Islami, evroperëndimi dhe udhëkryqet intelektuale shqiptare

Islami zanafillën e vet e tërheq nga njeriu i parë. Këtë e pohojnë Kur'ani dhe Sunneti i Muhammedit a.s. Islami me Kur'anin dhe Muhammedin nuk paraqitet si fe e re, por si vazhdimësi e fesë së drejtë nga Ademi a.s. All-llahu i urdhëron Muhammedit a.s. të thotë:

"Unë nuk jam i pari ndër pejgamberët". (El-Kur'an, El-Ahkaf, 9). "Kemi dërguar pejgamberë edhe para teje." (El-Hixhr, 10). "Ju (besimtarë) thuani: "Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe pasardhësve, atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që u është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe Ne vetëm Atij i jemi bindur." (El-Bekare, 136. Shih: Kur'ani, III, 84; XVI, 43; XXX, 47, XL, 78).

Detyrë e misionit të Muhammedit a.s. ishte t'i konfirmojë shpalljet e mëhershme, ("Kur'ani, kaptinat: XXIX, 46; X, 37; XXXV, 28; XLVI, 12 dhe 30; VI, 42 dhe 92; II, 91; III, 2; IV, 150.) por edhe t'i hedhë poshtë shtrembërimet e falsifikimet që janë bërë gjatë kohës në to dhe njëkohësisht t'i plotësojë ato. (Kur'ani, III, 19.).

Fryma e hapur kundrejt të kaluarës dhe qëndrimi afirmativ ndaj saj, e shpjegojnë edhe ekspansionin e rrufeshëm të Islamit. Siç u theksua, Islami me Kur'anin nuk iu drejtua njerëzve të ndryshëm dhe popujve të shumtë si fe e re, që përjashton e rrënon fetë e mëparshme me forcë. Përkundrazi, Islami mëson dhe urdhëron që njerëzit dhe popujt e ndryshëm të thirren në fenë bazë që është predikuar nga Ademi, Nuhi, Ibrahimi, Musa, Isa e nga shumë të tjerë. Pra, Islami i ka përvetësuar njerëzit duke i respektuar ata dhe duke i integruar të gjitha shpalljet e mëhershme dhe pejgamberët e mëhershëm, por duke e mënjanuar atë njerëzoren e historiken nga ajo burimore, hyjnore.

Islami, ndryshe nga Judaizmi e Kristianizmi, nuk pranon idenë për popullin e zgjedhur, (Shkrimi shenjt, Letra e parë e Pjetrit, II, 9: "Ju jeni racë e zgjedhur... popull i shenjtë", sipas: R. Garodi, op. cit., fq. 115.) por pranon idenë për "njerëzimin si krijim të zgjedhur" të Vullnetit Hyjnor. (Kur'ani, XCV, 4.).

Ndaj, çështja e parë me të cilën u mor Islami është dinjiteti i racës njerëzore dhe vendi i saj në mesin e qenieve tjera të gjalla. Jashtë Islamit, njeriu e shihte veten në pozicion inferior e të degraduar kundruall krijesave tjera (kundruall florës, faunës apo dukurive natyrore). Islami njeriut i dha vendin meritor duke e caktuar për halifetul'll-llah (zëvendës, përfaqësues i Zotit), ("... Unë po krijoj në tokë një zëvendës"!..." (el-Bekare, II - 30), kurse të gjitha krijesat tjera në tokë, qiej e midis tyre, i angazhoi në shërbim të njeriut.

Mësimi islam s'ka kufij, sepse në vete unifikon natyroren dhe mbinatyroren, shpalljen dhe fenë, Zotin dhe botën, të gjithë shekujt dhe të gjithë nënqiejt. Për Islamin çdo gjë është njëlloj e rëndësishme dhe askurrë nuk e vë përbashkësinë në dëm të individuales, por unitetin e shpirtit e sendërton nëpërmjet shumësisë së shërbimeve dhe llojllojshmërisë së dhuratave hyjnore që e mbrojnë dhe kultivojnë prirjen natyrore të çdo lloji. (Kur'an, CI, 38).

Islami nuk i ndanë botët në këtë botë dhe në atë botë, në botën e natyrës së kuptueshme dhe në botën e natyrës së pakuptueshme. Rrethi natyror në të cilin rritet njeriu nën yje, është djep natyror i bindjes së tij dhe njeriu, sipas Islamit, ndaj tij sillet ashtu, sikur që lulja e makut të fushës sillet në sipërfaqen e gjerë të gjelbërimit të livadhit. Po ashtu fetaren dhe nacionalen i lidh në një nyje, duke synuar ta sendërtojë tërësinë e identitetit fetar nëpërmjet pluralitetit të gjeniut nacional, dhe këtë vetëm nëse gjeniu nacional e mbanë njeriun në rrethin e tij autentik shpirtëror, e assesi ta kthejë vetëdijen e tij në fillimet e tij ekzistenciale.

Islami në kontinuitet ka manifestuar baraspeshën ndërmjet nevojave të trupit dhe shpirtit, ndërmjet kësaj dhe asaj bote, andaj Kur'ani është burim i dijes metafizike dhe religjioze, por edhe i fushave të veçanta të dijes. Esencialisht, Kur'ani përmban tre lloje të mesazheve për njeriun:

1) Mesazhin doktrinor të mësimit të tërësishëm mbi strukturën e realitetit dhe pozitën e njeriut në të, tërësinë e urdhrave morale dhe fetaro-juridike, metafizikën mbi natyrën e Hyjnisë, kozmologjinë, eskatologjinë e përfundimtaritetit të njeriut dhe të botës tjetër, mbi jetën e njeriut, historinë, ekzistencën si të tillë dhe domethënien e saj. Kur'ani ekspozon të gjitha mësimet e nevojshme për njeriun që të dijë kush është ai, ku është ai dhe nga duhet të shkojë.

2) Kur'ani përmban mesazhin që i ngjason asaj që është libër i vëllimshëm i historisë. Kur'ani sjell rrëfimet për popujt, fiset, mbretërit, pejgamberët dhe për njerëzit e mirë gjatë shekujve, për sprovat dhe vuajtjet e tyre. Ky mesazh është shprehur me termat historikë, por i është drejtuar shpirtit njerëzor. Kur'ani është libër, leximi i të cilit zbulon domethënien e jetës njerëzore që fillon me lindjen kurse mbaron me vdekjen, buron nga Zoti dhe Atij i kthehet.

3) Kur'ani përmban vlera që mund të quhen magji hyjnore, nëse do të shpreheshim metafizikisht e jo tekstualisht. Ato e udhëheqin dhe e mbrojnë njeriun. Edhe prania fizike e Kur'anit sjell begati të madhe. Kur'ani është sikur vetë ekzistenca, sikur universumi dhe qeniet që lëvizin në të. Ai përmban të gjitha elementet e ekzistencës universale. (S. H. Nasr, fq. 39-40).

Duke i ndjekur mësimet hyjnore, duke i aplikuar parimet e mesazhit islam, muslimanët e hershëm për më pak se gjysmë shekulli kanë përhapur Islamin prej Indisë deri në Pirineje, prej Samarkandi deri në Afrikën Qendrore, jo me marshime, sa nga fakti se Islami ka ditur t'i integrojë të gjitha kulturat e mëdha të hershme dhe prej tyre të krijojë sintezë të shkëlqyeshme kreative. Qysh atëherë, tashmë trembëdhjetë shekuj, Islami ka formuluar teorinë, siç e thotë Klod Levi - Shtrausi, "të lidhshmërisë së të gjitha formave të jetës njerëzore: teknike, ekonomike, shoqërore, shpirtërore, që Perëndimi i ka zbuluar vetëm para pak kohe, me aspektet e caktuara të mendimit marksist dhe me fillimin e etnologjisë moderne." (C. Levi-Strausse, Anthropologie struaturale deux, Paris, 1973, fq. 399, dhe: R. Garodi, op. cit., fq. 24-25).

Këtu edhe zë fill dallueshmëria e Islamit kundrejt Perëndimit, që do të thotë se Islami nuk është vetëm emërtim për religjionin, por edhe sinonim për shoqërinë që ka ndërtuar civilizim autokton e të veçantë.

Vlen të theksohet se kultura perëndimore është e vetëdijshme se shfrytëzon burimet greko-romake dhe judeo-kristiane, ndaj, edhe nga njëra edhe nga tjetra trashëgon ndjenjën e veçanësisë dhe superioritetit ndaj të tjerëve.

Po ashtu, paradoksi i jashtëzakonshëm i historisë së Evropës Perëndimore përbëhet në atë që ky civilizim ka zënë fill në barbarizmin e fuqishëm, në vakumin njerëzor dhe kulturor, joorganik dhe të paorganizuar: nga shkatërrimi i shtetit në Mesjetë ka mugulluar shteti racional, nga sundimi i feudalizmit demokracia, nga presioni kishtar - liria e vetëdijes, kurse antagonizmat më të rrezikshme nacionale kanë krijuar nacionin si suazë për zhvillimin e njeriut dhe kulturës. (H. Dzait, Evropa i Islam, bo. II, Sarajevë, 1989, fq. 83).

Perëndimi mesjetar me Kristianizmin si avangardë ka qenë shprehje lëvizëse e Evropës kundrejt Islamit, që do të kulmojë me luftërat kryqtare e inkuizicionin, sepse "Islami për Evropën njëkohësisht ka qenë forcë kërcënuese ushtarake dhe domen dinamizues ekonomik", kurse më vonë edhe "armik ideologjik dhe shembull filozofik", që ka rezultuar me lindjen e "Evropës në histori" e cila është "sendërtuar vetëm me anë të Islamit: në fillim nëpërmjet shtangimit mbrojtës, e më vonë nëpërmjet shpërthimit atakues." (Shih: H. Dzait, op. cit., fq. 107-108. Edhe popuj e civilizime të tjera kanë hyrë në histori nëpërmjet Islamit, si Kina, India, Afrika, rusët, popujt turkmenë etj. Ibid., fq. 108).

Këto koncepcione kundërshtuese mes veti, d.m.th. koncepcionet islame dhe kristiane, në shekullin XVI e pas zbuten, që vërehet me zvogëlimin e polemikave, dhe Evropa pjesërisht i njeh muslimanët, sidomos në rrafshin dituror. Përkundër ndjenjës së superioritetit, individë nga Perëndimi bënë përpjekje për njohje të muslimanëve. (Disa nga ata janë: Boulainviliersi, Goethe, Voltaire, Monstequieue e Napoleoni. Shih: H. Dzait, op. cit., fq. 22-24.).

Në rrafshin politik, Islami u identifikua me Perandorinë Osmane dhe në vetëdijen e vokabularin perëndimor simbolizonte fanatizmin, e panislamizmi paraqiste plojë kundër Evropës, duke përdorur arsenalin e Mesjetës, me qëllime diskredituese. (Ibid., fq. 25).

Pikëpamjet evroperëndimore ndaj Islamit në shekullin XIX e XX, kryesisht janë kontinuitet i vizionit mesjetar kundrejt Islamit. Këtë botëkuptim, para së gjithash, e ka kushtëzuar kultura perëndimore, përkatësisht esenca e karakteri i kësaj kulture e civilizimi, e që është etnocentrike. Kjo nga arsyeja se veten e konsideron si qendër të vetme të iniciativës historike dhe të vetmin krijues të vlerave. Kjo pikëpamje e ngulitur thellë në Perëndim, nuk mund të mendojë ndonjë model tjetër të zhvillimit pos modelit të vet. Perëndimi, duke e kultivuar në vete trashëgiminë judaisto-kristiane dhe greko-romake, i konsideron jo mjaft të zhvilluar të gjithë popujt tjerë që nuk kanë ndjekur orbitën e tij historike. (R. Garodi, op. cit., fq. 115.). Perëndimi bie në etnocentrizëm edhe atëherë kur beson se e sjell në pyetje etnocentrizmin, sepse sërish vendoset si i vetmi faktor që është i aftë t'i definojë vlerat universale, që, ndër të tjera, është rast thuajse në të gjitha sferat e jetës edhe në fundshekullin e njëzet. (Shih: H. Dzait, op. cit., fq. 28). Këtë dukuri bukur e ka vrojtuar edhe shkencëtari G. Shpuza, i cili pohon se: "Në të hulumtuarit e mendimit politik, shoqëror dhe iluminist vërehet një njëanshmëri mjaft e theksuar. Vihet në pah me plot të drejtë orientimi i tyre nga shqyrtimi më i përparuar i kohës, drejt qytetërimit perëndimor. Por, ky orientim sikur absolutizohet dhe paraqitet gati-gati si një mohim i qytetërimeve të tjera, qytetërimeve lindore të hershme dhe të sotshme; në rastin tonë të qytetërimit islam". I këtij mendimi ka qenë edhe Sami Frashëri. (Shih: G. Shpuza, Shemsedin Sami Frashëri për qytetërimin islam, Perla - revistë ..., 1/1996, Tiranë, fq. 20-27). Sigurisht se kjo është pasojë e ndjenjës së inferioritetit që e posedon kultura e civilizimi evroperëndimor në raport me kulturat e mëdha kineze, persiane, arabe, egjiptiane dhe pasojë se Perëndimi vuan nga mungesa e madhësisë, sepse nuk është mbështetur në ndonjë perandori kompakte. (H. Dzait, op. cit., fq. 152).

Bota perëndimore nuk karakterizohet vetëm me idetë ateiste, vullgare materialiste, por karakterizohet edhe me idetë dhe veprimet politeiste. Individë e grupe i bënë vetes zotëra sipas dëshirës së vet, duke shikuar në para, forcë, teknikë, seks, komb, ideologji, të vetmin qëllim të drejtë, vlerën absolute ..., duke shkelur pa mëshirë çdo vlerë tjetër dhe çdo qenie tjetër njerëzore që i kundërvihet ekspansionit të tij. Këtë Hobsi bukur e ka vërejtur kur thotë se zhvillimi i tillë shpie "në luftë të të gjithëve kundër të gjithëve." (R. Garodi, op. cit., fq. 116. Po ky filozof shton: "Seksualiteti i ndarë nga dashuria dhe i shpjerë në dëfrimin biologjik, i privuar nga dimensioni i vërtetë njerëzor dhe hyjnor, pushon të jetë gjuhë "poetike" përzemërsisht e drejtuar "tjetërkujt". Kjo, më në fund, nuk është dashuri ndaj tjetrit, por dashuri ndaj vetes dhe mbyllje në vetminë vetjake." "Kombi, trashëgimi e së kaluarës, tregjeve me xhelozi të ruajtura, miteve historike që synojnë të japin "aromë spirituale" për aksionet pushtuese, racizmit, kolonializmit... e veçan luftës". "Arti për shkak të artit, kjo d.m.th. arti pa Mesazhin Hyjnor dhe njerëzor, arti nën ndikimin e çdo komercializimi dhe çdo mode." (Ibid., fq. 115-117). Këto janë vetëm disa pamje të politeizmit dhe kaosit të një bote pa Zot, dhe pamje e zotërave të rrejshëm që e banojnë xhunglën tonë. Ndryshe, kjo pikëpamje mund të quhet "religjion i mjeteve që duke i shndërruar mjetet në qëllim vetvetiu", përkatësisht "duke besuar në zotëra të rrejshëm: në shkencë, teknikë, komb, para, seksualitet, rritje, ka krijuar politeizëm të ri dhe supersticion të ri, duke e shndërruar shkencën në scientizëm, teknikën në teknokraci, politikën në makiavelizëm." (R. Garodi, op. cit., fq. 24).

Pasqyrën më të drejtë lidhur me esencën e kulturës dhe civilizimit evroperëndimor na e ofrojnë

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme