Përkufizimi, objekti, synimi, ndarja dhe terminologjia e shkencës së etikës

Nga aspekti filozofik, etika është disiplinë teoriko-kognitive dhe brenda saj, ka ambicien, detyrën dhe temën ta verifikojë zanafillën, zhvillimin, të kryejë klasifikimin dhe sistematizimin e kategorive morale-etike, të verifikojë dhe të provojë të penetrojë në synimet dhe domethënien e dashjeve morale, në kriteret bazore për vlerësimin e akteve, veprimeve, sjelljeve dhe veprave morale, sikur edhe përgjithësisht në bazueshmërinë apo pabazueshmërinë e teorisë dhe shkencës mbi moralin.[2]

Juristi bashkëkohor sirian, Tarik Ramadan, me rastin e tipologjizimit dhe klasifikimit të shkencave islame për etikën pohon se “studion mirësjelljen individuale në raport me Zotin, vetveten, familjen, komshitë dhe shoqërinë në tërësi”[3]. Intelektuali i mirënjohur i shekullit XX, F. Rahman, pohon se “etika mund të përkufizohet si teori e asaj se çka nga pikëpamja morale është e drejtë dhe çka është e zhdrejtë.[4]

Një dijetarë tjetër ahlakun e kupton në dy rrafshe, plotësuese njëra-tjetrës:

1. Raporti i njeriut ndaj Allahut dhe ndaj njeriut: sjellja e njeriut ndaj Zotit - si do ta adhurosh Atë, si do ta manifestosh monoteizmin ndaj Tij dhe si do t’i shmangesh asaj që e hidhëron Atë, pastaj si do të sillesh ndaj krijesave tjera si: ndaj engjëjve, të dërguarve, njerëzve të mirë, farefisit, por edhe ndaj djajve, jobesimtarëve, mëkatarëve, hipokritëve. Katër grupet e fundit njeriu i përbuzë, apo i urren vetëm për hirrë të Allahut.

2. Raporti i njeriut ekskluzivisht si mirësjellje ndaj njerëzve, që tregon madhështinë dhe vlerën e ahlakut dhe pozitën e lartë të tij në fe.[5]

Ibn Sadr’ud-din Esh-Shirvani (vd. 1627) pohon se ahlaku është “shkencë mbi virtytet dhe mjetet që të arrihen, mbi të ligat dhe mjetet si të ruhemi nga ato…”.[6]

Kurse dijetari i njohur dhe mjaft produktiv egjiptian, Ahmed Emin, ndër të tjera pohon se “shkenca e ahlakut është dituri që sqaron domethënien e të mirës dhe të keqes, ... shpjegon qëllimin që duhet synuar njerëzit në veprimet e tyre dhe ndriçon rrugën për të punuar çka ka nevojë.[7]

Nga disa dijetarë të tjerë, etika përkufizohet si religjion i sendërtuar apo religjion praktik, e aplikuar dhe e praktikuar në raportet ndërnjerëzore dhe se etika dhe morali janë pjesë përbërëse dhe të pandashme të çdo religjioni, kurse doktrina mbi të mirën dhe të keqen janë esenca dhe thelbi i doktrinës etiko-morale.[8] Në mënyrë përmbledhëse etika është quajtur edhe “dituri e obligimeve, e detyrave”.[9]

Dijetari bashkëkohor hanbelist El-Xhezairi moralin e përkufizon “si gjendje të rrënjosur të shpirtit nga i cili rrjedhin veprat e vullnetit të lirë, qofshin ato të mira apo të këqia. Sipas natyrës së tij ai i nënshtrohet ndryshimit, varësisht nga kushtet e edukimit. Nëse kjo gjendje kultivohet dhe zhvillohet në drejtim të prirjes kah virtytet, kah e vërteta, kah dashuria për të mirë, të arrihet e mira dhe fisnikja nga një anë dhe të pengohet e keqja nga ana tjetër, kjo prirje suksesivisht do të kalojë në shprehi të përhershme, kështu që aplikimi i tyre nuk do të jetë barrë dhe pengesë. E kundërta e kësaj gjendjeje do të jetë nëse shpërfillet kjo prirje e lindur”.[10]

Të gjitha këto përkufizime janë të diskutueshme, nga se nuk shprehin tërë atë që nënkupton etika në islam, e po ashtu edhe nga shkaku se përkufizimi që për një shkollë të caktuar është i pranueshëm, për shkollën tjetër nuk është. Kështu për shembull, një shkollë rekomandon nënshtrimin përpara forcës dhe këtë e shikon si detyrë morale, kurse shkolla tjetër e refuzon këtë veprim, e quan imoral dhe kërkon kundërvënie dhe vetëm këtë e quan veprim moral.[11]

Përkundër dallimeve si pasojë e përkatësisë shkollave apo doktrinave të ndryshme, të gjithë dijetarët muslimanë pajtohen se ajeti vijues shpreh, përmban, përfshin dhe përkufizon mësimin etik islam më së ploti:

“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (En-Nahl, 90).

Prandaj, ndonëse përkufizime të shumta dhe herë-herë edhe kundërshtuese, së bashku ato japin një pasqyrë më të plotë të përkufizimit të etikës islame si shkencë.





B. Objekti i shkencës së etikës



Objekt i etikës islame - ahlakut janë rregullat e mirësjelljes, sipas të cilave veprimet e lira njerëzore dallojnë në të mira (el-ma’ruf) dhe në të këqia (el-munker). Kriter absolut kemi: “... Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues.” (El-Bekareh, 185).

Sipas Ibn Sadr’ud-din Esh-Shirvanit objekt i etikës janë “prirjet e lindura (ahlak), virtytet e fituara dhe shpirti racional në masën në të cilën ato mund të ndikojnë te ajo.”[12] Çdo gjë që është në pajtim me këto rregulla, kjo është moralisht e mirë dhe çdo gjë që është në kundërshti me këtë, kjo është moralisht e keqe. Grumbullin e këtyre rregullave e quajmë ligj moral, kurse të vërtetat e larta sipas të cilave gjykojmë ndaj veprave njerëzore dhe i dallojmë në të mira dhe në të këqia i quajmë si kritere supreme të moralit.[13]

Më tej, objekt i etikës është morali ekzistues, respektivisht praktika ekzistuese morale e njerëzve dhe përpjekjet për gjetjen e orientimeve përkatëse për përmirësimin eventual të kësaj praktike. Së këndejmi, në literaturën filozofike shqyrtimet etike perceptohen si varolizim teorik i të mirës apo si devalorizim i moralit të keq njerëzor, që disa filozofëve u dha shkas që etikën ta quajnë “filozofi morale” apo “teori të moralit”. Në pajtim me këtë, çdo etikan nuk është patjetër të jetë edhe moralist në kuptim të reformës praktike të moralit njerëzor, deri sa çdo moralist është edhe etikan, sepse me mirësjelljen e vet praktike dëshiron të vendos edhe disa vlera etike.[14]

Dijetarët e etikës, sipas cilësive të përgjithshme, veprat që i vepron njeriu i ndajnë në:

1. Veprat e vullnetshme (el-a’mal’ul-iradijjeh), si për shembull martesa, e cila bëhet si rezultat i gjatë i të menduarit, të planifikuarit, të gjykuarit dhe të zgjedhurit të njeriut dhe si të tilla janë të qëllimshme (a’mal maksudeh) etj.;

2. Veprat jo të vullnetshme (el-a’malu gajr’ul-iradijjeh), në të cilat njeriu nuk ka shenjë të të menduarit, të planifikuarit, të gjykuarit, si për shembull sëmundjet psikologjike, infarkti etj. Ato burojnë nga njeriu, por jo nga vullneti i lirisë së plotë të njeriut;

3. Veprat që ngjasojnë si të vullnetshme por edhe si jo të vullnetshme, varësisht nga këndi i kundrimit të njeriut.[15]

Mund të përfundohet se objekt parësor i etikës është vetë njeriu, i arsyeshëm, i lirë, me vullnet, zgjedhje, duke vepruar mirë apo keq.[16]





C. Qëllimi i shkencës së etikës



Etika - ahlaku synon që te njeriu të zhvillojë vetëdijen mbi detyrimin e përsosurisë vetjake, por edhe vetëdijën se ai është qenie shoqërore, që të jetojë në bashkësi me njerëzit tjerë dhe që ndaj tyre të ketë detyrime të caktuara. Duke e marrë parasysh se këto detyrime rrjedhin drejtpërdrejt nga nevojat e përditshme të përbashkëta, është e nevojshme vullnetarisht të miratohen. Ky është kushti i harmonisë së jetës së përbashkët dhe interesave të përbashkëta të të gjithë njerëzve dhe të asociacioneve të tyre, një garancion i vetëm i fortë dhe i vazhdueshëm i ardhmërisë së tyre të lumtur. Të edukohet njeriu i tillë, njeriu natyra e të cilit do të përshkohej me idetë e një morali të lartë, njëkohësisht e orientuar në interesat personale dhe kolektive, është synimi më i lartë i etikës islame.[17]

Me fjalë të tjera, etika islame nuk është ajo që disa njerëz e njohin si morali fetar “që shfaqet gjatë zbatimit të trajtave të ndryshme të adhurimit, nuk është jokonsumim i mishit të derrit, alkoolit dhe të ngjashme, por është sistem që i përfshin të gjitha aspektet e jetës, atë shpirtëror, trupor, fetar, botëror, racional, emocional, individual, shoqëror etj.[18] Etika synon krahas përcaktimit se ç’është e mirë dhe e moralshme dhe ç’është e keqe dhe e pamorlashme, por edhe t’i aftësojë njerëzit edhe praktikisht në pajtim me të mirën dhe moralin në orientimin dhe zgjidhjen e drejtë të problemeve etike, të respektimit konsekuent, çka mundëson të orientohemi më mirë, më moralshëm, më me nder e dinjitet në jetën e përditshme.[19]





D. Ndarja e shkencës së etikës



Shkenca e etikës ndahet në:



a) Etika teorike



Etika teorike (ilm’ul-ahlak en-nadharij) merret me përshkrimin dhe komentimin e moralit ashtu çfarë ai shfaqet në jetën personale dhe shoqërore të njeriut. M. A. Draz këtë etikë e quan filozofia etike apo etika teorike.[20]

V. Paviçeviq etikën teorike e përkufizon si degë të etikës që synon analizën, shpjegimin dhe të kuptuarit e fenomenit moral.[21] Ai më tej, në një vepër tjetër të tij pohon se etika teorike para së gjithash merret me problemin e themelimit dhe arsyetimit të gjykimit moral (respektivisht vlerësimit se diç është e mirë apo e keqe, korrekte apo jokorrekte). Etika teorike hulumton arsyet logjike, emocionale, shoqërore e edhe ontologjike-metafizike për shkak të të cilës disa veprime i lejojmë kurse të tjerat nuk i lejojmë respektivisht i gjykojmë.[22] Fillimisht etika teorike nuk ekzistonte, kurse përvetësimi, miratimi i kësaj etike arsyetohej me faktin se e kanë hasur etikën e tillë nga të parët dhe si të tillë vazhdojnë ta praktikojnë. Këtë arsyetim e gjejmë edhe në Kur’an nga politetistët mekas, duke refuzuar Kur’anin. Etika teorike filloi të identifikohet dhe profilizohet me ndryshimet shoqërore në prodhim, me klasët shoqërore dhe sidomos me paraqitjen e filozofisë si mendim kritik, konceptual, racional mbi botën dhe veten.

Islami si fe e pastër monoteiste nuk pranon trinitetin as çfarëdo inkarnimi dhe këtë e mendon si degradim të Gjithëfuqisë dhe të Gjithëpushtetit të Allahut. Muhammedi a.s. është vetëm i dërguar dhe njeri i Zotit e jo Zot as derivat i Tij. Zoti është jashta të gjitha ndodhive, por asgjë nuk ndodh pa vullnetin dhe dëshirën e Tij. Mirëpo, ky absolutizim nuk e privon njeriun nga çdo iniciativë apo nga vullneti i lirë, apo nga autonomia e vlerave morale. Fatalizmi nuk është në koncepcionin islam, ndonëse te muslimanët ka pasur fatalizëm, sidomos në periudhën e ngecjes së muslimanëve. Ajetet kur’anore që duken me karakter predeterminist të tillë janë vetëm të shkëputur nga konteksti kur’anor. Ajetet e tilla trajtojnë çështje që s’kanë të bëjnë me veprimet relative të njeriut, por me njeiun në aspektin absolut. Njeriu si zëvendësi i Zotit në tokë, njeriu si qenie që mendon e planifikon është tregues i mjaftueshëm se njeriu në domenin e lirive që ia ka dhënë Krijuesi është kreativ dhe dominant. Në këtë zhvillim dallohen: 1. Drejtimi tradicionalist me etikën autoritare teonome, dhe 2. Drejtimi racionalist, mu’tezilitët, me etikën objektiviste dhe intuicioniste (aprioriste). Ata përfaqësojnë autonominë etike të njeriut.[23]





b) Etika normative apo praktike



Etika normative (ilm’ul-ahlak el-amelijj) e ndryshe njihet edhe si etika praktike merret me përcaktimin dhe shtjellimin e normave si kërkesa, ndalesa, rregulla, standarde, udhëzime e të tjera, merren me çështjen e esencës, natyrës, domethënies, llojeve dhe mënyrës së të vlejturit të normave, me të cilat njeriu duhet të udhëhiqet në jetën e tij morale.[24]

V. Paviçeviq etikën normative e përkufizon si degë të etikës që përpiqet të formulojë dhe të argumentojë normat e të vepruarit të rregullt, të drejtë, të mirë dhe kështu të luajë rolin praktik, drejtues, të ndihmojë në vetë veprimtarinë. [25]

Etika normative, respektivisht sistemi i detyrave themelore në islam do të manifestohet sidomos në disa rrefshe:

1. Deklarimi i besimit - Në islam janë pesë detyra:

1) Besimi në Zotin;

2) Besimi në engjëjt e Zotit

3) Besimi në librat e Zotit;

4) Besimi në të dërguarit e Zotit;

5) Besimi në botën tjetër;

6) Besimi në caktimin e Zotit.[26]

Edhe pse edhe islami karakterizohet me të a.q. elitizëm, që d.m.th. se vetëm islami është fe e vërtetë[27], megjithatë ai nuk pretendon se nuk ka pasur fe të vërtetë dhe se islami nuk është promovuar me dhunë: “Në fe nuk ka detyrim.” (El-Kur’an, El-Bekareh, 256).

Në detyrime bën pjesë edhe obligimi që besimtari të gjitha detyrimet dhe raportet shoqërore dhe vlerat tjera të tij t’ia nënshtrojë fesë, bashkësisë fetare dhe vlerave religjioze.

2. Miratimi i disa detyrave rituale në shkallën e detyrave themelore – Muhammedi a. s. ka thënë: Islami ngritet mbi pesë (shtylla):

1) Në të dëshmuarit se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Zotit;

2) Në kryerjen e namazit;

3) Në dhënien e zekatit;

4) Në të vizituarit e Ka’bes dhe;

5) Në agjërimin e ramazanit.”[28]

Meqë për besimin folëm më lartë, detyra vijuese është salati (namazi), i cili bëhet pesë herë në ditë dhe salati i xhumasë një herë në javë, dhe të cilit i paraprinë pastrimi ritual (abdesti apo guslli). Ndonëse jomuslimanët e herëherë edhe muslimanët salatin përpiqen ta redukojnë në gjimnastikë, apo në pastërti fizike, ai është edhe shumë më tepër se gjimnastika dhe pastërtia fizike. Formalizmi në zbatimin e ritualeve përbën vetëm një segment në islam.

Zekati, haxhi dhe agjërimi paraqesin detyrime fetare, etike, socialo-atruiste dhe pasurore për ta fisnikëruar njeriun dhe për ta shpënë në botën ku këto detyrime nuk bëhen nga frika por nga raporti ‘robërues’ ndaj Krijuesit, nuk bën të kryhen as nga dëshira për xhennetin, sepse detyrimet e tilla do të identifikoheshin me raportet komercialo-tregtare, që do të ishte një vullgarizim dhe degradim të detyrimeve fetare.[29]

3. Miratimi i disa detyrave morale në shkallë të detyrimit juridik – Krahas shtyllave të imanit dhe të islamit, në islam kemi edhe disa detyrime tjera si mënyra e ushqimit, mënyra e veshjes së mashkullit e sidomos mënyra e veshjes së femrës, rregullimi i jetës bashkëshortore, rregullat dhe detyrimet me rastin e lindjes së fëmijës, cirkumizimi te fëmijët meshkuj, rregullat e fejesës dhe martesës, vdekjes etj.[30]









E. Terminologjia e shkencës së etikës



Gjatë historisë së etikës islame janë përdorur shprehje të ndryshme për të shprehur çështjet esenciale dhe periferike të moralit islam. Megjithatë, janë profilizuar disa: morali, etika, ahlaku, edebi etj.





1. Morali



Fjala moral rrjedh nga gjuha latine mos, moris, dhe në kuptimin burimor, etimologjik ka domethënien e ligjit, të zakonshmes, traditës, mirësjelljes, dëlirësisë. Mendohet se të parët në përdorim e futën Ciceroni në veprën e vet De Fato (Mbi fatin) dhe Seneka në vepreën e tij Epistulae (Letra), duke e përkthyer fjalën greke ethikón.[31] Në kuptimin filozofik fjala moral ka kuptimin e “tërësisë të traditave, veçan të traditave të mira, të cilët mundësojnë ekzistim dhe zhvillim të volitshëm dhe harmonik të individit dhe shoqërisë”.[32]

Në kuptimin terminologjik fjala moral kryesisht ka dy kuptime:

- Tërësia e normave të caktuara, domosdoshmërisht dhe përgjithësisht të pranuara në jetën e përbashkët të një shoqërie apo bashkësie konkrete. Morali në këtë aspekt mund të kuptohet si formë e shoqëroritetit të njeriut;

- Gatishmëria subjektive, e lirë dhe vullnetare e njerëzve që normat e miratuara morale t’i ndjekin në jetën e tyre individuale dhe shoqërore. Morali në këtë aspekt mund të kuptohet si mundësi qenësore e njeriut e vetëpërcaktimit dhe si manifestim të lirisë së tij dhe të bërit mirë nga zgjedhja e lirë.[33]

Fjala moral përdoret edhe në kuptimin neutral të vlerës, kur dëshirojmë ta përcaktojmë mënyrën e veprimit ose të sjelljes së një grupi apo individi, pa marrë parasysh a kanë vepruar ose a janë sjellur mirë apo keq. Por, më së shpeshti me fjalën moral nënkuptojmë përcaktimin vlerësues dhe me këtë rast morali ka kuptimin e kundërt me fjalën jomoral. Me këtë rast, me fjalën moral përcaktojmë cilësitë pozitive të njeriut dhe sjelljen korrekte, të rregullt dhe të mirë.[34]







2. Etika



Fjala etikë rrjedh nga gjuha greke êthos që do të thotë traditë, sjellje, zakon.[35] Sipas disa mendimeve etikë quhet teoria filozofike mbi moralin, që aktualizohet në interesimet e intelektualëve në periudhat ndërmjet një mënyre të jetës në tjetrën, kur teoritë e vjetra më nuk plotësojnë nevojat e grupit të caktuar, kurse mënyrat e reja ende nuk janë të qarta dhe të besueshme për t’i aprovuar pa dilema grupet e njerëzve.[36] Etika është shkencë që merret me lindjen, zhvillimin, synimet, bazueshmërinë, kuptimin dhe me historinë e vlerave dhe normave morale, me pikëpamjet dhe vullnetin moral. Etika merret edhe me përcaktimin e parimeve morale, detyrimeve dhe ndalesave morale, virtyteve morale dhe të ligave, të cilave njeriu duhet t’u përmbahet apo t’u largohet.[37] Në një përkufizim materialist lexojmë se “etika është shkenca mbi moralin, mbi prejardhjen dhe natyrën e tij, mbi rregullat dhe normat e sjelljes së njerëzve, mbi detyrat ndaj njëri-tjetrit, ndaj shoqërisë, atdheut, shtetit etj.”[38]

Vetë etika është nocion dykuptimshë: 1. Ajo që ka të bëjë me etikën, si disiplinë teorike brenda religjionit dhe filozofisë dhe; 2. Ajo që është vetveteiu etike, e vlefshme, e moralshme, e karaktershme.[39]

Etika nuk ka karakter thjeshtë teorik, kontemplativ dhe kognitiv, njohës, por krahas të parave edhe karakter normativ, praktik.





3. Ahlaku



Fjala ahlak është shumësi i fjalës arabe hulukun dhe shënon prirjen e lindur, karakterin, mënyrën e mirësjelljes me botën, cilësitë shpirtërore dhe morale që përcaktojnë dhe formojnë mënyrën e sjelljes njerëzore.[40] Disa dijetarë fjalën ahlak e shpjegojnë si “veti, tipar, natyrë, karakter, moral” dhe pohojnë se kjo shprehje mund të komentohet vetëm nëse kihet parasysh ajeti vijues kur’anor “Ti drejtoje veten tënde, si besimtar i vërtetë, nga feja e pastër, nga ajo natyra e Allahut (fitretullah), sipas së cilës Ai i krijon njerëzit.” (Err-Rrum, 30)[41]

Edhe pse kuptimi kryesor i fjalës moral është veprimi, kurse kuptimi kryesor i fjalës ahlak është cilësia shpirtërore dhe morale, mund të thuhet se domethënia edhe e njërës edhe e tjetrës pajtohet: edhe morali edhe ahlaku ka të bëjë me veprimin e veprave nga njeriu si rezultat i zgjedhjes së lirë. [42]

Fjala ahlak në Kur’an dhe në Hadith ka vend të veçantë.

Kur’ani për Muhammedin a. s. pohon:

“Me të vërtetë ti je në shkallën më të lartë të moralit.” (El-Kalem, 4). [43]

Muhammedi a.s. pohon:

“Besimtarët më të përsosur në fe janë ata që kanë moralin më të mirë.” (Ekmelu’l-mu’minine imanen ahsenuhum hulukan). (Tirmidhi).

“Jam dërguar ta përsosi bukurinë e moralit” (Buithtu li utemmime husne’l-ahlaki). (Et-Tajalisi, Musned).[44]

“Morali i Muhammedit a. s. ka qenë Kur’ani”. (Fe inne huluka nebijji’l-lahi, s.a.v.s., kane’l-Kur’an”. (Muslim).

Karakteri i bukur i njeriut, cilësitë fisnike, mirësia dhe virtyti përcaktohen me shprehjen e ahlakut të mirë (ahlak’l-hamideh)[45], kurse karakteri i ligë e njeriut, cilësitë jofisnike, negative dhe prirjet kah të ligat përcaktohen me shprehjen e ahlakut të keq (ahlak’udh-dhemime).[46]

Në periudhën e hershme të historisë islame ahlaku ishte shtyllë e besimit, që më vonë të trajtohet në mënyra të ndryshme, varësisht nga rrethanat historike dhe intenziteti praktik i besimit ndër besimtarët.[47]





4. Ilm’ul-ahlak



Mësimi islam, që përfshin të gjitha poret e jetës, të gjitha aktivitetet dhe veprimet njerëzore, gjatë kohës është profilizuar në shkencë të veçantë, e cila ka për synim që njeriun, në aspektin moralo-etik, ta përkryejë, që nga çdo individ të krijojë personalitet të pavarur, të vetëdijshëm dhe të pjekur, i cili me cilësitë, synimet dhe veprimet e veta, me mënyrën e vet të mendimit dhe jetës, me ndërgjegje dhe në çdo çast, të përpiqet të jetë i dobishëm dhe pozitiv – edhe për veten edhe për të tjerët, edhe për këtë botë edhe për botën tjetër. Kjo shkencë, dituri quhet ‘Ilm’ul-ahlak’.[48]

Në literaturën klasike islame për ilm’ul-ahlaku-n thuhet se është shkenca mbi virtytet dhe mjetet si të kultivohen, ruhen dhe përparohen ato, mbi të ligat dhe mjetet si të ruhemi nga to.[49]

Disa dijetarë ahlaku-n e kanë quajtur “dituri të të mirës dhe të keqes”, sepse njeriu me studimin e kësaj diturie do ta dallojë të mirën nga e keqja dhe do ta zgjedhë të mirën dhe do ta braktisë të keqen.[50]

Disa të tjerë, ilm’ul-ahlak-un e përkufizojnë si shkencë mbi mirësjelljen njerëzore, shkencë mbi jetën njerëzore që analizon vlerat morale dhe përkufizon normat e mirësjelljes njerëzore, respektivisht shkencë mbi studimin sistematik të mirësjelljes njerëzore nëpërmjet të të cilave vihet deri te rregullat mbi veprimin njerëzor, sikur edhe deri te vlerat morale që i japin kuptim jetës njerëzore. Sipas po këtij burimi, nëpërmjet etikës synohet të jepet përgjigje në dy pyetje themelore: ç’është adl-i (drejtësia) dhe dhulm-i (padrejtësia) dhe ç’është hajr-i (e mira) dhe sherr-i (e keqja). [51]

Në këto angazhime kemi edhe ndikime nga të huajt, sidomos nga ajo greke, aristoteliane[52], dhe duhet pranuar, nuk është bërë sa duhet në analizimin dhe prezantimin e trashëgimisë se cila është origjinale islame dhe cila është e huaj.

Në klasifikimet klasike muslimane të shkencave, etika islame përcaktohet si e shpallur, shkencë sheriatike, shkencë praktike dhe në korelacion me politikën dhe ekonominë si shkencë dhe filozofi praktike.[53]





5. Edebi



Fjala edeb është arabe dhe në masë të caktuar ka kuptimin e ahlakut. Konsiderohet se fjala edeb buron nga gjuha e vjetër arabe de’b, që kishte kuptimin e traditës, dokeve, shprehive, me çka nënkuptohej tradita e të parëve.[54]

Në kuptimin e hershëm termi edeb d.m.th. disiplinim i frymës dhe shpirtit, arritje e kualitetit dhe cilësive të frymës dhe shpirtit, aplikim i veprës korrekte, sikur që pohon hadithi i Muhammedit a.s.:



“Pa dyshim ky Kur’an është gosti e Zotit (me’dubet’ull-llahi) në tokë, andaj mësoni (edukohuni) prej gostisë së tij.” [55]

Shumë autorë shprehjen edeb e kuptojnë si veprim të reflektimit të cilësive të brendshme në cilësitë e jashtme, d.m.th. në sjelljet individuale të njeriut. Edeb në kuptimin më të gjerë domethënë jeta e gjithëmbarshme shpirtërore dhe materiale e njeriut që e mbjellë virtytin e të mirës së cilës i synohet. Më sakt, edukimi është ai që Muhammedi a.s. ka menduar me edebin kur pohon:



“Më ka edukuar Krijuesi im dhe edukatën time e ka bërë më të mirën.”[56]

Edukimi është mbjellja e edebit te njeriu dhe në njeriun, respektivisht edebi është ajo që ka të bëjë me njeriun në mënyrë që ai të bëhet i suksesshëm dhe i mirë në jetë në këtë dhe në botën tjetër. [57]

Edhe edebi në bashkëveprim me ahlakun merrë pjesë të rëndësishme në formimin e personalitetit. Disa shprehjen edeb e kuptojnë si edukatë të brendshme, kurse shprehjen terbijjeh edukatë të jashtme.[58]

Në përdorimin verbal fjala edeb është shtrirë deri sot, megjithëse qysh nga shekulli IX fjala edeb është zgjeruar edhe me kuptime tjera, si të diturisë. Më vonë kjo fjalë nënkuptonte tërësinë e dijes, cilësive dhe të aftësive që duhej t’i kishte ai që dëshironte të komunikojë në shoqërinë e rafinuar dhe kultivuar.[59]

Në shekujt e mëvonshëm është diferencuar edhe kuptimi në letërsi, si krijim letrar me synim të kthjellimit, disponimit të lexuesit dhe t’iu ofrojë këshillë, mësim mbi mirësjelljen korrekte dhe të bukur në mënyrë mirënjohëse.[60]

Në shekullin XIX dhe XX fjala edeb, nën ndikimin evropian, mori kuptim të ngushtë të letërsisë dhe të literaturës përgjithësisht[61], kurse këtë rol ka filluar ta pranojë termi terbijjeh.[62]



--------------------------------------------------------------------------------

[1] Halid Buljina, Ahlak – Islamska etika, Glasnik Rijaseta Islamske Zajednice u Bosni i Hercegovini, nr. 9-10/1997, Sarajevë, fq. 819.

Gjerësisht për përkufizimin e etikës islame shih: Abdurrahman Hasan Hanbekete El-Mejdani, El-Ahlak’ul-islamijjetu we ususuha, pjesa I, botimi VI, Damask, 1423 h./2003, fq. 10-11. Krhs.: Imad Hafaxhi Salim Amir & Mustafa Abd’ul-xhevvad Imran & Muhammed Abd’ul-fudajl Muhammed Abd’ul-aziz El-Kusi, El-Xhanib’ul-imanijj we’l-ahlakijj fi’l-islami, Kairo, 1396–1397 h./1976-1977, fq. 201.

[2] Mustafa Spahic, Učenje Islama, Zenica, 2002, fq. 64.

[3] Tariq Ramadan, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002, fq. 62.

[4] Fazlur Rahman, Pravo i etika u islamu op. cit., fq. 21.

[5] Selman Ibn Fahd El-Avde, Ahlak da’ije, Sarajevë, 2003, fq. 11-12.

[6] Citimi i Haxhi Halifes, sipas: Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq. 176.

[7] Shih: Ahmed Emin, Kitab’ul-ahlak, Bejrut, 1974, fq. 12.

[8] Mustafa Spahić, Učenje Islama, op. cit., fq. 61.

[9] Ahmed Emin & Emin Mursij Kandil, El-Ahlaku, Kairo, (1940 ?), fq. 6.,

[10] Ebu Bekr Dzabir El-Dzezairi, Put pravog muslimana, I, Zenica, 1421 h./ 2000, fq. 204.

Dijetarët klasikë moralin e kanë kuptuar në mënyra tejet interesante, por çdonjëri perceptim ka qenë konkret, praktik. Për shembull, Hasan El-Basriu thotë: “Morali i mirë është të jesh me fytyrë të kthjellët e të bukur, të shkëlqejë me mirësi dhe askujt mos t’i pengohet.”

Abdullah Ibn Mubareku thotë: “Morali i mirë manifestohet në tri virtyte: të abstenimin nga e ndaluara, në kërkim të të lejuarës dhe në bamirësi ndaj familjes së vet.”

Një tjetër ka thënë: “Morali i mirë është mos t’i pengohet askujt, kurse besimtari të durohet.” Sipas: Ebu Bekr Dzabir El-Dzezairi, Put pravog muslimana, I, Zenica, 1421 h./ 2000, fq. 206.

[11] Muhammed Husein Beheshti & Xhevad Bahonari, Filozofia islame, Tiranë (?), pa vend botimi, fq. 184-187.

[12] Sipas citatit të Haxhi Halifes në: Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq. 176.

[13] Halid Buljina, Ahlak – Islamska etika, Glasnik Rijaseta Islamske Zajednice u Bosni i Hercegovini, nr. 9-10/1997, Sarajevë, fq. 819.

Imad Hafaxhi Salim Amir & Mustafa Abd’ul-xhevvad Imran & Muhammed Abd’ul-fudajl Muhammed Abd’ul-aziz El-Kusi, El-Xhanib’ul-imanijji we’l-ahlakijji fi’l-islami, Kairo, 1396–1397 h./ 1976-1977 fq. 201-202.

[14] Mustafa Cerić, Predgovor, në: Etika u islamu, Zbornik Radova III Simpozija zagrebacke dzamije 1410 h./1990, Zagreb, 1991, fq. 2.

[15] Imad Hafaxhi Salim Amir & Mustafa Abd’ul-xhevvad Imran & Muhammed Abd’ul-fudajl Muhammed Abd’ul-aziz El-Kusi, El-Xhanib’ul-imanijj we’l-ahlakijj fi’l-islami, Kairo, 1396–1397 h./ 1976-1977 fq. 202-204.

Po ashtu shih: Ahmed Emin, Kitab’ul-ahlak, op. cit., fq. 12-14.

[16] Ahmed Emin & Emin Mursij Kandil, El-Ahlaku, Kairo, (1940 ?), fq. 8-9.

[17] Halid Buljina, Ahlak – Islamska etika, Glasnik Rijaseta Islamske Zajednice u Bosni i Hercegovini, nr. 9-10/1997, Sarajevë, fq. 819.

[18] Etika islame është e lidhur me:

1. Nevojat trupore të njeriut: “Hani e pini, por mos shpërdoroni me marrëzi e pa masë...”. El-A’raf, 31;

2. Me nevojat mendore të njeriut: “Thuaju: Vështroni gjithë ç’ka në qiej dhe në tokë!” Junus, 101; “Thuaju atyre: Unë ju bëj thirrje vetëm juve vetëm te një gjë: që ju të qëndroni për hir të All-llahut në palë ose vetëm, dhe të mendoni thellë ...”. Sebe’, 46.

3. Me ndjenjat dhe pasionet e njeriut: “Vërtet që do të ngadh[njejë ai i cili e pastron vetveten dhe vërtet që dështon ai që e prish vetveten ...”. (Esh-Shems, 9-10). Shih gjerësisht për aspektet e ndryshme të etikës: Jusuf El-Karadavi, Veçoritë e përgjithshme të islamit, Prishtinë, 2002, fq. 128-132. Risto Tubić, Britanska Filozofija Morala, Sarajevë, 1978, fq. 515-518.

[19] Ekrem Murtezai, Fjalor i filozofisë, 1995, fq. 180. Po ashtu: Ahmed Emin – Emin Mursij Kandil, El-Ahlaku, Kairo, (1940 ?), fq. 6.

[20] Muhammed Abdullah Draz, Dirasatun islamijjetun fi’l-alakat’il-ixhtimaijjeti we’d-dewlijjeti, botimi II, Kuvait, 1394 h./1974, fq. 101.

[21] Sipas: Vuko Paviçeviq, Bazat e etikës, Prishtinë, 1981, fq. 22.

[22] Sipas: Vuko Pavičević, Sociologija religije sa elementima filozofije religije, Beograd, 1980, fq. 280.

[23] Vuko Pavicević, Sociologija religije ..., op. cit., fq. 282-286.

Për drejtimet dhe sistemet filozofike-morale shih: Halid Buljina, Ahlak – islamska etika, Glasnik 9-10/1997, op. cit., fq. 824-827.

[24] Muhammed Abdullah Draz, Dirasatun islamijjetun fi’l-alakat’il-ixhtimaijjeti we’d-dewlijjeti, botimi II, Kuvait, 1394 h./1974, fq. 101-102.

[25] Sipas: Vuko Paviçeviq, Bazat e etikës, Prishtinë, 1981, fq. 33; Ekrem Murtezai, Fjalor i filozofisë, Prishtinë, 1995, fq. 504.

Në shkencat normative bëjnë pjesë përveç atikës edhe estetika, logjika, pastaj pedagogjia, jurisprudenca etj. Shih: Ekrem Murtezai, Fjalor i filozofisë, Prishtinë, 1995, fq. 504.

Një analizë serioze rreth etikës teorike dhe praktike dhe konvergjencave e divergjencave të tyre ofron M. A. Draz. Shih gjerësisht: Muhammed Abdullah Draz, Dirasatun islamijjetun fi’l-alakat’il-ixhtimaijjeti we’d-dewlijjeti, botimi II, Kuvait, 1394 h./1974, fq. 100-111.

[26] N. Ibrahimi, Tre hadithe me përkthim dhe komentim, Prizren, 1413 h./1992, fq. 12-26.

[27] Kjo është e vërtetë kur’anore: “Pa dyshim fe e pranuar te Allahu është islami”. (Ali Imran, 19), dhe: “Kush kërkon fe tjetër veç islamit, ta dijë se kurrë nuk do t’i pranohet dhe, në ahiret, ai do të jetë nga të humburit.” (Ali Imran, 85).

[28] Shih: N. Ibrahimi, Tre hadithe me përkthim dhe komentim, Prizren, 1413 h./1992, fq. 28-39.

[29] Husein Gjozo, Islam u vremenu, Sarajevë, 1976; Jusuf El-Karadavi, El-Ibadetu fi’l-islam, bot. XVIII, Bejrut, 1406 h./1986.

[30] Vuko Pavicevic, Sociologija religije ..., op. cit., fq. 298-305.

[31] Ekrem Murtezai, Fjalor i filozofisë, 1995, fq. 462.

[32] Shih: Milan Vujaklija, Recnik stranih reci i izraza, botimi III, Beograd, 1980, fq. 585.

Në ‘Enciklopedinë juridike’ lexojmë përkufizimin ateist se “morali është lloj i normave shoqërore që qëndrojnë në lidhje të ngushtë me të drejtën, por nga e drejta dallon në atë sepse morali është krijesë e shoqërisë së paorganizuar e sanksionuar me sanskion të veçantë shoqëror dhe me sanksion të veçantë të brendshëm – brejtja e ndërgjegjes.” Sipas: Pravna enciklopedija, vëllimi I, Beograd, 1989, fq. 832.

[33] Dzevad Hodzic, Uvod u islamsku etiku, Sarajevë, 1999, fq. 11; Ali Bullaç, Historia, shoqëria dhe tradita, Shkup, 2003, fq. 263.

Vehbi Sulejman Gavoçi etikën përgjithësisht e përkufizon si “tërësi e veçorive psiqike më kryesore, që shfaqen në veprimtarinë e në sjelljen e njeriut në shoqëri dhe, që e shquajnë personalitetin e tij.” Sipas: Vehbi Sulejman Gavoçi, Mirësjellja islame, Shkodër, 1998, fq. 9.

[34] Dzevad Hodzic, op. cit., fq. 12.

[35] Etika si shkencë është pjesë e filozofisë që hulumton dhe vlerëson vlerat morale, ç’është e mirë dhe ç’është e shëmtuar, e keqe. Sipas: Milan Vujaklija, op. cit., fq. 301.

[36] Arif Tanovic, Etika i politika, botimi II, Sarajevë, 1980, fq. 9.

[37] Nerkez Smailagic, Leksikon Islama, Sarajevë, 1990, fq. 175-177.

Vehbi Sulejman Gavoçi etikën e njeriut e përkufizon se “ka të bëjë me tërësinë e parimeve, normave dhe rregullave morale që përcaktojnë sjelljen e njeriut e me marrëdhëniet e tij me vetveten, me familjen e me shoqërinë.” Vehbi Sulejman Gavoçi, Mirësjellja islame, Shkodër, 1998, fq. 9.

[38] Shefik Osmani, Fjalor i pedagogjisë, Tiranë, 1983, fq. 189.

[39] Mustafa Spahic, Ucenje Islama, Zenica, 2002, fq. 70.

[40] Ahmed Muhammed El-Hufi, Min ahlak’in-nebijji, Kairo, 1979, fq. 42 e pas. Po ashtu për domethëniet etimologjike dhe terminologjike shih: Muhammed Alij Izz’ul-areb Es-Semahi, El-Ahlaku fi dhil-li’l-islami, Kairo, 1403 h./1982, fq. 7-8.

[41] Xhemaludin Llatiq, Bazat e pedagogjisë kur’anore, Prizren, 2002, fq. 21-22.

[42] Fekihu dhe mufesiri Ed-Damegani nxjerrë shtatë kuptime të fjalës ‘ahlak – pl. / huluk – sing.’ dhe këto kuptime i ilustron me ajete kur’anore. Gjerësisht: El-Husejn bin Muhammed Ed-Damegani, Kamus’ul-Kur’an ew islah’ul-wuxhuhi we’n-nedhairi fi’l-Kur’an’il-kerim, botimi, III, Bejrut, 1980, fq.162-164.

Shih: Dzevad Hodzic, op. cit., fq. 15.

[43] Shih: Tariq Ramadan, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002, fq. 40-43.

[44] Ibn Hanbeli transmeton nga Ebu Hurejreh versionin tjetër të këtij hadithi: Innema buithtu li utemmime mekarim’el-ahlaki. Sipas: Ibn Hanbel, Musned, Kairo, 1313 h., pjesa II, 281.

[45] Dervis Spahic, Pouke o moralu i bogobojaznosti, Sarajevë, 1980, fq. 15 e pas.

[46] Dervis Spahic, Pouke o moralu …, op. cit., fq. 65 e pas.

[47] Ahmed Emin, Dhuhr’ul-islam, pjesa II, botimi V, Kairo, 1977, fq. 175.

[48] Rreth përkufizimit të ilm’ul-ahlakut shih: Imad Hafaxhi Salim Amir & Mustafa Abd’ul-xhevvad Imran & Muhammed Abd’ul-fudajl Muhammed Abd’ul-aziz El-Kusi, El-Xhanib’ul-imanijj we’l-ahlakijj fi’l-islami, Kairo, 1396–1397 h./ 1976-1977 fq. 201.

[49] Muhammed Alij Izz’ul-areb Es-Semahi, El-Ahlaku fi dhil-li’l-islami, Kairo, 1403 h./1982, fq. 46-47.

[50] Sipas: Muhammed Alij Izz’ul-areb Es-Semahi, op. cit., fq. 7.

[51] Sipas: Mustafa Ceric, Predgovor, në: Zbornik Radova III Simpozija zagrebacke dzamije 1410 h./1990, Zagreb, 1991, fq. 1.

[52] Ahmed Muhammed El-Hufi, Min ahlak’in-nebijji, Kairo, 1979, fq. 26. Po ashtu: Ahmed Emin, Kitab’ul-ahlak, op. cit., fq. 15-16.

[53] Gjerësisht për ilm’ul-ahlakun shih: Imad Hafaxhi Salim Amir & Mustafa Abd’ul-xhevvad Imran & Muhammed Abd’ul-fudajl Muhammed Abd’ul-aziz El-Kusi, El-Xhanib’ul-imanijji we’l-ahlakijji fi’l-islami, Kairo, 1396–1397 h./ 1976-1977 fq. 200-208 dhe 209-223.

Krhs.: Dzevad Hodzic, op. cit., fq. 17.
[54] Nerkez Smailagic, Leksikon islama, op. cit., fq. 166, shtylla 1-2.
Rreth termit ‘edeb’ dhe zhvillimit të tij të mëpasshëm shih: Abdulmexhid Hindi, Dirasatun fi’l-edeb’il-xhahilijji we sadr’il-islami, Kairo, 1980, fq. 11-14; dhe: Mustafa Çagrici, Edep, në: Islam Ansiklopedisi, Cilt 10, Istanbul, 1994, fq.412-414. Seid Hawa, Terbijjetuna err-rruhijjeh, botimi II, 1408 h./1988, fq. 203 e pas.

[55] “Inne hâdh’el-Kur’âne me’dubetu’ll-llahi fi’l-erdi, feteal-lemû min me’dubetihi.” Sipas Ibn Mes’udit. Shih gjerësisht: Syed Muhammad Naquib al-Attas, Islam i sekularizam, Sarajevë, 2003, fq. 213-214.
[56] Eddebenî Rabbî fe ahsene te′dîbî.
[57] Syed Muhammad Naquib al-Attas, Islam i sekularizam, Sarajevë, 2003, fq. 215-216.
[58] Shih për kuptimet e shprehjes edeb në: www.geocities.com/alemjag/ahlam.htm dhe: www.islambih.org/islambihucionica/ahlak/ahakiedeb.htm.
Për aspektet e ndryshme të shprehjes et-terbijeh shih veprën interesante: Abdurrahman El-Halavi, Usul-ut-terbijjet’il-islamijjeti we esalibuha fi’l-bejti we’l-medreseti we’l-muxhtemei, botimi II, Damask, 1403 nh./1983, fq. 11-295 dhe: Seid Hawa, Terbijjetuna err-rruhijjeh, botimi II, 1408 h./1988, fq. 23-268.
[59] Nerkez Smailagic, Leksikon islama, op. cit., fq. 166.
Ka mendime se shprehja edeb fillimisht është identifikuar me etikën persiane, që rezultoi, sipas tyre, të zëvendësohet me fjalën ahlaka. Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq. 175.
Krhs.: Francesko Gabrieli, Istorija arapske knjizevnosti, Sarajevë, 1985.
[60] Mustafa Çagrici, Edep, në: Islam Ansiklopedisi, Cilt 10, Istanbul, 1994, fq.413.
Ahmed Emin, Dhuhr’ul-islam, libri II, botimi V, Kairo, 1977, fq. 95-101.
[61] Nerkez Smailagic, Leksikon islama, op. cit., fq. 166; Krhs.: Francesko Gabrieli, op. cit.; Për derivatet e fjalës edeb shih: Islam Ansiklopedisi, Cilt 10, Istanbul, 1994, fq. 397 e pas.
[62] Shih: Syed Muhammad Naquib al-Attas, Islam i sekularizam, Sarajevë, 2003, fq. 213-216.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme