Bëhu si ujvarë në bujari dhe ndihmë!
Bëhu si diell në dhembshuri dhe mëshirë!
Bëhu si natë për t’i mbuluar të metat e të tjerëve!
Bëhu si i vdekur në nervozizëm dhe zemërim!
Bëhu si dhé në thjeshtësi dhe përulësi!
Bëhu si det në mirëkuptim!
Ose, duku siç je, ose bëhu siç dukesh![2]
Hyrje
Studimet për sufizmin (tesavufin islam) në gjuhën shqipe janë në një gjendje të mjeruar. E keqja qëndron sepse pjesa më e madhe e teologëve muslimanë sufizmin e konsiderojnë një të keqe të të padëshirueshme në jetën e muslimanëve. Nuk them se në sufizëm në përgjithësi dhe te tarikatet në Kosovë nuk ka mangësi e defekte, por them se mangësitë e sufistëve nuk bënë të bëhen shkak për anatemim dhe ekskomunikim të sufizmit. Kjo gjendje është më tepër karakteristikë e gjysmës së dytë të shekullit XX, jo me herët, por jo as aktualisht. Gëzon fakti se disa punëtorë të rinj shkencorë kanë filluar të merren me sufizmin në mënyrë shkencore. Gëzon fakti se edhe SHB Logos-A në Shkup bëri një punë të mrekullueshme duke përkthyer në gjuhën shqipe veprën më të njohur të Mevlana Rrumiut Mesnevinë dhe njërën ndër perlat e letërsisë botërore. Kjo vepër do të bëjë që studimet për sufizmin në gjuhën shqipe megjithatë në shekullin XXI do ta kenë një të ardhme më të mirë.
Rrethanat shoqërore-politike para lindjes së Mevlana Rrumiut
Fundi i shekullit XI karakterizohet me konflikte të mëdha politike dhe shoqërore. Selxhukët, shteti më i fortë musliman në atë kohë, ishte lodhur nga problemet e brendshme ndërmjet disa sunduesve muslimanë që luftonin për fron, madje disa herë deri në vrasje të njëri-tjetrit. Kemi edhe disa kryengritje popullore nëpër krahina, disa rebelime të vezirëve, që qendrën e rraskapiti maksimalisht. Roli i halifit ishte rrëgjuar vetëm në fushën shpirtërore-morale. Këtyre rënieve dhe këtij kaosi i dha fund ardhja në skenë të Shtetit Osman në vitin 1299.
Po ashtu, nga jashtë depërtimet e shumta të mongolëve tashmë nuk paraqisnin vetëm incidente, ndërhyrje kufitare, por u ngjanin pushtimeve klasike.[3]
Nga ana tjetër, edhe Perëndimi në këtë kohë vuante nga ndarjet e shumta. Më 1190, gjatë kryqëzatës, vdiq Frederiku. Evropa gufonte nga konfliktet e brendshme dhe ndahej edhe më thellë. Sidomos situata ishte e vështirë ndërmjet Kishës dhe forcave antikishtare Në Lindje Evropës iu ngushtua dominimi, sepse Salahudin Ejjubi e dëboi Evropën (Frankët) nga pjesë të dominuara nga ata.[4]
Edhe Persia ishte në hall, sepse u sulmua nga dinastitë e Lindjes së largët, sidomos nga Turanët. Rrënohet halifati abasit i Bagdadit dhe bota konfigurohet ndryshe nga e kaluara. Intelektualja e njohur botërore Eva de Vitray-Meyerovitch këtë periudhë e quan “Epokë të kaosit dhe të pasigurisë.” [5]
Të dhëna të përgjithshme biografike
Në kohën e problemeve dhe konflikteve të vrullshme në Persi, më 6 rebi’ul-evvel të vitit 604 h. / më 30 shtator të vitit 1207, u lind Mevlana Xhelaluddin Rrumiu[6], emri më i shkëlqyeshëm prej poetëve sufistë në gjuhën persiane, i njohur jo vetëm në Lindje por edhe në Perëndim.
Mevlana Rrumiu u lind në qytetin e Belhut, krahina e Horasanit, në veri të Afganistanit. Qytetin e Belhit arabët e pushtuan në vitin 31 hixhrij, gjatë kohës së Osmanit r.a.
Pjesë e Afganistanit - Belhu
Në vitin 617 h./ 1220, qytetin e Belhit e pushtoi Xhingis-kani, lideri i mongolëve, kurse Timur-Lenko, pasardhës i Xhingis-kanit, më 771 e zgjodhi për kryeqytet. Pas invadimit mongol në qytet, ai pësoi humbje të rënda dhe kurrë më nuk u ngrit në shkëlqimin e dikurshëm. Aktualisht qyteti Belh është një qytet provincial, me disa mijë banorë dhe nuk e gëzon famën e tij të dikurshme apo famën e një Rumiu apo një Ibn Sinai (sepse edhe ai e kishte prejardhjen nga ky qytet).
Emri origjinal i Mevlana Rrumiut është Muhammed, kurse Rrumi nënkupton Bizantin, pjesën lindore të Perandorisë Romake. Disa burime prejardhjen e tij e lidhin me Ebu Bekrin r.a.[7], edhe pse kjo vështirë mund të argumentohet.[8] Ky grup është më i madh se ai Alij. Disa burime të tjera lidhjen e Mevlana Rrumiut e lidhin edhe me Aliun r.a. nëpërmjet zinxhirit të shejhëve, prandaj edhe e quajnë Tarikati Alije. Disa autorë këtë e quajnë si sintezë të rrugëve Alije-Bekrije.[9] Ndonëse grupi alij ishte nën ndikimin bektashi, alevi e të tjera, megjithatë ky grup nuk e ndiente veten afër tyre por veten e konsideronte sunit.
Babai i tij Behauddin Veled i njohur si Sultan’ul-ulema (Mbret i dijetarëve)[10] për shkak se gëzonte autoritet të madh në popull sunduesi i Hvarizmit, sulltan Muhammedi, i urdhëroi Behauddinit që të shpërngulet nga qyteti Belh. Ai frikësohej se autoriteti i tij mund t’ia rrezikojë pushtetin.[11] Në këtë kohë Mervlana Rrumiu kishte vetëm dymbëdhjetë vjet.[12] Disa thonë se në këtë polemikë është përfshirë jo vetëm sunduesi por edhe dijetari i tij Fahruddin Raziu.[13] Sidoqoftë, në këtë polemikë do të përfshihet edhe vetë mevlana Rumiu, duke e kritikuar përdorimin e tepruar të logjikës në shpjegimin e të vërtetave të fesë. Ai, duke kritikuar dialektikën thotë: “Sikur dielaktika të mund t’a zbulojë vetë të vërtetën e frymës, Rraziu të tërën do ta arrinte; por, këmbët e dialektikëve janë drurëzuar, kurse këmbët prej drurit janë më të luhatshmet.”[14]
Miniaturë e Rrumiut nga Hossein Behzad
Një burim tjetër pohon se shpërngulja e familjes së Mevlana Rrumiut ndodhi edhe për shkak të invadimit të mongolëve në vitin 1219 në territoret e Hwarizm Shahut. Familja iku nga vendet e përfshira me luftë dhe u vendos në vende më të sigurta, në fillim në Nishapur.[15] Në rrugëtimin e familjes së Mevlana Rrumiut pati bredhje të shumta. Ata vizituan pos Nishapurit edhe Kufën dhe Bagdadin.[16] Në Nishapur u takuan me sufiun e madh Feriduddin Attarin. Attari e njohti Mevlana Rrumiun dhe ia fali veprën e tij Esrār-Nāmeh - Libri i sekreteve.[17] Mirëpo, këto takime janë të përcjella me shumë misterie, që vënë në dyshim vërtetësinë e ngjarjeve dhe për këtë arsye ne nuk do të lëshohemi në theksim e interpretim.[18]
Më vonë familja e Mevlanës u vendosë në Bagdad, ku do të jenë për gjashtë muajt vijues, pastaj për të shkuar në Mekë, duke e kryer edhe haxhin. Më vonë, ata kthehen në në Damask, ku takohen edhe me një dijetar të madh nga Andaluzia, me Muhjidin Ibn Arebiun. Edhe ai, sikur edhe Attari, te Mevlana Rrumiu vërejti një njeri të madh madje ia dha udhëzimet e para në sufizëm.[19]
Pas Damaskut, familja udhëtoi për në qytetin Larend, ku mbeten për shtatë vjetet vijuese.
Zhvillimi fiziko-shpirtëror i Mevlana Rrumiut
Në vitin 623 h./1226 Mevlana Rrumiu u martua me zonjën Xhevher në moshën e tij 19 vjeçare. Nga kjo martesë kishte dy djemë, Sulltan Veledin dhe Alauddin Çelebiun.[20] Pas vdekjes së gruas së parë Mevlana u martua me gruan e dytë, Kira HAtun, me të cilën kishte djalin Emir Alim dhe vajzën Melike.[21]
Shumë shpejt Mevlana Rrumiut i vdiq nëna dhe vëllai i vjetër. Kjo i solli dëshpërim. Por, në këtë kohë ndodhi një e papritur. Një delegacion i sulltanit selxhukian Alauddin Kejkubadi e vizitoi qytetin. Aty dëgjuan ligjërata mjaft tërheqëse. Pas raportimit te sunduesi i tyre edhe për këtë rast, sunduesi e ftoi Behaudinin dhe tërë familjen e tij në Konjë, ku iu bë pritje madhështore. Sunduesi i vendosi ata në pallatin e tij, ku qëndruan përgjithmonë. Aty e kreu detyrën e myftiut dhe muderrisit dhe formoi në rreth të gjerë simpatizantësh. Mirëpo, së shpejti Behauddini, “Mbreti i dijetarëve”, në vitin 628 h./1230 vdiq në Konjë.[22]
Kur i vdiq babai, Mevlana Rrumiu kishte vetëm 23 vjet. Krahas gjuhës arabe dhe persiane e mësoi edhe gjuhën greke. Përkundër kërkesave të simpatizuesëve dhe miqve, Mevlana Rrumiu nuk e zuri postin e babait.
Në vend të postit ai u dha pas mësimeve sufiste nga nxënësi i babait të tij shejh Burhanuddin Muhakkik Tirmidhiu. Mësuesi i ri ishte i fascinuar me dijen e tij por i sugjeroi që me të ta kalojnë njohjen e halit (gjendjen shpirtërore) dhe fuqinë e oratorisë. Kjo gjendje mësimi e aftësimi zgjati dhjetë vjet. Kur Mevlana Rrumiu bëri 33 vjet e zuri postin e babait të tij. Mënyra e shpjegimit të tij në atë kohë ishte kryesisht me dije te jashtme (ilm’ul-dhahir). Thuhet se nga shejh Burhanudini, nga fundi i shoqërimit të tyre, mori autorizimin për irshad[23], vërtetimin e shkruar (ixhāza) se është pjekur për shejh.[24]
Periudhën vijuese Mevlana Rrumiu e kaloi si profesor, duke ligjëruar fikhun të Medresenë Altun-Aba.[25] Me një rast, deri sa kthehej nga medreseja u takua me një mik me emrin Shemsi Tabrizi, emri i plotë i të cilit është Shemsuddin Muhammed ibn Alij ibn Malek (i lindur rreth 1180). I biri i Mevlana Rrumiut, Sulltan Veledi e përshkruan si ”njeri të ditur dhe të urtë, elokuent dhe të formuar.” Shemsi Tabrizi pasonte medhhebin shafi’it, por shprehej me pietet edhe për Ebu Hanifen.[26] Ka studiuar edhe tesavufin, madje në nivele të larta. Si njohës i mirë i ilm’ul-batinit (dijeve të brendshme) ai ndikoi te Mevlana Rrumiu, madje aq shumë sa i braktisi ligjëratat në medrese, për t’iu përkushtuar jetës asketike dhe qëndrimit me Shemsi Tabrizin. Kjo gjendje i preki djemtë e Rrumiut, nxënësit e tij por edhe qytetarët, të cilët u ankuan te sunduesi kundër Shems Tabrizit, që ai të largohet nga Konja.[27] Në këtë gjendje, Shemsiu u largua nga Konja dhe u vendos në Damask. Në këtë qytet u njoftua me Shejh’ul-Ekber Muhjidin Ibn Arebiun.[28]
Në anën tjetër, Mevlana Rrumiu në Konjë ra në dëshpërim të thellë nga largimi i mësuesit të tij shpirtpëror, u izolua nga jeta dhe nuk shkonte në medrese. Për ta shmangur këtë gjenje, Sulltan Veledi shkoi në Damask dhe e ftoi Shemsi Tabirzin që të kthehet. Madje i dërgoi dhurata nga nxënësit, si shenjë e kërkim faljes. Në maj të vitit 1247 Shemsiu u kthye në Konjë.[29] Sërish më vonë, nën trysninë e miqve të Rrumiut, Shemsiu do të largohet nga Konja duke mos lëpnë gjurmë dhe për mos ta gjetur kurrë më. Ka mendime se Shmsiu edhe është vrarë. Kjo ndodhi në vitin 645 h./1247.[30]
Nëse do t’i bëhet një analizë e thellë mendimeve të Mevlanës mund të vërehen ndikimet religjioze, etike dhe filozofike të El-Gazaliut, Attarit, ndoshta edhe të Ibn El-Arebiut,[31] por edhe të autorëve të tjerë, që është normale për një intelektual të këtillë. Këtë bukur e shpreh autori jonë dr. Metini: “Ilustrimet e ndryshme të dhëna nga ana e Mevlanës në lidhje me dijen, njohjen, Zotin, gjithësinë prezantojnë një teozofi dhe një sistem të posaçëm teleologjik e artistik-filozofik i cili rrënjët i ka në traditën e bujshme filozofike-artistike të lindjes dhe antikës, kurse degët i zgjaten deri te një numër i madh i sistemeve mendore dhe artistike të mesjetës dhe kohës së re.”[32]
Ngushëllimi në diktimin e Mesnevisë
Mevlana Rrumiu pati disa ngushëllime gjatë jetës së tij. Nuk do t’i përmendim të gjitha, por do të ndalemi në ngushëllimin e njohur si: diktimi i veprës së tij të famshme, Mesnevisë. Këtë e bëri me anë të Çelebi Husamedinit për dhjetë vjet. Mendohet se Mevlana Rrumiu vetëm pjesën e parë të veprës (Fatihat’ul-Mesnevi) e ka shkruar vetë. Pjesët tjera i ka shkruar Çelebi Husamedini.[33]
Nëse i bëhet analizë jetës së tij, do të dallojmë pesë faza të jetës:
- Arritja e dijeve fillestare (deri në vdekjen e Behaudinit);
- Ecja me sejrus-suluk[34] dhe pjekja për shejhun (deri në vdekjen e Burhanuddinit);
- Pjekuria e trefishtë në kemalijjat (deri në vdekjen e Shemsiut);
- Pikëllimi për Shemsiun nëpërmjet semâ-dhikrit (deri në vdekjen e Salahuddinit) dhe;
- Pikëllimi për Shemsi Tabrizin në Mesnevi (deri në vdekjen e Mevlana Rrumiut).
Veprat e Mevlana Rrumiut
Si person i gjallë, dinamik dhe meditativ, Mevlana Rrumiu i la botës intelektuale disa vepra poetike dhe prozaike. Ai ligjëroi, predikoi, mbajti hutbe, këshilloi. Të gjitha këto, ai i shkroi në një mënyrë të veçantë, impresionuese. Veprat e tij nuk i impresionuan vetëm muslimanët e kohës së tij, por edhe deri sot ato janë tërheqëse. Por, ato e impresionuan edhe lexuesin e jashtëm, jomysliman. Orientalistët qysh herët e identifikuan veprën e Mevlanës dhe përkthyen sidomos Mesnevinë. Ajo u përkthye në shumë gjuhë botërore, si në anglisht, gjermanisht, frëngjisht. Këtë bukur e shpreh intelektuali ynë i njohru F. Shehu: “» RUMI
Vepra e Xhelaluddin Rumiut, paraqet akt dhe më shumë se akt, njohje dhe më shumë se njohje, art dhe me shumë se art, andaj vetëm ballafaqimi sipërfaqësor me gjithë teurgjinë e tij nuk do të mjaftonte…”.[35]
Divani kebir ( دیوان ). Divani kebir ose Divani i madh përmban gazele, rubaia (katrene) etj. Është vepër e madhe dhe përmban rreth 40 kupletesh (dyvargjshesh) dhe 21 divanesh. Është në gjuhën greke dhe turke. Ekzxiston bindja se këtë vepër e shkroi me nismë të Husamudin Çelebiut etj. Në këtë vepër ka përdorë pseudonimin Shemsi, në shenjë të respektit për të, prandaj edhe vepra gjendet me emrin Divan- Shemsi-i Tabrizi.
Masnevia e Mevlâna Rrumiut (1278);
Tyrbeja në Konjë, Turqi
Mesnevi ( مثنوی معنوی ). Mesnevia është kryevepër sufiste-didaktike, me gjashtë vëllime me rreth 26 mijë kupletesh, ku trajtohen tema fetare, filozofike, moralo-etike dhe shoqërore. Është vepër edukative poetike. Sipas poetit Robert Bly, Rumiu me Mesnevinë “në mënyrë mjaft të suksesshme e ka konceptuar dhe formuluar dimensionin fizik dhe metafizik të shoqërisë.”[36] Kjo vepër është lexuar nga muslimanët dhe të huajt, është përkthyer në gjuhë të shumta kurse nga viti 2010 edhe në gjuhën shqipe nga botuesi ynë i njohur Logos-A nga Shkupi.
Fihi ma fihi ( فیه ما فیه ). Fihi ma fihi (Gjëja brenda gjësë, Mbi atë që është brenda[37]) përfshin shënimet nga ligjëratat e Mevlana Rrumiut. Vepra reflekton jetën, bindjet e tij por edhe të kohës. Një pjesë e veprës është shkruar në persisht, kurse pjesa e mbetur në arabisht.
Mexhalisi seb’a ( مجالس سبعه مواعظ ). Mevaidhu mexhali’s-seb’a (Shtatë kuvende) është vepër që përmban predikime të Mevlana Rrumiut nëpër xhami dhe ka shtatë kapituj, të shkruara si shënime nga nxënësit e tij.
Mektubat (مکتوبات ). Mektubat (Letrat) është vepër që përbëhet nga letrat që i ka shkruar dhe dërgar shtetasve dhe personaliteteve me rëndësi të kohës së tij.[38]
Theksohen edhe disa vepra të tjera, por megjithatë mund të konkludohet se ato janë atribuime të paqëndrueshme.
Idetë kryesore të Mevlana Rrumiut
Është vështirë të shtrohet një prerje sistematike e ideve të Mevlana Rrumiut. Por, në parim, mund të thuhet se themelet e botëkuptimit sufist Mevlana Rrumiu i ka pasur në: mendësinë asketike të Belhit, në botëkuptimin e vahdeti-vuxhudit të Andaluzisë dhe sintezën organike të tyre me dashurinë hyjnore të frazuar në poezinë teozofike të Horasanit.[39]
Ai nuk është filozof, madje ai e kritikon filozofinë si të padobishme. Ai nuk është poet në kuptimin klasik, madje ka pohuar se e urren rimën dhe shkathtësinë poetike. Për veten thotë se është dashamir i pasionuar në Zotin dhe se ndjenjat e tij i manifeston në mënyrë poetike, jokonvencionale, vullkanike, duke krijuar kështu një stil i cili është unikal në tërë letërsinë persiane.[40]
Ai e kritikon filozofinë për nënshtrimin e tyre ndaj dialektikës dhe logjikës, paaftësisë së tyre të kundrimit të njëmendësisë shpirtërore. U mungon kuptimi për mbishiqësoren që ta mësojnë atë që e shpallin Toka, Flaka, Uji. U duhen mjete dhe dëshmi. Fare nuk e kuptojnë mësimin mbi Imagjinatën vepruese dhe tërë atë që varet prej saj e konsiderojnë fantazmë homerike.[41] Disa dijetarë, duke mos gjetur shprehje përkatëse për ta identifikuar Mevlana Rrumiun, thonë se ai është “një lloj i Platonit islam, filozofit të religjionit, i cili ka origjinalitet dhe invencion. Respektivisht, drejtimi i tij do të mund të quhej një lloj botëkuptimi neoplatonist-islam, meqë bosht i të gjitha meditimeve dhe përsiatjeve të tij është Zoti Një dhe i Vetëm, nga i cili do gjë ka emanuuar dhe çdo gjë në dashuri sërish i kthehet.[42]
Në anën tjetër, tema më relevante në shkrimet e Mevlana Rrumiut është Zoti, njeriu, krijimi, kjo botë dhe bota tjetër, engjëjt, të dërguarit e Zotit, e mira dhe e keqja etj.[43]
Në përgjithësi, shkrimet e Mevlanës i përkasin “degës së filozofisë morale apo etike, vlera e saj nuk është spekulative por praktike, kurse synimi kryesor i tyre është kalimi në gjendjen e lumturisë t’i shpie ata të cilët sot vazhdojnë jetën e mjerë të njeriut”[44], kurse Rrumiu na paraqitet si udhëzues i përkyer shpirtëror, i dhënë përsosurisë së tjerëve dhe ofrimit të asaj që më së shumti i përgjigjet nevojave të tyre, si për sfidantin e ri ashtu edhe për pasuesin besnik.[45]
Edhe pse Mevlana Rrumiu krijoi një botë të jashtëzakonshme, fantastike dhe të papërsëritshme të mendimit poetik, megjithatë për të poezia ishte mjet e jo synim, mjet për përhapjen e idesë dhe instrument për zgjimin e shpirtit njerëzor. Prandaj, edhe ai shpesh nuk i përmbahet refinitetit të formës, përsosjes së arkitekturës së vargut, por kuptimit.[46] Ai i kushton rëndësi fjalës, duke e theksuar fuqinë e saj të paimagjinueshme, e cila mund të bëjë ndryshime që nuk i bënë arma.
Vdekja e Mevlana Rrumiut
Pas sundimit të Alauddin Kejkubadit gjendja te Selxhukët filloi të degjenerojë në prishjen e rendit dhe të qetësisë, në përçarje dhe probleme shoqërore. Kjo atmosferë e goditi edhe Mevlana Rrumiun. Trupi i tij çdo ditë e më shumë rrënohej dhe i dorëzohej sëmundjes. Mirëpo, ai vdekjen nuk e kuptonte si diç tragjike, por si takim me të dashurin, kthim në besëlidhjen primordiale dhe shpëtim prej tëhuajësimit.[47]
Kështu, ai do të ndahet nga kjo botë 5 xhumad’el-ahir të vitit 672 h. / më 17 dhjetor 1273. U varros pranë varrit të babait të tij në Konjë. Iku nga kjo botë për t’u takuar me shumë miq në botën tjetër. Mevlana Rumiu la pas vetes edhe tarikatin mevlevij, edhe pse ai nuk e formoi tarikatin, por këtë e bëri i biri i tij Sulltan Veledi sipas frymës së mësimeve të tij.[48] Varrimin e tij e përjetuan të gjithë, të vegjël e të mëdhenjë, kështu që shumë prej tyre morën pjesë në ceremoninë e varrimit, madje edhe shumë jomyslimanë të vendit. Natën e vdekjes së Mevlanës mevlevinjtë e quajnë Shebi-arus / Nata e dhëndërisë. Gjatë historisë këtë natë e celebrojnë në mënyra të ndryshme.[49]
Në Jeshil Tyrbe, ku është varrosur Mevlana, qëndron i shkruar ky epitaf:
"Kur të vdes, mos e kërkoni varrin në tokë, por e gjeni atë në zemrat e njerëzve."
Mësimet e Mevlana Rrumiut pas vdekjes së tij
Çdo ndryshim sjellë rrethana të tjera, kështu që edhe vdekja e Mevlana Rrumiut solli rrethana që ndryshme në doktrinën e tij. Tashmë kemi theksuar se Mevlana Rrumiu nuk e formoi tarikatin, por i dha ideologjinë. Këtë e bëri i biri Sulltani Veledi, i cili kishte aftësi të mëdha organizative. Ai gjithashtu u kujdes që me aparatin shtetëror të sigurojë kushte materiale por edhe përkrahje politike. Ndihma më e madhe ishte sigurimi i vakëfeve në emër të tarikatit. Po ashtu, në faza të ndryshme filloi edhe shtrirja fizike e tarikatit, duke u shtrirë në afërsi të qendrës, e pastaj edhe më gjerë që në kohën e shekullit XV tarikati ta merr formën e plotë sa i përket traditave, parimeve dhe ritualeve.[50]
Në pamundësi që të lëshohemi në hollësi, do të theksojmë se në aspekt të zbatimit të parimeve sheriatike, mësimi i Rrumiut pas vdekjes së tij identifikoi dy krahë:
- Krahu i Veledit, i cili ndiqte në përpikëri normat sheriatike dhe parimet e aspektës, menifestonin shenja devotshmërie dhe;
- Krahu i Shemsiut, i cili nuk kishte konsideratë ndaj rregullave sheriatike dhe ndiqte interpretimet ezoterike.[51] Ky grup ishte në korrelacion me bektashinjtë, patën huazuar disa zakone të tyre, kultivonin disa prirje alevite dhe nuk brengoseshin për pirje alkoolike etj.[52]
Këto dy rryma me variacione të ndryshme do të vazhdojnë edhe më tej, por megjithatë nuk mund të thuhet se janë dy shkolla mendimesh, me specifikat e tyre metodologjike, ideore etj.
Po ashtu, nuk duhet harruar se tarikati mevlevij në aspektin strukturor ka pasur disa shkallë, të cilat arriheshin me angazhim e merita:
- Muhibb-i (ai që dashuron) - është pjesëtar i një shehu, personi që bënë sama’ dhe mban kapelën mevlevite (sikka);
- Dede-ja (ose dervish) - është personi i cili e ka përfunduar shërbimin dhe aftësimin prej 1001 dite në dergjah (teqe).
- Shejh-u (plaku, prijësi, lideri) – është personi që e ka marr ixhazet-namen nga ndonjë shejh dhe e përfaqëson pir-in.
- Halifi (Zëvendësi) - është dervishi i pjekur dhe me përvojë i cili e plotëson vendin e zbrazët të shejhut. Shejhët të cilët nuk janë sejjid (pasardhës të Pejgamberit Muhammed) bartnin saruk (kapelë) të bardhë, sejjidët bartnin saruk të gjelbër, kurse halifët bartnin saruk të mbyllur, zi-kaltër.
Këtu përmendet edhe një ceremoni e quajtur “Ayin-i cem”, e cila zgjaste nga akshami deri në sabah, gjatë së cilës kohë pihej dhe hahej, recitohej poezi, vallëzohej dhe bëhej muzikë. Ceremonia përmbyllej me një fatiha (suren e parë kur’anore).[53]
Përfundim
Mevlana Rrumiu është mendimtar, poet e sufi i madh, i cili edhe për së gjalli por edhe për së vdekuri ndikoi te shumë individë dhe grupe shoqërore. Në gjeografinë muslimane do të gjeni pak persona që kanë zgjuar interesimin e të tjerëve për të siç ka zgjuar interesim Mevlana Rrumiu. Shekujt XII-XV janë periudha kur ky rend u formua dhe u strukturua, u sistemuan ritet (adabet) dhe parimet (erkanet), kurse Konja ka qenë qendra kryesore e rendit. Nga aty edhe qendrat e tjera muslimane, të interesuarit në to do të marrin atë që u duhej. Tarikati Mevlevij do të zë një vend të rëndësishëm në shoqërinë osmane thuajse gjatë tërë kohës, deri në ditët e sotme. Ky ndikim do të shtrihet edhe në tokat shqiptare dhe në Ballkan në përgjithësi.[54]
Rëndësinë e emrit dhe veprës së tij e çmojnë edhe të tjerët, si UNESKO, e cila në vitin 2006, me rastin e 800 vjetorit të lindjes, viti mars 2006 - mars 2007, u shpall viti Ndërkombëtar i Rumiut, kurse vallja (sama) e tij u fut në listën e trashëgimisë kulturore botërore. Praktikisht, rëndësia e veprës së tij shihet edhe nga fakti se gjatë vitit 1995 poeti amerikan Coleman Barks publikoi një përzgjedhje të veprave të Rrumiut dhe nga një autor shumë pak i njohur Rrumiu u bë njeriu i dytë më i lexuar në Amerikë (pas W. Whitmanit).[55]
Shtojcë:
Disa fragmente nga veprat e Rumiut:
Në shtratin e vdekjes
Shko, puqe kokën tënde mbi nënkresë, më braktis;
më lër vetëm të shkatërruar, të lodhur nga udhëtimi
i kësaj nate, i përpëlitur në një ethe pasioni deri në sabah.
O qëndro dhe bëju falës
ose nëse do, ji mizor dhe largohu
Fluturo prej meje, larg shqetësimit;
merr rrugën e sigurisë, larg këtij rreziku.
Ne jemi rritur në këtë qoshe të zisë
duke rrotulluar rrotën e ujit me një rrëke lotësh.
Ndërsa një tiran me zemër guri therr, dhe
askush nuk i thotë”gatitu të paguash paratë e gjakut”
Besimi tek mbreti vjen lehtë në kohë të dashura,
po qëndro besnik dhe duro tani, dashnor i zbehtë.
Nuk ka kurim për këtë dhimbje, pos vdekjes.
Në një ëndërr natën e kaluar pashë
një burrë plak në kopshtijen e dashurisë
duke ma bërë me dorë, duke më thënë “Avitu”.
Në këtë shteg, Dashuria është smeraldi,
e gjelbra e bukur që largon kucedrat,
mjaft, jam duke e humbur veten.
Nëse je njeri që mëson, lexo ndonjë gjë klasike,
historinë e mundimit njerëzor dhe mos u kënaq
me vargje mediokre.
Bismil-lahi
Është zakoni yt të ecësh ngadalë prej vitesh mban një brengë.
Kaq i rëndë, si mund të jesh i thjeshtë?
Me kaq shumë fije, si pret të arrish ndokund?
Ji i gjerë si ajri të mësosh një të fshehtë.
Deri tash, je pjesë të barabarta argjile dhe uji, baltë e trashë.
Abrahami mësoi si dielli dhe hëna dhe tërë yjet janë vënë.
Ai tha nuk do t'i shoqëroj më shokë Zotit
Jemi kaq të dobët. Dorëzoju hirit.
Oqeani kujdeset për secilën valë
derisa mbërrin në breg.
Ke nevojë për më shumë ndihmë sesa kujton.
Po përpiqesh ta jetosh jetën tënde në një skelë
thuaj Bismil-lah, në emër të Zotit,
siç bën imami me një thikë kur bën kurban kafshën
Bismil-lah thuaj vetes së vjetër
për të gjetur emrin tënd të ri.
Ghazal 441
Tregoje fytyrën Tënde, sepse kopshtijat dhe trëndafilnajat janë ato që dua.
hapi buzët e Tua, sepse mjalti i bollshëm është ajo që dua.
Diell i bukurisë, dil për një moment jashtë prej resë, sepse
ai shkëlqim dhe ai nur është ajo që dua.
që prej ajrit tënd dëgjova tingullin e një daulleje; U ktheva
sepse parakrahu i sulltanit është ajo që dua.
Ti the gjithë kapricio, “Mos më shqetëso më, zhduku!”
Ajo e thënura jote “Mos më shqetëso më!” është ajo që dua.
Edhe refuzimi yt, “Zhduku, mbreti nuk është në shtëpi”
dhe mendjemadhësia dhe egërsia e portierit, janë ato që dua.
Në dorën e cdokujt që ekziston ka metal bukurie
ajo gurore hijeshie dhe ajo minierë janë ato që dua.
Kjo bukë dhe ky ujë i rrotës së qiejve janë si një rrëke
tradhëtare. unë jam peshku, Omani është ajo që dua.
Po qaj si Jakubi, ah! ah! fytyra e dëlirë e Jozefit të Kanaanit është ajo që dua.
Pasha Allahun, pa ty ky qytet është një burg për mua;
Endem jashtë, mali dhe shkretëtira janë ato që dua.
Zemra ime është e shqetësuar prej këtyre bashkëudhëtarëve
shpirtdobët; Luani i Zoti dhe Rustam-i Dastanit janë ato që dua.
Shpirti im është i sëmurë prej Faraonit dhe tiranisë së tij; nuri i
fytyrës së Musës, të birit të Imranit është ajo që dua.
Jam i lodhur nga këta njerëz të përlotur, të mbushur me ankim;
ai ankim i fryrë dhe i zhurmshëm i këtyre pijanecëve është ajo që dua.
Jam më i rrjedhshëm sesa bilbili, por prej zilisë vulgare
një vulë kam në gjuhë, dhe të ankuarët është ajo që dua.
Mbrëmë, sheikhu përshkroi gjithë qytetin, me një llambë në dorë
duke thirrur “jam i lodhur prej kafshës dhe djallit, një njeri kam dëshirë(të gjej)”
Ata thanë, “Ai nuk gjendet, edhe ne kemi kërkuar”. Ai u gjegj
“Atë, të cilin nuk mund ta gjejmë, atë dëshiroj (të gjej)”
Ndonëse jam pa asnjë kacidhe, nuk do ta pranoj një kornelion
të vockël, pasi ai kornelion i rrallë i cmuar është ajo që dua..
I fshehur prej cdo syri, dhe të gjithë gjërat janë parë prej Tij -
ai, i Fshehuri, i shpallur nëpër aktet është ajo që dua.
Gjendja ime ka shkuar përtej cdo dëshire dhe malli; prej
minierës dhe vendit të elementëve është ajo që dua.
Veshi im e dëgjoi përrallën e besimit dhe u deh; ku është pjesa
e shikimit? Forma e besimit është ajo që dua.
Në një dorë kupa e verës, në tjetrën kacurreli i të Dashurit -
të vallëzoj kështu, në mes të sheshit, është ajo që dua.”
Violina thotë “Jam e vdekur prej të priturit; dora, fundi dhe harku
i Uthmanit është ajo që dua.”
Jam njëherazi violina e Dashurisë, dhe Dashuria është violinisti;
ky nder i të luajturit prej të GjithëMëshirëshmit është ajo që dua.
Rapsod dinak, numëroje kusurin e kësaj ode në këtë mënyrë
sepse në këtë mënyrë kam dëshirë.
Tregoje fytyrën tënde prej lindje, Diell i Krenarisë së Tabrizit;
Jam zogu kryekurorë, prania e Solomonit është ajo që dua.
Ghazal 1919
Kjo është dashuri: të fluturosh në qiell, cdo cast të grisësh qindra vello;
Së pari, për t'u shkëputur nga fryma - hapi i parë për të hequr dorë nga këmbët
Të heqësh dorë nga kjo botë, të shohësh vetëm atë që ti vetë ke parë
Unë thashë, “Zemër, urime që hyre në rrethin e të dashurve,
mbi të parët përtej kutit të syrit, mbi të vrapuarit në luginën e kraharorëve.”
Prej nga erdhi kjo frymë, O zemër? Prej nga erdhi kjo rrahje, O zemër?
Zog, fol me gjuhën e zogjve: Unë do i jap vëmendje kodeve tuaj
Zemra tha: Isha në punishte, ndërkohë që shtëpia e ujit dhe argjilës po piqej.
“Po fluturoja prej punishtes ndërsa punishtja po krijohej”
“Kur nuk rezistoja dot më, ata më tërhoqën zvarrë;
si mund ta them se si më tërhoqën?”
Poemat e Dasmës
Bekimet që rrjedhin në çdo dasëm
u bashkofshin, O Zot, në dasmën tonë!
Bekimet e Natës së Kadrit,
muajit të agjinimit
iftarit
bekimet e takimit te Ademit me Havanë
bekimet e takimit të Jozefit me Jakubin
bekimet e këqyrjes në parajsë të të gjithë vendeve
dhe më, një bekim tjetër që nuk vendoset me fjalë:
shpërndarjen e frutshme të gëzimit
të fëmijëve të Shayakut
dhe pleqve tanë!
Në shoqërimin tonë dhe gëzim
qofsh ti si qumësht dhe mjaltë
në bashkimin dhe besnikërinë,
njësoj si sheqeri dhe hallva
Bekimet e atyre që ngrejnë dolli
dhe atij që shtin verën
pagëzofshin atë që tha Amen dhe
atë që bëri lutjen.
Kjo martesë - Ode 2667
Qoftë e bekuar kjo martesë e këto betime
Qoftë si qumështi i ëmbël,
kjo martesë, si verë dhe hallvë.
Dhëntë kjo martesë fruta dhe hije
si palma e hurmës.
Qoftë kjo martesë plot me të qeshura,
çdo dite, një ditë në xhennet.
Qoftë kjo martesë një shenjë dhimsurie,
një vulë gëzimi këtu dhe pas kësaj.
Pastë kjo martesë një fytyrë të dëlirë dhe një emër
të mirë, një fatbardhësi si mirëpritje,
si hëna në qiellin e kaltër e të pastër.
Jam pa fjalë të përshkruaj sesi shpirti
më troshollitet në këtë martesë.
Martesa në mesditë
A e di vëlla, se je një princ?
një bir i Ademit. Dhe ajo shtrigë e Kabulit
e cila të mban me ngjyrën dhe parfumin e saj
është bota?
Thuaji fjalët, kërkoj strehë
tek Zoti i Mesditës.
Shmange frymëmarrjen e nxehtë që të mban lidhur
me të. Ajo fryn frymë mbi nyje dhe askush
nuk mund t'i zgjidhë.
Ndaj erdhën profetët.
Shih për ata, fryma e të cilëve është e freskët
kur ata marrin frymë mbi nyje, ato lëshohen.
Gruaja e vjetër e botës të ka shtënë ty në rrjetën e saj
për gjashtëdhjetë vjet.
Frymëmarrja e saj është fryma e zemërimit të Zotit.
Por mëshira e Tij ka më shumë fuqi.
Mëshira është përpara zemërimit.
Ti duhet të martohesh me shpirtin tënd.
Ajo martesë është rruga.
Bashkimi me botën është sëmundje.
Por është kaq e vështirë të ndahesh nga këto forma!
Nuk ke durim sa duhet të heqësh dorë?
Po si ke durim të mjaftueshëm të bësh pa Zotin?
Nuk mund të heqësh dorë nga pija e errët e dheut?
Po si mund të mos pish nga ky burimi tjetër?
Ti sheqtësohesh, thua, kur nuk pi prej
fermentimit të botës. Por nëse për një cast
të shihje bukurinë e ujit të qartë të Zotit
do të mendoje se është lëng plot balsam.
Afërsia me të Dashurin është nuri i jetës tënde.
Martohu me të Dashurin.
Lëre gjembin e egos
të rrëshqasë prej shuallit të këmbës.
Sa ]lirim të jesh bosh!
E që Zoti më pas të të japë jetë.
Kur qëndron i lidhur pas mëndjes dhe dëshirës, ngecesh
në baltë si një gomar pa sy.
Vazhdo t'i marrësh erë këmishës së Jusufit.
Mos u kënaq me dritën e marrë borxh.
Lër të shkëlqejë fytyra dhe vetulla jote në bashkim me Të.
Nata e martesës
Ditën që do të vdes, shtroja ime do të vazhdojë
por mos mendoni se zemra ime është ende mbi dhe!
Mos vajtoni dhe mos më mëshironi: “ah sa keq, sa mjerë!”
do të bini në kurthin e djallit - ah sa keq, sa mjerë.
mos qani “Ah, iku!” në varrimin tim -
pasi për mua kjo është një kohë e takimit të gëzuar
mos thoni “Lamtumirë” kur të më shtini në varr -
një perde është për bekimin e përjetshëm.
Ju e patë “të zbresë” - tani shiheni të ngrihet
A është agu dhe perëndimi të rrezikshëm për hënën e diellin?
Juve ju duket si rënie, por është ngritje;
qefini duket si burg, por do të thotë liri.
Cila farë ra në tokë dhe nuk mbiu aty?
pse dyshoni për fatin e farës së njeriut?
Cila kovë nuk erdhi pa u mbushur nga ujënaja?
Pse duhet Shpirti i Yusafit të ketë frikë nga ky pus?
Mbylleni këtu gojën tuaj dhe hapeni nga ana tjetër
ashtu që himnet tuaja të luhen në As-kurrë-tokën.[56]
Përktheu: Ummu Zejneb
Literatura:
- Azra Abadzic Navaey, Mevlanina misao: moguca paradigma za novi vijek, në: Behar, Zagreb, Kroaci, nr. 80-81/2007.
- Behar, Zagreb, nr. 80-81/2007, (sipas: http://www.scribd.com/doc/29497759/Behar-br-80-81 ).
- Cyril Glasse, Enciklopedija islama, Sarajevo, 2006, fq. 119.
- Dzemal Cehajic, Neke karakteristike ucenja Galaluddin Rumija …., në: Prilozi za orijentalnu filologiju, XXIV 1974, Sarajevo, 1976.
- Fahredin Shehu, Rumi, në: http://drejtesia.blogspot.com/2008/04/rumi.html (02.07.2011).
- Henry Corbin, Historia e filozofisë islame, I-II, Shkup, 1997.
- http://www.erasmusi.org/afisho_temat.php?f=132
- Jakup Shafak, Mevlana Xhelaluddin Rumi, Mesnevi, pjesa 1, Logos-A, Shkup, 2010.
- M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, 2, Zagreb, 1988, fq. 210.
10. Metin Izeti, Ethet e metafizikës, pa vit e vend botimi
11. Metin Izeti, Kllapia e tesavufit, Shkup, 2004.
12. Nerkez Smailagic, Leksikon Islama, Sarajevo, 1990.
13. Resid Hafizovic, Temeljni tokovi sufizma, Sarajevo, 1999.
14. Reynold A. Nicholson, Sufizam, Sarajevo, 2004.
15. Samir Beglerović, Hazreti Mevlana – rođenje, duhovno zrenje i preseljenje, në: http://www.znaci.com/osnovi_vjerovanja/tesavvuf/Hazreti-Mevlana--rodjenje-duhovno-zrenje-i-preseljenje--I-dio.html .
16. Selçuk Eraydin, Tesavvufi dhe tarikatet, Tetovë, 2001.
17. Sufizam (redaktorë: Darko Tanaskovic dhe Ivan Shop), Beograd, 1981.
[1] Pretendimi ynë me këtë shkrim është modest dhe ka për synim që në mënyrë sipërfaqësore të prekë disa segmente të jetës dhe veprës së teologut, sufistit dhe poetit të madh musliman e botëror, Mevlana Rrumiut. Shkrimi synon të trimërojë përpjekjet për një punë më serioze në gazetat e revistat tona.
[2] Jakup Shafak, Mevlana Xhelaluddin Rumi, Mesnevi, pjesa 1, Logos-A, Shkup, 2010, fq. 41.
[3] Shih: Selçuk Eraydin, Tesavvufi dhe tarikatet, Tetovë, 2001, fq.331. është botuar së pari në revistën boshnjake Behar, nr. 80-81/2007.
[4] Sipas: Samir Beglerović, Hazreti Mevlana – rođenje, duhovno zrenje i preseljenje, në: http://www.znaci.com/osnovi_vjerovanja/tesavvuf/Hazreti-Mevlana--rodjenje-duhovno-zrenje-i-preseljenje--I-dio.html . Ky shkrim është botuar së pari në revistën boshnjake Behar, Zagreb, Kroaci, nr. 80-81/2007, fq. 4-11 (sipas: http://www.scribd.com/doc/29497759/Behar-br-80-81 ). Resid Hafizovic, Temeljni tokovi sufizma, Sarajevo, 1999, fq. 155.
[5] Eva de Vitray–Meyerovitch, Rumi i sufizam, Sarajevo, 1995, fq. 6, sipas: Samir Beglerović. Resid Hafizovic, op. cit., fq. 155.
[6] Henry Corbin, Historia e filozofisë islame, I-II, Shkup, 1997, fq. 333.
[7] Khalifah Abdul Hakim, Xhelaludin Rumi, në: M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, 2, Zagreb, 1988, fq. 210. Dzemal Cehajic, po aty, fq. 93.
[8] Nerkez Smailagic, Leksikon Islama, Sarajevo, 1990, fq. 516. Shih silsilen e plotë: Dzemal Cehajic, po aty, fq. 93.
[9] Sipas: Metin Izeti, Kllapia e tesavufit, Shkup, 2004, fq. 114. Dzemal Cehajic, po aty, fq. 93-94.
[10] Halid Hadžimulić, po aty, fq. 9.
[11] Khalifah Abdul Hakim, po aty, fq. 211.
[12] Reynold A. Nicholson, Sufizam, Sarajevo, 2004, fq. 121-122; ose: Sufizam (redaktorë: Darko Tanaskovic dhe Ivan Shop), Beograd, 1981, fq. 167.
[13] Edhe polemikat Rrumi-Rrazi duken të paqëndrueshme nëse marrin datat e lindjes dhe mundësitë reale për një takim dhe polemicë të tillë. Shih: Nerkez Smailagic, po aty, fq. 516 dhe Henry Corbin, po aty, fq. 333. Krhs.: Khalifah Abdul Hakim, po aty, fq. 210.
[14] Khalifah Abdul Hakim, po aty, fq. 211.
[15] Khalifah Abdul Hakim, po aty, fq. 211.
[16] Halid Hadžimulić, po aty, fq. 9.
[17] Shih: Eva de Vitray–Meyerovitch, po aty, fq. 7. Gjithashtu: Dzemal Cehajic, Neke karakteristike ucenja Galaluddin Rumija …., në: Prilozi za orijentalnu filologiju, XXIV 1974, Sarajevo, 1976, fq. 85-86.
[18] Henry Corbin, po aty, fq. 333.
[19] Henry Corbin, po aty, fq. 333. Dzemal Cehajic, po aty, fq. 86.
[20] Eva de Vitray – Meyerovitch, po aty, fq. 8.
[21] Jakup Shafak, po aty, fq. 17.
[22] Khalifah Abdul Hakim, po aty, fq. 211.
[23] Irshādi, udhëzim në rendin e dervishëve, zgjimi i njeriut nga letargjia dhe neglizhenca, aftësimi i dervishit për udhëheqës për ashikët e tjerë, procesi i udhëheqjes dhe edukimit të muridit nga ana e shejhut murshidit. (Fejzulah Hadžibajrić, Mali rječnik, po aty, fq. 194.)
Murīdi, pjesëtar i tarikatit me betim. (Fejzulah Hadžibajrić, Mali rječnik, ibid., fq. 203.)
[24] Henry Corbin, po aty, fq. 334.
[25] Shih: Selçuk Eraydin, po aty, fq. 335.
[26] Franklin D. Lewis, Rumi: Past and Present, East and West, fq. 142 dhe 143.
[27] Henry Corbin, po aty, fq. 334. Dzemal Cehajic, po aty, fq.87.
[28] Franklin D. Lewis, po aty, fq. 149 dhe 150.
[29] Ibid.
[30] Dzemal Cehajic, po aty, fq. 87.
[31] Nerkez Smailagic, po aty, fq. 517.
[32] Metin Izeti, Ethet e metafizikës, pa vend dhe vit botimi, po aty, fq. 100.
[33] Fejzulah Hadžibajrić, Bilješke i komentari, në veprën: Mevlana Dželaludin Rumi, Mesnevija, Sarajevo, 1985, vëll I, fq. 217. Shih në: Samir Beglerović, po aty.
[34] Seyr-i sulūk, ecje (ecejake) në tarikat, mirësjellje. Fejzulah Hadžibajrić, Mali rječnik, po aty, fq. 209.
[35] Fahredin Shehu, Rumi, në: http://drejtesia.blogspot.com/2008/04/rumi.html (02.07.2011).
[36] Sipas: Metin Izeti, Ethet e metafizikës, pa vit e vend botimi, fq. 90.
[37] Disa autorë titullin Fihi ma fihi e kanë përkthyer si: Shenjat e të Padukshmit (Sings of the Unseem), Librei mbi të brendshmen (LE Livre du Dedans). Sipas: Resid Hafizovic, po aty., fq. 161.
[38] Jakup Shafak, po aty, fq. 18-20. Krhs.: Selçuk Eraydin, po aty, fq. 340-342. Nerkez Smailagic, po aty, fq. 517.
[39] Sipas: Metin Izeti, po aty, fq. 116. Selçuk Eraydin, po aty, fq. 342-243.
[40] Nerkez Smailagic, po aty, fq. 517.
[41] Henry Corbin, po aty, fq. 335.
[42] Dzemal Cehajic, po aty, fq. 88.
[43] Nerkez Smailagic, po aty, fq. 517-518.
[44] Reynold A. Nicholson, Sufizam, po aty, fq. 126.
[45] Reynold A. Nicholson, Sufizam, po aty, fq. 127.
[46] Reynold A. Nicholson, Sufizam, po aty, fq. 174.
[47] Selçuk Eraydin, po aty, fq. 340.
[48] Henry Corbin, po aty, fq. 335.
[49] Jakup Shafak, Mevlana Xhelaluddin Rumi, Mesnevi, po aty, fq. 17. Për idetë kryesore të Melana Rrumiut shih: Resid Hafizovic, po aty., fq. 155.
[50] Dzemal Cehajic, po aty, fq. 92-93.
[51] Metin Izeti, Kllapia e tesavufit, Shkup, 2004, fq. 116.
[52] Dzemal Cehajic, po aty, fq. 93.
[53] Dzemal Cehajic, po aty, fq. 97.
[54] Cyril Glasse, Enciklopedija islama, Sarajevo, 2006, fq. 119.
[55] Sipas: Azra Abadzic Navaey, Mevlanina misao: moguca paradigma za novi vijek, në: Behar, Zagreb, Kroaci, nr. 80-81/2007, fq. 12-13.
[56] Sipas: http://www.erasmusi.org/afisho_temat.php?f=132.