PËRFAQËSUESIT E SHKOLLËS JURIDIKE HANEFITE

Si premisë hyrëse na shërbeu thënia tashmë e theksuar e Ebu Hanifes, kur prej halifit abasit Xha’fer el-Mensurit është pyetur se prej kujt ka mësuar, e ai diturinë e vet e zgjeroi në as’habët e Umerit, Aliut, Abdull-llah ibn Mes’udit dhe nga vetë ata. Kjo përgjigje elastike e diplomatike na ofron mjaft,[1] dhe na mëson se të parët - mësuesit e kësaj shkolle nuk janë vetëm nga Kufeja, përkatësisht vetëm nga Iraku, por edhe nga vendet tjera.

Megjithatë, ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikuar në krijimin - lindjen e kësaj shkolle janë: Abdull-llah ibn Mes’udi, jurist i shkëlqyeshëm, në precizitetin e idesë, gjerësinë e pikëpamjeve dhe në lirinë e mendimit të të cilit ka ndikuar Umeri r.a. [2] Në krijimin e kësaj shkolle ka ndikuar edhe Ali ibn Ebi Talibi, r.a., i cili ka pasur numër të madh të ithtarëve në këto vise; Alkamete ibn Kajs en-Nah’ij, nxënësi më i mirë i Ibn Mes’udit; Mesruk ibn Exhde’ el-Hamdani , i cili popullit irakian i dha mjaft fetva; Shurejh ibn el-Harith el-Kindij; Amir ibn Sheraxhil esh-Sha’bij , El-Esved ibn Jezid en-Nah’ij ,[3] Ibrahim en-Nah’ij, që njihet si besnik; Ejjub Sihtijani , njëri prej juristëve më të mëdhenj, me besnikëri dhe autoritet të madh; Salim ibn Abdull-llah ibn Umer ibn Hattabi, njëri prej shtatë juristëve të Medines, i njohur si i sinqertë, i devotshëm e i virtytshëm; Sulejman ibn Jesar el-Heali, i njohur si i sinqertë e i sjellshëm dhe njëri prej shtatë juristëve të Medines,[4] Ubejd ibn Amr Es-Selmani dhe shumë të tjerë, emrat e të cilëve në këtë studim të shkurtër është e pamundur t’i theksojmë.[5]

Të gjithë këta dijetarë dhe të tjerë jo të cekur, janë meritorë për lindjen e shkollës irakiane, mirëpo përfaqësuesi më i drejtpërdrejtë dhe i pari, në kuptim të plotë të fjalës, i shkollës së Kufes - Irakut, në brezin që i ka paraprirë Ebu Hanifes është Hammadi.[6] Emri i plotë i tij është Hammad ibn Sulejman el-Esh’arij, klienti i Ibrahim bin Ebi Musa el-Esh’ariut.

Hammadi është arsimuar në Kufe, kurse fikhun e më­soi tek Ibrahim en-Nah’iu (vd. 95 H.) dhe esh-Sha’biu, per­sonalitete të shquara të shkencës së asaj kohe. Hammadi ësh­të quajtur shtyllë e fikhut të Kufes,[7] për arsye të arsimimit të tij të lartë.

Ka qenë i pasur, shpirtmadh e bujar. Në Kufe e kishte katedrën / halkën e vet të madhe, ku ligjëronte, i mësonte të interesuarit, pastaj jepte fetva për pyetjet dhe problemet e ndryshme që ia shtronin besimtarët e asaj kohe. Nga Hammadi Ebu Hanife mësoi 18 vjet - deri në moshën 40 vjeçare, kur vdiq Hammadi. Gjatë kësaj kohe Ebu Hanife me të ka polemizuar e diskutuar. Kur vdiq Hammadi, Ebu Hanife tha: “Hammadi më nevojitet, nuk njoh askënd të ngjashëm me të që do të më nevojitej më shumë...”. Indikative janë edhe fjalët e Hammadit të drejtuara nxënësit të vet Ebu Hanifes: “M’u ka afruar”, dmth., e ka nxjerrë krejt ç’kam pasur”.[8] Për autoritetin dhe famën që e gëzonte në Kufe, dhe atë me të drejtë, dëshmon edhe thënia vijuese: “Sikur mos t’ishte Hammadi, në Kufe nuk do të kishte fikh (jurisprudencë).”[9]

Shkurtimisht, të gjithë këta në njëfarë mënyre janë nismëtarët dhe kontribuesit në lindjen e doktrinës hanefite, kurse më meritorë ndër të gjithë të cekurit kanë qenë Ibra­him en-Nah’iu (vd. 95 H.) dhe Hammad ibn Sulejmani (vd. 120 H.).





B. PËRFAQËSUESIT KRYESORË


Ata që Shkollës hanefite i dhanë fizionominë, argu­mentësinë e themelësinë, gjerësinë e fleksibilitetin, konseku­encën e vitalitetin, elasticitetin e elegancën, ata që e kanë obliguar jo vetëm jurisprudencën / fikhun por edhe shkencën islame dhe përgjithësisht atë botërore, janë: Ebu Hanife, Ebu Jusufi dhe Muhammed ibn Hasani , në rend të parë, dhe Zufer ibn Hudhejli dhe Hasan ibn Zijadi, në rend të dytë.





1. Ebu Hanife (80-150 H./699-767)


a. Rrethanat shoqërore-politike dhe jeta



Kufa, por edhe tërë Iraku e bota islame, në vitet tetë­dhjetë sipas Hixhretit, përjetonte tronditje e trazira të pikë­pamjeve të ndryshme; ajo ishte qendër e konflikteve, djep i shumë sekteve, dinastive, doktrinave teologjike, filozofike e politike. Në të dominonin ngatërresat dhe antagonizmat etni­ke, sociale e ideore. Dallimet ndërmjet muslimanëve gjatë kohës së Osmanit e veçanërisht Aliut e Muaviut e më vonë, kulmuan në kohën e Emevitëve dhe Abasitëve, Abasitëve dhe Alevitëve. Atëbotë mbretëronin kriza morale, ndëretnike e ndërkonfesionale. Kjo kohë karakterizohet edhe me para­qitjen e filozofive të reja nëpërmjet përkthimeve dhe shkri­meve të vogla origjinale. Me përhapjen e Islamit në Indi, Afrikën Veriore, në Spanjë dhe në vendet tjera, dhe krahas kësaj, natyrisht, me rritjen e të mirave materiale e shoqërore, bëhen tentime për harmonizimin e jetës materiale-shoqërore me tekstet fetare.[10]

Në këtë kohë dinamike e të vështirë, u lind Ebu Hanife. Emri i tij i plotë është: En-Nu’man ibn Thabit ibn Zutij el-Farisij. Sipas burimeve më autentike Ebu Hanife u lind në vitin 80 Hixhrij, kurse vdiq në vitin 150 Hixhrij, apo 699-767 e.r.. Gjithsej jetoi 70 vjet lunare, 52 vjet gjatë sundimit të Emevitëve dhe 18 gjatë sundimit të Abasitëve.[11] U lind në Kufe, gjatë kohës së sundimit të Abdulmelik ibn Mervanit, kur Haxhxhaxh ibn Jusufi ka sunduar me Irakun. Gjyshi i tij Zuta erdhi në Kufe si rob lufte, me origjinë nga Kabuli, e pranoi Islamin dhe mbeti nën mbrojtjen miqësore të fisit Benu Taim.[12] Vinte nga një familje autoritative e mesatarisht të pasur. Gjyshi i tij Zuta ishte tregtar sipas profesionit dhe njihej mirë me Aliun r.a.; në të vërtetë, ishte i afërt me të dhe herë-herë e nderonte me dhurata.[13]

Babai i Ebu Hanifes, Thabiti, merrej me disa punë në Kufe. Sipas vetë Ebu Hanifes, babai i tij në Kufe e mbante furrën e bukëve.[14] Thabiti në Kufe është njofur me halifin e katërt, Aliun r.a., është shoqëruar me të, e ka njoftuar familjen e Aliut dhe prej tyre ka dëgjuar drejtpërdrejt për Muham­medin a.s. . Ndonëse është krejt e sigurt se ka qenë në anën e Aliut në konfliktin me Muaviun, nuk është vërtetuar që edhe aktivisht ka marrë pjesë në radhët e ushtrisë së tij.[15] Nga burimet tjera mësojmë se Thabiti është marrë me tregtinë e mëndafshit e gjësendeve të tjera.[16]

Lindja e Ebu Hanifes te një pjesë e botës islame, madje edhe te disa shkencëtarë lidhet për, kinse, disa hadithe, që transmetohen në përmbledhjet e tyre, si Taberaniu, Xh. Sujutiu e disa të tjerë, të cilët i citojnë hadithet prej “Sahihut” të Muslimit dhe të tjerëve, sikurse ky: “Midis ithtarëve të mirë do të lajmërohet një njeri që do të quhet Ebu Hanife - En-Nu’man; ai është drita e ummetit tim.”[17] Ky dhe hadithet tjera të ngjashme janë apokrif dhe fare nuk e rrisin emrin dhe veprën e Ebu Hanifes para shkencës dhe shkencëtarëve.

Për periudhën e tij të hershme dimë fare pak. Do t’i cekim vetëm hollësitë më kryesore dhe të provuara shkencërisht.

Në literaturë, qoftë biografike qoftë historike, Ebu Hanifen e hasim me pseudonime apo ofiqe të ndryshme. Më së shpeshti quhej “Imamul-l-A’dham” (Imami më i madh); pastaj “Fekîh-ul-Irak” (Jurist i Irakut); “Imamu ehli-rr-rre’ji” (Imami i ithtarëve të gjykimit të lirë); “Ebu Hanife (Babai i Hanifes, i thirrur sipas të birit të tij Hammadit, i cili me vete i barte mjetet për shkrim). Quhej edhe “Et-Tejmi” - për shkak të kujdesit që fisi “Et-Tejmi” e ka treguar ndaj tij dhe familjes së tij.

Kur vdiq el-Haxhxhaxhi, Ebu Hanife kishte vetëm 15 vjet ndërkaq gjatë kohës së sundimit të Umer ibn Abdul­azizit ishte djalosh 20 vjeçar. Po ashtu, gjatë kohës së sun­dimit të Emevitëve, Jezid ibn Muhal-labit, Halid ibn Abdull-llah el-Kasriut dhe Nasir bin Sejjare në Irak i përcolli nga afërsia të gjitha turbullirat e trazirat brenda ummetit musli­man, ngjarje këto që do të lënë përshtypje të thella në vep­rimtarinë e mëvonshme të tij politiko-shoqërore dhe shken­core.[18]

Është mendim dominues se Ebu Hanife u takon tabi’i­nëve. Këtë e argumentojnë disa muhaddithë, mendimtarë e historianë, si: Ibn Sa’di , Dhehebiu, Ibn Haxheri, Irakiu, Darekutni , pastaj Sujutiu, Hatib el-Bagdadi, Ibn Xhevziu, Ibn Abdul-birri, Sen’ani, en-Neveviu, Makdisi, Xhuzejriu e të tjerë.[19]

Sipas disa transmetimeve Ebu Hanife është takuar me shtatë as’habë: Enes ibn Malikun, Abdull-llah ibn Enesin, Abdull-llah ibn Harisin, Xhabir ibn Abdull-llah el-Ensariun, Abdull-llah ibn Ebi Evfanë, Vasileh ibn es-Sekun dhe femrën Aisha binti Axhredin.[20]

Nga disa dëgjoi edhe ligjërata, siç është rasti me Enes ibn Malikun.[21]

Ebu Hanife, sikur edhe të parët e tij, merrej me zeje, me shitjen e mëndafshit në dyqanin personal që kishte. Në Kufe prodhonte një lloj pëlhure që quhej “hazz”. Pas një kohe, kjo punë u zhvillua aq sa u bë pronar i fabrikës ku prodhohej kjo pëlhurë. Kjo punë nuk u kufizua vetëm në Kufe, por prodhimet e tij filluan të shiten edhe në vendet e huaja.[22]

Besimi i madh i konsumatorëve dhe afaristëve në nde­rin dhe besnikërinë e Ebu Hanifes, ishte rezultat i shkath­të­sisë edhe punës pedante të tij ndaj blerësve. Kjo ndikoi që ndërmarrja e Ebu Hanifes të shndërrohet në bankë ku nje­rëzit në besim kanë depozituar sasi të mëdha të hollash. Këto depozitime arrinin rreth 50 milionë derhemë në ditën kur vdiq mësuesi.[23]

Përvoja e madhe në punët financiare dhe tregtare i ka mundësuar qasje të thellë në aspektet e ndryshme të ligjit, deri te të cilat rrallëherë vijnë teoricienët e ligjit.

Për aftësitë e tij në punët praktike dëshmon fakti se el-Mensuri në vitin 145/762, kur ka vendosur ta ndërtojë Bag­dadin e ri, e emëroi Ebu Hanifen mbikëqyrës të punëve. Në këtë punë Ebu Hanife mbeti katër vjet.[24]

Në punët e veta ka qenë i përpiktë, i shkathët dhe i suksesshëm, sepse ka qenë i besueshëm dhe i afërt me të gjithë njerëzit. Asnjëherë nuk e teproi në fitim.[25] Është për­pjekur që çdo gjëje t’ia japë vlerën përkatëse. Rasti që do ta citojmë është ilustrimi më i mirë për këtë. Një ditë Ebu Hanife dëshiroi të blejë rroba të cilat i shiste një femër. I tha asaj: “Sa kushtojnë?”. Ajo u përgjigj: “Njëqind!” Ebu Hanife i tha se rrobat kushtojnë më shumë se njëqind!. “Sa po thua?” - i tha përsëri Ebu Hanife asaj. Ajo e rriti çmimin në katërqind. Ebu Hanife i tha asaj: “Ky është çmim më i mirë se çmimi i mëparshëm!” Ajo i tha këtij: “A po tallesh me mua?”. Ai u përgjigj: “Sille një tregtar që ta vlerësojë këtë!” Ajo e solli një njeri që ato rroba i vlerësoi në pesëqind (dinarë). Atëherë Ebu Hanife i bleu ato për pesëqind”.[26]

Me një rast, që e shënojnë biografët e tij, e dërgoi bash­këpunëtorin e vet afarist ta shesë një mall në treg. Mirëpo, një pjesë e mallit nuk ishte në gjendje të rregullt. Ebu Hanife i tregoi shitësit që t’i njoftojë konsumatorët për të metat e mallit. Mirëpo, bashkëpunëtori i tij e harroi këtë gjë, dhe u kthye pas shitjes së tërë mallit, duke mos i njoftuar konsu­matorët për të metat e mallit. Ebu Hanife i mori paratë nga ky tregtim, dhe tërë sasinë ua ndau sadakë të varfërve (rreth 35.000 derhemë).[27]

Për nga natyra e karakteri Ebu Hanife ka qenë bujar e shpirtgjerë, kurrë nuk ka kursyer, kurse më së shumti ka shpenzuar në nxënësit dhe mësuesit e vet. Posaçërisht e ka ndihmuar Ebu Jusufi n, i cili kishte një gjendje të rëndë mate­riale. Meqë familja e Ebu Jusufit dëshironte që ai t’i lëshojë studimet e të punojë diçka për jetë, Ebu Hanife nuk lejoi dhe i mbuloi të gjitha shpenzimet familjare të Ebu Jusufit.[28] Një pjesë e të ardhurave është caktuar për ta dhe është harxhuar gjatë tërë vitit. Ebu Hanife i tha: “Bëhu i kënaqur që të shpenzosh për nevojat tua dhe për këtë mos iu falëndero as­kujt pos Zotit. Asgjë timen s’ta kam dhënë. Kjo është dhu­ratë e Zotit. Ai ma ka dhënë për ty”.[29]

Nxënësi i tij i madh Hasan ibn Zijadi pohon se Ebu Hanifeja kurrë nuk ka pranuar dhuratë ose peshqesh nga pasanikët, që flet mjaft për karakterin e tij të pavarur e konsekuent.[30]





b. Rruga deri në shkencë



Që në vitet e para të rinisë është vërejtur talenti dhe zgjuarësia e tij. Ebu Hanife për vete thotë se i është përkush­tuar leximit të Kur’anit, Hadithit, gramatikës, poezisë, letër­sisë, filozofisë dhe shkencave tjera që mësoheshin në atë kohë.[31] Si fëmijë e mësoi hifdhin e Kur’anit, kurse ka trans­metime se “Kur’anin e mësoi nga Imam Asimi, njëri prej shtatë lexuesve (karive) të njohur të Kur’anit.[32]

Në fillim, sipas pohimit të tij personal, në shkencë e udhëzoi esh-Sha’biu, i cili tha: “Unë te ti shoh zgjuarsi dhe zhdërvjelltësi”.[33] Para kësaj kohe ka diskutuar me mosha­ta­rët e vet në rrugë e gjetiu. Pas kësaj kohe iu përkushtua shkencës dhe mësimit, ndërsa punonte sa për të jetuar.

Në fillim ka lexuar çdo gjë, sintaksën, që shumë shpejt iu bë monotone, poezinë e të tjera. Prirjet e tij rinore për polemikë nuk ka mund t’i plotësojë asgjë, pos ilm-ul-kelamit (apologjetikës), që njëkohësisht ka qenë stacion i tij i parë serioz nga shkenca, me të cilën në përmasë më të vogël është preokupuar deri në fund të jetës, me personat të cilët kanë diskutuar mbi akaidin dhe religjionet e ndryshme.[34] Pas kë­saj periudhe është dhënë në specializimin e teologjisë dialek­tike ku u bë me famë dhe konsiderohej autoritet në atë fushë të shkencës.[35] Në këtë etapë, ta quajmë kalimtare, Ebu Hanifen e gjejmë midis mutekel-liminëve (apologjetëve), hallka­ve të poezisë dhe fikhut. Në këtë etapë ndodhi edhe kthesa dhe tash e shohim kryesisht të preokupuar me fikhun. Mbase këtë e bëri për shkak të preokupimit të gjatë me polemika, nga të cilat u sëmur.[36] Ebu Hanife ka pohuar; “... Mësova se sikur në të (ilm-ul-kelam, N. I.) të ketë dobi, do të preoku­pohej selefi salihi, dhe atë e lëshova”.[37]

Pas kësaj periudhe iu kthye fikhut, përkatësisht shko­llës racionaliste irakiane me qendër në Kufe, ku ka mësuar nga dy mësuesit kryesorë, Hammad ibn Sulejmani (vd. 120 H.) dhe Ata ibn Ebi Rebaha (vd. 114 ose 115 H.). Me Ham­madin u shoqërua gjatë kohë, rreth 18 vjet, deri në vdekjen e mësuesit, kurse pas vdekjes së Hammadit, Ebu Hanife u zgjodh trashëgimtar i tij, që zgjati plot 30 vjet, duke ligjë­ruar, diskutuar, polemizuar e duke dhënë fetva.[38]

Edhe në fikh u dallua menjëherë, kështu që për shkak të autoritetit të madh të fituar te mësuesi, zinte vend me­një­herë pranë Hammadit. Shkollën e vet e formoi pas vdekjes së mësuesit të vet Hammadit.

Me ardhjen në krye të shkollës, Ebu Hanife e ngriti punën në nivelin më të lartë. Aty erdhën në shprehje dituria e tij enciklopedike dhe intelekti maksimal. Theksohet se “tubimi - mexhlisi i Ebu Hanifes ka qenë tubim i nxënësve të mëdhenj. Nuk ka pasur të pranishëm prej masës së gjerë, por prej atyre që kanë dëshiruar dituri.”[39] Ka pasur juristë, filozofë, mistikë, apologjetë, gjuhëtarë e kështu me radhë.

Sipas biografëve dhe analistëve të përpiktë, gjatë 30 vjetëve të udhëheqjes së shkollës, Ebu Hanife ka hulumtuar rreth 60.000 pyetje juridike, e sipas disa vlerësimeve 83.000, që gjatë jetës së tij janë tubuar në kaptina të ndryshme.[40]

Numri i madh i pyetjeve dhe shumëngjyrësia e aftësia profesionale e Ebu Hanifes dëshmojnë se ai ka qenë i aftë në gjuhë, akaid, hadith, fikh dhe shkencat tjera të ndryshme aktuale.[41]

Është fakt se ka qenë talent në mësim e njohje, i shkël­qyeshëm në të medituar e filozofuar,[42] por në “një masë të madhe ka qenë student akadem, mund ta quajmë jurist spe­kulativ ose filozof”. “Sistemi i tij i së drejtës nuk ka qenë i mbështetur në nevojën e përvojës”.[43]





c. Angazhimi publik



Ebu Hanife ka jetuar 40 vjet nën sundimin e dinastisë emevite dhe ka qenë dëshmi e gjallë e luftës së rreptë për sundim dhe rënies definitive të kësaj dinastie, që me forcë imponoi hilafetin trashëgues kurse e abrogoi sistemin zgje­dhor të halifit që ishte vendosur menjëherë pas vdekjes së Muhammedit a.s. , me rastin e Halifëve të drejtë.

Ndonëse i ka gjykuar persekutimet e kundërshtarëve politikë, e veçan pasardhësit e Aliut r.a., në anën tjetër Ebu Hanife i ka çmuar disa të arritura të Emevitëve, siç është zgjerimi i kufijve të mbretërisë islame.[44]

Sunduesit emevitë ishin ata që masën e gjerë e kishin trazuar me sundimin e tyre. Rezistenca kundër regjimit rritej, prandaj ata përkundër masave tjera dëshironin që nëpërmjet njerëzve autoritativë ta qetësojnë masën. I pari që Ebu Hanifen dëshiroi ta angazhojë për këtë qëllim ishte Jezid ibn Umer ibn Hubejri, sundues emevit në Irak, që i ofroi në vitin 130/747 funksion publik.[45]

Gjatë konflikteve më të rrepta ndërmjet Emevitëve dhe Abasitëve dhe rënies së Emevitëve, Ebu Hanife u strehua në Mekke. Në Irak u kthye pas qetësimit të gjendjes dhe men­donte se me sunduesit e rinj do të jetë më mirë. Por gjendja nuk ndryshoi shumë, sepse edhe këta më tepër e mbronin pushtetin se sa rregullimin e gjendjes së rëndë të popullit. Ebu Hanife filloi të distancohet nga veprimet e pushtetit, derisa nuk ra në konflikt të hapur me pushtetin. Kjo sidomos kulmoi kur iu ndalua dhënia e fetvave dhe komentimi i aktgjykimeve zyrtare, e që sipas Ebu Hanifes ishin të gabuara dhe jo të bazuara në sheriat.

Përkundër ndalesës së shtetit, njerëzit i vinin dhe kërkonin mendimin e tij për pyetje të ndryshme. Në këtë mëny­rë populli i injoronte instancat zyrtare duke ju shprehur mos­besim.[46]

Që t’i shmanget konfrontimit të hapur me Ebu Hanifen dhe me masën e gjerë të popullit, pushteti i ofroi Ebu Hanifes vendin e gjyqtarit suprem të sheri’atit (kadi-l-kudat), të cilën ofertë Ebu Hanife e refuzoi energjikisht. Këtë ofertë Ebu Hanife e refuzoi edhe kur këtë ia ofroi personalisht halifi abasit Ebu Xha’fer el-Mensuri . I ofenduar nga refu­zimi i tij, el-Mensuri urdhëroi që Ebu Hanife të burgoset.[47]

Ebu Hanife ka qenë revolucionar në çdo pikëpamje. Më së shumti ka punuar në humanizimin e njeriut dhe liri­min e tij nga të gjitha prangat. Politika ishte pika më e dobët e tij, jo pse nuk e kuptonte, por pse s’mund t’i ndërronte disa fytyra, karakteristika përcjellëse këto të politikës. Ai ishte kundërshtar i vendosur kundrejt korrupsionit dhe eksploati­mit, pas të cilave rëndom qëndronte sunduesi. Pasi ishte cilësuar si i papërshtatshëm, e me pretekst se po refuzon detyrën, u hodh në burg ku përjetoi torturat më të rënda.[48]

Rreth burgosjes dhe vdekjes së Ebu Hanifes kemi disa versione: mendimtari egjiptian Ahmed Emin pohon se refu­zimi i detyrës së kadiut suprem e ofruar nga Abasitët qe shkak që Ebu Hanife ra në burg, u dënua me kërbaç, ku edhe vdiq.[49]

Mendimtari tjetër egjiptian Shejh Ebu Zehre shtron tri mendime:

1) Me futjen në burg u torturua fizikisht dhe vdiq në burg;

2) Edhe pse ka qenë i munduar fizikisht, megjithatë vdiq i helmuar;

3) Nga burgu është dërguar në shtëpi ku nga lëndimet fizike së shpejti vdiq.[50]

Kurse M. A. Abdurrahimsupozon se Ebu Hanife është helmuar në burg dhe vdekja e tij është fshehur pothuaj dhjetë ditë.[51]

Enciklopedia islame cek se disa transmetime të dobëta pohojnë se Ebu Hanife nuk ka vdekur në burg.[52]

Mbi varrin e tij në Bagdad është ngritur tyrbe (mauzole më 459 H./1066), e cila sot vizitohet nga shumë vizitorë.[53]





ç. Të tjerët për Ebu Hanifen



Modestia është virtyt që e përcolli Ebu Hanifen gjatë tërë jetës. Kurrë nuk e konsideronte mendimin e vet më superior, më të mirë e më të saktë. Njëherë tha: “Ky është mendimi ynë dhe kjo është ajo që më së miri kemi mundur mbi këtë, dhe kush na vjen me mendim më të mirë se sa i yni, ai është më i mirë (më korrekt) se i yni”.[54]

Rastin vijues e transmeton Zuferi, nxënësi i tij: “E vizitonim Ebu Hanifen, e me ne ishte Ebu Jusufi. Ne shkruanim nga ai (nga Ebu Jusuf i), e Imami një ditë i tha Ebu Jusufit: “Vallë për ty, o Jakub!, mos e shëno atë që e dëgjon prej meje, sepse unë sot e kam këtë mendim, e nesër e lë, nesër një, e pasnesër e lë”.[55]

Sikur t’i tubonim të gjitha që janë thënë për Ebu Hanifen, mund të hartohet ndonjë vepër e veçantë në disa vëlli­me, sepse ai është takuar me aq njerëz saqë është e pamun­dur të gjithë të numërohen. Biografët e tij theksojnë se drejtpërdrejt ose tërthorazi ka mësuar prej rreth 4000 më­suesve, dhe këtë prej shtatë as’habëve, nëntëdhjetë e tre tabi’inëve dhe të tjerëve.[56]

Ja vetëm disa nga thëniet më karakteristike për të:

- Hermele ibn Jahja , sipas rrëfimit të El-Hatibit, ka thënë: “Kush përpiqet të mbërrijë dituri detesh në shkencën sheri’atiko-juridike dhe në këtë arrin sukses, ai gjithashtu në këtë shkencë përsëri mbetet sikurse fëmijë kundruall Ebu Hanifes”.[57]

- Imam Maliku thotë: “Nuk kam parë njeri që do të ishte i barabartë me Ebu Hanifen. Kur të thoshte se kjo shtyllë është prej ari, do ta arsyetonte me mendimin e vet. Gjithnjë ka pasur dëshmi aq të fuqishme dhe të pakontestueshme.”[58]

- Abdulmelik ibn el-Mubareku ka thënë: “Vërtet ai është truri (shpirti) i shkencës”.[59]

Si përfundim i të gjithë kësaj do t’i cekim fjalët e imamit të madh esh-Shafi'ut, që me këtë fjali të shkurtër e ka thënë gjithë atë që mund të thuhet: “Njerëzit në fikh janë të varur nga Ebu Hanifeja”.[60]





2. Ebu Jusuf (113-182 H. /731-798)


a. Jeta dhe veprimtaria



Koha kur u lind Ebu Jusufi karakterizohet me trazira e konflikte politike, sektare e politiko-sociale. Ishte ky fillimi i shekullit II hixhrij. Emri i tij i vërtetë është Ebu Ja’kub ibn Ibrahim ibn Habib el-Ensarij. U lind në vitin 113/731 në Kufe dhe i takonte shtresës së varfër. Babai i tij kishte prejardhje nga fisi arab Bagila, kurse nëna ishte nga Ensarët nga Medineja. Këto dy fise ishin në aleancë mes vete.

Mësimet e para Ebu Jusuf i i mori në fikh prej Ibn Ebi Lejlasë, me të cilin është shoqëruar një kohë të gjatë. Më vonë e ndërpreu bashkëpunimin me të dhe kaloi te Ebu Hanifeja, që më vonë të bëhet nxënësi i tij më i madh dhe mbrojtësi më i vyeshëm i shkollës.[61]

Mirëpo, prindërit i kishte mjaft të varfër dhe ata nuk ki­shin mundësi ta shkollojnë, por me të kuptuarit e problemit, Ebu Hanifeja iu lut prindërve të Ebu Jusufit që i biri i tyre t’i vazhdojë mësimet, sepse ky do të kujdeset për Ebu Jusufin dhe tërë familjen e tij.[62]

Këtë Ebu Hanife e bëri për hir të asaj se ishte optimist sa i përket perspektivës së nxënësit të vet.

Ebu Jusuf i ka mësuar edhe nga dijetarët tjerë të kohës së vet, kështu që mësoi traditën, tefsirin, siren, historinë, gjuhën, letërsinë dhe teologjinë skolastike. Sidomos ishte i preokupuar me hadithet që i ka ditur përmendsh.[63]

Në rini ka punuar shumë në transmetimin e hadithit si prej: Hisham ibn Urvehut, Ebu Is’hak esh-Shejbaniut, Ata ibn es-Saibit e të tjerë.

Gashtëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Ebu Hanifes iu përmbajt traditës së shkollës që të jetë indiferent ndaj pushtetit. Në ndërkohë ka vazhduar punën në shkrimin e librave nga të gjitha fushat e legjislacionit. Kur u dëgjua për këto libra, për to filloi të interesohej edhe shteti, sepse mungonte ligji dhe këto libra do ta plotësonin nevojën e sunduesit. Fitoi vëmendjen e tyre para se të bëhet i fuqishëm.[64]

Ai edhe më tej do ta ruante traditën e shkollës, sikur pozita ekonomike e Ebu Jusufi t të ishte më e mirë, përkatë­sisht nuk do të pranonte detyra shtetërore. Por, pas vdekjes së Ebu Hanife s, ishte në gjendje të vështirë materiale. E shiti shtëpinë e gruas, për çka vjehrra i bëri vërejtje. Në Kufe ka jetuar, derisa nuk e pranoi shërbimin e kadiut në Bagdadin lindor nën sundimin e halifit el-Mehdiut më 166/782. Këtë funksion e ushtroi deri në kohën e Hadiut.[65] Është intere­san­te se duke e kryer detyrën e kadiut në kohën e Hadiut si ha­lif,në një kontest gjyqësor gjykoi në dëm të halifit Hadiut, që tregon pavarësinë e tij dhe guximin për një veprim të tillë.[66]

Kur në postin e halifit erdhi Harun err-Rreshidi, Ebu Jusufi u avancua në gjyqtar suprem për tërë halifatin abasit, për herë të parë në shtetin musliman, që është risi në histo­rikun e jurisprudencës islame.[67]

Edhe pse ky ka qenë titull nderi që i jipej gjyqtarit të kryeqytetit, Ebu Jusufi bëhet këshilltar i halifit për çështjet gjyqësore, të financave, administratës, gjykonte dhe emëron­te gjyqtarë, këshillonte qeverinë në të gjitha çështjet juridike, si të brendshme ashtu edhe të jashtme.[68]

Gjatë sundimit të Harunit, një i krishterë ngriti padi kundër halifit përkitazi me një kopsht, kurse Ebu Jusuf i gjykoi në favor të të krishterit. Raste të tilla kemi disa sosh.[69]

Me fjalë të tjera, duke u dalluar si jurist i mirë, ai i fitoi simpatitë e sunduesit dhe kreu detyra të kadiut madje edhe të kadi-l-kudatit (gjyqtarit suprem).[70]

Për respektin që Haruni e kishte ndaj tij dhe besimin që e gëzonte, ka qenë në cilësi të ministrit të drejtësisë, më së shumti emëronte kadi hanefitë, gjë që ndikoi në zgjerimin e kësaj shkolle juridike.[71]

Për arsye të punës korrekte, Haruni Ebu Jusufin e ka shpërblyer begatshëm. Rrëfehet se Ebu Jusuf i si muderris i kaloi 17 vjet në varfëri të madhe, e si nëpunës i lartë shte­tëror 17 vjet në pasuri të madhe.[72]

Është interesante dhe kuriozitet për të gjithë ne edhe një gjë në lidhje me Ebu Jusufin. Deri atëherë ulemaja me asgjë nuk dallohej nga populli. Me zgjerimin e vendit dhe shtimin e popullsisë, Ebu Jusufi e pa të arsyeshme të ven­dosë e të caktojë uniformë të veçantë për ulemanë.[73]

I pyetur njëherë për Ebu Jusufin, se përse e nderon kaq shumë, Harun err-Rreshidi tha: “Çdo gjë që e pyeta, pashë se ishte i përsosur. Është po ashtu njeri i ndershëm, me karakter të fortë. Sikur të ishte dikush i ngjashëm me të, do të isha i kënaqur vetëm ta shoh!”[74]

Vdekja e Ebu Jusufi t ka qenë humbje për të gjithë muslimanët, jo vetëm për hanefitët. Vdiq më 182 H./798, ku vetë halif Harun i mori pjesë në varrim, i fali xhenazen dhe e varrosi në varrezat e veta familjare.[75]





b. Disa veçori shkencore



Dijetari i madh islam Ibn Xherir et-Taberiu pohon: “Ebu Jusuf ibn Ibrahimi ka qenë kadi, fakih, mendimtar dhe hafidh, dmth. hafidh i Kur’anit dhe Hadithit”.[76]

Këtë më hollësisht na e dëshmon interesimi dhe ku­reshtja e tij dhe drejt këtij rrafshi duhet t’i drejtojmë për­pjek­jet tona. Nëse i bëhet një analizë, pak a shumë konstruktive veprës së tij per alend dhe per se në një prezentim konciz, do t’i shtrojmë veçoritë thelbësore të mësimit të Ebu Jusufit, çka e bashkon dhe çka e ndanë me Ebu Hanifen:

1) Mësimi i Ebu Jusufit në masë të konsiderueshme nënkupton mësimin e Ebu Hanifes , ndjek metodologjinë juridike të Ebu Hanifes dhe e konsideron për mësues; madje, disa raportet e tyre i krahasojnë me ato të Sokratit dhe Platonit në antikën e vjetër.[77]

2) Veçoria tjetër e Ebu Jusufit më e dalluar e idesë juridike ishte se ai më shumë varet nga Hadithi (tradita) se sa Ebu Hanifeja. Në këtë ndoshta kanë ndikuar takimet me Malik ibn Enesin, kur ai ka hequr dorë nga disa pikëpamje të veta të hershme.[78] Kjo shpjegohet edhe me rrethanat se në kohën e tij ka pasur më tepër burime autoritative, autentike të Hadithit, me ç’rast Ebu Jusufi mjaft ka punuar në argu­mentimin e qëndrimeve të Shkollës juridike hanefite me Hadith.[79]

3) Mësimi i Ebu Jusufit, shpesh paraqet reaksion në të rezonuarit diç më të lirë të Ebu Hanifes,... por mësimi i Ebu Hanifes është mësim më mendjemprehtë dhe më i zhvi­lluar.[80] Është interesant të ceket këtu mendimi i Ebu Jusufit se: “Të gjitha pyetjet ku jam ndarë me Imamin nuk rrjedhin vetëm prej meje, por kanë mbështetje në zgjidhjet - fetvatë e mëhershme të Imamit, prej të cilave më vonë ai ka hequr dorë”.[81] Është orvatur që Kijasin dhe Istihsanin sa më tepër t’ia ofrojë jetës, e jo vetëm në prezumimet teorike.[82]

4) Sa më shumë që plakej, ndryshimet në të mirë të mësimit të tij kanë qenë më të shpeshta. Në ndryshimet e tilla sigurisht ka ndikuar përvoja e tij si kadi suprem,[83] ku erdhi në shprehje aftësia e tij. Ai i pari erdhi në sprovë që parimet shkencore hanefite t’i provojë në mënyrë praktike.[84]

5) Nganjëherë interpretimi i Ebu Jusufit paraqet ngushtim të mendimit të lirë të Ebu Hanifes; përmenden, po ashtu, edhe ndërrimet e shpeshta të qëndrimeve të tij, që me siguri ka qenë rezultat i ushtrimit të funksionit të juristit etj.[85]

Pas rikapitulimit të emërimit të Ebu Jusufit për kadi-l-kudat (gjyqtar suprem), rezultojnë tre segmente me rëndësi:

1) Fusha e diskutimeve, kuvendimeve dhe polemikave nga shkolla dhe nga rrethi i studentëve, nga studimi i librave, u zgjerua në fushë të gjerë të veprimit - në fushën ku praktikisht është marrë me punët e perandorisë më të madhe të asaj kohe. Ky ishte rasti që mësimi hanefit të lidhet me jetën reale dhe të bëhet sistem praktik ligjor.

2) Emërimi i gjyqtarëve i ishte besuar Ebu Jusufit dhe konsekuentësisht kësaj, dijetarët e lidhur me Shkollën hane­fite, kanë qenë të vendosur në shumicën e vendeve, kështu që doktrina hanefite u promovua në ligj të mbretërisë.

3) Shteti emevit kishte fituar karakter autokrat; aty sundonin arbitrariteti dhe dora e fortë. Nuk kishte ligje unike. Mirëpo Ebu Jusufi, me ndikimin e vet moral e intelektual, formoi një shtet të fuqishëm të mbështetur në ligj.[86]

Përkitazi me këtë Ibn Hal-likani shkruan në bazë të autoritetit të Talha ibn Muhammed t, se Ebu Jusuf i ka qenë i pari që i ka sajuar librat për të gjitha fushat fundamentale të Ligjit në pajtim me mësimin hanefit, me çka dija e Ebu Hanifes u përhap në botë.[87]




3. Muhammed ibn Hasan esh-Shejbaniu (132-189 H. /748-804 e.r.)


a. Jeta dhe veprimtaria



Një ndër dijetarët më meritorë në Shkollën hanefite është edhe Muhammed ibn Hasan ibn Ferdek esh-Shejbaniu. Babai i tij ishte ushtarak. U lind në vitin 132 Hixhrij /748 në Vasit, me prejardhje prej një fshati në periferi të Damaskut, i quajtur Hursta. Një kohë e kaloi në Kufe ku i mori mësimet e para mbi shkencën, e pastaj u shpërngul në Bagdad ku u njoftua me Imam A’dhamin, Ebu Hanifen. Një kohë i ka dëgjuar ligjëratat e tij dhe ishte nxënësi më i ri i tij. Mirëpo, Ebu Hanifeja vdiq e ky atëherë kishte 18 vjet. Mësimin e vazhdoi te Ebu Jusufi. Po ashtu ka mësuar edhe nga Sufjan eth-Thevriu dhe el-Evzai u. Gjatë qëndrimit të tij trevjeçar në Medine u njoh me fikhun dhe pikëpamjet e Malik ibn Enesit dhe të shkollës së tij.[88]

Duke u shoqëruar me el-Evzaiun në Siri dhe me dijetarët e asaj kohe në atë vend, arriti një arsimim solid, të gjerë dhe një shikim të plotë edhe mbi drejtimet tjera ideore.[89]

Është marrë me studime letrare e gjuhësore: me poezi, me gjuhë, sintaksë, me lëndët fetare: me Kur’an, Hadith, fikh etj. Kjo i ndihmoi ta zgjerojë dhe thellojë diturinë e vet, veçanërisht ndaj legjislacioneve të ndryshme.[90]

Rrëfehet se ka qenë në gjendje të mirë materiale. Për mësimin e sintaksës, poezisë, Hadithit dhe fikhut pagoi 30.000 derhemë. Theksohet se materialisht e ka ndihmuar edhe Ebu Jusuf in.[91]

Biografët shënojnë se prej tij mësuan: Imam Shafi’u, Ebu Sulejman el-Xhurxhani, Hisham ibn Abdull-llah err-Rraziu, Jahja bin Mujini, Ahmed ibn Hafsi, Ahmed ibn Hanbeli (nga literatura).[92] I pyetur prej nga këto njohuri të larta, Ahmed ibn Hanbeli tha: “Prej librave të Imam Muhammedit”.[93]

Biografët po ashtu shënojnë se Imam Muhammedi kishte shoqëri të ngushtë me malikitët, por ai i mbeti besnik shkollës së vet hanefite, e madje edhe shkroi një libër kundër tyre “Err-Rredu ‘ala ehli-l-Medineti.”[94]

Për shkak të autoritetit të lartë në shkencë, halifi abasit Harun err-Rreshidi e emëroi kadi suprem në provincën Rika, por së shpejti e braktisi këtë shërbim me pretekst të pava­rësisë dhe paanësisë.[95]

Autoritetin e vet e përdori me rastin kur u burgos Shafi’iu në Jemen për shkak të shpifjeve se është përkrahës i Alevitëve. Imam Muhammedi e shpëtoi pasi intervenoi te halifi.[96] Ishte i pathyeshëm para halifit dhe ia thoshte në fytyrë gabimet, aq sa njëherë kjo e iritoi halifin dhe e goditi Imam Muhammedin.

Do t’i cekim disa thënie të bashkëkohësve të tij që Muhammed ibn Hasanin ta shohim në petkun e tij të plotë. Thuhet se Imam Muhammedi ka qenë i pashëm, i veshur mi­rë, elokuent, ekspert i fikhut. Shafi’iu pohon: “Ka qenë Muhammed ibn Hasani i denjë për sy dhe zemër”. Imam Shafi’iu ka thënë edhe këtë: “Më tepër preferonte të rrijë afër imamit se sa të jetë në pallatin e halifit.”[97]

Qysh si i ri krijoi emër, kështu që në moshën më të re Ismail ibn Hamdiu për të thotë: “Imam Muhammedi ishte 20 vjeçar dhe kishte vendin në xhaminë e Kufes ku ai mbante ligjërata”.[98]

Kurse Ebu Ubejdi thotë: “Nuk kam parë njeri që e kupton Kur’anin si Imam Muhammedi.”[99]

Vdiq në moshën 58 vjeçare në vitin 189 H./804, gjatë një shëtitjeje me Harun err-Rreshidin në qytetin Rej. Po atë ditë vdiq edhe Imam Kesaiu, e Harun i prekur me këtë që ndodhi tha: “Sot u varrosën së bashku fikhu dhe gjuha”.[100]





b. Disa veçori shkencore



Kontributi i Muhammed ibn Hasanit që ia dha Shkollës juridike hanefite mund të observohet në disa drejtime, e si më thelbësore janë:

1) Muhammed ibn Hasanit i atribuohet merita e shëni­mit të teorisë së Shkollës hanefite dhe është vlerësuar si njo­hës i mirë i dialektikës, si sistematizues i materialit të pasur pozitiv-juridik dhe si teoricien.[101]

2) Muhammed ibn Hasani është shumë më i varur nga tradita se sa Ebu Jusufi, e edhe më shumë se Ebu Hanifeja. Kjo vërehet prej ndërrimit të tij të mësimit dhe të dyfishuarit e tij të argumenteve gjatë të menduarit sistematik. Po ashtu, edhe formula e tij e përhershme “ne këtë e ndjekim” dëfton qëndrimin e tij ndaj traditës, madje edhe atëherë kur ata nuk i ndjek.[102]

3) Muhammedi është i njohur me analizat e ngjarjeve reale dhe të supozuara, apo të abstraktuara, gjatë shqyrtimit të të cilave me të madhe i ka shfrytëzuar metodat e deduk­sionit dhe induksionit.[103]

4) Muhammed ibn Hasani është i njohur edhe për fiksi­onet juridike (hijel), që është rezultat herë-herë i mospajti­meve të mëdha ndërmjet ligjit që e kanë përpunuar teologët dhe njëmendësisë shoqërore, dhe dëftimi i sensit të regjimit për kompromis dhe rafinitet.[104]

5) Karakteristikë tjetër me rëndësi e idesë teknike-juridike të Muhammedit është të menduarit sistematik i cilësisë së lartë. Ai është sistematizuesi më i madh i fikhut. Për këtë dëshmon edhe fakti se Imam Maliku e sistematizoi “Muva­tanë” e vet sipas metodës dhe sistemit të Muhammedit. Pa dyshim ai është shkrimtari më i frytshëm i kësaj shkolle, që e vazhdoi rrugën e mësuesve të parë, Ebu Hanifes dhe Ebu Jusufit.[105]

6) Ashtu si Ebu Jusufi edhe Muhammed ibn Hasani klasifikohet në “el-muxhtehid fi-l-medhheb”. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se Ebu Hanife ka përparësi absolute ndaj tyre. Këtë e argumenton fakti se herë-herë vendimet e tyre merren si “normë sipas të cilës veprohet”. I tillë është rasti kur Ebu Hanifeja i jep të drejtë vakufit ta revokojë lënien vakuf pasi që me vetë lënien nuk e humb të drejtën e pro­në­sisë mbi sendin e lënë vakuf.

Sipas Ebu Jusufi t dhe Muhammed ibn Hasanit, me vetë deklaratën e vakufit, ai e humb të drejtën e pronësisë mbi va­kufin dhe vakufimi është i parevokueshëm.[106]

7) Muhammed ibn Hasani punoi shumë në zgjidhjen e problemeve të rënda të fikhut (mesailu-l-mushkileh), e veçanërisht atyre të cilët mbështeten në të komentuarit grama­tikor.[107]

8) Kontribut të veçantë Muhammed ibn Hasani në shkencën juridike ka dhënë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në të drejtën ndërkombëtare në veprat “Es-Sijer”. Eksperti i njohur për të drejtën ndërkombëtare C. Rhyne në veprën “International Law” (1975) shkruan: “Kodifikimi i parë i të drejtës ndërkombëtare është përmbledhja e rasteve juridike dhe praktikës të cilën e ka bërë shkencëtari musli­man Shejbaniu në veprat e tij “Es-Sijer” në shekullin VIII, me të cilën për shumë shekuj i ka tejkaluar veprat e ngjash­me perëndimore”.[108]

Njerëzit sot kanë bindje të shtrembëruar se Ligji ndër­kombëtar është realitet i epokës moderne, se themelues i tij është Hugo Grotius (991/1055 H./1583-1648). Mirëpo, kush­do që ka parë “Es-Sijerin” e nxënësit të Ebu Hanifes, Muhammed ibn Hasan esh-Shejbaniut (132-189/748-804), ai e di se kodifikimin e këtij lloji e ka zbatuar Ebu Hanife 900 vjet para Grotius it, dhe jo vetëm kjo: trajtesat e tij mezi që lëshojnë cilindo aspekt të problemit kurse përfshijnë çështjet më të rafinuara dhe më vitale.

Këtë para do kohe e pranoi edhe grupi i shkencëtarëve që në shenjë mirënjohjeje formoi “Shoqërinë Shejbani të Ligjit Internacional në Gjermani”.[109] Sipas disa shënimeve të tjera, në Francë në vitin 1932 u formua Shoqata “Esh-Shejbaniu”.[110]





4. Zufer Ibn Hudhejli (110-158 H./728-775 e.r.)


Zuferi bën pjesë në plejadën e personaliteteve më meri­tore për Shkollën juridike hanefite. U lind më 110 H./728. Me prejardhje ishte arab nga Temimi. Babai i tij Hudhejli ka qenë guvernator në Basra.[111] Nëna e Zuferit ishte persiane. Siç jepet të kuptohet, prej babait ka trashëguar gjuhën e oratorinë, kurse prej nënës meditimin.

Ka qenë nxënësi më i vjetër i Ebu Hanifes, që vdiq shumë i ri, në vitin 158 H./775.

Hatib el-Bagdadi transmeton se një njeri e pyeti Shafi’iun për shkollën irakiane: “Ç’thua për Ebu Hanifen?” Shafi’iu u përgjigj: “Zemra e tyre!”. “Ç’thua për Ebu Jusufin?” U përgjigj: “I ka tejkaluar në hadith!”. “E Muhammed ibn Hasanin?”. U përgjigj: “I ka tejkaluar në sistematizim!”. “E Zuferi?” U përgjigj: “Analogjisti më i madh!”[112]

Pas vetes nuk ka lënë vepra të shkruara. Shkak i kësaj është vdekja e hershme e tij. Mirëpo, mendimet e tij i gjejmë në literaturën hanefite. Nëse jo me shkrim, çka është evidente, ai këtë shkollë e përhapi me gjuhë e oratori, dmth. gojarisht.[113]

Theksohet se në fillim ka qenë ithtar i shkollës së hadithit, mirëpo më vonë iu bashkangjit juristëve irakianë dhe bëhet përfaqësues i flaktë i kijasit.[114]

Gjatë tërë jetës ka kryer shërbimin e mësuesit dhe gjyqtarit. Gjatë kohës së Ebu Hanifes ka qenë kadi në Basra, ku ka zhvilluar polemika të rrepta me kundërshtarët derisa nuk i bindi në korrektësinë dhe përpikshmërinë e pikëpam­jeve të Ebu Hanifes.[115]

Prej mendimeve më me rëndësi të Zuferit në sferën juridike është ai që ka të bëjë me lejimin e lënies vakuf edhe të parave të gatshme, në çka është dalluar prej juristëve tjerë të mëdhenj hanefitë që kishin qëndrim të kundërt.

Pasi që mendimi i Zuferit më shumë u është përshtatur rrethanave të ndryshuara të periudhës së mëvonshme dhe e mbështet me të madhe çështjen e vakufit, ky mendim aprovohet në Perandorinë Osmane dhe në Indi.”[116]





5. Hasan ibn Zijad El-Lu’lui (? - 204 H./ ?-819 e.r.)


Një ndër përfaqësuesit më meritorë të Shkollës hanefite të brezit të hershëm është edhe Hasan ibn Zijad El-Lu’lui El-Kufi. Nuk dihet data e tij e lindjes, kurse vendi i tij i lindjes duhet të jetë në Kufe. Ka qenë klient i el-Ensariut dhe njëri prej nxënësve të vyeshëm të Ebu Hanifes, pastaj të Ebu Jusufit, Muhammedit dhe të tjerëve.

Në vitin 194 H. ka qenë kadi në Kufe, por jo me aq sukses sikurse në fikh. Është i njohur si transmetues i hadi­thit. Njëherë pohoi: “Kam shkruar prej ibn Xhurejxhit 12.000 hadithe...”. Mirëpo, disa muhaddithë i refuzojnë transmetimet e tij, mbase nga shkaku i njëjtë sikurse edhe të Ebu Hanifes. Edhe juristët nuk i kanë ngritur transmetimet e tij në të drejtën hanefite në nivelin e librave “të rivajetit të qartë” prej Muhammed ibn Hasanit.[117]

Me Hasan ibn Zijadin përfundon plejada e artë e shkencëtarëve udhëheqës, origjinalë e kreativë dhe produk­tivë të pikëpamjeve juridike hanefite.





C. PERIUDHA E VONSHME


Kjo periudhë, sipas ndarjes sonë të lirë, është më e gjatë se periudhat tjera dhe e përfshinë etapën kohore prej shekullit III hixhrij e deri më sot. Për këtë periudhë është karakteristike se përveç përjashtimeve të vogla, përkatësisht individëve të rrallë, nuk ka punime origjinale, apo punë të re kreative. Kjo periudhë në të vërtetë është mbyllje e dyerve ixhtihadit, lojalitet, shpeshherë i verbër i shkollave ekzis­tuese dhe vetëm ndonjë plotësim i zbrazëtirave juridike në të cilat nuk kanë gjetur përgjigje nga paraardhësit e tyre.[118]

Tashmë përafërsisht me Shafi’iun filloi të marrë për­masa ideja se vetëm imamët e mëdhenj kanë pasur të drejtë në mendime të pavarura. Qysh në fillim të shekullit IV erdhi deri te botëkuptimi i përgjithshëm se të gjitha pyetjet qenë­sore janë përpunuar dhe konfirmuar dhe se askush nuk ka të drejtë të merret me ixhtihad; e vetmja që mund të bëhet është shpjegimi, aplikimi dhe komentimi i asaj diturie të shablonizuar. Kështu arriti periudha e taklidit (imitimit), përngja­simit, dmth. të praktikuarit e mësimit ekzistues pa të drejtë në shqyrtim të sërishëm.[119]

Në këtë periudhë kemi disa emra që vlejnë të ceken, kurse funksioni i të cilëve më tepër ka qenë plotësimi i zbra­zëtive juridike (mesailu-n-nevazil). Më të dalluar janë: Hilal err-Rrej (245/859); Ahmed ibn Umer el-Hassaf (vd. 261 / 874), ka shkruar për hijelin (fiksionet) dhe vakufin; Ebu Xha’fer et-Tahaviu (vd. 321/933), autor i librit për kundër­thëniet e juristëve.[120]

Në periudhën prej shekullit IV deri VI kemi dijetarë të shumtë të rangut më të ulët, që në mënyra të ndryshme do të ceken në kaptinën vijuese,[121] e të cilët për shkak të punës së tyre janë atakuar nga konservatorët (muhafidhinë) dhe imitatorët (mukal-lidin).


Shënimet:


--------------------------------------------------------------------------------

[1] Ebu Zehre, Tarihu-l-medhahib, op. cit., fq. 354.

[2] Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 181.

[3] M. Imam , op. cit., fq. 47; Gjithashtu; Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 181.

[4] El-Berazijj, op. cit., fq. 144. Është evidente se të gjithë pararen­dësit që i cekëm nuk i posedojnë gradat shkencore. Megjithëse bëmë përpjekje që nga literatura që disponojmë t’i sigurojmë këto të dhëna, këtë nuk arritëm ta bëjmë. Shih po ashtu: M. Imam , op. cit., fq. 47; Abdulkerim Zejdan , op. cit., fq. 156.

[5] F. Karçiq, E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 55.

[6] Ebu Jusuf, Athar, pp. 32, cituar sipas: Joseph Schacht, The Origins of Muhammadan Jurisprudence, London, Oxford Uni­versity Press, 1959, pp. 237.

[7] Ebu Zehre, Ebu Hanife , op. cit., fq. 68.

[8] Ahmed Emin, Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 182; El-Mewdudi, në: M. M. Sharif , II. op. cit., fq. 86.

[9] Tirmidhiu i cituar sipas: Joseph Schacht, The Origins of Mu­hammadan Jurisprudence, op. cit., fq 237. Për Hammadin shih në këtë vepër prej fq. 237-240.

[10] Fuad A. Rida , op. cit., fq. 30; El-Mewdudi, Politicka misao u ranom islamu, në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 78; N. Smailagic, Leksikon islama, zëri encikl. “Emevitët”, fq. 638-647 dhe “Abasitët”, fq. 9-10, op. cit.

[11] Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 177.

[12] El-Kardavi , Menakib ul-Imam il-A’zam, Hyderabad, 1321/1903, vol. I, fq. 65, cituar sipas El-Mewdudi, në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 85; F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 61.

[13] El-Kardavi, op. cit., fq. 66.

[14] El-Mekki , Menakib..., op. cit., sipas: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 85.

[15] Ebu Zehre , Tarihu-l-medhahib, op. cit., fq. 153.

[16] F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 61.

[17] Mahmud Karali} , Hadis i hadiske znanosti, “Islamska misao”, viti IV, nr. 46/1982, Sarajevo, fq. 21.

[18] Shih: El-Mewdudi , Ebu Hanife i Ebu Jusuf, në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 85.

[19] El-Berazijj , op. cit., fq. 143.

[20] El-Havarizmi , Xhamiu-l-mesanid El-Imamu-l-A’dham, I, Hajderabad, Indi, 1332 H. fq. 23-26. Krhs.; el-Berazijj, op. cit., fq. 142.

[21] Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 178.

[22] Al-Xha’fi’i , Mir’atu-l-Xhinan wa Ibratu-l-Jakdhan, I, fq. 30, cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife ... në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 86.

[23] El-Mekki , op. cit., fq. 220, cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife ... në; M. M. Sharif, II. op. cit., fq. 87.

[24] Et-Taberi, vol. VI, fq. 238; Ibn Kethir , al-Bidaje ven-Nihaje, vol. X, fq. 97, cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife ..., në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 87.

[25] El-Havarizmi , op. cit., fq. 23-26; Krhs.; el-Berazijj , op. cit., fq. 142.

[26] Fudd A. Rida , op. cit., fq. 34.

[27] El-Hatib el-Bagdadi , Tarih ul-Bagdad, Egypt, 1931, vol. XIII, fq. 358. cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife ..., në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 87.

[28] Ibn Hal-likan, Vefajat ul-a’jan, Kajro, 1948, V, fq. 422-423, cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife ..., në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 87.

[29] El-Hatib el-Bagdadi , op. cit., fq. 360, cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife ... në: M. M. Sharif , II, op. cit. fq. 87.

[30] Shih: Edh-Dhehebi , Menakib ul-Imam Ebu Hanife ve Sahibaihi, Egypt, 1366/1946, fq. 115, cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife ... në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 87.

[31] El-Mekki , op. cit., fq. 57-58, cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife ... në: M. M. Sharif, II, op. cit., fq. 86.

[32] Ebu Zehre , Tarihu-l-medhahib, op. cit., fq. 349.

[33] Fuad A. Rida , op. cit., fq. 32.

[34] Ebu Zehre, Tarihu-l-medhahib, op. cit., fq. 350.

[35] El-Mewdudi, op. cit., sipas: M. M. Sharif, II, op. cit., fq. 86.

[36] Ibid., fq. 86. Në këtë kohë ishte specializuar në teologjinë dialektike, ku u bë me famë dhe konsiderohej autoritet në atë fushë. El-Mewdudi, Ibid, fq. 68.

[37] El-Mekkij , op. cit., fq. 59 e tutje, cituar sipas: Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, fq. 179.

[38] El-Mewdudi , op. cit., në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 86; F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 61.

[39] Fuad A. Rida, op. cit., fq. 33.

[40] El-Mekki, I, op. cit., fq. 9, II, fq. 132-136, cituar sipas: El-Mewdudi , op. cit., në: M. M. Sharif , II. op. cit., fq. 86.

[41] Fuad A. Rida , op. cit., fq. 37.

[42] Ibid., fq. 37.

[43] Gjykimi i Macdonald it është tepër ekskluziv, përjashtues dhe i përgjithësuar; Shih: D. B. Macdonald , Development of Muslim Theology, Jurisprudence and Constitutional theory, op. cit., fq. 95. Shih nëntitullin: Abstraksionet - rastet e supozuara, në këtë shkrim.

[44] I. Dzananovi}, Ebu Hanife , op. cit., fq. 24.

[45] El-Mewdudi , op. cit., në M. M. Sharif, op cit. II. fq. 96.

[46] I. D`ananovi} , Ebu Hanife , op. cit., fq. 24-28.

[47] Ibid, fq. 25. El-Mewdudi , op. cit., në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 96-97.

[48] Tarihu Ibni Hal-likan, vëll. II. fq. 146, cituar sipas: M. Omerdi} , Ebu Hanifin doprinos akaidologiji, “Islamska misao”, viti I, nr. 11/1979, fq. 15. Shih në lidhje me këtë hadithin e Muhammedit a.s. të cilin e transmeton Ebu Hurejre : “Kur ta shohish alimin se shumë po shoqërohet me sunduesin, dije se është mashtrues”, në: Jakup Memic, Izbor Poslanikovih hadisa (Zgjodhi e përktheu), Sarajevo, 1984, nr. 302.

[49] Gjerësisht: Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 183.

[50] Ebu Zehre , Ebu Hanife , op. cit., fq. 54-59.

[51] M. A. Abdurrahim, The Principels of Muhammedan Jurisprudence, Westport Connecticut (USA), 1987, fq. 27, cituar sipas: I. D`ananovic, Idztihad, op. cit., fq. 84.

[52] Shih: Th. W. Yaynboll, Ebu Hanife, op. cit., fq. 332.

[53] F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 62.

[54] Hatib el-Bagdad , Tarihu-l-Bagdad, vëll, XIII, fq. 352, cituar sipas: Ebu Zehre, Tarihu-l-medhahib, op. cit., fq. 362.

[55] Ibid, fq. 462.

[56] El-Berazijj , op. cit., fq. 144.

[57] Tarihu Ibn Hal-likan , II, op. cit., fq. 164, cituar sipas; M. Omerdiq, op. cit., fq. 16.

[58] Ibid.

[59] Ebu Zehre, Tarihu-l-medhahib, op. cit., fq. 374.

[60] Ibid.

[61] Shih: El-Mekki , II, op. cit., fq. 212, cituar sipas El-Mewdudit në: M. M. Sharif, II, op. cit., fq. 102.

[62] Shih. Ibid.

[63] El-Mewdudi, Ebu Hanife ... në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 102.

[64] Ibid., fq. 103.

[65] Ibid. fq. 103.

[66] El-Kardavi , op. cit., vol. I, fq. 125, sipas El-Mewdudit, në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 104.

[67] El-Mekkij, op. cit., II, fq. 211-239, sipas: El-Mewdudit, në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 103; F. Karçiq, E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 64.

[68] F. Karçiq , E drejt e sheri’atit, op. cit., fq. 64; El-Mewdudi, Ebu Hanife ..., në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 103.

[69] El-Mekki, vol. II, op, cit., fq. 243-244, sipas: El-Mewdudi, në: M. M. Sharif, II, op. cit., fq. 104.

[70] Shih: M. el-Hudarij, op. cit., fq. 144; Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 198; Ebu Zehre, Ebu Hanife , op. cit., fq. 196-197.

[71] K. Dobraça , 9/1936, op. cit., fq. 367.

[72] S. S. Bashiq , op. cit., fq. 19.

[73] Ibid.

[74] El-Mekki, vol. II, op. cit., fq. 232, sipas: El-Mewdudit, në: M. M. Sharif, II, op. cit., fq. 104.

[75] el-Kardavi, vol, II. op. cit., fq. 120, sipas: El-Mewdudit, në: M. M. Sharif , II, op. cit., fq. 104.

[76] Shih: Ahmed Emin, Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 200; Ebu Zehre , Ebu Hanife , op. cit., fq. 197.

[77] F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 65.

[78] Ahmed Emin, Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 200.

[79] Shih: F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit.,fq. 65; A. Zejdan , op. cit., fq. 159; Krhs.; Schacht, Islamic Law, op. cit., fq. 301.

[80] Schacht, Islamic Law, op. cit., fq. 301.

[81] S. S. Bashic , op. cit., fq. 19.

[82] A. Zejdan , op. cit., fq. 159-160.

[83] Schacht , Islamic Law, op. cit., fq. 301.

[84] Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 199.

[85] F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 65.

[86] El-Mewdudi , Ebu Hanife ... në: M. M. Sharif , II. cit., fq. 123.

[87] Ibn Hal-likan , Vefajat-ul-a’yjan, Kajro, 1948, vol. V, fq. 423, cituar sipas: El-Mewdudi , Ebu Hanife, në: M. M. Sharif, II, op. cit., fq. 102.

[88] F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 68.

[89] I. Dzananovic, Ebu Hanife , op. cit., fq. 26-27.

[90] Ahmed Emin, Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 203; Gjithashtu: Ebu Zehre, Ebu Hanife, op. cit., fq. 208.

[91] Ahmed Emin , Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 203.

[92] Mahmudrijad Haziri, Imam Muhammedi - dijetar i të gjitha ko­hëve, “Hëna e re”, gazetë kulturore-informative islame, nr. 113/95, Shkup, fq. 20.

[93] Ibid.

[94] I. Dzananovic, Ebu Hanife, op. cit., fq. 26-27.

[95] F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 65; Ebu Zehre , Ebu Hanife , op. cit., fq. 208; H. Laost , op. cit., fq. 89.

[96] M. Haziri, op. cit., fq. 20.

[97] Ibid.

[98] Ibid.

[99] Ibid.

[100] F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 65; M. Haziri , op. cit., fq. 20.

[101] F. Karçiq, E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 65.

[102] Schacht , Islamic Law, op. cit., fq. 301.

[103] F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 65.

[104] H. Laost , op. cit., fq. 89-90.

[105] Schacht , Islamic Law, op. cit., fq. 301-302; Ahmed Emin, Duha-l-islam, II, op. cit., fq. 204.

[106] Shih: F. Karçiq , E drejta e sheri’atit, op. cit., fq. 65 dhe 66.

[107] K. Dobraça

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme