Agjërimi i Ramazanit - kirurgji pa thikë: procesi i autofagjisë

Fjala autofagji rrjedhë nga greqishtja dhe përbëhet prej dy fjalëve "Auto" = vetë dhe "Phagein" = ngrënie. Pra, kuptimi i mirëfilltë i autofagjisë është "Vetëngrënie." Kjo është një formë e riciklimit të qelizave ku qelizat në vetvete metabolizojnë përbërës të ndryshëm në mënyrë që të ripërdoren për të ndërtuar struktura qelizore të reja dhe më të shëndetshme. 

Agjërimet sporadike e afatshkurtra, të rekomanduara nga besimet fetare dhe shpirtërore, janë të përbashkëta për shumë kultura dhe praktikohen me shekuj, por analizat shkencore tek tani e kanë shpjeguar se çfarë ndodh në nivel të qelizës gjatë agjërimit.

Ky koncept ka filluar në vitet 1960, kur studiuesit kanë vërejtur se si qeliza shkatërron organelet e veta. Termi autofagji u shpikë nga biokimisti belg Christian de Duve në vitin 1963. Në vitet e nëntëdhjeta, shekullit të shkuar, biologu nga Instituti i Teknologjisë në Tokio, Yoshinori Ohsumi, ka bërë një varg hulumtime duke përdorur qelizat e majës (tharmit) të cilat i kanë ndihmuar që të sqarojë mekanizmat me ndihmën e të cilës arrihet autofagjia. Ai ka vërtetuar se përmes procesit të autofagjisë, qelizat treten dhe riciklojnë pjesët e tyre përbërëse. Ohsumi mori çmimin Nobel në vitin 2016, në lëmin Fiziologjia dhe Mjekësia, për zbulimet e veta të mekanizmit të autofagjisë.

Puna e Ohsumit ka ngjallë shumë interesim për autofagjinë. Tani është njëra nga fushat më intensive të kërkimit në fushën e biomjekësisë. Që nga atëherë, shkencëtarët kanë mësuar se ka shumë lloje të autofagjisë. Makroautofagjia është e përfshirë në copëtimin e pjesëve të mëdha të qelizës, siç janë organelet. Mikrofagjia është ngarkuar për pjesët më të vogla të qelizës, siç janë grimcat e panevojshme lundruese në qelizë dhe ksenofagia për shkatërrimin e baktereve ose viruseve etj. Qëllimi i autofagjisë është që të largojë mbeturinat, si dhe vetërregullimi i metabolizmit në nivel të qelizës, i cili do të ndikojë në të gjithë trupin dhe do të çojë në shëndet optimal.

Shkenca qëndron pas efektit pozitiv të autofagjisë në shëndetin e njeriut!

Autofagjia shthur organelet të dëmtuara, membranat qelizore dhe proteinat, dhe konsiderohet që autofagjia e pamjaftueshme është një nga arsyet kryesore për grumbullimin e qelizave të dëmtuara dhe plakjen. Autofagjia është mekanizëm i vetë-ruajtjes, me të cilin trupi mund të heq qelizat jofunksionale, të dëmtuara dhe të sëmura dhe vepron në atë mënyrë që riciklon këto qeliza dhe pastron trupin nga toksinat. Drejtuesit kryesorë të autofagjisë janë stresorët qelizorë siç është privimi i ushqyesve i sjellë nga mekanizma të ndryshëm, përfshirë agjërimin, stërvitjen dhe ndryshimin ndjeshëm të temperaturës. E që makineria e ndërlikuar qelizore të mbetet në funksion, duhet të sigurohet që mbetjet, mbeturinat e qelizës të riciklohen. Kjo është pikërisht ajo që arrihet me autofagji. Shkencërisht është vërtetuar se procesi i autofagjisë e ndihmon qelizën që të lirojë mbetjet, rigjenerojë trupin, e kalimthi humben edhe kilogramët.

Kur autofagjia nuk funksionon në trup, mund të paraqiten shumë sëmundje, duke përfshirë diabetin e tipit 2, sëmundjen e Parkinsonit ose kancerin.

Shumë studime tregojnë se kufizimi afatshkurtër i ushqimit shkakton shfaqje dramatike të autofagjisë në neuronet e trurit me efekte neuroprotektive, ndërsa çrregullimi i autofagjisë mund të shkaktojë sëmundjet neurodegjenerative. Gjithashtu, pasojat e grumbullimit të proteinave të vjetra mund të vërehen në dy gjendje – sëmundja e Alzheimerit (AD) dhe kanceri.

Sëmundja e Alzheimerit përfshin grumbullimin e proteinit ​​anormal – qoftë beta amiloid ose proteina Tau i cili e dëmton trurin. Me gjasë që veprimi sipas autofagjisë, i cili ka aftësinë e pastrimit e proteinit të vjetër, mund ta parandalojë zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.

Zhvillimet e reja kërkimore kanë zbuluar se autofagjia e synuar mund të jetë një zgjidhje e qëndrueshme terapeutike në luftën kundër kancerit, duke përdorur kualitetet e autofagjisë si strategji për parandalimin e kancerit dhe tkurrjen e tumorit.

Gjithashtu, autofagjia është kyçe për të kuptuar procesin e plakjes.

 

Agjërimi

Çka e aktivizon autofagjinë?

Uria është aktivizues kyç i autofagjisë, por aktiviteti fizik gjithashtu mund të shkaktojë autofagjinë në disa qeliza, duke i mundësuar qelizave të fillojnë procesin e riparimit dhe rinovimit.

Glukagoni është një lloj hormoni i kundërt me insulinën. Nëse insulina rritet, glukagoni bie, dhe anasjelltas. Derisa hamë, insulina rritet, e glukagoni bije. Kur jemi të uritur, insulina bie, dhe glukagoni rritet. Kjo rritje e glukagonit stimulon procesin e autofagjisë.

Agjërimi është mënyra më e fuqishme për të përmirësuar autofagjinë në trup. Rezultate të shkëlqyera të agjërimit janë tretja e yndyrës dhe përmirësimi i qartësisë mendore. Për të bërë këto gjëra, trupi duhet të arrijë një gjendje autofagjie – metoda natyrore e trupit për t’u detoksuar.   

Natyrisht, agjërimi islam është shumë më i dobishëm nga stimulimi i thjeshtë i autofagjisë dhe urisë, sepse është i pamatshëm roli i tij pozitiv në shëndetin mendor dhe ndërtimin e karakterit kualitativ dhe të personalitetit.

 

Përktheu[1]: Shaban Basha 

 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme