Aisheja r.a. transmeton se kur është martuar një grua me një ensar, Pejgamberi i ka thënë:
“Oj, Aishe, a u zbavitën? Ensarët e duan zbavitjen!”
Ibn Abbasi transmeton se Aisheja ka martuar një të afërme të saj me një ensar, e në atë rast ka ardhur Pejgamberi a.s. dhe ka pyetur: “A e keni përgatitur vajzën?” thanë: -Po – u përgjigjën njerëzit “A dërguat me të dikë që di të këndojë?” Unë thashë: Jo. – “Ensarët janë popull që e do këngën, dhe ju është dashur të dërgoni ndonjë që këndon: “Ju erdhëm, ju erdhëm! Na përshëndetni ashtu si ju përshëndesim!”[2]
Aisheja transmeton se në ditët e Mines, ka ardhur Ebu Bekri tek ajo dhe aty ka parë dy vajza që këndonin dhe i bienin defit në praninë e Pejgamberit a.s. që e kishte mbuluar kokën me shall. Kur ka dashur Ebu Bekri t’i dëbojë, Pejgamberi a.s. e ka zbuluar fytyrën dhe i ka thënë:
“Lëri o Ebu Bekër! Këto janë ditë feste!” (Në festën e Bajramit të kurbanit).[3]
Në librin El-Ihja’u, Imam Gazaliu i përmend hadithet e këndimit të dy vajzave, luajtjen e etiopianëve në Xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe inkurajimin e Pejgamberit duke u thënë: “Vazhdoni, o Beni Erfide”; pyetjen e Pejgamberit drejtuar Aishesë se a dëshiron t’i shohë; qëndrimin e të dyve bashkërisht derisa ajo ishte lodhur dhe lojën e Aishesë me vajzat tjera, dhe pastaj thotë: Të gjitha këto hadithe transmetohen në të dy sahihët dhe qartazi argumentojnë se kënga dhe loja nuk janë haram.
Nga këto hadithe mund të konkludojmë:
1. (Lejimi) i lojës; dhe duket qartazi tradita e etiopianëve për lojë e vallëzim.
2. Praktikimi i tyre në xhami.
3. Thënia e Pejgamberit a.s.: “Vazhdoni, o Beni Erfede”. Meqë këtu shohim se ka kërkesë për lojë, atëherë si mund të thuhet se është haram?
4. Pejgamberi a.s. ua ndaloi Ebu Bekrit dhe Umerit pengimin dhe dëbimin e lojtarëve e këngëtarëve, me arsyetim se ishte ditë feste, gjegjësisht ditë gëzimi dhe se kënga në raste të tilla është shprehje gëzimi.
5. Qëndrimi i gjatë i tij me Aishenë që të shohin e dëgjojnë argumenton moralin e mirë për kënaqjen e grave e fëmijëve me lojë. Kjo nënkupton se kështu është më mirë se vrazhdësia e asketizmit dhe largimi nga kjo botë.
6. Pyetja e Pejgamberit a.s. drejtuar Aishesë në fillim: “A dëshiron t’i shohish?”[4]
7. Lejimi i këngës dhe i defit…, e kështu me radhë, deri në fund të asaj që e përmend Gazaliu në kapitullin e këngës.
Transmetohet se shumë sahabë e tabi’inë (r.a.) dëgjonin këngë pa vërejtur ndonjë të keqe në to.
Hadithet që ndalojnë këngën janë të dobëta dhe të gjitha kritikohen nga kritikët dhe dijetarët e Hadithit. Kâdî Ebu Bekër ibn Arabiu thotë: “Hadithet që ndalojnë këngën nuk janë autentike!” Gjithashtu edhe Ibn Hazmi thotë:
“Çdo transmetim rreth kësaj çështjeje është i pavlefshëm dhe i trilluar.”
Shpeshherë kënga dhe muzika kombinohen me dëfrim, alkool e zbavitje të natës, dhe për këtë shkak shumë dijetarë i ndalojnë ose i urrejnë (mekruh). Disa prej tyre thonë: “Kënga përmban tregime boshe”, fjalë që përmenden në ajetin.
“Po, ka nga njerëzit që blejnë tregime boshe me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së All-llahut pa patur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet) e All-llahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm.” (Llukmân, 6)
Ibn Hazmi thotë: “Ajeti potencon një gjë të shëmtuar, të cilën kush e punon, bëhet kafir, gjegjësish marrjen e ajeteve të Zotit si tallje. Në qoftë se ndokush e blen Kur’anin për të devijuar nga rruga e Zotit dhe për ta marrë si tallje, atëherë ai është
kafir, dhe pikërisht këtë e qorton Zoti i Madhëruar e jo atë që blen tregime boshe për relaksimin dhe qetësimin e shpirtit, por jo të devijojë nga rruga e Zotit.”
Kur flet Ibn Hazmi për ata që thonë se kënga nuk i takon “të vërtetës” por “humbjes” duke u mbështetur në ajetin kur’anor: “Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos humbje (iluzione)”, thotë: “Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Veprat gjykohen sipas qëllimeve, dhe çdo njeri do ta marrë atë që e ka për qëllim!”[5]
Pra, kush dëshiron të dëgjojë këngën me qëllim që të bëjë mëkat, ai është mëkatar (fasik), (dhe kështu në çdo gjë përveç këngës), e kush dëshiron ta relaksojë shpirtin, të përforcohet në adhurimin e Zotit dhe si stimulim për mirëbërje, ai i nënshtrohet Zotit, është bamirës dhe vepra e tij i takon të vërtetës. Kush nuk dëshiron nënshtrimin e as mëkatin,
bën diçka neutrale dhe të padëmshme, si p.sh. dalja e njeriut në kopshtin e vet për shëtitje, ulja e tij para derës së shtëpisë së vet për të shikuar ose ngjyrosja e rrobave me ngjyrë të kaltër ose të gjelbër, e kështu me radhë…”
Sidoqoftë, ekzistojnë disa përkufizime që duhet të merren parasysh kur bëhet fjalë për çështjen e këndimit:
1. Tematika e këngës nuk duhet të kundërshtojë moralin islam dhe mësimet e Islamit. Këngët që glorifikojnë alkoolin ose ftojnë në konsumimin e tij, ndalohen të këndohen e të dëgjohen. Kështu ndodh edhe me gjërat tjera të ngjashme!
2. Ndoshta tematika përputhet me udhëzimin islam por mënyra e këndimit e shndërron prej hallallit në
haram, p.sh. lëvizjet provokative që nxisin epshin, fitnen e emocionet.
3. Islami jo vetëm që kundërshton teprimin në çdo gjë, bile edhe në adhurim, por gjithashtu nuk pranon edhe teprimin në dëfrim dhe teprimin në kohë, e koha është jetë?!
S’ka dyshim se teprimi në të lejuarat vjedh kohën e obligimeve. Në këtë kontekst thuhet: “Ç’do teprim humb diçka tjetër!’
4. Çdo individ është gjykatësi më i mirë i vetvetes. Në qoftë se kënga ka tipare që i provokojnë epshet, që shpiejnë në mëkat dhe ndikojnë që aspekti shtazarak të dominojë mbi aspektin shpirtëror, atëherë njeriu obligohet të largohet dhe të mbyll derën nëpër të cilën mund të depërtojë fitneja në zemër, fe e moral, dhe kështu të shpëtojë e të pushojë.
5. Mendimi unanim është se ndalohet kënga që kombinohet me gjëra të ndaluara, p.sh. të këndohet në gazmendet me alkool, të ekzekutohet me striptiz. Pikërisht për këtë lloj Pejgamberi a.s. ua tërheq vërejtjen familjes dhe dëgjuesve duke iu kërcënuar me dënim të rëndë:
“Prej ummetit tim do të pijnë alkool. E quajnë me emra tjerë dhe afër kokave të tyre janë muzikantët e këngëtarët. Zoti do t’i bëjë që t’i gëlltisë toka dhe do t’i shndërrojë në majmuna e derra!”[6]
Kjo nuk do të thotë se Ai do t’i transformojë në formë fizike por në formë psikike e shpirtërore. Në trupin e njeriut do të jetë shpirti i majmunit dhe i derrit.