
Më 5 maj, pas përfundimit të Asamblesë së Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe, ekzistonte një marrëveshje që peshkopi Atanasije të vazhdojë punën e tij deri në sesionin vjeshtor të Asamblesë së Sinodit kur edhe do të zgjidhej peshkopi i ri për Dioqezën Rashkë-Prziren. Ky qëndrim ishte marrë për shkak se në muajin tetor do të bëhej edhe inaugurimi i patrikut të ri, Irinej në Patriarkanën e Pejës, sipas rregullave kanonike të KOS-it.. Kjo është hera e parë që inaugurimi i të parit të Kishës Ortodkse Serbe do të bëhet në patriarakanën e Pejës, e cila është jashtë sovranitetit të administratës serbe, atë që ata po e quajnë në një shtet të huaj. Për këtë edhe po prolongohet ceremonia e inaugurimit. Në fillim ishte paraparë që kjo të bëhej në muajin prill, pastaj u shty për muajin tetor.
Zgjedhja e peshkopit Atanasije Jevtiq në fillim dhe tash mitropolitit, Amfillohije Radoviq në postin e të parit të Kishës Serbe në Kosovë, në një mënyrë të jep të kuptosh se Kisha Ortodokse Serbe, po orientohet kah mbajtja e gjendjes së tensionuar në Kosovë. Këtë po e themi në bazë të asaj se “treshi i A-së” , ashtu siç e quan analisti serb për çështje fetare, Milorad Tomaniq , në librin e tij “Kisha Serbe në luftë dhe luftërat rreth saj” (botuar në Beograd më 2001), që të tre peshkopët Amfilohije, Atanasije dhe Artemie i radhit në radhët e “skifterëve” siç i quan ai. Që të tre këta ishin nxënës të Arhimandritit dr. Justin Popoviqit, një teolog dhe nacionalist i madh serb, që ishte larguar nga procesi mësimor në Universitetin e Beogradit në kohën e regjimit komunist dhe i ishte caktuar qëndrimi në manastirin Celije afër Valevës, ku ishte mbajtur si gjysmë i izoluar. Ky teolog, në Asamblenë e fundit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe, institucioni më i lartë KOS-it u shpall “shenjtor”, po në të njëjtin takim, nxënësi i tij peshkopi Artemie u shkarkuar nga detyra e tij si peshkop i Kishës Serbe në Dioqezën Rashkë-Prizren.
Mitropoliti Amfillohije Radoviq, ashtu siç përmendën edhe shumë media është njëri prej liderëve fetarë të vijës së ashpër në Kishën Ortodokse Serbe. Gjatë kohës kur ish-patriku Pavle, ishte i sëmurë ai ishte në krye të KOS-it. Shumë analistë kanë menduar se ai edhe do ta zëvendësojë atë në postin më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe pas vdekjes së tij. Ai ishte në rrethin më të ngushtë për këtë post, por sipas rregullave kishtare është shorti ai që përfundimisht vendos për atë se kush do të jetë patriark.
Pas emërimit të mitropolitit Amfillohije në postin e administratorit të përkohshëm të Dioqezës Rashkë-Prizren, me rastin e promovimit të veprave të tija të zgjedhura, kishte thënë: “Kosova është një plagë e madhe e Kishës tonë, po ashtu është një plagë e madhe ajo që i ndodhi peshkopit Artemije”.
Është e drejtë e Kishës Ortodokse Serbe të zgjedhë në krye të Dioqezës Rashkë-Prziren, prijësin fetar që ajo dëshiron, por është e udhës që këta prijës fetarë të tregojnë minimumin e respektit për atë që u ka ndodhur popullatës shumicë të Kosovës, nga një regjim gjakatar, siç ishte ai i Millosheviqit. Në veçanti, kur këto ditë autoritet e Beogradit, “zbuluan” edhe një varrezë masive të shqiptarëve të Kosovës, trupat e të cilëve regjimi i Beogradit u mundua t’i fshehë në Rudnicë në territorin e Dioqezës së Rashkës, ku Mitropoliti Amfillohije do të shërbejë dhe do t’u predikojë besimtarëve të tij mësimet e Biblës
A do të ketë mesazh me të fuqishëm që ai t’u drejtohet besimtarëve të tij, se nga e kaluara të merren mësime që gjërat e tilla të mos përsëriten më asnjë herë në këto hapësira. Ndërsa shqiptarëve, të afërmve të viktimave t’u kërkojë falje në emër të Kishës Serbe. Me një hap të këtillë, pas tërë asaj që ndodhi në këto hapësira do të shihej një dritë në fund të tunelit. Por, për një hap të këtillë lypset një kurajë dhe guxim, të cilin tash për tash nuk mund ta gjejmë tek prijësit fetarë serbë.
Përfundimisht kush do të jetë i pari i KOS-it në Kosovë, pritet të vendoset në sesionin vjeshtor të Asamblesë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe. Njëri ndër trashëgimtarët më serioz të peshkopit Artemije, sipas një shkrimi të së përditshmes “Politika” të Beogradit (23.05.2010) është Peshkopi Teodosije, aktualisht peshkop i Lipjanit. Teodosije ishte dërguar në Kosovë nga ana KOS-it me qëllim të koordinimit të punëve me institucionet ndërkombëtare dhe ato kosovare lidhur me meremetimin e kishave dhe manastireve serbe që ishin rrënuar gjatë marsit të viti 2004, meqenëse peshkopi Artemije refuzonte çfarëdo bashkëpunimi.
Sa i përket ish-peshkopit Artemije, ai do at vazhdojë të jetojë në manastirin Shishtovac të Frushka Gorës, pasi që, peshkopi Vasilije ishte i vetmi që i ofroi mikpritje. Sipas një shkrimi të gazetës “Blic” Artemije ka kërkuar nga Sinodi t’i sigurojë një rrogë, për të dhe për katër kallogjerë që do të jenë në shoqërimin e tij si dhe një veturë. Kështu pra përfundoi karriera kishtare e peshkopit Artemije, i cili në Kosovë kaloi pjesën më të gjatë të karrierës së tij, por shqiptarët do ta mbajnë mend si një prijës fetar nacionalist, që nuk ishte i denjë të përfaqësonte parimet burimore të Krishterimit.