
Zejnuddin (ose Abidin) Ibrahim ibn Muhammed ibn Muhammed ibn Muhammed Ibn Nuxhejm (926-969 ose 970 h./1520-1563) ishte një jurist i dalluar i shkollës hanefi të fikhut.
1. Jeta
Edhe përkundër famës së tij prej dijetari, shumë pak dihet rreth jetës së tij. Ai lindi në Kajro, pak pas pushtimit osman të qytetit në 923 h./1517. Ai studioi në Egjipt te disa mësues, përfshirë Sherefuddin El-Belkinin, Shihabuddin ibn Esh-Shelebiun (vd. 947 h./1540-1), juristin e dalluar hanefi Emin-ud-din ibn Abd El-Al (vd. 971 h./1563-1564), dhe Ebu El-Fejd Es-Selami. Ai filloi të jep mësim dhe të jep fetva (vendime fetare) gjatë jetës së mësuesve të tij. Ai, po ashtu, studioi gjuhën arabe dhe logjikën me Nur ud-din Ed-Dejlemi El-Malikun dhe Shukejr El-Magribiun.
Ibn Nuxhejm ishte ligjërues në medresenë e themeluar nga emiri Memluk Es-Sejfi Sargitmishi (vd. 759 h./1358) në vitin 757 h./1356 në Kajro. Ai, po ashtu, studioi me mistikun Sulejman El-Hudejri, i cili, siç duket, e futi atë në shtegun sufi. Ai, po ashtu, ishte i afërt me dijetarin e dalluar sufi egjiptian Abdul-vehab Esh-Sha’rani (vd. 973 h./1565), me të cilin ai kreu haxhin në Mekë dhe Medinë në 953 h./1547. Ai kishte nxënës të shumtë.
Ibn Nuxhejm ndërroi jetë në vitin 969 h. ose 970 h./1563.
Ndonëse ai është konsideruar gjatë jetës së tij si një jurist tejet i shquar në Egjipt dhe në Perandorinë Osmane në përgjithësi, ai nuk kishte mbajtur ndonjë pozitë zyrtare në administratën ligjore osmane. Mirëpo, siç është e dukshme nga disa prej vendimeve dhe trajtesave të tij, zyrtarët dhe gjykatësit osmanë në Egjipt kërkuan opinionin ligjor të Ibn Nuxhejmit në çështje të ndryshme. Në disa raste, Ibn Nuxhejm legjitimizoi disa praktika administrative osmane, si ekzaminimi i ekspertizës së muftive nga sulltani dhe pranimi, pa dëshmitarë, i vërtetësisë së aktvendimeve (berat). Mirëpo, ai kishte disa rezerva në lidhje me disa praktika administrative osmane, si caktimi i gjykatësve para se të arrijnë në vendbanimin ku ata do të shërbenin.
2. Veprat
Edhe përkundër jetës së tij të shkurtër, Ibn Nuxhejm shkroi disa vepra të rëndësishme në Usul‘ul-fikh (teori ligjore) dhe Furu’ ‘ul-fikh (ligj aplikativ). Ai ishte i interesuar që të përdorë veprat e tij për të eksploruar strukturën konceptuale të diskursit hanefi në fikh (jurisprudencë). Ai shkroi dy përmbledhje në Usul ‘ul-fikh: një komentim mbi veprën e Ebu Berekat Abdullah ibn Ahmed En-Nesefi (vd. 710 h./1310) Menar ‘ul-Enwar dhe një shkurtim (muhtesar) të veprës Et-Tahrir fi usul ‘il-fikh nga juristi egjiptian Ibn ‘ul-Humam (vd. 861 h./1457) të titulluar Lub ‘ul-usul.
Ibn Nuxhejmi filloi një komentim mbi përmbledhjen Kenz‘ud-dakaik të Nesefiut në furu, të cilin ai e titulloi Bahr‘ur-Ra’ik bi sherh Kenz‘id-daka’ik, por nuk e përfundoi. Ai, po ashtu, shkroi El-Fawa’id ‘uz-zejnijje, në të cilën ai analizon dhe komenton në mbi më shumë se njëmijë rregulla dhe maksima (kawa’id). Po ashtu, kishte dhënë fetva të cilat ishin përmbledhur në Fetawa ez-zejnijje (kjo përmbledhje ekziston në dorëshkrime të shumta por nuk është botuar). Ai shkroi shumë trajtesa (resa’il) në një gamë të gjerë të çështjeve, prej pronësisë së tokës te divorci te veprat bamirëse. Dyzet prej këtyre resa’il janë mbledhur nga i biri i tij, Ahmedi, me titullin Er-Resa’il ‘uz-zejnijjeti fi medhheb’il-hanefijjeh.
Përmbledhja më e rëndësishme është vepra e tij e fundit, Eshbah we’l-Nedha’ir (Të ngjashmet dhe të kundërtat), të cilën ai e përfundoi në vitin 969 h./1561-1562. I inspiruar nga juristi shafi’ Takijuddin Es-Subki (vd. 756 h./1355), Ibn Nuxhejm e përpiloi Eshbah-un e tij gjersa ishte duke shkruar komentimin e tij mbi Kenz-in dhe pasi e kompletoi Fewa’id-in. Vepra synon që të ekzaminojë ngjashmëritë dhe dallimet në mes çështjeve ligjore në dukje të ngjashme. Në shekujt në vijim, El-Eshbah u bë vepra kryesore mbi maksimat ligjore.
3. Pranimi i veprave të Ibn Nuxhejm
Sipas historianit nga Damasku Nexhmuddin El-Gazi (vd. 1061 h./1651), vepra Eshbahu we’l-nedhair njihej si autoritative në mesin e juristëve hanefi gjatë fundit të shekullit dhjetë h./gjashtëmbëdhjetë. Në shekujt pas përfundimit të saj, janë shkruar komentime të shumta mbi Eshbahun nëpër tokat osmane. Mirëpo, siç duket, që disa juristë osmanë zgjodhën që të pasojnë vetëm disa pjesë të Eshbahut. Juristët hanefi të shekujve të mëvonshëm e konsideruan Ibn Nuxhejmin të rëndësishëm në traditën e vonshme hanefite dhe u mbështetën shumë në qëndrimet e tij. Përpiluesit e Mecelle-i Ahkam-i Adlijje, Kodi Ligjor Osman i shekullit të nëntëmbëdhjetë, thënë në parathënie, që Eshbah we’l-nedhair e Ibn Nuxhejmit ishte një përpjekje e para shekullit të nëntëmbëdhjetë për të sistematizuar dhe kodifikuar traditën hanefite. Veprat e tij u bënë të njohura në pjesë tjera të botës hanefite, si në nën-kontinentin indian, ku disa vepra të Ibn Nuxhejmit ishin shtypur në shekullin e nëntëmbëdhjetë.
Vëllai i ri i Ibn Nuxhejmit, Umar ibn En-Nuxhehm (vd. 1005 h./1596-1597) ishte po ashtu jurist hanefi, në veçanti i njohur për veprën e tij En-Nehr ‘ul-Fa’ik, një komentim mbi Kenz ‘ud-daka’ik të Nesefiut.
Burimi: The Encyclopaedia of Islam, THREE, zëri ‘Ibn Nujaym’ (fq. 99-100)
Përktheu nga anglishtja:
Fatih Ibrahimi