“Një popull që e harron historinë e tij është sikur endacaku që rri i brengosur në lagje dhe nuk e di prejardhjen e tij, andaj vetëm llomotit fjalë të pakuptimta për ta treguar atë.” (Poeti i madh Shevki)
“Studimi i historisë nuk është vepër vullnetare. Studimi i historisë është domosdoshmëri fetare dhe shoqërore me të cilën ngrihen popujt e gjallë.” (Shejh Muhammed El-Gazaliu)
Janë të shumtë ata që më kanë sugjeruar, kurse janë edhe më të shumtë ata që kanë kërkuar t’i shkruaj kujtimet nga jeta ime, e sidomos kujtimet nga periudha e burgut. Ata kanë marrë të drejtën dhe guximin ta kërkojnë një gjë të tillë nga unë për shkak të afërsisë intelektuale dhe shoqërore që kanë me mua, për shkak të koncepteve të përafërta që kemi për Krijuesin, botën dhe njeriun, për arsye se thuajse frymojmë njëjtë, ani pse me disa njihemi vetëm nga interneti.
Në parim pajtohesha me ta, por për shkak të disa faktorëve i shmangesha kësaj nismeje. Së pari, nuk jam tregimtar as letrar, apo individ i ndonjë gjinie të afërme dhe i shkrimeve të karakterit të tregimit, të rrëfimit; e qartë, për këtë lloj shkrimi nuk kam prirje.
Po ashtu, disi më duket jo fort e këndshme që jeta ime t’i shërbej dikujt si shembull imitimi apo krahasimi. Nëse e kemi parasysh faktin se njerëzit kanë koncepcione të ndryshme rreth njeriut, rreth botës së gjallë dhe jo të gjallë, të kësaj dhe të botës tjetër, është vështirë ta imagjinojmë se jeta e një njeriu mund t’i shërbejë njeriut tjetër si model për një jetë më të mirë e më të dobishme.
Nëse faktorëve të sipërm ia shtojmë edhe faktorin se shumë gjera për shkaqe personale, objektive-subjektive apo politike, edhe sot e kësaj dite duhet t’i heshti, atëherë kam drojë se mos edhe unë me jetëshkrimin tim dhe me pikëpamjet e mia intelektuale po i ndihmoj shtrembërimit të së kaluarës. Për më tepër që në shkrimet e këtij lloji do të vijë në shprehje edhe përdorimi i mjeteve stilistike dhe artistike. Të gjitha këto shkaqe më bëjnë të gjendem para dilemës serioze, të shkruaj apo jo!
Në anën tjetër, nëse unë apo nëse ne nuk flasim, nëse unë apo nëse ne nuk shkruajmë, këtë periudhë kohore me shkrime do ta mbulojnë ‘të tjerët’, që mbase janë edhe më të ngathët se ne, edhe më subjektiv se ne, edhe më të ligshtë se ne. Jemi dëshmitarë se ata madje nuk hezitojnë fare të shkruajnë histori sipas shijes së tyre, sipas faktografisë së tyre, sipas koncepcioneve ideologjike të tyre. Andaj, shpesh lexojmë për një ngjarje krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur apo krejt ndryshe nga ajo ku edhe vetë jemi dëshmitarë.
Pikërisht për këtë arsye, pikërisht me synim që të vërtetën ta mbrojmë aq sa mundemi, vendosa t’i shkruaj disa shkëputje nga jeta ime, nga fëmijëria e deri sot. Sado rrëfimi të jetë i zbehtë, sado rrëfimi të jetë jo fuqishëm i shprehur, përshkrimi i jetës nën diktaturën e shtetit serbo-jugosllav, përshkrimi i jetës nëpër burgjet e kësaj diktature sado-mazohiste është i dobishëm dhe borxh moral ndaj Allahut, të vërtetës dhe drejtësisë. Po ashtu, është borxha moral edhe ndaj atyre që kanë pësuar, vuajtur, humbur shëndetin së bashku me mua vetëm për shkakun se kanë ndier e menduar ndryshe, kanë besuar e folur ndryshe.
Nuk synoj që jeta ime dhe personaliteti im të bëhet dominues as nuk synoj që dija ime dhe njohuritë e mia për problemet e caktuara janë absolute. Nuk synoj as që ndonjë shkëputje e jetës sime të bëhet pikënisje për “ndonjë” njeri për t’iu qasur Islamit dhe traditës pozitive muslimane, sepse shembulli i mirëfilltë është te Muhammedi a.s.: “Vërtet në të Dërguarin e Allahut keni shembullin më të mirë.” (El-Ahzab, 21). Megjithatë, më në fund vendosa ta shkruaj këtë pjesë të jetës sime që ky popull të mësoj nga e shkuara në rast se historia përsëritet sepse, siç e thotë këtë Ibn Halduni, “e kaluara është më e ngjashme me të ardhmen se sa që është uji me ujin” (Fe’l-mâdî eshbehu bi’l-âtî min’el-mâi bi’l-mâi).
Natyrisht, në këtë rrëfim nuk do të përshkruhen të gjitha ndodhitë, as të gjitha ngjarjet që në rrethana të tjera do të meritonin të gjendeshin në libër. Disa gjera personale nuk do t’i shtroj sepse nuk mendoj se mund t’i shërbejnë dikujt. Ato janë interesante vetëm për një rreth të ngushtë njerëzish. Disa ndodhi të tjera nuk do të shtrohen sepse prezantimi i tyre do ta prekte jetën personale, të brendshme, private të disa njerëzve dhe, e di se, ata për këtë do të ndjeheshin keq. Ndonëse janë veprime të mira, megjithatë nuk ekziston dëshira e tyre të publikohen, duke u nisur nga porosia islame që “dora e lartë (që ndanë) është më e mirë se e poshtmja (se dora që pranon).” (Hadith). Disa gjera do të heshten edhe për shkaqe politike e sigurie, sepse publikimi dhe prezantimi i tyre do ta rrezikonte në njëfarë mënyre sigurinë time dhe të bashkëpunëtorëve të mi. Rrethanat politike dhe shoqërore janë ato që nuk e favorizojnë të vërtetën e mirëfilltë.
Po ashtu, disa gjera nuk do të rrëfehen, sepse nuk kam pasur mundësi t’i ruaj të gjitha të dhënat për periudhën e burgut. Në të vërtetë, pata bërë ca shënime të shkurtra dhe i pata ruajtur, por transferimi nga Burgu i Dubravës në Istog në Burgun e Zajeçarit në Serbi m’i humbi të gjitha shënimet, të gjitha gjurmët. Të gjitha plaçkat personale, rreth 30 libra profesionale që aktualisht i kisha në lexim, dy libra autoriale në dorëshkrim me rreth 800 faqe, shumë skeda, notesi me të dhënat kryesore si një lloj përkujtuesi si dhe ca rroba personale më mbeten në Burgun e Dubravës. Ato kurrë nuk m’u dorëzuan; kurrë nuk i gjeta.
Kjo s’do të thotë se rrëfimi që do të prezantohet këtu është i një vlere gjysmake dhe se kjo e vërtetë do të jetë më pak e argumentuar, përkundër faktit që do ta përmendi ndonjë datë apo ndonjë emër më pak. Kujtimet flasin nga një kënd ndryshe nga ai i shumë shkruesve të letrave, flasin nga këndi i neutralitetit politik e ideologjik, pa ngarkesa ideologjike, politike e komerciale. Mospërkatësia aktive në ndonjë parti politike, respektivisht qëndrimi në distancë kundrejt grupimeve ideologjike kosovare dhe në përgjithësi shqiptare ka ndikuar që të flasë nga këndi i vlerave e parimeve të mirëfillta e jo nga një kënd partiak a ideologjik. Nëse diçka është ‘heshtur’ nga jeta ime apo nga kujtimet e mia për qëllime fisnike, kjo ‘heshtje’ së paku nuk e ka shtrembëruar pjesën e mbetur të rrëfimit.
Jam i vetëdijshëm se të gjithë lexuesit nuk do të pajtohen me mendimet dhe pikëpamjet e shtruara. Të gjithë ne nuk i shohim njëjtë problemet e caktuara politike, nuk i perceptojmë njëjtë ndodhitë botërore, dhe kjo gjendje është normale. Në disa raste gjatë rrëfimit do të shkruhet për virtytet e ndonjë individi, por disa herë edhe për veset, ‘mëkatet’ e individit, të grupeve apo popullit në përgjithësi. Edhe ky vlerësim bartë rrezikun e subjektivitetit, por ky subjektivizëm është një vlerësim individual i autorit, sërish e theksoj, i padirigjuar nga partitë apo organizatat e caktuara me prapavijë politike e ideologjike. Jam përpjekur ta shprehi të vërtetën e vërtetë, herë-herë edhe me fjalë të hidhura, por të vërteta. Me fjalë të tjera, jeta ime e rrëfyer nëpërmjet këtij libri, është sikurse jeta edhe e çdo njeriu tjetër, është një gjurmim drejt identitetit vetjak, e ndërmarrë për të mirën individuale, familjare e më gjerë, me synim që t’i shërbej popullit tim të dashur, lirisë, drejtësisë dhe paqjes ndër ne.
Në fund të fundit, nëse kujtimet (memoaret) janë krijim letrar që sintetizojnë interesin historiko-shkencor me krijimin artistik, në të cilin përshkruhen veprimet shoqërore, politike, shkencore apo artistike të individëve dhe përsiatjet e tyre dhe ngjarjet në të cilat kanë marr pjesë në mënyra të ndryshme, e të cilat sillen ndërmjet synimit artistik deri te dëshira për sqarimin apo shthurjen e ngjarjeve, atëherë mendojmë se “Kujtimet” tona do të ndihmojnë sado pak.
***
Në fund të këtij Prologu dëshiroj t’ua shprehi falënderimet e mia të gjithë atyre që kërkuan, që këmbëngulën, që më dhanë kurajo t’i shkruaj këto kujtime, sado modeste qofshin. Dy njerëzit që më së shumti këmbëngulën t’i shkruaj Kujtimet ishin zotëri mr. Adnan Ismaili nga Shkupi, drejtor i SHB Logos-A, mik i vjetër dhe njeriu që barti një pjesë të madhe të barrës për familjen time gjatë qëndrimit në burg por edhe pas daljes nga burgu. I falënderohem edhe për leximin e vëmendshëm të dorëshkrimit të “Kujtimeve” dhe sugjerimeve të tij tejet të qëlluara. I falënderohem dhe zotëri dr. Xhemaludin Llatiq nga Sarajeva, profesor në Fakultetin e Shkencave Islame dhe dr. Ismail Bardhit nga Shkupi, që të dytë miqë të vjetër që nga vitet e 80-ta. Në këtë nismë kanë këmbëngulur edhe shumë miqë të tjerë, por do ta veçoj bashkëpunëtorin e mikun e vyeshëm nga Shkupi – zotëri Zekerija Ibrahimin dhe mikun e ri nga Shkodra, zotëri Mirsad Syljen, i cili duke shkruar një “Monografi” rreth jetës dhe veprës sime shkencore kërkonte të dhëna të ndryshme. Do ta veçoj edhe familjen time, kërkesën e bashkëshortes dhe fëmijëve që t’i shkruaj disa pjesë nga jeta e dhembshme e shkuar, si përkujtim për atë kohë por edhe si dëshmi kohe.
Për t’i ndihmuar me të dhëna zotëri Mirsadit dhe shumë miqve të tjerë, por edhe për ta përmbushur një obligim moral, human dhe intelektual ndaj të kaluarës kurse në shërbim të së ardhmes, iu përvesha punës që disa ndodhi e përshtypje vetjake t’i shkruaj në letër sipas ‘kantarit’ tim intelektual, perceptues dhe emocional. Në tërë këtë i jam shmangur ekzagjerimeve, fantazisë, imagjinatës. Jam përpjekur që rrëfimi të jetë afër përditësisë dhe realitetit, ani që është më pak ekzibicionist dhe senzacionalist.
Edhe këtyre, por edhe dhjetëra shokëve, miqve e lexuesve të tjerë që kërkuan t’i shkruaj kujtimet, iu falënderohem nga zemra. Zoti na udhëzoftë në rrugë të drejtë dhe na i faltë mangësitë.
Prizren
12. 08. 2008
Nexhat Ibrahimi