gusht 1670 i ankohet Kongregacionit arkipeshkvi i Shkupit, shqiptari Andrea Bogdani, se si shqiptarët katolikë më shumë vuajnë nga skizmatikët (ortodoksë) sesa nga vetë turqit (muslimanë – ‘S.R.) (paganndo al patriarche di Pech una notabile pecunia all’anno). Kjo është gjë shumë e rrëzikshme, sepse, tek e fundit, të gjithë katolikët do të kalojnë në skizmë.
Kalimi nga feja e krishterë në atë muslimane bëhej me një ceremoni. Përqafohej feja islame nga kryefamiljari apo nga të,gjithë anëtarët përnjëherësh, ose vetëm nga një anëtar i familjes, qoftë mashkull apo femër, varësisht nga vullneti i njeriut. Personit të cilit i mbushej mendja të kalonte në fenë islame duhej të siguronte, në radhë të parë, disa dëshmitarë muslimanë nga radha e njerëzve të ndershëm të asaj ane, të cilët e njihnin mirë. Kandidati për fenë islame, së bashku me dëshmitarët, shkonin te kadiu i vendit. Para kadiut kandidati deklaronte se vullnetarisht dhe pa pasur kurrfarë presioni prej askujt dëshironte të kalonte në fenë e vërtetë dhe të hiqte dorë nga feja e tij e vjetër.
Dëshmitarët, po ashtu, duhet të dëshmonin për sinqeritetin e kandidatit dhe për ndërshmërine e tij. Atëherë kadiu e shtinte kandidatin të bënte betimin (shahadet). Pas kësaj, emri i ri i kandidatit regjistrohej në protokollin (sixhil, turq.sicil) e kadiut; për shembull, Pjetri, i biri i Markut, bëhet Ali i biri i Abdullahut.
Pse shqiptarët e pranuan islamizimin pas boshnjakëve?
Vallë pse shqiptarët e pranuan islamizimin pas boshnjakëve dhe më me shpejtësi prej popujve të Evropës? Arsyen duhet ta kërkojmë në rrethanat politike, kulturore, ekonomike dhe shpirtërore që mbretëronin në atë kohë. Shqiptarët i ishin nënshtruar sundimit të shtetit serb të Nemanjiqve me dhunë. Ky shtet despotik shqiptarëve liridashës përherë u solli vetëm shfrytëzim, madje në çdo pikëpamje. Pra, në këtë shtet u krijua antagonizmi i madh politik, fetar, etnik dhe kulturor në mes të popujve të nënshtruar. E shqiptarët në mënyrë të veçantë, ishin të shfrytëzuar. Për këtë arsye ishin fare të pakënaqur me gjendjen e tyre. Ata prisnin vetëm çastin për t’u çliruar nga kjo e keqe e gjithanshme.
Madje shqiptarët ishin të detyruar ta pranonin ortodoksizmin me anë të ‘inkuizicionit të shtetit serb”. Ortodoksizmi, si ideologji e klasës sunduese serbe, u solli shqiptarëve fe të re, e cila nuk punonte në të mirë të tyre. Shqiptarët u detyruan të pagëzoheshin me emra serbë, të flisnin serbishten, të bënin meshën në kishë në serbishte dhe të punonin vetëm në punë të rënda fizike. Madje, shqiptarët, para ligjeve të shtetit serb konsideroheshin si kategori e fundit e asaj shoqërie feudale.
Shqiptarët, edhe gjatë sundimit serb, pakënaqësinë e tyre e kanë manifestuar në forma të ndryshme. Fenë ortodokse vërtetë e kishin pranuar, por më shumë sa për sy e faqe. Së bashku me turmat popullore serbe, të pakënaqur me shfrytëzimin feudal laik dhe shpirtëror serb, shqiptarët e pranuan edhe bogumilizmin si fe e si ideologji. Por si të gjithë dënoheshin me metodat më të vrazhda, karakteristike për mesjetën, nga “inkuizicioni i shtetit serb’. Shqiptarët u pagëzuan me emra ortodoksë (greko-serbë), por ata emra, në të shumtën e rasteve i shqiptarizuan. Kështu, jovani – bëhej Gjon, Georgius bëhej Gjergj. Ose atyre emrave jo shqiptarë u jepnin sufiksin e shqipes. Forma më karakteristike e rezistences së “qetë” ishte mbajtja e mbiemrit ‘Arbanas”. Edhe pse “Arbanas” ishte formë sllave, e në atë kohë ndryshe nuk ka mundur të shprehet shqiptari, me të shqiptari është distancuar etnikisht dhe kombëtarisht nga serbi, me të cilin kishte fe dhe emër të përbashkët.
Shqiptarët (spahijtë, jeniçerët apo raja) në fazën e parë të sundimit osman, edhe pse kaluan në fenë islame dhe u pagëzuan me emra arabë (Hasan, Muhammed, etj.), si mbiemër të tyre zakonisht mbanin emrin ‘Arnavut’. Kështu ata distancoheshin kombëtarisht nga turqit apo të islamizuarit e qetë. Nga kjo hoqën dorë kur feja islame e kaploi popullsinë shqiptare dhe ajo u bë fe e shumicës, do me thënë, kur nënkuptohej Hysein Hasani, apo Mustafa Muhammedi duhet të ishin shqiptarë. Megjithatë, shpeshherë edhe emrat arabë (muslimanë) shqiptarizoheshin. Për shembull, Hysein bëhej Cen, jusuf – Cuf, Ramadan – Dan, Muhamet – Met, Ibrahim – Brahim ose Brah, Ibushi – Bushi, etj., etj..
Raja krishtere nuk kaloi në fenë islame as për t’i shpëtuar taksës , siç pohonin disa nga relatorët katolikë të shekullit XVII, sepse taksa, nuk ishte e rëndë, e padurueshme, për të krishterët. Ajo u bë e rëndë kur filluan shpërdorimet nga tagrambledhësit. Atëherë u keqësua jo vetëm pozita e rajasë së krishterë, por edhe e asaj muslimane. Prandaj, si njëra, ashtu edhe tjetra kategori e rajësë, i bëri rezistencë shfrytëzimit osmàn. Së paku shpëtimi nga xhizja nuk ishte faktori i dorës së parë i islamizimit të shqiptarëve katolikë. Madje katolikët kalonin në fenë ortodokse dhe nuk shpëtonin nga xhizja.
Kisha dhe kleri ortodoks në përgjithësi luajti rol negativ kundrejt interesave të popullit shqiptar. Kështu, shqiptarët gegë ortodoksë, kuptohet, ata që mbetën pa u islamizuar, apo shqiptarët katolikë të ortodoksuar, u serbizuan dhe u malazezuan, ndërsa shqiptarë toskë ortodoksë u greqizuan dhe u maqedonizuan në një masë të konsiderueshme.
Hoxhallarët, si misionarë të fesë islame, në viset shqiptare ishin krejtësisht shqiptarë. Ata bënin çmos që shqiptarët ortodoksë t’i muslimanizonin. Po ashtu përpiqeshin t’i muslimanizonin edhe shqiptarët katolikë, të cilët, në rrethana të kohës, nuk ishin në pozita të lakmueshme. lshin të rrezikuar nga kisha ortodokse e nuk kishin kurrfarë ndihme nga bota katolike e Evropës.
Nga ana tjetër, priftërinjtë katolikë shqiptarë, duke i ngashnjyer shtetet katolike (Spanjën, Venedikun, Austrinë, etj.) me pasuritë e madha natyrore të Shqipërisë, kërkonin ndërhyrjen e tyre dhe pushtimin e Shqipërisë nga ata, me shpresë se në atë mënyrë do të shpëtonin popullin shqiptar nga skizmatizmi dhe nga shfrytëzimi osman.
Kështu, në fund të shekullit XVII (1689/90), kur erdhi ushtria austriake në Kosovë, pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare, pavarësisht nga përkatësia fetare (muslimanë, ortodoksë, katolikë), duke bashkëpunuar edhe me serbët e vllehet, krijuan një ushtri vullnetarësh prej 20 000 burrash të pushkës e udhëheqës zgjodhën arqipeshkvin e Shkupit, shqiptarin Pjetër Bogdanin, edhe pse, në atë kohë, në dioqezën e Shkupit (në Kosovë), nuk kishte mbi 2000-3000 katolikë, madje-madje, më shumë gra e fëmijë se sa burra.
“Serbët e shqiptarizuar” nuk ishin tjetër veç shqiptarë të fesë ortodokse
Në fund duhet hedhur poshtë teoria cvijiçjane apo haxhivasiljane mbi të ashtuquajturit “serbët e shqiptarizuar” (poarbanasani srbi) apo “arnautasani” nëpërmjet islamizimit.Kjo ‘teori” sa është pa baza shkencore, aq është jo e logjikshme, sepse, si është e mundur që serbët “duke u islamizuar të shqiptarizohen”, derisa dihet se shqiptarët nuk erdhën si pushtues në këto vise, e as që feja islame ishte e tyre. Prandaj, deri sa dihej se pushteti osman dhe feja islame ishin tolerante ndaj kombeve dhe gjuhëve kombëtare, pse serbët duke u “islamizuar” ta pranonin shqipen, e cila jo vetëm që nuk ishte gjuhë e fesë islame, por as e administratës dhe e kulturës osmane-islame. Përkundrazi, administrata osmane u lejoi të gjitha kombeve të tjera (serbëve, grekëve, vllehëve, ebrenjve, eq.), veç shqiptarëve, ta përdorin gjuhën e tyre në shkolla, kisha dhe në institucione të tjera kulturorearsimore. Si qe e mundur që ’serbët e shqiptarizuar’ me të përqafuarit e fesë islame t’i pranonin të gjitha tiparet kombëtare shqiptare, – veshjen, doket zakonet – e mos të turqizoheshin (kombëtarisht) apo të arabizoheshin, sepse gjuha dhe kultura islame ishte gjuhë dhe kulturë arabe. Përkundrazi, gjatë tërë sundimit osman, serbët, grekët, ebrenjtë, vllehët, ishin kombe të privilegjuara në pikëpamje kombëtare. Ata gëzonin të drejtën e shkollimit në gjuhën e tyre kombëtare, gëzonin të drejtën ta kenë edhe kishën e vet. Ndërkaq shqiptarët këto të drejta nuk i gëzonin fare. Librat shqipe, pas Skënderbeut, u zhdukën. Të prirë nga Skënderbeu, ata ishin të vetmit nga popujt evropianë që e kundërshtuan me armë zgjerimin dhe fuqizimin e pushtuesit osman dhe pse sulltanët duke i islamizuar shqiptarët dhe duke u dhënë pozita më të larta në administratën osmane, synonin ta shfrytëzonin vitalitetin e tyre në zgjerimin dhe forcimin e pushtetit të vet. Kështu, duke e shfrytëzuar fuqinë morale, fizike, intelektuale dhe psikike të shqiptarëve, sulltani lehtësisht i frenoi ata. Shqiptarët, të cilët kishin shpirt revolucionari, duke mos pasur të drejtë t’i kenë librat dhe shkollat kombëtare, bëheshin domosdo më të frenueshëm, më të kapshëm dhe më të përdorshëm.
Por e vërteta është diku tjetër. “Serbët e shqiptarizuar” nuk ishin tjetër veç shqiptarë të fesë ortodokse, të cilët mbanin emra greko-serbë dhe i takonin kishës ortodokse serbe para se të islamizoheshin. Ata, si imperativi i kohës, me të përqafuar fenë islame, vetëm sa ndërronin emrin, në vend të emrit greko-serb të fesë ortodokse, pagëzoheshin me emra arabë të fèsë islame. Mirëpo, në atë rast, ruanin traditën, gjuhën, doket dhe zakonet kombëtare shqiptare. Vetëm femrat serbe, të martuara me shqiptarë të fesë islame, duke u ismamizuar edhe ato, janë shqiptarizuar. Ndoshta ka ekzistuar ndonjë rast që mashkulli serb, duke u islamizuar, është shqiptarizuar. Por, raste të tilla duhet të mbesin vetëm si raste, e kurrsesi dukuri. Ato raste janë bërë jo për shkak të islamizimit por për shkak të simbiozës, ose për arsye se rrethi i njerëzve ku kanë jetuar ka qënë rreth i shqiptarëve të islamizuar. Prandaj, serbët, duke e Përqafuar fenë islame, nuk ka qënë e mundur në asnjë mënyrë të “shqiptarizohen’, nëse nuk ka pasur shqiptarë në shumicën absolute në trevat në të cilat po fiasim.
Lidhur me islamizimin e shqiptarëve ortodoksë na flet edhe tradita popullore. Sipas traditës, kisha e Deçanit është mbrojtur nga vojvodët. Demukaj e Deçanit, shqiptarë të besimit musliman; kurse Patrikana e Pejës, nga familja Nikqi – Këlmendi të Rrugovës, shqiptarë të islamizuar. Vallë, cilët janë motivet e këtyre shqiptarëve muslimanë që t’i ruanin kishat “serbe?! Përgjigjen mund ta gjejmë në faktin se këto kisha nuk ishin vetëm të serbëve, por, me shekuj, edhe të shqiptarëve. Këto institucione fetare u takonin të parëve të këtyre familjeve shqiptare, në një të kaluar jo fort të largët. Në të mirë të këtij fenomeni flasin edhe burimet e vendit. Më 1962, në shtëpinë e Muhamet Lanit – Demukaj, vojvod i kishës së Deçanit gjeta shumë dokumente osmane të cilat ia dorëzova Arkivit të Kosovës dhe janë të regjistruara në fondin: Muhammed Lani – Dukaj. Nga një dokument prej tyre, i datës 2.Vll.1716 (13 shaban 1128 H.) dedikuar kufizimit të tokave, shihet qartë se shumë familje shqiptare të Deçanit, Carabregut dhe Lloqanit pra dhe familja Demukaj, ishin islamizuar mu në fillim të shekullit XVIII, sepse, në dokumentin e cekur përmenden edhe këta kryefamiljarë: Ali Marku, Mehmet Prençi, Ahmet Kola, Ali Mark Gjina, Mehmet Vata, Ali Vesku, etj./Fakti/
http://www.breziiri.com