Respektimi i diturisë dhe i dijetarëve në Islam

Ky aktivitet ishte shtyllë e besimit, kulturës dhe qytetërimit islam, me karakter vazhdimësie. Për këtë arsye, dijetarët janë bërë faktori më i rëndësishëm ndër muslimanët, meqë ishin më kompetentët dhe më të fuqishmit në realizimin dhe në prezantimin e frymës dhe diturisë islame në mesin e njerëzve.

All-llahu i madhëruar në Kur’an thotë:

“Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi të shkruaj me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinin”. (El-Alek, 1-5).“ “Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë!” (El-Kalem, 1-2).

Betimi i All-llahut në pendë dhe letër është dëftimi në rëndësinë e diturisë dhe dijes, e njëkohësisht edhe ftesë për madhërimin e atyre që shkruajnë, që merren me shkencë dhe e përhapin diturinë. Është ftesë për të gjithë njerëzit në mësimin e shkrim-leximit dhe në eliminimin e analfabetizmit.

Në periudhën e zhvillimit të islamit procesi i aftësimit me shkrim-lexim mori përmasa të mëdha. Me ajetet e para theksohet rëndësia e arsimimit, që ky theksim edhe më tepër të konfirmohet me betimin e All-llahut të madhëruar në pendë dhe letër.
Hadithet e Muhammedit a. s. mbi dijen dhe mësimin janë të shumtë dhe të llojllojshëm. Konstatimi se “kërkimi i diturisë është farz për të gjithë pjesëtarët e islamit” (Ibn Maxhe) tregon tërë rëndësinë e këtij aktiviteti human dhe të rëndësishëm. Kërkimi i diturisë, mësimi dhe hulumtimi janë aktiviteti më fisnik për çdo njeri që duhet të zgjasë deri në fund të jetës. Thirrja për arsimimin e femrës është thirrja e parë në histori se me dituri duhet të armatoset barabartë edhe femra edhe mashkulli. Ky ishte hapi deri te barabarësia e plotë ndërmjet mashkullit dhe femrës.

Muhammedi a. s. në një thënie të tij dëfton se me shkencë arrihet mirëqenia dhe autoriteti në të dy botat.

“Kush dëshiron mirëqenie në këtë botë, le të mësojë; kush dëshiron paqë në botën tjetër, edhe ai le të mësojë; kush dëshiron të dy botat, le të merret me shkencë.”

Themeli i thirrjes islame është lufta kundër mosdijes dhe analfabetizmit, angazhimi për aftësimin dhe edukimin e çdo anëtari të vet në rregullat e fesë. Është detyrë e çdo muslimani në rrafshin e arsimimit, shkollimit, njohjeve fetare dhe shkencore të japin kontributin vetjak sipas mundësive dhe aftësive. Urdhëresa ‘ikre’ është për të gjithë njerëzit e mençur me karakter vazhdimësie. Që të arrihet shkalla e kërkuar çdo njeri duhet mësuar para mësuesve dhe edukatorëve. Shkronjat dhe libri janë mjete për realizimin e mësimit. Urdhëresa ‘ikre’ është apel i qartë në luftën kundër territ, verbërisë, mashtrimeve të analfabetizmit dhe të të gjitha llojeve të konservatorizmit dhe prapambeturisë. ‘Ikre’ është thirrje për ata që nuk dinë, kurse për të diturit që edhe më tepër të kontribuojnë në aftësimin dhe përudhjen e njerëzve.

Muhammedi a.s. ka rekomanduar:

“Shkruaj lexueshëm!”
“Mos lësho as vijat më pak të rëndësishme të shkronjave!”
“Ngjyrën e freskët tere me pluhur para se ta palosh atë në çka ke shkruar.”

Muhammedi a. s. ka qenë luftëtar i madh kundër padijes. Për vete ka pohuar se do ta konsideronte të pabekuar atë ditë në të cilën asgjë nuk do të mësonte të re.
Islami në histori i pari ka nisur aksionin e përmasave të mëdha për aftësimin e njerëzve me shkrim-lexim. Shkrim-leximi ka luajtur rol të madh në mësimin dhe prezantimin e Kur’anit. Çdo ajet i shpallur menjëherë është shkruar në objektin përkatës. Shumica e muslimanëve ajetin e shpallur menjëherë e mësonin përmendsh. Kishte rreth katërdhjetë shkrues (sekretar) të Kur’anit. Ishte hap historik i Muhammedit a.s. pas përfundimit të Betejës së Bedrit kur urdhëroi që të gjithë robërit e luftës të shpaguajnë lirinë e tyre me aftësimin me shkrim-lexim të dhjetë muslimanëve analfabetë.

Ebu Bekri r. a. shquhet me aksionin e gjerë për aftësimin me shkrim-lexim të besimtarëve, e sidomos të fëmijëve të shehidëve dhe të fëmijëve prindërit e të cilëve ishin zënë robër nga armiqët. Mësimi qe zhvilluar nëpër xhami dhe vende tjera të përshtatshme. Pas aftësimin në shkrim-lexim fëmijët mësonin rregullat e domosdoshme fetare, vargjet e poetëve arabë, rregullat e gjuhës arabe dhe llogaritë themelore. Në këtë mënyrë ata grumbullonin dituri të dobishme për jetën, njerëzit dhe fenë. Kjo bëri që muslimanët ta ruajnë trashëgiminë botërore nga popujt e lashtë dhe t’i përcjellin te brezat e rinj. Kemi shembuj të shumtë nga historia islame në botë, por do ta theksoj largpamësinë e njerëzve që jetuan në trojet tona si prizrenasi ‘Suzi Prizreni’ (vdiq 1524), i cili pos bamirësive të tjera është i njohur si themelues i Bibliotekës së parë në Kosovë dhe i Shkollës së parë në Prizren, Jahja bej Dukagjini, Mesih Prishtinasi e shumë bamirës (vakifë) të tjerë.

Roli i xhamisë në arsimimin islam

Xhamitë gjatë historisë janë themeluar dhe ndërtuar që muslimanët ta mësojnë fenë e tyre, të arsimohen, edukohen dhe të zhvillojnë aktivitetet tjera politike, sociale të nevojshme për muslimanët. Gjatë kohë xhamitë në Marokë, Egjipt, Irak, Sham, Bosnje, Kosovë, Andaluzi, Shqipëri, Iran, Turqi, Indi e në shumë vende shërbenin si vatra shkollore. Njëkohësisht, ato shërbenin edhe për probleme kruciale për vendin, si Xhamia e Gazi Mehmed pashës në Prizren, ku më 1878 u mbajtë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, qindra xhami në Kosovë gjatë okupimit brutal të Kosovës ndërmjet viteve 1989-1999 shërbyen si shkolla etj. Xhamitë qenë të hapura për të gjitha llojet e veprimtarive dhe për të gjitha llojet e njerëzve. Ajo nuk duron brenda saj njerëzit e paarsimuar, sipas asaj që thuhet: “Mësimi pa vepra – pema pa fryt, i devotshmi pa dituri – sikur shtëpia pa dyer.”

Respekti ndaj diturisë dhe dijetarëve

Kur’ani dhe Hadithi ka vendos platformë të shëndoshë lidhur me diturinë dhe dijetarët:
“… Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët. …” (El-Fatir, 28).
“… A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë!” (Ez-Zumer, 9)
“… All-llahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. …” (El-Muxhadele, 11).
“Ndërsa atyre që u është dhënë dijenia, e dinë se kjo që të është shpallur ty nga Zoti, është e vërtetë dhe se udhëzon për në rrugën e Fuqiplotit, të lavdishmit.” (Sebe’, 6).
“All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët…” (Ali Imran, 18).

Është shënuar një transmetim se Muhammedi a. s. ka kaluar pranë dy grupe njerësish. Njëri grup ishte në lutje vullnetare (namaz nafile) kurse tjetri ishte duke mësuar. Ai ka thënë: “Të dy këto grupe janë të mirë, por njëri është më i vlefshëm. Grupi në të cilin njerëzit mësojnë dhe i aftësojnë të tjerët që nuk dinë janë më të mirë se grupi që i lutet All-llahut dhe i drejtohen Atij. Unë jam dërguar të bëhem mësues.” Pastaj u ulë në mesin e njerëzve që mësonin.

Devotshmëria është çëështje personale e njeriut dhe ai kryesisht vetë ka dobi ka ajo. Shkenca është e mirë e përgjithshme dhe sjellë dobi të përgjithshme. Kjo është arsyeja që Muhammedi a. s. i ka dhënë përparësi mësimit kundrejt lutjes vullnetare. Në islam çdo veprim në emër të All-llahut është devotshmëri, pra edhe mësimi dhe aftësimi i të tjerëve me dituri. Në këtë kuptim duhet kuptuar edhe fjalët vijuese të Muhammedit a. s.:

“Pak dituri është më mirë se shumë lutje.”
“Përparësia e dijetarit kundrejt të devotshmit është sikur përparësia e dritës së Hënës katëmbëdhjetëshe ndaj yjëve të tjerë.”
“Kush kërkon dituri ështëp në rrugë të All-llahut deri sa nuk kthehet (në shtëpi).”
“Kush ndjek rrugën e diturisë, All-llahu do t’ja lehtësojë rrugën deri në xhennet.”
“Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve.”

Transmetimi i diturisë është faktor vendimtar. Nxënësi nuk mundet pa mësues. Fjala e gjallë është e pazëvendësueshme dhe ngushtë e lidhur me praktikimin e diturisë. Në një libër është shkruar:

“Kush nuk e dëshiron mësuesin e ka në pikëpyetje besimin. Para kujt nuk qëndron mësuesi do të qëndrojë shejtani.”

Disa të tjerë kanë thënë:
- Dijetarët janë kripa e popullit. Nëse prishet kripa është prishur bota.
- Dijetarët janë zemra e popullit.
- Nga dijetarët pritet të flasin më shumë, duhet të dëgjohet zëri, mendimi dhe qëndrimi i tyre, sepse kjo është në interes të tërë botës.
- Nëse dijetarët heshtin do të heshtë njerëzia apo do të flasin jokompetentët.
- Shenja e shkatërrimit të kësaj bote është nëse i padituri fletëndërsa dijetari heshtë.
- Qëndrimet e dijetarëve nuk bën të programohen sipas interesave të individëve, apo grupeve apo interesave personale.

Muhammedi a. s. ka thënë:

“Pasuesit e mi do të përparojnë dhe ndihma e Zotit do të jetë me ta deri sa pushtetarët t’u nënshtrohen dijetarëve.”
“Ndër pasuesit e mi do të jetë një grup stabil në anën e të vërtetës deri sa të ekzistojë bota.”

Para besimtarëve nuk ka alternativë: të ndiqet dituria dhe dijetarët!

Literatura:

1. Kur’ani me përkthim e komentim në gjuhën shqipe nga Sherif Ahmeti, Medinë, Arabi.
2. Salihu i Buhariut, pa vend dhe vit botimi.
3. En-Nevevij, Rijadu’s-salihin, Shkup, 1998.
4. Ahmed Fuad El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 1423/2002.
5. Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1991.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme