
E them me keqardhje se kërkesën e ministrit xhonturk, nuk e kuptuan as ministri Buja, as historianët, as publicistët, as analistët dhe as deputetët shqiptarë.
Jusuf Buxhovi, në një libër të tij, përveç të tjerash, thotë: “Osmanët erdhën si pushtues dhe mbetën të tillë”.
Mirë shumë pra, erdhën osmanët, e jo turqit. Por, si erdhën e pse erdhën osmanët në Ballkan, duhet ta kemi parasysh edhe argumentin që na sjell prof. Hakif Bajrami.
A ishin osman apo turq, apo një konglomerat i kombeve, siç thotë Ismail Kadare në librin e tij “Mosmarrëveshja”: “Në ushtrinë osmane, në Betejën e Kosovës, më 1389, fliteshin 40 gjuhë. Është thënë se Perandorinë Osmane e kanë përbërë 62 milete – popuj”.
Pra, prej atyre që i kanë folur 40 gjuhë apo prej atyre 62 mileteve – popujve, vetëm një gjuhë ka mundur me qenë turke. Vetëm një milet – një popull ka mundur të jetë turk, e jo të tjerët. Dhe prej atyre 40 gjuhëve, njëra prej tyre ishte gjuha shqipe, rrjedhimisht, njëri prej atyre 62 mileteve – popujve, ka qenë populli shqiptar.
Kërkesa e partisë së Turkeshit
Ministri xhonturk nuk e kishte hallin se mos po fyhej populli turk në tekstet e historisë së Kosovës, sepse ai e di fortë mirë se prej themelimit të shtetit turk në vitin 1924 nga Kemal Ataturku, që me etni ishte shqiptar, askund nuk është shkruar asnjë fjalë e keqe, as kundër Kemal Ataturkut, por as kundër shtetit turk të formuar prej tij, por nëpërmjet kërkesës së tij për ndryshimin e paragrafëve apo vlerësimeve të caktuara në tekstet tona të historisë, ai synon që të gjithë ata që i flisnin më shumë se 40 gjuhë apo të ato 62 milete – popuj që e përbënin Perandorinë Osmane, të shpallen turq, kërkesë kjo në përputhje të plotë me kërkesat sllavo-greko-bizantine, të cilët thoshin se të gjithë popujt e Perandorisë Osmane me përkatësi fetare islame, na paskan qenë turq.
Edhe pse një konstatim shumë kundërthënës, ata formulën e kishin të gatshme: “ Të gjithë myslimanët që e përbënin Perandorinë Osmane, duke qenë popull me përkatësi turke, e edhe pak sa e çuditshme, tani vet Perandoria Osmane nga sllavo-greko-bizantinët trajtohej si perandori e popullit turk, trajtohej pushtues dhe gjithë atë “zullum” që kishte bërë ajo Perandori, pas largimit të saj, tani ky “zullum” duhej tu kthehej në të njëjtën masë, jo për tjetër por për t’i larguar nga këto troje që të shkojnë andej nga kanë ardhur. Thuhet se origjina e vet popullit turk, atëherë të quajtur “toryk”, rrjedhë diku nga Sinkjangu i Kinës së sotshme e që më vonë kishin vërshuar Azinë e Evropën, të komanduar nga Atilla, Xhingis Kani etj.
Kjo kërkesë ka qenë dhe është edhe e xhonturqve. Duke u përpjekur ta “argumentojnë” konstatimin e tyre se të gjithë myslimanët e Perandorisë Osmane na paskan qenë “turq” e rrjedhimisht edhe vetë Perandoria Osmane ishte Perandori “Turke”, ata i japin vetes të “drejtë”, në pretendimin e tyre për rikrijimin e “Perandorisë Turke”!!!
Në Turqi, më i zëshmi me këtë teori ka qenë fashisti – nacisti Turkesh Turkeshi dhe partia e tij. Kjo kërkesë e partisë së Turkeshit ka vazhduar edhe pas vdekjes së tij. Idhtarët e kësaj kërkese, simbol kryesor e kanë kokën e ujkut dhe tre gishtat e ngritur (jo si serbët), për të dëshmuar se na paskan qenë turqit sundues të tri kontinenteve.
Përputhja e kërkesave të sllavo-greko-bizantinëve me kërkesën e këtij ministri xhonturk, edhe se me qëllime diametralisht të kundërta por me pretendim të njëjtë, gjithsesi kanë karakter antishqiptar. Sllavo-greko-bizantinët qëllim parësor e kanë zhdukjen e shqiptarëve që kushtimisht i quajnë “turq” , ndërsa xhonturqit të na përdorin neve shqiptarëve, sërish duke na quajtur kushtimisht “turq” me qëllim të ribërjes së Perandorisë Turke.
Librat e Ferid Muhiqit
Historianët shqiptarë, duke qenë në kurthin sllavo-greko-bizantin, pa qenë fare të vetëdijshëm, i kanë bërë një shërbim të mirë sllavo-greko-bizantinëve dhe njëkohësisht edhe xhonturqve duke i vërtetuar thëniet e tyre antishqiptare.
Kam një porosi për historianët shqiptarë të linjës pro bizantine dhe për të gjithë të tjerët që t’i lexojnë librat e prof. dr. Ferid Muhiq, i cili argumenton se më së tepërmi e pësuan mu populli boshnjak që ra në kurthin serbo-sllav duke e pranuar në njëfarë mënyre Perandorinë Osmane si “Perandori Turke”. Boshnjakët nuk e kultivuan identitetin e veçantë kombëtar e në këtë drejtim reagoi myftiu, respektivisht kryetari i Bashkësisë Islame Ceriq, edhe pse populli boshnjak ishte njëri prej popujve të shumtë që e përbënin Perandorinë Osmane që në një farë mënyre ishte një Komonvelt i popujve të ndryshëm, siç thotë prof. dr. Ferid Muhiq. Dhe ky fakt iu dha rast serbo-sllavëve që këtë popull ta masakronin në mënyrë të tmerrshme deri në shfarosje e një pjesë të tyre ta deportonin në “atdheun e tyre” në Turqi.
Sot, serbo-sllavët, boshnjakëve u thonë “turci” apo “poturci”, serbë të turqizuar. Edhe të burgosurve në Goli Otok, serbët vazhdimisht u thoshin boshnjakëve “turci, turqine, poturci, izdajice srpskog naroda (turq, serbë të turqizuar, tradhtarë të popullit serbë etj.). Kështu i quanin edhe serbët e kroatët e Bosnjës.
Tash, këtë po e demantojnë muhiqët, ceriqet etj., edhe pse shumë të vonuar.
Pra, po përpiqen ta argumentojnë faktin se edhe boshnjakët si shumë popuj tjerë, ishin në përbërje të Perandorisë Osmane, që në realitet ishte një Komonvelt popujsh, siç e argumenton prof. dr. Ferid Muhiq.
Kam informata se me iniciativën e disa historianëve shqiptarë që akoma nuk po mund të lirohen nga kurthi serbo-sllav e të ndikuar nga xhonturqit, do të mbahet edhe një tubim “shkencorë” nga Instituti i Historisë për të vërtetuar edhe njëherë se të gjitha “ato që janë shkruar në tekstet shkollore kundër Turqisë, na qenkan të vërteta”.
Tezat e xhonturqve
Pra, historianët shqiptarë sërish duan t’i vërtetojnë tezat e xhonturqve dhe sllavo-grekëve se gjoja, Perandoria Osmane nuk ka qenë Perandori Osmane, ngjashëm siç ishte Perandoria Romake etj, ku janë folur 40 gjuhë, siç thotë Kadare, e me 62 milete, siç është thënë në popull, por kjo na paska qenë “Perandori Turke”!!!
Këto teza antishqiptare, përveç atyre që u thanë, vërtetojnë konstatimet e serbo -sllavëve se gjoja shqiptarët nuk paskan qenë, rrjedhimisht edhe nuk janë të rrezikuar për zhdukje fizike nga sllavo-grekët, por ishin të rrezikuar nga “Perandoria Turke”, pra populli turk, pra nga populli i asaj perandorie që siç u tha sa e sa herë “Perandorisë Turke”.
Prof Dr Xhozef Marfi në librin e tij “Forca e Ndërdijes” thotë se “Ndërdija është tmerruese. Kur njeriut i futet në ndërdije një ndodhi apo e thënë, pavarësisht a qëndron apo nuk qëndron, është e mjaftueshme të futet në ndërdije dhe të krijohet bindja se ajo është e vërteta”.
E vërteta ka qenë, është dhe do të jetë në vazhdimësi se të gjithë pushtuesit jashtëballkanik, edhe pse kanë qenë pushtues, kanë qenë frymëmarrje për popullin shqiptar, të cilëve u zihej fryma nga planet e megaloidesë, garashaninët, qubrilloviqët, andriqët etj., që kishin për qëllim zhdukjen e popullit shqiptar nga territoret e veta shekullore.
Historianët shqiptar, duke u vërsulur kundër Perandorisë Osmane, gjoja si kundër “pushtuesve turq”, vetëm mund të arrijnë efekt krejt të kundërt me atë që dëshirohet, lënien në harresë të rrezikut që ka qenë, është e që do të jetë në vazhdimësi, nga sllavo-greko-bizantinët.
Vërtetimi i teorive të xhonturqve çon drejt te vërtetimi i tezave sllavo-greko-bizantine se këto territore asnjëherë nuk na paskan qenë territore shqiptare, por territore serbe, gjoja të pushtuara nga turqit e tani të ripushtuara nga euro-amerikanët, siç përpiqet të “argumentojë” edhe Albini me kurtat e tij.
Xhonturqit, për t’i ushqyer idetë e tyre pushtuese me ëndrra të kota, por të dëmshme për popullin shqiptar, kurse sllavo-grekët, për t’i rritur apetitet e tyre për ripushtimin e territoreve shqiptare.