Këtë e arriti Ben Blushi me romanin e tij "Të jetosh në Ishull". Arsyeja nuk është vlera artistike apo qasja provokuese e tunduese për shoqërinë shqiptare, sa është jehona e krijuar prej miqve të autorit dhe prej klases mediatike qe nuk kanë çfarë të shkruajnë e të flasin diçka kreative. Përparësia e beletristikes është se autori mund të shkruaj si të dojë dhe lexuesi ta kuptojë si të dojë. Ne verën e vitit 1992 bashkë me mikun tim Edison Ypin shkuam tek Ismail Kadare në banesën e tij në Tiranë. Gjatë bisedës, Edisoni bëri pyetjen: "Aman Ismail na trego si e gjete aty tek romani "Prilli i thyer" kur vritet Gjorgu: nuk thua se e qëlloi plumbi e u shtri për toke, por u ngrit globi e i ra fytyrës". Ismaili u përgjigj: "Po, erdhi koha qe personazhi duhej të vritej dhe nuk po dija si ta beja këtë. M'u kujtua kjo mënyrë dhe e bëra". Ndërsa a e di se si ma shpjegoi ky miku im (Edisoni e kishte fjalën për mua): Kadare ka dashur të tregojë se Kanuni e ka zhvilluar personalitetin e individualitetin e shqiptarit, tendence kjo e kushtetuatave moderne, deri në atë masë sa mund të ngrihej globi e t'i binte sipër por assesi që Gjorgu (shqiptari) të shtrihet për tokë". Ismaili tha: "po nuk e kisha menduar kështu por kështu mund të jetë."
Në rastin e romanit "Të jetosh në ishulll" nuk është e vështirë për të kuptuar se çfarë ka dashur të paraqesë Ben Blushi. Që nga titulli i romanit shihet tendenca që autori e kupton botën e tij si një ishull në mes të detit. Ishulli ortodoks në dallgët e detit musliman. Projeksionet historike i ndihmojnë atij të shtjellojë idenë e ishullit. Sadoqe këto projeksione historike janë të pasakta, mitologjia e zhvilluar në kohën e romantizmit nacional e bënë të vetën.
Ideja se muslimanizimi i ka marre në qafë shqiptarët nuk është e re tek shqiptaret e madje edhe e dominon edhe sot mendimin snobist intelektual në Tiranë e Prishtine, kështu që libri nuk e ka anën heretike por atë trendi.
Në fakt, asnjëherë një popull i zhvilluar nuk mund të sundohet nga një popull më pak i zhvilluar. Sot Perandoria Amerikane sundon botën pikërisht për shkak se është kombi më i zhvilluar i botës. Në kohën kur Perandoria Osmane ishte në kulmet e saj ajo ishte
shoqëria më e përparuar e kohës. Pushtimi Osman, përjashto këtu shkatërrimet që sillte lufta, sillte kulturë e civilizim. Këtë e dëshmon fakti që vendbanimet që u islamizuan të parat ishin qytetet e më pas fshatrat. Edhe Bosnja edhe Shqipëria e dëshmojnë edhe sot e kësaj dite se popullsia e krishtere kryesisht është e koncentruar në viset malore kurse ajo muslimane në viset e rrafshta. Me një fjalë, Perandoria Osmane ishte ajo çfarë është Amerika sot. Në një mënyrë apo tjetër ne jemi të pushtuar nga Amerika dhe do t'ishte absusde të themi se fshatrat shqiptare janë më të amerikanizuara se qytetet shqiptare.
Mirëpo pavarësisht se kush paraqet civilizimin e kulturën objektivisht e kush primitivizmin prap se prap secili individ apo komunitet ka të drejtë të ketë perceptimin e vet për kulturën dhe civilizimin. Në vitin 1998 tek po udhëtoja në autobus me një fshatar maqedon, për të hyrë në bisedë, i lavdërova presidentin e atëhershëm maqedon Kiro Gligorov si njeri që e shpëtoi Maqedoninë nga lufta. Fshatari reagoi fuqishëm: "Mos ma përmend atë pis të ndyer". Përse e pyeta. Si përse?- mu përgjigj- ai matuf të ketë dashnore. (Ne mediat e atëhershme ishte publikuar një aferë e tij dashurie me një aktore të re). Po i thash: edhe presidenti Clinton pat aferë dashurie.
Lëre Clintonin - më tha fshatari maqedon, ai është amerikan dhe nuk ka kulturë, po çfarë t'i bëjmë këtij pisit tonë Gligorovit që na turpëroi para botës. Pra, kështu perceptonte fshatari maqedon: Maqedonia e civilizuar dhe me kulturë dhe Amerika e pacivilizuar!.
U ndala dhe mendova: sa mirë që ka mendim aq të lartë për vetën e tij dhe komunitetin e tij maqedoni i shkretë me opinga të grisura. Kështu edhe Ben Blushi ka të drejtë të mendojë se sa superiore është kultura ortodokse e krishtere karshi asaj muslimane. Kështu duket se ai e përcepton atë dhe nëse nuk mund ta thotë këtë haptazi sepse si politikan i duhen votat e atyre qe mendojnë dhe ndjejnë ndryshe, e thotë këtë përmes gjuhës së personazheve.
Ai nuk e thotë se Sali Berisha është i keq sepse është musliman, por aluzioni i tij me personazhin Sali Benishi është i qartë. Thjesht, Blushi përmes romanit të tij tregon se Sali Berishën para se ta sheh si një përfaqësues të një ideologjie tjetër politike e sheh atë si një musliman. Ky fakt është tronditës për shoqërinë shqiptare dhe sëkëndejmi shoqëria shqiptare ndjehet e provokuar nga ky roman. Ishulli të jep ndjenjën e të qenët i rrethuar nga rreziku. Për Ben Blushin këta janë muslimanët e Sali Berishës, ndërsa për fshatarin maqedon këta janë amerikanët e Bill Clintonit të cilët i kanë futur virusin e marrëzisë presidentit Gligorov.
Botimi i romanit me temë provokative për mua është një element pozitiv për shoqërinë shqiptare. Sfidimi me të tregon një emancipim të shoqërisë shqiptare. Ky është fakt inkurajues. Botimi dhe buja e këtij romani u jep të kuptojnë të gjithë atyre që ndjehen se jetojnë në ishullin ortodoks në detin e dalldisur musliman se dallgët e këtij deti kanë një harmoni me ishullin dhe se trembja e ishullarëve është e pabazë.
Ky roman dhe buja rreth tij është një rast i mire për ta mposhtur një herë e mirë idenë dominuese në mesin e qarqeve intelektuale snobiste në Kosovë e Shqiperi se Perandoria Osmane është shkaktare e prapambetjes shqiptare, ide kjo që gjeneron arsyetim për mos të hululmtuar shkaqet e verteta të prapambetjes.
Nese bota lindore i paska lënë prapa shqiptarët, si spjegohet fakti se çdo kryeqytet i vendeve islamike eshte 100 here më i zhvilluar e më i rregulluar se sa Tirana e Prishtina? Popujt e tjerë muslimanë kane njerëz të shkences, artit, kultures, arkitektures etj, që i njeh bota, ndërsa një shqiptar mund të bëjë emër në botë vetëm nëse largohet nga Shqipëria, Kosova ...Shqiptarja më e njohur në botë: Nëna Tereze ka bërë emër jo duke ikur në Perëndim por në Lindje, në Kalkutë.
Vende islamike si Pakistani, e Turqia kane pasë kryeministra femra para disa dekadave. Kur mund te presin shqiptaret femer kryeministre? Nuk është islamizmi që i pengon shqiptaret të mos kenë ujë, rrymë e mos me dijtë me prodhu asnjë gjë origjinale që të tjerët t'i kopjonin këto produkte.
Edhe nëse diçka shqiptarët prodhojnë ajo është kopje e diçkahit që prodhohet diku në Perëndim apo në Lindje.
Të akuzosh shqiptarët muslimanë se janë pro-orientalë është njësoj si të akuzosh ortodoksët shqiptarë se janë pro-grekë. Realiteti është se anti-grekët më të mëdhenjë mes shqiptarëve sot i gjenë në mesin e ortodoksëve shqiptarë dhe anti- orientalët më të fortë i gjenë në mesin e muslimanëve shqiptarë.
Ben Blushi përbuzë shumicën shqiptare muslimane si shpirt mercenari, por në fakt ai nuk bënë asgjë tjetër, pos që e tregon mercenarizmin e tij në kohën moderne. Kur Perandoria Osmane ishte fuqi, shqiptarët ishin pjesa më e vrazhdë e këtij shteti. Tani kur superfuqia e vetme në botë është Amerika ne jemi populli më proamerikan në botë. Kjo tregon se shqiptarët nuk i ka afruar me Lindjen dashuria për islamin e as nuk i afron me Perendimin dashuria për krishtërimin, por ata kanë anuar në njërën apo anën tjetër të prirur për të qenë në krah me më të fortin.
Logjikë kjo të cilën e ndjek edhe Ben Blushi: nëse do që të të shitet libri atëherë bëjë atë çfarë është trendi në Shqipëri: shfryju ndaj muslimanëve. Ndonjë përkthim i mirë i romanit mund ta bëjë shumë të lexuar edhe në Perëndim jo për shkak të vlerave artistike apo të vërtetave historike sa për arsye që u jep ndjenjën e mirë atyre që ndjehen të krishterë.
Nexhmedin SPAHIU
cell: +377 44 147596