Beteja e Kosovës

Edhe pse Ballkani kaherë ka qenë i njohur për popujt e Lindjes, megjithatë për Ballkanin kemi të dhëna relativisht të vonshme.[2] Me fjalë të tjera, burimet e vjetra osmane pak vend u kushtojnë ndodhive të shekullit XIV.[3]

Të dhëna relativisht më të plota rreth të gjitha këtyre ndodhive ofrojnë Mulla Mehmed Neshriu dhe bashkëkohësi i tij Idris Bitlisi, historitë e të cilëve paraqesin burim të dorës së parë në historiografinë osmane dhe burim me rëndësi në historiografinë e popujve ballkanas.[4]

Derisa te popujt perëndimorë Neshriu ka qenë i njohur qysh prej vitit 1591[5], në Jugosllavi “historia” e tij pjesërisht për opinionin tonë u bë e njohur në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, kur Glisha Elezoviq na ofroi përkthimin e plotë të Historisë së Neshriut.[6] Në gjuhën shqipe përveç përkthimeve të pjesërishme të Selami Pulahës[7] dhe disa përkthimeve gazetareske, nuk dimë se ekziston ndonjë kontribut në këtë plan.

Sa i përket historisë së Idris Bitlisit, deri tash dihet se ekzistojnë shtatë dorëshkrime të plota,[8] ku njëri prej tyre gjendet në Arkivin Shtetëror Kroat të Zagrebit.[9] Këtë dorë­shkrim orientalisti i zellshëm Salih Trako në vitet gjashtë­dhjetë-shtatëdhjetë e publikoi në “Prilozi za Orien­talnu filologiju,”[10] me çka plotësoi një zbrazëti të theksuar. Në gju­hën shqipe, sikur edhe në rastin e Neshriut, kemi përkthimin e pjesërishëm të veprës së tij nga Selami Pulaha.[11]

Këto pak rreshta nuk pretendojnë ta japin fjalën e fundit rreth kësaj teme, përkundrazi, kanë për qëllim të tërheqin vëmendjen e lexuesve në emrin dhe veprën e këtyre dy histo­rianëve, vepra këto pa të cilat historia osmane përgjithësisht, kurse ajo shqiptare islame në veçanti, do të ishin të mangëta dhe mjaft të errëta. Prandaj, përkthimi i tërësishëm kritik i veprave të tyre për shkencën e historisë paraqet ngjarje kultu­rore me rëndësi për nënqiellin tonë.

Në vazhdim do të përpiqemi që t’i analizojmë karakter­istikat kryesore të këtyre veprave, në bazë të përkthimeve ekzistuese të Glisha Elezoviqit, Salih Trakos dhe Selami Pu­lahës dhe burimeve tjera të publikuara.



MULLA MEHMED NESHRIU DHE HISTORIA E TIJ

1. Jeta e Mulla Mehmed Neshriut
Njëri ndër historiografët më të mëdhenj të historiografisë turke dhe me rëndësi për historiografinë shqiptare dhe histo­riografinë përgjithësisht në Ballkan është edhe Mulla Mehmedi i njohur me pseudonimin Neshriu. Prejardhja e tij nuk është plotësisht e qartë, e këtë e kushtëzon mungesa mjaft e theksueshme e të dhënave historike.

Sipas disa të dhënave, Neshriu është me prejardhje nga Brusa, kurse sipas disa të dhënave të tjera është me prejardhje nga krahina Germijan në Azinë e Vogël.[12] Historiani shqiptar S. Pulaha pohon se Neshriu është i lindur në Anadoll, kurse është rritur në Brusë.[13] Orientalisti boshnjak S. Trako men­don se Neshriu ka jetuar dhe ka punuar si profesor në Brusë,[14] duke mos precizuar hollësi të tjera.

Nuk është e sigurt se kur u lind, por supozohet se ka jetuar në kohën e sundimit të sulltanëve osmanë Bajezidit II dhe Selimit I.[15]

Për kohën që nga fëmijëria e hershme, pastaj për rininë dhe shkollimin e tij dhe aktivitetet tjera nuk kemi shënime të sigurta. Mund të supozohet se ka poseduar aftësi të mëdha intelektuale dhe organizative, supozime këto që mbështeten në kohën e pjekurisë së tij.

Mulla Mehmed Neshriu i ka takuar klasës më të lartë të hierarkisë së ulemasë. Si profesor (muderris) që ishte, madje kishte edhe katedrën e vet në medresenë e Brusës. Këtë na e dëshmon edhe ofiqi i tij “mulla”[16], i cili u atribuohet intelek­tualëve të rangut më të lartë.

Neshriu vdiq në vitin 1520.[17]

2. Karakteristikat e përgjithshme të veprës së M. M. Neshriut
Puna e tij produktive si profesor në medresenë e Brusës bëri që zëri i Neshriut të dëgjohet edhe jashtë medresesë, madje edhe te sulltani i atëhershëm Bajezidi II (1481-1512), i cili e ftoi në sulltanatin e tij dhe e angazhoi që ta hartojë Historinë osmane prej fillimeve të saj e deri në kohën kur do të shkruhet.[18]

Historia të cilën e shkroi Neshriu sipas porosisë së sull­tan Bajezidit II quhet “Xhihan-numa” (Treguesi i botës) dhe përbëhet prej gjashtë pjesëve. Sipas të gjitha gjasave, përveç parathënies, pesë pjesët e para të historisë kanë humbur, kurse pjesa e gjashtë e cila gjendet quhet “Tarih-i al-i os­man” (Historia e Dinastisë Osmane). Kjo histori përshkruan krijimin e shtetit osman prej fillimeve të para e deri në kohën kur është shkruar. Sipas temave që trajton, kjo pjesë është shkruar diku rreth viteve 1485 - 1493.[19]

Sipas të dhënave ekzistuese, ekzistojnë disa dorëshkrime të veprës së Neshriut. Deri tash dihet për dorëshkrimin në Topkapi të Stambollit, në Bibliotekën e Xhamisë së sulltan Bajezidit II, dorëshkrimi në Bibliotekën nacionale të Vjenës dhe ai në Bibliotekën nacionale të Parisit.[20]

Vepra e Neshriut shquhet me një turqishte të pastër, me stil të afërt me paraardhësit e tij,[21] me gjuhë të thjeshtë, gjuhë të folur. Glisha Elezoviq pohon se vepra përshkohet edhe me arkaizma,[22] që për atë periudhë, mendojmë se është e rën­domtë. Ka indikacione se Neshriu është marrë edhe me veprimtari poetike,[23] mirëpo deri tash nuk posedojmë prova lidhur me këtë parashtrim.

Për ta shkruar historinë e tij Neshriu ka konsultuar burime të ndryshme, varësisht nga periudha për të cilën ka shkruar. Disa pohojnë se “historia” e Neshriut në pjesën më të madhe është një kompilacion[24] dhe atë si për periudhën e hershme ashtu edhe për periudhën e vonshme të historisë os­mane,[25] ndonëse për periudhën e hershme, në mungesë të atyre pjesëve të historisë së Neshriut, nuk dihen as burimet.

Pa dyshim, burimi kryesor për “historinë” e Neshriut është njëri nga kronistët e hershëm osmanë, Dervish Ahmed Ashiku, më i njohur me pseudonimin Ashik pasha Zadeja (1400 - 1484 ?) me veprën “Historitë e Dinastisë Osmane” (Tevarih-i al-i Osman).[26]

Për disa të dhëna të cilat nuk i përmend Ashik-pasha Zadeja, Neshriu ose ka konsultuar burime tash për tash të panjohura,[27] ose në disa nga ato ndodhi ka qenë edhe dësh­mitar i gjallë.

Burimi kryesor i Neshriut rreth “Betejës së Kosovës” nuk dihet, sepse për këtë vetë Neshriu nuk ofron informata, as që këto të dhëna mund t’i gjejmë tek kronikat më të her­shme osmane.

Në disa gjëra Neshriu ka konsultuar edhe “Kronikat an­onime”[28] dhe disa kronistë tjerë të asaj kohe.

Në krahasim me kronistët pararendës, Neshriu në “his­torinë” e tij jep shënime të hollësishme rreth Betejës së Kosovës, koalicionit ballkanik kundër osmanlinjve, vasalitetit të Balshajve ndaj Sulltanit prej 1385 - 1387[29] etj.

Sa u përket shqiptarëve, Neshriu për disa gjëra flet gjerësisht, sikur për rezistencën e shqiptarëve, aleancën shqiptaro-boshnjake kundër ushtrisë osmane dhe, gjithashtu, flet për koalicionin ballkanik kundër osmanlinjve, ku veço­hen vllehët, hungarezët, çekët, serbët, shqiptarët, ullgarët (bullgarët) dhe frengjët.[30] Prej shqiptarëve supozohet se kanë marrë pjesë Dhimitër Jonima (Jund oglu Dimitruos - )[31] dhe Gjergji II Balsha (Juka - ).[32] Kanë marrë pjesë edhe personalitete të tjera, por nuk u përmenden emrat. Diç më tepër rreth këtyre dy pjesëmarrësve të sipërtheksuar shih kur të flasim tek Idris Bitlisi. Mirëpo, në këtë hedh dritë ngjarja vijuese. Tek Neshriu lexojmë se princ Llazari para luftës u konsultua me të gjithë princat rreth asaj se kur është më mirë të sulmohen turqit. Derisa kishte mendime se këtë duhej bërë natën, një i pafe me emrin Juka (Jorgi) këtë e refuzoi. Gjatë të menduarit se si të deshifrohet ky emër, nuk duhet qitur jasht mendjes edhe këtë se ky emër duhet të lexohet si Juga ( ) për arsye se grekët e Stanbollit emrin Gjergj e lexojnë të afërt me Juga, e ky duhet të jetë Gjergj II Balsha.[33]

Tek Neshriu lexojmë edhe këtë gjë: ai në origjinal Millosh Obiliqin (Kobiliqin, Kobilloviqin, Kobillën, Dragi­llo­viqin) e quan “... bir kafir var idi, Milos Kovila dirler di.” G. Elezoviqi konsideron se sigurisht Neshriu ka konsultuar ndonjë burim grek, pasi që grekët këtë emër mund ta lexojnë kështu dhe kësisoj edhe e ka theksuar.[34]

Disa historianë Neshriut ia zënë për të madhe dhe his­torinë e tij mundohen ta zhvlerësojnë për shkak se Neshriu thotë se “ushtria e të pafeve” numëronte rreth 500.000 ush­tarë, duke konkluduar se këtë e ka bërë në mënyrë që ta rrisë fitoren e muslimanëve. Mendoj se kjo është e pavend kur kemi parasysh mënyrën e të shprehurit të Neshriut. Në origji­nal thuhet: “Thonë se ishin mbledhur rreth 500.000 mijë ushtarë të pafe...”[35] që jep të kuptojmë se është thënë “thuhet” e nuk është konstatuar.

Këtë ekspoze do ta mbyllim me mendimin e historiogra­fit të njohur G. Elezoviqit se “Historia e Neshriut është më e gjera, madje, më e vërteta[36] dhe se për këtë arsye ka ndikuar thellë te historianët e mëvonshëm si Idris Bitlisi, Hoxha Sad­edini, Aliu etj.[37] Sot çdonjëri që dëshiron seriozisht të preo­ku­pohet me periudhën e fillimit të depërtimit të Islamit në Ballkan, doemos duhet ta konsultojë Historinë e Mulla Mehmed Neshriut.



IDRIS BITLISI DHE HISTORIA E TIJ

1. Jeta e Idris Bitlisit
Idris Bitlisi krahas Mulla Mehmed Neshriut bën pjesë ndër historiografët më të mëdhenj turq të shekullit XV-XVI. Emri i tij i plotë është Hakimuddin Idris ibn Husamuddin. Data e lindjes së tij nuk dihet, por dihet vendi. U lind në Bit­lis prej nga edhe e mori ofiqin Bitlisi, afër Liqenit të Vanjit në Anadollinë Lindore, apo në Kurdistan.[38] Babai i tij Husa­muddini ishte njeri i devotshëm dhe i takonte rendit të der­vishëve të shejh Umer Jasirit.[39]

Hameri konsideron se Idrisi është persian.[40]

Periudha nga fëmijëria deri në rininë e hershme është e mëngët sa i përket të dhënave rreth Bitlisit.

Më vonë e hasim në oborrin e Dinastisë së Akko­junllitëve dhe atë në shërbim të Jakub beut (vd. 896/1490-1491)[41] si nëpunës zyreje.[42] Nga kjo periudhë kemi një ndodhi interesante. Bajezidi II më 1485 kërkoi raport nga Ja­kubbeu për fitoret në Kili dhe Akerman. Përgjigjen e Jakub beut e shkroi Idris Bitlisi, me të cilën ia tërhoqi vëmendjen Bajezidit II me shkathtësitë e shkrimit të tij dhe ia zgjoi ku­reshtjen që një penë e tillë të jetë në shërbim të tij, që ndër të tjera të shkruajë historinë e shtetësisë osmane.[43] Këtë e arriti në vitin 907/1501 kur nga sundimi ra Dinastia Akkojunllite, kurse sundimtar i ri u emërua shah Ismaili, themeluesi i Di­nastisë Safevite. Në këtë kohë Idris Bitlisi e braktisi Persinë dhe erdhi në shërbim të Bajezidit II dhe aty qëndroi deri në fund të jetës së tij.[44]

Gjatë kësaj kohe Bitlisi u angazhua intensivisht me ak­tivitete politike dhe ushtarake. Kështu e gjejmë në shoqërim të sulltan Selimit I në fushatën kundër Persisë, me ç’rast u ngarkua që nën komandën e tij ta pushtojë Kurdistanin. Po ashtu nën komandën e tij me një ushtri kurde i theu persianët dhe e pushtoi Mardinin.[45]

Idris Bitlisi gjithashtu mori pjesë në bisedimet për bash­kangjitjen e Urfit dhe Mosullit me Halifatin osman. Ai ka dhënë kontribut të çmueshëm edhe në qetësimin dhe for­mimin e rendit të brendshëm në krahinat e pushtuara.[46]

Është e njohur se bashkë me sulltan Selimin I ka marrë pjesë në luftimet kundër Egjiptit.[47]

Lidhjet e Idris Bitlisit me sulltan Selimin I i hasim edhe më të thella. Kështu, me qëllim që t’ia imponojë idetë e tij se si të sundojë në krahinat e posapushtuara, Idris Bitlisi në shenjë respekti ndaj Selimit I, mbajti një fjalim brilant, të shkëlqyeshëm për virtytet e Sulltanit.[48]

Ndonëse disa historianë datën e vdekjes së Idris Bitlisit e vënë në dyshim, konsiderojmë se pohimi i birit të tij Ebu’l-Fadlit është i saktë, kështu që Idris Bitlisi ka ndërruar jetë në Dhul-hixhxhe të vitit 926 Hixhrij ose 12. XI-12, XII. 1520. U varros në Stamboll në lagjen Ejjubijje në vendin e quajtur “Idris köşkü”, pranë mesxhidit të cilin e ndërtoi gruaja e tij Zejneb-hatun.[49]

2. Karakteristikat e përgjithshme të veprës së Idris Bitlisit
Lidhjet e Idris Bitlisit me Bajezidin II janë të hershme. Më parë përmendëm se qysh në vitin 890/1485 Idris Bitlisi i dërgoi një raport Bajezidit II me çka tërhoqi vëmendjen e tij. Me kalimin e kohës lidhjet midis tyre intensifikoheshin, kështu që ato u kurorëzuan atëherë kur Bajezidi II i rekoman­doi Bitlisit ta shkruajë historinë osmane prej fillimit e deri në kohën e tij, d.m.th. prej vitit 710/1512. Këtë shënim e hasim në parathënien e veprës së Idris Bitlisit. Këtu lexojmë se më 908 apo 07.07.1502, Bajezidi II e kishte ngarkuar Idris Bitlisin që ta shkruajë historinë osmane.[50]

Këtë punë Idris Bitlisi e kreu për dy vjet e gjysmë, përkatësisht e mbaroi së shkruari në vitin 1505.[51] Kjo vepër e tij quhet “HEST BIHIST” (Tetë kopshtet e parajsës) dhe është vepra kryesore e tij, të cilën e shkroi në persishte, sipas rekomandimit të vetë Sulltanit, edhe pse dinte të shkruajë edhe në turqishte.[52]

Sikur që mund të kuptohet edhe nga vetë titulli, vepra ndahet në tetë pjesë (bihishte) ku çdo pjesë përmban të dhëna për jetën e çdo sulltani osman veç e veç.[53]

Sipas të dhënave të deritashme dihet se ekzistojnë shtatë dorëshkrime të plota të “Hest Bihist”, kurse gjenden në Bankipore, Upsala, Londër, Oksford, Petrograd, Stamboll dhe Zagreb. Ekzistojnë edhe gjashtë dorëshkrime tjera jo të plota.[54]

Ekzemplari i Zagrebit është i vendosur në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb në vitin 1942 nga koleksioni i të ndjerit Franc Ottenfelsit. Ekzemplari është i plotë dhe shumë mirë i ruajtur. Ka 678 fletë të shkruara.[55]

Vepra “Hest Bihist” është shkruar në prozë, përveç hyrjes në disa kaptina të cilat janë shkruar në poezi me stil oratorik, të spitillosur, të ngjeshur, që për atë periudhë paraqet një lloj mode letrare,[56] mirëpo, në anën tjetër, për gjeneratat e mëvonshme ka paraqitur një lloj pengese dhe një nga arsyet që deri vonë nuk është studiuar, as përkthyer dhe botuar në tërësi.[57]

Sipas F. Babingerit, Idris Bitlisi në gjuhën persishte ka shkruar një vepër për jetën e sulltan Selimit I me emrin “Selim-name”.[58] Sipas Hamerit, Idris Bitlisi është marrë edhe me përkthime. Kështu, me rekomandimin e Selimit I e përk­theu nga arabishtja librin e Demiriut “Jeta e kafshëve”.[59] Hameri përmend edhe atë se pas përkthimit të kësaj vepre, Bitlisi mori guxim që të shkruajë një poezi në të cilën e këshillonte Sulltanin në udhëheqjen e vendit dhe zbatimin e drejtësisë në Egjipt.[60] Bitlisi ka shkruar edhe gjëra të tjera, por deri më sot nuk kemi asgjë të zbuluar dhe të publikuar.

Vepra e Idrisit “Hest Bihist” paraqet burim mjaft të rëndësishëm historik. Ai duke shfrytëzuar kronikat e mëpar­shme, dokumentet e ndryshme e të tjera, për herë të parë shkroi një histori ku i shtroi gjërat në mënyrë më të plotë, më të gjerë dhe më të kuptueshme, deri në kohën kur jetoi vetë. Historia e tij shërben si burim dhe ekzemplar i dorës së parë për të gjithë historianët e mëvonshëm. Sikur që kjo vepër u shërbeu të tjerëve për t’i shkruar historitë e tyre, ashtu edhe Idrisi, për ta shkruar historinë e tij, konsultoi shumë vepra. Mirëpo, para se të përpiqemi t’i analizojmë shkurtimisht burimet e historisë së Bitlisit, duhet ta shtrojmë mendimin e vetë Bitlisit rreth burimeve të konsultuara. Ai në parathënien e gjatë të veprës së tij për burimet e shfrytëzuara flet në mënyrë të papërcaktuar dhe thotë se “Shumë ndodhi, përcaktimin dhe hulumtimin e të cilave nuk i ka dëgjuar apo nuk i ka njohur drejtpërdrejt nga transmetuesi i besueshëm të cilit duhet besuar, apo çka nuk është parë dhe provuar nga li­brat e sigurt, të gjitha këto nuk janë përfillur dhe i janë lënë herresës”.[61]

Nga kjo kuptohet se Idrisi ndaj burimeve ka qenë mjaft kritik, dhe se në veprën e vet ka futur vetëm atë që, sipas tij, ka qenë e vërtetë. Kuptohet se Idrisi për ngjarjet e hershme i ka konsultuar veprat e shkruara, kurse për të rejat ose ka qenë vetë i pranishëm ose i ka marrë nga burimet e sigurta ver­bale.[62]

Është më se e sigurt se Idrisi historinë e tij e ka shkruar në bazë të veprës “Tarih-i Xhihan gusaj” të Xhuvejnit (1226-1282), veprës “Tarih-i Vassaf” të Vassafit (ndërmjet 1257-1328), e cila paraqet vazhdimin e historisë së Xhuvejnit. Këto dy burime Idrisit i kanë shërbyer vetëm për fillimin e his­torisë osmane.

Burim tjetër ka qenë Mu’inuddin Jesdiu, të cilin F. Babingeri e thekson por nuk përmend shënime tjera.

Burim vijues është edhe “Zafer-name-ja” e Sherefuddin Ali Jezdiut (vd. 1454), e cila i ka shërbyer deri te Mehmedi I (1425).[63]

Mirëpo, burimi kryesor i Idrisit ishte Neshriu dhe Histo­ria e tij. Veçmas i ka shërbyer për periudhën e Luftës së Kosovës. Mirëpo, disa të dhëna sikur ajo se sulltan Murati i gjallë e ka pritur kthimin e Jëlldërëm Bajezidit nga ndjekja e armikut dhe se me vetëdije të plotë ia ka dorëzuar pushtetin,[64] tregojnë se Idrisi ka përdorur edhe burime të tjera të zhdukura ose deri sot të panjohura. Kur e përmendëm Neshriun, me këtë nënkuptuam se Idrisi ka konsultuar edhe burime të tjera që ai i ka konsultuar.

Sa u përket shqiptarëve, I. Bitlisi sjell të dhëna të kon­siderueshme. Vlen të theksohet në këtë rast përbërja e koali­cionit, ku nuk dallon nga kronistët tjerë, si dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në Luftën e Kosovës. Në këtë koalicion kanë marrë pjesë sundimtarët e frengëve (evropianëve), hunga­rezëve, vllehëve, shqiptarëve dhe popujve sllavë (sakalib),[65] kurse sipas versionit të S. Trakos, ka marrë pjesë edhe “sun­dimtari i vendit të Bogdanëve”,[66] e dhënë kjo që nuk përmen­det në historitë tjera.

Sipas disa historianëve shqiptarë, I. Bitlisi përmend pjesëmarrjen e Gjergj II Balshës dhe Dhimitër Jonimës dhe prijësave të tjerë shqiptarë pa i përmendur emrat. Atë që Ne­shriu e quan Juka ( ), Idrisi e quan si Jorki ( ), kurse disa këtë emër e lexojnë edhe si Juvan, kurse S. Trako men­don se ka të bëjë me emrin “Juga” ( ).[67] S. Pulaha po këtë e identifikon me Balshën II. Pa kontestuar asnjë hipotezë, konsiderojmë se kjo çështje është e hapur për shkencëtarët.

Gjithashtu, atë që Neshriu e quan Jund-oglu Dimitruos ( ), Idris Bitlisi e quan Levend-oglu ( ) dhe derisa versioni i Trakos thotë se ky është mbret i Bosnjës ( ),[68] versioni i Pulahës i ndanë dhe thotë “mbreti i Bosnjës dhe Levend-oglu”.[69] Për këtë historianët shqiptarë mendojnë se është Dhimitër Jonima.[70]

Historia e Idris Bitlisit për shkak të të dhënave të saj, për gjeneratat e ardhshme ka qenë tekst i domosdoshëm. Histo­riografët osmanë si Hoxha Saduddini, pastaj Hoxha Huseini (nga Sarajeva), Aliu Sollakzadeja etj., kanë qenë nën ndiki­min e thellë të tij. Edhe sot e kësaj dite historia e tij paraqet burim të pakapërcyeshëm për studiuesit bashkëkohorë.

Ndonëse i bëhet vërejtje se vepra e tij përshkohet me panegjirizëm dhe subjektivitet, konsiderojmë se kjo nuk qën­dron për dy arsye:

- Panegjirizmin, që i bëhet vërejtje, duhet kuptuar në rrethanat kur dhe ku është shkruar vepra. Në këtë kohë ka qenë modë të shkruhet me një gjuhë më oratorike, kurse të paktë kanë qenë ata që kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë.

- Lavdërimi i heronjve të fesë dhe përcjellja e ngjarjeve historike me ajete nga Kur’ani, që i zihen për të madhe, tre­gojnë se:

1) Autori si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në shumë kon­flikte, ka përjetuar ndodhitë dhe duke mos e tepruar ua ka dhënë epitetet e merituara;

2) Ndërlidhja e Kur’anit me historinë tregon se autori ka qenë vrojtues i mirë i rrethanave, ka poseduar aftësi të psi­kologut e sociologut të regjur dhe se historia e tij me këtë fi­ton rëndësi të madhe e kurrsesi nuk humb.



PËRMBYLLJE
Shekulli XIV në Kosovë karakterizohet me rënien e Bi­zantit dhe të shteteve të tjera në Ballkan, për shkak të rretha­nave të çrregulluara të brendshme dhe proceseve të jashtme që kishin filluar me ekspansionin e shtetit të ri islam të os­manlinjve. Të dhënat më të plota për këtë kohë na i ofrojnë M. M. Neshriu dhe I. Bitlisi, dy historianë turq, të cilët me veprat e tyre “Xhihan-i-numa”, përkatësisht “Hest Bihist”, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndriçimin e asaj periudhe të errët.

Nëse i hedhet një vështrim historive të tyre, e sidomos atyre pjesëve ku flitet për Luftën e Kosovës më 1389, fitohet përshtypja se ato paraqesin burim të dorës së parë në shkencën e historiografisë turke, pastaj asaj shqiptare, sllave etj. Historitë e tyre japin një ndihmesë të madhe në pastrimin e historisë për Luftën e Kosovës nga mitet e legjendat që janë krijuar ndër popujt e ndryshëm e veçmas në Serbi. Aq më tepër, kur këto janë të ngjyrosura me fanatizëm dhe irracion­alizëm të kryqëzatave dhe inkuizicionit. Kjo nuk do të thotë se historia e këtyre dy historianëve është e privuar nga mangësitë, përkundrazi, të emocionuar, ata fitoret e musli­manëve i stërmadhojnë kurse fitoret e “të pafeve” nuk komentohen, nuk u jepet vend, pastaj nuk janë të saktë në disa të dhëna numerike, fj. vj. te numri i ushtarëve, por, të gjitha këto nuk e ulin vlerën e tyre.

Mbetet që brezat e rinj t’i rreken me seriozitetin më të madh përkthimit dhe studimit të veprave të tyre, dhe opinio­nit shkencor t’i ofrojnë burime të dorës së parë me qëllim që historia shqiptare, sllave etj., të studiohen të liruara nga kom­plekset e ndryshme të krijuara gjatë historisë.


LITERATURA
1. “Bratstvo”, XXXI, Beograd, 1940.
2. Grupa autora, “Kosovska bitka – mit, legenda ili stvar­nost”, Beograd, 1988.
3. Gjini, Gasper, “Skopsko–prizrenska biskupija kroz stolje}a”, Zagreb, 1979.
4. Hammer, Joseph von, “Historija turskog (osmanskog) carstva”, I, Zagreb, 1979.
5. “Islamska misao” – revistë fetare për teori e praktikë, IX, 107-108/1987, Sarajevo.
6. Mufti}, Tevfik, “Arapsko-srpskohrvatski rje~nik”, II, botimi II, Sarajevo, 1988.
7. “Prilozi za Orijentalnu filologiju Orijentalnog Instituta u Sarajevu”, XII-XIII/1962-1963, Sarajevo, 1965.
8. “Prilozi za Orijentalnu filologiju Orijentalnog Instituta u Sarajevu”, XIV-XV/1964-1965, Sarajevo, 1969
9. “Prilozi za Orijentalnu filologiju Orijentalnog Instituta u Sarajevu”, XX-XXI/1970-1971, Sarajevo, 1974.
10. Pulaha, Selami, “Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV - burime osmane”, Tiranë, 1968.



PËRKTHIM NGA DISA KRONIKA KLASIKE

ASHIK PASHA ZADE (1400 - 1484?)
BETEJA E KOSOVËS*
Të pafetë, posa e panë ushtrinë e besimdrejtëve, menjëherë i drejtuan shtizat dhe sulmuan (besimdrejtët). Nga ana e djathtë qëndronte Bajezit hani, kurse nga e majta Jakub Çelebiu. Gazi-të thërritën madhërimin e Zotit: “All-llahu ek­ber” (Zoti është më i madhi) dhe gjithashtu iu sulën të pafeve në takim. Beteja qe shkuar deri nga gjysma e kohës ndërmjet dy namazeve. Nga ana e djathtë Bajezit hani, kurse nga e majta Jakub Çelebiu, zhvilluan betejë të suksesshme. Llazi ishte në anën e Jakub Çelebiut dhe në këtë anë ushtria (jonë) u thye.

Mirëpo, nga kjo anë (u shfaq) një i pafe, me emrin Bilish Kobila. Duke e shtrirë majën e poshtme të shtizës në lartësi, me kapelë në dorë u nis drejt hanit. Gazi-të ia prenë rrugën. Ai foli: “Largohuni, erdha t’ia puth dorën dhe erdha të sjell lajm të gëzueshëm: Llaza me të birin u kapën, ja atje, po i sjellin.” (Këtë) e tha dhe gazitë nuk e penguan më tej. Ai për një çast arriti deri te hani, e ktheu (shpatën) nga ana tjetër, dhe e shpoi (theri) hanin. Së shpejti mbi hanin e ngritën tendën. Bajeziti ishte i pranishëm. E vendosën nën sanxhak. Ana e Jakub Çelebiut, siç thonë, vetë i theu të pafetë. Erdhën (tek Jakub Çelebiu) dhe i thanë: “Eja, po të thërret babai yt!” Posa erdhi, me të u sollën sikur me babain e tij. E sollën edhe Llazën me të birin e tij. Edhe ata i sollën në gjendjen e cila u kishte hije. Atë natë në ushtri patën ndodhur intriga. Por, posa u gdhi, (ushtarët) e pranuan Bajezitin (për padishah).

Pastaj e ngritën taborin dhe u nisën për në Jedrene. Të gjitha këto ngjarje ndodhën në vitin 791 të Hixhretit.



SHUKRULL-LLAH-u (1386-1459)
BETEJA E KOSOVËS*
Pasi që (Murati) kështu e rregulloi atë që është e nevo­jshme për jetën e ardhshme, sërish mori rrugën e Rumelisë, iu dha luftimeve dhe iu drejtua shtetit të Llazës (Serbisë). Sun­dues (princ) Llazari dëgjoi për këtë, i lajmëroi të pafetë e vendeve perëndimore dhe kërkoi (prej tyre) ndihmë. Vllahët, hungarezët, çekët, serbët, arbanasët, ulgarët (sigurisht bull­garët) dhe frangët i dërguan ushtritë. Më shumë se njëqind mijë të pafe u tubuan dhe arritën me armë të ndryshme. Të dy ushtritë u përleshën dhe zhvilluan një betejë çfarë kupa qiellore nuk ka parë qysh kur ka filluar të lëvizë. Shumë njerëz nga të dy ushtritë janë mbytur, kufomat janë grumbulluar njëra mbi tjetrën, kurse kokat janë shkelur nën këmbë. Më në fund arriti mëshira e Zotit, ndërsa ata u detyruan në arratisje. Muslimanët atëherë u sulën në ndjekje pas tyre, kurse mbreti ngadhënjimtar (Murati) mbeti në një bregore me disa truproje derisa ushtria e cila ka shkuar në ndjekje nuk kthehet dhe nuk e gjen Sulltanin ngadhënjimtar. Mirëpo, një i pafe, i cili i pla­gosur dhe i stërpikur me gjak qe fshehur ndër të mbyturit, u ngrit nga vendi i tij dhe duke u shkarë dhe luhatur u nis nga ngadhënjimtari Hudavendig’jari (pseudonim me domethënie Sundues sovran), porse çaushët e ndalën. Ngadhnjimtari Hu­davendig’jari sigurisht ka menduar që (ai i plagosuri) ka ndonjë lutje ose dëshirë, dhe i largoi çaushët. Në këtë i pafeu i mallkuar, eci një hap përpara dhe e goditi me hanxhar, kurse sipas asaj “kur të vijë çasti i caktuar, atëherë është e ngushtë tërë bota” - po atë çast apo atë moment (Sulltani) u ngrit në shkallën e shehidit.

Pasi qe ngadhënjimtar i vërtetë, u bë shehid i vërtetë.

Në vitin shtatëqind e nëntëdhjetë (1389), kurse fronin e sundimit ngadhënjimtar ia lëshoi Bajezit beut.



URUXH-i
BETEJA E KOSOVËS*
Në atë kohë (ende) nuk kishte topa dhe pushkë. Rëndom beteja zhvillohej me shigjeta, shpata dhe shtiza. (Të dy ushtritë), duke u përzier njëra me tjetrën, zhvilluan betejë dhe gjakderdhje të madhe. U vranë shumë njerëz nga muslimanët dhe të pafetë. Nuk kishte fund për ata të cilët ranë nën shpatë. E Vërteta e Lartë, për shkak të bekimit të çudive të Pejgam­berit të madh dhe për besimin e thellë të ushtarëve besimdre­jtë, i dha grushtin vdekjeprues të pafeut. Gazi-të i shpërndanë të pafetë. Të pafetë u shpërndanë kurse gazitë shkuan t’i ndjekin ata. Kur ushtria u shpërnda në të katër anët dhe shkoi, Gazi Murat hani, siç rrëfejnë, mbeti vetëm.

Mirëpo, ishte një i pafe i mallkuar, i cili (më parë) ishte përbetuar si sakrificë. Duke u ngritur mes kufomave, me fjalët: “Dua t’ia puth dorën padishahut”, u nis përpara. Ai ka qenë, si duket, një ndër bejlerët e fuqishëm. Ata, (të cilët patën shkuar), asgjë nuk kanë parandier dhe qenë krejtësisht mendjelehtë (gafil). (Ç’të bëhet?). Ç’ka pasur, sipas Vendimit Hyjnor të ndodhë, kjo gjithherë edhe ka ndodhur. Vdekja, thonë, erdhi shpejt në vendin qysh më parë të caktuar. Sipas fjalës (së urtë arabe): “Kur të vijë caktimi, të verbër janë të pamurit”, askush nuk mund ta mënjanojë. Kështu edhe ky i pafe, duke ardhur me hanxharin shumë të mprehtë dhe sikur uji të kthjellët, e goditi padishahun, i cili ishte i hipur në kalë.(...) Në atë çast bejlerët u mblodhën në një vend dhe në atë rrethanë u pajtuan në atë që ta ngrenë sulltan Bajezitin në vendin e babait të tij. Jakub Çelebiut i dërguan lajm me fjalët vijuese: “Eja, të dëshiron babai yt!” Në këtë mënyrë e sollën dhe e mbytën në tendë. E përcollën atë në dispozicion të të Vërtetës së Lartë. Duke e vendosur sulltan Bajezitin për padishah, bejlerët sërish filluan betejën dhe me britmën “All-llah, All-llah!” goditën përsëri (të gjithë) në të njëjtin çast mbi të pafetë. E madhëronin Zotin me britma: “All-llahu ek­ber” (Zoti është më i madhi) dhe (sërish) zhvilluan betejë të madhe. Në atë betejë e kapën despotin Llaz-oglun me të birin dhe i sollën para sunduesit të popullit të devotshëm, vazhdi­misht duke e madhëruar emrin e Zotit, d.m.th. para Madhë­risë së Tij, sulltan Bajezitit. Bajezit - hani dha urdhrin. Të dytë u ekzekutuan, e bënë skëterrën e errët vendbanim të këtyre katarëve, të privuar nga pasardhësit. Sipas mëshirës së të Vërtetës së Lartë, së cilës i përket lavdia dhe së cilës emri t’i jetë i ngritur lart, dhe në betimin e mrekullive të Pejgamberit, Muhammedit Mustafasë, mbi Të qoftë bekimi, dhe i mbytën me shpatë të pafetë. Kur këta të mallkuar u shpartalluan, ga­zitë u pasuruan (tej masës).

Duke u larguar nga aty, erdhën në Jedrene. Në Jedrene e vendosën sulltan Bajezitin në fron dhe ai në madhështi dhe fat u ul në karrige, vend i madhërisë dhe lavdisë.

Mosha e Gazi Muratit ka qenë gjashtëdhjetë e shtatë vjet. Kur vdiq i ati i tij Orhani, ka pasur katërdhjetë e dy vjet. Tridhjetë e një vit është lexuar hutbeja me përmendjen e em­rit të tij. Kufomën e tij e kanë kthyer prap dhe e kanë varrosur në Brusë. Vdekja e Murat-hanit ka ndodhur në vitin 879 të Hixhretit.



--------------------------------------------------------------------------------

[1] Salih Trako, “Pretkosovski dogadjaji u “Hest Bihistu” Idrisa Bitlisija”, “Prilozi za Orijentalnu filologiju”, XX-XXI/1970-1971 (më tej: POF XX-XXI), Orijentalni Institut u Sarajevu, Sarajevo, 1974, fq. 159.

[2] Salih Trako, “Bitlisijev opis Balkanskog poluostrva”, “Prilozi za Orijentalnu filologiju”, XII-XIII/1962-1963 (më tej: POF XII-XIII), Orijentalni Institut u Sarajevu, Sarajevo, 1965, fq. 209. Shih gjerësisht fq. 209-212.

[3] POF XX-XXI, fq. 159. Shih kronikat e vjetra, fj. vj. rreth Luftës së Maricës etj.

[4] Ibid.

[5] Gli{a Elezovi}, “Boj na Kosovu 1389 g. u istoriji Mula Mehmeda Ne{rija” (më tej: BK 1389), Bratstvo XXXI, Beograd, 1940, fq. 3.

[6] Ibid., fq. 1 - 77.

[7] Selami Pulaha, “Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV” (më tej: LSHT) - burime osmane, Tiranë, 1968, fq. 76-95.

[8] Shih: POF XII-XII, fq. 213.

[9] Shih: Ibid., fq. 213, fuan. 16

[10] Shih: POF XII-XIII, POF XIV-XV dhe POF XX-XXI.

[11] Shih: LSHT, fq. 74-95 dhe 125 - 182.

[12] BK 1389,f q. 2

[13] LSHT, fq. 74.

[14] Salih Trako, “Bitka na Kosovu 1389 g. u Istoriji Idrisa Bitlisija”, “Prilozi za Orijentalnu filologiju”, XIV-XV/1964-1965, (POF XIV-XV), Orijentalni Institut u Sarajevu, Sarajevo, 1969,f q. 331.

[15] Ibid., fq. 331 dhe LSHT, fq. 74.

[16] BK 1389, fq. 2; Shih domethënien e fjalës “mulla” e cila është derivat nga “mewla” që në këtë rast dtth.: “Titull i njerëzve të ditur fetarë muslimanë” etj. Shih: Teufik Mufti}, “Arapsko-srpskohrvatski rje~nik”, II, bot. II, Sarajevo, 1988, fq. 3915.

[17] POF XIV-XV, fq. 331.

[18] BK 1389, fq. 2 - 3.

[19] LSHT, fq. 74; Krahaso: BK 1389, fq. 2 - 3.

[20] BK 1389, fq. 3 - 4.

[21] LSHT, fq. 76.

[22] BK 1389, fq. 3.

[23] LSHT, fq. 76, fusn. 3; Shih: LSHT, fq. 214 etj.

[24] P. Wittek, “Zum Quellenproblem der altesten osmanischen Chroniken mit Auszuge auz Neschri”, in MOG, bd. I, fq. 77-150, sipas: LSHT, fq. 74-75.

[25] Wittek, op. cit. MOG, I, fq. 139, sipas: LSHT, fq. 75, shih: fusn. 8.

[26] Shih për Ashik pasha Zaden: LSHT, fq. 62-73.

[27] LSHT, fq. 75, fusn. 9.

[28] Ibid., fq. 75.

[29] Shih: Ibid., fq. 75.

[30] Ibid., fq. 80.

[31] Dorëshkrimi fol. 71 dhe 80 i Neshriut, sipas: LSHT, fq. 80 dhe 86.

[32] Dorëshkrimi fol. 79 sipas: LSHT, fq. 84.

[33] Shih: BK 1389, fq. 39 - 40, fusn. 7; Krh. LSHT, fq. 84.

[34] Shih: BK 1389, fq. 73 - 74, fusn. 6.

[35] LSHT. dorëshkrimi fol. 71, fq. 80 - 81.

[36] BK 1389, fq. 2.

[37] Ibid., fq. 3; Krh. LSHT, fq. 75.

[38] POF XII-XIII, fq. 212; Krh. LSHT, fq. 125, fusn. 1.

[39] POF XII-XIII, fq. 212.

[40] Joseph von Hammer, “Historija turskog (osmanskog) carstva” (më tej: HTC I), vëllimi I, Zagreb, 1979, fq. 279.

[41] POF XII-XIII, fq. 212, fusn. 11.

[42] M. Sureyya, “Sicill-i osmani”, v. I, Stamboll, 1308, fq. 309, cituar sipas: LSHT, fq. 125.

[43] HTC I, fq. 262; POF XII-XIII, fq. 212.

[44] POF XII-XIII, fq. 212.

[45] Sadeddin, “Tac-ut-tevarih”, v. II, fq. 566, cituar sipas: LSHT, fq. 125.

[46] POF XII-XIII, fq. 212.

[47] Ibid., fq. 212. Mendohet se Idris Bitlisi ka pasur aftësi të mëdha organizative dhe ushtarake dhe se për këto ka qenë i njoftuar mirë edhe Selimi I, mirëpo ai e kishte angazhuar me përkthime e punë shkencore që ta largojë nga punët politike. (HTC I, fq. 30). Për aktivitetet ushtarake shih: HTC I, fq. 307 - 309.

[48] POF XII-XIII, fq. 212.

[49] Ibid., fq. 212-213; LSHT. fq. 125, fusn. 4 dhe 13. Gjerësisht për jetën e I. Bitlisit shih: LSHT, fq. 125-126 (fq. 125-182); Franz Babinger, “Die Geschichtsschreiber der Osmanen und ihre Werke”, Leipzig, 1927, fq. 45-46; “Enzyklopaedie des Islam”, I, fq. 745; “Islam Ansiklopedisi”, V, fq. 936.

[50] POF XII-XIII, fq. 213; KRh. LSHT, fq. 125.

[51] LSHT, fq. 125.

[52] Fuad Küprülü, “Op~i pogled na razvoj turskog jezika i knji`evnosti u Anadoliji (XIII-XIV stolje~e)”, “Islamska misao”, IX/107-108/1987, Sarajevo, fq. 29, shtylla I-II. Për shkaqet pse është shkruar në persishte, shih burimin e njëjtë, fq. 29.

[53] POF XII-XIII, fq. 213; LSHT, fq. 125.

[54] POF XII-XIII, fq. 213.

[55] Ibid., fq. 213; fusn. 15. Shih: POF XIV-XV, fq. 230, fusn. 4.

[56] Ibid., fq. 213.

[57] Ibid., fq. 213. Ndër shkaqet e mosstudimit të këtij dorëshkrimi theksohet mungesa e dorëshkrimeve... Shih: POF XIV-XV, fq. 330; Krh. LSHT, fq. 126.

[58] LSHT, fq. 125, fusn. 6; HTC I, fq. 279.

[59] HTC I, fq. 330.

[60] Ibid., fq. 330. Hameri përmend një rast se vezirët e sulltan Selimit I e paguan I. Bitlisin një mijë dukatë për poezinë e shkruar, mirëpo Bitlisi refuzoi dhe insistoi që poezinë t’ia dorëzojnë Sulltanit. Poezinë (kasidenë) e tij e përcolli me lutjen se nëse nuk pengohen padrejtësitë në vend, mund të udhëtojë. Mirëpo, kjo nuk e zemëroi Sulltanin i cili e urdhëroi flotën e tij detare ta kthejë Bitlisin në Stamboll. Thuhet se kjo ndodhi në verën e vitit 1517. (HTC I, fq. 330).

[61] POF XIV-XV, fq. 331; Shih: LSHT, fq. 125.

[62] Ibid., fq. 331.

[63] POF XII-XIII, fq. 213-214.

[64] POF XIV-XV, fq. 331-332.

[65] LSHT, fq. 136. Krh. Gasper Gjini, “Skopsko-Prizrenska Biskupija kroz stolje}a”, Zagreb, 1987, fq. 122, fusn. 6.

[66] POF XIV-XV, fq. 335.

[67] Ibid., fq. 344, fusn. 11.

[68] Ibid., fq. 345, fusn. 14.

[69] LSHT, përkthimi fq. 143, origjinali fq. 142.

[70] Ibid., fq. 143, fusn. 19.
* Nga: “Kosovska bitka – mit, legenda ili stvarnost”, Beograd, 1988, fq. 79 - 80. Titulli është i yni.
* Nga: “Kosovska bitka – mit, legenda ili stvarnost”, Beograd 1988, fq. 81. Titulli është i yni.
* Nga: “Kosovska bitka – mit, legenda ili stvarnost”, Beograd, 1988, fq. 81. Titulli është i yni.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme