
Por për të përcaktuar kohën me saktësi se kur filloi të përdorej shkrimi i shqipes me alfabetin arabo-turk, ka nevojë për kërkime e hulumtime në arkiva e biblioteka shtetërore dhe private nga specialistë që i njohin mirë gjuhët orientale dhe kanë interesa gjuhësore.3) Kontribute me vlerë për ta njohur dhe vlerësuar këtë letërsi kanë dhënë O.Myderrizi dhe H.Kaleshi dhe vazhdojnë të merren, duke botuar studime me rëndësi, I.Ajeti, M.Hysa, M.Pirraku, R.Bardhi, A.Hamiti etj.
Në këtë rrugë të gjatë të përdorimit të alfabetit arabo-turk , veçojmë dy grupe: i pari, janë shqiptarë, por shkruajnë në gjuhët orientale, i dyti, përdorin alfabetin arabo-turk, por shkruajnë shqip.
Kemi disa dëshmi, që i takojnë një të kaluare të largët, të cilat flasin për disa autorë me origjinë shqiptare, si: Suzi Prizreni nga Prizreni. Ai përveç veprës “Libri i pushtimeve të Ali bej Mihaloglut” dhe disa dorëshkrimeve, themeloi një mësonjëtore dhe një bibliotekë në Prizren. Ibrahim Dede (?-1520) është autor i një fjalori persisht - turqisht që e përktheu Myslim Hoxha. Dh.S.Shuteriqi thekson se përkthyesi, M. Hoxha na mëson se ishte prej Levanit të Fierit. Është i pari fjalor diçka i madh i këtij lloji në gjuhën tonë, me disa mijëra fjalë, pra me interes të veçantë4). Mesihi Prishtina ( 1470-1512) la një divan ku lavdërohet për origjinën shqiptare, kur thotë: “ E sojit të shqiptarit është origjina ime.” Më pas kemi një përfaqësues tjetër Jahja bej Dukagjini (1496-1582), i cili bënte këtë pohim:”Raca shqiptare është raca ime e ndritshme”, Ahmet bej Dukagjini etj.5) Por a mund të kenë shkruar ndonjë gjë për shqipen këta autorë? Po të bëhen kërkime, ndoshta diçka mund të ndriçohet.
Dalëngadalë, ata që shkruan divane persisht apo turqisht, u hapën rrugë autorëve të tjerë për të shkruar edhe shqip. Në fillim të shek.XVIII kemi një vjershë prej 17 strofash me autor Muçi Zaden (1725). Kjo mendohet se është poezia e parë e shkruar me alfabetin arabo-turk pas asaj kënge të shkurtër rreth vitit 1650, të kënduar nga disa shqiptarë elbasanas në një ceromoni në Stamboll, e regjistruar me shkronja arabe nga një turk dhe e transliteruar nga historiani Zija Shkodra.6)
Poezia e Muçi Zades, e gjetur në Korçë, është një lutje humoristike kushtuar kafesë që autori i drejtohet Perendisë, si amator i apasionuar i saj. Është shkruar në Shqipëri dhe është dokumenti i parë në toskërisht, shkruar me alfabetin arab.
Në shekullin XVIII dhe në fillim të shek.XIX kemi një numër përfaqësuesish të letërsisë shqiptare që në shkrimet e tyre në gjuhën shqipe përdoren alfabetin arabo-turk. Kjo traditë e shkrimit shqip me këtë sistem shkrimor qe më e përhapur në disa mjedise, si në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, gjurmë të të cilit i ndeshim edhe pas Kongresit të Manastirit (1908). “Tradita myslimane, shkruan R.Elsie, vazhdoi sidomos në Kosovë, ku deri në vitin 1947 shkruheshin ende vargje me shkrimin arab”7). Gjurmimet që mund të bëhen, mund të kurorëzohen me gjetjen e veprave të tjera me këtë sistem shkrimor, siç ngjau në Kosovë me zbulimin e divanit të sheh Hilmi Maliqit- Rahovecit ( 1865-1928), i cili deri në viti 1927 në veprimtarinë e tij të shkruar përdori alfabetin arabo-turk.8) Këto gjetje do të na ndihmojnë për të sqaruar shumë çështje të paqarta deri më sot. Për këtë trashëgimi (dorëshkrime me alfabetin arabo-turk, T.O.), sipas akademikut Idriz Ajetit “gjuhëtarët shqiptarë dhe të huaj kanë mbajtur qendrim në mos përbuzës, indiferent po sigurisht.”9) Kjo traditë më e gjatë se në Shqipëri, ka arsyet e veta, mbasi ndikimi dhe botëkuptimi i pushtuesit ka qenë më i theksuar.
Ky sistem shkrimor njohu përfaqësues në disa qytete, si në Berat, Elbasan, Shkodër, Prishtinë, Prizren,Tetovë, Filat, Gjakovë, Kolonjë, Frashër etj. Por duhet vlerësuar ky fakt se në disa krahina, kryesisht në ato që më vonë do të mbeteshin jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, “përdorimi i shqipes me alfabet arab ishte… e vetmja mundësi për ta shkruar gjuhën amtare”10)
Letërsia shqiptare me alfabet arab ishte rrjedhojë e rrethanave politiko-shoqërore të asaj periudhe. Për këta autorë, për poezitë e tyre, historiani I.Zamputi shkruan: “Mund t’i quajmë bejte dhe bejtexhinj, sipas shijeve tona, duke i vlerësuar ose duke i përçmuar artistikisht, por duhet t’ua njohim qëllimin dhe funksionin fisnik të afirmimit të vetëdijes mbarë shqiptare të komponentës më të madhe të popullit shqiptar.”11)
Në plejadën e autorëve, që përdorën alfabetin arabo-turk në shkrimet e tyre, përmenden N.Frakulla, S.Naipi, H.Z.Kamberi, M.Kyçyku, M.H.Dobraçi etj. dhe ata që shkruan me dhjetëra e qindra vargje, si D. e Sh.Frashëri etj. Nën ndikimin e mjedisit ku u arsimuan e u edukuan, në veprat e tyre kanë një gjuhë të ngarkuar me arabizma e turqizma, megjithatë kanë vlerë se janë botime shqipe, të cilat ndihmuan për të dhënë një kuadër të plotë të historisë së letërsisë shqiptare dhe të shkrimit shqip. Botimet e tyre janë çmuar nga rilindësit, në veçanti nga S.Frashëri e J.Vreto. Edhe Naimi i vlerësoi ato, duke i quajtur vjershëtorët e Shqipërisë, por më vonë i kritikoi në parathënien e Iliadës së Omirit për fjalët e shumta të huaja të përdorura.
Krahas tyre, në një rrafsh tjetër, numërohen disa autorë që u morën me hartimin e fjalorëve, gramatikave, abetareve etj. Mund të përmendim Shemimi Shkodra që hartoi një fjalor shqip-turqisht (1835). Kjo vepër do t’u shërbente shqiptarëve që nuk dinin turqishten, si dhe ushtarëve turq që vinin në Shqipëri. Alfabeti i tij kishte 45 shkronja. Ata nuk ishin të gjitha për shqipen, ishin edhe për turqishten. Shemimi Shkodra për disa tinguj të shqipes ka përdorur edhe shenja diakritikë, si për c, x, nj që nuk i kishte arabishtja dhe persishtja. Autori i fjalorit ka përshtatur edhe disa shkronja arabe, duke i venë ndonjë shenjë diakritikё. Për prof. J.Kastratin autorët e fjalorëve dygjuhësh (shqip-turqisht dhe anasjelltas) dhanë një kontribut me rëndësi për leksikigrafinë, leksikologjinë dhe gjuhësinë tonë përgjithësisht.12) Fjalorë hartuan edhe Myslim Hoxha nga Berati dhe H.Ali Ulqinaku. Ky i fundit ka hyrë në radhën e përkthyesve, leksikografëve dhe hartueve të teksteve. Përmendet për veprën në dorëshkrim “Ulqini” që përbëhet prej tre fjalorësh dhe të një abetari. Ai përshtati për shqipen alfabetin arabo-turk. Në parathënien osmanisht të fjalorit H.A.Ulqinaku shpjegon metodën për shkrimin e shqipes me shkronja arabe, “duke përshkruar të gjitha kombinimet e përshtatjet që i bëri grafisë arabe.”13) Ai përdori në veprat e veta alfabetin arabo-turk me 2-3 variante, duke bërë ndreqje dhe përmirësime dhe duke iu afruar sistemit fonetik dhe fonologjik të gjuhës sonë. Alfabeti i fjalorit ishte një punë më e mirë e H.Aliut. Ai ka rreth 40 shkronja, duke përfshirë edhe ato bashkëtingëllore specifike arabe që nuk i ka shqipja. Ndërsa në abetar përdor 36 shenja grafike të alfabetit arabo-turk, duke bërë edhe disa modifikime. Në krahasim me autorët e tjerë që zbatojnë këtë sistem shkrimor, alfabeti i tij është më i ploti dhe më i arriri, një punë e mirë e tij, por jo pa të meta. Në këtë rast mund të ketë ndikuar ngjarjet e kohës, por edhe se ai i përket një periudhe më të vonë ku shumë probleme gjuhësore po merrnin rrugën e zgjidhjes. “Andaj, shkruan M.Pirraku, H.A.Ulqinaku alfabetin shqip me grafi arabe e kompiloi për nevoja aktuale të kulturës e të shkrimit shqip për përhapje legale në atdhe dhe me shumë zotësi e përkuli shqipen e folur në shqipe të shkruar, duke e saktësuar gjuhën e shkruar me zotësi të madhe dh dashuri patriotike”14)
Më parë se H.A.Ulqinaku, D.Boriçi, në trashëgiminë e tij në rrafshin gjuhësor na la: një abetar me 3-4 variante, një skicë gramatike në dorëshkrim dhe një fjalorth shqip-turqisht dhe anasjelltas, ku përdori alfabetin arabo-turk.Këtë sistem shkrimor, që e zbatoi në abetare, ka 37 shkronja nga të cilat 28 janë të alfabetit arab, 2 janë marrë nga osmanishtja dhe për të plotësuar nevojat e gjuhës sonë ka krijuar vetë 7 shkronja, duke përfshirë edhe grupet e bashkëtingëlloreve nd e ng.15)
Ndërsa në Kosovë mendohet se shkrimi më i vjetër me alfabetin arabo-turk është “Vehbija” (1835) e Tahir ef. Boshnjakut nga Gjakova. Një studim të hollësishëm gjuhësor për këtë dhe divanin e sheh Hilmi Maliqit - Rahovecit, duke analizuar sistemin fonetik, format gramatikore dhe leksikun e ka botuar akdemik Idriz Ajeti.16) Por për studiuesin M. Pirraku Dervish Hasani me ilahinë “Ah un i mjeri kesh tue fjetë”, pjesa II e shek.XVII -pjesa I e shek.XVIII duhet të jetë autori i parë shqiptar qё shkruan me alfabetin arab...në Kosovë...”17)
Ata autorë që përdorën alfabetin arabo-turk, e kanë pasur të vështirë t’u shkëputeshin plotësisht veçorive të tingujve të arabishtes, mbasi dihet se shqipja dhe arabishtja nuk hyjnë në të njëjtën familje gjuhësore, kanë sistem fonetik dhe fonologjik jo të njëjtë ose të përafërt. Gjithashtu sistemi i zanoreve dhe i bashkëtingëlloreve ka veçori të tjera. Autorët e parë, kur kanë përdorur alfabetin arabo-turk, nuk janë nisur nga interesa gjuhësore, ndoshta kanë ditur vetëm atë sistem shkrimor. Në këto rrethana ata nuk janë shqetësuar se si mund t’i plotësojnë mungesat e disa tingujve, kryesisht të zanoreve, kur dihet se arabishtje në këtë fushë është e varfër. Në shumë raste ata kanë futur në punë shenja të ndryshme ose kanë stilizuar disa shkronja të alfabetit arab. Nuk janë dalluar dhe pasqyruar me përpikëri të gjitha fonemat e gjuhës shqipe. Prandaj është mirë që vërejtjet për zbatimin e alfabetit arabo-turk për shqipen, të bëhen për çdo autor, mbasi secili ka veçoritë e veta, duke ditur, gjithashtu, se nuk kanë pasur edhe të njëjtën përgatitje intelektuale. Kështu, alfabeti i Nezimit dhe i autorëve të parë pas tij që përdorën këtë sistem shkrimor, kanë mjaft të meta, meqë u kufizuan shumë në shënjat diakritikё, gjë që nuk dalloheshin disa tinguj me shenjat e përdorura nga tingujt e njëjtë të shqipes. Edhe alfabetit të M.Çamit i janë bërë vërejte gati të së njëjtës natyrë. Më i gjetur në këtë drejtim paraqitet alfabeti i H.A.Ulqinakut, të cilin e përmendëm më sipër. Në këtë fushë punoi edhe Rexhep Voka nga Tetova. Alfabeti i tetovarit kishte 44 shkronja. Ka shtuar tetë. Një veprim të tillë e shpjegon vetë ai, kur thotë: “Qëllimi ynë ka qenë të tregojmë se këto germa përdoren si në gjuhën turke, ashtu edhe në të shqipe për të krijuar një lehtësi për mësimin e gjuhës shqipe me germa turke.” Shumë nga autorët që përdorën alfabetin arabo-turk për shqipen, duke jetuar në një periudhë më të vonë, ku vërehen zhvillime në jetën kulturore-arsimore të popullit shqiptar dhe duke qenë më afër ndryshimeve politike e sociale, që priteshin të ndodhnin dhe vetë më të përgatitur nga ana arsimore e kulturore, alfabetin arabo-turk nuk e zbatuan në mënyrë mekanike, por bënë disa modifikime që t’i përshtatet secila grafemë sistemit fonetik të gjuhës shqipe.18) Vepruan në radhë të parë, duke u shtuar shkronjave arabe shenja diakritikё. Megjithatë, ai asnjëherë nuk arriti t’i përshtatej plotësisht sistemit fonetik dhe fonologjik të shqipes.
Disa nga këto vepra kishin vlerë për kohën, kur u shkruan për disa disiplina gjuhësore, si për leksikologjinë, leksikografinë, dialektologjinë historike shqiptare, për historinë e shkrimit shqip dhe gramatikën e saj.
Botimet apo dorëshkrimet për atë periudhë që u përdorën, ndihmuan sado pak në ruajtjen, kultivimin dhe përhapjen e shqipes në vendin tonë dhe jashtë, ndonëse e ardhmja nuk i takonte atij sistemi shkrimor. Alfabeti arabo-turk nuk mund të përdorej për shqipen, veçanërisht në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare dhe më pas, për shkaqe politike, shkencore, teknike dhe praktike. Realiteti historik e vërtetoi një gjë të tillë.
______________________
Referenca:
1. R.Ismajli, Tekste të vjetra, Pejë, 2000, f.29.
2. Shkrimtarët shqiptarë, I, Tiranë, 1941, f.95.
3. Shih: T.Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Shkoër, 1999, f.138, shën.131.
4. Dh.S.Shuteriqi, Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Tiranë, 1976, f.143-144.
5.Shih për këto: Historia e letërsisë shqipe, Tiranë, 1959, f.249-250. Më hollësisht: Sh.Osmani, Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë, Tiranë, 1998, f. 21-30.
6. Dh.S.Shuteriqi, vep. e cit. f. 78.
7. R.Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë-Pejë, 1997, f.86.
8. Shih: I.Ajeti, Kërkime gjuhësore, Prishtinë, 1978, f.122.
9. Po ai , po aty, f. 43.
10. Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë, 1983, f.60.
11. I.Zamputi, Fishta, njeriu, koha,vepra, Tiranë, 1993, f.161.
12. J.Kastrati, Historia e albanologjisë, Tiranë, 2000, f.527.
13. O.Myderrizi, Fjalori shqip-turqisht i H.A.Ulqinakut, BUSHT, 3, 1961,f.29,shën.15.
14.M.Pirraku, Qëmtime për jetën dhe veprën e H.A.Ulqinakut, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë, 1992, f.89.
15. Sh.Osmani-Nj.Kazazi, Njëri nga tre...në botimin “Daut Boriçi-personalitet i shquar i historisë, i kulturës dhe i arsimit shqiptar, Shkodër, 1996, f.55.
16. I.Ajeti, vep. e cit. f.37-166.
17. Shih: R.Ismajli, vep. e cit. f.40.
18. I.Ajeti, vep. e cit. f. 44.