Renesanca dhe margjinalizimi i fesë

Krishterizmi nuk është feja origjinale që solli Isai a.s. Shumica e autorëve atë e konsiderojnë si fe të Palit. Bibla nuk është shkruar në kohën e Isait a.s. por u mor prej apostujve. Më saktësisht ajo është një sintezë e mbeturinave të fesë së vërtetë të përziera me shume elemente pagane dhe ndryshime që bëri Kisha.
Në Mesjetë njerëzit e Kishës ushtronin një pushtet të fuqishëm në emër të fesë. Në botën islame ekzistonte një atmosferë tolerante dhe e favorshme për njerëzit e dijes dhe shkencëtarët ishin të pavarur dhe inkurajoheshin që të merreshin me studime, ndërkaq në Evropë ata që merreshin me dije ishin anëtarë të klerit, dhe si rrjedhim, studimi në tërësi kontrollohej nga Kisha.
Për intelektualin musliman soditja dhe studimi i gjithësisë dhe fenomeneve të saj e përforconte besimin e tij tek Krijuesi. Përdorimi i mendjes për studim të natyrës dhe dukurive të saj sipas klerikëve të krishterë do të thoshte keqpërdorim i saj! Gjithë ajo që kërkonte Kisha ishte bindja absolute ndaj dogmave krishtere dhe besimi i verbër dhe pa kundërshtim në autoritetin e saj.
Historia e Evropës është shënuar gjatë shekujve të fundit nga një betejë e pareshtur ndërmjet forcave të fesë dhe atyre të shekullarizmit që arriti ta ndajë filozofinë dhe shkencën nga universi i kuptimit fetar. Shkenca islame është e rrënjosur thellë në dije të mbështetur në njësinë e Allahut, kurse krejt ndryshe prej saj, shkenca perëndimore mbështetet në të konsideruarit e botës natyrore si realitet të ndarë nga Krijuesi.
Dhuna që ushtroi Kisha në çdo fushë të jetës si dhe qëndrimi i saj kundër shkencës bëri që bartësit e renesancës të punonin që ta largonin dogmatizmin shkatërrues të Kishës dhe obskurantizmin e klerit dhe për të gjetur një burim iu kthyer traditës greko/romake. Pra u bë rilindja e elementeve të paganizmit greko/romak, sepse në veprat e tyre në plan të parë ishin natyra dhe njeriu, kurse zotat ishin thjesht njëfarë dekori interesant i ngjarjeve! Kështu që nga Renesanca, Perëndimi ka lëvizur në drejtim të shekullarizmit dhe humbjes së influencimit të fesë në jetën e përditshme. Pra, lufta për ta çliruar njeriun nga tutoria e Kishës solli deri te margjinalizimi dhe më vonë edhe deri te flakja e ndikimit të fesë.
Krishterizmi si fe e shtrembëruar e fesë së shpallur nga Krijuesi, me dogma sikurse ishte mëkati i trashëguar, larja e mëkateve në kryq, dhe Triniteti kishte ndikuar që besimi i shumë intelektualëve të Evropës të mos mbështetej në Shpalljen e Zotit, por në përsiatje dhe në vrojtimin e natyrës. Si rezultat i këtyre dogmave, shumë njerëz jo vetëm që do të largoheshin nga Kisha e tyre por edhe nga vetë religjioni. Kisha e kishte ngulfatur jetën intelektuale në mesin e ithtarëve të saj. Ajo e luftonte dijen dhe e frenonte mendimin e lirë duke e nënçmuar atë dhe duke e çuar Evropën në një errësirë të vërtetë.
Urrejtja e klerit ndaj shkencës u përpoq t’i shuajë dritat e dijes, dhe kjo do të arrihej sikur të mos ishin kontaktet me botën islame dhe shkencat e saj të cilat ndikuan që Evropa të dalë nga ajo ngurtësi intelektuale, duke e ujitur truallin e saj të thatë, ashtu sikurse shiu lulen e vyshkur. Mirëpo ndërmjet shkencës perëndimore dhe asaj islame nuk ekziston vetëm vijueshmëri, por edhe një mosvazhdimësi e thellë. Në Perëndim, krejt ndryshe me botën islame, filloi një kundërvënie ndaj autoritetit të fesë e veçanërisht ndaj katolicizmit dhe në një masë edhe vlefshmërisë dhe legjitimitetit të fesë.
Feja e krishterë duke predikuar murgërinë dhe abstenimin nga kjo botë predikonte pasivitetin dhe nuk përpiqej për përmirësimin e gjendjes së njerëzve dhe luftimin e padrejtësive. Madje ishte vetë kleri i saj që ushtronte dhunë dhe që predikonte të durohej ndaj vështirësive të kësaj bote sepse “Kush iu shërben dy zotërinjve në këtë botë është më i mirë se ai që i shërben një zotërie!”
Kisha me hegjemoninë e saj absolute ishte bërë pengese për zhvillimin dhe përparimin e njerëzve. Prandaj, Rilindja erdhi si reagim dhe kundërveprim ndaj Kishës dhe shtypjes që ushtronte ajo. Duke mos arritur ta kuptonte fenë e vërtete – Islamin, Evropa në rrugën e saj për t’u liruar nga dhuna dhe terrori i Kishës, iu kthye trashëgimisë së saj të vjetër romake. Hyjnitë e romakëve ishin imitim i zbehtë i mitologjisë greke. Ajo u ngrit kundër ndikimit të fesë në përgjithësi, duke iu kthyer një injorance dhe dhune madje edhe më të madhe.
Kisha kërkonte që njerëzit të punonin vetëm për jetën e ardhshme duke e anashkaluar dhe nënçmuar këtë botë. Evropa si kundër reagim ndaj këtij qëndrimi të Kishës filloi që në vend të mësimeve fetare të vendoste mësimet njerëzore. Në vend të burimit hyjnor njeriu do të mbështetej në mendjen e tij, duke punuar vetëm për këtë botë dhe duke injoruar botën tjetër dhe mësimet metafizike.
Si reagim ndaj absolutizmit të Kishës dhe për shkak të dhënies pas filozofisë greke, karakteristikë dhe shenjë dalluese e mendimit evropian që nga Rilindja është lufta kundër Kishës dhe në një masë edhe kundër vetë fesë. Kështu gjatë kohës së sundimit të Kishës në jetën e njerëzve dominonte mendimi se njeriu nuk duhet të mendojë vetë, por duhet t’i marrë mendimet e gatshme nga Bibla dhe komentimet e njerëzve të Kishës. Çfarëdo përpjekje jashtë tyre do të cilësohej si e papranueshme dhe blasfemi!
Në anën tjetër si kundër reagim ndaj kësaj kemi një mendim krejt të kundërt sipas të cilit njeriu duhet të jetë autonom, i pakufizuar dhe i pavarur. Kështu njeriu gradualisht filloi të zërë vendin e Zotit, duke menduar vetë dhe duke përdorur mendjen e tij për çdo çështje larg ndikimit të fesë. Mendja njerëzore filloi të shihej si masë për të gjitha çështjet dhe ajo në mënyrë të pavarur duhet të merrte vendime.
Ashtu si Kisha që mundohej ta mbante të nënshtruar dhe nën diktatin e saj mendjen njerëzore duke mos lejuar që ajo të luante rolin e saj, madje as edhe në ato fusha ku mendja është kompetente, edhe klasa intelektuale në Evropë kur filloi të lirohej nga absolutizmi dhe nga prangat e Kishës kërkoi që të zaptonte çdo fushë larg ndikimit të fesë në tërësi madje edhe ato fusha ku mendja nuk është kompetente.
Kështu gjitha ajo që kishte të bënte me Zotin, fenë dhe me botën metafizike u kuptua si projeksion dhe iluzion që kishte krijuar mendja njerëzore në kohën kur ajo nuk kishte mendim të lirë, prandaj kishte ardhur koha që mendja e lirë ti flakte ato e t’ia linte religjionin shtresave të ulëta!
Lufta për t’u çliruar nga tutoria e Kishës edhe pse ishte me karakter antikishtar dhe jo me karakter antifetar me kalimin e kohës do të shprehte pasiguri ndaj çdo gjëje metafizike që nuk mund të dëshmohet në mënyrë empirike.
Prandaj sikurse konludon edhe Murad Hoffman Perëndimi do të bëhet i vetmi qytetërim që beson se mund të ekzistojë pa Transcendencë n, duke bërë eliminimin e plotë të religjionit nga jeta publike.
Një mohim i këtillë i fesë dhe një mosinteresim i njeriut ndaj religjionit do të rezultonte me një zbrazëti shpirtërore për Perëndimin, një pjesë e së cilës është evidente edhe në pjesë të tjera të botës. Përfaqësuesi i botës islame jeton në një botë ku është i pranishëm dimensioni transcendental.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme