
Ta definosh dhe ta përcaktosh se ç´është maska nuk është edhe aq e pamundur. Është fare lehtë dhe e mundshme... Vetëm duhet të kuptosh se ajo paraqitet atëherë kur ndërgjegjja dhe përgjegjësia largohen nga kurmi dhe shpirti i njeriut. Me termin maskë nënkuptojmë: “të fshehurit e realitetit dhe mbi atë që është e njohur të vendoset diçka që do t´ia ndryshonte formën dhe përmasën reale.” Pra, me përcaktime të këtilla të përafërta, “maskën” edhe fjalorët e gjuhëve e përcaktojnë dhe shpjegojnë në mënyrë të ngjashme. Sot, kur gjërat më shumë janë artificiale dhe të parregulluara mirë, sesa origjinale dhe me përbërje të plotë reale, e vetmja mënyrë është të gjendet rruga nëpërmjet të cilës do të fshihen të metat dhe “gjësendi” të duket OK dhe i përshtatshëm. Realisht, në të shumtën e rasteve, sot maska luan rolin e plotësimit të të metave të “gjësendit” i cili ka dalë në “mejdan”. Në qoftë se nuk e maskove (reklama në përgjithësi luan rolin e maskës, e cila lavdëron “gjësendin”) atëherë mbi “atë” do të bien sanksionet e natyrës, ku do të bëhet i papërshtatshëm, sepse askush nuk do t´ia hedhë syrin. (Sqarim për lexuesin: Këtu nuk bëhet fjalë për maskën e plastikës, e cila preket, por për maskën abstrakte, e cila nuk preket, nuk duket, por shihet dhe kuptohet nga vet objekti, i cili kundërshtohet me natyrën dhe përmasën reale që e ka si gjësend).
Përdorimi i maskës trendi i kohës sonë
Po njeriut, ç´i nevojitet të “shitet në mejdan”? Ç´i nevojitet atij të përdor maskën, kur në realitet lindi i pamaskuar, lindi me ndjenja dhe shpirt të pastër. Pse gjithë ky çrregullim shpirtëror mbizotëron tek ne?
S´ka dyshim se këtë e solli joprofesionalizmi. Me shfaqjen e personit publik, në të cilin nuk janë të gërshetuara ndjenja e përgjegjësisë dhe ndërgjegjja e shëndoshë dhe e pastër njerëzore për shpirtin tij, shkaktoi paraqitjen e mënyrës joreale dhe të rreme, duke e përdorur maskën si mjet me anë të të cilit do t´i përmbush ato karakteristika që në realitet nuk i ka, por njëkohësisht edhe “spektatorit” t´ia mbush syrin. Pra, përdorimi i maskës sot është forma më e mirë dhe më adekuate për të arritur deri te qëllimet. Sot, të rrallë mbetën ata që nuk u infektuan me këtë virus, që nuk u bënë dëm të pafajshmëve, që mbetën anësh “skenës së kohës”, pasi që ishin të vërtetët, të sinqertët...
Të rrallë, si duket, kanë mbetur ata që s´e dëshirojnë maskimin. Nuk mbeti politikanë, mësues, profesor, hoxhë, myfti, mjek, prind, fëmijë, student, etj, etj., pa mos u njollosur me këtë “pamje ndryshe” nga ajo që në të vërtetë është, nga ajo që në të vërtetë përfaqëson ose bart me vete. Rruga e vetme për t´u dukur sa më të përsosur për këta persona është maska. Shumica fshihen pas saj, jetojnë nën hijen e saj, mbijetojnë me fuqinë e saj, shkelin me forcën e saj, vrasin dhe marrin të drejta nën arsyen e saj... Me fjalë të tjera: maska është bërë sikur masha për t´i ruajtur duart, për t´u mos u djegur nga përgjegjësia dhe drejtësia. Por, ata harrojnë se një ditë do të dalin para Drejtësisë së Madhe.
Në popull është krijuar bindja se çdo gjë që flet politikani, mësuesi, hoxha, media etj., është rrenë dhe nuk u besohet. Për çfarë arsye, pse të ndodh kjo, kur dihet se më parë, kur ka folur hoxha ose mësuesi predikimi i tyre është dëgjuar dhe është zbatuar pa kurrfarë dyshimi.
Humbja e besimit dhe sinqeritetit tek njerëzit shkaktoi lindjen e kësaj sëmundje shumë të rrezikshme për shoqërinë. Drejtësia e cila aplikohet në vend është e skrupullt, i pafajshmi dënohet, kurse krimineli dëfrehet duke bërë krime dhe përsëri vazhdon të jetoj në liri, ndërsa e gjithë kjo ndodhë nën hijen e maskës. E këtillë është sot gjendja e shoqërisë dhe popullit tim. Por, kjo nuk do të thotë që ne jemi të vetëm në këtë drejtim. Edhe shoqëritë tjera më të integruara të globit janë të infektuar nga kjo sëmundje e maskimit, bile ne këtë e mësuam prej tyre, por te ata ka një dallim, janë më ekspertë në këtë drejtim, me ç´rast dinë të jenë me transparent në plotësimin e standardeve jetësore dhe nuk e zhgënjejnë shumë “spektatorin”.
Zgjidhje e mundshme...
Kemi arritur te fjala e fundit, megjithëse asnjëherë nuk mund të themi se kjo është përfundimtare, kur kemi parasysh se çdo ditë e më tepër ngarkohet bota dhe njerëzit për çdo ditë ballafaqohen me probleme të reja të natyrave të ndryshme, mund të japim një zgjidhje, e cila do të ishte sado pak e dobishme dhe e realizueshme. Së pari, si veprim parësor, njeriu duhet ta shoh vetveten kush dhe çka është, dhe pastaj, të vendos se është kompetent për të çuar procese përpara ose jo. Të vepruarit në bazë të profesionit dhe kualitetit, besoj se duhet të jetë, ideali më i lart i kësaj kohe. Askush nuk do të bënte ndonjë punë kaq sublime dhe madhështore, përveç atij i cili vepron profesionalisht. Së dyti, te shumica e njerëzve, e posaçërisht te personat publik, ka rënë ndërgjegjja dhe frika për llogari, prandaj gërshetimi i njeriut me këto vlera determinuese për një mirëqenie sa më të mirë do ishte më se i nevojshëm. Nëse një intervenim dhe kurim i këtillë nuk do të bëhej, do të thosha edhe shpirtëror, atëherë shoqërisë sonë i imponohen dy alternativa: ose do të rebelohet ose do të shuhet nga skena e kohës, sepse maskat për detyrë kanë shfarosjen.
08.04.2007
Tetove