Leximi i Kur'anit te varri gjatë dhe pas varrimit të vdekurit

            Duke u bazuar në këtë leximi i Kur'anit famëlartë tek varri gjatë varrimit të vdekurit ose pas varrimit është legjitim dhe i lejuar sipas sheriatit islam, sepse argumentet e sheriatit për leximin e Kur'anit famëlartë janë të përgjithshme dhe gjithë përfshirëse,  ka shumë transmetime nga Pejgamberi a.s. për këtë çështje, po ashtu shumë lajme dhe të dhëna nga paraardhësit tonë të ndershëm, në lidhje me këtë çështje flet Imam Ebu Bekr El Halal El Hanbelij në kapitullin " El Kiraetu ala El Kubur "   në librin   " El Xhamia ",  po  ashtu El Hafidh Shemsudin bin Abdulwahid El Makdesi El Hanbeli ka shkruar kapitull të  posaçëm për këtë çështje, po ashtu Imam El Kurtubij El Maliki në librin e tij  " Et-Tedhkiretu  fi Ahwal El Mewta ve Umuur El Ahireti " ,  El Hafidh Es-sujuti Esh-shafii në librin  " Sherh Es-sudur bisherh Hal Elmewta ve El Kubur " ,  El Hafidh Es-sejid Abdullah bin Es-sidik El Gimari në librin e tij  " Tewdih El Bejan Liwusul thevab El Kur'an " , dhe shumë të tjerë që kanë shkruar në lidhje me këtë çështje.

 

  1. Nga hadithet e vërteta dhe të qarta në këtë çështje janë : Transmeton Abdurrahman bin El Ala bin El-Lexhlaxhi nga babai i tij i cili thotë : Më ka thënë babai im – El-Lexhlaxh ebu Halid- : o biri im kur të vdes më vendos në varr dhe kur të më vendosësh në varr thuaj : Me Emrin e All-llahut, dhe nga Umeti i te dërguarit te All-llahut – Bismilah ve ala mileti resulullah – pastaj më mbulo me dheun ngadalë dhe lehtë, lexoje te koka Fatihan dhe ajetet e fundit të sures Bekare, sepse unë kam dëgjuar Pejgamberin a.s. që ka thënë kështu ( [1] ) . Transmetohet nga Ibni Omeri r.a. i cili thotë : kam dëgjuar pejgamberin a.s. që ka thënë :  "  Kur  të  vdes  dikush  nga ju  mos e burgosni ( mos e mbani gjatë pa e varrosur ), shpejtoni që ta dërgoni në varr, dhe lexojeni te koka e tij Fatihan dhe tek këmbët e tij (te varri ) fundin e Sures Bekare ( dy ajetet e fundit të kësaj sureje ).   [2] )

Në këtë çështje ka edhe shumë transmetime tjera, transmetohet nga Aliu r.a. nga pejgamberi a.s. i cili ka thënë : kush kalon pranë varreve ta lexoj   " Kul Huwallahu Ehad  " njëmbëdhjetë herë, pastaj sevapet e atij leximi ti dedikoj për të vdekurit në ato varre e atij do ti epen sevape aq sa ka varreza në atë vend  ( [3] ) ,  pastaj hadithi i transmetuar nga  Ebi Hurejre i cili ka thënë : ka thënë pejgamberi a.s. :  "  Kush  hyn  në  varre,  dhe  e  lexon  Fatihan   pastaj  Kul Huwallahu dhe El hakumu Et tekathur  pastaj thotë : o zoti im sevapet për leximin e fjalëve tua ua dedikoi besimtarëve dhe besimtareve që janë në këto varre, ata ( të vdekurit në varre ) do të ndërmjetësojnë te All-llahu xh.sh. për të  ( [4] ), Hadithi i transmetuar nga Enesi r.a. se pejgamberi a.s. ka thënë : " Kush hyn në varre, dhe e lexon Suren JaSin All-llahu xh.sh. do të ua lehtësoi atyre që janë  në varre, dhe ai ( lexuesi ) do të ketë të mira sa është numri i personave në ato varre " ( [5] ) .

          El Hafidh Shemsudin bin Abdulwahid El Makdesi El Hanbeli në librin e tij në kapitullin i cili ka të bëjë me këtë çështje  thotë : " këto hadithe edhe nëse do të ishin të dobëta numri i madh i transmetimeve argumenton se kjo çështje ka bazë në fenë islame,  muslimanët vazhdojnë të jenë të bashkuar në lidhje me këtë në çdo kohë e në çdo vend dhe lexojnë Kur'an për të vdekurit e tyre pa asnjë refuzim,  dijetarët në këtë çështje janë të pajtuar me konsensus. ( [6] )

 

  1. Është  transmetuar në Sunet ( Hadith ) dhe në lajmërime të shumta për leximin e sures JaSin  për të vdekurit, transmetohet nga Makal bin Jesar nga pejgamberi a.s. që ka thënë :  "  Lexojeni  Suren  JaSin  për  të  vdekurit tuaj " ( shprehja " Lexojeni " – ka ardhur në formën urdhërore ).  ( [7] )

 

  1. Në sheriatin islam kemi argumente të shumta për leximin e Fatihas te xhenazja  sepse kjo sure përmban në vete shumë begati dhe sjell dobi për të vdekurin, përmban në vete kërkim mëshire, dhe falje mëkatesh, veçanti të cilat nuk gjenden në Suret tjera, transmetohet nga  Ubadetu bin Es-Samit se pejgamberi a.s. ka thënë : " Ummu El Kur'an  –  surja Fatiha  –  mund ti zëvendësoi suret tjera, e tjerat sure nuk mund ta zëvendësojnë atë "   ( [8] ) .

Kjo tregon se kjo sure është më gjithë përfshirëse sesa në namazin e xhenazes ose jashtë saj, ka shumë hadithe që argumentojnë se surja Fatiha këndohet në namazin e xhenazes,  dhe hadithe të tjera që argumentojnë se ajo sure lexohet gjatë varrimit, ose pas varrimit siç transmeton Ibni Omer në hadithin e lartë përmendur në Taberani dhe të tjerët, transmeton Ummu Afif  En-Nehdije e cila thotë : " Na ka urdhëruar pejgamberi a.s. të e lexojmë suren Fatiha tek të vdekurit tonë "   ( [9] )  , transmetohet nga Ummu Sherik e cila ka thënë : " Na ka urdhëruar pejgamberi a.s. që ta lexojmë suren Fatiha tek xhenazja "   ( [10] ) .

 

  1. Për leximin e sures Fatiha dijetarët islam kanë argumentuar me hadithin e transmetuar nga Ibni Abbas i cili thotë : Ka kaluar pejgamberi a.s. pranë dy varreve, dhe ka thënë : " Ata dy janë duke u dënuar por nuk po dënohen për ndonjë mëkat të madh " , pastaj ka thënë : " Por, njeri nga ata dënohet sepse përgojonte, ndërsa tjetri nuk i ka kushtuar kujdes urinës ", pastaj ka thënë (Ibni Abbasi ) : e ka marrë pejgamberi a.s. një degë të njomë dhe  e ka ndarë në dy pjesë i ka mbjell ato dy pjesë te secili varr nga një, pastaj ka thënë : " Ndoshta do të ketë lehtësim të dënimit për ata dy derisa të thahen këto dy degë "   ( [11] ) .

El Hitabij ka thënë : " Kjo është argument se është e pëlqyer të lexohet Kur'an te varri, sepse nëse shpresojmë se do tu lehtësohet dënimi atyre dy personave në varre për shkak të tesbihut që bënë ajo degë e njomë, atëherë  me leximin e Kur'anit shpresojmë edhe më shumë për bereqet dhe mëshirë "   ( [12] ).

Kurtubi  në librin e tij  "  Et Tedhkiretu "  thotë : " Disa dijetarë kanë argumentuar  për  leximin  e  Kur'anit  famëlartë  te  varri  me  hadithin  në  të  cilin tregon për pejgamberin a.s. që ka këputur degën e njomë, dijetarët kanë thënë : " Nga kjo kuptohet se është i pëlqyer leximi i Kur'anit dhe mbjellja e pemëve te varri, nëse do tu lehtësohej  dënimi  atyre  në  varre  për  shkak  të  pemës së njomë e cila bën tespihë atëherë si është me leximin e Kur'anit nga një njeri besimtar musliman ? " , ka thënë : " Për këtë arsye dijetarët e kanë konsideruar të pëlqyeshme vizitën në varre, sepse leximi i Kur'anit lehtëson dënimin e të vdekurit nga vizita që bën njeriu në varre "( [13] )

      Dijetaret islam e kanë pëlqyer leximin e Kur'anit tek varri duke u bazuar në hadithin më lartë, sepse nëse ka shpresë për lehtësimin e dënimit për shkak se pema bën tespihë All-llahun xh.sh., e leximi i Kur'anit është më primar dhe me i arsyeshëm se kjo ( [14] ) .

 

  1. Transmetohet në dy librat e hadithit Sahih ( Buhari dhe Muslim) se Pejgamberi a.s. në shumë raste ka fal namazin e xhenazes në varre, e namazi përmban edhe leximin e sures Fatiha dhe salavat mbi pejgamberin a.s., dhikr e dua,  nëse lejohet një pjesë atëherë lejohet i gjithi. Dijetarët islam konsiderojnë se sevapet i arrijnë të vdekurit duke u bazuar në lejimin e të bërit haxh për tjetrin dhe arritja e sevapeve të haxhit për të vdekurin, haxhi përmban në vete edhe namaze dhe  në namaz lexohet surja Fatiha dhe sure të tjera, ky është kuptimi përfundimtar, edhe nëse disa ngrenë dyshime mbi këtë, ai dyshim është i pa vlerë sepse asnjë nga dijetarët islam nuk është kundër asaj se nëse një njeri bën dua dhe lexon Kur'an për të vdekurin dhe atë lexim dhe dua ia dedikon të vdekurit sevapet do ti arrijnë të vdekurit me lejen e All-llahut xh.sh. ( [15] )  .

 

  1. Kështu kanë vepruar muslimanët gjeneratë pas gjenerate pa e kundërshtuar këtë askush, ky mendim është tek të gjitha medh-hebet madje El Hafidh Shemsudin bin Abdulwahid El Makdesij El Hanbelij ka thënë se për  këtë çështje  ka  konsensus të dijetarëve islam ( Ixhma ), transmeton Esh-shejh El Uthmanij  në librin e tij  " Rahmetu El Umeti Fi Ihtilaf El Eimetu "  në të cilin thotë : " Dijetarët janë të pajtimit me konsensus se kërkim falja, duaja, lëmosha, haxhi, lirimi i robit, iu sjellin dobi të vdekurve, dhe sevapet arrijnë te i vdekuri,  leximi i Kur'anit te varri është i pëlqyer " ( [16] ) .

Ka argumente  të  shumta  nga  tradita  dhe  lajmet e të dhënat nga Selefu Salihinët ( Gjenerata e ndritshme) për pëlqimin e leximit të Kur'anit te varri,  transmeton Ibni ebi Shejbe nga Imam Shafiu i cili thotë : " Ensarët ( medinasit ) lexonin Suren Bekare për të vdekurin " ( [17] ) , transmeton El Halal  në librin e tij " El Kiraetu Ala El Kubur "  në të cilin thotë : " Kur u ka vdekur Ensarëve (medinasve) dikush janë shpërnda te varri i tij dhe kanë lexuar Kur'an "( [18] ) .

            Transmeton El Halal nga Ibrahim En-neh'ij i cili ka thënë : " Nuk ka asnjë problem nëse lexohet Kur'an në varre ", po ashtu transmetohet nga El Hasen bin Es-sabah Ez-zaferanij i cili thotë : e kam pyetur Imam Shafiun r.a. për leximin e Kur'anit në varre ai ka thënë : Nuk është problem ( [19] ) .

            Transmetohet nga Alij bin Musa El Hadad i cili thotë : kam qenë me imam Ahmed bin Hanbelin r.a. dhe me Kudame El Xhewherij në një varrim të një xhenazeje, kur e kemi varrosur të vdekurin një njeri i verbër është ulur pranë varrit  dhe ka lexuar Kur'an, atij i ka thënë Imam Ahmedi r.a. : O ti, leximi i Kur'anit te varri është bidat, kur kemi dal nga varret Muhamed bin Kudame i ka thënë Imam Ahmed bin Hanbelit : çka thua për Mubeshir El Halebij ( çfarë njeriu ishte ) ai tha : ishte njeri i drejt dhe i vendosur dhe pa gabime në hadith, Imam Ahmedi tha : a mos ke shkruar diçka për këtë person ? , ai tha : po, me ka treguar Mubeshir nga Abdurrahman bin El Alae bin El Lexhaxh nga babai i tij se ai e ka porositur të birin e tij që kur të varroset të lexohet te koka e tij surja Fatiha dhe fundi i sures Bekare ( dy ajetet e fundit të sures Bekare ), kam dëgjuar nga Ibni Omer r.a. që ka porositur  kështu, atëherë Imam Ahmedi i tha : kthehu dhe thuaj atij njeriu që të lexoj Kur'an te varri . ( [20] )

             Me këtë hadith ka argumentuar Jahja bin Muiin kur është pyetur  nga El Abas bin Muhamed Ed-Durij për leximin e Kur'anit te varri.

            Leximi i Kuranit te varri sipas Imamëve të medh-hebeve të pranuara në librin  " El Fetawa El Hindije "  :  sipas medh-hebit Hanefi  thuhet : " Është e pëlqyer që kur të varroset i vdekuri të ulen njerëzit te varri për një kohë sa mund të thërret një kafshë dhe të shpërndahet mishi i saj, e të lexojnë Kur'an dhe të bëjnë dua për të vdekurin ", transmetohet se këto fjalë janë të Muhamed bin El Hasan r.a. , këtë mendim e kanë pranuar të gjithë dijetaret e medh-hebit Hanefi . ( [21] )

            Ndërsa sipas dijetarëve të medh-hebit Maliki leximi i Kur'anit te varri është i pëlqyer, në librin Hashije Ed-Desuki në  " Esh Sherh El Kebir "  thuhet : Ibni Habib është i mendimit se leximi i Kur'anit te varri është i pëlqyer, po ashtu El-Lahmij është i të njëjtit mendim, madje në disa vende Ibni Habib thotë se është i pëlqyer leximi i sures JaSin te varri. ( [22] )

            I vdekuri përfiton nga leximi i Kur'anit  pa marrë parasysh a lexohet Kur'ani  te varri  apo lexohet në shtëpi, ndërsa Muhamed bin Ahmed El Merurizij thotë : kam dëgjuar Ahmed bin Hanbelin që ka thënë : kur të hyni në varre këndojeni Fatihan, Meudhetejn ( Kul Eudhu Birabi El Felek  dhe Kul Eudhu Birabi En Nas ) dhe Kul Huwallahu Ehad dhe këtë lexim dërgojeni për ata që janë në varre sepse atyre u arrijnë sevapet. ( [23] )

            Sipas dijetarëve të medh-hebit Shafi  është e pëlqyer përshëndetja me selam për të vdekurit në varre nga ai i cili i viziton ato, dhe të bëj dua për të vdekurit në varre, është e pëlqyer të lexohet nga Kur'ani aq sa dinë përmendësh personi, me këtë mendim janë të pajtuar me konsensus dijetarët e medh-hebit Shafi. ( [24] )

            Është e pëlqyer që të ulet afër varrit  një kohë, afërsisht një orë e të lexohet Kur'an, të bëhet dua, të mbahet ligjëratë, dhe të tregohen tregime të njerëzve të devotshëm, Imam Shafiu r.a. thotë : është e pëlqyer që të këndohet Kur'an te varri ; kanë thënë edhe nëse këndohet tërë Kur'ani do të ishte mirë ( [25] ) ,   është e pëlqyer që të këndohet Kur'an te varri, nëse këndohet i gjithë Kur'ani do të ishte mire. ( [26] )

            Transmeton El Hafidh Edh-Dhehebij se kur ka vdekur Ebi Xhafer El Hashimi El Hanbeli i cili ishte Shejh i Henbelive është varrosur afër varrit të Imam Ahmed Hanbelit r.a., njerëzit  kanë qëndruar te varri i tij një kohë të gjatë sa që thuhet se te varri i tij është bërë hatme Kur'ani famëlartë 10 mijë herë   ( [27] ) .

            Madje  edhe  Shejh Ibni Tejmije i cili e ka konsideruar leximin  e Kur'anit te varret  se  është  bidat  mendim  me  të cilin  ka  rënë  ndesh  me  konsensusin e dijetarëve që nga selefët e parë e deri më sot, transmetohet se njerëzit dhe nxënësit e tij kanë qëndruar te varri i Ibni Tejmijes dhe kanë lexuar Kur'an , kanë lexuar Kur'an edhe në shtëpitë e tyre për Ibni Tejmijen  ( [28] ) .

            Sevapet e leximit të Kur'anit do të jenë për lexuesin ndërsa sevapet për dëgjimin e leximit do të jenë për të vdekurin në varr, i vdekuri do të mëshirohet në varr duke u bazuar në ajetin Kur'anor  i cili është gjithë përfshirës dhe jo specifik, All-llahu xh.sh. thotë: " Kur lexohet Kur"ani, ju dëgjonie atë ( me vëmendje)dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë " ( A'rafë 204 )  , nuk është e pa logjikshme dhe nuk është jo e arsyeshme që të mos e kaploi mëshira dhe ti arrijnë sevapet të vdekurit nga leximi i Kur'anit edhe nëse nuk e ka dëgjuar,  sevapet për lëmoshën i arrijnë të vdekurit, ai nuk e përjeton lëmoshën, pastaj lutja dhe kërkim falja i sjellin dobi, sepse Kur'ani është lutje dhe kërkim falje, është një vepër e cila të ofron te All-llahu xh.sh. .

            Pejgamberi a.s. thotë : Kur  të  vdes njeriu është këputur ( ndërprerë ) puna e tij përveç nga tri gjëra: Lëmosha, dituria që ka lënë dhe nga e cila kanë dobi të tjerët, ose fëmijët e devotshëm të cilët luten për të " , Kur'ani  është edhe lutje dhe është lëmosh nga fëmijët e devotshëm, nga  shokët e devotshëm dhe nga besimtarët e sinqertë të cilët ua dërgojnë sevapet e leximit të Kur'anit  të vdekurit në varr. ( [29] ) .

 

Përgatiti :    ZUHDI  B.  HAJZERI

 

 

           



[1]  El Mu'xhem El Kebir vëll.19  fq.220

[2]  Xhamia El Ehadith vëll.4  fq.65 ; Ed-Der El Menthur vëll.1  fq.28; Fet-h El Kadir Li Shewkani vëll.1  fq.29 ; Kenz El Umal vëll.15  fq.601 ; Fet-h El Bari – Ibni Haxher  vëll.3  fq.184 .

[3]   El Fikh El Islami ve Ediletuhu  vëll.2  fq.680 ; Fetawa El Ez-her vëll.5  fq.471 ; Tefsir Hakij Kapitulli 39  vëll.14  fq.364 ; Tefsir Ruh El Bejan Suretu En-nexhm vëll.9  fq.205 ; El Kiraetu Ala El Kubur – El Halal ; Fedail Kul Huvallah –Es-semerkandi .

[4]  Metalib Uli En-nuha  kapitulli  Zijaretu El Kubur vëll.5  fq.9 ; Tuhfetu El Ahvedhij vëll.3 fq.275 ; Hashijetu El Xhumel vëll.7  fq.252 ;  Fewaid – Ebu El Kasim Ez-zenxhanij.

[5] Tuhfetu El Ahvedhij vëll.3  fq.275 ; Tefsir Kurtubij vëll.15  fq.3 ; Hashijetu El Xhumel vëll.7 fq.252 ; Fetawa El Ez-her vëll.5  fq.471 .

[6]  Tuhfetu El Ahvedhij vëll.3  fq.275 ; Merkat El Mefatiih Sherh Mishkat El Mesabiih vëll.5  fq.465.

[7]  Ebu Dawud Kitab El Xhenaiz hadithi nr.2714 ; Tefsir El Menar vëll.8  fq. 234 ; Musned Et-Tajalisij vëll.2  fq.224 ; Fetawa El Ez-her vëll.5  fq.471.

[8] Tefsir Thalebij  kapitulli 7  vëll.1  fq.27 ; Tefsir Nisaburi vëll.1  fq.23 ; Mefatih El Gajb vëll.1 fq.146; Nihajet El Muhatxh vëll.4  fq.181.

[9] El Ahad we El Methanij vëll.5  fq.464 ; Esedu El Gabe vëll.1  fq.1470 ; Mewsuatu  Etraf  El Hadith vëll.1  fq.5104.

[10]  Ibni Maxhe  vëll.4  fq.445 ; Subul Es-selam vëll.2  fq.104 ; Mewsuatu Et-Tahrixh vëll.1  fq.13033.

[11]  Sahih Buhari Kitab El Xhenaiz nr. i hadithit 1289 ; Muslim Kitab El Xhenaiz nr. i hadithit 2041.

[12]  Umdetu El Karii Sherh Sahih El Buhari vëll.4  fq.497.

[13]  Et-Tedhkiretu LilKurtubij vëll.1  fq.84 ; Et-Tedhkireti fi Ahwal El Mewta we Umur El Ahiretu  vëll.1  fq.92 .

[14]  Sherh En-newewij ala Sahih Muslim vëll.3  fq.202 .

[15]  Fetawa El Bejt El Muslim fq.182 .

[16] Po Aty ; Rahmetu El Umeti fi Ihtilaf El Eimeti .

[17]  Musanif  ibni  Ebi Shejbe  vëll.2  fq. 445 .

[18]  El Wasitij fi Tarih Wasit  vëll.1  fq.190 .

[19]  El Emru Bil Maruf ve En Nehju An El Munker Li Ebi Bekr   vëll.1   fq.294 .

[20]  El Mugni ibni Kudame  vëll. 2  fq.224 .

[21]  El Fetawa El Hindije  vëll.1   fq.177 ; El Xhewheretu En Nejiretu  vëll.1  fq.429 ; El Fetawa El Hindijetu  vëll.4   fq.481.

[22]  Hashijetu Ed-Desuki  vëll.1   fq.423 ; Hashijetu Ed-Desuki  ala  Esh-Sherh El Kebir  vëll.4  fq.173 .

[23]  Et-Tedhkireti fi Ahwal El Mewta we Umur El Ahiretu  vëll.1  fq.274 .

[24]  El Mexhmuatu Sherh El Muhdhib  vëll.5  fq.311  .

[25]  El Edhkar  vëll.1   fq.162 .

[26]  Fetawa El Ez-her   vëll.7   fq. 458  . 

[27]  Sejr Alam En-nubelai  vëll.18  fq.547 ; El Muntedhim  vëll.18  fq.316,317 ; Dhejl Tabakat El Hanabile  vëll.1    fq.17,22,23 ; Elbidajetu ve En-Nihajetu  vëll.12   fq.129 .

[28]  Fetawa El Bejt El Muslim  fq. 184  .

[29]  Et-Tedhkireti fi Ahwal El Mewta we Umur El Ahiretu  vëll.1  fq.288  .

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme