
“Ju shqiptarë fodullë e harrestarë”
Në fillimvitet e nëntëdhjeta ishte në trend të rreshtoheshe kundër myslimanërisë shqiptare dhe të bëje propagandë katolikofile në dëm të shumicës së shqiptarëve dhe në këtë vazhdë asokohe edhe Qosja për pak kohë sa nuk ishte bërë pjesë e flluskave të tilla por me kohë si duket ai pa realitet historike, kulturore dhe identifikuese të këtij konstelacioni dhe përderisa ai sqaroi gjerë e gjatë arsyet e këtij evoluimi të tij dhe joautenticitetin e fushatave të tilla, në anën tjetër Kadare jo vetëm që nuk pranon se ka ndërmarrë ndonjëherë gabime trashanike qoftë në çështjen e identitetit të shqiptarëve myslimanë por edhe të një dyzine gjërash të tjera, por vazhdon kështu këmbëngulshim të konsiderojë bashkëkombësit e tij si një turmë fodujsh harrestarë. Të gjithë njerëzit gabojnë por më i miri midis tyre thoshte profeti Muhamed është ai që pendohet. Ndërsa Kadare jo vetëm që nuk ka treguar asnjë shenjë pendese për bëmat e tij naive e kontraverze por edhe e mbron shenjtërinë e tij me çdo kusht duke të bërë me padashje të shohësh të pështirë gjithçka që sillet rreth emrit të tij. Duke qenë se në disa nga shkrimet e tij të fundit Kadare akuzon rëndë shqiptarët për mosdhënien e çmimit që po e pret nuk ke si të mos mendosh se syzheu i gjithë gallatës disavjeçare është Nobeli.Karta e parë me të cilin luajti në aferën e fitimit të Nobelit ishte disidentizmi. Përkundër disidentëve të vërtetë të cilët u fshikulluan, u dëbuan dhe u anatemuan nga regjimet, Kadare jo vetëm që ishte i përkëdheluri i regjimit por edhe për ta kulmuar këtë e shpalli veten disident me ikjen ne Francë në kohën kur përfundoi regjimi duke menduar se shqiptarët do të jenë kaq naiv sa të harrojnë veprimtarinë e tij politike dhe letrare në kohën e komunizmit. Ikja e tij në vitin 1990 de fakto donte të thoshte se ai po shfaqte mospajtim me rënien e regjimit dhe ngritjen e sistemit demokratik dhe të vetëquash vetveten disident në këto rrethana në vend që të ngazëllehesh që ra komunizmi është shaka me bisht. Karta tjetër e dështuar e tij ishte sindromi Salman Rushdi. Duke parë se sa në trend ishte të jesh antiislamik Kadare filloi një kryqëzatë të tmerrshme kundër shumicës së popullit të tij duke shpresuar se kjo do t’ia afronte çmimin e ëndërruar. Në një intervistë të tij tash vonë me Blendi Fevziun, Kadare rikujtoi një sugjerim të tij bërë Ramiz Alisë në vitin 1989 ku tekstualisht i propozonte diktatorit që për ta demokratizuar Shqipërinë në aspektin e fesë ai duhej të hapte kishat katolike dhe ato ortodokse në mënyrë që me kohë të zbehej identiteti i islamit shqiptar. E merrni me mend sa sugjerime demokratike! Në këtë intervistë ai e quajti këshillën e tij të atëhershme si një mendim të cilin historia e nxorri të gabuar, dhe kaq. Ti propozosh diktaturës në emër të demokracisë që ta shtypë qenësinë e pjesës më të madhe të kombit dhe pastaj ta arsyetosh këtë me vetëm një frazë gjysmake ku faktikisht as nuk shihet ndonjë shenjë e kërkim faljes ndaj popullit të tij është hipokrizi banale. Ky faktikisht ishte vetëm fillimi i luftës së tij kundër bashkëkombësve të tij myslimanë. Gjatë tërë viteve të nëntëdhjeta kishte deklaruar në një mori rastesh fobinë e tij poshtëruese ndaj myslimanëve shqiptarë duke pohuar se ata janë pakicë, se Evropa nuk i mirëpret ata përderisa nuk identifikohen si katolikë dhe duke e bërë të pistë çfarëdo lidhje të kulturës shqiptare me Islamin. Nuk do ta harroj e nuk do ta harrojmë një deklaratë të tij të dhënë për agjencinë Kosova Press se shumica e të arsimuarve të Shqipërisë janë të krishterë duke i nxjerrë për tuhafë dhe matufë bashkëkombësit e tij myslimanë. Është njëmend padrejtësi të përmendësh një deklaratë të tij në këtë aspekt dhe ta lesh tjetrën pa e treguar sepse secila është më neveritëse se tjetra. Të gjitha janë të ruajtura dhe të paharruara.
Dinamiti i Nobelit
Se sindromi i të fituarit të Nobelit prish karaktere dhe ta eksplodon çdo grimcë humaniteti në shpirt është vërtetuar më së miri në rastin e Kadaresë. Ismail Kadare gjatë këtyre tri dekadave të fundit ka tentuar që të qëndrojë mirë me secilin duke sharë në një kohë njërin e duke lavdëruar tjetrin në mënyrë që të krijojë imazhin e një superintelektuali që qëndron mbi të gjithë dhe mbi kohën me idetë e tij kinse largpamëse, varësisht si e kërkon vakti dhe moda. Kur ishte e modës të ishe pacifist paushall ai akuzonte UÇK-në për terrorizëm, kur populli e deshi veprimtarinë e tyre çlirimtare u ngut ti ngriste larg heroizmat e tyre, kur Ibrahim Rugova ishte i padëgjuar e jobindës e quajti babaxhane veprimtarinë e tij, kur ai u respektua e u ngrit e himnizoi ‘luftën’ e tij, kur komunizmi ishte superfuqi shqiptare ai ishte ati i tij më i madh intelektual, kur dështoi u ngut ta shkelte bukën e kuqe të ngrënë, kur e pa se Nobeli mund të fitohej me antiislamizma naive të tipit Rushdi nuk la të zezë pa thënë për bashkëkombësit e tij myslimanë, kur pa se në të njëjtin vit dy myslimanë e fituan Nobelin dhe se profecitë e tij satanike se në mijëvjeçarin e tretë shqiptarët do të gdhiheshin katolike dolën false, u ngut ta varroste veprimtarinë e tij qyqare ndaj kulturës së shqiptarëve myslimanë me dy tri deklarime gjysëmfjalëshe. Dhe këto as nuk ishin kërkim faljeje siç dinë të bëjnë njerëzit e mëdhenj por lot krokodili në mjedis të thatë. As që pritet të kërkojë falje dikush i zhytur në koprraci të tilla intelektuale. Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” të datës 12 Nëntor 2006 Kadare e quan abuzim sjelljen e deklarimit të tij nga libri “Nga një dhjetor në tjetrin” se komunizmi kishte të mirë ngulfatjen e Islamit dhe ngritjen e nostalgjisë për katolicizmin. Abuzim?! Çfarë histerie qaramane! Prapë i madhi i ynë i imagjinuar mjaftohet duke thënë se ishte parashikim i gabuar ky dhe nuk ka asnjë shenjë kërkimfaljeje ndaj bashkëkombësve të tij myslimanë të cilëve ua quajti me bereqet komunizmin sepse ua vrau e ua rrënoi klerikët dhe vlerat fetare. Si për rastësi në të njëjtën ditë që Kadare derdhi margaritarët kundrejt akademikut kosovar u publikua një peticion ku Kadare është ndër të nënshkruarit dhe ku ai thërret për përshpejtimin e ndërtimit të katedrales katolike në Prishtinë për ta madhëruar kështu Nënën Tereze. Sikur katedralet nuk ndërtohen për të bërë fe por për të mbajtur emra! Në vend të kësaj nëse njëmend ai nuk do të ishte një lobist naiv i katolicizmit kundër islamit, do të duhej të ngriste shqetësimin se përse nuk ndërtohet një xhami e madhe për myslimanët shqiptarë të Prishtinës e edhe të Tiranës duke pasur parasysh se shumë nga ta falen në shi e borë rrugëve në mungesë të xhamive. Mund ti lihet emri Sami Frashëri, Haxhi Zeka apo Hoxhë Tahsini kësaj xhamie nëse medoemos duam madhërim emrash, apo këta nuk e meritojnë të ngriten meqë janë shqiptarë muslimanë! Kjo vret, rrënon, fshikullon e masakron më rëndë se komunizmi. Shqiptarëve iu vjen vdekja nga një mentalitet i tillë dhe nuk u bëjnë dobi as edhe njëqind çmime Nobel për antivlera të tilla antihumane. Do të donim, njëmend do të donim ta shihnim vërtetë Kadarenë të kërkojë falje për xhuxhërinë e tij intelektuale karshi bashkëkombësve të tij myslimanë. Kjo do të mund ta ringjallte ushtrinë e gjeneralit të vdekur. Në të kundërtën Nobeli i tij i fituar eventual do të jetë dinamit kundër qenies dhe harmonisë së popullit të tij. Ai mund të dijë të shkruajë mirë por kjo nuk i bën të kridhen në mendime bashkëkombësit e tij myslimanë; përkundrazi kjo i bën të stepen së çudituri me njeriun dhe idetë e tij të vogla që qëndrojnë prapa këtyre shkrimeve. (Autori është pedagog në Universitetin e Prishtinës)